VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

Kosova ua ‘hap dyert’ kriminelëve serbë

By | April 11, 2016
blank

Komentet

blank

Akuzoi Kosovën për konspiracion, gazetarët ‘gozhdojnë’ Ramën

Gazetarët e Kosovës kanë ‘gozhduar’ kryeministrin Edi Rama, gjatë konferencës për shtyp me homologun kosovar, Albin Kurti. Ata i thanë se Rama ka deklaruar në krah të kancelares gjermane, Angela Merkel se Kosova bën konspiracion.

Siç ndodh edhe në Shqipëri, Rama akuzoi gazetarët e Kosovës, duke thënë se ata nuk e kanë cituar siç duhet.

Edhe pas tensioneve të fundit Kosovë-Serbi, Rama tha se nuk ka ndryshuar qëndrim për Ballkanin e Hapur. Ai thotë se është më i bindur nga çfarë ishte se nisma e re është rruga e përbashkët.

“Nuk më citoni si duhet, edhe njëherë tjetër meqë ma dhatë mundësinë, dua të them, kam pasur shumë mesazhe edhe drejtpërdrejt edhe përmes rrjeteve sociale për shkak të situatës së krijuar nga Kosova ku pavarësisht larmisë së toneve dhe ngjyrimeve, thelbi ishte po tani a je i bindur që nuk bëhet Ballkani i Hapur me Serbinë.

Jam edhe më i bindur nga se çfarë isha. Ballkani i Hapur është rruga jonë e përbashkët. Për të mirë tonë. Ka një dallim sipas meje mes nacionalizmit e patriotizmit. Nacionalizëm do të thotë të duash ta shohësh tjetrin keq, patriotizmi ta duash veten mirë. Kemi një mosdakordësi me Albinin. Kjo është mosdakordësi politike, duhet ta trajtojmë si të tillë.

Sa për ju, shikoni apo nuk shikoni, marrëdhëniet tona nuk ndikohen nga mosdakordësia. Themeli është i natyre tjetër. Kombëtare, vëllazërore, është përtej çdo mosdakordësie politike, ai është themeli i strategjisë tonë, për interesat tona kombëtare. Patjetërsueshmërinë e një ëndrre për të jetuar në një hapësirë të pandarë si europian e shqiptarë. Ajo di të do të vijë, e pashmangshme. Në një Europë të bashkuar, shqiptarët, serbët, maqedonasit, malazezët të jenë të pandashëm. Serbia do e njohë një ditë Kosovën, dhe kërkesa e faljes për krimet e luftës, do të vulosë fundin e luftës së vështirë të paqes.

Jam shumë mirënjohës për mikpritjen e kryeministrit dhe mikut tim, Albin Kurtin. Patriotizmin nuk e kam kuptuar si ndasi e mllef, por bashkim,” tha Rama.

blank

Gjermania kërkon zgjidhje të situatës në veri përmes dialogut

RFE/RL

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jörn Rohde u ka bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të ulin tensionet dhe të gjejnë zgjidhje përmes dialogut.

“Situata në veri duhet të shtensionohet. I bëj thirrja të dyja palëve që të flasin me njëra-tjetrën dhe jo për njëra-tjetrën. Rruga më e mirë përpara: takohuni në Bruksel dhe gjeni zgjidhje sa më shpejt që të jetë e mundur”, ka shkruar ai në Twitter.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se Kosova është e gatshme që të shkojë në Bruksel për të biseduar për këtë çështje, por një takim i tillë është refuzuar nga Serbia.

Për të shtatën ditë me radhë, dy rrugë që lidhin Kosovën dhe Serbinë janë të bllokuara nga serbët lokalë, të cilët po kundërshtojnë masën e reciprocitetit për targat.

Që prej 20 shtatorit, të gjitha automjetet nga Serbia që hyjnë në Kosovë, duhet të largojnë targat dhe të përdorin targa të përkohshme të lëshuara nga autoritetet e Kosovës.

Më 25 shtator u shënuan dy incidente në veri të Kosovës, për të cilat Prishtina e akuzoi Serbinë. Autoritetet njoftuan se është djegur Qendra e Regjistrimit të Automjeteve në Zubin Potok dhe është sulmuar Qendra e Regjistrimit Civil në Zveçan.

blank

Dy avionë serbë fluturuan pranë kufirit, njësitë speciale të Policisë së Kosovës monitorojnë situatën

Pas dy incidenteve në Zubin Potok dhe Zveçan, situata në veri të Kosovës të dielën raportohet të jetë e qetë.

Ekipi i Radios Evropa e Lirë, që ka qëndruar në pikat kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak, thotë se në orët e mëngjesit të ditës së diel janë parë dy avionë nga Serbia duke fluturuar në afërsi të kufirit me Kosovë.

Por në përgjithësi raportohet se gjithçka është qetë dhe nën mbikëqyrje të Policisë së Kosovës.
Në pikat kufitare mes Kosovës dhe Serbisë, në Jarinjë dhe Bërnjak, për të shtatën ditë me radhë vazhdojnë të jenë të vendosura edhe njësitë speciale të Policisë së Kosovës.

Aeroplanet
Aeroplanet

Të shtunën, më 25 shtator, Qendra e Regjistrimit të Automjeteve në Zubin Potok është djegur, ndërsa është sulmuar edhe Qendra e Regjistrimit Civil në Zveçan.
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti një ditë më parë, mblodhi Këshillin e Sigurisë së Kosovës ku u diskutua situata në veri dhe koordinimi i hapave të mëtejmë.

Kurti ka thënë të shtunën se vendimet që do të ndërmerren karshi situatës së krijuar do të jenë në përputhje me vlerësimet që i bëhen situatës së sigurisë.

Shefi i ekzekutivit kosovar ka thënë se derisa ka rrezik në pikat kufitare, aty do të qëndrojnë njësitë speciale të Policisë së Kosovës. Serbët lokalë po kundërshtojnë vendimin e Qeverisë së Kosovës për reciprocitet në çështjen e targave të veturave të Serbisë, që hyjnë në Kosovë.
Ata po pamundësojnë kalimin e veturave, ndërkohë qytetarët po detyrohen të kalojnë kufirin në këmbë.

Për shkak të zhvillimeve në veri, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani më 25 shtator ndërpreu vizitën e saj në Shtetet e Bashkuara dhe u nis drejt Kosovës.
Presidentja Osmani ka thënë se dy sulmet e së shtunës në Zubin Potok dhe Zveçan, dëshmojnë se Serbia është “burimi kryesor i destabilizimit në rajon”.

Ajo i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar që të mos injorojë, atë që ajo e cilësoi si tendencë të Rusisë dhe Serbisë për destabilizimin e rajonit dhe më gjerë.
Djegia e Qendrës së Regjistrimit të Automjeteve në Zubin Potok dhe sulmi ndaj Qendrës së Regjistrimit Civil në Zveçan janë dënuar nga autoritetet në Kosovë.

Për sulmet në veri Prishtina zyrtare ka akuzuar Beogradin.
Kryeministri Kurti, gjatë një konference për media, të shtunën ka thënë se Serbia po provokon konflikt serioz ndërkombëtar që rrezikon të marrë përmasa rajonale.

“Serbia qartazi dëshiron të militarizojë dhe të e eskalojë situatën. Po sjell deri afër kufirit të Kosovës edhe helikopterë e avionë të prodhimit rus. Nëpërmjet këtyre sulmeve, provokimeve ku përdoren qytetarët e Kosovës, Serbia provokon konflikt serioz ndërkombëtar, që rrezikon të marrë përmasa rajonale”, tha Kurti.

Autoritetet e Kosovës, të hënën, më 20 shtator kanë nisur që veturave me targa të Serbisë, që hyjnë në Kosovë, t’iu vënë targa të përkohshme, pasi kanë thënë se të njëjtën gjë Serbia po e bën tash e sa vite.

Çështja e targave është e rregulluar me Marrëveshjen e Brukselit për lëvizjen e lirë, në kuadër të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ku ishte përcaktuar që të gjithë pronarët e veturave që banojnë në Kosovë, duhet të përdorin targat ‘KS’ (Kosovë) ose ‘RKS’ (Republika e Kosovës) dhe kështu t’i hiqnin nga përdorimi targat që për serbët e Kosovës i lëshonte Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë.

blank

Haradinaj i ofron mbështetje qeverisë për situatën në veri

RFE/RL

Kreu i partisë opozitare, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj i ka ofruar mbështetje Qeverisë dhe Policisë së Kosovës për situatën në veri, duke thënë se ajo që po ndodh në këtë pjesë të vendit është “e papranueshme”.

“Provokimet e serbëve në veri janë të projektuara në Beograd dhe në Moskë, e Prishtina, duke mos rënë pre e këtyre provokimeve, duhet të jetë e vendosur në mbrojtje të qenësisë së saj”, tha Haradinaj.

Ai shtoi se Brukseli duhet të ndërhyjë dhe të kërkojë nga Serbia që të mos e provokojë edhe më tej situatën në veri të Kosovës.

Të shtunën, më 25 shtator, Qendra e Regjistrimit të Automjeteve në Zubin Potok është djegur, ndërsa është sulmuar edhe Qendra e Regjistrimit Civil në Zveçan. Sipas hetimeve preliminare, autoritetet kanë thënë aty janë hedhur dy bomba dore, por të cilat “nuk kanë eksploduar”.

Për shkak të situatës në veri, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka ftuar mbledhjen e Këshillit të Sigurisë.

Që prej 20 shtatorit, ku u vendos masa e reciprocitetit, banorët serbë në veri të Kosovës po protestojnë. Ata kanë bllokuar dy rrugë që lidhin Kosovën dhe Serbinë në afërsi të pikave kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak.

blank

Kryeministri i Kosovës i përgjigjet Vulinit: Vulini ai ka qenë zëdhënës i partisë së gruas së Millosheviqit

voal.ch – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i është kundërpërgjigjur ministrit të brendshëm të Serbisë, Aleksandar Vulin, i cili tha se ‘për ta ndezur luftën duhet vetëm një budalla (aluduar Kurtin), ai ndodhet në Prishtinë’.

Kurti tha se ai ka qenë zëdhënës i partisë së gruas së Millosheviqit. Ai madje tha se Vulin i përket atyre zyrtarëve që Millosheviqin e konsideronte si jo të mjaftueshëm radikal.

“Së pari fluturaket serbe duket që janë përgjigje edhe ndaj deklaratës së Escobar që tha se nuk bën të militarizohet situata dhe ata filluan që të përdorin avionë ushtarakë. Pra këtu thua se nuk e kanë veq me neve, ndërkaq së dyti, Vulin mjafton të thuhet për të se ka qenë zëdhënës i partisë së gruas së MIllosheviqit që aso kohe është quajtur Jul dhe i përkiste atyre zyrtarëve serbë që e konsideronte që Millosheviqi nuk është mjaftueshëm radikal. Pra besoj që kjo e shpjegon plotësisht se për kë bëhet fjalë dhe cka thoë kur thotë atë që ju e parafrazuat”, tha Kurti në konferencën e mbajtur për media.

Ndryshe, Vulin i cili njihet për ofendimet drejtuar Kosovës dhe retorikën e tij nacionaliste e ka fyer kryeministrin e Republikës së Kosovës, Albin Kurtin. “Nevojiten të paktën dy persona për ta bërë paqen, ndërkaq për luftën mjafton vetëm një budalla, dhe jam i frikësuar se atë budalla e kemi në anën tjetër, ai ndodhet në Prishtinë dhe emri i tij është Albin Kurti”, ka thënë Vulini./Nga konferenca për shtyp e Kryeminisrtit të Kosovës sot pasdite

blank

Situata në veri, Kurti e Sveçla mbajnë konferencë për media

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, do të mbajnë sot konferencë për media, raporton Express.

Konferenca do të mbahet në orën 16:00. Lajmin e ka bërë të ditur Zyra e Kryeministrit, përmes një njoftimi drejtuar mediave.

“Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti dhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, do të mbajnë konferencë për media”, thuhet në njoftim.

Konferenca vjen pas situatës në veri, ku pas mesnatës janë djeguar e sulmuar me granata dore zyret e regjistrimit të automjeteve në Zubin Potok dhe Zveçan.

blank

Kosovë – Sulmohen qendrat e regjistrimit në Zubin Potok

Luljeta Krasniqi – Veseli

Në ditën e gjashtë të bllokadës në pikat kufitare në veri të Kosovës janë shënuar dy incidente që lidhen me masën e reciprocitetit për targat.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka njoftuar se nga persona ende të dyshuara është djegur Qendra e Regjistrimit të Automjeteve e cila gjendet në objektin e Komunës në Zubin Potok dhe po ashtu është sulmuar Qendra e Regjistrimit Civil në Zveçan, ku dyshohet edhe për një mjet shpërthyes.

“Këto veprime kriminale tregojnë më së miri se çfarë do të ndodhte në pikat kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak nëse nuk do të kishim praninë e njësive speciale për të garantuar rend dhe siguri. Ministria e Punëve të Brendshme me agjencitë e saj angazhohet për rend, siguri dhe sundim të ligjit dhe është garant i vendimeve sovrane të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe përkundër veprimeve të tilla do të vazhdojë me angazhim të plotë në zbatimin e vendimit në tërë territorin e Republikës së Kosovës”, ka shkruar Sveçla në rrjetin social Facebook.

Ministri Sveçla ka ftuar qytetarët në veri që të respektojnë ligjet dhe “të mos dirigjohen apo manipulohen nga ata të cilët mbijetojnë politikisht, apo përfitojnë materialisht, vetëm falë tensioneve”.

Bllokada në Jarinjë dhe Bërnjak

Për të gashtën ditë, dy pikat kufitare Jarinjë dhe Bërnjak në veri të Kosovës po vazhdojnë të qëndrojnë të bllokuara.

Në këto dy pika kufitare Kosovë -Serbi vazhdon të jetë e vendosur edhe njësitë speciale e Policisë së Kosovës.

Serbët lokalë po vazhdojnë të kundërshtojnë vendimin e Qeverisë së Kosovës për reciprocitet në çështjen e targave të veturave të Serbisë, që hyjnë në Kosovë.

Ata po pamundësojnë kalimin e veturave, ndërkohë qytetarët po detyrohen të kalojnë kufirin në këmbë.

Autoritetet e Kosovës, të hënën, më 20 shtator kanë nisur që veturave me targa të Serbisë, që hyjnë në Kosovë, t’iu vënë targa të përkohshme, pasi kanë thënë se të njëjtën gjë Serbia po e bën tash e sa vite.

blank

Infografikë

Pikat kufitare ku takohen Kosova dhe Serbia

Ministria e Mbrojtjes në Kosovë, të premten, më 24 shtator përmes një deklarate, i ka përgënjeshtruar informacionet se Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) është duke përgatitur trupa për ndërhyrje në veri të Kosovës.

“Dezinformatat se kinse FSK-ja është duke përgatitur trupa ushtarake për ndërhyrje në veriun e Kosovës, janë plotësisht të pavërteta, dhe kanë për qëllim dezinformimin e opinionit, për të paraqitur një situatë pasigurie për qytetarët tanë të komunitetit serb”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Mbrojtjes.

Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara kanë bërë thirrje për shtensionim të situatës dhe kanë kërkuar dialog mes dy palëve për këtë çështje.

Të premten NATO-ja ka kërkuar uljen e menjëhershme të tensioneve në veri të Kosovës derisa u ka bërë thirrje Prishtinës dhe Beogradit të ushtrojnë përmbajtje, të shmangin veprimet e njëanshme dhe t’i kthehen dialogut.

Sa i përket situatës në veri, Zëvendësndihmës sekretari amerikan i Shtetit për Evropën Jugore dhe Qendrore, Gabriel Escobar në një intervistë për Zërin e Amerikës ka thënë se të dyja palët duhet të përmbahen e të mos përdorin retorikë të dëmshme dhe të dyja palët duhet ta përqendrojnë në dialog.

“Ne e mbështesim këtë dialog 100 për qind dhe unë jam në kontakt të përditshëm me Miroslav Lajçakun. Ai ka disa propozime shumë të mira. Ai po përpiqet t’i sjellë të dyja palët në Bruksel lidhur me çështjen e targave, me synimin për të negociuar një zgjidhje të qëndrueshme dhe ka disa zgjidhje të mira. Por varet nga të dyja palët, që të bien dakord për ta diskutuar këtë, u takon atyre të shkojnë në Bruksel dhe ta trajtojnë këtë çështje”, ka thënë Escobar.

Ai është shprehur së është në dorën e të dyja palëve, që të mos ketë një qasje ushtarake ndaj kësaj çështjeje dhe të mos dërgojnë forca speciale në një vend ku është KFOR-i.

“Nuk ka nevojë për një gjë të tillë. Lidhur me çështjen e targave ne do të donim të shihnim disa lëvizje në Bruksel, ndoshta që javën e ardhshme”, ka thënë ai.

Çështja e targave është e rregulluar me Marrëveshjen e Brukselit për lëvizjen e lirë, në kuadër të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ku ishte përcaktuar që të gjithë pronarët e veturave që banojnë në Kosovë, duhet të përdorin targat ‘KS’ (Kosovë) ose ‘RKS’ (Republika e Kosovës) dhe kështu t’i hiqnin nga përdorimi targat që për serbët e Kosovës i lëshonte Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë.

blank

Trajkoviq: Vuçiq kishte shpresuar se Kosova do të ndahej deri në vitin 2021

Politikania serbe dhe ish-deputetja e Kuvendit të Kosovës, tash kryetare e Lëvizjes Evropiane të Serbëve nga Kosova, Rada Trajkoviq, ka komentuar zhvillimet e fundit në Kosovë, pas vendimit të Qeverisë së Kosovës, për aplikimin e reciprocitetit me Serbinë për targat e automjeteve

Trajkoviq e ka cilësuar të dëmshme krizën e shkaktuar për raportet mes dy vendeve.

Ajo thotë se është shqetësuese që kryeministri Albin Kurti nuk mund të zmbrapset nga ky vendim, sepse do të komprometohej në prag të zgjedhjeve lokale.

Në pozitë të njëjtë, sipas saj është edhe presidenti serb Aleksandar Vuçiq, i cili ka nisur forcat ushtarake drejt Rashkës, duke menduar për zgjedhjet e ardhshme në Serbi.

Ndërsa, duke folur për Marrëveshjen e vitit 2016 lidhur me targat, Trajkoviq thotë se Vuçiq e kishte nënshkruar atë duke shpresuar se deri në vitin 2021 (kur do të skadonte afati i saj) do të vinte deri të ndarja e Kosovës ose shkëmbimi i territoreve, “si zgjidhje për të cilën ishin angazhuar ai [Vuçiq] dhe Thaçi”.

Trajkoviq thotë se momentumi i shkaktimit të krizës më reciprocitetin e targave është i papërshtatshëm, madje, sipas saj, i papërgjegjshëm, sepse po ndodh gjatë pandemisë së coronavirusit, i cili mori shumë jetë si në Kosovë ashtu edhe në Serbi dhe që tashmë po e vështirëson funksionimin normal.

“Kjo krizë po ndodhë edhe në atmosferën parazgjedhore në Kosovë, në vigjilje të zgjedhjeve lokale që po zhvillohen në rrethana të vështira dhe për të cilat është shqyrtuar mundësia të mos mbaheshin [shtyhen]. Futja e Kosovës në një gjendje të jashtëzakonshme shtesë në rrethanat e një gjendjeje të jashtëzakonshme tashmë ekzistuese nuk është një vendim i përgjegjshëm. Nëse vazhdon kështu dhe nuk gjendet një zgjidhje e shpejtë për krizën, serbët dhe shqiptarët në gjendje të jashtëzakonshme vështirë se do të jenë në gjendje të bëjnë një fushatë efektive zgjedhore. Për më tepër, tani nuk dihet nëse serbët e Kosovës do të dalin fare në zgjedhje në këto rrethana. Kjo do të thotë kthim mbrapa i situatës dhe proceseve politike në Kosovë”, tha Trajkoviq për Telegrafin.

Politikania serbe thotë se “një problem tjetër është se tërë kjo vështirësi në qarkullimin e njerëzve dhe mallrave në vendkalimet administrative e izolon më tej Kosovën dhe e përjashton atë nga funksionimi normal në rajon.

Shumëkush tani do ta shmang Kosovën si rrugën e tyre transit, gjë që bart rreziqe dhe pasoja të mëtejshme ekonomike, politike dhe të sigurisë”.

Trajkoviq ka folur edhe për rreziqet që sjell gjendja e krijuar pas aplikimit të reciprocitetit për targat e automjeteve të Serbisë.

“Me gjithë vullnetin e mirë të Policisë së Kosovës dhe serbëve në Kosovë, një situatë kaq të ndjeshme kurrë nuk mund ta kontrolloni plotësisht. Ekziston një rrezik serioz që ndonjë reagim i papritur t’i çojë protestat në një drejtim të padëshirueshëm. Sa më gjatë të qëndrojnë në barrikada, aq më e madhe është mundësia e konfliktit dhe radikalizimit. Ndërsa tani shohim se forcat serbe i janë afruar vijës administrative të Kosovës”, tha ajo.

“Shqetëson fakti se kryeministri i Kosovës, Kurti, nuk mund të kthehet prapa pas vendimit të tij për reciprocitetin, sepse me këtë do ta komprometonte veten para zgjedhjeve. Nga ana tjetër, Vuçiq është në një pozicion të ngjashëm në Beograd dhe ka nisur forcat serbe drejt Rashkës, sepse edhe ai mendon për zgjedhjet e ardhshme në Serbi dhe shqetësohet nëse do të veprojë fort dhe sa duhet te  votuesit e tij. Të dyja palët kujdesen më shumë për rejtingun e tyre, dhe këtu nuk ka kushte për të lëshuar pe ose përgjegjësi të mjaftueshme personale për kompromis. Prandaj është një situatë shumë shqetësuese ku askush nuk mendon për njerëzit e zakonshëm. Ndërsa, përmes menaxhimit të keq të pandemisë, ne kemi parë tashmë se as Beogradi dhe as Prishtina nuk kujdesen shumë për njerëzit e thjeshtë”, tha Trajkoviq.

Ajo thotë se as rrethanat ndërkombëtare nuk janë ideale për zgjidhjen e krizës së shkaktuar me reciprocitetin për targat.

“Disa akterë ndërkombëtarë me deklaratat e tyre, që dënojnë vetëm njërën apo tjetrën palë, i hedhin vaj zjarrit dhe rrisin armiqësinë, sepse atyre u konvenon jo stabiliteti në teren. Nga ana tjetër, administrata amerikane, ndikimi i së cilës është i nevojshëm për të zgjidhur çdo krizë në Ballkan, është në proces të riorganizimit të qasjes së saj në rajon dhe tek pritet emërimi i ambasadorit të ri amerikan në Kosovë. Pra Amerika është duke pritur iniciativën e BE-së për të zgjidhur këtë krizë. Ndërsa, kredibiliteti dhe fuqia e BE -së është komprometuar në terren, sepse kjo krizë ndodhi pikërisht gjatë vizitës së Miroslav Lajçakut në rajon. Pra, jemi në një situatë të palakmueshme dhe të rrezikshme ku aktorët lokalë nga të dyja palët duhet të tregojnë përgjegjësi”.

Trajkoviq ka folur për ndikimin e situatës së krijuar në dialogun Kosovë-Serbi.  Ajo thotë se “në një farë mënyre, negociatorët duhet të rifreskohen për të rifilluar procesin e negociatave”.

“Kjo nënkupton një pjesëmarrje më të fortë dhe më të drejtpërdrejtë të Amerikës në negociata, si dhe freskim të ekipeve negociuese të Prishtinës dhe Beogradit. Situata me tabelat tregon se nuk do të ketë përparim në këtë proces negociues. Vuçiq dhe Kurti janë njerëz të cilët janë shumë të ngarkuar me rejtingun e brendshëm politik për të arritur një marrëveshje, kështu që zgjerimi i ekipeve dhe përfshirja e përfaqësuesve të shoqërisë civile mund të sjellë energji të re dhe konstruktivitet në negociata”.

“Nëse e dimë se Asambleja e Përgjithshme e OKB -së autorizoi dialogun teknik midis Beogradit dhe Prishtinës në vitin 2010, si dhe se mandati i UNMIK-ut u zgjat edhe për një vit tjetër, kjo do të thotë se na është dhënë më shumë kohë për t’iu kthyer seriozisht procesit të negociatave. Situatat si ajo me tabelat tregojnë se edhe çështjet më themelore teknike në negociatat midis Beogradit dhe Prishtinës nuk janë zgjidhur dhe se masat e papritura dhe zgjidhjet e shpejta shkaktojnë trazira dhe destabilizim të madh”, tha Trajkoviq.

Ajo mendon se ka shumë marrëveshje të mira që janë nënshkruar, por që nuk janë zbatuar plotësisht.

“Këtu kam parasysh marrëveshjet e nënshkruara në kuadër të Marrëveshjes së Brukselit, si dhe Marrëveshjen e Uashingtonit, që problemin e Kosovës e sheh nga pikëpamja praktike dhe ekonomike. Në vend që kohën dhe energjinë ta fokusojmë kot në përpjekjen për të rishikuar marrëveshjet e nënshkruara, ne duhet të përqendrohemi në zbatimin efektiv të asaj që është nënshkruar tashmë dhe të vazhdojmë tutje. Nuk ia vlen ‘për të qarë për qumështin e derdhur’”.

Trajkoviqka komentuar edhe kritikat e opozitës në Serbi, e cila e akuzon Vuçiqin se e dinte që do të aplikohej reciprociteti, pasi ai personalisht e kishte nënshkruar marrëveshjen në vitin 2016, e cila do të skadonte në vitin 2021.

Ajo thotë se “marrëveshja për targat nga shtatori i vitit 2016 – e cila u nënshkrua nga regjimi i Vuçiqit, d.m.th. Marko Gjuriq – shkoi një hap më tej sesa marrëveshja për lirinë e lëvizjes nga viti 2011”.

“Marrëveshja nga viti 2016 parashihte të mbuloheshin simbolet shtetërore në targat e automjeteve nga të dyja palët, që do të thotë se vërtet do të aplikohej koncepti i reciprocitetit në këtë çështje. Kjo zgjidhje u motivua nga marrëveshja që Greqia dhe Maqedonia e Veriut e kishin arritur  atë kohë, por ndoshta ishte shumë ambicioze sepse natyra e mosmarrëveshjes midis dy vendeve është e ndryshme dhe shumë më e lehtë, sesa mosmarrëveshja midis Prishtinës dhe Beogradit [Kosovës dhe Serbisë]. Unë do të thosha se Vuçiq atëherë ishte ende në fillimin e sundimit të tij, dhe se në atë fazë të bashkëpunimit të jashtëzakonshëm me bashkësinë ndërkombëtare, donte të tregohej si një negociator konstruktiv. Por më duket se mori përsipër një detyrim që nuk ka fuqi ta përmbushë, as para votuesve të tij dhe as sipas Kushtetutës së Serbisë”, tha ajo.

Trajkoviq thotë se Marrëveshja nga viti 2016 nuk është zbatuar deri më tani, sepse vlefshmëria e tabelave të KS është zgjatur në 5 vjet.

“Tani, në mungesë të një marrëveshjeje të re, ajo që u nënshkrua në vitin 2016 po aktualizohet sërish. Vuçiq thjesht nuk ka forcën politike për ta zbatuar atë në praktikë. Unë mendoj se ai (Vuçiq) nënshkroi marrëveshjen e vitit 2016 me shpresën se deri në skadimin e saj, në vitin 2021, do të ketë një ndarje të Kosovës, respektivisht shkëmbim të territoreve – ndryshe zgjidhjen për të cilën angazhohej ai së bashku me zotin Thaçi. Siç po shihet, kjo nuk ndodhi dhe zgjidhjet e nënshkruara nga e kaluara tani po paguhen”, ka thënë Trajkoviq

blank

MPB ka lëshuar për tri ditë mbi 6.000 targa të përkohshme

Modeli i targave të përkohshme që duhet të vendosin makinat e regjistruara në Serbi, sapo të hyjnë në Kosovë.

RFE/RL

Ministria e Punëve të Brendshme e Qeverisë së Kosovës ka njoftuar se prej 20 shtatorit e deri në përfundim të ditës së mërkurë, më 22 shtator, ka lëshuar 6.375 targa të përkohshme në të gjitha Pikat e Kalimit Kufitar (PPK) dhe Qendrat e Regjistrimit të Automjeteve në tërë territorin e Kosovës.

Sipas njoftimit të Ministrisë, mbi 3.000 targa të përkohshme janë lëshuar në të gjitha vendkalimet kufitare Kosovë – Serbi, ndërkaq, numri më i madh i tyre është lëshuar në vendkalimet kufitare Dheu i Bardhë dhe Merdar.

Në rrugët që çojnë drejt vendkalimeve kufitare Jarinjë dhe Bërnjak, në veri të Kosovës, të cilat janë bllokuar nga serbët lokalë, sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme janë lëshuar 24 tabela të përkohshme.

Pjesa tjetër e numrit të përgjithshëm të targave të përkohshme janë lëshuar në Qendrat e Regjistrimit të Automjeteve, nëpër komunat e ndryshme, përfshirë edhe katër komunat në veri të Kosovës.

Autoritetet e Kosovës, të hënën, më 20 shtator, kanë nisur zbatimin e vendimit të Qeverisë së Kosovës për masën e reciprocitetit për veturat me targa të Serbisë që hyjnë në Kosovë.

Sipas këtij vendimi, të gjitha automjetet me targa të Serbisë që hyjnë në Kosovë duhet të pajisen me targa të përkohshme, të lëshuara nga autoritetet e Kosovës.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë të mërkurën se Prishtina dhe Beogradi duhet t’i heqin plotësisht targat e përkohshme për të zgjidhur situatën e krijuar.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë të martën se Kosova duhet të ndryshojë vendimet e saja “të këqija” ose në të kundërtën, shteti i tij do të ndërmarrë masa, pa specifikuar se për çfarë masash bëhet fjalë.

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, ka bërë thirrje të mërkurën për ulje të menjëhershme të tensioneve në veri të Kosovës, duke thënë se “të gjitha marrëveshjet e arritura në procesin e dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, nga nisja e tij në vitin 2011, mbeten valide dhe obliguese për të dyja palët”.

blank

Vjosa Osmani dhe Donika Gërvalla takojnë sekretarin e NATO-s, Jens Stoltenberg, flasin për dialogun dhe marrëveshjet me Serbinë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe ministrja e Punëve të Jashtme Donika Gërvalla kanë takuar sekretarin e Përgjithshëm të NATO -s, Jens Stoltenberg, ndërsa kanë folur rreth marrëveshjeve dhe dialogut Kosovë-Serbi.

Presidentja Osmani theksoi se synim themelor i Kosovës mbetet anëtarësimi sa më i shpejtë në NATO. Anëtarësimi është i rëndësishëm për ta siguruar paqen në rajon, por edhe për promovimin dhe mbrojtjen e vlerave tona të përbashkëta.

Gjatë takimit me të, presidentja Osmani theksoi përkushtimin e Kosovës për të hapur një kapitull të ri të bashkëpunimit me NATO-n, i cili nënkupton përfshirjen e Kosovës në Partneritetin për Paqe.

“Qëllimi ynë është të bëhemi pjesë e infrastrukturës globale të sigurisë, duke kontribuar për paqen”, tha ajo.

Forca e Sigurisë e Kosovës, tha presidentja Osmani, është forcë profesionale, e përgatitur në përputhje me standardet e NATO-s, e cila do t’i mundësojë Kosovës të bëhet forcë aktive në kuadrin e sigurisë rajonale dhe globale.

“Ne jemi krenarë që ushtarët tanë po marrin pjesë së bashku me ushtarët e Forcave të Armatosura të SHBA-së në një mision të përbashkët ushtarak në Kuvajt. Ky mision, i pari i këtij lloji për Kosovën, është dëshmi e gatishmërisë sonë për të kontribuar në paqen dhe sigurinë globale” tha presidentja Osmani.

Presidentja e informoi sekretarin Stoltenberg edhe për zhvillimet e fundit në dialogun me Serbinë.

Ajo theksoj se Republika e Kosovës i ka zbatuar marrëveshjet e Brukselit për lirinë e lëvizjes dhe i dënoi kërcënimet dhe veprimet e Serbisë dhe të strukturave ilegale të saj në Kosovë.

Në njoftim të Presidencës thuhet se sekretari i NATO–s, Jens Stoltenberg, e falënderoi Kosovën për strehimin e përkohshëm të refugjatëve afganë bashkëpunëtorë të NATO-s dhe e vlerësoi veprimin e saj si shembull të bashkëpunimit dhe të koordinimit me aleatët.

Presidentja Osmani theksoi se vendimi i Kosovës ishte në përputhje me orientimin gjeostrategjik dhe reflektim i vlerave të përbashkëta të të drejtave të njeriut.

“Kosova, vazhdoi ajo, është e gatshme që edhe në të ardhmen të kontribuojë në misione të ngjashme humanitare, por edhe në ato të sigurisë”.

blank

Ministri Sveçla: Vendimi për vendosjen e reciprocitetit për targat e automjeteve me Serbinë është legjitim

Ministri Sveçla tha se vendimi është legjitim sepse edhe përkundër asaj se Kosova ka pranuar që automjetet nga Serbia të qarkullojnë lirshëm me targat serbe, një gjë e tillë nuk është lejuar nga pala serbe

Agim Sulaj   |20.09.2021
Prishtinë

Ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, ka deklaruar se vendimi për vendosjen e reciprocitetit për targat e automjeteve me Serbinë është legjitim, raporton Anadolu Agency (AA).

Në një konferencë për media, Sveçla tha se vendimi është legjitim sepse edhe përkundër asaj se Kosova ka pranuar që automjetet nga Serbia të qarkullojnë lirshëm me targat serbe, një gjë e tillë nuk është lejuar nga pala serbe.

“Serbia ka obliguar dhe obligon qytetarët e Republikës së Kosovës që të vendosin tabela të përkohshme për të hyrë në Serbi, pra tabelat ‘RKS’. Prandaj, ne kemi vlerësuar se është momenti i fundit që edhe Republika e Kosovës të bëjë të njëjtën gjë, as më shumë e as më pak dhe të realizojmë një të drejtë legjitime të shtetit tonë dhe qytetarëve tanë duke garantuar njëkohësisht lëvizje të lirë të qytetarëve dhe mallrave”, tha Sveçla.

Ai tha se qytetarët që kanë vetura me targa të Serbisë në hyrje dhe në qarkullim brenda Kosovës duhet të pajisen me targa të përkohshme të Kosovës sipas vendimit të sotëm të Ministrisë së Punëve të Brendshme, targa me të cilat nga 21 shtatori mund të pajisen në të gjitha qendrat e regjistrimit të automjeteve Kosovë.

Për këtë vendim, qytetarë serb të cilët jetojnë në komunat veriore të Kosovës kanë organizuar protestë ku për një kohë edhe kanë bllokuar rrugët të cilat çojnë në kufi me Serbinë.

Por Sveçla theksoi se gjendja e sigurisë është e qetë dhe se policia ka ndërmarrë të gjitha masat që të mos pengohet lëvizja e njerëzve dhe mallrave.

Ai u bëri thirrje qytetarëve serbë të Kosovës që të mos i bllokojnë rrugët, sepse me këto veprime ata bllokojnë vetveten, bashkëqytetarët dhe gjithë shtetasit kosovarë.

Por në rast se nga ky vendim do të pësojnë shtetasit serbë që i përkasin nacionalitetit shqiptar dhe të cilët janë të vendosur kryesisht në Luginën e Preshevës, ministri tha se do t’u kompensohet çfarëdo dëmi.

“Ky vendim ka të bëjë me qarkullimin me targat e shtetit të Serbisë. Shumë shpejtë, në një kohë të përshtatshme do të ketë mekanizma të tjera të cilat do të kompensojnë çfarëdo dëmi që ju bëhet bashkëkombësve tanëm qoftë nga Presheva, Bujanovci apo Medvegja”, tha Sveçla.

Gjatë ditës së sotme, në seancën e parë vjeshtore të Kuvendit të Kosovës, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se vendosja e reciprocitetit për vendosjen e targave të përkohshme për automjetet me targa të Serbisë që futen në Kosovë nuk është dëshirë e autoriteteve kosovare, por është imponim nga Serbia.

Sipas vendimit të fundit të lëshuar nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe të nënshkruar sot nga ministri Sveçla për rregullimin e kësaj çështje, obligohet pajisja me targa të përkohshme për të gjitha automjetet që mbajnë targa të Serbisë dhe hyjnë në territorin e Kosovës.

“Pajisja me targa të përkohshme bëhet në të gjitha pikat e kalimit kufitar të Republikës së Kosovës. Obligohen shoferët e mjeteve që targat e përkohshme t’i vendosin në vende të dukshme, para dhe mbrapa në mjet. Vlefshmëria e targave të përkohshme është 60 ditë dhe kushton 5 euro”, thuhet në pikat e këtij vendimi.

Me Marrëveshjen e Brukselit për lëvizjen e lirë, e cila u arrit në korrik të vitin 2011 në dialogun teknik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, u përcaktua që të gjithë pronarët e automjeteve që banojnë në Kosovë duhet të përdorin targat ‘KS’ (Kosovë) ose ‘RKS’ (Republika e Kosovës) dhe kështu t’i hiqnin nga përdorimi targat që për serbët e Kosovës i lëshonte Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë.

Sipas marrëveshjes, nga Kosova në Serbi mund të futen të gjitha automjetet me targa KS, kurse ato me RKS duhet t’i ndërrojnë ato në kufi, duke marrë një letër të përkohshme që jep pala serbe. Në anën tjetër, automjetet me targa të Serbisë deri sot futeshin lirshëm pa procedura shtesë në Kosovë.

Këtë vit, Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës edhe më herët paralajmëroi se do të hiqen nga qarkullimi të gjitha targat “KS” dhe automjetet e Kosovës do të bartin vetëm targat ‘RKS’.

blank

Serbët bllokojnë rrugët pas reciprocitetit për targa

Taulant Qenaj, Doruntina Baliu

Autoritetet në Kosovë më 20 shtator nisën aplikimin e masës së reciprocitetit për targat e automjeteve nga Serbia, duke thënë se një vendim i tillë nuk është ndërmarrë kundër serbëve, por është imponuar nga Serbia. Por qytetarët serbë kanë bllokuar rrugët në afërsi të pikës kufitare në Jarinjë në shenjë pakënaqësie.

Sipas vendimit, veturat që hyjnë nga Serbia duhet të pajisjen me targa të përkohshme në pikëkalimet kufitare të Kosovës. Këto targa të përkohshme po u vendosen veturave në xhamat para dhe prapa.

Qeveria e Kosovës ka thënë se të gjithë shoferët me targa të lëshuara nga Serbia, duhet të paguajnë 5 euro për targa të përkohshme dhe vlefshmëria e tyre është 60 ditë.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla tha se autoritetet kanë ndërmarrë masat e nevojshme që ky vendim të mos pengojë lëvizjen e njerëzve dhe mallrave, duke shtuar se situata në kufijtë “është e qetë”.

“Njoftojmë opinionin se nga data 15 shtator nuk ka në qarkullim asnjë veturë të pajisur me targa valide ‘KS’ dhe rrjedhimisht targat e vetme ligjore dhe me afat të lëshuara nga zyrtarët e Ministrisë së Punëve të Brendshme janë ato me denominimin ‘RKS'”, ka shkruar në Facebook ministri Sveçla.

Ministria që udhëheq Sveçla ka njoftuar se përveç në pikat kufitare, qytetarët mund të pajisjen me leje të përkohshme për targa në të gjitha Qendrat e Regjistrimit të Automjeteve.

Kurti: Vendimi nuk është i drejtuar kundër serbëve

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti gjatë seancës plenare të mbajtur më 20 shtator, tha se ky vendim nuk është marrë me dëshirë të Kosovës, por është imponuar nga “pala tjetër”.

“Si kryeministër i të gjithë qytetarëve të Kosovës ju siguroj se veprimet e ndërmarra sot nga organet kompetente për zbatimin e kësaj marrëveshjeje për lëvizje të lirë nuk janë të drejtuara kundër qytetarëve serbë. Ato në asnjë mënyrë nuk kanë për qëllim të cenojnë të drejtën e lëvizjes së lirë qytetarëve serbë apo të provokojnë çfarëdo destabilizimi. Sikurse dje, sot edhe nesër, qytetarët serbë do të lëvizin lirshëm, të sigurt, të mbrojtur nga ligji dhe Kushtetuta e Republikës së Kosovës”, tha ai.

Serbët protestojnë kundër reciprocitetit

Në pikëkalimet kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak, për shkak të grumbullimit të qytetarëve dolën edhe njësia speciale e Policisë së Kosovës.

Në afërsi të pikëkalimit kufitar në Jarinjë, nuk po mund të lëvizin veturat për shkak se rruga është bllokuar me kamionë dhe vetura, që kanë krijuar në kolonë prej disa kilometrash.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla u ka bërë thirrje qytetarëve serbë që të mos bllokojnë rrugët, duke shtuar se ata “nuk duhet të ndikoheni nga deklaratat politike, qëllimi i të cilëave është përhapja e panikës dhe frikës”.

Më herët gjatë ditës, kreu i Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, Goran Rakiq, tha se ky vendim është i drejtuar kundër popullit serb.

Ai ishte i pranishëm në Jarinje, ku Policia e Kosovës udhëzoi qytetarët që të mos grumbullohen, por Rakiq tha se ata kanë të drejtë të mbajnë protestë paqësore.

“Ne kemi dëgjuar informacione se kjo nuk është e drejtuar kundër popullit serb”, tha Rakiq, po shtoi se një vendim i tillë, sipas tij, “është kundër popullit serb”.

Protesta në afërsi të pikëkalimit kufitar në Jarinje.

Protesta në afërsi të pikëkalimit kufitar në Jarinje.

Ai bëri thirrje që njerëzit të mos bien “pre e provokimeve dhe të mos provokojnë”, duke ftuar presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq që të gjejë një zgjidhje.

Ndërkaq, Ministria e Punëve të Brendshme të Kosovës u ka bërë thirrje qytetarëve që të shmangin pikëkalimet kufitare në Bërnjak dhe Jarinje, “për shkak të pengesave të mundshme që mund të paraqiten në rrugë”.

Qytetarët në Mitrovicën e Veriut, komunë e banuar me shumicë serbe, thanë për Radion Evropa e Lirë se vendimi për reciprocitetin për targat, ka qenë i pritshëm, por edhe se do të shkaktojë problem për njerëzit.

Zllatibor Viçentijeviq nga Mitrovica e Veriut tha se me targat e Serbisë janë të regjistruar afër 10,000 vetura.

“Do të shohim se çfarë do të ndodhë me tabelat nga veriu i Kosovës siç janë tabelat e ‘KM’ (Mitrovica e Kosovës). Vetëm me këto tabela janë të regjistruara rreth 9,500 mijë vetura dhe kjo gjithsesi paraqet problem për njerëzit që veturat e tyre i kanë të regjistruar në Mitrovicë”, tha ai, duke shtuar se nëse është e nevojshme, ai do të paguajë tatim për regjistrimin e veturës së tij me targa ‘RKS’ (Republika e Kosovës).

Për Dragan Vuçkoviq ky vendim i Qeverisë së Kosovës ka qenë i pritshëm.

“Ka qenë e pritshme. Pasi jetoj këtu, nëse duhet e regjistroj. Nëse mua do të më kishte pyetur dikush, nuk do të duhej, por nëse kështu duhet, atëherë….”, shprehet ai.

SHBA-ja dhe BE-ja bëjnë thirrje për ulje të tensioneve

Pas vendimit të Qeverisë së Kosovës që të aplikojë masa të reciprocitetit, sa i përket targave të Serbisë, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian u bënë thirrje të dyja palëve që të ndërmarrin masa, në mënyrë që të ulen tensionet në veri të Kosovës.

“I bashkohemi BE-së në thirrjet për Kosovën dhe Serbinë që të përmbahen nga veprimet e mëtejme të njëanshme dhe të ulin tensionet menjëherë, pa asnjë vonesë”, thuhet në reagimin e Ambasadës së SHBA-së në Prishtinë.

Ndërkaq, zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano tha se të dy palët duhet të punojnë në krijimin e një atmosfere e cila do të ndihmonte lirinë e lëvizjes dhe uljes së tensioneve.

Pjesëtarë të Policisë së Kosovës në Jarinje.

Pjesëtarë të Policisë së Kosovës në Jarinje.

Sipas tij, dialogu i lehtësuar nga Bashkimi Evropian është platformë për të zgjidhur çështjet e hapura midis Kosovës dhe Serbisë.

“Ne po fokusohemi për të evituar situata, siç është ajo tash në veri të Kosovës”, tha Stano duke përsëritur se të gjithë duhet të punojnë në frymën e promovimit të dialogut dhe uljes së tensioneve.

Sipas Stanos, i dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçka gjendet në Beograd dhe pasditen e së hënës do të takohet me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Stano po ashtu tha se Lajçak më herët ka biseduar me autoritetet e Kosovës.

Kosova kishte paralajmëruar e vendosjen e masës së reciprocitetit për targat, gjatë raundit të fundit të dialogut me Serbinë, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi kishte thënë se marrëveshja për targat skadon më 15 shtator dhe se Kosova nuk do ta respektojë atë njëashëm.

Deri më tani, veturat e Kosovës që kanë kaluar nëpër Serbi, është dashur t’i heqin targat e tyre ‘RKS’ (Republika e Kosovës) dhe të vendosin targa të përkohshme prej letre.

Një kamion që ka hyrë nga Serbia në Kosovë, ka vendosur targa të përkohshme.

Një kamion që ka hyrë nga Serbia në Kosovë, ka vendosur targa të përkohshme.

Çështja e targave ishte e rregulluar Marrëveshjen e Brukselit për lëvizjen e lirë, në kuadër të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ku ishte përcaktuar që të gjithë pronarët e veturave që banojnë në Kosovë, duhet të përdorin targat ‘KS’ (Kosovë) ose ‘RKS’ (Republika e Kosovës) dhe kështu t’i hiqnin nga përdorimi targat që për serbët e Kosovës i lëshonte Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë.


blank
blank
blank
blank
blank
blank
blank
blank
blank
blank
blank
blank
Send this to a friend