Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut shprehin mbështetje për Ukrainën, në kohën kur tensionet ndërmjet këtij shteti dhe Rusisë kanë arritur kulmin.
Vendet perëndimore paralajmërojnë se situata mund të përshkallëzohet shpejt në një sulm të Rusisë kundër Ukrainës, edhe pse Moska e mohon një gjë të tillë.
Shteti rus ka javë që ka pozicionuar trupa në kufi me fqinjin e tij, si dhe në gadishullin ukrainas të Krimesë, të cilin e ka aneksuar në vitin 2014.
Ministria e Mbrojtjes e Kosovës shpreh gatishmërinë që komponentët e caktuar të Forcës së Sigurisë së Kosovës t’i vendosë në dispozicion të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në rast se kjo i kërkohet për ndonjë mision.
Shefi i Komunikimit Strategjik në Ministrinë e Mbrojtjes së Kosovës, kolonel Sefer Isufi, thotë për Radion Evropa e Lirë se Forca e Sigurisë e Kosovës, gjithçka që ka arritur deri më tash – në secilin dimension të zhvillimit të aftësive dhe kapaciteteve të saj operative – e ka arritur falë “mbështetjes së pazëvendësueshme” të SHBA-së.
“Duke pasur parasysh që aleanca jonë me SHBA-në është e natyrshme dhe shumë e fuqishme, jemi plotësisht të gatshëm që të jemi përkrah SHBA-së dhe forcave të saj në secilin mision, ku ata vlerësojnë se mund t’i angazhojnë komponentët tonë profesionalë ushtarakë”, thotë Isufi.
“Ajo [SHBA-ja] e di më së miri se cilët komponentë të FSK-së mund t’i angazhojë në task-forcën e saj, apo t’i integrojë në kuadër të forcave të NATO-s, në operacionet eventuale në mbrojtje të vlerave euro-atlantike – gjë që është edhe vizion dhe aspiratë e Kosovës”, shton Isufi.
Vitin e kaluar, Forca e Sigurisë e Kosovës ka qenë për herë të parë pjesë e misionit paqeruajtës ndërkombëtar në Kuvajt, së bashku me trupat amerikane.
Presidenca: Kosova qëndron përkrah Ukrainës
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka shprehur mbështetjen e Kosovës për Ukrainën përmes një shkrimi në Twitter, më 22 janar.
Në një përgjigje me shkrim për Radion Evropa e Lirë, Zyra e Presidentes së Kosovës konfirmon se “Republika e Kosovës qëndron përkrah Ukrainës, duke e mbështetur sovranitetin dhe integritetin territorial të saj, pas agresionit të Rusisë të vitit 2014 dhe grumbullimit të forcave ushtarake ruse në afërsi të kufirit të saj me Rusinë”.
Në përgjigjen e Zyrës së Presidentes së Kosovës thuhet se lëvizjet e fundit ushtarake të Rusisë janë kërcënim jo vetëm për Ukrainën, por edhe për gjithë kontinentin evropian dhe se çdo shkelje e sovranitetit të Ukrainës “paraqet sulm të drejtpërdrejtë ndaj një shteti të pavarur, sulm ndaj demokracisë në kontinentin tonë dhe vazhdimësi të fushatës agresive të Rusisë”.
“Ne nuk jemi të vetëm në mbështetje të Ukrainës, por përkrah aleatëve tanë, SHBA-së dhe NATO-s, si dhe me shtetet, të cilat dëshirojnë avancimin e vlerave demokratike në kontinentin tonë dhe në mbarë botën”, thuhet në deklaratën e Zyrës së Presidentes së Kosovës.
Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut përkrahin Ukrainën, Serbia hesht
Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, ka thënë përmes një postimi në Facebook më 24 janar, se i bashkohet shqetësimit të partnerëve të NATO-s për rritjen e numrit të trupave dhe mjeteve ushtarake ruse në kufijtë me Ukrainën, duke theksuar se “kërcënimi dhe eventualisht agresioni ushtarak ndaj Ukrainës përbëjnë kërcënim direkt ndaj sigurisë evropiane dhe shkelje të rëndë të së drejtës ndërkombëtare”.
“Shqipëria mbështet fuqimisht sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës dhe apelon për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve nëpërmjet dialogut dhe mjeteve diplomatike”, ka shkruar Meta në Facebook.
Ministrja e Mbrojtjes e Maqedonisë së Veriut, Sllavjanka Petrovska, ka thënë se ky vend mbështet plotësisht sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës.
Ajo ka thënë se Maqedonia e Veriut, si anëtare e NATO-s, do t’i ndjekë vendimet e aleancës, duke mos përjashtuar përfshirjen në konflikt.
“Është e mundur që Ushtria e Maqedonisë së Veriut të përfshihet në një konflikt të mundshëm ushtarak ndërmjet Rusisë dhe Ukrainës, por vetëm nëse këtë e kërkon NATO-ja”, ka thënë Petrovska për televizionin maqedonas, Telma, duke theksuar se një veprim i tillë do të ishte i mundur vetëm me pëlqimin e komandantit suprem, përkatësisht presidentit të shtetit, Stevo Pendarovski.
Ambasada e Rusisë në Shkup ka reaguar ndaj deklaratës së ministres Petrovska, duke e cilësuar atë si “befasuese”.
“Ne u kushtojmë vëmendje deklaratave absolutisht të qarta të udhëheqjes ruse. Rusia kurrë nuk e ka kërcënuar popullin ukrainas askund dhe nuk ka ndërmend të ndërmarrë ndonjë veprim agresiv. Me fjalë të tjera, ne nuk do të sulmojmë, pushtojmë apo godasim Ukrainën. Sa u përket trupave ruse, ato lëvizin nëpër territorin e tyre dhe kanë çdo të drejtë ta bëjnë këtë”, thuhet në reagim.
Presidenti i Kroacisë dhe komandanti i përgjithshëm i Forcave të Armatosura të këtij vendi, Zoran Millanoviq, ka njoftuar se do ta tërheqë ushtrinë kroate, nëse situata në Ukrainë përshkallëzohet. Ushtria kroate ndodhet aktualisht në kufirin rus, me një operacion të NATO-s.
Vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, Serbia, Mali i Zi dhe Bosnje e Hercegovina, deri më tash, nuk kanë reaguar për tensionet midis Rusisë dhe Ukrainës.
Mali i Zi, ashtu sikurse Shqipëria, Kroacia dhe Maqedonia e Veriut, është anëtar i NATO-s.
Rashiti: Konflikti që do të ndryshojë arkitekturën e sigurisë në Evropë
Naim Rashiti, drejtor i Grupit të Ballkanit për Politika, me bazë në Prishtinë, thotë se përplasjet Rusi-Ukrainë do të ishin konflikti më i madh që pas Luftës së Dytë Botërore, pas krizës së Kubës dhe pas rënies së Murit të Berlinit.
Në fakt, shton ai, ky është konflikti më i madh dhe më i hapur ndërmjet SHBA-së dhe Rusisë. Rreshtimin e Kosovës, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut përkrah Ukrainës, ai e sheh si veprim të drejtë.
“Një konflikt i tillë do ta ndryshojë tërë dinamikën gjeopolitike globale. Me theks të veçantë, do të ndryshojë arkitekturën e sigurisë së Evropës dhe të Bashkimit Evropian. Prandaj, është shumë e drejtë që të rreshtohen drejt mbështetjes së vendeve sovrane, pengimit të pushtimit dhe okupimit me dhunë, fushatave kundër tyre, si dhe në mbështetje të një plani – tashmë shumëvjeçar transatlantik – për të ruajtur sigurinë e Evropës”, thotë Rashiti për Radion Evropa e Lirë.
Ai shton se situata e tanishme shpërfaq edhe dobësinë e Evropës, e cila, sipas tij, nuk po tregohet e gatshme që të ndërtojë arkitekturë të sigurisë për vetveten dhe SHBA-ja mbetet garantuesi kryesor, jo vetëm i Kosovës dhe shumë vendeve përreth, por i tërë Evropës.
Popov: Perëndimi ia ka tërhequr vërejtjen Serbisë
Aleksandar Popov, nga Qendra për Rajonin, me seli në Serbi, kujton se ky vend nuk është pozicionuar në këtë krizë, por beson se Perëndimi, siç thotë, ia ka bërë me dije presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, që të jetë i kujdesshëm në këtë situatë.
“Po shohim që Serbia dhe, para së gjithash, presidenti i saj tash janë mjaft të përmbajtur. Madje edhe tash, kur situata në Malin e Zi është destabilizuar, nga Beogradi nuk ka asnjë komentim, në mënyrë që të shmangen indikacionet që Serbia po përzihet atje. Mendoj se tërheqja e vërejtjes ka arritur më herët nga Perëndimi, që të paktën në këtë pikëpamje Serbia të mos i ndihmojë Rusisë dhe të rrijë larg nga të gjitha këto zhvillime”, thotë Popov.
Efektet në Ballkanin Perëndimor
Tensionet ndërmjet Rusisë dhe Ukrainës mund të pasohen me dy skenarë, të cilët do të reflektohen edhe në rajonin e Ballkanit Perëndimor, vlerëson Naim Rashiti, nga Grupi i Ballkanit për Politika.
Ai thotë se skenari i parë dhe më i butë që mund të pasojë, parasheh që Rusia të krijojë dhe mirëmbajë një regjim pro-rus në Ukrainë, i cili do ta pengonte shtrirjen e politikave të Perëndimit.
Në të njëjtën mënyrë, sipas tij, Rusia do të provojë t’i mirëmbajë edhe elementet pro-ruse, që janë në vendet e Ballkanit Perëndimor.
Në këtë skenar, siç shpreh mendimin Rashiti, nuk do të ketë reagim të Perëndimit ndaj situatës së zhvilluar në Ukrainë dhe kjo do ta trimërojë Moskën që të vazhdojë dhe t’i përforcojë skenarët e ngjashëm në Ballkanin Perëndimor, në veçanti në Serbi, në Bosnje e Hercegovinë, në Mal të Zi, por edhe në Maqedoninë e Veriut.
Skenari i dytë dhe më i vështirë, shton ai, është pushtimi dhe okupimi rus i Ukrainës.
Në këtë skenar, vlerëson Rashiti, Bashkimi Evropian dhe SHBA-ja pritet të shfaqin dilemën se a do ta ruajnë Ballkanin Perëndimor nga ndikimi rus, a do ta shkëpusin atë nga ky ndikim apo do të ruajnë status quo-në.
Siç thotë Rashiti, në rast se Rusia do t’i qaset pushtimit të Ukrainës, atëherë Ballkani Perëndimor nuk do të mund t’i shmanget efektit eventual të këtij zhvillimi.
“Satelitët e saj [Rusisë], të cilët tashmë janë konsoliduar në Serbi, në Mal të Zi, në Bosnje, por edhe në Maqedoni [të Veriut] do të provojnë të krijojnë situata të mjaftueshme krizash, për t’i hapur edhe një herë çështjet e kufijve në Ballkanin Perëndimor. Por, në këtë situatë, unë jam i bindur se nëse do të ketë ndonjë reagim apo një shpërthim të tensioneve, Perëndimi – në pamundësi për të bërë diçka shumë të madhe për Ukrainën – së paku do të provojë maksimalisht që t’i parandalojë konfliktet në Ballkanin Perëndimor ose të ruajë status quo-në”, thotë Rashiti.
“Përzierja e gishtërinjve rusë”
Aleksandar Popov, nga Qendra për Rajonin, thotë se reflektimi në Ballkanin Perëndimor i tensioneve ndërmjet Rusisë dhe Ukrainës ka kohë që ka filluar.
Sipas tij, kjo më së miri shihet në situatat e krijuara në Bosnje e Hercegovinë, ku anëtari serb i presidencës së këtij shteti, Millorad Dodik, ka shtuar aktivitetet për destabilizimin e këtij vendi.
“Muajin e kaluar, këto veprime faktikisht kanë arritur nivelin më të lartë, kur Bosnje e Hercegovina është vënë në pikëpyetje dhe është sjellë në prag të shpërbërjes. Unë mendoj se këtu janë përzier edhe gishtërinjtë rusë, sepse dëshirojnë të shpërqendrojnë vëmendjen e Perëndimit, të Evropës dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në shumë fronte”.
“Ndërkaq, Serbia është përmbajtur nga reagimet për t’u deklaruar lidhur me kërcënimet e Rusisë për pushtimin e Ukrainës, duke respektuar kinse neutralitetin ushtarak. Njëkohësisht ka shikuar që të mos e fajësojë shumë Rusinë, por në këtë pikë ekziston kundërshtimi më i madh i BE-së, se ajo [Serbia] nuk përcjell politikën e jashtme të BE-së”, thotë Popov.
“Unanimitet” kundër kërcënimeve ruse
Presidenti i SHBA-së, Joe Biden, ka zhvilluar të hënën një video-konferencë me aleatët evropianë për krizën në Ukrainë, pas së cilës ka thënë se në mesin e tyre ekziston “unanimitet i plotë”.
Mbretëria e Bashkuar e ka paralajmëruar Rusinë për sanksione “të shpejta” dhe “të pashembullta” nëse ndodh inkursioni rus në Ukrainë. Kësaj deklarate i janë bashkuar Shtetet e Bashkuara, Franca Gjermania, Italia, Polonia dhe vende të tjera.
Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian janë pajtuar në një takim të hënën se “çdo agresion i mëtejshëm ushtarak nga Rusia kundër Ukrainës, do të ketë pasoja masive dhe kosto të rëndë”, thuhet në një deklaratë të përbashkët të tyre.
Pentagoni ka njoftuar tashmë se rreth 8,500 trupa amerikane janë në gatishmëri të lartë për dislokim.
Por, kjo do të ndodhë vetëm nëse aleanca ushtarake e NATO-s vendos të aktivizojë forcën e reagimit të shpejtë, “ose nëse zhvillohen situata të tjera” në lidhje me grumbullimin e trupave ruse, ka thënë zëdhënësi i Pentagonit, John Kirby.
SHBA-ja nuk ka plane për t’u vendosur në Ukrainë, ka theksuar ai.
NATO dhe Shtetet e Bashkuara kanë thënë se janë duke përgatitur një dokument për të adresuar shqetësimet e Rusisë për sigurinë në Evropë.
Edhe pse mohon synimet për pushtim, Moska e akuzon Kievin se po përgatit sulme në zonat që kontrollojnë separatistët pro-rusë në lindje të Ukrainës dhe thotë se vendet e NATO-s po e “pompojnë” Ukrainën me armë.
Rusia po ashtu kërkon që NATO-ja të mos e pranojë kurrë Ukrainën në radhët e saj dhe të tërheqë një pjesë të konsiderueshme të forcave nga Evropa Lindore.
Një burrë duke votuar në zgjedhjet parlamentare të 28 dhjetorit 2025.
Radio Evropa e Lirë
Ushtruesja e detyrës së presidentit të Kosovës, Albulena Haxhiu, e ka shpallur 7 qershorin si datë për mbajtjen e zgjedhjeve të reja të parakohshme parlamentare. Këto do të jenë zgjedhjet e tretat brenda rreth një viti e gjysmë dhe pritet ta thellojnë krizën politike dhe institucionale.
Vendimi i Haxhiut të enjten vjen pak pas mbajtjes së një takimi me liderë dhe përfaqësues të partive politike në vend për caktimin e datës së zgjedhjeve.
“Pasi dëgjova propozimet e partive politike dhe pas vlerësimit të afateve kushtetuese, nevojave organizative të KQZ-së dhe rëndësisë së pjesëmarrjes sa më të gjerë të qytetarëve në këtë proces, kam vendosur që zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës të mbahen më 7 qershor”, tha Haxhiu në një konferencë për media.
Më vonë, ajo e bëri publik edhe dekretin formal për mbajtjen e zgjedhjeve më 7 qershor.
Ajo tha se 15 nga 17 partitë e ftuara morën pjesë në takim për të zgjedhur mes dy datave të mundshme, 31 majit dhe 7 qershorit.
Edhe përfaqësuesit e disa prej partive më të mëdha thanë pas takimit se ishin pajtuar që zgjedhjet e reja të mbaheshin më 7 qershor.
Bedri Hamza, kreu i partisë kryesore opozitare, Partia Demokratike e Kosovës (PDK), tha pas takimit se “shumica e partive politike të përfaqësuara këtu edhe prezente, kanë qenë për datën 7”.
Një ditë më parë, Haxhiu e takoi kreun e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi, i cili tha se ky organ – i cili bën mbarëvajtjen dhe organizimin e zgjedhjeve – parapëlqen7 qershorin si datë të zgjedhjeve.
Jehona Lushaku nga Lidhja Demokratike (LDK) në opozitë theksoi se partia e saj është “dakord me datën 7 qershor”.
Po ashtu, edhe anëtari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ardian Gjini, konfirmoi se ka “pajtueshmëri pothuajse të plotë” që zgjedhjet të mbahen më 7 qershor.
Zgjedhjet e reja vijnë pasi Kuvendi dështoi ta zgjedhë një president të ri brenda afatit, duke e zhytur vendin në një krizë të re politike.
Kuvendi kishte afat deri në mesnatën e së martës për ta zgjedhur kreun e shtetit, pasi mandati i presidentes Vjosa Osmani përfundoi në fillim të prillit.
Shpërndarja e Kuvendit të martën nënkuptoi se zgjedhjet e reja duhet të mbahen brenda 45 ditëve të ardhshme dhe 7 qershori ishte data e fundit e mundshme.
Zgjedhjet e treta të njëpasnjëshme
Këto do të jenë zgjedhjet e treta parlamentare brenda 18 muajsh, pas atyre në shkurt dhe dhjetor 2025, që sipas ekspertëve e kanë futur vendin në krizë institucionale sistematike.
Naim Rashiti, drejtor i Grupit Ballkanik për Politika në Prishtinë, tha për Radion Evropa e Lirë se Kosova po përjeton krizë politike e institucionale dhe se zgjedhje e parakohshme parlamentare “nuk garantojnë stabilitet” as tani.
Ai nënvizoi se, në sytë e faktorit ndërkombëtar, Kosova po përjeton “krizë politike dhe institucionale sistematike”.
Më herët të enjten, Bashkimi Evropian shprehu keqardhje që partitë politike nuk e gjetën asnjë figurë unifikuese për kandidat për president të vendit për t’i shmangur zgjedhjet e treta të njëpasnjëshme.
Një zëdhënës i BE-së i tha Radios Evropa e Lirë se blloku evropian u bën thirrje partive politike të gjejë gjuhë të përbashkët për t’i shmangur krizat institucionale në vend.
“Është urgjente për Kosovën që të forcojë dialogun ndërpartiak për të siguruar funksionimin efikas të institucioneve dhe për të mos humbur mundësi që u sjellin përfitime qytetarëve, përfshirë ato nga Plani i Rritjes”, tha zëdhënësi.
Analistët kanë paralajmlruar gjithashtu se kriza ngadalëson reformat kyç dhe krijon kosto të vazhdueshme financiare për buxhetin e shtetit, pa asnjë garanci se zgjedhjet e reja do të sjellin stabilitet politik.
Naim Jakajt nga Instituti i Kosovës për Drejtësi i tha REL-it se pasoja e parë është paralizimi i procesit legjislativ. Në mungesë të një Kuvendi funksional, nuk miratohen ligje të reja dhe ngadalësohen reformat kyç, përfshirë ato që lidhen me sundimin e ligjit dhe integrimin evropian.
Ai nënvizoi se mungesa e një Qeverie me mandat të plotë reflektohet drejtpërdrejt edhe në planin ndërkombëtar.
Sipas tij, kjo mund të shkaktojë vonesa në procese të rëndësishme, si aplikimi për anëtarësim në Këshillin e Evropës apo përmbushja e obligimeve në kuadër të Planit të Rritjes të Bashkimit Evropian.
Zgjedhjet e reja do t’i kushtojnë shtetit gjithashtu edhe me barrë financiare, pasi besohet se nevojiten rreth 10 milionë euro për mbajtjen e tyre.
Përpjekjet e dështuara
Përpjekjet disamujore për zgjedhjet e presidentit të ri dështuan në mungesë të lëshimeve nga paria në pushtet e kryeministrit Albin Kurti, Lëvizja Vetëvendosje, dhe dy partive më të mëdha opozitare, PDK dhe LDK.
Kurti kishte zhvilluar takime me liderët e tyre në muajt e kaluar, por ata asnjëherë s’u dukën afër një marrëveshjeje për një president të ri.
Partia në pushtet nxori në dy raste nga dy kandidatë në votim në Kuvend, përfshirë dy që tha ishin jopartiakë këtë muaj në përfundim të mandatit kushtetues për zgjedhjen e presidentit – por në të dyja rastet opozita e braktisi sallën duke e pamundësuar votimin.
Nevojitet prania e 2/3 të deputetëve në Kuvendin me 120 vende që votimi për presidentin e Kosovës të jetë i vlefshëm.
Moszgjidhja e presidentit brenda afatit çoi në shpërndarjen e Kuvendit dhe shkuarjen drejtpërdrejt në zgjedhje parlamentare.
Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, ka publikuar raportin e Komitetit Shqiptar të Helsinkit (KShH), duke ngritur akuza të forta për shkelje të të drejtave të njeriut ndaj presidentit të kësaj force politike, Ilir Meta, gjatë qëndrimit në paraburgim.
Në reagimin e tij, Blushi shpreh falënderim për KShH, duke theksuar se raporti konfirmon “pa asnjë ekuivok” denoncimet e bëra më herët nga Meta për kushtet në institucionin e paraburgimit IEVP “Jordan Misja”.
Sipas raportit të KShH, Meta është përballur me shkelje të lirive themelore, përfshirë kufizimin e lirisë së shprehjes, pengimin e komunikimit me median dhe kufizime në kontaktet me familjarët dhe bashkëpunëtorët politikë.
Blushi thekson se raporti përforcon edhe gjetjet e mëparshme të Avokatit të Popullit, rekomandimet e të cilit, sipas tij, janë shpërfillur prej muajsh.
Një nga çështjet kryesore të ngritura lidhet me kohëzgjatjen e ajrimit. KShH konstaton se Meta ka qëndruar në ambiente të hapura më pak se 2 orë në ditë, në kundërshtim me legjislacionin në fuqi, ku në disa raste ajrimi ka zgjatur vetëm 40 deri në 90 minuta.
Raporti evidenton gjithashtu kufizime në takimet me përfaqësues politikë dhe familjarë. Sipas KShH, këto takime janë trajtuar si familjare, duke kufizuar numrin e tyre dhe duke sjellë, sipas raportit, një cenim të të drejtave të parashikuara me ligj.
Po ashtu, përmendet edhe çregjistrimi i një numri kontakti të një zyrtari të Partisë së Lirisë, që sipas Blushit ka ndikuar në izolimin e Metës dhe kufizimin e komunikimit të tij politik.
Reagimi i plotë:
Falenderim publik për Komitetin Shqiptar të Helsinkit, që në kushte jashtëzakonisht të vështira dhe nën një klimë presioni të vazhdueshme, ia ka arritur të kryejë me profesionalizëm, paanësi dhe integritet misionin e tij të monitorimit dhe verifikimit të kushteve kriminale të paraburgimit politik të Presidentit të Partisë së Lirisë, Z. Ilir Meta.
Raporti konfirmon pa asnjë ekuivok vërtetësinë e të gjitha denoncimeve publike të Presidentit Meta, jo vetëm lidhur me shkeljet flagrante të lirive dhe të drejtave të tij themelore njerëzore dhe politike gjatë paraburgimit në IEVP “Jordan Misja”, por edhe kushtet çnjerëzore për të gjithë të paraburgosurit e tjerë, që vuajnë po njësoj në të gjithë vendin.
Jo vetëm kaq, por ky raport përforcon edhe konstatimet e mëparshme të institucionit kushtetues të Avokatit të Popullit, rekomandimet e të cilit për muaj me radhë janë shpërfillur qëllimisht, duke konfirmuar se kjo situatë shumë e rëndë nuk është rezultat i neglizhencës apo papërgjegjshmërisë, por dëshmi e qartë e persekucionit të qëllimshëm politik të Z. Meta të urdhëruar drejtpërdrejt nga Edi Ramës, që siç dihet botërisht është “de facto” jo vetëm gardiani, përgjegjësi i seksionit, drejtori i IEVP “Jordan Misja”, por njëherazi edhe Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve.
Trajtimi çnjerëzor dhe degradues, kushtet denigruese dhe poshtëruese që i janë imponuar për më shumë se 20 muaj Z. Meta, si dhe kufizimet e padrejta që variojnë nga cenimi flagrant i lirisë së shprehjes deri te pengimi i kontakteve me familjarët dhe bashkëpunëtorët politikë, tashmë janë të dokumentuara qartë në këtë raport të KSHH, alarmues sa i përket nivelit të shkeljes së legjislacionit të brendshëm, Kushtetutës, por edhe të standardeve të Këshilli i Evropës mbi Rregullat Evropiane të Burgjeve, si dhe të praktikës së konsoliduar të Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut.
Konkretisht, KSHH evidenton cënimin e lirisë së shprehjes së Z. Meta, referuar faktit se ai është privuar nga e drejta për të komunikuar me median, të drejtë që ia garanton ligji, në veçanti me gazetarët që janë pajisur me leje nga Prokuroria e Posaçme SPAK për ta intervistuar.
(DOKUMENTI 2)
KSH konstaton gjithashtu vërtetësinë e denoncimit publik të Z. Meta lidhur me trajtimin diferencues, duke mos u lejuar, në shkelje flagrante të ligjit, që të dalë në ajrim dy herë në ditë si pjesa tjetër e të paraburgosurve dhe të burgosurve, si dhe duke qëndruar në mjedise të hapura më pak se dy orë në ditë.
(DOKUMENTI 3)
“Kjo ankesë u verifikua nga gjetjet e monitorimit dhe këqyrja e librit të hyrje-daljeve për periudhën 06-09 Prill 2026, ku rezultoi se kohëzgjatja e ajrimit ka qenë më pak se 2 orë, duke variuar nga 40 deri në 90 minuta në ditë. Ky fakt bie ndesh me me pikën 1 të nenit 37¹ të ligjit nr. 81/2020 “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve” i cili garanton jo më pak se 2 orë ajrim në ditë. KShH rekomandon marrjen e masave të menjëhershme për respektimin e kohës ligjore të ajrimit dhe trajtim të barabartë me të paraburgosurit e tjerë”.
Një tjetër shkelje flagrante e ligjit, e konstatuar gjithashtu nga KSHH, që konfirmon vërtetësinë e denoncimit të Z. Meta, që gjithashtu është një nga 9 rekomandimet ende te pazbatuara qëllimisht prej muajsh të Avokatit të Popullit, lidhet edhe takimet e tij me familjarët dhe bashkëpunëtorët politikë në ambientet e paraburgimit.
(DOKUMENTI 4)
“Meta u ankua se takimet me përfaqësues të partisë politike që ai drejton dhe me deputetët e Kuvendit të RSH llogariten si takime familjare, duke i kufizuar numrin total të takimeve të lejuara së paku 4 herë në muaj. Sikurse e ka evidentuar edhe në korrespondenca te mëhershme, KShH vlerëson se ky kufizim përbën shkelje të nenit 51 të ligjit nr. 81/2020, I cili parashikon se deputetët kanë të drejtë të hyjnë në institucion pa autorizim paraprak dhe pa asnjë kufizim të shprehur në numër takimesh. Duke konsumuar ‘kuotën’ e takimeve me subjekte politike, i paraburgosuri privohet de-facto nga kontakti me familjen, situatë kjo që sjell cënim të detyrimeve që burojnë nga nenet 49 dhe 49 të Ligjit nr.81/2020, si dhe dobëson efektivisht lidhjet e të paraburgosurit në kontakte fizike të rregullta me familjarët e tij.”
Në këtë kuadër, KSHH ka konstatuar edhe faktin, gjithashtu një rekomandim tjetër i Avokatit të Popullit, që qëllimisht nuk zbatohet, sa i përket heqjes së paligjshme të numrit të regjistuar të Sekretarit të Përgjithshëm, të Partisë së Lirisë, numër i ç’regjistruar në funksion jo vetëm të izolimit ekstrem por edhe për t’i pamundësuar në ekstrem Z. Meta komunikimin e tij politik me drejtuesit e partisë.
(DOKUMENTI 5)
Vijojmë me të tjera shkelje të të drejtave themelore të njeriut, sa i përket kushteve të paraburgimit
(DOKUMENTI 6 – ZILJA E EMERGJENCËS)
(DOKUMENTI 7 – MOSPËRFSHIRJA NË AKTIVITETE SPORTIVE)
(DOKUMENTI 8 – HIGJENA)
(DOKUMENTI 9 – DRITA)
(DOKUMENTI 10 – BIBLIOTEKA)
Këto fakte përbëjnë një shkelje të rëndë jo vetëm të legjislacionit të brendshëm, Kushtetutës, KEDNJ por edhe të standardeve të Këshilli i Evropës mbi Rregullat Evropiane të Burgjeve, si dhe të praktikës së konsoliduar të Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut.
Heshtja dhe mosveprimi përballë këtyre shkeljeve shumë të rënda të të drejtave të njeriut, reflekton jo vetëm persekutimin politik të Z. Meta dhe shndërrimin e institucionit të paraburgimit në një institucion mesjetar ndëshkimi politik nga Edi Rama, por përbëjnë edhe shkelje që minojnë themelet e shtetit të së drejtës.
Sepse nuk janë vetëm kushtet e Z. Meta, por këto janë edhe standardet e trajtimit të të gjithë të paraburgosurve të tjerë, jo vetëm te 313 por në mbarë vendin, përfshi edhe standardet e trajtimit çnjerëzor të vetë gardianëve, që punojnë në kushte shumë të vështira, me paga mizerabël dhe që nuk trajtohen financiarisht për orët shtesë.
I bëjmë thirrje publike Ministrit të Drejtësisë, Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve të reagojnë pa vonesë, jo vetëm në zbatimin e 9 rekomandimeve të Avokatit të Popullit por edhe të rekomandimeve të fundit të KSHH.
I bëjmë thirrje gjithë institucioneve ndërkombëtare që monitorojnë të drejtat e njeriut në vendit tonë, të reagojë fuqishëm dhe të nxisin Qeverinë shqiptarë të heqë dorë nga trajtimi çnjerëzor ndaj të gjithë të paraburgosurve, si dhe praktikave kriminale ndëshkimore ndaj drejtuesve politikë.
Dy palë verifikime, Avokati i Popullit dhe KSHH që konfirmojnë shkeljen me qëllim të ligjit, vë para përgjegjësisë edhe drejtësinë që duhet të reagojë menjëherë për këto dosje të gatshme, që meritojnë hetim të thelluar dhe ndëshkim sipas ligjit, jo vetëm në funksion në vend të sjelljes kriminale ndaj Z. Meta por edhe vendosjen e një standardi për mënyrën e trajtimit të gjithë të paraburgosurve në Republikën e Shqipërisë.
Nuk mund të ketë Shqipëri europiane në një realitet ku standardet themelore të shtetit ligjor rrëzohen njëra pas tjetrës, ku lufta kundër korrupsionit mbetet selektive, ku liria e medias dhe e shprehjes degradojnë, dhe ku liritë politike shtypen përmes praktikave të papranueshme të ndëshkimit dhe paraburgimit.
Një vend që trajton të paraburgosurit në mënyrë çnjerëzore dhe përdor sistemin e drejtësisë si instrument presioni politik, jo vetëm që largohet nga vlerat europiane, por rrezikon të kthehet në një model që bie ndesh me çdo standard demokratik. Madje, në disa raste, këto praktika janë më shqetësuese sesa mënyra se si regjime autoritare, si ai i Vladimir Putin, kanë trajtuar kundërshtarët e tyre politikë, ku figura si Alexei Navalny apo Mikhail Khodorkovsky kanë pasur mundësi të komunikojnë dhe të japin intervista publike.
Pa garantimin real të të drejtave themelore të njeriut, pa standarde minimale humane në sistemin e paraburgimit dhe pa respekt për pluralizmin politik, çdo retorikë për integrim të shpejtë në BE mbetet thjesht propagandë. Integrimi europian nuk është një proces formal, por një provë konkrete e demokracisë funksionale një provë që Shqipëria, në këto kushte, rrezikon ta dështojë. bw
Komandanti i misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR, gjeneralmajori turk, Ozkan Ulutash, tha se që nga tetori i vitit 2025, situata e sigurisë në Kosovë është përgjithësisht e qetë, por me potencial që të ketë tensione të reja.
“Ne nuk kemi parë përsëritje të dhunës, siç kemi parë më 2023. Megjithatë, situata mbetet e brishtë, me potencial për tensione të reja, veçmas në veri të Kosovës”, tha ai gjatë një takimi me ambasadorët e shteteve të NATO-s dhe partnerëve që kontribuojnë në NATO në Bruksel më 29 prill.
Tensionet në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe, më 2023, fillimisht në maj, kur serbët lokalë kundërshtuan nisjen e punës të kryetarëve shqiptarë të katër komunave në veri, të cilët u zgjodhën pasi serbët lokalë bojkotuan zgjedhjet lokale.
Tensionet kulmuan në shtator të po atij viti, kur një grup i serbëve të armatosur sulmoi Policinë e Kosovës në Banjskë të Zveçanit, duke vrarë rreshterin Afrim Bunjaku.
Përgjegjësinë për sulmin e mori Millan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe – partisë kryesore të serbëve që gëzon mbështetjen e Beogradit.
Kosova fajëson Serbinë për sulmin, por Beogradi mohon çdo përfshirje.
Më herët gjatë këtij viti, shefi i NATO-s, Mark Rutte, ka thënë se ende pret që Serbia të përcaktojë përgjegjësinë për Banjskën.
Ulutash gjatë takimit në Bruksel po ashtu tha se ka nevojë “urgjente për një zgjidhje afatgjatë politike”.
“NATO vazhdon ta mbështesë plotësisht dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian për normalizimin e raporteve mes Prishtinës dhe Beogradit. Në fund, stabiliteti varet kur të gjitha palët zgjedhin diplomacinë mbi dhunën. Rruga drejt paqes afatgjatë është politike, nuk është ushtarake. KFOR do të vazhdojë ta mbështesë këtë proces”, tha Ulutash.
Kosova dhe Serbia zhvillojnë dialog, nën ndërmjetësimin e BE-së, që nga viti 2011.
Një sërë marrëveshjesh janë arritur përgjatë viteve të dialogut, por shumë nga to nuk janë zbatuar në terren.
Megjithatë, takim në nivelin e lartë politik mes Kosovës dhe Serbisë nuk ka pasur që nga shtatori i vitit 2023. Takimi i fundit mes Kurtit dhe Vuçiqit ishte zhvilluar disa ditë para sulmit të armatosur në Banjskë të Zveçanit, për të cilin Kosova e fajëson Serbinë, por Beogradi mohon çdo përfshirje.
Ish-deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe bashkëpunëtorja e ngushtë e Presidentit Ibrahim Rugova, Melihate Tërmkolli, ka lëshuar një kritikë të ashpër ndaj partive opozitare në Kosovë.
Postimi i plotë në rrjetet sociale:
Si ka mundësi që në seancën e Kuvendit për President-e, e cila po mbahet tash, nuk është prezente e quajtura opozitë, së paku për të sqaruar qëndrimet e tyre apo refuzimin, procesin e deritanishëm për këtë çështje, argumentet e tyre, qëllimet e tyre, etj!
Kujt po i shërbejnë këta frikacakë, maskarenj?!
Kosoves, jo!
Po e bëjnë Albinin me pushtet të “ përjetshëm”!
Kosova po dëmtohet, mbase pariparueshëm!
Ivan Trifunoviq, i cili ka qenë aktiv si lobist i qeverisë serbe në SHBA dhe nga ministri i jashtëm Marko Gjuriq është shpërblyer me postin e ambasadorit të Serbisë në Bernë, e ka lavdëruar kryetarin e Pejës dhe anëtarit të Kryesisë së LDK-së, Gazmend Muhaxheri, i cili e ka krahasuar kryeministrin e Kosovës Albin Kurti me Sllobodan Millosheviqin.
Në një intervistë për portalin zviceran të lajmeve “20 minuten” ambasadori i Serbisë në Bernë, Ivan Trifunoviq, ka folur edhe për situatën në Kosovë. Ai e ka quajtur qeverinë e Kosovës të drejtuar nga Albin Kurti si “ekstremiste”. Si shembull Trifunoviq ka marrë një deklaratë të kryetarit të Pejës dhe anëtarit të Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Gazmend Muhaxheri.
Trifunoviq e lavdëroi Muhaxherin duke thënë: “Vetë udhëheqësit e opozitës shqiptare thonë për Kurtin: Ajo që ai po u bën serbëve është e papranueshme. Kryetari i komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, e ka krahasuar veprimin e Kurtit në komunat serbe me veprimin e Millosheviqit në vitin 1989 ndaj Kosovës”.
Trifunoviq, një biznesmen serb i emigruar në SHBA, ka qenë aktiv si lobist i qeverisë serbe në Washington dhe nga ministri i jashtëm Marko Gjuriq është shpërblyer me postin e ambasadorit të Serbisë në Bernë. Trifunoviq tha se qeveria e Kurtit dëshiron t’i heqë qafe serbët e Kosovës ngjashëm siç ka bërë Kroacia me pakicën serbe. Ambasadori serb në Bernë tha se policia e Kosovës po hyn në shkolla e spitale të menaxhuara nga serbët, gjë që sipas të gjitha raportimeve të deritanishme është e pavërtetë. Trifunoviq përmendi, sipas tij, “arrestimet arbitrare” të serbëve në Kosovë, por nuk përmendi me asnjë fjalë sulmin terrorist të bandës së Millan Radoiçiqit më 2023, me ç’rast u vra një polic i Kosovës. Megjithatë, sipas Trifunoviq, çfarë po bën qeveria e Kosovës në veri është “saktësisht ajo që Millosheviqi u bëri shqiptarëve”. Trifunoviq deklaroi se një përfaqësues i qeverisë serbe ka thënë se Ushtria Çlirimtare e Kosovës ishte një organizatë terroriste. Ai, sipas Trifunoviq, u arrestua, për diçka që hyn te liria e tij e shprehjes. “A synojnë të arrestojnë çdo zyrtar apo diplomat serb që thotë se UÇK-ja ka qenë një organizatë terroriste – përfshirë edhe mua?”, pyeti Trifunoviq./koha.net
Një person me fletëvotim në dorë duke shkuar për ta hedhur votën e vet në kutinë e votimit në zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit 2025.
Ekrem Idrizi
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë tani ka pak më shumë se një muaj kohë për t’i përgatitur dhe zhvilluar zgjedhjet e reja të parakohshme parlamentare, të tretat radhazi brenda rreth një vitit e gjysmë.
Zgjedhjet e reja vijnë pasi Kuvendi dështoi ta zgjedhë një president të ri brenda afatit, duke e zhytur vendin në një krizë të re politike.
Kuvendi kishte afat deri në mesnatën e së martës për ta zgjedhur kreun e shtetit, pasi mandati i presidentes Vjosa Osmani përfundoi në fillim të prillit. Por kryeministri Albin Kurti dhe partitë opozitare nuk arritën marrëveshje për zgjedhjen e presidentit të ri.
Cilat janë data e mundshme për ditën e zgjedhjeve?
Janë vetëm dy data të mundshme për mbajtjen e zgjedhjeve të reja të parakohshme sipas procedurave ligjore: 31 maj dhe 7 qershor, sipas Melos Kolshit, hulumtues në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD).
Për shkak se presidenti nuk u zgjodh brenda afatit prej 34 ditësh që Gjykata Kushtetuese e kishte vendosur në një aktgjykim në mars, Kuvendi u shpërnda automatikisht më 28 prill, shpjegon Kolshi për Radion Evropa e Lirë (REL).
Përndarja e Kuvendit, sipas tij, nënkupton nisjen e menjëhershme të procesit drejt zgjedhjeve të reja, të cilat duhet të mbahen brenda 45 ditëve të ardhshme.
“Në këtë mënyrë, pas dështimit të Kuvendit për të zgjedhur presidentin, krijohet një rend i detyrueshëm veprimesh: së pari, shpërndarja automatike e Kuvendit si pasojë kushtetuese; së dyti, aktivizimi i kompetencës së ushtrueses së detyrës së presidentit për caktimin e datës së zgjedhjeve; dhe së treti, organizimi i zgjedhjeve të parakohshme brenda afateve të përcaktuara ligjore”, thotë Kolshi për REL-in.
Si caktohet data e zgjedhjeve?
Ushtruesja e detyrës së presidentit, Albulena Haxhiu, duhet tani t’i ftojë partitë politike në takim për të biseduar për datën e parapëlqyer për mbajtën e zgjedhjeve.
Këtë herë, ato do ta kenë më të lehtë të zgjedhin, sepse kanë vetëm dy opsione: 31 majin, ose 7 qershorin.
Pas një takimi të tillë dhe pajtueshmërisë për datën e zgjedhjeve, Haxhiu duhet ta shpallë zyrtarisht datën e zgjedhjeve të parakohshme dhe ajo ka kohë deri në fund të javës së ardhshme për ta bërë këtë.
“Ky vendim duhet të merret brenda një afati prej 10 ditësh nga dita e shpërndarjes së Kuvendit, ndërsa data e zgjedhjeve duhet të jetë në përputhje me kufijtë kohorë të përcaktuar me ligj, përkatësisht zgjedhjet nuk mund të mbahen më herët se tridhjetë (30) ditë dhe jo më vonë se dyzet e pesë (45) ditë nga dita e shpërndarjes”, tregon Kolshi.
Pse vetëm dy data të mundshme?
Gjithë këto zhvillime kanë bërë që të mos ketë shumë opsione.
Përveç afatit kohor prej 30 deri në 45 ditë pas shpërndarjes së Kuvendit, ekziston edhe një praktikë zgjedhore në vend që lë kaq pak hapësirë: mbajtja e zgjedhjeve në një ditë fundjave.
“Gjithashtu, ligji kërkon që zgjedhjet të mbahen në një ditë të diel, duke respektuar praktikën dhe standardet zgjedhore; në këtë rast konkret, duke pasur parasysh se data e shpërndarjes së Kuvendit është 28 prill, datat e mundshme për mbajtjen e zgjedhjeve janë 31 maj dhe 7 qershor”, shpjegon Kolshi.
Sipas Kolshit, ky zhvillim përfaqëson një shembull tipik të mënyrës se si Gjykata Kushtetuese, përmes interpretimit të saj, ka saktësuar dhe operacionalizuar normat kushtetuese, duke krijuar një mekanizëm të qartë dhe automatik për zgjidhjen e krizave institucionale.
“Njëkohësisht e ka kufizuar hapësirën për ndërhyrje diskrecionale nga ana e ushtrueses së presidentit në këtë rast, e po ashtu ka kufizuar mundësitë për ndonjë abuzim eventual me të drejtat e afatet nga ndonjë subjekt”, përfundon ai.
Biografia e dr. Feride Rushiti, kandidate për Presidente:
Feride Rushiti është mjeke dhe aktiviste e shquar për të drejtat e njeriut, një nga figurat kyçe në Kosovë dhe ndërkombëtarisht në fushën e rehabilitimit të viktimave të torturës dhe të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës. E lindur më 12 shtator 1970 në Kosovë, ajo u diplomua në Fakultetin e Mjekësisë në Tiranë, ku u specializua në gastroenterologji.
Fillimisht e orientuar drejt një karriere klinike, rrjedha e jetës së saj ndryshoi rrënjësisht gjatë luftës së Kosovës (1998–1999), kur shërbeu si mjeke në kampet e refugjatëve shqiptarë në Shqipëri, duke trajtuar viktima të dhunës, torturës dhe traumës së rëndë psikologjike.
Kjo përvojë u bë pikëkthese, duke e orientuar drejt angazhimit afatgjatë në drejtësi, rehabilitim dhe mbrojtje të të drejtave të njeriut. Menjëherë pas luftës, në vitin 1999, ajo themeloi dhe vazhdon të drejtojë Qendrën Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (KRCT/QKRMT), organizata e parë e këtij lloji në Kosovë, e cila u krijua për të ofruar mbështetje gjithëpërfshirëse për viktimat e luftës. Nën udhëheqjen e saj, KRCT ka zhvilluar një model të integruar multidisiplinar që përfshin trajtim mjekësor, këshillim psikosocial, asistencë ligjore dhe avokim për politika publike, duke u shndërruar në një nga modelet më të avancuara në rajon për rehabilitimin e viktimave të torturës dhe traumës së luftës.
Gjatë më shumë se dy dekadave, puna e saj ka ndikuar drejtpërdrejt në jetën e mbi 18,000 përfituesve, përfshirë mijëra të mbijetuar të dhunës seksuale gjatë luftës, një nga kategoritë më të stigmatizuara në shoqërinë kosovare. Përmes një qasjeje të qëndrueshme dhe të ndjeshme ndaj traumës, ajo ka qenë ndër zërat kryesorë në thyerjen e heshtjes dhe në sfidimin e stigmës shoqërore, duke kontribuar në ndryshimin e narrativës publike nga turpi dhe heshtja drejt dinjitetit, njohjes dhe drejtësisë.
Në nivel institucional dhe ligjor, kontributi i saj ka qenë thelbësor në avancimin e të drejtave të të mbijetuarve. Ajo ka luajtur rol aktiv në proceset avokuese që çuan në ndryshimet ligjore të vitit 2014, përmes të cilave të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës u njohën zyrtarisht si viktima civile të luftës në Kosovë, si dhe në krijimin e mekanizmave shtetërorë për verifikim dhe përfitime financiare, që filluan të zbatohen nga viti 2017. Përveç kësaj, ajo ka kontribuar në zhvillimin e politikave dhe praktikave për drejtësi tranzicionale, dokumentimin e krimeve të luftës dhe promovimin e reparacioneve për viktimat.
Angazhimi i saj shtrihet edhe në nivel ndërkombëtar, ku ajo ka ndarë përvojën e Kosovës si model për vendet që përballen me pasojat e konflikteve, përfshirë Irak, Ukrainë dhe Kolumbi. Ajo ka bashkëpunuar me organizata ndërkombëtare, institucione akademike dhe mekanizma globalë për të drejtat e njeriut, duke kontribuar në avancimin e njohurive mbi traumën, rehabilitimin dhe drejtësinë për viktimat e dhunës.
Puna dhe lidershipi i saj janë vlerësuar me çmime të rëndësishme ndërkombëtare, ndër të cilat spikat çmimi prestigjioz International Women of Courage Award, i akorduar në vitin 2018 nga Departamenti i Shtetit i SHBA-së, në shenjë njohjeje për guximin dhe përkushtimin e saj në mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Në vitin 2025, ajo u nominua për Çmimin Nobel për Paqe, duke reflektuar ndikimin e saj të gjerë në promovimin e drejtësisë dhe dinjitetit për viktimat e luftës.
Dr. Feride Rushiti mbetet një nga pionieret e drejtësisë tranzicionale në Kosovë, duke ndërtuar ura mes shërimit individual dhe drejtësisë shoqërore. Misioni i saj është i qartë dhe i qëndrueshëm: ndërtimi i një shoqërie ku viktimat e luftës trajtohen me dinjitet, ku drejtësia është e qasshme dhe ku stigma zëvendësohet me njohje, solidaritet dhe përgjegjësi institucionale. Përmes punës së saj të palodhshme, ajo ka kontribuar jo vetëm në shërimin e mijëra individëve, por edhe në transformimin e vetë shoqërisë kosovare drejt një kulture më të drejtë dhe më humane.
Përurimi i muralit me portretin e Ferdonije Qerkezit në Prishtinë. KallXO.com.
Në Ditën e Personave të Zhdukur, më 27.04.2026, është përuruar murali me fotografinë e Ferdonije Qerkezit, e njohur si Nënë Ferdonija, së cilës ushtria serbe i vrau burrin dhe katër djemtë gjatë luftës në Kosovë.
Murali me foton e Nënë Ferdonijes, i realizuar nga organizata “Youth Initiative for Human Rights Kosovo” (YIHRKS ) dhe punuar nga Ermira Murati, e njohur si “Orange girl”, është vendosur në murin anësor të një ndërtese në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në Prishtinë.
Murali është inauguruar në Ditën Kombëtare të Personave të Zhdukur në Kosovë, “27 Prilli”, në kujtim edhe të të gjithë personave të zhdukur gjatë luftës dhe në nderim të familjeve që vazhdojnë të kërkojnë të vërtetën dhe drejtësi.
Portreti paraqet Nënën Ferdonijen, nëna nga Gjakova, e cila humbi bashkëshortin dhe katër djemtë e saj gjatë luftës. Për dekada me radhë, ajo vazhdon të kërkojë përgjigje për fatin e dy djemve dhe burrit të saj. Derisa eshtrat e dy djemve të tjerë janë gjetur dhe janë identifikuar. Këmbëngulja dhe forca e saj e kanë kthyer në një simbol të fuqishëm të përballjes së humbjes së mijëra familjeve të personave të zhdukur në Kosovë.
Sipas organizatorëve, ky mural nuk përfaqëson vetëm historinë e saj, por edhe dhimbjen, pasigurinë dhe shpresën e të gjitha familjeve që ende presin përgjigje.
Marigona Shabiu, Drejtorë Ekzekutive e YIHRKS, tha se sot ky mural është njëkohësisht edhe një ri-afirmim për të kujtuar pse kujtesa kolektive ka rëndësi në ndërtimin e një shoqërie të drejtë dhe paqësore.
Sipas saj, Dita e Personave të Zhdukur është një moment për të kujtuar dhe punuar për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur, siç tha ajo ende u mungojnë familjeve të tyre, të cilat për më shumë dekada dy dekada presin në ankth për fatin e tyre.
“Ky mural mban portretin e një gruaje që përfaqëson këtë realitet në mënyrë më të qartë, jo vetëm për atë që ka përjetuar por, por edhe mënyrën se si ka zgjedhur të qëndrojë e fortë e të vazhdojë të kërkojë të vërtetën”- tha Shabiu.
Ndërsa Kushtrim Gara nga Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur, tha se me këtë moral nderohen mijëra familje, të cilat ende presin zbardhet fati i personave të dashur.
“Është detyrë e jona që kjo pritje të mos mbetet simbol por një angazhim i vazhdueshëm deri në ndriçimin e fatit të të zhdukurve me dhunë”- tha Gara.
Kurse Nënë Ferdonija falënderoi organizatoret duke bërë thirrje për angazhim të vazhdueshëm për fatin e të pagjeturve.
“Ju falënderoj për këtë mural por edhe për këtë organizim”- tha ajo.
Një fjalë rasti mbajti edhe autorja e muralit, Ermira Murati.
Përurimi i muralit me portretin e Ferdonije Qerkezit në Prishtinë. KallXO.com.Përurimi i muralit me portretin e Ferdonije Qerkezit në Prishtinë. KallXO.com.Përurimi i muralit me portretin e Ferdonije Qerkezit në Prishtinë. KallXO.com.
Seanca për zgjedhjen e presidentit të Kosovës vazhdon sot, në ditën kur skadon edhe afati i përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese.
Në seancën e së hënës, ku morën pjesë vetëm deputetët e shumicës, u votua për dy kandidatet për presidente, të propozuara nga Lëvizja Vetëvendosje: Feride Rushiti dhe Hatixhe Hoxha.
Rushiti mori 63 vota në rundin e parë, ndërsa Hoxha asnjë votë. Një votë tjetër ishte e pavlefshme.
Përfaqësues të opozitës dhe të shoqërisë civile thanë se votimi i presidentit pa kuorumin e nevojshëm, cenon rendin kushtetues. REL
Kuvendi i Kosovës zhvilloi dje një seancë plenare të rëndësishme kushtuar procesit të zgjedhjes së presidentit të ri të vendit, në prag të përfundimit të afatit kushtetues për finalizimin e këtij procesi.
Seanca u karakterizua nga mungesa e opozitës, pasi deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës, Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës bojkotuan diskutimin, duke thelluar më tej ngërçin politik.
E marta shënon afatin e fundit për zgjedhjen e presidentit. Në rast se procesi dështon, vendi rrezikon të hyjë në një krizë të re politike, me gjasë duke çuar drejt zgjedhjeve të jashtëzakonshme.
Seanca plenare pritet të vijojë edhe sot në orën 10:00, ndërsa mbetet për t’u parë nëse do të ketë zhvillime konkrete drejt zgjidhjes së situatës. bw
Lidhjet me SHBA, Aleatin ekzistencial, i kanë krijuar mendjendriturit, Elita e Kosovës para 4 dekadash me ndihmën e fuqishme të komunitetit Shqiptaro-Amerikan.
Prof.Jusuf Buxhovi kujton sot në rrjetin social si më poshtë:
“Përkujtesë historike
KUR I VIHESHIN THEMELET MIQËSISË ME SHBA-të
Në ditën e sotme, para 36 vitesh në Uashington, me Dr Ibrahim Rugovën , akademik Idriz Ajetin, kolonel Tomë Brishën, prof. M. Berishajn, Halil Matoshin e të tjerë – vizitë varrezave nacionale pas dëshmive në Kongresin Amerikan.”
Bashkë gjithmonë: në hap me dr.Rugovën, në Uashigton, në ditën e sotme para 36 vitesh…
Komentet