U ngjita në katin e gjashtë të hotelit Guri i Kuq dhe u gëzova shpërthyeshëm , kur vura re se dhoma ime binte nga ana e liqenit. Lëshova çantën e udhëtimit mbi parketin shndritës dhe u turra drejt ballkonit. Perdja e tij u gufua si mjegull vezulluese, sapo hapa derën, teksa në fytyrë më ra era e freskët e ujërave të thellë dhe të kulluar, që heshtnin sikur fshiheshin.
Po, po : liqeni në këtë orë të pasdites ishte pabesueshmërisht i lëmuar dhe me një dritë të kaltër aq të lehtë sa herë – herë ajo përthithej dhe kthehej në të bardhë lëbyrëse. U përkula mbi parmak i mallëngjyer dhe e dija që shumë shpejt do të pikëllohesha dhe do të shqetësohsha si gjithmonë në çastet e vetëmimit krijues. Ah, ky liqen, ky liqen ! Lasgushi mitik, i adhuruar gjysmë ilegalisht dhe i ndaluar gjysmë zyrtarisht, e kishte shpirtëzuar nëpërmjet poezisë së tij, duke i dhënë njëherësh edhe një hije tempullore klasike.
Ktheva në të majtë andej nga e dija që ndodhej ai zabeli i vogël me plepat gjer buzë ujit dhe m’u shkëput një ah, kur e pashë tërësisht të zverdhur.Vjeshtave të viteve të shkuara më kishte qëlluar shpesh të shihja zogjtë shtegtarë në çastin që shkëputeshin me plima të dendura nga majat e degëve dhe, ndoshta prej këtij kujtimi prekës, më shkrepi në kokë të isha sa më parë aty, mes shtigjeve që spërdridheshin së bashku me hijet e shtrira, që të mund ta kundroja liqenin , duke pasur në plan të parë ca gjethe drithëruese, ende të pakëputura, dhe ca drurë gjithë myshk!
Por , ndërkohë, tutje mbi liqen një mjellmë rrëqethte imët – imët ujin përreth saj. E rrëqethte dhe ai regëtinte përplot xixëllima. Por ajo mjellmë e bardhë dhe e brishtë, me atë koreografinë e saj gjithë naze mbi cipëzën e ujit, më sillte ndër mend një vajzë, që u largohet të tjerëve pas një dashurie të humbur.
Hyra brenda në dhomë dhe nxora me ngut nga çanta një bllok dhe një stilolaps, tërhoqa osh edhe një karrige dhe dola përsëri në ballkon të shkruaja rrëmbyeshëm…
Nuk e di sa kohë kishte kaluar, por, kur e ngrita kokën nga shkrimet për të vështruar larg, liqeni ishte bërë i jargavantë prej përëndimit dhe vallëzonte muzikalisht, ndërsa mjellma ishte tretur kushedi se ku, mu si ajo shtëllunga e dëborës që e shkëput rryma e ujit nga brigjet dhe e merr me vete.
U ngrita , por u kujtova të shihja vetë zabelin. Gjethet shkundeshin e shkundeshin nga plepat e lartë prej erës së saponisur, duke e shtruar trishtueshëm vjeshtën përtokë. Zbrita poshtë, që të dilja e të bëja një shëtitje, por derën e ballkonit e lashë hapur që, kur të kthehesha pas darke, të kisha në dhomë frymën e liqenit. Sa mirë bëra që i mora tani ato dhjetë ditët e mbetura të lejes; shih sa mot i mrekullueshëm paskësh qenë në Pogradec!
Hyra në rrugën që të shpinte në Volorekë, por, sikur s’doja të çapitesha aq larg. Nesër, nesër në mëngjes, do të veja gjer atje dhe moti përsëri do të ishte mahnitës.
Nga kopshetet e shtëpive të ulëta ndanë rrugës, ndjeva aromën gjithë nostalgji dhe sensualitet të mollëve të kuqe dhe më rrëmbeu menjëherë një ëndërrim dashurie ! Megjithatë, pas pak u hodha në krahun tjetër të rrugës , andej nga ishte liqeni, dhe fillova të eci fare ngadalë pranë tij, duke e vështruar i menduar. Pogradeci, ky qytet i vogël romantik, kishte vendosur pothuajse një lidhje erotike me natyrën , e veçanërisht me liqenin. Dhe nuk ndaheshin, ndonëse njerëzit jetonin në një vulgaritet dhe varfëri socialiste, zyrtarisht të detyrueshme…
Por desh Zoti e nuk më vihej mbrapa ndonjë nga ata operativët e trashë të Degës së Punëve të Brendshme, që të më pyeste mbarë e prapë se, ç’kërkoja në atë orë i vetëm përgjatë liqenit ! Dhe, hajt t’ia shpjegoja për t’i mbushur mendjen se kisha dalë për të pëshpëritur me natyrën…
Tutje silueta e Malit të Thatë , që mezi dallohej e mezi ndahej gjer atëherë nga qielli, filloi të ravijëzohet qartësisht prej dritës së ngrohtë të hënës, që pritej nga çasti në çast të dilte dhe të ngrihej pa kuptuar, si ajo bulëza e zhivës në katet e termometrit. Por udha që ndoqa unë , udha me rërën e lagur kërcëllitëse, se nga kapte një ndriçim të largët dhe të marrtë, që të shqetësonte ca, ngaqë nuk e gjeje dot se nga vinte. Ishte një qetësi zotëruese që e shtonte së tepërmi intimitetin , duke të dhuruar gjithçka që shihje përreth.
Ndala më në fund , u përkula dhe i futa duart në ujin përpirës. Ah, ah; liqeni ishte i mbushur me natë dhe yje. I trazova duart ritmikisht dhe i rraha njëlloj si flatrat e një mjellme, apo të një pelikani që merr fluturim dhe, kur u çova sërish për të vazhduar udhën , i fërkova një copë herë deri të kyçet. Pikërisht atëherë, lagia m’u duk se s’kishte qenë gjë tjetër , përveçse një ritual poetik i domosdoshëm…
Por, a do ta shihja vallë Lasgushin , zotin e liqenit, gjatë ditëve të qëndrimit tim në Pogradec, në këtë qytet që e doja dhe e pëlqeja aq shumë, ndoshta pikërisht prej tij? Sepse jo më kot e kisha zgjedhur për t’u kthjelluar, për të ndjekur vjeshtën dhe për të shkruar. Po ç’bënte vallë Lasgushi tashmë, poeti i ndarë për së gjalli prej të gjithëve ? Asnjë lajm, asnjë vëmendje ! A dilte më ashtu i vetëm ndanë liqenit , a bisedonte ende me të pa zë, ashtu flokëshprishur nga era dhe me dritë të përmbytur në sy, dritë që e ndez mendimi i pandërprerë krijues? E ku përfytyrohej liqeni pa Lasgushin dhe Lasgushi pa liqenin ? A; po ajo dashuria e çmendur për atë holandezen farfuritëse, në vitet kur shkruante librin Vallja e Yjeve ? Çfarë valleje, çfarë valleje; iku holandezka e ylltë dhe ai e ndoqi pas nëpër qiej nga aeroporti i Korçës alla française , në aeroportin e Tiranës , në Budapest pastaj, në Kopenhagen më në fund, ku edhe preku sërish tokën mëkatare. Po dashuria me atë verioren e mistershme prej dëbore, prej mjegulle apo bryme, verioren ringjallëse, që e dashuroi tetëdhjetëvjeçar ?
A, Lasgush, Lasgush! Po ç’bënte tani ai, vallë ? Tani, thoshin , i hynte e i dilte në kullë një poete e re, nga grua e përkorë që i shërbente për gjithçka; i gatuante, i lante , i fshinte, i bënte pazarin dhe nuk ndihej, ndonëse e provokonin haptazi, duke aluduar për lloj – lloj lidhjesh me Lasgushin. Kishte ca flokë që i ngjanin mu si paruke e rrasur fort pas koke, të cilën dukej se e kishte vënë për të lujtur një rol të përsëritur…
Por, do ta shihja, me siguri do ta shihja Lasgushin; a nuk më kishin thënë se ai nuk nisej për në Tiranë pa zënë ciknat e para, madje, pa zbardhur dëbora e parë ?
Në mëngjes , herët në mëngjes, dola në ballkon, sapo u zgjova. S’mbaja mend që kur nuk kisha bërë një gjumë të tillë të ëmbël . të ëmbël, me gjithfarë ëndrrash naive si në fëmijëri ! Ky ballkon po më zëvendësonte, mesa dukej, atë ballkonin e shtëpisë time në Tiranë, tek i cili dal shpesh për të shkruar dhe për të lexuar ; ndonëse përpara kam veçse një shesh tërë hedhurina dhe ca kazanë plehrash që i rrëmojnë dhe i përmbysin qentë e rrugëve. Kurse, te ky ballkoni këtu, më hapet një peizazh i dritëzuar, që ndryshon e ndryshon disa herë në ditë, si të ishin dekoret e një shfaqjeje.
Vrundujt e erës së lagët ma çelën fytyrën dhe buzëqesha i kënaqur tek pashë liqenin gjer në fund me atë ngjyrën e gushëpëllumbtë. Mjegulla , që mvishte brigjet, po hollohej me shpejtësi dhe ato do të zbuloheshin pak e nga pak dhe do të lëshonin vezullime të blerta smeraldi. Diku nga mesi i liqenit, aty ku ishte derdhur sakaq dielli, një dallgë e rrëmbyer pulëbardhash ngrihej dhe shembej mbi ujë. Siç dukej , do të kishin pikasur ndonjë rrymë të argjendtë belushkash, apo skobuzësh dhe, s’përmbaheshin .
Hodha sytë te blloku i shkrimeve dhe te stilolapsi, që i kisha lënë mbi ndenjësen e karriges dhe më erdhi mirë që ato ishin aty në ballkon, siç ishin lart e poshtë nëpër dhomë edhe rrobat dhe sendet e tjera të mia. Më erdhi mirë , sepse më rikrijonin besnikërisht stereotipin e mjediseve të shtëpisë simë dhe, kësisoj, nuk hyja dhe nuk dilja si i huaj. Po ç’ishte ai karusel resh të bardha që era i rrotullonte si pegasë të krisur ? Por, nuk do të ulesha të shkruaja; do të zbrisja poshtë, të haja mëngjesin në restorantin e hotelit dhe më pas do të dilja. Do të dilja ! Do të ecja gjatë dhe shtruar nëpër ato hapësirat që zbardhnin e përshkënditeshin , jo më prej mjegullave të agut të parë, por prej dritës së ditës së re , dritës gjithë shend e gaz, e cila të qortonte, nëse ligështoheshe, apo e ngushtoje shpirtin. Do të dilja , do të dilja , ja, sa të haja diçka shpejt e shpejt.
Plepat ndanë udhëve do t’i gjeja të vjeshtëzuar ; do të shihja gjethet të vorbulloheshin n’ajër si duhi e florinjtë, por më tutje do të shihja mështeknat e bardha , të ndrojtura dhe të përkëdhelura, të përthyeshmet si edhe lulet, që duken gjithmonë sikur të mbajnë pak mëri pa shkak si edhe femrat. Do të ngjitem lart pastaj , në pyjet oshëtitës të gështenjave përplot skllupe të shpërthyera përpjetë dhe fruta të iriqta si në përralla, do të kërkoj dhe do të gjej mes drurëve ato çeltirat e fshehura, çeltirat me bar të njomë dhe të ngjeshur, me ca grumbuj lulekëmborash aty – këtu, si ca kalamaj që janë larguar pa leje nga shtëpia, me pellgjet me ujë të zi, por tejdukës që të joshin të pish e të pish i shtrirë rrafsh me truallin, ndonëse më pas pendohesh dhe trembesh, a thua se ai ujë do të të ngurosë e do të të mbajë aty ; do të shoh sesi ia prish era folenë diellit, i cili ngulmon ta lidhë midis degëve që lëkunden gjithë pëshpërima thashethemesh, po tutje mbi liqen ? Tutje mbi liqen ndoshta do të ndjek zogjtë në një ikje të ngashëruar.
Do të dal, do të dal, uf ! Ja sa të mbaroj punët shpejt e shpejt me të ngrënët…
Sapo hyra në restorant, më ra në vesh një zë i njohur.O, ishte poeti TRF që po bisedonte gjithë gjeste të tepruara më dikë. Tryeza e tyre ndodhej fare pranë dyerve të mëdha me xhama që të nxirrnin në verandën buzë ujit dhe më pengoi kundërdrita e fortë t’ia dalloja menjëherë tiparet bashkëbiseduesit , madje edhe vetë poetit TRF, që nuk do ta vija re, po të mos ia kisha dëgjuar zërin.
Por, kur zura vend ca më tutje dhe porosita mëngjesin, sytë më ishin përshtatur, ndërkohë me ndriçimin e butë dhe të ulët të restorantit dhe, e njoha edhe atë tjetrin; ishte një poet edhe ai, por nga Kosova, të cilit ia kisha lexuar vjershat, ngaqë më pëlqenin. Por e kisha parë edhe vitin e kaluar në shtetin shqiptar ; po, po, madje pikërisht në Pogradec, megjithatë nuk ishim takuar ndonjëherë me njeri – tjetrin. Ishte e qartë dhe e sigurt që ai vinte si pelegrin i përdëllyer te Lasgushi…
S’di a më kishte parë TRF, por ai, në rastet kur shoqëronte të huaj ( qofshin të huaj edhe në kuptimin juridik të fjalës, siç ishte poeti nga Kosova) , të përshëndeste ftohtë dhe largueshëm , që ti ta merrje vesh se nuk duhej ta zgjasje dhe të mos i afroheshe. Por unë s’e duroja dot dhe ai e dinte këtë. Punonte në Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve, kishte shumë gjëra në dorë, por punë e madhe! Nuk ia doja nderin këtij njeriu , që ngado dhe çdo herë mbante fjalime të zjarrta dhe improvizonte mbledhje propagandistike. Kishte ca duar të holla dhe të dyllëta, si të atrofizuara, megjithatë, kujtdo, përveç vetes së tij, i thoshte se, puna fizike ishte e dobishme për shëndetin delikat të intelektualit. Ishte një përbindësh i vërtetë burokratik, ndonëse i tkurrur dhe si i xhuxhëzuar, më në fund, nga tmerri i gjëmës së hakmarrjes që e kuptonte instinktivisht se një ditë do ta rroposte. Jo rrallëherë, kolegët e tij, që e dinin mirëfilli se kush i padiste atje ku duhej, e kishin kërcënuar haptazi dhe rreptësisht që në sallën e gjyqit, i cili jepte lehtësisht dënime me nga dhjetë , pesëmbëdhjetë apo edhe me njëzet vite burg…
Gjatë një seance, madje, pëshpëritej se një shkrimtar i njohur, i kishte deklaruar trupit gjykues me gojën plot se, shkrimtarët shqiptarë, prej kohësh ishin përfshirë me zell në kulmin e spiunllëkut…
Po ku i kishin puqur të dy! Kushedi çfarë raporti të shpifur do të dorëzonte ditëziu TRF te sekretari i organizatës – bazë të Partisë së Lidhjes me të mbaruar vizitën e frymëzuar në vendin amë ai poeti i çiltër kosovar, që e adhuronte Lasgushin dhe mezi priste ta takonte, teksa TRF s’e shihte dot me sy. Por, ç’po them ?! E urrente, madje ideologjikisht, sepse e përcaktonte si armikun e klasës.
Kur e takova për herë të parë në jetën time, shkruante në një ese për Lasgushin poeti kosovar, dora e tij , kur ma zgjati , shkaktoi në dorën time shkëndija drithëruese, të një elektriciteti statik të papërmbajtshëm më! Dhe vazhdonte më tej i ekzaltuar se takimi me Lasgushin erudit, kërkonte nerva të forta dhe kurajë për të rezistuar, sepse ai shpeshherë tregohej cinik, madje fyes, duke e përdorur zgjuarsinë e tij në mënyrë agresive…
Kështu ishte shprehur poeti shqiptar nga Kosova dhe unë i kujtova fjalët e tij , por u ngërdhesha, sepse në kokë m’u vërtitën njëherësh edhe akuzat rrënuese e të poshtra të kritikës zyrtare , që kishte theksuar mëse një herë se, Lasgushi s’i futi që s’i futi dot në poezinë e tij kombajnat, traktorët, plehrat kimike, apo kanalet ujitës, por sidoqoftë, donte, apo nuk donte ai, ato ishin atje në arë, ku prodhohej buka e popullit…
Mbeti një mizantrop i pandreqshëm, skërmiteshin ca e ca në diskutimet që mbanin me rastin e pranimit në Parti , një mizantrop dhe një intimist, që i urren festat dhe çfarëdo gëzimi tjetër mbarëpopullor, që u tërhoq e u veçua pikërisht për t’u bërë enigmatik dhe i çuditshëm.
Kurse vetë poeti TRF kishte zbuluar se, Lasgush Poradecin e paskësh robëruar që në rininë e hershme, kur studionte në Vjenë, ajo moda , në fakt ajo sëmundja e quajtur me delikatesë dhe akademizëm taedium vitae, që të jep mundësinë ta luash me komoditet të madh të tejngopurin, të mërziturin artistikisht, shpërfillësin ndaj çdo gjëje ( madje, edhe ndaj problemeve tronditëse të kohës) , apo edhe vetë viktimën…
Por, ç’habitesha dhe unë dhe ç’indinjohesha ! Dëgjova poetin nga Kosova që e kujtoi TRF se i priste Lasgushi dhe ata u ngritën, paguan dhe dolën. Dola edhe unë pak pas tyre, por nuk po merrja drejtim. A , i poshtër TRF, poet i vdekshëm partie, që ma prishe humorin ! E ku ta gjeja tani vjeshtën ? As që dija ta gjeja, as që dija ta shihja …
Pasdreke , tek po kthehesha në hotel, u trishtova kur pashë diellin në të perënduar. Interesant; shkurtimi i ditëve, gjithmonë më sillte ndër mend ikjen e viteve rinore të një femre të bukur. Por pashë Lasgushin ! Kaq papritur ! Po bisedonte me zë të lartë me një grua, që mesa kuptohej, duhej të ishte ajo poetja e re , që i shërbente për gjithçka. I shkreti poet ! Kishte veshur një xhaketë të zezë demode, të lëshuar fare, prej xhepit anësor të së cilës , po përpiqej të nxirrte diçka të rrumbullakët. Qesha me vete tek jepte e merrte dhe sytë liqenorë i kaltëronin në atë fytyrën , e rrudhosur aqsa edhe truri. Por, të shqetësonin ata sy, ngaqë të dukej sikur kishte ndodhur një denatyralizim. Diçka nuk shkonte, sepse ata sy ishin si shqisat e një të riu, të transplantuara gabimisht në ballin e menduar të një plaku. Po plasja sa ta merrja vesh se ç’kishte futur në atë xhep ! O, një lulelakër bajate, të nxirë vende – vende, që e nxori me në fund dhe, ia zgjati poetes së re, duke mos harruar ta porosiste që t’ia ziente për në darkë. Dhe qeshte, qeshte si një iluzionist hokatar që ua kishte hedhur të gjithëve me numrin e tij.
Po, po; të gjithëve ua hodhe Lasgush, me atë numrin tënd, madje edhe mua që, kushedi për ç’lidhje dhe vazhdimësi të mbrapshtë dramatike, më vajti mendja drejt e te cironka e De Radës ! Ah, u tremba përvëlueshëm. Përsëri cironka e varfërisë, do të fosilizohet në xhepat e poetëve tanë ?
Ah, Lasgush, Lasgush që shfaqesh dhe humb me periodicitetin trillan të një komete! Ku iku poezia Lasgush, fryma hyjnore, ku u trupëzua dhe, kush e mori ? Tri dekada pa hedhur dridhshëm mbi letrën e bardhë asnjë varg ! Por, ç’vlonte në qenien tënde ? Apo, në fund të fundit, ishe i lumturuar n’intimitet që, lirikat e tua ishin kudo po aq të natyrshme sa edhe liqeni trëndafilat mjellmat dhe nositët buzët dhe sytë e femrave mjegullat dhe hëna …
Të nesërmen në mëngjes, herët në mëngjes, dola në rrugë për të gjetur një makinë çfarëdo, me të cilën të kthehesha në shtëpi. Ishte vrenjtur dhe pritej të fillonte ai shiu zhurmëmadh gjithë lyla – lyla, që do ta merrte edhe këtë herë vjeshtën me vete. Pas disa orësh pritjeje, përfundova në karrocerinë e një kamioni që kërciste dhe të hidhte përpjetë si një mëz i pashtruar. Atëherë u kujtova se edhe Lasgushi udhëtonte shpesh për në Tiranë me karakatina të tilla. Por nuk lëvizte pa zënë ciknat dhe, sidomos , pa zbardhur dëbora e parë…
Komentet