Një numër mediash shqiptare botoi dje lajmin e ditës se Turqia rrëzoi një avion luftarak rus i cili po fluturonte në hapësirën ajrore turke në kuadrin e një inkursioni bombardimesh në Siri.
Edhe VOAL, me pak rreshta, e botoi lajmin, duke iu referuar disa mediave ndërkombëtare, të cilat, në fakt e pasqyronin gjerësisht këtë ngjarje bashkë me komentet dhe hamendjet e tyre lidhur me burimet.
Konfirmimi, nëse lajmi ishte marrë me të vërtetë nga mediat ndërkombëtare apo ishte trilluar nga ata që ua ka qejfi që Turqia t’ia ketë bërë këtë gjë Rusisë, ishte i lehtë.
Kjo mund të bëhej thjesht duke kërkuar në Google me fjalët “Turkey shoots russian jet” dhe do të shikohej se mediat ndërkombëtare që e kishin publikuar këtë lajm nuk ishin vetëm disa, po ishin dhjetëra a qindra të tilla.
Një pjesë i shoqëronin raportimet me shënimin “ende i pakonfirmuar”, “top sekret”, “breaking news” e tjerë, e tjerë.
Lajmi, gjithsesi, i gjeti me stomak bosh disa komentues shqiptarë në mediat sociale. Ata e morën atë më tepër si provokim ndaj ndjenjave të tyre ndaj njërit apo tjetrit vend. Pati nga ata që, të gjendur ligsht, nuk i kontrolluan dot veten dhe u lëshuan në zhargonin e tyre të rëndomtë.
Dje lajmi që pushoi opinionin botëror, ishte ai për shpërthimet terroriste në qendër të kryeqytetit të Turqisë, me pasoja tragjike ndaj jetëve të pafajshme. Shpërthimet ndodhën, për më tepër, në prag të një manifesimi paqeje, organizuar nga faktorë prokurdë, për të nxitur dhe favorizuar dialogun brenda shoqërisë turke, me qëllim që të forcohet stabiliteti, paqja, bashkëjetesa qytetare në Turqi, çka është me ndikim të madh në rajon, ku bëjmë pjesë edhe ne, e më gjerë.
Reagimi më i fuqishëm kundër këtyre akteve terroriste erdhi nga NATO dhe nga vendet anëtare të NATO-s. Ne shqiptarët jemi me NATO-n. Turqia është një vend i hershëm dhe me peshë i NATO-s.
Të jesh apo të mos jesh me NATO-n sot, më shumë se kurrë, ka kuptimin të jesh me paqen apo kundër paqes, të jesh me mbrojtësit e paqes apo me kërcënuesit e paqes.
Ta thjeshtëzosh gjithçka në kuadrin e ndjenjave pro-ruse apo pro-turke, më duket një ligësi jo e pafajshme. Ato mund të jenë përbërës shpirtërorë të disave apo të tjerëve. Për shqiptarët gjithçka është e qartë. Vetëm paqja është në favorin tonë.
Komentet