VOAL

VOAL

Le Radical (1914)- Esat Pasha, bashkë me delegacionin shqiptar, tek Princ Vidi në Neuwied (Fjalimet mes palëve)

January 13, 2020

Komentet

Rama refuzon të pranojë se protestat masive drejtohen kundër tij dhe kontrollit të tij kriminal me një grusht të hekurt të pushtetit Nga Elvira Dones

Po u përgjigjem në italisht shumë miqve dhe kolegëve të mi të dashur që më kanë dërguar privatisht artikuj dhe imazhe rreth Shqipërisë gjatë tre javëve të fundit –

Faleminderit.

Kur filloi gjithçka, isha sa më larg Zvicrës nga ana kulturore; isha në Islandë.

Jam kthyer.

Tani, në terma “të dobët”, mund të them se jam e mbingarkuar nga emocionet.

Megjithatë, duhet të mbetem e kthjellët dhe e ekuilibruar – mosha dhe përvoja ime e diktojnë këtë.

Shqiptarët më në fund kanë ngritur kokën.

Të rraskapitur, të tallur, të shtypur brenda një sistemi korrupsioni ekstrem që i ka bërë të ndihen si skllevër të 1 përqindëshit.

Nuk është çështje e një “algoritmi” të çmendur dhe fajtor, as e “armiqve të jashtëm” të Shqipërisë, siç pretendon Kryeministri shqiptar.

Rama refuzon të pranojë se protestat masive drejtohen kundër tij dhe kontrollit të tij kriminal dhe me grusht të hekurt të pushtetit.

Si do të përfundojë, nuk e di.

Por e di që të shoh njerëzit e mi të dashur në rrugë për tre javë rresht është një përvojë aq mrekullisht e bukur.

Kryeministri akuzon qytetaren për ndërtim pa leje, objekti në fakt i përket vitit 1941

Ndërtesa e paraqitur nga kryeministri është katër katëshe nga të cilat, tre katet e para janë të restauruara ndërsa kati i katërt është i parestauruar.

 

TIRANË- Kryeministri Edi Rama akuzoi si autore për ndërtim pa leje, duke insinuuar hipokrizi, një prej dhjetëramijëra protestuesve që po kërkojnë dorëheqjen e tij dhe rrëzimin e sistemit që ai dhe kreu i opozitës Sali Berisha krijuan tetëmbëdhjetë vjet më parë, por aktivistja Entela Spahivogli iu përgjigj duke treguar se ndërtesa në fjalë i përket vitit 1941 dhe nuk është pa leje. Ndërkohë, pamjet filmike të vitit 1966 duket se tregojnë se ndërtesa që Rama e cilësoi si pa leje ka qenë në të njëjtën gjendje së paku që nga ajo kohë.

Kryeministri publikoi një foto të aktivistes e cila po bënte thirrje për protestë si dhe një foto të një ndërtese duke shkruar: “Majtas: Një shtesë skandaloze pa leje brenda mureve të kalasë së Durrësit. […] Djathtas: Një protestuese e përbetuar për mbrojtjen e mjedisit […] Ajo është vetë ndërtuesja e shtesës pa leje.”

Ndërtesa e paraqitur nga kryeministri është katër katëshe nga të cilat, tre katet e para janë të restauruara ndërsa kati i katërt është i parestauruar. Por ndryshe nga sa akuzon kryeministri, Spahivogli, një nga protestueset kundër projektit TID në Durrës, projekt për të cilin qytetarët protestojnë veçanërisht për shkak të vlerës së ulët të kompensimit të ofruar, vlerë që i nxjerr ata praktikisht të pastrehë, tha se ndërtesa në fjalë, jo vetëm që është me leje dhe jo vetëm që ajo nuk është akuzuar ndonjëherë për ndërtim pa leje, por i përket vitit 1941.

“Përpara se të shpifni, z. Kryeministër, verifikoni faktet,” deklaroi Spahivogli.

“Objekti që ju paraqisni si “shtesë pa leje” është pjesë e një ndërtese të ndërtuar nga familjet Koja dhe Jakoel që në vitin 1941, me projekt dhe ndërtues italianë. Historia e saj vërtetohet me dokumente ligjore e historike, fotografi, filma dhe dëshmi të kohës,” shtoi ajo.

Aleksandër Cangonja, një qytetar nga Durrësi i apasionuar pas dokumenteve historike, publikoi një kuadër të marrë nga një xhirim i ruajtur në Arkivën Qendrore të Filmit në të cilën ndërtesa paraqitet njësoj si në foton e kryeministrit, pra pa ndërtim pa leje.

“Pamja e Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit, e realizuar para vitit 1966, tregon qartë se objekti ishte ndërtuar në formën që ka edhe sot,” shkroi Cangonja.

Kryeministri nuk iu përgjigj pyetjeve të BIRN deri në publikimin e këtij shkrimi.

Kryeministri Edi Rama po përballet me krizën më të madhe politike në karrierën e tij që nisi në vitin 1998. Që prej 21 ditësh, mijëra qytetarë kërkojnë dorëheqjen e tij dhe ndryshim tërësor politik në vend. Në ditë të caktuara, si në mbrëmjen e 20 qershorit, numri i protestuesve duket se arrin në dhjetëramijëra e ndoshta në më shumë se 100 mijë.

Protestuesit e kanë etiketuar protestën si “Revolucioni i Flamingove”, për të sinjalizuar se kërkojnë jo thjeshtë rrëzim të një kryeministri, por ndryshim epokal në politikëbërje.

Kryeministri i shtohet në këtë mënyrë listës së zyrtarëve të tjerë socialistë të cilët kanë përdorur informacione dukshëm të pavërteta për të sulmuar protestuesit. Protestuesit janë sulmuar mes të tjerash si agjentë të armiqve ndërsa Rama ka ngritur hipotezën pa ofruar fakte se protestat, larg të qenit shprehi e zemëratës popullore ndaj qeverisjes së tij, janë produkt i “luftës hibride”.

Më herët, deputeti Taulant Balla publikoi një foto të një automjeti me targa serbe në Zvërnec duke sugjeruar se mes protestuesve kishte “serbë”. Pasi u bë botërisht e ditur se automjeti nuk i përkiste protestuesve serbë, por një ekipi gazetarësh të agjencisë Reuters, Balla duket se injoroi faktet dhe vijon të mbajë postimin pa e tërhequr atë dhe pa kërkuar ndjesë./Reporter.al

“Kur populli ngrihet, asnjë pushtet i korruptuar nuk reziston” Ish-ministri i PS parashikon fundin e Ramës, Malaj: Rinia ka rrëzuar liderë të mëdhenj. As Charles de Gaulle s’i mbijetoi revoltës…

Nga Arben Malaj

Protesta është tashmë tejet masive dhe, pa asnjë dyshim, do të jetë produktive. Koha ka treguar se kur një popull ngrihet, asnjë pushtet i korruptuar nuk mund të qëndrojë gjatë. Sot, këtij pushteti po ia thonë qartë dhe prerë të gjithë të rinjtë e Shqipërisë, rinia e diasporës dhe ajo e të gjitha trojeve shqiptare: “Nuk të duam më!” Por në vend që të reflektojë, ai zgjedh t’i provokojë ata me një fjalor përçmues dhe arrogant.

Kjo sjellje është një tentativë e pastër për të krijuar tensione sociale, me të vetmin qëllim: të ushqejë babëzinë e tij për pushtet absolut dhe të përjetshëm.
Ky është një pushtet i lidhur këmbë e kokë me krimin dhe oligarkët qeveritarë, po aq të babëzitur sa ai vetë, që po mbysin të ardhmen e këtij vendi.
Historia na mëson se ky lloj verbërie politike sjell gjithmonë të njëjtin fund.
Edhe liderë të mëdhenj e historikë janë detyruar të largohen kur kanë humbur lidhjen me rininë.
Rasti më i pastër është ai i Presidentit francez Charles de Gaulle (Sharl de Gol) pas revoltave masive të Majit 1968.
Kur Parisi u përfshi nga protestat e studentëve, ishte pikërisht përballja me të vërtetën dhe ndikimi i familjarëve të tij që e bënë të kuptonte se brezi i ri nuk e donte më sistemin e vjetër dhe autoritar që ai përfaqësonte. De Goli e kuptoi se pa mbështetjen e rinisë nuk mund të qeverisej më me legjitimitet; ai vuri në provë besimin e popullit me një referendum dhe, kur mori përgjigjen negative,
Dha menjëherë dorëheqjen dhe u largua përgjithmonë.
Ndryshe nga De Goli, që përpara historisë zgjodhi dinjitetin dhe dorëheqjen, liderët e sotëm të babëzitur pas karriges tentojnë të mbijetojnë përmes dhunës verbale dhe tensionit.
Por historia e ka treguar se kur rinia dhe diaspora bashkohen kundër oligarkisë dhe krimit,
produkti i vetëm është rënia e pashmangshme e regjimit
1. #RiniaNukTëDo
(Lidhet drejtpërdrejt me mesazhin kryesor dhe paralelen e De Golit)
2. #ProtestaMasive (Përfaqëson pjesën e parë të tekstit mbi forcën dhe produktivitetin e revoltës)
3. #DiasporaMeRininë (Përfshin mbështetjen e rinisë shqiptare jashtë vendit dhe në troje)
4. #JoBabëzisë (Shënjestron kritikën tuaj ndaj oligarkisë dhe etjes për pushtet absolut)
5.#Maji68ShqiptarNjë referencë historike me rastin e De Golit, duke e sjellë në kontekstin aktual

bw

Si kurrë më parë! Pamja magjike nga protesta, momenti kur Kryeministria u rrethua nga deti i qytetarëve

Pamjet e filmuara mbrëmë në Tiranë janë mahnitëse, në atë që mund të konsiderohet protesta më masive e ndodhur ndonjëherë në kryeqytet.

“Revolucioni Flamingo”, protesta që qëndron përtej partive politike dhe është revoltë e pastër qytetare për pakënaqësitë e përditshme dhe skandalet e kësaj qeverie, mbushi dje Tiranën.

Në pamjet që shihni, duket se si Kryeministria është rrethuar nga protestuesit, të cilët kërkojnë largimin e qeverisë dhe dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.

 

 

 

Nuk ishte algoritmi që shkaktoi zemërimin, por zemërimi që tejkaloi algoritmin- Nga GJERGJ EREBARA

Nëse mundet që bota e stërmadhe e medias sociale të përshkruhet me pak fjalë, është pak a shumë kjo: media e tipit Facebook apo Instagram, të cilat përdoren më shumë nga shqiptarët e moshës së re e të mesme, përpiqen t’i mbajnë njerëzit në lundrim sa më gjatë, duke i dhënë atyre informacionin që Facebook supozon se po kërkojnë, supozime të mbështetura në informacionin e mbledhur nga sjellja e përdoruesit.

Ky model biznesi ka bërë që Facebook të fitojë përmbajtje të ofruar falas nga përdoruesit, kryesisht përmes llogarive personale, dhe ta shesë vëmendjen e tërhequr të publikut nga ky informacion, te reklamuesit që reklamojnë kryesisht nga faqet.

Facebook dhe Instagram duket se përdorin një kombinim të luhatshëm të interesit që kanë për përmbajtje që përdoruesit ia japin falas, dhe interesit që kanë për shitjen e reklamave, për të caktuar vizibilitetin e secilit postim.

Postimet për të cilat përdoruesit e tjerë shprehin interes, u shfaqen më shumë njerëzve. Postimet për të cilat nuk shfaqin interes, do të duhet që postuesi të paguajë reklama që të mund t’i shpërndahet mesazhi. Reklamat funksionojnë nga ana e tyre në formë burse. Nëse ka shumë kërkesë për reklama, siç ndodh në fushata zgjedhore në Shqipëri, çmimi rritet. Rrjedhimisht, kur je biznes i vogël që dëshiron të reklamosh diçka në kohë zgjedhjesh në Shqipëri, mund të vëresh se si kostoja për të arritur disa blerës potencialë dyfishohet apo trefishohet për shkak se lumi i parave të fushatës praktikisht të nxjerr jashtë tregut.

Grupe të ndryshme, fjala vjen, qeveritë, përdorin sjellje të koordinuar për të gënjyer algoritmin sikur një postim i caktuar përbën interes të lartë. Siç është vërejtur nga së paku një hetim në SHBA, Facebook nuk ka ndonjë shqetësim të madh nga kjo sjellje e koordinuar, megjithëse zyrtarisht e konsideron të parregullt. Arsyeja është se sjellja, e koordinuar apo tjetër, i shërben Facebook që të mbajë në linjë më shumë përdorues dhe për një kohë më të gjatë.

Ata që kanë shumë burime në dispozicion, si, fjala vjen, kryeministri Edi Rama, përpiqen të dominojnë, dhe me shumë raste ia dalin të domonojnë median sociale përmes një fenomeni që ekspertët e njohin si saturizim. Ndërsa një kritik i qeverisë mund të bëjë një postim, qeveria ka ushtri të tëra me propagandistë që janë në gjendje të prodhojnë një volum të stërmadh materialesh, të cilat, duke pasur cilësi grafike më të lartë, dhe duke shfrytëzuar burime financiare të stërmëdha, arrijnë të dominojnë median sociale duke lënë zërat kritikë të izoluar nëpër oborre të ngushta.

Metodat që Facebook dhe rrjete të tjera sociale përdorin për të mbajtur përdoruesit, individë apo reklamues, të varur prej vetes, janë përshkruar nga ekspertët si metoda të huazuara nga industria e bixhozit dhe kanë ngritur shqetësime se kanë krijuar varësi te njerëzit. Në industrinë e bixhozit, njësia matëse e suksesit nuk është sa para ka shpenzuar kumarxhiu në kazino, por sa orë ka kaluar duke luajtur. Kohëzgjatja e shpenzuar në lojë është treguesi i suksesit. Paratë e fituara janë rrjedhojë e kësaj dhe jo objektivi primar. E njëjta gjë ndodh me Facebook, interesi i së cilës është të mbajë njerëzit sa më gjatë në platformë.

Algoritmet kanë krijuar “ishuj” apo “oborre të brendshme”, në të cilat, grupe të caktuara përdoruesish ndërveprojnë me njëri-tjetrin, ndërsa algoritmi mënjanon çfarëdolloj informacioni për të cilin grupi nuk ka shprehur interes. Kjo është mënyra se si Facebook ka funksionuar tashmë prej vitesh, duke krijuar “dhoma të jehonave” (echo chamber) apo grupe të izoluara njerëzish të cilët rrotullohen me njëri-tjetrin pa parë më tutje.

Por më 31 maj, ky sistem duket se u thye. Orteku i reagimeve të qytetarëve ndaj ngjarjes së shëmtuar të dhunimit dhe rrëmbimit të një qytetari nga rojat private të sigurisë në Zvërnec ishte origjina e gjithë kësaj. Nëse e mbani mend, ngjarja në Zvërnec ndodhi më 30 maj, ditë e shtunë, dhe deri të dielën, kur disa qytetarë në Tiranë thirrën një protestë ku morën pjesë mijëra vetë, algoritmi i Facebook u trondit, jo se pati ndonjë komplot, jo se pati ndonjë “luftë hibride”, por për shkak se, për fatin e keq të qeverisë, qytetarët u zemëruan në atë masë sa reagimi në rrjetet sociale theu muret e oborreve tradicionale, kapërceu ishujt e izolimit apo dhomat e jehonës dhe u derdh në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.

Ndërsa media tradicionale heshti, qytetarët vunë re fytyrën e oligarkisë: kontroll i sferës mediatike tradicionale përmes injorimit të lajmit të vërtetë dhe bombardimit me emisione spektakli dhe saturimit të medias sociale nga qeveria.

Zemërimi i qytetarëve natyrisht që nuk u krijua në mënyrë artificiale as nga algoritmi dhe as nga ndonjë informacion i rremë. Zemërimi qytetar thjesht sa arriti pikën e shpërthimit me ngjarjen në Zvërnec. Ishte zemërimi ai që theu algoritmin dhe jo algoritmi ai që shkaktoi zemërimin. /BIRN/

“Çoja fëmijët e saj aty!”- Prona e fshehur e Ballukut në “White Rocks”, zbardhet dëshmia e shoferit: Vila ishte e “shefes”

Për të provuar që vila në kompleksin “White Rocks” në Dhërmi, është pasuri e fshehur e Belinda Ballukut, SPAK ka marrë dëshminë e njerëzve më të besuar të ish-zv.kryeministes.


Një prej tyre është Albert Ushe, i cili për 8 vite ka shërbyer si shofer, fillimisht i Ballukut, e në vijim i fëmijëve të ish-ministres së Infrastrukturës.

Në rrëfimin e bërë para prokurorëve të posaçëm, Ushe ka shpjeguar se herë pas here fëmijët e Ballukut, që i drejtohet si “shefja” i ka dërguar me kërkesën e saj në një nga vilat e kompleksit “White Rocks”.

Ai shpjegon më tej se në vilën F6 në Dhërmi, ka dërguar edhe shtetasen me inicialet L.S që është pastruesja e shtëpisë ku jeton Belinda Balluku në Tiranë, afër “Nobis”.

Ai deklaron se fëmijët e shefes i ka dërguar në këtë vilë që përpara rreth 4 vite e gjysmë, gjatë kohës që në vilë nuk ishte bërë pishina.

I pyetur se kush është pronari I vilës, Albert Ushe ka deklaruar se nuk e di një të tillë, thjesht ka patur raste që i ishte referuar si “vila e shefes”, për shkak se Belinda Balluku i ka thënë që të dërgojë fëmijët e saj aty.

Për të provuar se vila është frekuentuar nga Belinda Balluku dhe familjarët e saj, SPAK ka kërkuar informacion nga kompanitë celulare dhe ka rezultuar se numri i ish-zv.kryeministres është lokalizuar nga antenat që mbulojnë pozicionin gjeografik të kompleksit “White Rocks”, përgjatë viteve 2024, 2025 dhe 2026.

Vila F6 në Dhërmi, është vënë nën sekuestro, pasi SPAK ka dyshime se Balluku e mori si ryshfet nga kompania Eurocol, të cilës i dha tender, kur ishte në krye të Albcontrol.

Vila është në emër të Igli Tares, ish-futbollistit të Kombëtares, i cili po ashtu edhe nën hetim lidhur me këtë çështje. Tare e ka ankimuar vendimin e sekuestrimit pasi pretendon se vila është pronë e tij dhe për shkak të lidhjes miqësore e ka përdorur dhe Balluku. gsh

‘Spiegel’: Edi Rama nën presion nga protestat masive, policia vazhdon procedimet penale

Një resort luksoz i planifikuar nga Jared Kushner dhe Ivanka Trump pranë një zone shumimi të flamingove po e ndan Shqipërinë. Prej javësh mijëra njerëz protestojnë – tani policia po reagon me procedime penale. Edhe kryeministri Rama po vihet nën presion.

SPIEGEL

Për shkak të protestave të reja kundër një projekti luksoz të dhëndrit të Trump, Jared Kushner, në Shqipëri, janë hapur procedime penale kundër 27 protestuesve të tjerë. Të dyshuarit akuzohen për shkelje të rendit dhe sigurisë publike, deklaroi policia të premten.

Në shenjë proteste, të premten në mbrëmje mijëra njerëz dolën sërish në rrugët e kryeqytetit Tiranë. Në fillim të javës ishin hapur tashmë procedime penale kundër 35 demonstruesve, të cilët dyshohet se kishin bllokuar një autostradë gjatë protestave të mëparshme.

Gjatë marshimit nëpër rrugët e kryeqytetit, shumë protestues valëvitnin flamurin shqiptar dhe brohorisnin slogane si: “Shqipëria nuk është për shitje”, “Anuloni projektin” dhe “Rama ik”, duke iu referuar kryeministrit shqiptar Edi Rama. Shumë protestues mbanin gjithashtu pankarta me flamingo rozë si simbol i lëvizjes protestuese.

“Rama ik”

Që nga fundi i majit në Shqipëri zhvillohen rregullisht protesta kundër ndërtimit të një resorti luksoz pushimesh në një zonë të mbrojtur natyrore në bregdetin shqiptar. Në projektin e ndërtimit janë të përfshirë dhëndri i presidentit amerikan Donald Trump, Jared Kushner, dhe bashkëshortja e tij, Ivanka Trump.

Demonstruesit duan ta vazhdojnë protestën derisa të plotësohen kërkesat e tyre, ndër to edhe anulimi i projektit. Një pjesë e lëvizjes protestuese tani kërkon edhe dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.

Protesta filloi pasi në një plazh në Zvërnec, në jugperëndim të Tiranës, u shfaqën papritur gardhe ndërtimi të siguruara me tela me gjemba dhe buldozerë.

Projekti, i bashkëfinancuar nga Jared Kushner, parashikohet të ndërtohet pranë një zone të rëndësishme shumimi për zogjtë shtegtarë, mes tyre edhe flamingot.

“Ishulli i Trump-ëve”

Kompania Atlantic Incubation Partners LLC e Kushner planifikon të investojë 1.4 miliardë euro për të hapur një resort luksoz në ishullin Sazan. Dikur aty ndodhej një bazë ushtarake.

Sazani është vetëm pak më pak se gjashtë kilometra katrorë në sipërfaqe, një masiv shkëmbor i mbuluar me pisha, lisa të gjelbër, rozmarinë dhe livando në Detin Adriatik. Ai ndodhet afërsisht në të njëjtën gjerësi gjeografike me Leçen ose Brindizin.

Megjithatë, banorët e bregdetit tashmë kanë një emër tjetër për ishullin. Ata e quajnë: Ishulli i Trump-ëve.

Vitin e kaluar, autoritetet shqiptare e përshpejtuan fillimisht projektin e pasurive të paluajtshme duke i dhënë Kushner-it statusin e “investitorit strategjik”.

Qeveria shqiptare prej kohësh përpiqet të nxisë ekonominë e saj përmes turizmit.

Familja e presidentit amerikan Donald Trump ka investuar në shumë projekte luksoze në mbarë botën.

Kritikët i akuzojnë Jared Kushner-in dhe bashkëshorten e tij se po përdorin presidencën e Donald Trump për interesat e tyre të biznesit.

Mediat e huaja – Protesta e 20- Televizioni publik francez: Kërkohet dorëheqja e Ramës, shpërthen zemërimi kundër tij

 

TV5 MONDE

Mijëra shqiptarë u mblodhën të premten në Tiranë për ditën e 20-të radhazi për të kundërshtuar një projekt kompleksi turistik luksoz të lidhur me vajzën e Donald Trump-it, Ivanka, dhe bashkëshortin e saj, Jared Kushner.

Mobilizimi kundër këtij kompleksi, i planifikuar në një rezervat natyror në bregdetin e këtij vendi ballkanik, po kanalizon gjithashtu zemërimin e një pjese të popullsisë kundër gjendjes së vendit dhe kryeministrit të tij, Edi Rama, i cili është në pushtet prej 13 vitesh.

Duke marshuar në rrugët e kryeqytetit, protestuesit mbanin flamuj shqiptarë duke brohoritur: “Rama, ik… anulo projektin!”, “Rama non grata”, “Shqipëria nuk është për shitje”. Flamingo rozë në pankarta, simbol i lëvizjes, valëviteshin mes turmës.

Për Denisa Kasën, aktiviste e mjedisit, protestuesit kanë arritur tashmë “disa rezultate”, veçanërisht një moratorium të kërkuar nga Parlamenti Evropian.

“Në këtë rast, një moratorium do të nënkuptonte që të gjitha ndërtesat dhe ndërtimet e reja në zonat e mbrojtura do të ndaleshin, ndërsa nuk do të jepej asnjë leje e re zhvillimi”, theksoi zonja Kasa për AFP.

“Ne jemi këtu për ta bërë zërin tonë të dëgjohet kundër këtij projekti, por edhe kundër ligjit aktual për zonat e mbrojtura, i cili hap derën për projekte të tjera në zona të tjera që janë të mbrojtura”, deklaroi për AFP biologu Xhemal Xheri.

Përpara këtij tubimi, policia njoftoi se 27 persona ishin akuzuar se kishin “drejtuar” protestuesit në rrugë jashtë itinerareve të parashikuara gjatë një marshimi në kryeqytet një natë më parë.

Këta persona akuzoheshin për “veprime që cenojnë rendin publik dhe sigurinë”, sipas deklaratës së policisë.

Në fillim të javës, të paktën 35 protestues u proceduan penalisht për bllokimin e autostradës që lidh Tiranën me aeroportin e saj të dielën në mbrëmje gjatë një proteste të ngjashme.

Kjo valë protestash u shkaktua nga shfaqja e gardheve dhe telave me gjemba, si dhe e buldozerëve në vendin e projektit, në plazhet e një rezervati të mbrojtur në bregdetin e Zvërnecit, rreth njëqind kilometra në jugperëndim të Tiranës.

Përplasjet mes protestuesve vendas dhe anëtarëve të një kompanie private sigurie në vendin e projektit të pasurive të paluajtshme i hodhën benzinë zjarrit dhe nxitën mijëra protestues të marrin pjesë në marshime proteste që vazhduan për javë të tëra.

Projekti luksoz i ndërtimit në bregdet dhe në ishullin e Sazanit, që ndodhet përballë tij, ka të bëjë me një zonë ku folezojnë shumë zogj shtegtarë, veçanërisht qindra flamingo rozë.

Autokratët dhe demokratizimi i shoqërisë- Koment nga Skënder MULLIQI

—-Domosdoshmërishtë po merremi më autokratë dhe autokracinë , saqë kemi harruar procedurat demokratike .Po shohim nese “tanët” do të vijnë në pushtet  kunder “ të tjerëve”megjithëse e dimë se edhe ata janë  mund  jenë të korruptuar , por mendojmë që të paktën  të jenë të zhytur  më pak…
 Po jetojmë në filim shekullin 21.Dhe shtrohet pyetja, a ka lëvizje ,dhe subjekteve politike që do të largoheshin nga sfera e regjimeve autokratike ,  që do të ishin të afta dhe të gatshme ta bënin këtë?A ka subjekte që do ta democratizojnë shoqërinë.Është e qartë së ato ekzistojnë .Kur mbani levat e pushtetit , kjo do të thotë se e keni  uzurpuar institucionet , sundoni në mënyrë autokratike në interes  të vetes dhe të grupit tuaj politik apo jashtë politikës.Kjo e përjashton një numer të madh të atyre që do të donin të ishin vetë në atë pozicion , të merrnin të paktën një copë torte.Kjo është e ashtuqujtura konkurrencë e eliateve politike dhe ekonomike.Nese zgjasin , ato demonstrojnë aftësinë për të mbijetuar politikisht ose për tu përballur më rrethana të caktuara gjeopolitike.Domosdoshmërishtë po merremi më autokratë dhe autokracinë , saqë kemi harruar procedurat demokratike .Po shohim nese “tanët” do të vijnë në pushtet  kunder “ të tjerëve”megjithëse e dimë se edhe ata janë të korruptuar , por mendojmë që të paktën të jenë të zhytur  më pak.Ne dimë të gjithë se shumica e njerëzve të këtij nënqielli, duan të jetojnë në shoqëritë demokratike në të cilat sigurohet ndarja e pushteteve dhe në të cilat uzurpatorët nuk kontrollojnë sistemet, ku ka zgjedhje të lira dhe të ndërshme .Një regjim që vepron brenda kornizave ligjore dhe kushtetuese, që nuk futet thellë në korrupcion dhe në krim të organizuar etj.Mendoj se numri më i madh i njerëzve do të pajtoheshin me atë program minimal
, sepse të gjithë janë të vetëdijshëm se janë viktima të kleptokratëve të sotëm.Pikat më të forta të qëndrueshmërisë të demokracisë dhe lirisë janë, barazia sociale , të mirat e pëbashkëta, liritë elementare njerëzore, jo diskriminimi mbi bazat  nacionale dhe fetare etj.Për të gjitha këto që i tjashë vështirë njeriu të bëhët shumë optimist.Konteksti në të cilin
veprojmë sot na shtyn drejtë një shteti relativisht demokratik, ku ligjet respektohet dhe ku do të mbizotëronte vetëdija për pabarazinë e thellë sociale, dhe ku do të futeshin politika progresive , dhe më shumë do të investohej në arsim, kulturë  dhe shëndetësi.Kur mbizotëron pesimizmi, shohim vetëm shkatërrime të mëtejshme, konflikte, si dhe dhunë  që thjesht shpërthen
për shkak të kriminalizimit të përgjithshëm. Megjithatë, duhet të jemi optimist   së do të  kemi një klimë  politike më demokratike, së do të hapën përspektiva të mira për të jetuar në Kosovë, e jo për tu larguar siq po ndodhë nga Kosova.Demokratizimi hap shtigje të reja për mirëqenje dhe zhvillim, për vende të reja të punës, për gjendje sociale më të mirë , kur dihet se në çfare gjendje janë pensionistët tanë dhe kategoritë tjera sociale.Mjaftë gjatë përjetuam qmenduri politike . Mjaftë gjatë po përballemi më njerëz të logjikës autokratike të luftës apsolute për pushtet dhe të mira materjale .Nuk është luftuar historikisht dhe në luftën e fundit çlirimitare që të kemi një gjendje të tillë, jo  të mirë.Kosovës i nevoitet qetësia, zhvillimi , prosperiteti, barazia e gjithëmbarshme, inkuadrimi sa më i shpejt në këtë krizë gobale më luftëra , në strukturat e BE+së dhe në NATO.Përpektiva e shqiptarëve është së bashku me aleatet tanë perëndimor të cilët bënë shumë për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës nga Serbia.Çdo drejtim tjetër nese dikush e ka ne mendje, do të  ishte vëtvrasës për të ardhmën e dy shteteve tona , dhe për të ardhmën e shqiptarëve në Ballkanin Perëndimor…

Jo kundër kapitalit të huaj, por kundër “kapitalizmit” vendas- Nga LUTFI DERVISHI

Në ditën e saj të 20-të, protesta po bëhet gjithnjë e më e qartë: kjo nuk është më vetëm një revoltë për Zvërnecin, as vetëm një zemërim kundër qeverisë apo opozitës. Në thelb, ajo është një kryengritje kundër modelit ekonomik që është ndërtuar në Shqipëri.
Gazetarët e huaj që kanë zbritur në shesh nuk shohin pankarta kundër investimeve të huaja. Askush nuk del në rrugë sepse një investitor dëshiron të ndërtojë, të prodhojë apo të krijojë vende pune. Ajo që kundërshtohet është diçka tjetër: kapitalizmi shqiptar.
Një kapitalizëm pa garë, ku fituesi shpesh dihet para se të hartohen kriteret e tenderit; një sistem me “kapitalistë të emëruar” nga politika dhe jo të krijuar nga tregu; një model ku një pjesë e sipërmarrjes nuk ushqehet nga klientët, por nga paratë e taksapaguesve.
Në teori, kapitalizmi shpërblen idenë më të mirë, produktin më cilësor dhe shërbimin më efikas, në praktikë, shpesh shpërblehet lidhja më e shkurtër me pushtetin.
Protesta është kundër këtij deformimi, kundër një modeli që nuk e sheh punonjësin si partner, por si kosto, kundër një sistemi që mburret me investime miliardëshe, ndërsa ofron paga qesharake.
Prandaj kërkesat e saj nuk janë vetëm simbolike: shfuqizimi i ndryshimeve në ligjin për zonat e mbrojtura, heqja e statusit të investitorit strategjik dhe transparencë e plotë për kontratat, koncesionet dhe PPP-të.
Paradoksi është brutal: arritëm BE me çmime, por jo me paga.
Në shumë sektorë biznesi kërkon fuqinë punëtore më të lirë të mundshme dhe, kur nuk e gjen më në vend, e importon nga Bangladeshi, Nepali, India apo Filipinet. Protesta ngre një pyetje të thjeshtë: nëse kapitalizmi shqiptar ka nevojë për punëtorë nga Bangladeshi, pse nuk arrin të mbajë në vend punëtorin e Bradasheshit?
Sheshi po ngrihet edhe kundër monopoleve dhe oligopoleve, kundër tregjeve ku konkurrenca është përjashtim dhe jo rregull.
Në ekonomitë moderne kapitali lind nga ideja, inovacioni, rreziku dhe gara. Kur kapitali buron nga qeveria dhe jo nga tregu, kapitalizmi pushon së qeni kapitalizëm dhe shndërrohet në një sistem privilegjesh.
Askund kjo nuk duket më qartë sesa te dashuria platonike për betonin e te bindja se zhvillimi matet vetëm me kulla dhe metra katrorë. Kapitali derdhet pothuajse ekskluzivisht në beton, ndërsa arsimi, kërkimi shkencor, teknologjia dhe prodhimi mbeten “pika e fundit e rendit të ditës”
Kjo është arsyeja pse “flamingot” kanë gjetur jehonë përtej ambientalistëve, përtej të majtës dhe të djathtës, përtej brezave dhe tashmë edhe përtej kufijve të Shqipërisë. Nga diaspora në qytete të ndryshme europiane deri te mbulimi i gjerë ndërkombëtar, protesta po artikulon një pakënaqësi që shkon shumë më larg se një projekt i vetëm.
Qytetarët nuk po protestojnë kundër tregut të lirë, por kundër një kapitalizmi oligarkik që privatizon fitimet dhe barrën ja lë buxhetit, kundër një sistemi që ushqehet me ligje me porosi, koncesione të privilegjuara dhe PPP pa garë reale, “kundër ndërtimit kapitalizmit me forcat tona”
Në kapitalizëm, fitimi dhe humbja janë motër e vëlla. “Kapitalistët” tanë duket se njohin vetëm fitimin. Madje, në mjaft raste, shteti u garanton edhe kompensimin kur fitimi i parashikuar nuk realizohet.
Dikur një diplomat francez tha: “ndërtuat formën më të keqe të komunizmit…”, sot, shumë prej protestuesve do ta plotësonin fjalinë: “…dhe tani po ndërtoni formën më të keqe të kapitalizmit.”
Pyetja në ditën e 20-të të protestës nuk është nëse Shqipëria duhet të ketë kapitalizëm, por çfarë kapitalizmi meriton?

Arta Dade, mesazh të koduar Ramës: Përvishju gjermanishtes, do të të duhet më shumë se shqipja e protestës!

Ish-ministrja e Jashtme dhe një nga figurat më të spikatura të Partisë Socialiste, Arta Dade, ka reaguar për Vox News pasi u identifikua nga Newsbomb mes personazheve të përfshirë në postimin e kryeministrit Edi Rama, ku ai ironizonte protestuesit që prej ditësh mblidhen në bulevard duke kërkuar dorëheqjen e tij.

Ai i quan këta personazhe “tam-tamexhinj” dhe se me tubimet e tyre, “kujtuan se u bë bulevardi kos për lugët e tyre të ndryshkura”.

E pyetur se çfarë mendon për gjuhën e përdorur nga kryeministri, Dade, e cila edhe pse është tërhequr nga politika aktive, vijon të mbetet një nga zërat më të respektuar brenda së majtës shqiptare, nuk i kurseu kritikat dhe “këshillat” ndaj tij.

“Për gjuhën e tij? Si njohëse e linguistikës mund të them që ai shqipen e ka manipulative, anglishten e kupton por nuk e flet dot, ndërsa gjermanishten nuk e njeh fare, fare. Unë do t’i sugjeroja për momentin t’i përvishet gjermanishtes, se do t’i duhet më shumë se shqipja e protestës dhe padyshim më shumë se anglishtja e korridoreve diplomatike…”, është shprehur Dade.

Ish-ministrja nuk na e shpjegon më tej komentin e saj, por fraza “do t’i duhet më shumë se shqipja e protestës” duket se ka një nëntekst politik.

A është kjo një ironi për raportet e Ramës me partnerët europianë? Apo një mesazh i koduar, në lidhje me zhvillime të ardhshme që mund ta vendosin kryeministrin përballë institucioneve, apo qarqeve ku gjuha gjermane ka peshë?

Për vite me radhë, Arta Dade ka qenë ndër personalitetet më të rëndësishme të Partisë Socialiste, ish-ministre e Jashtme, deputete me disa mandate dhe një nga figurat që edhe kundërshtarët politikë e kanë konsideruar si më dinjitozet e politikës shqiptare.

Pak ditë më parë, Dade refuzoi ftesën për të marrë pjesë në aktivitetet e organizuara nga PS për 35-vjetorin e krijimit të saj, duke shprehur rezervat ndaj mënyrës se si po drejtohet partia. /Vox News/

BIRN: “Do e drogojmë Evropën”! Milionat e kokainës në hotelet e luksit në bregdet dhe Tiranë

Në shtator të vitit 2020, Isa Aliu, 54 vjeç nga Elbasani, shkëmbeu një makinë për një tokë me vlerë 4.1 milionë lekë. Problemi është se makina ishte blerë më herët për 900 mijë lekë dhe, sipas të dhënave të siguruara nga prokurorët nga regjistri i udhëtimeve ndërkufitare, vijoi të përdorej nga Aliu edhe pas shitjes së supozuar.

Prokurorët thonë se transaksioni, dukshëm i pavërtetë, ishte pjesë e një morie veprimesh në shërbim të Salvatore Aliut, vëllait të Isait, person përgjegjës për trafikimin e një sasie të stërmadhe droge, së paku 50 tonë kokainë, fitimet e së cilës mund të arrijnë në qindramilionë euro dhe që janë konvertuar në pasuri të ndryshme me vlerë së paku 150 milionë euro të identifikuara në 491 prona të ndryshme dhe 209 llogari bankare.

Një vendim i GjKKO-së për vendosjen e masës së sekuestros preventive mbi pasuritë e dyshuara si të rrjedhura nga proceset e pastrimit të parave të këtij grupi, detajon nga njëra anë aktivitetin e trafikut të drogës në përmasa të stërmëdha dhe nga ana tjetër, proceset e kamuflimit të burimit të parave përmes investimeve fiktive dhe deklarimit të fitimeve të paqena, kryesisht në sektorin e ndërtimit, por edhe në tregtinë me pakicë dhe turizmin.

Hetimi është realizuar falë të dhënave të siguruara nga përgjimi nga autoritetet franceze të komunikimeve të kryera nga grupet kriminale përmes aplikacionit Sky ECC. Përgjimet i përkasin periudhës nëntor 2019, prill 2021. Hetimi është nisur nga Prokuroria e Posaçme në bazë të një referimi nga Policia e Shtetit në vitin 2020 dhe është realizuar nga prokurorët Klodjan Braho dhe Doloreza Musabelliu.

Isa Aliu, aktiviteti i parë ekonomik i të cilit ishte një kompani tregtie me pakicë e quajtur Road House në Elbasan, hapur në vitin 2008, por fuqizuar veçanërisht pas vitit 2020, konsiderohet nga prokuroria si personi kyç përgjegjës për pastrimin e parave. Grupi i drejtuar nga i vëllai, Salvatore Aliu, konsiderohet si grupi përgjegjës për trafikimin e pesëdhjetë tonelatave kokainë nga Amerika Latine për në Evropë, nga të cilat afro 9 tonë janë kapur. Kapjet dhe sasitë e tjera të vlerësuara të trafikuara i përkasin vetëm periudhës gjatë së cilës Sky ECC ka qenë nën përgjim. Se çfarë ka ndodhur para nëntorit 2019 dhe pas prillit 2021, kjo mbetet vetëm për t’u marrë me mend.

Sipas të dhënave të dosjeve të tjera hetimore të para nga BIRN, kokaina blihet zakonisht për 7 mijë dollarë për kilogram në vendet e origjinës ndërsa transporti e rrit koston në afërsisht 10 mijë euro. Pasi del në Evropë, kokaina shitet me shumicë për 25-30 mijë euro për kilogram. Nëse supozohet se 9 nga 50 tonët që i janë identifikuar këtij grupi janë zënë nga policitë e vendeve të ndryshme evropiane, zëniet e drogës duket se e rrisin koston totale të sjelljes nga Amerika Latine në Evropë me afro 20% të tjera. Trafikantëve u mbetet në këtë mënyrë një normë fitimi prej 200 deri në 250% mbi kostot. Xhiroja totale e të pesëdhjetë tonëve të shitur me çmim shumice vlerësohet në shifrën e pabesueshme së paku një miliardë euro. Fitimet bruto nga një tregti e tillë arrijnë me lehtësi në qindra milionë euro.

Zbulimet e prokurorisë nga pronat që i përkasin këtij grupi vlerësohen në 150 milionë euro.

Beton dhe para të thata

Gjithsej dhjetë shtetas, përfshirë të njohurit Eldi Dizdari dhe Dritan Gjika, janë identifikuar nga prokuroria si përgjegjës për trafikimin e drogës, ndërsa shumë të dyshuar të tjerë nuk janë identifikuar dot. Prokurorët në të gjithë botën shpenzojnë  shumë burime për të identifikuar përdoruesit e aplikacionit Sky ECC si  dhe për të provuar përdorimin e këtij aplikacioni nga të dyshuarit përkatës përmes të dhënave rrethanore, të tilla si biseda me elementë faktikë të lidhur me ngjarje të dokumentueshme. Por shumë nga përdoruesit e Sky ECC mbeten gjithsesi të paidentifikuar dhe të paidentifikueshëm.

Sa i përket pastrimit të parave, prokurorët besojnë se Isa Aliu dhe Nikollë Bibaj janë identifikuar si kryesorët. Detyra e tyre ishte që të fshihnin një pjesë të parave në mënyrë fizike, me fuçi apo në muret ndarëse të apartamenteve të blera posaçërisht për këtë qëllim. Një pjesë transformohej në kompani dhe prona të patundshme gjithkund nëpër Shqipëri, përfshirë hotele luksi, dukshëm investime të tepruara për tregun shqiptar, por që, për shkak se trafikantët kishin ngut për të materializuar paratë e thata, kostot dhe fitimet potenciale nga investimet kishin rëndësi dytësore.

Komunikimet në Sky ECC japin të dhëna për transferimin në Shqipëri të së paku 30 milionë eurove cash. Në datën 30 gusht 2020, Isai informon të vëllain se ka në gjendje cash 6 milionë euro, ndërsa dy javë më vonë, më 15 shtator, gjendja cash është rritur në 9.8 milionë euro. Dy ditë më herët, më 13 shtator, Salvatore njofton të vëllain se do t’i sjellë 20 milionë euro. Ai e instrukton të vëllain që të fshehë paratë në fuçi apo të blejë apartamente për t’i përdorur vetëm për fshehjen e topave me para në hapësirat bosh mes mureve ndarëse.

Aliu Road House ishte një rrjet dyqanesh për mallra të përziera në  qytetin e Elbasanit, themeluar fillimisht nga Isa Aliu në vitin 2008 dhe që, deri në vitin 2020, shënonte vit pas viti humbje. Humbjet e akumuluara arrinin në afro 18 milionë lekë (rreth 180 mijë euro me kursin e sotëm).

Fati i kompanisë ndryshoi në këtë kohë, vëren Prokuroria, kur në vitin 2021, ajo deklaroi fitime neto në masën 109 milionë lekë. Kompania u angazhua në sektorin e ndërtimit, fillimisht si nënkontraktore për ndërtim banesash, por që sipas prokurorëve, plani ishte i qartë: deklarimi i fitimeve të paqena për të justifikuar ekspansionin e planifikuar nga  grupi në  sektorin e ekonomisë së ligjshme.

“Përpara kësaj periudhe”, vërejnë prokurorët, kompania “nuk  ka patur infrastrukturën e nevojshme për futjen në tregun e ndërtimit, si dhe nuk  ka patur kapital të lartë qarkullues për zhvillimin e këtij aktiviteti.”

Kjo nuk e ndaloi kompaninë që, në dy vitet që pasuan, të hynte si investitor në dy projekte fantazmagorike zhvillimi në zonën e Gjirit të Lalzit. Në kompleksin Lalzi Marina Seaside kompania investoi 30 milionë euro për ndërtimin e 90 mijë metrave katrorë, ndërsa në kompleksin Porto Lalzi Villas investoi 12 milionë euro.

Mënyra se si kompania u përpoq të pastrojë milionat e trafikut të drogës ishte duke marrë përsipër punime ndërtimi përkundrejt apartamenteve dhe vilave të gatshme, një skemë shkëmbimi në natyrë që duket se shkrihet me praktikën e zakonshme të biznesit shqiptar.

Kompania Aliu Road House duket se ka hyrë në marrëveshje blerjeje edhe për pjesën më të madhe të një pallati në ndërtim në Qerret, ka blerë me klering përkundrejt punimeve me vlerë 1.5 milionë euro te Lura 5 në Gjirin e Lalzit dhe afro 400 mijë euro apartamente në një pallat tjetër në Golem.

Krahas aktiviteteve të tilla, kompania reklamon në faqen e saj të internetit se ka fituar punë publike gjatë procesit të rindërtimit nga  tërmeti i vitit 2019 në Durrës. Procesi i rindërtimit i kushtoi taksapaguesve shqiptarë dhe donatorëve të huaj mbi 1 miliardë euro dhe ka vijuar deri sot e kësaj dite, pothuajse shtatë vjet pas tërmetit. Por qeveria qendrore dhe  bashkitë i kanë kryer prokurimet e rindërtimit përmes instrumentit të gjendjes së jashtëzakonshme, gjë që siguron konkurrencë të ulët dhe fitime të larta për kompanitë fituese.

Ky nuk është rasti i parë ku kompani të lidhura me krimin e organizuar identifikohen si fituese të kontratave publike, veçanërisht në procesin e rindërtimit nga tërmeti.

Zgjerimi me vlerë 100 milionë euro

Deri në këtë pikë, Isa Aliu, përmes kompanive të tij të ndryshme, (përfshirë një kompani të sigurisë fizike, një aktivitet me licencë nga Ministria e Brendshme, e cila duket se është shumë tërheqëse për grupet kriminale për shkak të autorizimit që bart për mbajtje armësh dhe qarkullim me njerëz të armatosur), kishte vënë në qarkullim dhjetëramiliona euro, të trupëzuara në qindra tituj pronësie, toka, apartamente, vila e të tjera. Por nga viti 2025, Aliu dhe mbështetësit e tij, deri në këtë kohë, tërësisht të panjohur, duket se patën ambicien të hynin në sipërmarrje akoma më të mëdha. Një hotel me pesë yje në Jalë të Vunoit, në bredgetin e Jonit. Sipas vendimit të gjykatës, projekti, i cili nuk u vu në lëvizje, kërkonte investime prej së paku 100 milionë euro. Projekti, të cilit i është referuar si ZIG-ZAG për shkak të formës tëpjetë kodrës mbi det, supozohet se do të ndërtohet në një kodër në jug të gjirit të Jalit, pranë plazhit të Gumës.

Krahas linjës së vëllezërve Aliu, dosja analizon aktivitetin e vëllezërve Sokol, Nikoll e Shpëtim Bibaj. Hetimet kanë zbuluar se Sokol Bibaj është furnizuar me drogë nga Salvatore Aliu në nivelin e tonelatave, ndërsa në një nga bisedat e përgjuara, ai i ka treguar Salvatorit se bën edhe tetë tonë në javë.
“Do e drogojmë Evropën,” thotë ai, duke nënkuptuar sasitë e stërmëdha të trafikuara. Vëllezërit e tij, Nikolla dhe Shpëtimi  kujdeseshin në Shqipëri për legjitimimin e shumave monetare, kryesisht përmes kompanive të ndërtimit. SPAK vëren se në shumë raste, këta janë angazhuar në shit-blerje aksionesh në kompani të ndryshme përmes shumave që nuk kanë sens nga pikëpamja ekonomike. Veprimi i parë fiktiv është kur Shpëtim Bibaj blen 70% të kuotave të një kompanie me vlerë nominale 19 milionë lekë pasi paguan zyrtarisht vetëm 1.2 milionë lekë.

“Transaksioni është kryer 15.5 herë nën vlerën nominale,” vëren SPAK. “Kjo zbritje ekstreme dhe e panatyrshme provon se çmimi është fiktiv.”

Një nga skemat e përdorura për pastrimin e parave, sipas dyshimeve të prokurorisë, ka të bëjë me lehtësinë e krijuar nga qeveria aktuale që nga viti 2015 e pas, në të cilën, biznesi i vogël nuk i nënshtrohet tatimit mbi fitimin. Kështu, Shpëtim Bibaj deklaroi në vitin 2021 afërsisht 10.4 milionë lekë nga aktiviteti i një kompanie person fizik, shumë parash  të cilën ia dha hua  kompanisë së ndërtimit që kishte blerë me çmim 15 herë më të ulët se sa vlera nominale.

Pas këtyre qarkullimeve fillestare, të dyshuarit u angazhuan në investime të mëdha në sektorin e ndërtimit, përfshirë pallate në zonën e ish-Porcelanit në Tiranë ku u blenë 89 njësi të ndryshme me vlerë miliona euro.

Kompania F & XH Cons sh.p.k, nën pronësinë e Bibajve ndërtoi një hotel tjetër me katër yje në Tiranë në Rrugën e Dibrës, me markën Melia. Në një nga fotot e publikuara nga hoteli në Instagram, paraqitet një pikturë e varur në mur e aktorit Marlon Brando në rolin e Vito Korleones te filmi Kumbari. Hoteli është një nga objektet e vëna nën sekuestro preventive.

Prania e parave të drogës në sektorin e ndërtimit në Shqipëri është diskutuar gjerësisht gjatë viteve të fundit. Kryeministri Edi Rama gjithsesi i cilëson akuzat si “broçkulla”, ndërsa në një rast tjetër u ankua për atë që e cilësoi si “kriminalizimi i një sektori të rëndësishëm në ekonomi”.

Numri i objekteve të ndërtimit apo i kompanive të ndërtimit të identifikuar nga prokurorët si destinacione të shpëlarjes së parave të drogës është në rritje të vazhdueshme.


Send this to a friend