Jemi mbledhur sot për të bërë analizën mbi buxhetin e vitit 2018. Diskutimet rreth buxhetit kanë nisur prej disa ditësh në këtë sallë, si dhe shumë përpjekje janë berë për të bindur Kryeministrin dhe shumicën që Ai drejton, për ndryshimin e sistemit të taksimit, për mënyrën e shpërndarjes së fondeve dhe të investimeve në rajone, por asgjë nuk e ka ndryshuar vendosmërinë për t’i qëndruar deri në fund verisonit fillestar. Dhe në fakt, progonzat për të ardhmen e vendit pas kësaj qendrueshmërie, janë të njohura për shumëkend dhe aspak optimiste.
Tani nëse dalim tek thelbi i problemit duhet të jemi të qartë që në krye të herës se:
Diskutimi nuk ka të bëjë me çështjen nëse buxheti është i ndërtuar mbi disa parime ose jo; si dhe, nuk ka asnjë mëdyshje që për përpilimin e tij janë angazhuar specialistët më të mirë të administratës financiare.
Problemi themelor në kritikën dhe refuzimin e buxhetit 2018, është udhëzimi fillestar strukturor, është mbartja e këtij buxheti nga aktorët e ekzekutivit, është mënyra se si operon kjo qeveri në lëvrimin e parasë publike, si operon kjo qeveri me operatorët privatë dhe mbi të gjitha është “gozhda” e palëvizshme e përqindjes, mbi bazën e të cilës funksionon mekanizmi i sajuar fiskal.
Le t’i marrim me radhë dhe t”i analizojmë këto çështje që përmenda më sipër:
Së pari, Ju që keni sjellë këtë projekt për diskutim sot, jeni ideatorët dhe lejuesit e një skeme të tërë të filtrimit të parave publike, jo përmes firmave serioze me aktivitet shumëvjeçar, por përmes rioshëve të caktuar dhe licencuar nga Ju si sipërmarrës privatë, të sendërtuar vetvetiu brenda një muaji. Në këtë vend, një numër kompanish private, krijohen pak ditë përpara çdo tenderi qeveritar, sikurse ishte edhe kompania e 25-vjeçarit që qarkullonte me patentat e ish-Ministrit të Punëve të Brendshme dhe me miliona euro, nëpër rrugët e Shqipërisë, duke iu shmangur organeve ligjzbatuese. Dhe ju zoti Kryeministër, nuk keni dhënë akoma asnjë shpjegim para deputetëve të këtij institucioni sovran, mbi dëmtimin e interesit publik të shkaktuar për shkak të kooptimit në qeverisje nga Ju, të njërëzve të tillë.
Së dyti, është sistemi i ndërmarrjeve që u keni krijuar hapësirë në vend për aktivitet: sipas të dhënave zyrtare, më shumë se gjysma e kompanive strategjike janë kompani offshore. Sipas specialistëve më me integritet të financave dhe ekonomisë, ky është një tregues se pronarët e mirëfilltë të këtyre kompanive fantazmë, gëzojnë të gjitha lehtësitë, e ligjshme dhe të paligjshme, për të transferuar pjesët kryesore të llogarive bankare, të ngopura prej të ardhurave që realizohen në këtë vend nga tenderat publike, pse jo, edhe nga pastrimi i parave të drogës, drejt parajsave fiskale, ku janë të regjistruara.
Lind pyetja:
A mund të realizohej një mekanizëm i tillë, që i shmanget ligjit, në qoftë se këto kompani nuk kanë marrë bekimin dhe brenda tyre nuk janë të implikuar, përfaqësuesit e ekzekutivit të këtij vendi?
A do ishte e mundshme që pjesët e fitimeve nga aktiviteti i sipërmendur, të përfundonin ne xhepat e mafias ndërkombëtare dhe këto para të përdoreshin kundër interesave të vendit, për blerjen e zgjedhjeve dhe deformimin e sistemit demokratik, në qoftë se ata nuk do të kishin bekimin, as heshtjen së paku, të ekzekutivit të vendit, i cili ka për detyrë të kontrollojë sistemin makro-ekonomik dhe të ndërtojë strukturat e nevojshme monituruese për ndaljen e ilegalitetit të lëvizjes së parasë në treg, lëvizje kjo që është shtrirë në çdo pore të ekonomisë dhe shoqërisë?
Së treti, cilat janë skemat e evazionit fiskal?
Në fjalën tuaj sot, Ju pyetët zoti kryeministër, se cila është rruga për të përmirësuar shpërndarjen e të ardhurave dhe për të shmangur evazionin fiskal?
Me lejoni t’ju them zoti drejtues i ekzekutivit shqiptar, se një pjesë e miqve të qeverisë, nga ata që drekojnë dhe darkojnë skutash nëpër kurorën e Tiranës, ata që Ju kurojnë çdo ditë, me vullnet, servilozje dhe sipas interesave të tyre, imazhin tuaj të rrënuar nga shpërthimet e skandaleve që nuk ndalen, ata që ndërrojnë emrat e së njëjtës kompaniv duke e regjistruar së dyti, pa shlyer borxhet pararendëse; ata që transferojnë me vendime gjyqësore të minutës së fundit të vitit, miliona Euro drejt vëllezerve dhe motrave gjoja huadhënës, për t’u shpëtuar derdhjeve të detyrimeve në arkën e shtetit; ata që rendin në çdo skutë të Tiranës për të gjetur transferues të ligjshëm të honorareve për familjarët e anëtarëve të ekzekutivit, janë sot evazorët më të mëdhenj fiskalë. Paratë e tyre mungojnë sot në këtë buxhet dhe kjo është arsyeja, pse ne kemi sot, më pak shkolla e kopshte, më pak sisteme komunikimi; ose pse kemi vetëm rrugë të ndërtuara në zonat e hambarit të votave të socializimit jo demokratik; ose pse kemi më pak rrjete furnizimi me energji elektrike, në të gjitha shtëpitë e familjeve shqiptare në periferitë e vendit, nga Veriu në Jug; është kjo arsyeja që ju i keni kthyer vendbanimet e Alpeve shqiptare, në njolla errësire dhe varfërie, në vend që ato të ishin perlat e turizmit shqiptar. Dhe gjithë kjo shmangie realizohet, me udhëzimet e mjeshtrave tuaj të sistemit juridik dhe fiskal, që në vend të kryerjes së detyrave të vendosjes se aparatit shtëteror financiar nën operim të njëtrajtshëm dhe të ndershëm mbi shoqërinë e biznesit, mësojnë evazorët e klientelës, të depërtojnë brenda hapësirave boshe të ligjit, për të derdhur më pak para se sa u takon në arkën e shtetit. Ja kjo është arsyeja tjetër, që korigjimi i buxhetit duhet të bëhet, dhe ky draft do të duhet të rimodelohet mbi bazën e konsultës, së atyre pak specialistëve më të mirë të financës shqiptare, të cilët vazhdoni t’i injoroni.
Se katërti, ky projekt-buxhet, a krijon kushtet ligjore dhe praktike për eliminimin e diferencave të pasurisë në shoqëri? A ka qeveria shqiptare mekanizmat e vendosjes nën kontroll të aktivitetit të 20 familjeve mafioze, që sipas gjetjeve të përfaqësuesve të vendeve partnere, ndërhyjnë në ekonomi, politikë dhe në qeveri?
Me lejoni t’ju përsëris të nderuar kolegë, se 80 familje në këtë vend janë pasuruar përmes grabitjes së pasurisë publike, 5 % e popullsisë së këtij vendi është përforcuar edhe më tej në këto katër vitë në kontrollin e 95% të pasurisë së shqiptarëve. Për t’i liruar vendin këtyre personave të pangopur në tokën tonë të përbashkët, mbi dy million shqiptarë nuk mund të kthehen më për të jetuar, sepse hapësira jetësore këtu është zënë nga sistemi që atyre u është lejuar ta krijojnë.
Kjo qeveri sot duhej të jepte llogari pikërisht për këtë çimentim të oligarkisë, por ajo se ka ndërmend ta bëjë një gjë të tillë.
Së pesti, ky është një buxhet i përgatitur për një vend të varfër, që priret të varfërohet edhe më shumë, dhe këtë situacion e ka sëndërtuar një qeveri që ka katër vjet që stimulon përplasje dhe trazira civile në vend me politikat e saj destabilizuese dhe diferencuese.
Dhe si mund të besohet betimi juaj sot në Parlament, se mandati që keni marrë është i shtetbërjes, i punësimit dhe mirëqënies, kur ishit pikërisht ju, lejuat këtë informalitet, këtë zhgrehje të administratës financiare, këte ngjizje të krimit, politikës dhe medias; ishit Ju që në mandatin e kaluar lejuat shkatërrimin e Policisë së Shtetit, Ju që po krijoni një kaos të paimgjineshëm në sistemin e drejtësisë, Ju që shantazhoni organet e pavarura të hetimit penal, zhvendosni dhe joshni njëkohësisht drejtimin e Sherbimit Informativ Kombëtar, si me qenë pjesë e oborrit të shtëpisë tënde në periferi? Askush nuk mund të besojë, se ju i keni mundësitë, vullnetin, aftësinë dhe buon sensin që të bashkëpunoni me partinerët ndërkombëtare, për shkatërrimin e këtij sistemi që krijuat vetë, me projekt të paramenduar. Në qoftë se policitë ndërkomëtare janë brenda Policisë së Shtetit dhe brenda njësive të Ministrisë së Brendshme, kjo është sepse ju e falimentuat atë polici, dhe këtë e kupton fare mirë edhe Ministri juaj i brendshëm, i cili, në pikëpamje menaxheriale, për hir të së vërtetës, e njeh shumë më mirë se ju dhe pararëndësi i tij, përgjegjësinë si administrator në një institucion kaq të rëndësishëm për operimin e shtetit të së drejtës.
Së gjashti, e njëjta situatë është me pasuritë nëntokësore, të cilat, në shkelje të konkurrencës dhe vetë ligjeve të shtetit, u janë dhënë biznesmenëve të klientelës, prapa të cilave, qëndron oligarkia financiare, që krekoset me papion në qiejgervishësit e Tiranës, ndërkohë që njërëzit e varfër të këtij vendi, që ju i konsideroni si skllevër modernë, vdesin çdo ditë nëpër galeritë dhe puset e zonave mineralmbajtëse të vendit.
Së shtati, të kthehemi tek sistemi i taksimit, si më i rëndësishmi: Kujtoj para më shumë se një viti, kur një mik i zotit Kryeministër, ish President i një vendi postkomunist, i cili mbajti një leksion në një auditor universitar këtu në Shqipëri, kur u pyet për taksën jakobiniste progresiste, që ky regjim politik i socializmit të rilindur, kishte vendosur në këtë vend, u përgjigj: “E rëndësishme është që taksat të paguhen pa dallim nga të gjithë, që ekonomia të marrë frymë lirisht nën ligj, por rritja e taksave dhe krijimi i diferencave kaq të mëdha në tatime, është krejt e paarsyeshme dhe aspak një politike e zgjuar fiskale”. Mendova aso kohe, që Zoti Rama e kishte sjellë mikun e tij në Tiranë, për të bërë një kthesë të rëndësishme edhe për politikat e tij fiskale, që kishin filluar ta rrënonin klasën e re të mesme shqiptare, menjëherë pas vitit 2013. Por jo, edhe sot, Zoti Kryeministër sërish nuk ka reflektuar për sistemin e taksimit. Asgjë nuk ndryshoi dhe sot, në muajt e parë të mandatit kanabist, pa asnjë reflektim korigjues, publiku po njoftohet, se edhe më tutje do kemi një taksë progresive 23% mbi punën dhe mbi çdo të ardhur tjetër. Dhe kjo masë nuk ka lidhje as me rritjen ekonomike, as me papunësinë, as me konsumin, as me zhvillimin e qendrueshëm. Kjo ka lidhje, sipas meje, vetëm me përpjekjen për të shtuar të ardhurat buxhetore, duke ndeshkuar financiarisht pjesën e elitës së shoqërisë, klasës e mesme, të vetmes që kjo qeveri ia arrin të marrë automatikisht çdo gjë lehtësisht. Por programi nuk ndalet këtu: në vitet e ardhshme, taksa progresive do të zgjerohet edhe mbi të ardhurat e tjera përveç pagës,
Qytetarët shqiptarë, të majtë dhe të djathtë, duhet të kuptojnë, se taksa progresive prej 23%, për pagat mbi 130 mijë lekë, e propozuar nga qeveria në Paketen Fiskale të viti 2018, përbën një politike të përkundërt me prirjet e politikave fiskale të vendeve të rajonit, ku secila qeveri në këto anë, i taton të ardhurat nga paga mesatarisht me (9-11)%. Krahasojini politikat tuaja zotërinj ministra, me analogët e qeverisë së vendit të vogël ballkanik, që po integrohet në Europë, shumë para nesh, Malit të Zi. Ky vend i taton me 11%, nga 9% që tatohen pagat nën këtë nivel.
Serbia, të ardhurat nga punësimi dhe të ardhurat nga biznesi i taton me 10%. Në Maqedoni, tatimi mbi të ardhurat personale është i sheshtë prej 10%. Kosova, vendi i ri i europianizuem dhe i sapo çliruem, ka tatimin mbi pagën më të ulëtin në rajon: tatimin progresiv nga (0- 10)% Në Bosnjë-Hercegovinë, tatimi mbi të ardhurat është vetëm 10%. Ndërsa ju, socialistët largpamës shqiptarë keni vendosur mbi dyfishin e tatimit në krahasim me çdo vend tjetër ballkanik: Kush mendoni se mund të vijë dhe ushtrojë aktivitet biznesi në këtë vend?
Si mendoni Ju të ringjallni klasën e mesme, atë ku mbështetet demokracia, kur vazhdoni të projektoni shtërngimin e saj financiar?
Të ndëruar deputetë!
Kjo mbledhje e Parlamentit, dhe ky diskutim në vijimësi, bëhet për të korigjuar atë çfarë mund të korigjohet në projektbuxhetin e shtetit dhe ndryshimin e operacionit shpërndarës së investimeve në territor.
Pas disa javesh diskutimesh në këtë parlament, sikur të ishim në një qeverisje normale parlamentare, pa një drejtim të Parlamentit dhe administratës së tij nga Ministria e Punëve të Brendshme, administratë parlamentare që ka lënë deputetët e opozitës pa asnjë kusht minimal pune, në këtë institucion do kishim një vëmendje tjetër ndaj kërkesave publike, që bëhen përmes deputetëve.
Sikur të kishim një qeveri, që do zbatonte me përpikmëri parimin e përgjegjshmërisë dhe shpjegueshmërisë në Parlament, ne do të kishim pasur sigurisht edhe ndonjë korigjim të vogël të këtij buxheti, ndonjë korigjim të shpërndarjes së parave dhe investimeve në territor në mënyrë proporcionale. Sikur të ishim realisht një parlament funksional pluralist me një qeverisje demokratike, a do kishim pasur një shpjegim mbi skandalet e tmerrshme që po trondisin publikun?
Asnjë shpjegim nuk jepet dhe asnjë korigjim nuk ka ndodhur deri më sot. Dhe mos harroni, se jemi në një republikë parlamentare me spikatje të parlamentit, dhe jo në një republike parlamentare me spikatje të kryeministrit në sistem. Kryeministri i vendit duhej të përulej përballë këtij institucioni me respekt, dhe duhej të angazhohej me seriozitet për të dhënë përgjigje me seriozitet për çdo kërkesë të opozitës.
Jemi në organin më të lartë të pushtetit shtetëror të një Republike Parlamentare, dhe çdo kryeministër i çdo vendi demokratik do të ishte tërësisht i matur në çdo deklaratë dhe ndaj çdo vërejtje të opozitës.
Doktrina e përgjegjësisë së ekzekutivit përballë Parlamentit ju detyron Ju zoti Kryeministër të jeni i përgjegjshëm përballë këtij institucioni dhe anëtarëve të tij.
Ju nuk e bëni një llogaridhënie të tillë, megjithëse kodi ministerial ua detyron një gjë të tillë si dhe ju duhet të jepni një informacion të përpiktë dhe të vërtetë para Parlamentit, duke korrigjuar çdo gabim ta pakujdesshëm, që është bërë në ndonjë rast më të hershëm. Kryeministrat dhe Ministrat, që me vetëdije e sfidojnë parlamentin, deputetët e opozitës, të cilët pambarimisht u kërkojnë shpjegim për skandalet, shpërndarjen e pabarabartë të fondeve në territor, ata që kanë keqorientuar Parlamentin në funksionalitetin e tij, duhet të përgatiteshin për të dhënë dorëheqjen. Kjo është normë në një vend demokratik. Por Ju, nuk e respektoni kornizën konstitucionale të Republikës Parlamentare dhe e keni shndërruar republikën parlamentare në një Republikë Kryeministrore, që ngjason veç me sistemet autoritare, ku debati brenda qeverisë dhe degjesa e parlamentit ka vdekur, ose eshte formale.
Shqiperia që doni Ju zoti Kryeministër nuk është Shqipëria që duan pjesa më e madhe e shqiptarëve, që e fillojne ditën duke menduar për të ardhmen e fëmijëve të tyre, në paqë, progres dhe edukim, një vend ku respektohet dinjiteti i njeriut, një strehë e dashur, mikpritëse dhe integruese për bashkëatdhetarët tanë të dijshëm e patriotë. Ne e duam Shqipërinë vend të jetueshëm për të gjithë, kurse ju me veprime, fatkeqësisht jo. Korigjojeni këtë buxhet, dhe vendosni arsyen, uluni në tavolinë dhe bëni degjesën me profesionistët më të mirë; mendoni për përspektivën apo për opsionin hipotetik të pak muajve më vonë, kur dikush tjetër mund të jetë në drejtimin e punëve të vendit: ndërtoni një buxhet për të kryer reformat e tranzicionit nga qeveria e rilinjdes jakobiniste të ngjyer me kanabis, në buxhetin e një qeverie që godet mafian, kujdeset për unitetit kombëtar, përforcon stetin ligjor.
Nëse Ju mendoni, se do mbijetoni gjatë kështu, unë mendoj së vendi do të duhet të përgatitet për me keqen, për shkak të produktit që ju prodhuat në të gjitha pikëpamjet në këtë vend.
Komentet