– Një vrojtim ndryshe mbi Aktin e Autorizimit të Mbrojtjes Kombëtare të SHBA-së
Heqja e sanksioneve të padrejta evropiane, njohja e pavarësisë nga Bahamas dhe, sidomos, Akti i Autorizimit të Mbrojtjes Kombëtare të SHBA-së i nënshkruar nga Presidenti Trump janë lajme të shkëlqyera për Kosovën dhe dëshmojnë vlerësim për qeverisjen e mirë të Kryeministrit Albin Kurti dhe Presidentes Vjosa Osmani.
Gëzimi i popullit shqiptar në Kosovë, në Amerikë dhe kudo në botë është plotësisht i justifikuar, por lavdërimet vend e pa vend se kujt i takojnë meritat kanë arritur nivele absurde. Këto arritje janë rezultat i shumë faktorëve, si në Kosovë ashtu edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Faktori vendimtar në Kosovë është një Kosovë stabile, demokratike dhe sovrane cep më cep. Qeveria Kurti e pastroi veriun nga bandat serbe dhe të gjitha format e kriminalitetit, eliminoi strukturat paralele ilegale dhe hoqi çdo formë ndërhyrjeje të shtetit armiqësor serb në punët e brendshme të Kosovës.
Kryeministri Kurti e lançoi Doktrinën e Dinjitetit dhe Ndërtimit të Shtetit, duke qëndruar i palëkundur përballë presioneve të padrejta dhe jo parimore nga zyrtarë ndërkombëtarë — përfshirë edhe disa amerikanë — për të bërë lëshime të mëtejshme ndaj Serbisë dhe bandave të saj në Kosovë.
Sikur Kosova të ishte e bllokuar nga barrikadat, propozimi për anëtarësim në NATO kurrë nuk do ta kishte gjetur vendin e vet në ligjin amerikan. Edhe dispozita të tjera do të kishin ndryshuar thelbësisht. Qetësimi i veriut eliminoi plotësisht propozimet për shkëmbim territoresh dhe ndarjen e Kosovës.
Faktori kryesor në Amerikë pas propozimit të këtij ligji janë arkitektët profesionalë të politikës së jashtme afatgjatë të SHBA-së. Ata e kanë klasifikuar Kosovën dhe Ballkanin si interes strategjik amerikan. Kjo konfirmohet nga fakti se ligji kaloi Kongresin pa vështirësi të mëdha dhe u nënshkrua pa vërejtje nga Presidenti Trump.
Diaspora e fortë patriotike shqiptaro-amerikane i ka meritat e veta për këtë ligj, por nuk është nevoja të përmend emra, sepse komuniteti i njeh. Megjithatë, dua të theksoj se disa individë dhe organizata të lidhura me ish-ambasadorin pro-serb Richard Grenell nuk kanë arsye të mburren. Ata po i përdorin kontaktet e tyre me zyrtarë amerikanë për të kritikuar qeverinë e Kryeministrit Kurti — që do të thotë se ata po veprojnë kundër shtetit të Kosovës.
Faktet e pamohueshme tani tregojnë se:
– Interesat strategjike afatgjata amerikane krijohen nga ekipe profesionale, ku lobimi ka ndikim të kufizuar. Milionat e dollarëve që Serbia shpenzoi për lobim ishin të kota, sepse kauza e saj është e padrejtë. Ne e kemi më lehtë, sepse kauza jonë është e drejtë. Prandaj, komuniteti shqiptaro-amerikan duhet t’i vazhdojë përpjekjet e tij lobuese me edhe më shumë vendosmëri.
– Ajo që ka rëndësi është se Kosova është një investim amerikan. Ajo ka hyrë në interesat strategjike të Amerikës. Amerika nuk do ta braktisë kurrë Kosovën.
– Amerika mund të të kritikojë, por të dëgjon, të përcjell dhe të ndihmon nëse e meriton. Udhëheqësit e Kosovës duhet të tregojnë aftësi, guxim, koordinim, përkushtim, veprim dhe argumentim të sinqertë e të drejtë. Amerika nuk i pëlqen dembelët apo servilët qyqana. Kur Kosova punon me përkushtim dhe drejtësi, Amerika flet dhe vulos.
– Vendimet dhe veprimet përfundimtare shpesh ndryshojnë nga deklaratat publike të disa përfaqësuesve amerikanë. Kritikat nga disa zyrtarë të përkohshëm amerikanë, si ish-ambasadorët Grenell, Hill dhe të tjerë të ndikuar prej tyre, nuk duhen marrë seriozisht.
– Akuzat se “Albini i prishi marrëdhëniet me Amerikën dhe miqtë ndërkombëtarë” janë të pabaza. Është opozita dembele dhe servile ajo që i dëmtoi marrëdhëniet me diplomatët e huaj duke iu bindur atyre dhe duke e gjymtuar shtetin. Të mësuar me bindje të pakushtëzuar, ndërkombëtarët nuk i kuptojnë qëndrimet e pavarura të marra në interes të shtetit nga z. Kurti dhe për këtë arsye fillimisht nuk e pëlqejnë atë. Pastaj pajtohen sepse ai kryen punë të mira në Kosovë, gjë që është edhe në interesin e tyre.
– Është opozita destruktive e Kosovës (PDK, LDK, AAK dhe NISMA), organizata armiqësore Lista Srpska, kryeministri pro-serb i Shqipërisë Edi Rama, një pjesë e madhe e mediave të ndikuara nga Serbia dhe disa OJQ në Kosovë që po i mbajnë gjallë shpresat e Serbisë për rikthim ose ndarje të Kosovës.
A ka diçka më të bukur sesa miku më i mirë i Kosovës dhe shteti më i fuqishëm në botë — Shtetet e Bashkuara të Amerikës— që sanksionon sovranitetin dhe integritetin territorial të Republikës së Kosovës, kundërshton krijimin e asociacioneve që dëmtojnë funksionalitetin e shtetit, kërkon njohje reciproke dhe mbështet zgjerimin e NATO-s, përfshirë perspektivën e anëtarësimit të Kosovës?
Akti i Autorizimit të Mbrojtjes Kombëtare të SHBA-së e konfirmon përfundimisht triumfin e Doktrinës së Kurtit mbi Doktrinën e Servilizmit dhe Gjymtimit të Shtetit të promovuar nga opozita, e cila gjatë viteve të shumta në pushtet kultivoi korrupsionin dhe lejoi ndërhyrjen e regjimit fashist të Serbisë në punët e brendshme të Kosovës.
Vetëm një Ushtri e fortë e Kosovës, e mbështetur nga Amerika deri në anëtarësimin në NATO, mund ta dekurajojë Serbinë.
Diplomatët dhe zyrtarët amerikanë nuk kanë të drejtë dhe nuk duhet të ndërhyjnë në zgjedhjet e lira të vendeve mike si Kosova për të favorizuar një parti apo kandidat të caktuar. Megjithatë, ata kanë të drejtë të monitorojnë zgjedhjet, të shprehin mendime për çështje specifike dhe të kenë preferenca.
Bazuar në të gjitha informacionet në dispozicion, preferenca amerikane anon drejt liderëve të aftë, të fortë dhe të pakorruptuar, që e dinë çfarë duan dhe punojnë me zell për të ndërtuar dhe forcuar shtetin e Kosovës. Sot këta janë pa pikë dyshimi Kryeministri Albin Kurti dhe Presidentja Vjosa Osmani.
I bëj thirrje popullit tim të dashur të Kosovës të mos bien pre e frikësimit nga opozita, mediat armiqësore dhe aleatët e tyre pro-serbë si ish-ambasadorët Grenell dhe Hill, dhe të votojnë pa hezitim për koalicionin e Kryeministrit Kurti: LVV, Guxo, Alternativa dhe PSHDK.
Vota për Kurtin si Kryeministër garanton një të ardhme të sigurt për një Kosovë pro-amerikane, pro-evropiane, të lirë, sovrane dhe plotësisht të pavarur.

