Bashkia e Gjirokastrës ka depozituar në Komisariatin e Policisë kallëzim penal ndaj shpërndarësve të lajmit për prekjen me HIV/AIDS të kryebashkiakut Flamur Golemi dhe disa punonjësve të kësaj bashkie.
Avokati mbrojtës Arben Llangozi ka depozituar mëngjesin e sotëm kallëzimin penal ndaj shtetasit Emin Kokalari që përmban 30 faqe ndaj përhapjes së panikut në qytetin e Gjirokastrës.
Por vetë Emin Kokalari ka bërë një reagim në rrjetet sociale, ku thotë se në asnjë moment nuk ka akuzuar drejtpërdrejtë njeri, madje as ka publikuar emra.
“Nëse unë ndonjëherë kam akuzuar njeri drejtpërdrejtë për çështjen e HIV dhe keni fakte apo kam nxjerrë publikisht emra apo kam akuzuar persona atëherë keni plotësisht të drejtë! Por edhe sikur të bënte vaki (që nuk bën) sigurisht që njerëz jemi dhe jo perfektë (pavarësisht se unë gabime të tilla nuk kam bërë) dhe nuk e meritoj këtë llum dhe qelbësirë që po ndodh”, shkruan Kokalari.
Ai thotë se nuk është gazetar, por thekson se ka dëgjuar fjalë dhe ka ngritur pyetjen nëse dikush di diçka për këtë gjë, institucionet duhet të marrin masa.
“Para 2 vjetësh në vitin 2024 i bie, televizioni publik shqiptar thotë se në rrethin e Gjirokastrës ka 17 veta pozitiv me HIV dhe 10 prej këtyre janë në Gjirokastër nga moshat 16 deri në 65 vjeç. Pra edhe nëse unë nuk kam akuzuar askënd asnjëherë për këtë çështje më lind e drejta të dyshoj dhe të mendoj se për dy vjet më vonë tashmë në 2026 nëse nuk janë marrë masat e caktuara nga institucionet apo kujdesi nga personat e infektuar, s’është ndonjë cudi e madhe që numri mund të jetë 10 fishuar nga mënyra se si ky virus përhapet (marrëdhënie seksuale, gjak (dentistë etj…)”, shkruan ai.

Kujtojme që prej disa ditësh në media po qarkullon një lajm se një kryetar bashkie ne jug të vendit është i infektuar me HIV/AIDS, madje ka infektuar edhe disa punonjëse të institucionit.
Emri i bashkisë që u lakua është ajo e Gjirokastrës, ku kryetar është Flamur Golemi. Por në një reagim zyrtar bashkia Gjirokastër mohon kategorikisht pretendimet sipas të cilave Kryetari i Bashkisë dhe 18 punonjës të administratës rezultojnë të infektuar me HIV/AIDS, duke i konsideruar ato si tërësisht të pavërteta dhe pa asnjë bazë faktike.
Sipas Bashkisë, përhapja e këtyre lajmeve përbën një akt të rëndë dhe të papërgjegjshëm që synon të dëmtojë figurën e institucionit, të cenojë dinjitetin e punonjësve dhe të krijojë panik të pajustifikuar në publik.
Bashkia Gjirokastër i bën thirrje Policia e Shtetit dhe Prokuroria që të nisin menjëherë hetimet për identifikimin dhe ndëshkimin e autorëve, nxitësve dhe shpërndarësve të këtij informacioni. gsh