“ Më thirrni Gjorgj, jo kongresmen”, na tha miku i shqiptarëve, kongresmeni i mirënjohur George Latimer, në takimin me komunitetin shqiptaro-amerikan, të organizuar nga aktivisti i respektuar, z. Valon Nikçi.
Bashkë me mikun tim, veprimtarin e çështjes kombëtare Behlul Gashi, dhe aktivistë të tjerë, morëm pjesë në këtë takim shumë të vlefshëm dhe të këndshëm, ku u hapën tema të rëndësishme lokale, nacionale dhe ndërkombëtare.
Angazhimi i z. Latimer për dialog të hapur dhe konstruktiv për të gjitha çështjet, përtej ndarjeve partiake, pasqyron llojin e lidershipit që forcon demokracinë amerikane dhe e çon shtetin përpara.
Situata në Kosovë dhe zgjedhjet e 7 qershorit, pas bllokadave të panevojshme dhe të dëmshme të opozitës, si dhe agresioni i vazhdueshëm serb ndaj Kosovës dhe përpjekjet për destabilizimin e shtetit, ishin tema kryesore të mbrëmjes.
Prezantimi im i situatës në Ballkan u përcoll me vëmendje dhe vlerësim të lartë nga ana e kongresmenit Latimer dhe këshilltarit të tij, z. Robert Hoch.
Regjimi aktual despotik serb është shkaktari kryesor i të gjitha problemeve i cili, me metoda të ndryshme, po e vazhdon politikën raciste dhe hegjemoniste të kriminelit të luftës Millosheviq për dominim në Ballkan.
Ia dhashë kongresmenit Latimer librin e xhepit “Mos harro kurrë”, të shkruar nga Dr. Nusret Pllana dhe MSc.Agim Aliçkaj, ku dokumentohet gjenocidi serb nga viti 1884 deri në vitin 1999, kur u bë çlirimi i Kosovës.
Përpjekjet serbe për ta destabilizuar Kosovën, duke e nxitur minoritetin serb të shkaktojë probleme, duke e korruptuar shtypin dhe disa politikanë të Kosovës e Shqipërisë, e deri te aktet terroriste, nuk kanë të ndalur. Disa prej tyre kanë filluar të kërcënojnë edhe me përdorimin e dhunës, deri te eliminimi fizik i kryeministrit Kurti.
Situatën e kanë komplikuar dhe keqësuar dukshëm edhe disa ish-diplomatë amerikanë të angazhuar nga Serbia, të cilët kanë krijuar ndikim të konsiderueshëm në segmente të opozitës, duke u premtuar gjëra joreale dhe duke i nxitur të vazhdojnë me sjellje jodemokratike, bojkot dhe bllokadë të institucioneve shtetërore, me qëllim largimin me çdo kusht nga politika të z. Kurti dhe partisë së tij.
Keqpërdorimi i emrit të Amerikës nga këta diplomatë, të cilët nuk e përfaqësojnë Amerikën e vërtetë — shpëtimtaren e kombit shqiptar — për ta mashtruar popullin e Kosovës të ngrihet kundër qeverisë legjitime, është i paprecedent dhe shumë i rrezikshëm. Ata po veprojnë kundër interesave të Amerikës në Evropën Juglindore.
Interesi amerikan është për një Kosovë me lidership të fortë e të sinqertë, të zhvilluar, demokratike, të pakorruptuar dhe sovrane cep më cep, që i mbështet aksionet amerikane në Evropë dhe kudo në botë. Këto vlera, në këtë moment, i përfaqëson më së miri kryeministri Kurti. Ai lirisht mund të konsiderohet si një ndër liderët më pro-amerikanë të kohës së sotme në mbarë kombin shqiptar.
Shpresojmë që Kongresi Amerikan do ta konsiderojë mundësinë e hetimit dhe marrjes në pyetje, në dëgjime publike, të disa ish-diplomatëve amerikanë, për ta qartësuar veprimtarinë e tyre në koordinim me regjimin serb kundër interesave amerikane në Kosovë, si dhe lidhjet e tyre të dyshimta me qeveri të korruptuara në pjesë të tjera të botës.
Gjithashtu, shpresojmë që Ambasada e SHBA-së në Prishtinë, së bashku me ambasadat e tjera të BE-së, do të dalin me deklarata të qarta publike në mbështetje të zgjedhjeve të lira dhe demokratike, kundër bojkotit të Parlamentit të Kosovës nga partitë politike opozitare, dhe do ta dënojnë retorikën e dhunshme nga çdo palë që mund të kontribuojë në paqëndrueshmëri në Kosovë.
Populli i Kosovës kërkon drejtësi, jo hakmarrje kundër Serbisë, e cila ende nuk e ka pranuar dhe nuk ka kërkuar falje për gjenocidin e kryer kundër shqiptarëve. Serbia duhet të denazifikohet dhe kriminelët serbë duhet të dënohen. Shqiptarët thjesht kërkojnë të drejtën për të jetuar të lirë në trojet e tyre stërgjyshore.
Kosova qëndron me Amerikën — gjithmonë e përgjithmonë. Serbia vazhdon të rreshtohet me Rusinë, Iranin dhe Kinën, dhe kjo nuk do të ndryshojë kurrë.
Agim Aliçkaj

