VOAL

VOAL

Kronika e edicionit të pestë të MIK festivalit nën drejtimin e sopranos me famë botërome Inva Mula Nga Aleksandrino Ikonomidhi Sulioti

August 9, 2022

Komentet

REFLEKSION PËR LIRIKAT MEDITATIVE TË MAL HAZIRIT- Vështrim libri nga TAHIR BEZHANI

Mal Haziri: “Brigje, erëra e valë,” poezi, botoi “Lena” Prishtinë,2024

Këto ditë doli nga botimi libri i parë me poezi,” Brigje, erëra e valë,” i poetit Mal Haziri nga Dushkaja e Gjakovës. Autori vjen nga një krahinë malore e cila i ka dhënë Kosovës disa autorë të respektuar në të gjitha gjinitë letrare.
Pamjet epike të Dushkajës, traditat e ruajtura me kujdes, fisnikëria, bujaria e atdhedashuria, kanë mbetur si trashëgimi epike ndër breza e posaçërisht tek krijuesit e kësaj ane, si Hasan Hasani, Skender Hoxha, e të tjerë poetë te mirënjohur.
Nga ky rreth vicioz nuk ka mundur të largohet as krijuesi Mal Haziri, i cili në veprën e vet te sapobotuar,” Brigje, erëra e valë” ka shkrirë talentin prej krijuesi me një elokuencë të rrallë, me një titull mjaft provokativ për jetën e secilit prej nesh.
Ndonëse autori i librit del për herë të parë me botim poetik të kompletuar, Mal Haziri si krijues, dashamirëve të fjalës së shkruar iu është i njohur prej kohësh. Ka botuar poezi e prozë në portale të ndryshme elektronike, gazeta e revista tjera të kohës. Është prezent në jetën kulturo-letrare, jo vetëm në Gjakovë por edhe në vende tjera të atdheut tonë shqipfolës.Si një edukator brezash me përvojë, Mal Haziri, ka shkëlqyer kudo me punën dhe veprën e vet ndër vite, duke treguar gjithë aftësitë personale e profesionale, si në luftë dhe paslufte. E gjithë përvoja jetësore e ka kalitur denjësisht në mënyrë që përjetimet e një periudhe të gjatë jetësore, t’i bartë në art, në artin e të shkruarit dhe brezave t’ua lërë veprën madhore në lexim ,si koherencë kohore…..
Mal Haziri ka shpërthyer fuqishëm në artin poetik, ku poezitë e tij të larmishme, kanë prekë të gjitha skutat e jetës njerëzore, duke lënë te secili lexues impresionin e figurës emblematike me veçori krijuese e njerëzore.

Cilat vlera krijuese veçohen në librin “Brigje, erëra e valë”

Natyrshëm, autori duke bartur në vete kohë të gjatë gjithë përvojën jetësore dhe sakrificat e saj, ato sikurse janë fshehur në thellësinë e shpirtit e mendjes vite të tëra dhe në fund kanë pëlcitur furishëm nga ajo strofull vuajtjesh, por tani, rrugëtojnë ndërgjegjshëm shtigjeve të zemrës e mendjes plot elan shpirtëror.

Mal Haziri,autor i librit”Brigje,erëra e valë”
Poetikisht me mendësinë e shpirtit, poeti qëndron i skajuar në kujtesën historike ndër shekuj, me vuajtjet e sakrificat, traditën, qëndresën, luftërat, gjakderdhjet e shumta, varfërinë, rezistencën, por nuk harron assesi, dashurinë, si nocion etik njerëzor, si unitet i pazëvendësuar jetësor. Të gjitha këto elemente poetike, të futura me zhdërvjelltësi në embrionin e vargut poetik, e bëjnë poetin Mal Haziri të jetë një krijues në qendër të vëmendjes së lexuesit tonë bashkohor.
Siç e dimë historikisht, në periudha kalimtare të letërsisë sonë, ka ngjarë që një krijues, me një vepër të ngelet gjatë në kujtesën e krijuesve të spikatur. Mendoj se kjo rastësi do jetë edhe me autorin e librit simptomatik, “Brigje,erëra e valë”, Mal Haziri. Për këtë mendim kurdoherë ka dëshmuar cilësia krijuese e jo sasia e veprave poetike .
Që në fillim të librit, lexojmë poezinë “Porosia” e cila në vete mban elementin edukativ si porosi imanente brezash, për arsyen e ndryshimeve që i nevojiten njerëzimit për ecje para, për evolucion në çdo formë të jetës. E si do e fillonte ndryshe një “amanet” nga një edukator brezash i cili gjithmonë ka spikatur me edukatë personale e shoqërore, kudo qe ka qenë prezent në shoqëri. Ja disa vargje:
” Të heqim /nga mendja/ mykun/ku ka zënë fill/lëmashku….Të lutem / për një botë re/ku do t’jetonim/ së bashku…”
Ndërsa, në poezinë “Tjetërsim”, vërejmë një urrejtje të skajshme nga uzurpatorët e shpirtit e të mendjes ,të cilët në historinë tonë nuk munguan kurrë, si në këto vargje: ”Kur ma zhbënë emrin/u këputa së qari/ nga zemra- kristal…/Sa varfëri shpirti shihja/e qesëndi hileqarësh/dikush ndiqte e unë fshija/gjurmë qenesh e zagarësh…” Sa i fuqishëm na vjen emocioni si shfryrje ndaj padrejtësive të përjetuara nëpër kohë.Elemente të ngjashme lexojmë në disa poezi të këtij libri me vlera.
Si te çdo krijues i mirëfilltë, tek Mal Haziri nuk tejkalohet motivi i dashurisë për vendlindjen, e cila i la kujtime të përjetshme e që të ndjekin pas gjithë jetën, si hije, deri në varr. E bukur është edhe poema e këtij libri kushtuar vendlindjes me titull “Poemë për Dushkajën”, në të cilën është shkrirë si në bronz, jeta fëmijërore me gjitha kujtimet e përjetuara. Mjaftojnë disa vargje nga kjo poemë për të shijuar zjarrin me fuqinë poetike të shprehur në vargje:
“Dushkajë, vargu im i zgjimit/kënga ime që s’mbaron/bulëza ime e lotit/Dushkajë ,trualli im i rrënjës/rreshka ime e plagës/o hijeshia ime e shtatit/ Dushkaja ime, motra e Drinit plak/Itaka e përhershme e kthimit…”
Kjo poemë argumenton, pos atdhedashurisë, edhe talentin dhe fuqinë shpirtërore poetike që ka poeti Mal Haziri.
Poetin e mirëfilltë, të ngarkuar me filozofinë e jetës, padyshim se e e shoqëron edhe vetmia, si faktor apo rrjedhë jete. Natyrshëm, edhe poetin Haziri, kur e zë ky fenomen, e përplas,si nëpër lëfytës fyelli, oxhakut nëpër tym e flakë dhe, detyrimisht, emocionet shëtisin pa frenim idileve shpirtërore.Këtë e vërejmë tek poezia “Vetmia” ku poeti rrëfen:
“Qaj e qaj,e qaj e qaj/ndjell furtunë shpirti/zhgrehur në shi….
Ndër poezitë më të bukura lexova poezinë “Zemër e teleisur”,një poezi antologjike e cila në thelb trajton aspektin filozofik të jetës kompleksive, ku njeriu shpesh gjendet para një gjendje ekstazë dilemash, veprimesh, rrugëtimesh “si një tel i vdekur çiftelie që bie esëll në mendje….”
Një poezi emblematike tek e cila lexuesin do e surprizojë padyshim spontaniteti i të shprehurit poetik. Përsiatje të tilla poetike ndeshemi edhe në disa poezi të këtij libri.
Duke pasur një galeri të pasur me dije në të gjitha fushat e jetës, me një zotësi prej krijuesi të formuar, me elegancë poetike ai gdhend kohët e ndryshimeve të mëdha politike, jo vetëm në vendin tonë, por në gjithë Evropën. Zhbërjen e etapës së komunizmit dhe ndryshimet në kohën e demokracisë, poeti i vargëzon me talent të rrallë si në poezinë “Përmbysje”:
“Çekani theu drapërin/çekani zuri ndryshk/e dorëza iu lëmyshk,/dhe u rrëzua flamuri/nga shtizë e thyer/…e rrëzua MURI”
Me poezinë “Gurë rrënjëthellë” poeti Haziri elaboron aspektin e qëndresës kombëtare karshi luftës, kaluar rrathëve të historisë sonë, ku në vargje të rrjedhshëm paraqet me pak fjalë, qartë nga aspekti historik:” …strehën e moçme ma dogjën/e trupin shpore e poqën/për t’ gjallë, kurrë nga aty/s’un me ndoqën”…
Librit poetik “Brigje, erëra e valë”, nuk i mungojë motive të përkushtuara familjare ku vë në shprehje me forcën e zemrës motivin amnorë, pastaj ndërgjegjshëm nuk i kalon as miq e shokë të mendjes e zemrës, të cilët kanë lënë gjurmë të pashlyera në jetën e poetit Haziri.
Duke pasur parasysh fokusin e gjerë e gjithëpërfshirës të poetit Mal Haziri në librin e lartcekur, mund të them lirshëm se tek lexuesit është ofruar një libër me poezi të ndjeshme e bashkohore, i cili do jetë një pasuri në bibliotekat tona personale, shkollore e universitare.
Secili lexues e njohës i poezisë së mirëfilltë, pas leximit, ka se çfarë të shkruaj e të komentojë, sepse, sipas mendimit tim, është arritje e mirë në poezinë tonë më të re.

Gjakovë, 25 shkurt, 2024

Pse e fsheh historinë e vërtetë për Dodonën dhe Epirin Akademia e Shkencave e Shqipërisë- Nga Kujtim Mateli

(Pjesa e dytë e parathënies së librit “E vërteta për Dodonën dhe Epirin)

Pas botimit të librit të tretë për Dodonën në vitin 2020, ku përcaktohej qartë vendndodhja e Dodonës në Dëshnicë të Përmetit dhe mungesa e saj në luginën e Carakovistës, duhej të përcaktoja qartë edhe dy çështje të tjera:
1-A mund t`i gjendej emri këtij qyteti të luginës së Carakovistës që pretendohej si Dodona dhe cilit qytetërimi i përkasin gjetjet arkeologjike të këtij qyteti?
2- Cila është etnia që ka banuar në Dodonë dhe në Epir duke e parë në të gjithë rrafshin historik, nga orakulli i parë që i përket periudhës së para Luftës së Trojës deri në shekullin e IV-t pas Krishtit, kur Dodonës iu shkatërrua orakulli dhe tempulli nga Perandoria Romake për t`i hapur rrugën Krishtërimit. Përcaktimi i qartë i kufijve të Epirit me Helladën dhe përfshirja e Epirit si pjesë e Ilirisë gjatë periudhës romake.
Gjatë viteve 2020-2023 kam punuar për librin “E vërteta për Dodonën dhe Epirin”, të cilin mund ta konsideroj si librin e katër tezave, të cilat me burimet që kam sjellë mund t`i konsideroj si të vërtetuara nga ana ime, por edhe të pranuara nga recesentët e këtij libri dhe nga disa studiues të tjerë që kanë shkruar artikuj për librat e mi dhe të botuara në shtypin e shkruar.
Po cila është arsyeja që tezat e mia kundërshtohen nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë?
Në qoftë se Dodona do të shkojë në vendndodhjen e saj të vërtetë, pra në Dëshnicë të Përmetit, ku shënjohej kufiri midis Ilirisë dhe Pellazgjisë, atëherë historia do të shikohet në një këndvështrim të ri: Dodona, kryeqyteti i pellazgëve ka qenë edhe kryeqytet i ilirëve.
-Kjo lidhje vërtetohet nga fakti që hyjnia Di e Dodonës mbante në kokë një kësulë si takija e myzeqarëve të sotëm.
-Mali i Tomorit si mal i Ilirisë adhurohej me të njëjtin status si Olimpi pellazg, pra, të dy si male të shenjtë.
-Emri Dodona sipas gjuhëtarit italian Bonfate, është një emër ilir si të gjithë emrat që mbaronin me -ona, që gjendeshin në të gjithë Ilirinë. Që do të thotë se gjuha që përdorej në Dodonë i përket etnisë pellazgo-ilire dhe që pellazgët dhe ilirët flisnin të njëjtën gjuhë
-Hyjnia Di e Dodonës nderohej nga Ambraqia (Arta e sotme) deri në Rizon (Risani i sotëm, në veriperëndim të Malit të Zi). Që do të thotë që i gjithë ky territor ku sundonte hyjnia e Dodonës i përkiste së njëjtës etnie që ishte ajo pellazgo-ilire.
Në kushtet kur Akademia e Shkencave e Shqipërisë, nuk e kundërshton përkatësinë helene të Dodonës, do të ishte fatale për këtë Akademi, vendndodhja reale e Dodonës në kufijtë e Ilirisë. Ky lëshim i bërë nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë, që nuk i ka kundërshtuar deri më sot pretendimet absurde të Akademisë së Athinës për përkatësinë helene të Epirit dhe të Dodonës, ka krijuar në botën akademike evropiane dhe më gjerë keqkuptimin se Epiri antik ka qenë pjesë e Helladës.
Akademia e Shkencave e Shqipërisë me vështirësi (se ka edhe mendime që popullsia e Epirit nuk ka qenë as ilire dhe as helene) e pranon Epirin të banuar nga ilirët. Veç historia është e dokumentuar mirë. Që nga kohët e para ardhjes së helenëve, pra, disa mijëvjeçarë para Krishtit e deri në shekullin e lindjes së Krishtit, Epiri është njohur si Pellazgji dhe banorët pellazgë. Pas lindjes së Krishtit, kur panë se gjuha epirote dhe ajo ilire ishin të njëjta, atëherë Epiri u përfshi si pjesë e Ilirisë.
Mirëpo Akademia e Shkencave e Shqipërisë nuk e njeh vazhdimësinë pellazgo-ilire të Epirit, duke e dëmtuar rëndë të vërtetën historike. Ashtu siç e paraqet historinë Akademia e Shkencave e Shqipërisë, të krijon përshtypjen se ilirët janë vendosur në Epir si pushtues, duke ia lënë Akademisë së Athinës ta pretendojë Epirin si helen në mijëvjeçarët para Krishtit. Ky shovinizëm i Akademisë së Athinës dhe kjo paqartësi e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë ka bërë që padrejtësia të ngjitet edhe në rrafshin politik dhe të përcillet deri në nivelet e larta të Bashkimit Evropian. Që Akademisë së Athinës duhej që t`i jepej një përgjigje shkencore është kërkuar edhe nga prof. Kristo Frashëri, i cili në artikullin “Shtrembërime të historisë së Epirit nga Akademia e Athinës” botuar tek “Gazeta Shqiptare” datë 07/08/2011, vë në dukje se disa botime gjoja shkencore nuk janë gjë tjetër veçse lakmi nacionaliste të fqinjit tonë jugor ndaj viseve shqiptare.
Prof. Kristo Frashëri: “Prej tyre meriton të veçohet botimi me pretendime shkencore që ka dalë nga shtypi në Athinë kohët e fundit. Fjala është për trajtesën që Akademia e Athinës botoi kohët e vona në anglisht në format të madh prej 480 faqesh, nën drejtimin e përgjithshëm (general editor) të M. B. Sakellariut, me titull “Epirus 4000 years of greek histori and civilization” (Epiri 4000 vjet histori dhe qytetërim grek), Athinë 1997.
Botimi i përmendur, që tani kemi në tryezë, ndryshon nga moria e botimeve të mëparshme nga tri pikëpamje: trajton nga pikëpamja kohore në mënyrë integrale historinë e Epirit gjatë 4000 vjetëve; e dyta, në të kanë marrë pjesë autorë ndoshta më të shquarit e historiografisë greke të ditëve tona; e treta, nga pikëpamja e përgjegjësisë shkencore, politike, morale mban vulën e Akademisë së Athinës, e cila pavarësisht nga emri që mban, është Akademia e Shkencave jo e Athinës, por e Greqisë”. ( marrë nga “Gazeta Shqiptare” datë 07/08/2011)
Megjithëse ky libër është botuar në vitin 1997, nuk e ka marrë ende një përgjigje. Të heshtësh do të thotë ta pranosh. Ky libër i botuar në anglisht është në tavolinat e punës së institucioneve akademike evropiane dhe të atyre botërore. Dhe të mendosh që institucionet politike të këtyre vendeve konsultohen me këto institucione shkencore, kuptohet se çfarë dëmi i vjen Shqipërisë, qoftë dhe me këtë libër.
Lind një pyetje. A ka historianë shqiptarë që ta trajtojnë shkencërisht periudhën e antikitetit?
Kësaj pyetjeje i jep përgjigje, po në atë artikull, prof. Kristo Frashëri: “Ne kemi pritur që me dobësitë e kësaj periudhe të merren historianët shqiptarë të specializuar në problemet e historisë së lashtë të Epirit. Arsyeja përse ata heshtin është puna e tyre”.
Vërtet, përse heshtin dhe nuk flasin akademikët e Shqipërisë?!
Që të flasësh duhet një produkt shkencor për historinë dhe qytetërimin e Epirit. Akademia e Shkencave të Shqipërisë as nuk e ka dhënë një përgjigje shkencore, as nuk e ka mundësinë për ta dhënë një përgjigje të tillë. Si mund të jap një përgjigje shkencore, kur ajo nuk e ka një studim, qoftë dhe disa faqesh, për Dodonën?! Shkenca ekziston si rezultat i lëvizjes së saj drejt së panjohurës, brenda së cilës ndodhet e vërteta. Nuk do të ketë kurrë histori të vërtetë për shqiptarët, për aq kohë sa Dodona, kryeqyteti i botës pellazgo-ilire të pretendohet në vendin e gabuar. Historia e Epirit, që është pjesë e rëndësishme e Historisë së Popullit Shqiptar, duhet të zgjidhet përfundimisht nga institucione të përgjegjshme të trojeve shqiptare, në një përballje shkencore me botën akademike evropiane dhe më gjerë.
Katër tezat e mia, janë përfundim i një pune më shumë se 20-vjeçare, pas leximit të më shumë se 2 mijë librave dhe dokumenteve arkivore, të revistave shkencore dhe artikujve studimorë, pas një meditimi të gjatë mbi materialin e grumbulluar dhe i konsultimeve të vazhdueshme me miqtë e mi studiues, që më kanë mbështetur me shkrimet e tyre të botuara në gazeta dhe revista, të cilët dua t`i falënderoj për kontributin e dhënë.
Një falënderim të veçantë dua të përcjell për recesentët e këtij libri: prof. dr. Eshref Ymeri, prof. dr. Murat Ajvazi, prof. dr. Afërdita Onuzi, prof. dr. Sejdi Gashi dhe prof. dr. Hakif Bajrami, të cilët i kanë vlerësuar si shkencore tezat e mia, të cilat e sjellin Epirin në një këndvështrim të ri, në dimensionin e vërtetë historik dhe popullsinë e saj pellazgo-ilire si krijuesit e vërtetë të Dodonës që është zanafilla e qytetërimit të gadishullit tone. Me dëshmitë arkeologjike që do të përfitohen nga vendndodhja e vërtetë e Dodonës, që është në Dëshnicë të Përmetit, do të dalë në dritë të diellit e vërteta historike që deri më sot ndodhet e manipuluar. Të gjithë bashkë të ndihmojmë në zbardhjen e kësaj të vërtete.

Aleanca strategjike, jo aleanca folklorike! Promovohet libri i ri i Prof. Shaban Muratit “Konteksti rajonal i aleancës strategjike Shqipëri-Turqi”

Në ambjentet e Hotel “Tirana Internacional”, në prani të dhjetra të pranishmëve, përfaqësues të trupit diplomatik, akademikë, profesorë, gazetarë, diplomatë dhe veprimtarë kombëtarë, u promovua të mërkurën, më 21 shkurt, libri i ri i Prof. Shaban Muratit “Konteksti rajonal i aleancës strategjike Shqipëri-Turqi”, botim i mbështetur nga Fondacioni Çamëria “Hasan Tahsini”, i cili ishte dhe organizator i këtij takimi.
Për vlerat dhe rëndësinë e librit kumtuan opinionet e tyre kryetari i Fondacionit Çamëria “Hasan Tahsini”, Alket Veliu, Prof. As.Enis Sulstarova, Prof. As. Dr. Hasan Bello dhe studiuesi e publicisti i njohur Çerçiz Loloçi.
Siç pohoi diplomati dhe studiuesi i mirënjohur Shaban Murati, Mjeshër i Madh në Diplomaci, ky libër është fryt i një përvoje 55 vjeçare. Si ekspert i çështjeve ballkanike , i cili është marrë mbi gjysmë shekulli me problematikat korrente rajonale të gadishullit dhe më gjerë, Prof. Shaban Murati shpjegoi nevojën dhe kushtet e kompozimit të një gjeopolitike shqiptare. Prof. Murati tha se nuk mund të ndërtojmë aleanca në mënyrë folklorike, ndaj duhet të përcaktojmë qartë se cilët janë aleatët tanë strategjikë. Nuk mund të bëjmë “Traktate Miqësie” me shtete që nuk njohin Kosovën, tha diplomati i njohur. Përpara se të ndërtojmë aleanca është i domosdoshëm kullimi i çdo emocioni politik, si dhe shmangia e çdo ndërhyrjeje të huaj në diplomacinë tonë. Duhet të eliminojmë paragjykimet që kemi ndaj shteteve të caktuara. Ne shqiptarët në përgjithësi jemi emotivë, por diplomacia duhet t’i shohë gjërat shumë ftohtë dhe me racionalitet, tha më tej ambasadori. Diplomacia duhet të shoh me kujdes vorbullat që thithin interesat e gjera të shtetit, jo interesat momentale të forcave politike. Qeveritë përgjithësisht bëjnë një politikë koniunkturale absurde. Ndaj duhet të jemi shumë të vëmendshëm në përcaktimin e aleatëve tanë në Ballkan, duhet të ndërtojmë një aleancë strategjike që të mbështetet në themele kombëtare dhe të përshtatet me kohërat që do vijnë, jo të bëjmë aleatë strategjikë kë të na dalë përpara, ishte apeli i ambasadorit Murati.
Duke sjellë në vëmendje të auditorit konstatimin e prof. Shaban Muratit se “Serbia dhe Greqia janë të detyruar ta llogarisin rrethanën e aleancës strategjike të kombit shqiptar me Turqinë, pasi ky është një avantazh gjeopolitik për Shqipërinë, për Kosovën dhe për kombin shqiptar”, Drejtuesi i Fondacionit Çamëria, z. Alket Veliu, tha: ”Fondacioni Çamëria “Hasan Tahsini” mbështet këtë mendim të ambasadorit dhe vlerëson se aleanca të tilla shumëdimensionale janë në interesin tonë të përbashkët, përderisa nuk është fjala për të lëshuar ndonjë parcelë të sovranitetit. Ne mendojmë se arsyeja e kësaj aleance strategjike duhet kërkuar në faktorët historikë e shoqërorë, të vjetër e të rinj. Nuk është rastësi që trashëgimia jonë kombëtare u ngjiz në Stamboll, ku mori hov gjenia e dishepujve dhe filozofëve të shquar iluministë, prijësve të Rilindjes sonë Kombëtare dhe të Pavarësisë, si Hasan Tahsini, Abdyl e Sami Frashëri, Abedin Pashë Dino, Rasih Dino e shumë të tjerë, që kanë lënë gjurmë të thella në historinë kombëtare turke”.
“Padyshim që ne kemi nevojë për miqësinë e një shteti të madh e të fuqishëm si Turqia, për shumë arsye, dhe këtë të drejtë nuk mund t’ia fshehim vetvetes”, tha më vijim zoti Veliu. Për sa kohë kombi shqiptar është i kërcënuar në ekzistencën dhe pavarësinë e tij, për sa kohë që fqinjët e tij serbë e grekë i sillen si rivalë e kundërshtarë dhe manifestojnë nacionalizën ekstrem, aleanca me Turqinë është mjaft e rëndësishme, nga pikëpamja gjeopolitike dhe e sigurisë kombëtare. Kjo do të thotë mbrojtje e integritetit etnik kombëtar, pasi qëllimi i mbramë i fqinjëve tanë për asimilimin e shqiptarëve nuk do të ndryshojë kurrë gjatë shekujve. Këtë biletë fati na ka prerë historia.
Nuk duhet të harrojmë që Turqia, në shumë momente historike, ka qenë në krah të Shqipërisë dhe kombit shqiptar. Le të kujtojmë së fundi vitin 1997, kur qeveria turke, duke përdorur një notë diplomatike, ndaloi futjen e ushtrisë greke në territorin shqiptar, duke duke garantuar kështu kufijtë e Shqipërisë. Shqiptarët gjithmonë kanë dëshiruar që me fqinjët të jetojnë në paqe dhe qetësi, por fqinjët tanë serbo grekë nuk e kanë lënë dhe vazhdojnë të mos e lënë të qetë kombin shqiptar. Ata nuk lënë gur pa lëvizur për të penguar zhvillimin ekonomik dhe demokratik të popullit shqiptar. I kemi parë ngjarjet e fundit në Kosovë dhe provokimet e rënda serbe. Shikoni ç’bëjnë grekët në jug të Shqipërisë për helenizimin e Himarës dhe gjithë jugut!
Çështja çame, për të cilën nga qeveritë shqiptare nuk ka pasur dhe nuk ka asnjë iniciativë, duhet të trajtohet pranë forumeve të larta ndërkombëtare dhe institucioneve themelore të të drejtave të njeriut, për t’i dhënë një zgjidhje të drejtë dhe të plotë.
Turqia disponon mjaft dokumenta historike për Çamërinë. Në regjistrin kadastror të viteve 1690, të ruajtura në arkivin e Sulltanit në Stamboll, që sot quhet arkivi i Kryeministrisë, shihet qartë se popullsia e Çamërisë, emrat, mbiemrat, toponimet janë tërësisht shqiptare. Ndërsa në hartën e Turqisë evropiane, Strasburg 1828, Epiri shënohej “Shqipëri e poshtme”.
Në Turqi ne kemi shoqatën tonë “Çamëria”, që ka bërë mjaft në drejtim të sensibilizimit. Shoqata Patriotike Çamëria në Tiranë, që nga viti 1991 kur u krijua, ka pasur kontakte me drejtues të Ambasadës Turke në Tiranë, si dhe me përfaqësues të qeverisë turke dhe kabinete të ndryshme kryeministrore në Ankara, ku është prezantuar problemi çam. Në prill 2008 u publikua një Raport i plotë i Ministrisë së Jashtme të Turqisë mbi çamët, raport i mbushur me fakte dhe prova mbi autoktoninë shqiptare të Çamërisë, genocidin dhe spastrimin etnik. Që nga viti 2008 nuk kemi një deklaratë zyrtare, veç një kërkesë pranë Kongresit Amerikan, ku i kërkonte këtij të fundit të ndërhynte për zgjidhjen e çështjes çame.
Në mbyllje të fjalës së tij, drejtuesi i Fondacionit Çamëria “Hasan Tahsini”, falenderoi Profesor Shaban Muratin që “me vepra të tilla shumëdimensionale na vjen në ndihmë për të hequr paragjykimet, për të fshirë disa tabu, për të kuptuar se arsyeja është historike dhe diplomacia nuk bëhet pa kordinata dhe shenja dalluese”.
Libri i ri i Shaban Muratit përmban një mesazh shumë të qartë, tha prof. as. Enis Sulstarova. Etiketimi i Turqisë si rrezik për Ballkanin bie ndesh me aleancën strategjike të këtij shteti me Shqipërinë, aleancë që më shumë i sjell përfitime Shqipërisë, Kosovës dhe gjithë kombit shqiptar. Disa mund të thonë që është qeveria e sotme e Turqisë ajo që po i largohet Perëndimit e vlerave perëndimore dhe që po kërkon të ndërtojë një pol të vetin gjeopolitik që ushtron forcën e vet tërheqëse në Ballkan, Kaukaz e Lindjen e Mesme. Edhe sikur ky pohim të jetë kështu, mjafton të lexohet artikulli që hap librin e ambasadorit për të kuptuar se aleanca strategjike midis dy shteteve nuk lidhet me format e regjimeve politike, dhe as me emrat e përveçëm që drejtojnë përkohësisht shtetet. Aleancat strategjike nuk mund të shihen nga kënvështrimi i përplasjeve të brendshme politike dhe as nga oshilacionet e marrëdhënieve të njërit apo tjetrit shtet me palë të treta. Aleancat strategjike lidhen për të përballuar më mirë rreziqet ndaj ekzistencës së kombit dhe pavarësisë së shtetit. Duke marrë parasysh stuhitë dhe trazirat e shek XX, duke parë sjelljen e disa shteteve ballkanike tani në shek.XXI, kuptohet qartë se përfituesit më të mëdhenj të aleancës strategjike Shqipëri-Turqi janë shqiptarët, por prej saj përfitojnë edhe ata faktorë që dëshirojnë paqen, sigurinë dhe perspektivën europiane për Ballkanin.
Mësimi i parë , që del nga dija dhe përvoja personale që autori ka ndarë me ne, është se vijon të zbatohet strategjia e qartë e qendrave antishqiptare rajonale për t’i lënë Shqipërinë dhe shqiptarët pa miq dhe mundësisht këtë ta bëjnë vetë shqiptarët.
Kjo është një linjë e nisur kohë më parë, që nga hedhja e parullës “Ballkani i ballkanasve”, që nga politika e gabuar e udhëheqjes komuniste të Shqipërisë që izoloi vendin, që nga zotimi se Shqipëria do të gjendej në krah të Jugosllavisë në rast sulmi nga sovjetikët, që nga mënyra se si parulla “dy popuj miq” u shndërrua më vonë në “Rruga e Shqipërisë për në Evropë kalon nga Athina”, e deri te etiketimi i Turqisë si “rrezik për Ballkanin Perëndimor”. Rreziqet ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve vijnë pike së pari nga shtete ballkanike. Sot barometri shqiptar për të matur trysninë politike të shteteve ballkanike ndaj shqiptarëve është Kosova. Kush nuk e njeh Kosovën dhe në diplomaci vepron për pengimin e njohjeve ndërkombëtare të saj nuk mund të jetë shtet mik i Shqipërisë dhe i shqiptarëve. Në situata të tilla aleanca me Turqinë ballkanike dhe me shtete të tjera jashtëballkanike është frymëmarrje për kombin shqiptar.
Mësimi i dytë është se anëtarësia në BE e NATO nuk i pengon shtetet anëtare që të ndjekin interesat e veta, e madje të veprojnë në kundërshtim me rregullat dhe frymën kolektive. Shembulli më i dalluar, që sjell ambasadori Murati, është sërish Greqia, e cila ka lidhur një sërë marrëveshjesh me Qipron, Egjiptin dhe forcat rebele në Turqi, që janë marrëveshje të drejtuara kundër interesave të Turqisë në Mesdheun Lindor. Në vitin 2021 Greqia ka nënshkruar pakt ushtarak me Francën, sipas të cilit parashikohet ndihmë e menjëhershme ushtarake në rast se ndodh një sulm nga një shtet i tretë, edhe në qoftë ky aleat i NATO-s. Shqipëria, si shtet kandidat, duhet të harmonizojë politikën e jashtme të saj me politikën e jashtme të BE, por pa rrezikuar aleancën me Turqinë.
Turqia nuk kërkon rithemelimin e Perandorisë Osmane, por gjithnjë ka qenë dhë është për integrimin e shteteve të Ballkanit Perëndimor në BE. Janë shtete të tjera ballkanike ato që kanë penguar në fakt dhe pengojnë procesin e anëtarësimit në NATO dhe BE të fqinjëve të tyre, sic ka vepruar Greqia dhe Bullgaria në raport me Maqedoninë e Veriut.
Gjithashtu mund të themi se ne shqiptarët duhet ta shfrytëzojmë lidhjen fetare për të forcuar aleancën strategjike me Turqinë, padyshim duke ruajtur laicitetin në sferën publike dhe duke mos hequr dorë nga synimi për integrimin në strukturat euro – atlantike. Aleanca strategjike më Turqinë duhet mirëmbajtur dhe forcuar, për hir të sigurisë së paqes në rajonin ende të ndezur të Ballkanit perëndimor. Prandaj ky libër i ambasador Muratit duhet të bëhet pjesë e bibliotekës së punës së diplomatëve, politikëbërësve, analistëve të politikës, gazetarëve e publikut të interesuar shqiptar, përmbylli fjalën e tij prof. Sulstarova.
Prof.as. Dr. Hasan Bello, e cilësoi Ambasador Shaban Muratin “një personalitet i njohur jo vetëm për karrierën e gjatë dhe detyrat shtetërore, por edhe për kontributin si analist i zhvillimeve ndërkombëtare në shtypin shqiptar dhe, veçanërisht për trajtimin e tyre nga këndvështrimi i interesave tona kombëtare.
Për dekada me radhë ai ka qenë dhe mbetet një zë eminent i diplomacisë shqiptare. Ajo që bën diferencën mes tij dhe diplomatëve të tjerë që kanë shërbyer në MPJ dhe trupin tonë diplomatik është se ai ka disa cilësi, si: profesionalizmi, integriteti nga partitë politike, duke vendosur në radhë të parë interesat shtetërore dhe ato kombëtare e mbi të gjitha, ai është autorë i disa librave me analiza, refleksione dhe prognoza diplomatike”, tha Hasan Bello, duke vijuar më tej:
“Një nga këta libra është edhe “Konteksti rajonal i aleancës strategjike Shqipëri-Turqi”, i cili është fokusuar posaçërisht në kontekstin rajonal të marrëdhënieve dhe aleancës strategjike mes Shqipërisë dhe Turqisë.
Për mua si historian i cili ka studiuar marrëdhëniet shqiptaro-turke në periudhën e pavarësisë dhe konsolidimit të shtetit shqiptar në vitet 20-30-të, por edhe pas vitit 1944, në këtë libër ka mjaft informacione, të cilat plotësojnë mozaikun e raporteve mes dy vendeve. Prandaj parë nga ky këndvështrim, libri në fjalë, jo vetëm sot, por edhe në të ardhmen do të jetë një burim referencial për të kuptuar dhe shkruar mbi marrëdhëniet shqiptaro-turke. Kjo edhe për një arsye tjetër, sepse analizat e bëra në këtë libër janë shkruar në kohë reale, duke përcjellë te lexuesi kontekstin politik, diplomatik, ekonomik, apo gjendjen psikologjike dhe emocionale. Të gjitha këto karakteristika që përmendëm më sipër, ne si historianë e kemi të vështirë t`i perceptojmë nga gjuha e ftohtë e dokumenteve arkivore. Në këtë aspekt, libri do t`i shërbejë historianëve dhe studiuesve të marrëdhënieve ndërkombëtare, diplomatëve, analistëve të shtypit dhe MPJ si një manual për të kuptuar trajektoren e marrëdhënieve Shqipëri-Turqi; interesat e përbashkëta; intereferimin e palëve të treta në raportet mes dy vendeve etj.
Për nëpunësit e MPJ dhe politikanët shqiptarë që përpunojnë dhe drejtojnë politikën e jashtme të shtetit shqiptar, në librin e Ambasador Shaban Muratit ka shumë definicione, të cilat duhet të merren në konsideratë. Kjo për shkak se shteti dhe politika e jashtme ka dhe duhet të ketë 1) kontunitet dhe, 2) koherencë. Në fakt këto janë dhe dy pikat më të dobëta të rrugëtimit të shtetit dhe kombit shqiptar që nga viti 1912.
Duke u nisur nga këto premisa autori ka theksuar në formë postulati se “Karakteri dhe interesi i aleancës strategjike nuk lidhet me format e regjimeve politike në një periudhë të caktuar në të dyja vendet dhe as me emrat e përveçëm, që drejtojnë qeveritë dhe shtetet. Eshtë një konstruksion i politikës së jashtme dhe marrëdhënie e interesit strategjik afatgjatë, pavarësisht kontributit që jep njëri apo tjetri personalitet në periudha të caktuara historike në dobi të forcimit të marrëdhënieve dypalëshe”.
Autori nga përvoja e tij e gjatë në fushën e diplomacisë dhe politikës së jashtme ka nënvizuar se aleancat strategjike dhe raportet mes shtetit shqiptar me shtetet e tjera nuk janë dhe nuk duhen ndërtuar mbi bazën e raporteve personale të drejtuesve të përkohshëm. Për fatin tonë të keq, ka ndodhur e kundërta. Kjo bën edhe diferencën e lidershipit tonë politik me homologët e tyre në shtetet fqinjë. Mungesa e koherencës në politikën tonë të jashtme ka qenë disa herë objekt i analizave të Ambasador Shaban Muratit.
Sipas autorit, Turqia është një aleat i nevojshëm dhe i natyrshëm i faktorit shqiptar në rajon në ekuilibrat e forcës dhe në përballimin e sfidave gjeopolitike të së ardhmes. Edhe personalisht mendoj të njëjtën gjë, kur shikoj se skemat dhe boshtet diplomatike në Ballkan nuk kanë ndryshuar për më tepër se një shekull. Për mendimin tim ka momente në të shkuarën që shtetet fqinjë janë treguar më të suksesshme për ta inkuadruar Turqinë në planet e tyre politiko-diplomatike, që nëse do të realizoheshin do ta vinin në pikëpyetje ekzistencën e kombit shqiptar.
Për të gjitha këto arsye që u përmendën përciptazi libri i Ambasador Shaban Muratit meriton të bëhet pjesë e bibliotekave të çdo lexuesi e studiuesi që kërkon të dijë më tepër për busullën e diplomacisë dhe mbi të gjitha për interesat diplomatike të shtetit shqiptar.
Me shumë vëmendje u përcoll edhe opinioni i publicistit dhe shkrimtarit Çerçiz Loloçi, i cili ndër të tjera tha: Libri i radhës i Shaban Muratit “Konteksti rajonal i aleancës strategjike Shqipëri-Turqi” plotëson sagën diplomatike të Ballkanit, me një sërë botimesh të mëparshme për të gjitha vendet e gadishullit tonë, që pavarësisht hapave të hedhura integruese në tri dekadat e fundit, një pjesë e tij, megjithëse me përkatësi europiane, mbetet jashtë kësaj familje kontinentale.
Për shkak të profesionit dhe të editimit të një portali, nga autorë të tjerë të zëshëm nga Ballkani, kam parë libra të veçuar për një apo dy shtete, por ende nuk kam gjetur një autor që të fokusojë të gjitha vendet, me epërsitë dhe boshllëqet e tyre, siç ngjet me diplomatin tonë që vlerësohet herë si patriark i diplomacisë dhe herë tjetër si një institucion akademik i pavarur, që ndjek dhe analizon ftohtësisht zhvillimet, aktet, marrëveshjet e mosmarrëveshjet dhe që ka një zë origjinal brenda dhe jashtë vendit.
Pavarësisht keqkuptimeve, mërive, mospajtimeve, protagonizmit të tepruar dhe shpesh të lajthitur të politikanëve në të gjitha viset e natyrshme, është fakt i pakontestueshëm që shqiptarët përbëjnë kombin më të rëndësishëm në Ballkan, me kontribute të hershme dhe të sotme në qytetërimin dhe vlerat perëndimore.
Fakti që Shqipëria është anëtare e NATO-s, që Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi, diku më shumë dhe diku më pak, me përkatësi shqiptare, janë gjithashtu anëtarë të Aleancës Euroatlantike, që shteti më i ri i Europës ka partneritet me SHBA, flet për një përfaqësim gjithnjë në rritje të faktorit shqiptar në planin ndërkombëtar.
Natyrisht SHBA, Bashkimi Europian, Anglia, Gjermania dhe Italia janë partnerët më të rëndësishëm për viset tona, por përveç tyre, sipas analistit të vëmendshëm Murati, një rëndësi të veçantë për interesat tona marrin edhe raportet me Maqedoninë e Veriut, Kroacinë dhe Turqinë.
Pikërisht në këtë botim të fundit, me mbi tridhjetë e shtatë analiza, të publikuar në kohë të ndryshme, autori tërheq vëmendjen për ridimensionim marrëdhëniesh me shtetin më të madh të Ballkanit, me Turqinë, pa pretendime territoriale, me lidhjet të hershme dhe të reja, me prani të hershme në NATO dhe institucione të tjera ndërkombëtare, me një kujdes të posaçëm kur kërcënohet integriteti tokësor.

U bë promovimi i librit të ri “Konteksti rajonal i aleancës strategjike Shqipëri-Turqi” i diplomatit dhe studiuesit Shaban Murati

U zhvillua promovimi i librit të ri “Konteksti rajonal i aleancës strategjike Shqipëri-Turqi” i diplomatit dhe studiuesit Shaban Murati, organizuar nga botuesi i librit, Fondacioni Çamëria “Hasan Tahsini”.
Për vlerat dhe rëndësinë e librit u shprehën në fjalën e tyre kryetari i Fondacionit Çamëria “Hasan Tahsini”, Alket Veliu, Prof. Enis Sulstarova, Dr. Hasan Bello dhe studiuesi e publicisti i njohur Çerciz Loloçi.
Në fund përshëndeti edhe autori i librit Shaban Murati, duke u ndalur në nevojën dhe kushtet e kompozimit të një gjeopolitike shqiptare.

Gjithmonë kënaqësi dhe befasi koncerti i Korit të Filarmonisë së Kosovës Nga Ilirjana Dema

 

Gjithmonë kënaqësi dhe befasi koncerti i Korit të Filarmonisë së Kosovës, me rastin e 20 vjetorit të krijimit, dhënë në hollin e TKOB 2 shkurt 2024.

Kontakti im i parë me interpretimet e tij nën drejtimin e Rafet Rudit, themelues dhe dirigjent në vijueshmëri prej shumë dekadash, ka qënë para disa vitesh.

Koncerti u mbajt në Katedralen Katolike dhe emocionet që përjetova ishin të jashtëzakonshme.

Përshtypjet dhe konsiderat ende të freskëta, sikur të mos kishin kaluar kaq vite dhe koha të kish ngelur në vend, ia shpreha në një bashkëbisedim zotit Rudi, jo me larg se para dy ditësh kështu :

-Kulturë korale këndimi, pasuri ngjyrash, unifikim perfekt, fuzion, disiplinë artistike, repertor që përfshinte disa shekuj muzikë, stil dhe profesionalizëm sipëror. Thënë ndryshe Muzikë.

Këtij vlerësimi në koncertin e mbrëmjes së sotme, nuk do t’i hiqja asnjë presje.

Madje si dukuri të veçantë do të theksoja përkushtimin e posaçëm e të pa ndërprerë të dirigjentit për pasurimin e repertorit me vepra korale konteporane, me një shtrirje mjaft të gjerë gjeografike, Europë Japoni, Amerikë, përfaqësuar nga kompozitorë të suksesshëm të shekullit XXI në gjininë korale.

Rafet Rudi një personalitet, shumë dimensional; kompozitor, dirigjent, muzikolog, pedagog, organizator dhe udhëheqës artistik i Qëndrës Kosovare për Muzikën e re, dhe i Festivalit “Re Muzika”, padyshim kish berë kujdes për të ruajtur një proporcion të drejtë edhe me përfaqësimin e veprave të kompozitorëve kosovarë dhe një kompozitor shqiptar.

Veç interpretimit, vëmendjen e publikut e mbajti gjallë, duke ndikuar ndjeshëm në kënaqësinë e përftuar edhe kujdesi i posaçëm në përzgjedhjen me mjaft interes të programit, që për publikun shqiptar ishin të gjitha premierë.

Koncerti filloi me Koralen akapela “Stars”( yjet) të kompozitorit letonez Ēriks Ešenvald, i njohur kryesisht për muzikën korale. Një muzikë qiellore, të cilën tingujt e gotave kristal, produkt i fërkimit me gishta te gotave mbushur me ujë e shoqëruan gjatë gjithë kohës, si një burdon. Edhe pse shpesh herë bashkëtingëllimi me vokalin krijonin dizonancë, interpretimi tepër fin gati gati transparent krijoi nje gjëndje qetësie të admirueshme.

Koralja e dytë ishte “OEIA” e kompozotorit kosovar Mendi Mengjiqi. Interesante struktura e saj polifonike, akapela, pa fjalë mbështetur në këto 4 zanore mbi një temë shumë të përafërt me intonacione popullore të jugut dhe thurur bukur në bashkëveprimin e zërave, bas, bariton, alt, sopran tenor. Realizuar bukur dhe me ndjeshmëri të thellë nga kori.

Në vijim koralja “ Biegga Luohte” për kor miks e kompozotorit Jan Sandstrõm. Një ndërthurje e traditës folklorike suedeze me teknikën minimaliste. Fillon me pasthirma dhe më pas një temë e vetme që përcillet rreth e rotull, e në mes të saj kori deklamon gati egersisht për t’u kthyer sërishmi si jehon e largët tek materiali tematik. Gjate gjithë kohës rritmohet një figurë e njëjtë. Realizuar bukur dhe me pergjegjesi të përkorë profesionalisht.

Koralja e katërt “ Pakëz në ëndër, pakëz në zhgjëndër” e kompozitorit Kosovar Baki Jashari, me karakter dramatik është frymëzuar nga vuajtjet dhe revolta e popullit nën dhunën e Millosheviçit. Në funksion të kësaj ideje artistike gjuha krijuese mbështetet në efektet e metodës aleatorike ku gërshetohet e kënduara, pëshpërima, britmat, e folura e paqartë, dhe naracioni i një aktori. Krijimi, por dhe interpretimi shumë i ndjerë u duartrokitën gjatë nga publiku.

Pas koralja”The Joy in Living” vepër e kompozitorit shqiptar Aulon Naçi me tekst të Nënë Terezës. Me karakter liturgjik, koralja është strukturuar duke shfrytëzuar teknikën e kontrapunktit në dy seksione. I pari me imitacione kanonike, i dyti i shtrirë vertikalisht në tetë zëra. Ideja artistike hymnizon dashurinë ndaj Zotit dhe mbarë njerëzimit. Kori e interpretoi me ndjeshmëri dhe emocion, frymën e saj të paqtë dhe karakterin e ngrohtë.

Vepra që vijoi “Concert Fantazy” për violinë, kor, solist ( soprano dhe tenor kompozuar nga Rafet Rudi ishte mjaft interesante dhe ngjalli shumë interes tek dëgjuesit në sallë. Një gërshetim i gjetur i violinistes në rolin e solistes me shoqërimin e korit dhe e kundërta. Sihana Bodivuku ka në sivinë e saj një numër të madh koncertesh brenda dhe jashtë Kosovës, duke u vlerësuar nga kritika dhe opinioni i muzikantëve për lojën plot temperament, me pathos, ndjeshmëri dhe teknikë virtuoze. Cilësi që i manifestoi edhe në këtë koncert. Ajo dhe të gjithë interpretuesit nënvizuan dhe ndanë emocionalisht me publikun karakterin dramatik të veprës e njëkohshëm gjatë zhvillimit dhe veçanërisht në kadencë na befasoi me aftësinë virtuoze.

“Cloudburst” për kor, soprano, bass dhe perkusion i kompozitorit amerikan Eric Whitacre ishte interpretimi i shtatë i këtij koncerti.

I vlerësuar si neo-impresionist, stili i tij është cilësuar plot harmoni vezulluese, drithëruese, ndonëse me grupime dizonante dhe aritmi. Njekohshëm përdor dhe teknikën aleatorike, duke shfrytëzuar deklamimin, përplasjet e duarve, të gishtave e të tjera mjete jo muzikore. Me çfar përkushtimi, disipline artistike, unifikim timbrik, rezonim gati hyjnor, dhe korektësi në lëvizje u realizua nga kori kjo vepër.

Koncerti u mbyll me “ Cantate domino” për kor, solist ( kontra- tenor, soprano, piano) të kompozitorit japonez Ko Matsushita.

Kompozitor dhe aranxhues i suksesshem i shekullit XXI. Dirigjent i 13 koreve, brenda dhe jashtë Japonisë. Kompozimet e tij mbajne lidhje me muzikën tradicionale japoneze, mesha, e motete të Peridhës së Mesjetës dhe atë të Rilindjes.

Kjo vepër është një psalm lirik me një temë këngë të thjeshtë, që merr zhvillim gati hymizues dhe rikthehet përsëri në emocionin e parë për t’u mbyllur qetësisht. Pianisti e luajti butë me dashuri e po kështu iu përgjigj dhe kori.

Kaq mirë u prit ky koncert nga publiku, që si kurë më parë e kishte mbushur hollin plot e përplot me pjesëmarrjen e tij, sa dirigjenti i detyruar nga duartrokitjet e gjata ridoli prap në skenë për të interpretuar këngën polifonike “Janinës çi panë sitë” për kor dhe solistë.

Shumë kënaqësi, emocion dhe muzikë.

Në të gjitha veprat cilësia, veç atyre që nënvizuam, u vu re tek frazimet artistike, tek kontrasti i ngjyrave dhe dinamikës, tek bukuria e crescendo-ve, tek plazmimi ritmik, i ndjerë, tek agogjikat artistike ritmike, të ekuilibruara në logjikën e frazimit e të përdorura me kriter e sens mase në bashkëveprimin e ndërsjelltë të shpejtimit e të frenimit të tempit bazë.

Duke e falenderuar trupën e korit, Sihana Badivuku, solistët e tjerë dhe veçanërisht dirigjentin Rafet Rudi, për këtë mbrëmje muzikore të mrekullueshme,njëkohësisht i urojmë suksese.


I. Dema.
3,02. 2024.

Lapsi imagjinar i Maks Velos Nga Meri File

Një mëngjes, Maksi telefonoi për të më pyetur nëse mund të vinte në studion time për të parë nga afër veprat e mia të fundit, si dhe interesin që kishte për modelet që pozonin.

Kishte dëshirë të bënte një ekspozitë vetëm me nudo dhe gjithnjë më shprehte nevojën për t’u shkëputur nga modelet me fotografi.

Pasi i tregova një cikël me modele reale, të cilat i ruaj nga vitet 2015 pa i ekspozuar ndonjëherë, ndërkohë që ia tregoja, më pyet:

– Ku ke mësuar të vizatosh me këtë linjë?

I them, – Gjatë kohë që shihja televizor, merrja një dosje me fletë në A4 dhe praktikoja dorën me orar filmik, vetëm me linja. Sigurisht që lodhesha, por m’u bë shprehí aq sa edhe në shtrat mbaja një dosje vizatimi dhe para se të flija, poshtë jastëkut rrinte një laps dhe fletë. Presioni dhe pesha e kokës ishte një sfidë për të mbajtur linjën në imagjinatë dhe për lapsin që të mos thyej, pra trysni midis reales dhe ireales.

Maksi qeshi, duke më thënë: Po të rrëfej diçka që s’ia kam thënë askujt më parë.

Qeshi duke shfaqur njëkohësisht trishtim: sepse mori frymë thellë dhe lirisht:

Kishin kaluar muaj dhe e kisha humbur sensin e kohës por kisha mall për gjithçka dhe ndieja mungesën e të vizatuar zhdërvjellët. Në anën e majtë të pantallonave kisha një të grisur (në kofshë) që sa vinte e bëhej më e madhe. Një mëngjes kisha gjetur një thupër të vogël të tharë (sa një falangë) dhe ky ishte lapsi im imagjinar. Dhe sa herë më vinte për të vizatuar, e fusja mes kësaj të çare dhe atë që kisha në mendje e vizatoja në lëkurë. Imagjinoja figura njerëzish me ngjyra të forta. Gjatë kohës që e humbja mendjen në kompozim më shihnin çuditshëm dhe mendonin “Po ky pse po kruhet kaq shumë?!”.

Maksi qesh dhe vazhdon:  Një polic verior, gjatosh me vetulla si të Brezhnjevit, vjen me vrap me nerva dhe më thotë “Ça ke në dorë?”.

E lëshoj thuprën brenda pantallonave, për të humbur dhe i them “Po kruhem se mos kam zgjebe ose morra!”

Më largohet direkt dhe brenda meje isha kaq i lumtur por edhe kisha frikë sepse s’më lanë as fletore në burg, jo më laps. Ehhh!”

Vepra e autores Meri File dedikuar Maks Velos

Ne studion e artistes Meri File ( foto Rigel Rizaj)

 

 

Mërzia – Nga Angelina Mango – Teksti i këngës fituese në festivalin e Sanremos 2024 – E shqipëroi Elida Buçpapaj

 

Sa vizatime kam bërë
Qëndroj këtu dhe i shikoj
Asnjë prej tyre nuk merr jetë
Kjo faqe është dembele
Shkoj me nxitim
Dhe më thanë se jeta është e çmuar
E mbaj me kokën lart në qafë
Gjerdani im nuk ka perla urtësie
Më dhanë rruazat me ngjyra
Për vajzat e vogla të ngatërruara me trauma
Të zbërthehen ngadalë me kalimin e moshës
Megjithatë unë jam duke pasur një Pashkë, shikoni, zero dramë
Jam gati të ndryshoj qytet përsëri
Se të qendroj në një vend më vjen, më vjen
Mërzia
Mërzia
Mërzia
Mërzia
Unë vdes pa vdekur, këto ditë të përdorura
Unë jetoj pa vuajtje, nuk ka kryq më të madh
Nuk na mbetet veç të qeshim gjatë këtyre netëve të djegura
Një kurorë me gjemba do të jetë kodi i veshjes për festën time
Ah, është kumbia* e mërzisë, mmh
Është kumbia e mërzisë
Total
Ah, është kumbia e mërzisë
Është kumbia e mërzisë
Total
Sa njerëz e shohin të keqen në gjëra
Kjo ju bën të dëshironi të ikni ndërsa ata fillojnë të flasin
Dhe do të doja t’u thosha se jam mirë, por më pas më shikojnë keq
Ndaj them se është e vështirë të sigurosh jetesën
Biznes, ju flisni për biznes
Ndërkohë mbyll sytë për të nënshkruar kontratat, mmh
Princeshë, ai ju quan “princeshë”
Pra, tani ndalon së lari piata
Unë vdes pa vdekur, këto ditë të përdorura
Unë jetoj pa vuajtje, nuk ka kryq më të madh
Gjithçka që mbetet të bëjmë është të qeshim gjatë këtyre netëve të djegura
Një kurorë me gjemba do të jetë kodi i veshjes për festën time
Ah, është kumbia e mërzisë
Është kumbia e mërzisë
Total
Ah, është kumbia e mërzisë
Është kumbia e mërzisë
Total
Pra shkruani këngë?
Po, këngë dashurie
Dhe nuk dua t’ju mërzit
Por dikush duhet t’i këndojë ato
Kumbia, unë kërcej kumbia
Nëse rrezikoj të pengohem, të paktën do ta ndal mërzinë
Pra po bëj një festë, po bëj një festë
Sepse është e vetmja mënyrë për të ndaluar, për të ndaluar, për të ndaluar, ah
Mërzia
Mërzia
Mërzia
Mërzia
Unë vdes sepse vdekja i bën ditët më njerëzore
Unë jetoj sepse vuajtja sjell gëzimet më të mëdha
Gjithçka që mbetet të bëjmë është të qeshim gjatë këtyre netëve të djegura
Një kurorë me gjemba do të jetë kodi i veshjes për festën time
Është kumbia e mërzisë
Është kumbia e mërzisë
Total
Ah, është kumbia e mërzisë
Është kumbia e mërzisë
Total
Total

*Cumbia është kërcim folk ritmik kolumbian

(Foto është marrë nga Wikipedia)

Shqiptarizmi, boshti i korpusit të veprave të Shaban Muratit

Nga Bashkim Hoxha

Korpusi i veprave të personalitetit të shquar, intelektualit Shaban Murati, sjell një vështrim të gjerë dhe kompleks të çështjeve shqetësuese të Shqipërisë në raport më fqinjët, botën, gjeopolitikat, historinë.

Por ndoshta vështrimi më i dhimbshëm është ai në librin “Vetvrasja diplomatike e Kosovës dhe Shqipërisë”. Në këtë analizë të thelluar analizohen me argumente bindëse politikat, që krijojnë hendeqe dhe dëmtojnë shqiptarët midis vetes.

Në këtë libër, shkruar jo thjesht me ftohtësinë e një analisti, por me ndjesinë e trishtë të moskuptimit, autori nënvizon se diplomacia e Kosovës dhe e Shqipërisë, qëndrimet ndaj gjithë dinamikës diplomatike të çështjes së normalizimit të marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës gjatë 3 viteve të fundit, kanë shkuar drejt një moskuptimi cinik.

Vihet re një farë hutimi dhe anashkalimi në vlerësimin e interesit shtetëror dhe kombëtar, i cili praktikisht mund të përkufizohet si një dëm i madh kombëtar. Marrja, përqafimi, adoptimi i tezave, qëndrimeve, politikave, e kushteve të diplomacisë serbe, ruse apo të një pjese të diplomacisë burokratike europiane, që nuk është në përputhje me interesat euro – atlantike perëndimore, autori i quan një vetëvrasje të diplomacisë shqiptare, duke dhënë përcaktimin e saktë të fenomenit.

Ne vetë, thotë autori, si shtete, dy shtete shqiptare, kemi ecur në gjurmë të gabuara në fushën diplomatike.
Shqiptarizmi është boshti përshkues i gjithë korpusit të veprave të Shaban Muratit. Në shqiptarizmin e tij, Shaban Murati është i pakompromis.

Në librin “Çështja e paqenë e detit: një intrigë diplomatike greke apo shqiptare?”, autori na qartëson situatën absurde mbi të cilën veprojnë qeveritë shqiptare dhe greke në marrëdhënien mes tyre, dhe më gjërë. demaskohet me argumente dhe fakte të pakontestueshme teatri absurd, që luhet nga qeveritë ballkanike, të cilat mbivendosin interesat pragmatiste mbi çështjet madhore kombëtare.

Autori nuk druhet t’i përcaktojë fenomenet me emrin e tyre të vërtetë, edhe pse në pamje të parë shumë përcaktime duket sikur nuk tingëllojnë politikisht korrekt, ato janë në përputhje të plotë me të vërtetat, me shqetësimin e sinqertë intelektual, që nuk i fsheh e zbukuron paudhësitë, por i vendos ato në lupën e analizës shkencore, profesionale, dhe të përgjegjshmërisë qytetare.

Ka disa karkteristika, që i gjen të pranishme në të githë librat e Shaban Muratit.

Ajo që përshkon të gjithë korpusin e veprës së Shaban Muratit është fakti se këndvështrimet e tij janë të plota, falë formimit dhe përkushtimit të tij profesional.

Në studimet e tij gërshetohen këndvështrimet e diplomatit, duke i dhënë zë, të pathënave, duke na çuar në anën e pandriçuar të konfliktit. Por jo vetëm kaq, si një publicist i mprehtë Shaban Murati ka meritën dhe arrin të kërkojë dhe të gjejë argumentet konkrete për t’i shpalosur pa ekuivoke para syve të politikbërjes, diplomacisë dhe lexuesit. Si një analist i thellë ai nuk hutohet nga cirku i politikave të ditës, por i gjykon ato në raport me zhvillimet historike dhe në përmasat e tyre të vërteta.

Kompleksiteti i këtyre këndvështrimeve të harmonizuara më së miri na sjell të plotë dhe shteruese temat e mprehta, antitabutë dhe qartëson lëvizjet e drejta apo të gabuara të diplomacisë dhe politikës.

Meritë e tij në të gjithë librat është studimi i plotë i çështjeve, për këtë ai udhëton thellë në kohë. Ky inkursion në kohë bën të mundur shpalosjen e problemit në të gjithë dimensionet. Analizat e tij lëvizin që nga zanafilla e çështjes, në to mëson pastaj të gjithë kthesat, që ka njohur konflikti në kohë të ndryshme, njihesh me qëndrimet e deklaratat, që e kanë fashitur, devijuar, zgjidhur apo thelluar problemin.

Te libri “Antitabu për filozofinë filotabu shqiptare”, përmes shkrimeve të shkurtëra, që shkojnë përtej konstatimit deri tek kontestimi apo stigmatizimi, zbërthehen të gjithë paradokset e mendësisë shqiptare veçanërisht asaj të politikës e diplomacisë, duke prekur tema të lëna në harresë apo për të cilat nuk flitet.

Ky libër është si një manual për të kuptuar Shqipërinë në anën e saj absurd, kur politika dhe diplomacia trukojnë ose fshehin realitete problematike, duke i lënë në heshtje dhe pa përgjigje.

Problemet, Shaban Murati nuk i sheh ngushtë, thjesht në hapësirën shqiptare apo vetëm aty ku shfaqet problemi, as në hapsirën e ngushtë të gadishullit ballkanik. Tabloja që ai sjell është e shtrirë në hapsirë. Kamerat këndvështrojnë realitetet nga shumë plane.

Problemi vendoset në raportet e tij reale me gjeopolitikën, me synimet e faktorëve jashtë rajonit, analiza e tij bëhet e lidhur me tërë zhvillimet madhore botërore, ndaj hapsira e librave të tij është shumë e gjerë dhe rrok të gjithë globin duke vizatuar kështu përmasën reale të problemeve të pazgjidhura, si dhe ofron opsionet si mund të zgjidhen problemet, duke sjellë në vëmendje synimet e palëve të përfshira në konflikte..

Librat, që unë lexova, janë shkruar në vite të ndryshme. Disa prej tyre një dekadë a më shumë më parë. Tani, që ka kaluar kohë nga analizat e Shaban Muratit, vëren se, po t’i kushtohej vëmendja e duhur nga politikbërja, sa të dobishme duhej të kishin qenë studime të tilla për të parashikuar se ku të na çonin zhvillimet, që vështirë të analizohen në vrapin e ditëve.

Analizat e tij për “Minishengenin” dhe më pas për “Ballkanin e hapur” nënvizojnë një cilësi paralajmëruese dhe parashikuese të autorit për zhvillimet e mëvonshme. Konkluzionet e këtyre nismave autori i ka nxjerrë që në fillimet e vet projekteve, shoqëruar me paralajmërimin për dëmet që mund të sillnin.

Ajo, që ndodhi më pas, ka qënë testi më i mirë i analizave të drejta dhe të sakta, që pak njerëz dinë t’i bëjnë si autori i këtyre librave. Këtë test të kohës librat e Shaban Muratit e kanë kapërcyer me sukses dhe dëshmojnë se intelektualë të shqetësuar kanë ngritur zerin, por edhe dëshmon në të njejtën kohë se politikat e mbrapshta nuk mbështeten tek intelektualët, tek dija, gjë që do të kishte sjellë zhvillime më të dobishme.

Dimensioni kulturor është një tjetër aspekt i dukshëm i krijimtarisë së Shaban Muratit, që e bën të “turpërohet” diplomacinë dhe politikën mediokre banale, që luajnë me gjëra të shenjta për interesa të ngushta të ditës. Politika, diplomacia, në thelb janë veprimtari kulturore. Ato bashkëveprojnë me kulturën dhe dijen, njësoj si edhe edhe tek ndershmëria dhe përkushtimi i qytetarit të shqetësuar. Këto analiza, shumë prej tyre, po të ishin trajtuar si një road map për politikën dhe diplomacinë shqiptare, ne nuk do të ishim me kaq shumë probleme të pazgjidhura, veçanërisht në çështjen kombëtare..

Eshtë e trishtueshme që me këtë road map nuk shohim që të orinetohen politikat e ditës dhe kjo është një tjetër dhimbje, që ndjen kur përfundon leximin e këtyre librave të papërsëritshëm.

Edhe një gjë tjetër.

Duke lexuar librat e Shaban Muratit, vura re se sa i rëndësishëm është institucioni i kujtesës. Problemet e ditës zgjidhen më lehtë dhe rrjedha e veprimeve të kohës është më e qartë se ku shkon, nëse e gjitha kjo ushqehet nga kujtesa.

Për fat të keq, institucionin e kujtesës kërkojnë ta shuajnë, ndonjëherë nga inferioriteti ndaj dijes dhe në shumicën e rasteve për qëllime të mbrapshta për t’i dhënë problemeve jozgjidhje historike, por koklavitje të mëtejshme nxitur nga interesa meskine individësh dhe grupimesh të papërgjegjshme.

Si përfundim, duke lexuar këto libra mund të them: Shaban Murati, funksionon si institucion kompleks, institucion i dijes, i ndershmërisë, i kujtesës, i përkushtimit qytetar dhe i dëshirave të mira.

Dodona dhe Epiri – histori dhe qytetërim pellazgo-ilir- Nga Kujtim Mateli

 

Pak histori derisa nisa të shkruaj librin “E vërteta për Dodonën dhe Epirin”
(Pjesa e parë e parathënies)
Aty pas vitit 2000, u njoha me tempullin dhe orakullin e Dodonës, me madhështinë e tyre në botën e antikitetit. Që nga fusha e betejës në Trojë, Akil Pelindi iu drejtua me lutje tempullit të Dodonës, kurse Odiseja do të vepronte sipas këshillave të orakullit, kur të kthehej në Itakë. Enea i Trojës, para se të hidhej në Itali, erdhi në Dodonë dhe u këshillua me orakullin. Duke u njohur me këtë madhështi të Dodonës, vendosa të shkruaj një libër. Rezultatet e kërkimeve të mia më çuan në përfundime të ndryshme nga ato që njiheshin dhe pranoheshin në botën akademike. Burimet e autorëve të antikitetit e vendosnin Dodonën në veri të Epirit, në tokën e Molosisë, në kufijtë e Atintanisë ilire, që do të thotë se Dodona ndodhej në kufirin midis Ilirisë dhe Epirit. Dodona e Carakovistës, në jugperëndim të Janinës, ishte në mes të Epirit. Kërkimet e mia të disa viteve, më dhanë mundësinë që në dhjetor të vitit 2011 të botoj librin “Dodona ndodhet në Dëshnicë të Përmetit”. Libri ishte i ndërtuar në zbardhjen e tri të vërtetave historike:
E para: Dodona nuk ndodhet në jugperëndim të Janinës, në luginën e Carakovistës.
E dyta: Vendndodhja e Dodonës është në Dëshnicë të Përmetit: qyteti dhe tempulli në perëndim të qytetit të sotëm të Këlcyrës, në shpat të malit Trebeshinë, kurse orakulli përgjatë lumit Dëshnica.
E treta: Përkatësia etnike e Dodonës është pellazgo-ilire dhe nuk ka lidhje me helenët.
Libri u mirëprit dhe u dhanë vlerësime nga lexues dhe studiues. Prof. Neritan Ceka, e vlerësoi librin duke thënë se tani: “…ne e kemi një pasuri të madhe në gjuhën shqipe, një përmbledhje burimesh që me sa di unë, nuk ekziston as në gjuhët e tjera. Asnjeri nuk ka bërë një përpjekje për të mbledhur gjithçka, pothuajse gjithçka që ekziston për Dodonën në një libër të vetëm…”. (Teksti i plotë gjendet te ‘Dodona ndodhet në Dëshnicë të Përmetit II’ Tiranë 2016, faqe 10)
Shkrimtari Bardhyl Londo, e vlerësoi vendndodhjen e Dodonës në Dëshnicë të Përmetit si të argumentuar mbi dëshmi dhe fakte: “Është për t’u përshëndetur edhe metoda shkencore të cilën ka ndjekur Kujtim Mateli. Pasi ka lexuar gjithë literaturën që është shkruar për Dodonën dhe vendndodhjen e saj, studiuesi hulumton dhe krahason edhe terrenin përkatës duke e ballafaquar atë me të dhënat që japin për Dodonën autorët e lashtësisë. Është pikërisht ky ballafaqim që i jep autorit të librit një nga argumentet më bindëse për të arritur në përfundimin se Dodona ndodhet në Dëshnicë të Përmetit, se përshkrimi i autorëve të lashtësisë përputhet plotësisht me Dëshnicën dhe nuk ka të bëjë fare as me Janinën, as me malin e Tomorit.” (Teksti i plotë gjendet te ‘Dodona ndodhet në Dëshnicë të Përmetit II’ Tiranë 2016, faqe 11)
Por tezat që parashtroheshin në libër për vendndodhjen e Dodonës dhe përkatësinë e saj etnike, u kundërshtuan katër muaj më vonë, nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë, nga nënkryetari i saj, prof. Muzafer Korkuti:
“Siç përmenda më sipër rastin e tempullit të Dodonës, që disa thonë se është në mal të Tomorit apo në Këlcyrë. Jo. Dodona është atje ku thotë se e ka parë me sytë e tij Ismail Qemali, që është shënuar në albumin e Kristo Frashërit” (gazeta “Shqiptarja.com”, datë 19 prill 2012).
Pra, Dodona ndodhej në jugperëndim të Janinës, se e kishte parë me sytë e tij Ismail Qemali. Por Dodonës kishte 15 shekuj që nuk i dihej vendndodhja dhe autorët e shekullit të XIX e kanë kërkuar në çdo hapësirë të Epirit për ta gjetur dhe secili kërkues ka përcaktuar vendndodhje të ndryshme. Kur të gjithë këta arkeologë, historianë dhe dijetarë nuk e shihnin Dodonën, sepse ajo ndodhej diku nën rrënoja, si e paska parë Ismail Qemali?!
Prof. Muzafer Korkuti duke e marrë të mirëqenë vendin ku e kishte parë Dodonën Ismail Qemali, në luginën e Carakovistës, me të njëjtin arsyetim kundërshton edhe vendndodhjen e Dodonës në Dëshnicë të Përmetit:
“Këto që dëgjojmë e shohim sot se do të ngrihet një monument tjetër i pavarësisë në Tiranë më duken si ato diletantizmat e atyre që Dodonën antike 1500-vjeçare duan ta çojnë në kalanë e Këlcyrës.” (gazeta “Shqiptarja.com”, datë 19 prill 2012)
Akademik Korkuti nuk argumenton përse Dodona nuk ndodhet në Kalanë e Këlcyrës, ku poshtë kësaj kalaje, në shpat të malit ndodhen ende 600 rrënoja shtëpish. Kërkon të krahasojë dy gjëra që janë të pakrahasueshme: Monumentin e Pavarësisë në Vlorë që përjetëson një ngjarje historike të ndodhur 100 vjet më parë me Dodonën pellazge që ka 1500 që iu shkatërrua tempulli dhe orakulli nga perandorët e Romës. Monumenti i Pavarësisë do të qëndrojë në Vlorë, se atje është shpallur Pavarësia, kurse Dodona do të shkojë atje ku ka vendndodhjen e saj të vërtetë, që nuk është në rrethinat e Janinës, por në Dëshnicë të Përmetit.
Nga përgjigjet që jep Akademia e Shkencave e Shqipërisë, shihet qartë se nuk ka argumente as për ta mbrojtur vendndodhjen e saj në Carakovistë të Janinës, as për të kundërshtuar vendndodhjen e saj të vërtetë.
Megjithatë akademik Korkuti e plotëson deri në fund argumentin e tij dhe këtë radhë edhe për përkatësinë etnike të Dodonës: nuk kishte rëndësi se cilës etnie i përkiste Dodona.
“Unë thashë që çdo ngjarje dhe çdo monument ka domethënien e vetë, ka kohën e vetë. Diletantizëm është që të lëvizësh një monument që i takon një fakti historik të njohur dhe ta çosh në një vend tjetër. Është me të vërtetë diletantizëm se shtrembërohet historia. Unë ju thashë një shembull që nuk mund të lëvizë tempulli i Dodonës pellazgjike. Është atje, tek popullsia që ishte, s’ka rëndësi kujt i takon në pikëpamje etnike” (gazeta “Shqiptarja.com”, datë 19 prill 2012)
Një institucion shkencor e ka për detyrë të zbardhë historinë e popullit të vet. Ky mosinteresim i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë ka bërë që Dodona, e njohur historikisht nga të gjithë autorët e antikitetit si pellazge dhe pas pushtimit romak si ilire, të tjetërsohet si helene dhe si helene ta njohë dhe bota akademike evropiane e më gjerë.
Përgjigjja e z. Korkurti ishte e qartë: Akademisë së Shkencave të Shqipërisë nuk i interesonte as vendndodhja e Dodonës, as përkatësia e tij etnike.
Në këtë kohë u vura para dilemës: ç`të bëj?
M`u deshën dhe katër vite të tjera, gjersa në vitin 2016, botova librin e dytë për Dodonën. Që Dodona nuk ishte në luginën e Carakovistës, duhej të vinte e plotë, si nga burimet e autorëve të antikitetit, si nga gjetjet arkeologjike të luginës së Carakovistës. Duke i analizuar të gjitha gjetjet arkeologjike të zbuluara nga Karapanos, Evangjelides dhe Dakaris, asnjëra prej tyre nuk e shënonte qytetin. Në mungesë të emrit të qytetit, dëshmia tjetër që do ta vërtetonte Dodonën atje, do të ishte që ky qytet të nderonte Di Dodonen. Gjetjet arkeologjike vërtetojnë se atje nderohej Di Naio, që do të thotë se ky qytet nuk i përket Dodonës. Mungesa e burimeve historike që do ta vendosnin Dodonën në mes të Epirit, mospërputhja e topografisë që paraqet lugina e Carakovistës me dëshmitë e autorëve të antikitetit, si dhe mungesa e gjetjeve arkeologjike, janë provë e sigurt që Dodona nuk ndodhet në vendin e pretenduar deri më sot, por atje ku e kanë vendosur autorët e antikitetit: në veri të Epirit dhe në kufijtë e Ilirisë.
Pas botimit të librit të dytë, kërkimet më çuan te burimet e perandorisë romake, që i përkasin shekullit të IV-t pas Krishtit, që e vendosnin Dodonën në rrjedhat e lumit Aos (Vjosa e sotme), një përputhje e plotë me autorët e antikitetit. Autorët e antikitetit thoshin se Dodona ishte në veri të Epirit, në kufijtë e Atintanisë dhe në tokën molose. Edhe burimet e Perandorisë Romake e vendosnin Malin Tomar të Dodonës si mali që ndante Molosinë me Atintaninë dhe njëkohësisht Ilirinë me Epirin, kurse Dodona ishte në pjesën lindore të këtij mali, në tokën molose.
Para se ta botoja librin e tretë, ua dhashë për ta parë dy personaliteteve në fushë të shkencës, prof. dr. Alqi Naqellarit dhe prof. dr. akademik Flori Bruqit, recensat e të cilëve konfirmuan se Dodona nuk ndodhej në luginën e Carakovistës, por vendndodhja e saj ishte në Dëshnicë të Përmetit, në perëndim të qytetit të sotëm të Këlcyrës ku ndodhet kalaja antike dhe poshtë saj rreth 600 rrënoja të qytetit antik që i përkasin qytetit të Dodonës, kurse orakulli përgjatë lumit të sotëm të Dëshnicës, që në antikitet përmendet si lumi Dodon.

Trashegimia e Bilbil Vlorës e zbuluar nga stërnipi Emanuel Tufa

 

Eshte koha t’i japim rendesi dhe te hedhim drite mbi folklorin tone te vyer duke filluar pikerisht nga regjistrimet e çmuara qe tashme jane trashegimi nga muzikantet e asaj kohe..

Ne vitet 20 Bilbil Vlora i kendonte komandantit Selam Musait, sternipi Emanuel Tufa e risjell duke ruajtur dhe respektuar çdo note dhe tingull pa deformuar aspak linjen muzikore te muzikantit Bilbil Vlora.

Emanuel Tufa i lindur ne vitin 1992, i apasionuar ndaj kohes se epokes se bukur artistike ashtu si dhe vitet 20-30 do te hedh drite ndaj kesaj periudhe ne folklorin e jugut te Shqiperise fal regjistrimeve te stergjyshit Bilbil Vlora.

I lidhur mbas historise dhe kerkimeve se familjes se tij qysh ne femijeri pasi degjonte nga te moshuarit per stergjyshin, Bilbil Vlora, Emanueli filloi kerkimet rreth karrieres se tij.

Deri me sot, fal miqesise me koleksionistë, studiues te artit dhe akademikë te vendit jane mbledhur rreth 25 pllaka gramafoni te regjistruar prane kompanise se famshme “Columbia” nga muzikanti virtuoz Bilbil Vlora me orkestren e tij, kenge dhe valle si :

Valle Pogonishte,

”Ja thoshte bilbili”.

“ Valle Napolonit” (registrimi me i vjeter deri me sot), “O Qemal kur te perzune”,

“ Valle treshe” etj..

Se shpejti ky produkt me vlera artistike dhe historike kombetare duke bashkeunuar me muzikante dhe dirigente me ne ze te vendit do te jete pjese e ekspozimit, mediatik , letrar dhe event kulturor.

Bilbil Vlora

Nipi Emanuel Tufa

Doli nga shtypi libri “Gazetaria Online në Kosovë dhe në rajon, etika dhe sfidat e vetërregullimit” i profesorit të UBT-së, Musa Sabedini

Profesori i Fakultetit Media dhe Komunikim, Musa Sabedini, ka botuar librin: “Gazetaria Online në Kosovë dhe në rajon, etika dhe sfidat e vetërregullimit”, i cili u dedikohet studentëve të gazetarisë, studiuesve të medias, gazetarëve hulumtues, redaktorëve të profesionalizuar, dhe me etikë profesionale.
Sipas autorit, libri ka ardhur si rezultat i njohjes së thellë, i përjetimit shpirtëror të botës digjitale dhe online që sjell ky risk, sa delikat e sfidues, aq edhe i shpejtë dhe dobiprurës për botën bashkëkohore.
“E doja kaherë një libër, një literaturë të saktë dhe të freskët në lidhje me Gazetarinë Online, po realisht akoma ose nuk është e kompletuar kjo materie, ose ende na duhet kohë, për ta kuptuar qartë, drejtë dhe natyrshëm konceptin mediatik, mbi të qenit Gazetari Online. Vet fakti se në botën bashkëkohore dominon ekrani, dhe monitor, kjo kulturë e re dominuese e ka shtyrë anash gazetarinë apo mediat fizike, gazetën”, ka thënë autori Sabedini.
Autori i librit profesor Musa Sabedini në parathënien e librit ka shkruar se libri dedikuar gazetarisë online në Kosovë e rajon, ka për qëllim të shpërfaq të mirat, anët negative, anën pozitive që krijon ky gjigant brilant, që po depërton në çdo qenie krijuese, për shkak të shpejtësisë marramendëse, që ka dhe depërtimit në botën dhe intelektin e çdo njeriu.
Recensenti Safet Zejnullahu ka thënë se libri do të mbulojë një boshllëk të madh në studimet rreth medias së internetit në Kosovë.
“Libri “Gazetaria Online në Kosovë dhe në rajon, etika dhe sfidat e vetërregullimit”, i autorit Musa Sabedini, është një lajm i mirë dhe një kontribut shumë domethënës për pasurimin e literaturës akademike në studimet e medias online. Ky libër, që është ndër të parët në këtë fushë, vjen nga autori që ka mbi 35 vjet përvojë pune aktive në gazetari dhe 12 vjet përvojë pune si mësimdhënës në Fakultetin Media dhe Komunikim në UBT. Peshën librit ia shton edhe fakti se autori Sabedini, është tash e 13 vjet anëtar i Bordit të Këshillit të Mediave të Shkruara të Kosovës, ndërsa ka po kaq vite, që drejton një portal online”, ka thënë recensenti i librit Safet Zejnullahu.
Libri synon të tregojë për standardet e reja të raportimit online, për sfidat që ka ky rrjet mediatik online shumë i sotisfikuar, por edhe i rrezikshëm dhe me përmbajtje ekstreme e shkelje të etikës.
Libri “Gazetaria online në Kosovë dhe në rajon, etika dhe sfidat e vetërregullimit”, ka për synim t’i mësoj dhe edukojë jo vetëm studentët, por të gjithë ata që duan të jenë pjesë e këtij rrjeti profesionistësh, që kanë përzgjedhur t’i përshtaten kodeve të etikës dhe standardeve profesionale të raportimit online.
Libri është edhe më i dobishëm, në një kohë kur në Kosovë e rajon ekzistojnë qindra portale, uebsajte, rrjete sociale e media tjera online, që veprojnë në mënyrë ligjore e jo ligjore, me respektim të etikës e me shkelje ekstreme të saj.
“Libri pashmangshëm pasuron këtë gjuhë goditëse, pasuron mënyrën e komunikimit në raport me publikun, pasuron gazetarë, redaktorë e botues të portaleve, të cilët edhe mund të përfitojnë nga njohuritë shkencore, e studimore të prezantuara mjeshtërisht në këtë libër, me literaturë të kompletuar dhe krahasuese me vendet e rajonit”, ka shkruar profesor Musa Sabedini.
Përvoja e gjatë dhe ballafaqimi në praktikë me tranzicionin e gazetarisë në Kosovë dhe në rajon, ka bërë që autori të mbledhë dhe të analizojë e të sjellë para studentëve të gazetarisë dhe publikut në përgjithësi, një libër me një përmbajtje shumëdimensionale, që nis me historinë e gazetarisë online e përmbyllet me sfidat e gazetarisë para inteligjencës artificiale.
Lexuesi do të gjejë brenda këtij libri të dhëna dhe hulumtime të shumta që autori i ka bërë me vite të tëra, të cilat do t’i ndihmojnë ta kuptojë çfarë është gazetaria sot, ku janë të metat dhe përparësitë e gazetarisë së internetit. Dhe, më kryesorja, ku po shkon gazetaria dhe a do të jenë në gjendje gazetarët ta ruajnë profesionalizmin përballë teknologjisë, mundësive të pafundme të saj, si dhe përballë një publiku gjithnjë më të informuar sipërfaqësisht dhe përherë e më kërkues për “tema të lehta”, të cilat e ngufasin gazetarinë profesionale. Dhe e rrezikojnë atë seriozisht!
“Gazetaria online në Kosovë dhe në rajon, etika dhe sfidat e vetërregullimit”, i autorit Musa Sabedini, do të mbulojë një boshllëk të madh në studimet rreth medias së internetit në Kosovë. Përveç material i duhur për studentët e gazetarisë, ky libër do të shërbejë si bazë e mirë edhe për studimet e ardhshme në këtë fushë”,. ka shkruar profesor Safet Zejnullahu.
Libri ka 493 faqe ndërsa botues është UBT.

Koleksioni i Konicës vjen në Arkivin Qendror të Shtetit, mbi 8 mijë dokumente rikthehen në Shqipëri

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave ka njoftuar ditën e sotme se mbi 8 mijë dokumente mbi Shqipërinë dhe shqiptarët do të kthehen në vend.

Institucioni njoftoi se këto dokumente të marra nga arkivat amerikane, së bashku me dy kolana gazetash, përfshirë “Albania”-n e themeluar nga “enciklopedia shëtitëse”, Faik Konica, kalojnë prej ditës së sotme nën zotërimin e Arkivit Qendror Shtetëror (AQSH), si rezultat i aktit të dhurimit të kryer prej studiuesit Artan Hoxha.

Njoftimi:

DPA-ja ka kënaqësinë t’ju njoftojë se mbi 8 mijë dokumente mbi Shqipërinë dhe shqiptarët, kthehen në tokën amë!
Kjo tërësi dokumentesh e marrë nga arkivat amerikane, së bashku me dy kolana gazetash, përfshirë “Albania”-n e themeluar nga “enciklopedia shëtitëse”, Faik Konica, kalojnë prej ditës së sotme nën zotërimin e Arkivit Qendror Shtetëror (AQSH), si rezultat i aktit të dhurimit të kryer prej studiuesit Artan Hoxha.
Sikurse ka dëshmuar edhe precedenca e akteve të dhurimit, materialet dokumentare dhe fotografike të marra në dorëzim prej DPA-së, kanë shërbyer për pasurimin e fondeve, duke ofruar edhe shtysa për nisjen e hulumtimeve të reja. Kujtojmë dhurimin e arkivit vetjak të ngjeshur të poetit Lasgush Poradeci (2017) dhe të veprimtarit politik Reuf Fico (2018). Po ashtu, në AQSH strehohen edhe dorëshkrime të shumta të Musine Kokalarit, në përmbushje të vullnetit të saj që “një pjesë e dorëshkrimeve të dorëzoheshin në Arkivin e Shtetit, pranë Sotir Kolesë” (deklaratë e bërë prej familjares së saj, Bibika Kokalari).
Arkivi të përket! Historia është një pasuri kolektive!

bw


Send this to a friend