Kallnor 2022, Berlin
1. Rezolutë për ardhmërinë…
Referendumi serbian, dhe loja mjeruese e ca flegrave shqiptare, janë pas nesh. Në fakt, mjerimi i një krahu politik shqiptar është ende këtu: i pranishëm e i pabesë si rrallëherë.
Ndërkaq, Rezoluta nuk ishte akt shkresurinash që shpejt pluhuri i mbulon. Aq më pak personalizim meritash apo kolektivizim i fajit hipotetik.
Ajo rrjedhoi një Mendim i lartë politik dhe Kulturë e gurëvënë shtetërore.
E pra, krejt ndryshe nga një politikë e fshehtë kulisash a kafehanesh, ku ndehen pasionet dhe myshket filli orientimor.
Që këtej, duke mos qenë një akt ad hoc e kalimtar tek vdes me ditën, Rezoluta nuk i përket njëj Votre politike. Jo, jo. I përket të gjithave. Vetë Republikës për legjislaturat që janë e që do vijnë.
Ajo, ndaj, do të shërbejë si themel veprimi saherë dikush, Serbia si definicion, të agresojë shtetërisht Kosovën. Lirinë e saj që çdo ag zgjohet me kujtimin e gjakut, martirëve dhe flijimtarëve!
Është, prandaj, një udhë e legjitimuar edhe për ata që, pa higjienë kombëtare, ultë e meskinërisht refuzuan atë. Madje, asistencën fizike, ndërsa miratohej Gërma dhe Fryma e saj…
2. Kurum, Kurum…
Tërmetohemi e ngrihemi dhe lumnojmë e trishtemi bashkë…
A nuk e tha këtë turku Erdogan në Laç, në zemër të Shqipërisë?
S’kish si të ndodhte ndryshe. Vëllazërisë, e jo pushtimit mbi 400 vjeçar, do t’i thurte elozh dhe kryeparlamentarja Linditë. Kurse, si për t’a ftilluar më hollë, Kurum pasha nxitoi të thotë: jemi t’një rrënje të përbashkët!
Turqit paskëshin rrënjë pellazgo-ilire? Çudi, thashë. Ndoshta. Historia, s’është bërë veçse një copë letër.
Dhe rrënja sa vete e zgjërohet. Tani dhe serbët duan akomodim tek ngrohtësi e saj. S’qenkëshin dyndur barbarisht nga Tejkarpatet dhe, ashtu si gënjejnë me doktrinë, gërrithen të shpallin autoktoninë…Vuajnë për vdekje zilinë pse, si thoshte Fishta, kur zbritën në gadishullin ilirik, shqiptarët kishin kryer tashmë ciklin mijëvjeçar të qytetnísë!
Por, ndërsa i mendoja gjakftohtësisht marrëzitë, kujtova strategjistin etnik Davutogllu. Është krejt e kundërt fjalë e tij. Janë shqiptarët, pohon ai, që aderojnë vjetërsisht në rrënjën osmane. Kanë devijuar pak, por shpreson të kthehen shpejt në origjinë. E pra, etnia, gjuha e kultura arbnore s’qenkan tjetër pos një devijim që do kthehet një ditë në amzën e vet…
Natyrisht, aleancat gjeopolitike kanë interes e formulë tjetër. Veçse, sidoqoftë, Qenia kombëtare është masa e fundme e tyre!
Vërtetë Shqipëria, si Irani dikur, duhet të ndërrojë emër. Nëse Irani braktisi të vjetrin për të marrë emrin e ri, Shqipëria duhet hequr të riun për të rimarrë emrin e lashtë: ILIRI!
3. Mali që s’bëzânë…
“Kështu mund t’i ndodh kujtdo”, është titull i një romani që kisha lexuar qysh në vitet studentore.
Autorin nuk e mbaj mend, por ishte një triler plot fantazi e situata të pamundura ku ndjeje dhembshuri për heroin pse pandehej për veprën e pakryer dhe fajin e pabërë. Megjithë ngulmërinë që të besohej, ai nuk provonte kurrësesi pafajsinë e vet.
Do të evokoja rastësisht këtë lexim të hershëm, teksa më mahniste një karrierë.
Të gjithë përreth, pak a shumë, i ngjasojnë fabulës së epërme. Venë, vijnë e sërish venë! Herë me faj, e herë viktimë. Dhe kur përmbysen, disa tyresh vështirë arrijnë të dëshmojnë se s’kanë hak as hile në punën e ligë.
Vetëm Njëri në të gjithë Etnikumin shqiptar njeh prorë horizontalen e shtrirë deri në lodhje. Nuk rrëzohet, nuk ngrihet, nuk merr detyrime shteti, nuk bredh selive fuqimëdha të botës, nuk viziton as metropolet e dy Republikave amë dhe, rrallë ndonjëherë, shfaqet shkurt e tretet vazhdimisht në mister…
I tillë, Ai ka fituar tashmë një status të paparë: statusin e Malit që s’bëzânë. Majës së tij Alpine. Fryjnë erëra, bie dëborë, shpesh, sa shpesh shi e rrebesh, nxeh e pjekë njai diell, stuhitë rrafshojnë kodrina dhe ndryshojnë relief, por Ai, vetëm Ai, mbetet në fron. Sfinks sovran. Instancë frymore. Pa Kohë e pa Fund. I admiruar dhe i frikshëm. I frikshëm për të bërat, dhe, aq më tepër, për të fshehtat që bluan për robërit e tij…
Ky është Ahmeti A., prijësi i përjetshëm i shqiptarëve të Iliridës së heshtur. E harruar ngadalthi në kronikën e dhimbjes!
Mirëpo, e Keqja ka dhe ironinë që sëmbon. Nuk është përherë një dorë tek e vetme përzien letrat e fatit.
Sado deshpëruese gjeopolitika, sado defekte demokracia dhe sado dhunëtar a mashtrues shteti i shpifur sllav, janë shqiptarët që gozhdohen, disi vullnetarisht, në fatkeqësinë e vet!
R.
Skam koment , me ke lene pa fjale dhe nuk dij sa te uroj per rezoluten e ardhmerise.