Christian Pulisic duke shënuar për Shtetet e Bashkuara në ndeshjen përballë Iranit në Stadiumin Al Thumama në Doha, të Katarit (29 nëntor 2022)
VOA/Marrë nga Reuters
Ndeshja mes kombëtareve të futbollit të Shteteve të Bashkuara dhe Iranit sot pasdite në Kampionatin në Katar përfundoi me fitoren e ekipit amerikan.
Futbollisti Christian Pulisic shënoi golin e fitores për Shtetet e Bashkuara në minutën e 38-të të pjesës së parë, duke i dhënë kështu ekipit amerikan avantazhin e duhur për t’u kualifikuar në fazën eliminatore.
Me rezultatet e deritanishme, ekipi i Shteteve të Bashkuara renditet i dyti në grup, pas Anglisë, duke siguruar në këtë mënyrë kualifikimin, ndërsa Irani renditet i treti. Të shtunën, Shtetet e Bashkuara do të përballen me ekipin kryesues të Grupit A, Holandën.
Ndeshja u prit me interes jo vetëm si ngjarje sportive, por edhe në kontekstin e marrëdhënieve mes dy vendeve. SHBA dhe republika islamike kanë ndërprerë marrëdhëniet diplomatike që nga viti 1980 pas Revolucionit Islamik dhe aktualisht situata mes tyre është e tensionuar. Kur ekipet u përballën me njëri-tjetrin në Botërorin e vitit 1998, ndeshja që u fitua nga Irani, u konsiderua si nga më të ngarkuarat politikisht në historinë e Kupave të Botës.
Ekipet e të dy vendeve e patën të qartë që nuk bëhej thjesht fjalë për një lojë futbolli. Trajneri i kombëtares amerikane, Gregg Berhalter tha në një konferencë për shtyp se ekipi i tij do ta përdorte firoren e Iranit 2-1 në vitin 1998 për të nxjerrë mësime dhe për të dhënë maksimumin.
Ai anashkaloi në komentet e tij konsideratat politike duke këmbëngulur se ato nuk do të linin në hije entusiazmin për vetë lojën, ku SHBA mund të kualifikohet për raundin e ardhshëm nëse fiton, ndërsa Iranit i duhet vetëm një pikë.
Por në një shenjë se politika është e pranishme, kapitenit të kombëtares amerikane, Tyler Adams iu desh t’i përgjigjej një pyetjeje të një gazetari iranian, i cili pasi vuri në dukje se ai po e shqiptonte gabim emrin e Iranit, kërkoi mendimin e futbollistit amerikan për diskriminimin e afrikano-amerikanëve në SHBA.
“A ndjeheni mirë që përfaqësoni SHBA-në?”, pyeti gazetari iranian.
“Kërkoj ndjesë për shqiptimin e gabuar të emrit të vendit tuaj. Por diskriminim ka kudo. Unë kam mësuar, veçanërisht nga jeta jashtë vendit në vitet e fundit dhe nevoja për t’u përshtatur me kultura të ndryshme, se në Shtetet e Bashkuara, ne vazhdojmë të bëjmë përparim çdo ditë”, tha kapiteni Adams.
Duke marrë si shembull veten e tij si një person me prejardhje afrikano-amerikane, por i rritur në një familje të bardhë, ai tha se fakti që vinte nga kultura të ndryshme, ia bënte më të lehtë përshtatjen.
“Por jo të gjithë e kanë lehtësinë dhe aftësinë ta bëjnë një gjë të tillë. Pa dyshim duhet më shumë kohë për të kuptuar, dhe mendoj se në këtë drejtim edukimi është shumë i rëndësishëm. Ashtu siç më mësuat ju tani për shqiptimin e (emrit) të vendit tuaj. Pra, është një proces. Gjëja më e rëndësishme është që të ketë përparim”, tha ai.
Edhe Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken u pyet për ndeshjen në një konferencë për shtyp në Bukuresht ku ndodhet për një takim të NATO-s.
“Po e pres me padurim ndeshjen SHBA-Iran. Do ta shoh më vonë dhe do të brohoras për Shtetet e Bashkuara. Nuk mendoj se ka ndonjë aspekt të veçantë gjeopolitik. Do të jetë një ndeshje konkurruese. Le ta lëmë atë të flasë vetë”, tha zoti Blinken.
Marrëdhëniet dypalëshe mes dy vendeve janë tensionuar vitet e fundit pasi ish-presidenti Donald Trump u tërhoq nga një marrëveshje bërthamore me Iranin.
Shtetet e Bashkuara vranë një gjeneral të lartë iranian në vitin 2020 dhe Teherani u përgjigj me sulme me raketa ndaj forcave amerikane me bazë në Irak.
Lojtarët e Iranit nga ana tjetër kanë ndjerë presionin e krizës politike në vendin e tyre, ku protestuesit po sfidojnë legjitimitetin e sundimtarëve klerikë të vendit.
Para ndeshjes mes dy vendeve, tensionet u ndezën më tej kur Federata e Futbollit e SHBA-së shfaqi përkohësisht flamurin kombëtar të Iranit në mediat sociale pa emblemën e Republikës Islamike, si një shfaqje solidariteti me protestuesit.
Ndërkohë tifozët amerikanë thanë në Doha se shpresonin që fokusi i ndeshjes të mbetej në fushë dhe jo tek polemikat mes rivalëve gjeopolitikë.
Fakti që pyetjet politike mbizotëruan në konferencën për shtyp, i la të zhgënjyer shumë prej tyre.
“Kjo sigurisht e largon vëmendjen nga loja. Për fat të mirë trajneri, lojtarët nuk u bënë pjesë e këtyre polemikave. Ata janë përgatitur gjatë gjithë kohës për këtë lojë”, tha 40 vjeçari Kevin Barker, një tifoz nga Kalifornia.
Paraqitja e Iranit në lojën me Uellsin ku ekipi iranian fitoi 2 me zero, i shqetësoi disa tifozë amerikanë.
“Mendoj se do të jetë një ndeshje e vështirë. Irani po vjen me të gjitha forcat. Një barazim nuk vlen. Unë shpresoj për një fitore 3-1 që të mund të kalojmë në raundin e dytë”, tha Don, një tifoz nga Majami i Floridës.
Ndërsa të dyja vendet prisnin se cili nga ekipet do të fitonte, ishte e qartë që interesi për lojën i kalonte kufijtë e futbollit.
Distria Krasniqi është shpallur kampione e Evropës në xhudo në kategorinë deri në 52 kilogramë, të Kampionatit Europian të xhudos, i cili po mbahet në Zagreb të Kroacisë.
Kampionia olimpike në finale mposhti xhudisten italiane, Odette Giuffrida me waza-ari.
Krasniqi pati performancë fantastike, duke i fituar një nga një përballjet e saj.
Xhudistja pejane në gjysmëfinale e mposhti spanjollen Ariane Toro Soler për ta siguruar së paku medaljen e argjendtë, por që do ta kërkojë edhe të artën në finale gjithsesi.
Paraprakisht, xhudistja pejane e eliminoi kroaten Ana Viktorija në çerekfinale për t’u plasuar në mesin e katër më të mirave evropiane në kategorinë deri në 52 kilogramë.
“Disi” e kaloi rrethin e parë pa luftë, kurse në atë të dytin e mposhti ukrainasen Anna Borodina.
Ndërkohë, garuesja tjetër kosovare, Flaka Loxha u eliminua qysh në rrethin e dytë, pasi të parin e kaloi pa luftë, pasi u mposht nga kroatja Tihea Topolovec.
Ndryshime të rëndësishme për Euro 2024. Sipas lajmit të publikuar nga Sky Sports News, lista e të ftuarve për kombëtaret që do marrin pjesë në premierën e Europianit zgjerohet nga 23 në 26 futbollistë.
Në këto kushte, me gjasë, trajneri i Kombëtares, Sylnvinho do të ketë më shumë mundësi zgjedhje-je dhe më pak “dhimbje koke”. Kujtojmë se tekniku kuqezi, ishte një nga dy trajnerët (së bashku me Deschamps), që ishte kundër kësaj ide-je, pasi grupi sipas tij mund të menaxhohet më mirë me 23 lojtarë.
Sugjerimi për këtë ndryshim u bë fillimisht gjatë një takimi të trajnerëve në Dusseldorf dy javë më parë, por në një takim të komitetit kombëtar të garave të UEFA-s të hënën, Sky Sports News mësoi se delegatët votuan në favor të ndryshimit të rregullave për Euro 2024, duke kaluar nga një limit prej 23 lojtarësh në 26. bw
Së fundmi, letrat e një prej alpinistëve dhe eksploruesve më të famshëm dhe fatkeq të Britanisë së Madhe janë publikuar në internet.
Letrat nga George Mallory i cili u zhduk në malin Everest në vitin 1924, drejtuar gruas së tij Ruth, janë publikuar nga kolegji Magdalena i Universitetit të Kembrixhit.
Bëhet e ditur se ai ishte 37 vjeç kur së bashku me partnerin e tij në eksplorim Andre Irwine u zhdukën në majën e malit më të lartë në botë.
75 vjet më vonë trupi i tij u gjet edhe pse ende nuk dihet nëse ka arritur deri në majën e malit.
E letrat janë publikuar për 100 vjetorin e zhdukjes së tij, shkruan skynews.
“E dashur, të uroj më të mirën, uroj që ankthi yt të marrë fund. Është 50 me 1 kundër nesh, por ne do të jemi krenarë”, thuhet në letrën e fundit të Malloryt.
Letrat e tij përshkruajnë gjithashtu edhe misionin e parë të zbulimit në Everest në vitin 1921 dhe ekspeditën e dytë një vit më vonë. Me anë të shkrimeve, ai ka përshkruar edhe shërbimin e tij gjatë Luftës së Parë Botërore.
Por, përveç letrave të Malloryt, është publikuar edhe letra e gruas së tij, e vetmja e mbijetuar nga ajo periudhë.
“Mendoj se e dua shoqërinë tënde edhe më shumë se dikur”, thuhet në shkrimin e saj.
Ndryshe, letrat e Malloryt janë falas për t’u parë në faqen e internetit të kolegjit Magdalene.
Maja e parë e dokumentuar e Everestit ishte në vitin 1953 nga alpinisti i Zelandës së Re Edmund Hillary dhe alpinisti tibetian Tenzian Norgay. gsh
Një titull në derbi nuk është kurrë një titull normal, por është pa diskutim një titull unik që sjell festë në popullin zikaltër. Ylli i dytë në fanellë, i ardhur kur rivalëve të përjetshëm, ka një shije të veçantë, për këtë arsye rreth 15 mijë tifozë zbarkuan në “Duomo” duke vijuar festimet pavarësisht se temperaturat ishin 6 gradë dhe binte shi. Jo vetëm në sheshin e qytetit, tifozët zikaltër ishin shpërndarë në çdo cep të Milanos duke festuar së bashku për këtë titull të paharruar.
Mes tifozëvë të shumtë, që mbanin flakadanë dhe flamuj në duar, krejt papritur u shfaq edhe një traktor i cili iu bashku turmës për të festuar titullin në Serie A. Policia lokale nuk njoftoi për dëme apo probleme specifike, por festa nuk pritet të ndalet këtu, një festë akoma më e madhe parashikohet në momentin që lojtarët dhe trajneri Inzaghi do të bëjnë paradën e tyre në “Duomo” pasi të kenë marrë në duar trofeun e vërtetë, të 20 në Serie A.
Sebastian Steudtner kapërceu një dallgë 28.57 metra në Portugali – Një arritje e mundësuar nga teknologjia
VOAL- Ai ka vite që punon për të dhe Sebastian Steudtner mund ta ketë bërë atë. Surferi gjerman kaloi një valë prej 28.57 metrash, më e larta ndonjëherë, më shumë se dy metra më shumë se rekordi që ai vendosi në vitin 2020 (26.21 m).
Rekordi i ri u arrit në brigjet e qytetit portugez të Nazaré më 24 shkurt. Megjithatë, vlera ende nuk është zyrtarizuar sepse është matur me një dron inovativ. Teknologjia është kryesisht pjesë e sipërmarrjes së gjermanit: për më shumë se 3 vjet ai ka punuar për të përmirësuar dizajnin e bordit të tij në mënyrë që të arrijë shpejtësi gjithnjë e më të larta, deri në 100 km/h. rsi-eb
Gjykata Themelore në Pejë e ka hedhur poshtë të premten një kërkesë të prokurorëve për ta dërguar në paraburgim atletin Akil Gjakova, i cili dyshohet për dhunë në familje.
Në një njoftim për media, Gjykata e Pejës tha, megjithatë, se ia ka ndaluar xhudistit të mirënjohur t’i afrohet më shumë se 50 metra viktimës, që dyshohet të jetë bashkëshortja e tij, në 30 ditët e ardhshme.
“Të pandehurit…i është ndaluar t’i afrohet vendit ku e dëmtuara banon, si dhe vetë të dëmtuarës, në distancë prej pesëdhjetë (50) metra”, thuhet në njoftim.
Gjykata tha se Gjakova rrezikon paraburgimin, nëse e shkel masën të cilën ia ka caktuar.
Gjakova, 28 vjeç, ishte shpallur në kërkim nga Policia e Kosovës më 16 prill, para se të vetëdorëzohej më vonë.
Në një reagim më 16 prill, Federata e Xhudos e Kosovës kishte thënë se Gjakova ndodhej jashtë vendit dhe se ai “do të dorëzohej menjëherë” te organet e rendit dhe të drejtësisë sapo të kthehej në Kosovë.
Shpallja e tij në kërkim nga Policia e Kosovës u bë në një kohë kur Kosova u trondit nga rastet e dhunës në familje, pas vrasjes së dy grave brenda pesë ditëve.
Për të dyja rastet, të dyshuar kryesorë janë burrat e tyre. REL
Nis rrugëtimi për në Lojërat Olimpike që do të fillojnë zyrtarisht pas 101 ditësh
VOAL- Rrugëtimi i madh i pishtarit olimpik të Lojërave të Parisit ka nisur. Në fakt, në vendin historik të Olimpias, Greqi, ceremonia e ndezjes së flakës nga një “priftëreshë e lartë” (e luajtur nga aktorja Mary Mina) u zhvillua gjatë ditës në prani të presidentit të IOC Thomas Bach. Flaka e shenjtë më pas iu dorëzua pishtarit të parë Stefanos Ntoukos (medalist grek i artë në vozitje në Tokio), duke nisur kështu udhëtimin që do të përfundojë më 26 korrik në kryeqytetin francez me hapjen zyrtare të Lojërave Olimpike 2024. rsi-eb
Mesfushori i Kombëtares Jasir Asani mesa duket e ka bërë edhe më zyrtare lidhjen e tij me të dashurën.
Disa kohë më parë i ftuar në “Wake Up” është shprehur se ka një partnere, por është shprehur shumë i rezervuar.
I pyetur nëse është i hapur për një martesë, Jasiri është shprehur: Unë dua nuse vetëm shqiptare. Ndoshta do martohem, dua një familje të madhe.
Së fundimi ai ka publikuar në rrjetet sociale një foto me partneren e tij, ku duken shumë të lumtur me njëri-tjetrin. Këtë foto futbollisti e ka shoqëruar vetëm me një zemër, pa bërë asnjë koment tjetër.bw
Panik për Elseid Hysajn dhe familjen e tij teksa Ferrari i mbrojtësit shkodran mori flakë papritur.
Lojtari i kombëtares dhe vjehrri i tij ishin brenda në makinë gjatë momentit që Ferrari mori flakë, ndërsa bashkëshortja ishte jashtë.
Për disa çaste, Hysaj dhe vjehrri i tij nuk po arrinin të dilnin me dyert që u mbyllën në mënyrë automatike.
Por, për fat të mirë kjo ngjarje kaloi pa pasoja teksa makina u dëmtua totalisht.
Vetë mbrojtësi në një prononcim të shkurtër për “Il Messaggero” bëri të ditur se zjarri mund të ishte shkaktuar nga një difekt i fabrikës në momentin e prodhimit.
“Makina mori flakë në mënyrë të papritur, për fat të mirë askush nuk u lëndua. Ia dolëm që t’i shpëtonim në kohë rrezikut, besoj se bëhet fjalë për një problem të fabrikës”, u shpreh Hysaj./dita
O.J. Simpson, ylli i futbollit amerikan dhe protagonisti i të ashtuquajturit “gjyq të shekullit”, ka vdekur në moshën 76-vjeçare njoftoi familja e tij.
“Më 10 prill, babai ynë, Orenthal James Simpson, u mposht në betejën me kancerin”, thuhet në mesazhin e publikuar nga familja e tij në rrjetin X, që më herët njihej si Twitter.
Më 1995, ai ishte liruar nga akuzat për vrasjen e ish-gruas së tij dhe shokut të saj, në rastin gjyqësor që u cilësua si “gjyqi i shekullit”.
Simpson shmangi dënimin me burg pasi u shpall i pafajshëm për therjen për vdekje të ish-gruas së tij, Nicole Brown Simpson, dhe shokut të saj, Ronald Goldman në Los Anxhelos më 1994. Simpson më vonë vuajti një dënim prej nëntë vjetësh burgim në Nevada, pasi më 2008 u gjet fajtor për vjedhje të armatosur dhe rrëmbimin e dy personave në një hotel në Las Vegas.
Simpson ishte një prej sportistëve më të mirë dhe më popullor në fund të viteve ’60 dhe në vitet ’70. Por, karriera e tij sportive ndryshoi pasi Nicole Brown Simpson dhe Goldman u gjetën të vrarë në shtëpinë e Nicole në Los Anxhelos më 12 qershor 1994.
Simpson menjëherë u bë i dyshuari kryesor. Ai u urdhërua që të dorëzohej në polici, por pesë ditë pas vrasjeve, ai së bashku me një bashkëlojëtar të tij u arratis. Ndjekja që pasoi nga policia përfundoi në zonën afër shtëpisë së Simpson dhe më pas ndaj tij u ngrit akuza për vrasje.
Gjykimi ndaj tij ishte ndër më të ndjekurit në Amerikë. Ai që në fillim u shpreh se ishte “100 për qind i pafajshëm” dhe kishte falënderuar gjykatësit kur e liruan nga akuzat më 3 tetor 1995.
Prokurorët kishin argumentuar se Simpson kishte vrarë ish-gruan e tij, Nicole, për shkak të xhelozisë, dhe kishin paraqitur prova të ndryshme, sikurse flokë dhe teste të fibrave që e lidhnin atë me vrasjet.
Prokurorët gjatë gjykimit kishin kërkuar që Simpson të provonte një palë doreza me gjak që ishin gjetur në vendin e krimit, të bindur se ato do t’i bënin atij, dhe kështu do të vërtetonin se ai ishte vrasësi.
Në gjykatore, Simpson kishte tentuar të fuste dorën në dorezë, duke u treguar gjykatësve se doreza ishte e vogël dhe ai nuk ishte vrasësi.
Pasi u lirua nga akuzat, Simpson kishte thënë se “qëllimi im kryesor në jetë është që të gjej vrasësin apo vrasësit e Nicole dhe Goldman”.
E gjithë kjo ngjarje u portretizua edhe në dokumentarin që fitoi Oscar më 2016 të titulluar “”O.J.: Made in America”, por edhe në disa dramatizime televizive.
Simpson u lind në San Francisko më 9 korrik 1947.
Ai u martua me gruan e tij të parë, Marguerite, më 1967, dhe çifti pati tre fëmijë. Më 1979, ata u divorcuan.
Simpson u takua me Nicole Brown, e cila atëbotë ishte 17-vjeçare, në kohën sa ende ishte i martuar me Marguerite. Simpson dhe Brown u martuan më 1985 dhe patën dy fëmijë. Gjatë martesës, ajo kishte telefonuar policinë pas disa incidenteve për dhunë.Radio Evropa e Lirë
Ka përfundon mesditën e sotme në Berat “Berat Green Half Marathon”, Maratona e madhe ku morën pjesë 400 vrapues, sportistë profesionistë dhe amator, nga mbi 30 shtete të ndryshme. Maratona e sotme nisi në qendër të qytetit, në orën 09:00 dhe sportistët pjesëmarrës ju nënshtruan dy garave, sipas përzgjedhjes së tyre.
Sfida më e gjatë ishte ajo prej 21 km dhe gara e dytë ishte gara në një distancë më të shkurtër, gara 10 km. Në të dyja garat e Maratonës vrapuesit përshkruan intenerare të ndryshme, duke shijuar pamjet piktoreske dhe muzeale të qytetit të Beratit, ndërkohë që e gjithë gara ishte e monitoruar nga organizatorët nëpërmjet Droneve. Maratona i çoi vrapuesit drejt zonave mahnitëse të Beratit, duke përshfaqur përpara tyre kështjellën madhështore dhe lumin piktoresk të Osumit.
Ai që mbërriti i pari në Finish, duke fituar edhe Maratonën e madhe të Beratit,në garën prej 21 km, ishte 21-vjeçari Nikola Bedini lindur dhe rritur në Itali, me origjinë nga qyteti i Beratit.
Garën prej 10 km të kësaj Maratone e fitoi kampionia shqiptare Luiza Gega, ndërkohë që çmimin e “maratobomakut” e mori 78-vjeçari Sotir Qirjaçi, për të cilin kjo ishte gara e tij e 262 ku kishte marrë pjesë.
Në përfundim të Maratonës, fituesit Nikola Bedini e Luiza Gega dhe pjesëmarrës të tjerë në Maratonë shprehën vlerësimet e tyre rreth këtij eventi si dhe folën rreth eksperiencës së tyre në këtë garim, ku konkurrenca ishte e lartë mes sportistëve pjesëmarrës.bw
VOAL- U deshën penalltitë, por në fund Athletic Bilbao arriti të thyejë një mungesë 40-vjeçare të trofeut. Baskët, skuadra e tretë më e suksesshme në Spanjë pas Real Madridit dhe Barcelonës, u rikthyen në gëzim duke fituar Kupën e 24-t të Mbretit, duke mposhtur Mallorca 4-2. Përfundoi 1-0 në ndeshjen e fundit në Sevilje falë golit të Dani Rodriguez në minutën e 21-të, Athletic barazoi rezultatin me Sancet në minutën e 50-të përpara se të shfaqej më i ftohtë nga pika (gabimi i Moralanes ishte vendimtar). rsi-eb
Komentet