Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, kanë apeluar te qytetarët që të mbajnë pastërti individuale, distancë sociale dhe të qëndrojnë sa më shumë në shtëpi, me qëllim për të parandaluar përhapjen e koronavirusit të ri (COVID-19), raporton Anadolu Agency (AA).
Në një konferencë për media para godinës së qeverisë, kryeministri Kurti tha se përhapja e koronavirusit po zgjerohet dhe se Kosova ende është “në fazën e parë” në përballje me këtë virus.
“Virusi COVID-19 ka një përhapje të tillë për të cilin ne do ta njohim të vërtetën dhe shkaqet e tij vetëm në dy javët e ardhshme. Le t’i paraprijmë pra. Lakorja e përhapjes apo shpërndarjes së tij është në dorën tonë. Nëse tregohemi të përgjegjshëm, ajo do të jetë e ulët dhe jo shumë e shtrirë. Në këtë kohë në veçanti duhet t’i mbrojmë pleqtë tanë”, tha Kurti, duke shtuar se të rinjve mund t’ju duket se nuk janë të sëmurë për shkak të imunitetit të tyre më të fuqishëm, por ata mund të jenë bartës të virusit.
Duke bërë thirrje për disiplinë individuale, higjienë personale dhe përgjegjësi qytetare, Kurti njoftoi se ditëve të ardhshme do të takohet me kryetarët e Komunave të Kosovës për t’i dëgjuar shqetësimet e tyre lidhur me menaxhimin e pandemisë.
Ndërka, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, tha se të gjitha masat që do t’i ndërmarrin autoritet e shtetit për parandalimin e përhapjes së këtij virusi, nuk do të mund të jenë efektive nëse në këtë luftë nuk bashkëngjiten edhe qytetarët.
Vitia tha se autoritetet shëndetësore në vend tashmë kanë porositur edhe respiratorë shtesë për t’i rritur kapacitetet.
“Përtej masave që kemi ndërmarrë deri më tani, për momentin dua t’ju informoj se në Kosovë janë 142 respiratorë, 95 në sektorin publik dhe 47 në atë privat. Me qëllim që t’i formësojmë këto kapacitete kemi porositur blerjen edhe të 50 respiratorëve të rinj dhe gjithashtu po presim që të porosisim edhe një kontingjent tjetër”, tha Vitia, duke shtuar se nga respiratorët e porositur një pjesë do të vije në Kosovë në muajin prill, ndërsa pjesa tjetër në muajin maj.
Kujtojmë se nga gjithsej 417 persona të testuar në Kosovë, 24 raste kanë rezultuar pozitiv me virusin COVID-19.
Qeveria e Kosovës dje mori masa parandaluese për përhapjen e këtij virusi, duke mbyllur të gjitha parqet në territorin e Kosovës nga ora 08:00 deri në ora 20:00, si dhe ka obliguar marketet që konsumatorët të mbajnë distancë prej një metër, ndërkohë lokalet janë ndaluar plotësisht të shërbejnë kafe.
Komentet