Policia parkon veturat pranë barrikadave në afërsi të pikëkalimit kufitar në Bërnjak.
Luljeta Krasniqi – Veseli, Mimoza Sadiku
Pas situatës së krijuar në dy pikat kufitare që lidhin Kosovën me Serbinë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thirrur mbledhje të Këshillit të Sigurisë së Kosovës.
Të shtunën, më 25 shtator, Qendra e Regjistrimit të Automjeteve në Zubin Potok është djegur, ndërsa është sulmuar edhe Qendra e Regjistrimit Civil në Zveçan.
Sipas hetimeve preliminare aty janë hedhur dy bomba dore, por të cilat “nuk kanë eksploduar”.
Kryeministri Kurti, gjatë një konference për media, të shtunën tha se Serbia po provokon konflikt serioz ndërkombëtar që rrezikon të marrë përmasa rajonale.
“Serbia qartazi dëshiron të militarizojë dhe të e eskalojë situatën. Po sjell deri afër kufirit të Kosovës edhe helikopterë e avionë të prodhimit rus. Nëpërmjet këtyre sulmeve, provokimeve ku përdoren qytetarët e Kosovës, Serbia provokon konflikt serioz ndërkombëtar, që rrezikon të marrë përmasa rajonale”, tha Kurti.
Sipas shefit të ekzekutivit kosovar, vendimet që do të ndërmerren karshi situatës së krijuar do të jenë në përputhje e me vlerësimet që i bëhen situatës së sigurisë.
“Tash për tash jemi në këtë gjendje sepse të këtillë e kemi vlerësuar dhe sjellja jonë është profesionale e korrekte deri më tani”, u shpreh Kurti.
Kurti tha se derisa ka rrezik në pikat kufitare, aty do të qëndrojnë njësitë speciale të Policisë së Kosovës.
“Ndërtesat në Bërnjak dhe Jarinjë janë aty sepse njësia speciale është aty”, tha Kurti.
Kryeministri i Kosovës bëri të ditur se janë ftuar nga faktori ndërkombëtar që të shkojnë në Bruksel për të diskutuar lidhur me situatën në veri, por, sipas tij, kjo ftesë është refuzuar nga Beogradi.
“Serbia nuk është e interesuar për fqinjësi të mirë. Serbia nuk është e interesuar për dialog”, tha Kurti.
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, tha se dy rrugët që çojnë në pikën kufitare në Bërnjak dhe Jarinjë janë të bllokuara për automjete. Rruga, shtoi ai, është e bllokuara nga një numër i vogël i qytetarëve serbë që banojnë në veri.
“Ne kemi dëshmi të presioneve të ndryshme nga strukturat paralele ilegale dhe nga institucione të ndryshme të Serbisë t’iu bëjnë presion qytetarëve tanë të nacionalitetit serb që të bashkohen në protesta”, tha ai.
Ministri Sveçla, tha vendimi për t’u pajisur me targa të përkohshme është duke u zbatuar në tërë territorin e Kosovës dhe se sipas tij, deri më tani janë lëshuar mbi 9 mijë targa të përkohshme.
Kurti: Sulmet në veri, të qëllimshme
Më herët gjatë të shtunës, Kurti deklaroi se dy sulmet në veri, ishin të qëllimshme.
“Individë ose grupe të cilave sundimi i ligjit dhe rendi e siguria publike ua rrezikon aktivitetin kriminal po e sulmojnë shtetin tonë dhe po e cenojnë paqen. Qartazi ata po i nxit e mbështet Serbia, përkatësisht regjimi autokrat atje. Fatkeqësisht, para syve të bashkësisë ndërkombëtare, Serbia po përdorë qytetarë të Kosovës për të provokuar konflikt serioz ndërkombëtar”, tha Kurti.
Ai tha se akte të tilla nuk do të tolerohen, ndërkaq u bëri thirrje qytetarëve në veri të vendit që ta ruajnë qetësinë dhe të bashkëpunojnë me institucione.
Më herët gjatë të shtunës, ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla tha se përkundër veprimeve të tilla, Qeveria e Kosovës do të vazhdojë të zbatojë vendimin për masën e reciprocitetit për targat me Serbinë, në tërë territorin e Kosovës.
“Këto veprime kriminale tregojnë më së miri se çfarë do të ndodhte në pikat kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak nëse nuk do të kishim praninë e njësive speciale për të garantuar rend dhe siguri”, ka shkruar Sveçla në rrjetin social Facebook.
Ministri Sveçla ka ftuar qytetarët në veri që të respektojnë ligjet dhe “të mos dirigjohen apo manipulohen nga ata të cilët mbijetojnë politikisht, apo përfitojnë materialisht, vetëm falë tensioneve”.
Policia e Kosovës përmes një njoftimi për media ka konfirmuar incidentin në ndërtesën e Kuvendit Komunal të Zubin Potokut.
Sipas informacioneve të para, “policia supozon se zjarri ka përfshirë ambientet përdhese të ndërtesës dhe ekziston dyshimi se ka prekur ambientet e qendrës së Ministrisë së Brendshme të Kosovës dhe bibliotekën e Shtëpisë së Kulturës”.
Policia ka thënë se hetimet lidhur me rastin janë duke vazhduar.
Osmani: Tendencë ruso-serbe për destabilizimin e rajonit
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani tha se dy sulmet e së shtunës në Zubin Potok dhe Zveçan, dëshmojnë se Serbia është “burimi kryesor i destabilizimit në rajon”.
Ajo i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar që të mos injorojë, atë që ajo e cilësoi si tendencë të Rusisë dhe Serbisë për destabilizimin e rajonit dhe më gjerë.
“Bashkësia ndërkombëtare nuk duhet ta injorojë atë që shihet qartë – tendencën ruso-serbe që nëpërmjet destabilizimit të rajonit tonë, ta dëmtojë edhe vetë Bashkimin Evropian dhe NATO-n, si bashkim e sistem vlerash. Në Kosovë, Mal të Zi dhe Bosnje dhe Hercegovinë po përdoret i njëjti model destabilizues, të cilin Rusia përdorë në shtetet baltike, Ukrainë, Moldavi dhe Gjeorgji. Ndaj, është koha që bashkësia ndërkombëtare, e para se gjithash shtetet anëtare të BE-së dhe NATO-s, ta shohin këtë rrezik e ta ndalojnë regjimin e Vuqiqit në realizimin e synimit të tij për krijimin e ‘botës serbe’, që i përket logjikës së viteve të 90-ta në Serbi”, shkroi Osmani në rrjetin social Faceebook.
Abdixhiku bën thirrje për unitet
Lidhur me situatën në veri ka reaguar edhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku. Ai ka thënë se ‘gjendja e tensionuar në veri kërkon unitet të plotë’.
“Propozoj që kryeministri të mbledhë spektrin politik në vend, të ftojë partitë parlamentare në takim – pozitë e opozitë pa dallim, në mënyrë që të shfrytëzojmë të gjitha kapcitetet tona, vendore e të jashtme, për të mbrojtur interesat tona shtetërore sot”, ka shkruar Abadixhiku në Facebook.
Abdixhiku i ka bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar, që të veprojnë në mënyrë që të shmangen kërcënimet e Serbisë dhe tensionet në veri të vendit.
Bllokada në Jarinjë dhe Bërnjak
Për shkak të masës së reciprocitetit, për të gjashtën ditë me radhë vazhdojnë të jenë të bllokuara dy rrugë nacionale që lidhin Kosovën me Serbinë.
Në këto dy pika kufitare Kosovë -Serbi vazhdon të jetë e vendosur edhe njësitë speciale e Policisë së Kosovës.
Serbët lokalë po vazhdojnë të kundërshtojnë vendimin e Qeverisë së Kosovës për reciprocitet në çështjen e targave të veturave të Serbisë, që hyjnë në Kosovë.
Ata po pamundësojnë kalimin e veturave, ndërkohë qytetarët po detyrohen të kalojnë kufirin në këmbë.
Autoritetet e Kosovës, të hënën, më 20 shtator kanë nisur që veturave me targa të Serbisë, që hyjnë në Kosovë, t’iu vënë targa të përkohshme, pasi kanë thënë se të njëjtën gjë Serbia po e bën tash e sa vite.
Infografikë
Pikat kufitare ku takohen Kosova dhe Serbia
Ministria e Mbrojtjes në Kosovë, të premten, më 24 shtator përmes një deklarate, i ka përgënjeshtruar informacionet se Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) është duke përgatitur trupa për ndërhyrje në veri të Kosovës.
“Dezinformatat se kinse FSK-ja është duke përgatitur trupa ushtarake për ndërhyrje në veriun e Kosovës, janë plotësisht të pavërteta, dhe kanë për qëllim dezinformimin e opinionit, për të paraqitur një situatë pasigurie për qytetarët tanë të komunitetit serb”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Mbrojtjes.
Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara kanë bërë thirrje për shtensionim të situatës dhe kanë kërkuar dialog mes dy palëve për këtë çështje.
Të premten NATO-ja ka kërkuar uljen e menjëhershme të tensioneve në veri të Kosovës derisa u ka bërë thirrje Prishtinës dhe Beogradit të ushtrojnë përmbajtje, të shmangin veprimet e njëanshme dhe t’i kthehen dialogut.
Escobar: Kosova dhe Serbia të mos përdorin retorikë të dëmshme
Sa i përket situatës në veri, Zëvendësndihmës sekretari amerikan i Shtetit për Evropën Jugore dhe Qendrore, Gabriel Escobar në një intervistë për Zërin e Amerikës ka thënë se të dyja palët duhet të përmbahen e të mos përdorin retorikë të dëmshme dhe të dyja palët duhet ta përqendrojnë në dialog.
“Ne e mbështesim këtë dialog 100 për qind dhe unë jam në kontakt të përditshëm me Miroslav Lajçakun. Ai ka disa propozime shumë të mira. Ai po përpiqet t’i sjellë të dyja palët në Bruksel lidhur me çështjen e targave, me synimin për të negociuar një zgjidhje të qëndrueshme dhe ka disa zgjidhje të mira. Por varet nga të dyja palët, që të bien dakord për ta diskutuar këtë, u takon atyre të shkojnë në Bruksel dhe ta trajtojnë këtë çështje”, ka thënë Escobar.
Ai është shprehur së është në dorën e të dyja palëve, që të mos ketë një qasje ushtarake ndaj kësaj çështjeje dhe të mos dërgojnë forca speciale në një vend ku është KFOR-i.
“Nuk ka nevojë për një gjë të tillë. Lidhur me çështjen e targave ne do të donim të shihnim disa lëvizje në Bruksel, ndoshta që javën e ardhshme”, ka thënë ai.
Çështja e targave është e rregulluar me Marrëveshjen e Brukselit për lëvizjen e lirë, në kuadër të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ku ishte përcaktuar që të gjithë pronarët e veturave që banojnë në Kosovë, duhet të përdorin targat ‘KS’ (Kosovë) ose ‘RKS’ (Republika e Kosovës) dhe kështu t’i hiqnin nga përdorimi targat që për serbët e Kosovës i lëshonte Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë.
Vijon protesta e Adriatik Lapaj dhe mbështetësve të tij përpara Kryeministrisë.
Lapaj ka kërkuar që shqiptarët t’i bashkohen revoltës kundër qeverisë dhe atyre që vjedhin miliona euro me një firmë apo me një të rënë të lapsit.
“E patë çfarë ndodhi në Bullgari? Populli dorëzoi qeverinë të dorëhiqej. Nuk dolën brenda një jave por luftuan me muaj. Nga 5 u bënë 10, 10 mijë, e deri në dorëheqjen e qeverisë.
Nuk ngelen pas edhe fermerët grekë, që kanë një javë që janë çuar për gjëra që ne nuk I konsiderojmë fare, i subvencionet. Ka ardhur koha të shporrim autokratin Rama.
Kini besim se ne mund t’ia dalim, nuk ka fuqi më të madhe se protesta e njerëzve të lirë dhe njerëzit kur bashkohen përballë atyre që na vjedhin. Të bashkojmë arsimtarët, fermerët, prindërit, të rinjtë kundër atyre që na vjedhin.
Nuk ka katolik, ortodoks e mysliman në këtë histori, njerëz me ngjyrë e pa ngjyrë, të majtë e të djathtë. Ka vetëm 2 palë, ata që me një rënë të lapsit vjedhin miliona euro, dhe ne poshtë që punojmë për të na vjedhur ata. Duhet të bëhemi bashkë për t’I shembur e për t’i shporrur”, u shpreh ai. bw
Sonila Bejtja, gruaja e Andi Bejtjas, pronarit te Syri.TV ishte gjykatesja e Kushtetueses qe votoi pro Belinda Ballukut
Sonila Bejtja si anetare e 7-të e Gjykatës Kushtetuese eshte emeruar ne dhjetorin e 2020 nga Ilir Meta, Presidenti i asaj kohe.
Gjykata Kushtetuese vendosi “ngrirjen” e zbatimit të dy vendimeve të GJKKO-së që kishin pezulluar nga detyra zëvendëskryeministren dhe ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku. Gjykata vendosi në favor të Kryeministrit dhe vendimi u mor me 5 vota pro dhe 3 kundër, duke reflektuar një ndarje të qartë brenda trupës gjyqësore.
Në favor të qeverisë votuan Sonila Bejtja, Fiona Papajorgji, Genti Ibrahimi, Sandër Beci dhe Marjana Semini, ndërsa kundër votuan Marsida Xhaferllari, Ilir Toska dhe Asim Vokshi, të cilët formalizuan një mendim pakice.
Gazetarja Klodiana Lala rreth ketij votimi tha në studion e News24 se deri në orët e fundit në Kushtetuese, gjyqtarët kanë qenë të ndarë 4 me 4. Vetëm në minutën e fundit njëri prej anëtarëve ka ndërruar mendim duke e çuar raportin në 5 me 3.
“Vendimi i Kushtetueses është marrë në një klimë të fortë tensioni mes kryeministrit dhe GJKKO. Zoti Rama menjëherë pas vendimit të GJKKO që e pezulloi Ballukun, vendosi t’i drejtohej Kushtetueses. Për Ballukun vazhdojnë të qëndrojnë në fuqi masat ndaluese për mos daljen jashtë shtetit.
Deri në orët e fundit në Kushtetuese, gjyqtarët kanë qenë të ndarë 4 me 4 dhe deri në minutën e fundit ka votuar një tjetër duke e çuar raportin 5 me 3.
Kushtetuesja ka thënë qartë se Balluku rikthehet përkohësisht në detyrën që kishte deri në datën 22 janar kur do të mbahet seanca plenare publike. Por jo domosdoshmërisht kjo tregon se kryeministri e ka fituar betejën sepse në seancën plenare publike do të ketë përfaqësi ligjore të të gjithë institucioneve” – tha Lala.
Sipas gazetares, 3 gjyqtarët që votuan kundër kanë qenë të sulmuar në mënyrë brutale.
“Pashë mendimin e pakicës. Sulmi që iu bë Asim Vokshit nga të gjithë krahët e politikës, u provua se ishte sulm i koordinuar. Xhaferllari dhe Vokshi, pra nuk janë të kapur nga politika. Qeverisë dhe ndoshta segmente të caktuara të politikës, ju duhen gjyqtarë të kapur.
3 gjyqtarët thonë se ndërhyrja në gjykatë dëmton mirë-administrimin e drejtësisë. Pra Gjykata Kushtetuese ka thënë vërtet e kemi rikthyer në detyrë, por sipas pakicës ka cenuar drejtësinë, i ka dhënë mundësisë që nëse ka risk të prishë provat dhe të intimidojë dëshmitarët ta bëjë menjëherë” – tha gazetarja.
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, dje është pritur në Selinë e Shenjtë, në audiencë nga Papa Leo XIV në Pallatin Apostolik në Vatikan.
Ajo, përmes një videomesazhi, tha se kjo është një ditë shumë e rëndësishme për marrëdhëniet mes Republikës së Kosovës dhe Vatikanit. E para e vendit shpreson që të merret vendimi i shumë pritur për njohjen nga Vatikani, gjë që do të kontribuonte për paqen dhe stabilitetin në rajonin tonë dhe në kontinentin evropian. Osmani tha se e ka ftuar Papa Leo XIV për të vizituar Kosovën.
“Paraqita shpresën dhe besimin e gjithë popullit të Kosovës që Vatikani më në fund të marrë vendimin për njohjen e Republikës së Kosovës, duke njohur vuajtjet e gjata të popullit tonë për të jetuar i lirë, i pavarur dhe në demokraci”, ka deklaruar Osmani.
Sipas saj, një vendim i tillë do të kontribuonte jo vetëm në mirëqenien dhe suksesin e Kosovës, por edhe në paqen dhe stabilitetin në rajon dhe në kontinentin evropian. Ajo theksoi gjithashtu kontributin historik të Kosovës, duke përmendur figura të rëndësishme si Gjergj Kastrioti Skënderbeu dhe Shën Tereza, si dhe rolin e Dardanisë në historinë e krishterimit dhe humanizmit evropian.
Presidentja Osmani bëri të ditur se gjatë vizitës ka përcjellë urimet e popullit të Kosovës për Krishtlindje dhe Vitin e Ri, si dhe ka ftuar Papa Leon XIV që të vizitojë Republikën e Kosovës.
“E ftova Shenjtërinë e Tij që të vizitojë Kosovën, me shpresën që një vizitë e tillë të realizohet sa më parë”, u shpreh Osmani nga sheshi kryesor i Vatikanit. bw
Kreu i PD, Sali Berisha njoftoi thirrjen e një proteste kombëtare me datën 22 dhjetor në Tiranë, ora 17:00.
Gjatë mbledhjes së Kryesisë së PD, Berisha tha se protesta do të jetë e vetmja rrugë që do të ndjekë opozita në përballje me qeverinë dhe kryeministrin Edi Rama. Ky është tubimi i parë i PD pas zgjedhjeve të 11 majit ku Edi Rama mori mandatin e katërt, ndërsa opozita shënoi humbjen e radhës. 4 foltoret e organizuara javën e fundit para Kryeministrisë janë pritur me skepticizëm dhe kritika për shkak të pjesëmarrjes së ulët dhe mënyrës së organizimit.
Sali Berisha: Duhet të organizojmë protestat, duhet t’i fillojmë sa më parë. I kemi filluar ato që janë te kryeministria. Por me datën 22, duhet të thërrasim protestë kombëtare. Ata shqiptarë që vijnë, ata janë të bekuar. Ata që nuk do vijnë, do vijnë më vonë. Por ne kurrë nuk do bëhemi pengesë, përkundrazi nxitës të protestave gjer ditën e fundit që të krijohet qeveria teknike në këtë vend për zgjedhjet e lira. Agjendë tjetër nuk ka dhe nuk mund të ketë PD. bw
Nisma për një reformë të re territoriale nga qeveria shihet nga ekspertët si një mundësi për të rikthyer qeverisjen me tre ose dy rajone të mëdha Veri-Jug, në vend të 12 qarqeve që ekzistojnë vetëm në letër, pa kompetenca dhe me kosto të larta administrative. Rajonet e Veriut, të Qendrës dhe të Jugut, që tani shërbejnë vetëm për qëllime statistikore, po të kthehen në njësi qeverisje apo agjenci zhvillimi, do ta afrojnë Shqipërinë me standardet e qeverisjes rajonale të Bashkimit Europian dhe do të ndihmojnë në thithjen e fondeve të kohezionit nga BE. Si mund të bëhen funksionale rajonet. Modeli slloven, më i përshtatshëm
Shërbimet vendore ndaj qytetarëve janë përkeqësuar me ndarjen e re territoriale të vitit 2015, ndaj qeveria ka njoftuar planin e saj për ndryshime të reja që synojnë rikategorizimin e bashkive dhe mënyra të reja administrimi për disa funksione. Teksa debati për ndryshimet ka nisur, ekspertët mendojnë se në kuadër të integrimit të vendit në BE qeveria duhet të kthejë rajonet Veri, Qendër dhe Jug (NUTS 2) në njësi të mirëfillta administrative. Aktualisht, Shqipëria është e ndarë në tre rajone, Veriu (Shkodër, Lezhë, Kukës, Dibër, Durrës), Qendra (Elbasan dhe Tiranë), Jugu (Fier, Berat, Korçë, Gjirokastër, Vlorë), të cilat shërbejnë vetëm për harmonizimin e të dhënave me Eurostat dhe për matjen e zhvillimit ekonomik, por nuk kanë as kompetenca administrative, as buxhete të pavarura.
Krijimi i agjencive të zhvillimit për secilin nga rajonet, Veri, Qendër dhe Jug do të zbuste diferencat ekonomike dhe do të ndihmonte për një përthithje më të mirë të fondeve të kohezionit, tha eksperti i ekonomisë, Selami Xhepa. Në vitin 2014, kur nisi zbatimi i reformës së re territoriale, rajoni i Veriut kontribuoi me 23.6% të PBB-së së vendit, ndërsa në 2021, kur datojnë të dhënat e fundit, ishte 22,3%. Rajoni i qendrës me vetëm dy qarqe, Tiranën dhe Elbasanin, kontribuoi me 47% të PBB në vitin 2015, teksa 10 vite më pas, pesha e tyre në ekonominë e vendit u zgjerua më tej duke arritur në 50% të totalit.
Pesha e Rajonit të Jugut në PBB-në e vendit ishte 29.4% në vitin 2024, ndërsa në vitin 2021 ishte 27.1%. Rënia e fortë e kontributit në ekonomin e Jugut -2.2 pikë % gjatë 6 viteve lidhet me uljen e kontributit të Qarkut të Fierit. Mbyllja e ARMO-s, ndërmarrjes shtetërore të përpunimit të naftës dhe falimenti i shërbimeve të lidhura me të, ndikoi negativisht të gjithë ekonominë e Rajonit të Jugut.
Të dhënat tregojnë se rritja ekonomike gjatë këtyre viteve nuk është ndarë në mënyrë të barabartë mes rajoneve. Tendenca është në linjë me zhvendosjen e popullsisë dhe investimeve drejt kryeqytetit dhe zonave përreth duke lënë në hije zhvillimin e qëndrueshëm të Veriut dhe Jugut. Për ilustrim, Qarku i Kukësit, më i varfri në vend për konsumin për frymë të popullatës dhe përqindjen më të lartë të personave në varfëri ekstreme, është më i pasuri me burime natyrore, prodhim energjie dhe minerale. Agjencitë rajonale mund të zhvillojnë më shumë kapacitete për të menaxhuar projekte të mëdha që ndryshojnë infrastrukturën në krahasim me bashkitë e sotme, thotë z. Xhepa.
Ekspertët sugjerojnë se modeli i Sllovenisë duket i përshtatshëm për ne, pasi është një vend me popullsi të vogël dhe funksionon me qeverisje vendore të bazuar në dy rajone të mëdha dhe me mbi 200 njësi më të vogla vendore që ofrojnë shërbime shumë afër komuniteteve.
“Reforma e vitit 2014 e vendosi Shqipërinë në të njëjtën linjë me vendet që kanë ndjekur një qasje të centralizuar të konsolidimit territorial. Rezultatet pozitive – si rritja e të ardhurave, shtrirja e shërbimeve dhe menaxhimi më racional i burimeve – janë të dukshme. Por ndikimet në fusha të tjera, si cilësia e shërbimeve, pjesëmarrja qytetare apo zhvillimi ekonomik lokal, mbeten ende të paqarta. Për të përgatitur fazën e dytë të reformës territoriale është thelbësore që vendimmarrja të bazohet në evidencë dhe matje reale të performancës, si dhe në përfshirjen e komuniteteve vendore në proces”, tha Dr. Valbona Karakaçi, këshilltare strategjike e projektit “Bashki të Forta”.
Si ka ndryshuar ekonomia e qarqeve pas 2014
Gjatë tri dekadave të fundit, ekonomia e kryeqytetit është zhvilluar në “kurriz” të qyteteve të tjera, për shkak të zhvendosjes drejt saj të talenteve, krahut të punës dhe për rrjedhojë, edhe ambientit më të favorshëm për biznes.
Pas reformës territoriale të vitit 2014, Tirana ka përforcuar më tej rolin si qendra kryesore ekonomike e vendit, duke kaluar nga 38% e PBB-së së vendit në vitin 2014 në mbi 43% në vitin 2021, një rritje me mbi 5 pikë përqindje, ndërsa Durrësi ka ruajtur ritmin pozitiv, duke kaluar nga 9.2% në 10%.
Të gjitha qarqet e tjera kanë shënuar rënie të kontributit ekonomik duke përfshirë edhe Elbasanin nga 7.4% në 2014 në 6.7% në 2021.
Në krahun tjetër, rënie të dukshme kanë pësuar disa qarqe tradicionale industriale dhe bujqësore. Fieri kryeson me humbje mbi 2.5 pikë përqindje, duke zbritur nga 13.5% në vitin 2014 në vetëm 10.8% në vitin 2024.
Reduktim kanë pësuar gjithashtu Dibra, Lezha dhe Shkodra, të cilat kanë humbur një pjesë të kontributit të tyre në ekonomi. Edhe Korça, e njohur për traditën bujqësore dhe agropërpunuese dhe turizmin, ka rënë lehtë nga 5.75% në 5.22% ndërmjet 2014 – 2021.
Ndërkohë, qarqe si Kukësi, Gjirokastra dhe Vlora kanë mbetur me peshë të kufizuar në strukturën kombëtare, duke shfaqur një tendencë stanjacioni ose tkurrjeje të lehtë.
Struktura e PBB-së sipas qarqeve reflekton lëvizjet demografike që kanë ndodhur në vend gjatë dhjetë viteve të fundit. Rritja e ndjeshme e Tiranës dhe Durrësit lidhet drejtpërdrejt me përqendrimin e popullsisë në këto zona.
Ky fluks ka shtuar konsumin, investimet private dhe zhvillim të ndërtimit duke rritur automatikisht edhe peshën e këtyre dy qarqeve në ekonominë kombëtare.
Në të kundërt, qarqe si Fieri, Dibra, Lezha, Shkodra apo Korça kanë përjetuar emigracion të lartë dhe zbrazje të popullsisë, sidomos të të rinjve. Humbja e fuqisë punëtore dhe plakja e popullsisë kanë dobësuar aftësinë prodhuese dhe kanë ulur kërkesën e brendshme, duke sjellë rënie të peshës së tyre në PBB.
Në zona si Gjirokastra apo Kukësi, ky efekt është edhe më i dukshëm, pasi ekonomitë lokale mbështeten kryesisht në bujqësi ose remitanca, pa arritur të krijojnë motorë të qëndrueshëm zhvillimi.
Zhvillimet ekonomike në vend kanë thelluar pabarazitë rajonale me premisa që ky trend të thellohet më tej në vitet në vijim. Por anëtarësimi në BE i kushton shumë rëndësi kohezionit social dhe rajonal, duke u fokusuar te politika që synojnë zhvillimin e njëtrajtshëm të Rajoneve.
Qeverisja me Rajone, një zgjidhje për Shqipërinë
Modeli më i përshtatshëm i nivelit të dytë të qeverisjes do të ishte një model rajonal i thjeshtë, i bazuar te vlerat tradicionale – thotë Agron Haxhimali, ekspert për çështjet vendore. Sipas tij, thelbi nuk është te numri i rajoneve, por te mënyra se si ato do të zgjidhen dhe çfarë kompetencash do të ushtrojnë.
Rajonet duhet të kenë këshilla të zgjedhur dhe përgjegjësi të qarta në zhvillimin ekonomik, planifikimin territorial, transportin, shëndetësinë rajonale dhe sidomos në menaxhimin e fondeve të BE-së, tha z. Haxhimali. Ky nivel qeverisjeje do të shmangte burokracinë e panevojshme, por do të sillte kapacitete të reja që sot bashkitë nuk i përballojnë dot vetëm, si p.sh. ndërtimi i infrastrukturës ndërbashkiake, menaxhimi i mbetjeve, zhvillimi i turizmit rajonal apo arsimi profesional, tha ai.
Duke vënë në funksion qeverisjen rajonale (NUT- 2) Shqipëria do të fitonte një qeverisje më pranë qytetarëve, më efikase për tërheqjen e fondeve, më të balancuar në zhvillim dhe një hap konkret drejt përmbushjes së kapitullit 22 të negociatave me BE-në.
Në Bashkimin Europian, ky nivel i ndarjes me rajone (NUTS 2) zakonisht përputhet me njësi administrative të mirëfillta që menaxhojnë fonde të mëdha zhvillimi dhe politika sektoriale. Italia, për shembull, ka rajonet e saj me autonomi të gjerë si Lombardia apo Lazio, të cilat zotërojnë institucione të zgjedhura dhe kryejnë funksione. Polonia ka 16 rajone të cilat i ka bërë përgjegjëse për administrimin e fondeve strukturore, ndërsa Rumania i ka organizuar tetë rajone ( NUTS 2) si njësi ndërmjetëse për menaxhimin e zhvillimit, pa u dhënë megjithatë pushtet politik të plotë.
Në këtë këndvështrim, Shqipëria ndodhet përpara një zgjedhjeje strategjike. Me një popullsi që sipas INSTAT në vitin 2025 ka rënë në rreth 2.37 milionë banorë, ndarja aktuale me 61 bashki dhe 12 qarqe duket e mbingarkuar dhe e fragmentuar.
Krijimi i rajoneve administrative në përputhje me NUTS 2 me dy ose tre rajone do të thjeshtonte hartën e qeverisjes vendore dhe do t’i jepte vendit një nivel të mesëm organizimi më funksional, tha Selami Xhepa.
Këto rajone mund të marrin kompetenca në menaxhimin e fondeve të BE-së, në hartimin e planeve të zhvillimit ekonomik dhe infrastrukturor, në koordinimin e politikave të arsimit dhe shëndetësisë duke i afruar standardet e qeverisjes me praktikat europiane.
Një hap i tillë do të kërkonte reformë kushtetuese dhe rishikim të financave publike. Do të duhej të përcaktohej qartë se cilat burime fiskale kalojnë në nivelin rajonal dhe si do të ndahet pushteti mes qeverisë qendrore, rajoneve dhe bashkive.
Sfida politike nuk është e vogël, sepse krijimi i rajoneve administrative mund të shihet edhe si transferim pushteti nga qendra te njësi më të mëdha territoriale që mund të ushtrojnë peshë politike të ndjeshme.
Rajonet administrative do të mund të thithnin më shumë fonde të BE-së, do të hartonin politika të diferencuara sipas nevojave specifike të Veriut, Qendrës dhe Jugut dhe do të garantonin përfaqësim më të drejtpërdrejtë në strukturat e BE-së, përfshirë Komitetin e Rajoneve.
Nëse kjo reformë realizohet me kujdes, Shqipëria do të kishte një sistem qeverisjeje më të thjeshtë, më funksional dhe më të përafërt me standardet e unionit./Monitor
Kushtetuesja vendosi që ta rikthente në detyrë Ballukun deri në shqyrtimin e kërkesës më 22 janar, një seancë e cila do të jetë publike.
Por çfarë mund të bëjë SPAK? Gazetarja Klodiana Lala tha se ky vendim i Gjykatës Kushtetuese nuk e prek hetimin e Prokurorisë së Posaçme. Megjithatë pritet të shihet lëvizja që mund të ndërmarrë Prokuroria, nëse do të shkojë më tej me një masë më të ashpër si ajo e arrestit shtëpiak apo të arrestit në burg, për të cilën do të duhet që të kërkojë autorizimin nga Kuvendi.
“Mund t’i drejtohet komisionit të Mandateve dhe të kërkojë autorizim për masa të tjera ndaj Ballukut. Por për arrest shtëpiak, me burg apo kontroll banese do të duhet të merret autorizim nga Kuvendi. Mbetet në fuqi ndalimi i daljes jashtë vendit. Gjykata Kushtetuese nuk mund të shprehet për këtë se kryeministri nuk ka ngritur asnjë pretendim në lidhje me këtë pjesë.”, tha Lala. gsh
Çmimet e larta janë çështja më shqetësuese ekonomike e shqiptarëve sipas rezultateve të Barometrit të Ballkanit 2025 të publikuar së fundmit nga Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal.
Për 72 për qind të shqiptarëve rritja e çmimeve janë problemi më madhor, niveli më i lartë në Rajon, pas Kosovës ku për 77 % të qytetarëve atje çmimet janë një problem shqetësues.
Sipas KRB në vitin 2025, rritja e çmimeve dhe inflacioni vazhdojnë të kryesojnë listën e shqetësimeve publike, të përmendura nga 66% e të anketuarve, një rritje e lehtë nga 64% në vitin 20241. Situata e përgjithshme ekonomike mbetet çështja e dytë më e përmendur me 44%, duke shënuar një rënie graduale nga 45% në vitin 2024 dhe 47% në vitin 2023. Korrupsioni shihet ende si një sfidë kryesore, e identifikuar nga 35% e qytetarëve në vitin 2025, krahasuar me 36% në vitin 2024 dhe 27% në vitin 2023.
Qytetarët në të gjithë vendet e Ballkanit Perëndimor (ËB6) vazhdojnë ta shohin bashkëpunimin rajonal si një nxitës të fuqishëm të progresit.
Barometri më i fundit tregon se pothuajse gjysma e të anketuarve në të gjithë ËB6 tani i kushtojnë më shumë rëndësi asaj që e bashkon rajonin sesa asaj që e dallon atë, ndërsa vetëm rreth 14% përqendrohen më shumë te përçarjet dhe afërsisht një e treta mbeten neutralë.
Në vitin 2025, mosbesimi historik dhe politika nacionaliste vazhdojnë të shihen si pengesat kryesore për bashkëpunimin rajonal midis 6 vendeve të Rajonit.
Mbështetja për anëtarësimin në BE është rritur në të gjithë BP6-ën, duke arritur në 64% në përgjithësi krahasuar me 54% në vitin 2024. Shqipëria (86%) dhe Kosova* (78%) tregojnë mbështetjen më të fortë. Edhe vendet e tjera të BP6-ës shënojnë rritje të dukshme, duke reflektuar një optimizëm në rritje rreth integrimit në BE në rajon.
Mbështetja për anëtarësimin në BE në BP6 është në nivelin më të lartë në një dekadë, duke u rritur nga 39% në vitin 2016 në 64% në vitin 2025. Gjatë së njëjtës periudhë, pjesa e atyre që e konsiderojnë anëtarësimin në BE ”të keq” ka rënë nga 20% në vetëm 9%, duke sinjalizuar një optimizëm në rritje dhe një rënie të skepticizmit ndaj integrimit evropian.
Pritjet për anëtarësimin në BE në BP janë bërë pak më optimiste në vitin 2025. Një pjesë gjithnjë e në rritje e të anketuarve tani perceptojnë se anëtarësimi mund të ndodhë deri në vitin 2030 (26%, nga 20% në vitin 2024) ose deri në vitin 2035 (25%, nga 23%).
Në të njëjtën kohë, më pak njerëz presin që kjo të ndodhë pas vitit 2040 (9%, nga 11%) ose besojnë se nuk do të ndodhë kurrë (17%, nga 18%), ndërsa pikëpamjet se anëtarësimi do të ndodhë rreth vitit 2040 mbeten përgjithësisht të qëndrueshme (13% kundrejt 14%).
Qytetarët n e 6 vendeve e lidhin gjithnjë e më shumë anëtarësimin në BE me përfitime, veçanërisht fitimet ekonomike dhe lëvizshmërinë. Prosperiteti ekonomik mbetet pritja kryesore, e përmendur nga 47% e të anketuarve (nga 43% në vitin 2024), e ndjekur nga liria për të udhëtuar, e cila është rritur në 36% (nga 27% në vitin 2024). Liria për të studiuar dhe punuar në BE, si dhe paqja dhe stabiliteti i qëndrueshëm, përmenden secila nga 28% e të anketuarve (krahasuar me 35% dhe 27% përkatësisht në vitin 2024).
Në vitin 2025, qytetarët në 6 vendet e Perëndimit raportojnë një rritje në përdorimin e shërbimeve digjitale krahasuar me vitin 2024. Sipas perceptimeve publike, blerjet online (44% kundrejt 36%) dhe shërbimet bankare online (37% kundrejt 31%) mbeten shërbimet më të përdorura, duke nënvizuar rolin në rritje të mjeteve digjiitale në jetën e përditshme.
Përqindja e të anketuarve që thonë se përdorin inteligjencën artificiale është pothuajse trefishuar (29% kundrejt 10%), ndërsa ata që raportojnë përdorimin e transmetimit të videos janë rritur gjithashtu (26% kundrejt 21%), duke treguar një ppanoramë digjital që po diversifikohet me shpejtësi. Në të kundërt, përdorimi i perceptuar i shërbimeve të qeverisjes elektronike ka mbetur përgjithësisht i qëndrueshëm (19% kundrejt 20%).
Perceptimet publike për rreziqet e lidhura me krimet në internet kanë rënë (40% kundrejt 46%). Shqetësimi për sigurinë e pagesave online ka rënë gjithashtu (26% kundrejt 30%).
Në vitin 2025, qytetarët në ËB6 tregojnë një ndërgjegjësim më të lartë për sfidat mjedisore në komunitetet e tyre lokale, veçanërisht ato që lidhen me ndotjen. Ndotja e ajrit përmendet më shpesh (61%, nga 57% në vitin 2024), ndërsa shqetësimi për ndotjen e ujit është rritur gjithashtu (52% kundrejt 43%), e ndjekur nga ndotja e tokës (44% kundrejt 38%).
Në të gjithë BP6-ën, qytetarët shprehin nivele relativisht më të larta besimi në disa institucione kyçe. Organizatat fetare shihen më pozitivisht, me 69% të të anketuarve që raportojnë ‘mjaft’ ose ‘shumë’ besim, të ndjekura nga forcat e armatosura (62%) dhe Bashkimi Evropian (60%).
Në të njëjtën kohë, opinioni publik mbetet kritik ndaj institucioneve kryesore politike vendase. Partitë politike tërheqin nivelet më të larta të mosbesimit, me 77% që shprehin pak ose aspak besim, të ndjekura nga parlamentet (70%) dhe mediat sociale (69%).
Në vitin 2025, të rinjtë në BP6 (mosha 18-24 vjeç) shprehin besim të përtërirë në përfitimet e anëtarësimit në BE. Pas një rënieje graduale nga 70% në vitin 2021 në 59% në vitin 2024, pjesa e të rinjve që e shohin anëtarësimin në BE si të mirë për ekonominë është rritur në 71%, duke arritur nivelin më të lartë në pesë vjet dhe duke sinjalizuar një ringjallje të fortë të optimizmit në lidhje me integrimin.
Të rinjtë i shohin çmimet në rritje/inflacionin (58%), situatën ekonomike (37%) dhe korrupsionin (36%) si sfidat kryesore ekonomike, ndërsa i japin më shumë peshë se popullsia e përgjithshme ikjes së trurit/emigrimit (28%) dhe cilësisë së arsimit (20%). Papunësia (27%) mbetet një shqetësim kryesor, ngjashëm me popullsinë e përgjithshme (25%)./Monitor
U zgjodh Avokat i Popullit me firmat dhe bojkotin e PD dhe votat e PS, Endri Shabani: I befasuar me opozitën, në fillim më inkurajuan dhe më pas më braktisën – Shqiptarja.com
Endri Shabani do të jetë Avokati i ri i Popullit dhe do të zëvendësojë Erinda Ballancën, e cila 3 vitet e fundit ishte me mandat të mbaruar.
Pasi u zgjodh pas një seance maratonë (11 dhjetor) me 85 vota pro, të ardhura nga socialistët dhe socialdemokratët, Shabani ka reaguar për herë të parë në rrjetet sociale.
Teksa falenderon mazhorancën për votat që i dhanë, nga ana tjetër Shabani nuk lë pa përmendur opozitën, e cila fillimisht i dha votat për kandidaturë, por që më pas u tërhoq nga kandidatura e tij.
Shabani shprehet i befasuar lidhur me ndryshimin e qëndrimit të opozitës karshi kandidaturës së tij. Sakaq ai falenderon 35 deputetët e opozitës, të cilët me firmat e tyre i dhanë mundësinë të kandidojë për postin e Avokatit të Popullit.
“Mbrëmë mora kandidaturën time si Avokat i Popullit një votëbesim sa të rëndësishëm dhe personalisht prekës, aq edhe surprizues për nga dinamika e zhvillimit në sallën e Kuvendit. Mbetem akoma i befasuar me deputetët e opozitës, të cilët fillimisht më inkurajuan me dashamirësi, më dhanë firmat e tyre sipas ligjit dhe më uruan sukses, por më pas vendosën ta braktisnin kandidaturën time a thua se nuk ishte e tyrja.
Nga ana tjetër, deputetët e mazhorancës, fillimisht refuzuan të më jepnin qoftë edhe një firmë, megjithëse disa prej tyre i kam miq, me argumentin se PS nuk do të hynte në këtë punë të opozitës, por në momentin final më votuan që të gjithë, madje me votë të fshehtë, duke më besuar detyrën e Avokatit të Popullit. E gjithë kjo dinamikë ishte diçka që s’do ta besoja dot po të ma tregonin më parë dhe nuk e lija dot pa e shënuar.
Megjithatë, me keqardhje për vijën e pakuptueshme të partisë së tyre, dua t’i falënderoj sinqerisht 35 deputetët e opozitës, të cilët me firmat e tyre më dhanë mundësi të kandidoj për këtë funksion kushtetues. I siguroj se nuk do t’u jap arsye për të menduar ndonjëherë se bënë gabim që më mbështetën në fillim apo se bënë gjënë e duhur që nuk më votuan në fund”, shkruan Shabani.
Ndër të tjera ai thekson se vota e mazhorancës ishte një akt pjekurie politike për të zgjidhur ngërçin e stërzgjatur të institucionit dhe hedhur një hap domethënës për procesin e negociatave.
“Gjithashtu, nuk mund të mos i falënderoj po aq sinqerisht deputetët e mazhorancës, pavarësisht se jam i vetëdijshëm që, më shumë se për mua, vota e tyre ishte një akt pjekurie politike për të zgjidhur ngërçin e stërzgjatur të institucionit dhe hedhur një hap domethënës për procesin e negociatave, ku ky ngërç shënohej si detyrë e pakryer shtëpie.
Dua të vlerësoj në veçanti faktin që duke më dhënë votën, deputetët e mazhorancës i dhanë përparësi si skuadër funksionimit të shtetit, dhe kapërcyen njerëzisht faktin që unë, si aktivist i angazhuar në radhët e opozitës, kam bërë dhe thënë gjëra për të cilat me siguri nuk iu ka ardhur mirë. U shpreh respekt për nivelin dallueshëm më të lartë politik dhe i siguroj se në kryerjen e kësaj detyre të rëndësishme do të bëj më të mirën për të gëzuar respektin e të gjithëve. Faleminderit!”, përfundon ai.
Demokratët që kishin mbështetur me firma 6 kandidatë, por më pas deklaruan tërheqjen nga nënshkrimet, që në fillim të seancës në mëngjesin e djeshëm kërkuan heqjen nga rendi i ditës të zgjedhjes së Avokatit të të Popullit.
Ekonomia e vendit u zgjerua me 3.5 për qind në tremujorin e dytë të këtij viti, por të dhënat e fundit nga anketa e INSTAT tregojnë se në qershor-shtator numri i të punësuarve në grup-moshën 15-64 vjeç ra me 19,561 persona në krahasim me të njëjtën periudhe të 2024.
Teksa punësimi ra, papunësia mbeti në vend-numëro e pandryshuar në krahasim me një vit më parë, duke sinjalizuar se, problemet kryesore lidhen jo me rritjen e personave që kërkojnë punë, por me tkurrjen e vetë forcës së punës.
Rënia e shpejtë e popullsisë po e bën të palexueshëm faktin se sa vende pune po hapen realisht nga zhvillimi ekonomik.
Duke analizuar të dhënat sipas grup-moshave shihet tkurrja më e fortë e numrit të të punësuarve është tek të rinjtë 15–29 vjeç mbi 11 mijë persona më pak të punësuar se një vit më parë.
Ky grup është ai që kontribuon më shumë në uljen e përgjithshme të punësimit dhe pasqyron se emigracioni i të rinjve vazhdon me ritme të larta. Edhe grup-mosha 30–64 vjeç ka pësuar rënie me mbi 8,500 persona, çka sugjeron se jo vetëm të rinjtë, por edhe punonjësit me eksperiencë po largohen nga tregu i punës, shpesh drejt emigracionit.
Krahas efektit demografik punësimi po ndikohet nga kriza që ka përfshirë sektorët me intensitet të lartë pune të tilla si industria dhe bujqësia. Shumë biznese, veçanërisht në sektorët që punësojnë numër të madh punonjësish si prodhimi fason po shkurton punonjës për shkak të falimenteve që po vijnë nga rënia e kërkesës në tregjet ndërkombëtare dhe humbjet e kursit të këmbimit.
Nga ana tjetër nën-sektorët e ndërtimit, shërbimet dhe aktivitetet sezonale kanë ulur ritmet e rekrutimeve për shkak të kostove në rritje dhe presionit të pagave.
Zhvillimet demografike mbeten problematike. Popullsia në moshë pune po zvogëlohet, numri i të rinjve që hyjnë në treg vazhdon të bjerë, ndërsa emigracioni mbetet i lartë.
Në një treg pune me më pak ofertë punonjësish, ulja e punësimit reflekton tkurrje të fuqisë punëtore. Në tremujorin e tretë 2025 forca e punës në moshën 15-64 vjeç ishte 1,150,656 persona ose 20,344 persona më pak se në të njëjtën periudhe të një viti më parë, me tkurrje -1.7%.
Në vendet e zhvilluara ulja e punësimit sjell automatikisht rritje të papunësisë, por në Shqipëri një pjesë e atyre që humbin vendin e punës nuk regjistrohen si të papunë sepse janë të gatshëm të largohen jashtë vendit, ose zgjedhin të mos jenë aktivë në treg deri sa të gjejnë kushte më të favorshme./ Monitor
Adriatik Lapaj vazhdon te protestoje tek kryeministria.Nga rrjeti coacial shkruan:
“Me Edona Haklaj ditë natë përballë të pangopurit Edi Rama!
Na duhet 1 gjenerator i vogël pasi Bashkia Tiranë nuk po na jep korent. Ata duan të dorëzohemi nga i ftohti. Nuk do ndodh!
Shënim: MOS HARRONI, Kryeministri Bullgarisë dha sot dorëheqjen pas protestave disa javore.
Çdo ditë ora 17.00 takohemi te Kryeministria!”
Kreu i “Shqipëria Bëhet” komentoi edhe kandidaturen e Endrit Shabanit per kreun e Avokatit te Popollit:
“Personalisht për mua është një ditë krenarie e madhe, pse do të thoni ju? Sepse tërë këto muaj, më është dashur që të mbaj mbi supe tradhtinë e një njeriu 5 lekësh, që sot po dëshmohet në Parlament se ishte shërbëtor i Edi Ramës.
Sot në Parlament po luhet një akt i turpshëm, po garantohet që të shpërblehet tradhtari i kauzës, i cili ka qenë në në fillim me atë qëllim”, tha Lapaj.
Kujtojmë që Lapaj dhe Shabani ishin aleatë në zgjedhjet e 11 majit, por dyshja pësoi një krisje të fortë në shtator, pasi daja i Shabanit, tentoi të marrë mandatin e Lapajt.
Me zjarr diskutimesh, deputetët e PD-së kërkuan që të hiqej nga lista emri i Endri Shabanit, i cili bashkë me pesë të tjerë, është propozuar për tu zgjedhur në krye të institucionit të Avokatit të Popullit. Çdo fjalë e thënë opozitare ishte një shfaqje tallëse, jo në raport me kundërshtarin politik, por me mbështetësit e saj.
Opozita minimalisht sot në Parlament kohën e diskutimeve duhet ta kishte shfrytëzuar për të kërkuar një ndjesë të madhe publike, sesi me ndërgjegje të plotë, u bë pjesë e kësaj skeme të cilën publikisht tentojnë ta zhbëjnë.
Fakti është që Endri Shabani, deri pak javë më parë drejtues i Partisë Nisma Thurje, një kritik i madh i opozinës dhe mbrojtës i butë i mazhorancës, mblodhi plot 35 firma mbështetesë pikërisht nga deputetët e PD-së, që sot thonë se tërhiqen nga mbështetja. Asnjë vlerë juridike, e mbi të gjitha një hendek i madh të moralit politik të opozitës, e cila tashmë noton në ujërat e ndotura që e mbushi vetë në kazanin e pushtetit.
“…ne tërhoqëm firmat. Dhe ju vazhdoni tani, sepse ju e dini se Lepuri i Surrelit (shënim: i referohet Endri Shabanit), nuk merr dot asnjë firmë. Jo, nuk i merr dot”, tha kryetari i PD-së Sali Berisha.
Po çfarë vlere ka tërheqja në një kohë kur gjithë kjo skemë e rëndë zhbëri një proces normal, ku opozita mund të dilte me një emër të saj?! Ajo u tall keq edhe me pesë kandidatët e tjerë të cilët u “përzgjodhën” bashkë me “xholin” Shabani. Tashmë pesë të përzgjedhurit e tjerë; Ardiana Kalaja, Aranita Brahja, Besim Ndregjoni, Skënder Haluca dhe Tartar Bazaj, për turpin e opozitës parlamentare janë thjesht dekor i emrit Endri Shabani. Në të vërtetë “Lepuri i Surrelit”, fjeti me jo pak, por 35 deputetë të PD-së. Tani zoti Berisha êshtë koha të hapni krahun nëse sju dëgjojnë dhe ju kanë dalë nga kontrrolli ose të kërkoni falje i pari nëse ju kanë dalë nga kontrrolli pa leje. Zakonisht stë dalin nga kontrrolli pa leje as Gaz Bardhi as Flamuri, as Alimehmeti dhe as Saliani, thjesht bëjnë sikur.
Në ditën kur Kuvendi pritet të shqyrtojë paketën e re fiskale, Dhoma Amerikane, organizata që përfaqëson interesat e komunitetit të investitorëve amerikanë dhe shqiptarë, ka dalë me një deklaratë të fortë kundër projektligjit “Për Marrëveshjen e Paqes Fiskale”.
Sipas vlerësimit professional të Dhomës, evidentohen një sërë problematikash me ndikim të gjerë juridik, ekonomik dhe të qeverisjes fiskale, që lidhen me faktorë të tillë si rrezik i lartë për cënimin e konkurrencës së ndershme; Mundësi reale për legalizimin e kapitalit me origjinë të dyshimtë dhe pastrim parash; Ulje të cilësisë së administrimit tatimor; Pasoja serioze ekonomike dhe fiskale në buxhetin e shtetit dhe nxitje të skemave të zhvendosjes së bizneseve drejt normave më të ulëta. Dhoma thotë gjithashtu se drafti ka probleme ligjore dhe cënim të parimeve themelore të taksimit si dhe ka pasur mungesë transparence dhe konsultimi publik të pamjaftueshëm.
Më herët, edhe Fondi Monetar Ndërkombëtar u shpreh kundër kësaj nisme. Shefja e misionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar Anke Weber u shpreh së fundmi se “kemi shqetësimin se disa prej elementeve të propozimit mund të minojnë progresin e fundit të Shqipërisë në administrimin e tatimeve dhe të krijojnë disa rreziqe për përmbushjen dhe drejtësinë fiskale”.
Në deklaratën e sotme Dhoma Amerikane i ka detajuar shqetësimet e saj:
Rrezik i lartë për cënimin e konkurrencës së ndershme
Projektligji propozon një skemë në të cilën bizneset që kanë deklaruar me korrektësi fitimet ndër vite vendosen në një pozicion të pafavorshëm, ndërsa subjektet që kanë shmangur detyrimet tatimore përfitojnë drejtpërdrejt.
Parashikimi i një rritjeje të detyrueshme prej 18% të fitimit të vitit paraardhës, pavarësisht sektorit apo performancës reale të tatimpaguesit, zëvendëson procesin e vetëdeklarimit me një formulë arbitrare që nuk reflekton performancën reale financiare të subjektit dhe krijon një barrë të padrejtë për tatimpaguesit e rregullt.
Në të kundërt, bizneset me deklarime fitimesh historikisht të ulëta përfitojnë nga baza e ulët e llogaritjes, duke shkaktuar shtrembërim të ndjeshëm të konkurrencës. Kjo situatë dëmton bizneset serioze dhe bie ndesh me parimin kushtetues të barazisë para ligjit.
Mundësi reale për legalizimin e kapitalit me origjinë të dyshimtë
Projektligji lejon rideklarimin e pasqyrave financiare të pesë viteve të fundit, përfshirë deklarimin e mjeteve monetare të paraportuara më parë, fshirjen e detyrimeve apo deklarimin e aktiveve të tjera të paregjistruara, pa qenë e nevojshme të justifikohen si gabime kontabël/tatimore apo mosdeklarime të qëllimshme. Në çdo rast, diferencat tatohen me një normë të reduktuar prej vetëm 5%. Ky ndryshim i pasqyrave financiare historike lejohet pa dokumentacion mbështetës ose justifikime të qarta, duke rrezikuar kështu edhe parimet themelore të Standardeve Kombëtare dhe Ndërkombëtare të Kontabilitetit që kërkojnë qëndrueshmëri dhe besueshmëri të informacionit financiar.
Mungesa e detyrimit për të verifikuar origjinën e fondeve krijon rrezikun që përmes kësaj skeme të legalizohen kapitalet me burim të paqartë ose potencialisht kriminal.
Mospërfshirja e mekanizmave të fortë të kontrollit në përputhje me legjislacionin kundër pastrimit të parave dhe përjashtimi i audituesve nga përgjegjësitë për diferencat e krijuara e shtojnë rrezikun që kjo nismë të perceptohet si një formë e tërthortë e amnistisë fiskale.
Një zhvillim i tillë cënon besimin e tatimpaguesve në sistemin fiskal dhe dëmton reputacionin ndërkombëtar të vendit, veçanërisht në kuadër të vlerësimeve nga BE dhe Moneyval.
Gjithashtu, projektligji mund të rrezikojë përpjekjet e vendit për të përmbushur rekomandimet e task-forcës BEPS (Base Erosion and Profit Shifting) të OECD-së, të cilat synojnë luftën kundër evazionit fiskal ndërkombëtar.
Ulje e cilësisë së administrimit tatimor
Projektligji kufizon ndjeshëm kontrollin tatimor mbi tatimin mbi të ardhurat gjatë periudhës së marrëveshjes, duke u bazuar vetëm në verifikime administrative “nga zyra”. Kjo qasje dobëson aftësinë e administratës tatimore për të identifikuar shmangiet dhe krijon një terren të favorshëm për abuzime.
Projektligji nuk ofron kritere të qarta dhe objektive për përzgjedhjen e tatimpaguesve që mund të përfitojnë nga marrëveshja e paqes fiskale (siç mund të ishin vlerësimi i riskut tatimor, performanca historike e deklarimeve etj., për të shmangur përfshirjen e tatimpaguesve, të cilët në mënyrë të përsëritur kanë shmangur taksat). Gjithashtu, projektligji nuk përmban afate të detyrueshme brenda të cilave administrata tatimore duhet të shqyrtojë kërkesën e tatimpaguesit dhe të hartojë e dërgojë propozimin e marrëveshjes.
Për më tepër, mundësia për rinovimin e marrëveshjes deri në dy vite të tjera krijon një varësi midis administratës dhe tatimpaguesve, duke e kthyer këtë instrument në një mekanizëm potencial presioni apo favorizimi me rrezik të lartë për korrupsion.
Pasoja serioze ekonomike dhe fiskale
Norma tatimore e aplikuar prej vetëm 5% mbi rritjen fitimit mbi 18% dhe për rideklarimet e zërave financiarë, krijon një hendek të konsiderueshëm ndërmjet normave tatimore të rregullta (15% për të ardhurat e korporatave dhe 23% për kategori të caktuara biznesesh) dhe normës preferenciale të skemës. Ky dallim i madh nuk ka justifikim ekonomik dhe krijon një nxitje të fortë për të gjitha bizneset të lëvizin drejt skemës së “paqes fiskale”, duke reduktuar ndjeshëm të ardhurat potenciale të buxhetit të shtetit. Në një periudhë ku kërkohet stabilitet fiskal dhe parashikueshmëri, kjo skemë nxit shmangien tatimore dhe tkurr bazën ekzistuese tatimore.
Për më tepër, duke pasur parasysh se mbi 90% e tatimpaguesve aktualisht përfitojnë përjashtime tatimore, baza tatimore ngushtohet edhe më tej, duke rritur pabarazinë dhe duke ulur efikasitetin fiskal.
Probleme ligjore dhe cënim i parimeve themelore të taksimit
Projektligji prek disa parime bazë të së drejtës tatimore dhe kushtetuese, duke përfshirë:
parimin e barazisë para ligjit;
parimin e sigurisë juridike;
parimin e proporcionalitetit;
parimin e trajtimit të barabartë të tatimpaguesve.
Projektligji nuk shoqërohet me aktet nënligjore që do të mundësonin zbatimin e tij, ndërkohë që parashikohet që këto akte të miratohen tre muaj pas hyrjes në fuqi të ligjit – një afat që krijon pasiguri të lartë ligjore dhe operacionale.
Projektligji dërgon një mesazh të gabuar për komunitetin e biznesit, duke krijuar perceptimin se përputhshmëria vullnetare me ligjet tatimore nuk shpërblehet, ndërsa shmangiet tatimore mund të përfitojnë nga mekanizma të përkohshëm amnistie. Studimet ndërkombëtare kanë treguar qartë se skemat e tilla dëmtojnë rëndë kulturën e përputhshmërisë tatimore në periudhën afatgjatë.
Mungesë transparence dhe konsultimi publik të pamjaftueshëm
AmCham shpreh shqetësim për mungesën e transparencës dhe konsultimit të gjerë publik gjatë hartimit të këtij projektligji (dhe nismave të tjera të paketës fiskale 2026). Afati i kufizuar për shqyrtimin dhe dhënia e sugjerimeve të një nisme me ndikim kaq të rëndësishëm fiskal, ekonomik dhe juridik nuk përputhet me praktikat e mira të legjislacionit.
Procesi i përshpejtuar kufizon aftësinë e bizneseve dhe ekspertëve për të dhënë komente cilësore, duke minuar besimin në procesin ligjvënës dhe duke ngritur pikëpyetje mbi cilësinë dhe legjitimitetin e kësaj reforme.
Projektigji të rishikohet
Dhoma Amerikane ka kërkuar kërkon kthimin dhe rishikimin e plotë të projektligjit. Shqipëria ka nevojë për politika fiskale që:
nxisin formalizimin dhe sjelljen e ndershme fiskale;
garantojnë konkurrencë të drejtë;
forcojnë integritetin e administratës tatimore;
ruajnë besimin e biznesit dhe reputacionin ndërkombëtar të vendit.
Reformat fiskale duhet të mbështeten në parime të qarta të transparencës, barazisë dhe sundimit të ligjit, standarde që ky projektligj, në formën aktuale, nuk i përmbush plotësisht, përfundon deklarata e Dhomës.
Drafti për paqen fiskale
Projektligji “Për Marrëveshjen e Paqes Fiskale” përcakton se bizneset me të ardhura bruto mbi 14 mln lekë që do të hyjnë vullnetarisht në marrëveshje me administratën tatimore për të parapaguar tatim fitimin për 1 vit me të drejtë rinovimi edhe 2 herë do t’u llogaritet mbi një bazë të tatueshme të rritur e përbërë nga fitimi i tatueshëm i vitit të mëparshëm plus 18% rritje. Nëse fitimi i vërtetë në fund të vitit tejkalon kufirin (duke llogaritur fitimin e vitit të mëparshëm plus një marzh shtesë prej 18%), mbi këtë shtesë do të paguhet 5%.
Përveç parapagimit të tatimit kundrejt mos kontrollit tatimor për 1 vit, bizneset e mëdha që do të lidhin marrëveshjen e Paqes Fiskale me administratën tatimore, gjithashtu do të mundësinë të rideklarojnë pasqyrat financiare të 5 viteve të fundit, kundrejt tatimit 5%./Monitor
Komentet