Tregojnë se na ishte nji herë nji kumri
Që emnin e sojin e saj fort përçmonte
E t’bante jetë pëllumbash andërronte,
Ndaj t’përmbushte andrrën përdori nji dredhi.
Në nji qendër estetike me famë mbërriti,
U ly e u zbukurue pa kursim e pa masë,
Që zili asaj çdo pëllumbeshë me ia pasë
Mandej fill n’mes t’nji turme pëllumbash zbriti.
Me komplimente e lajka prej tyne u prit
E bukuroshen hareshëm përshndetën “gu-gu”,
Por kjo, padashje, ua ktheu n’gjuhë t’saj “ku-ku”,
Çka n’çast buzëqeshja t’dy palëve iu fashit..
Maskë, makiazh e pupla kur pa që i ranë,
Të kthehej ajo deshti sërish tek soji i saj,
Por aty mâ s’e qasën kur si pëllumb e panë.
Në mes t’katër rrugëve tash mbeti mavrija,
E vetme, e përbuzun, në mjerim e vaj,
E huej ndër pllumba, e huej ndër kumrija!