VOAL

VOAL

Kompania ruse e naftës futet ilegalisht në Kosovë

December 15, 2016
blank

Komentet

blank

Sveçla publikon foton: Njëri nga terroristët e vrarë ishte truprojë e Vulinit

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, ka njoftuar se njëri nga tre sulmuesit e armatosur serbë, të vrarë në aksionin e Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit të dielën, është truproje e shefit të Agjencisë së Inteligjencës në Serbi (BIA), Aleksandar Vulin.

POSTIMI I PLOTE

Dje përmes video-pamjeve dëshmuam prezencën e kryekriminelit dhe udhëheqësin e aksionit terrorist Milan Radojiçiq. Ndërkaq, sot është konfirmuar që njëri nga të vrarët që ishte po ashtu pjesëmarrës i atij akti është edhe Bojan Mijailoviq, trupëroja e shefit të BIA-s serbe, Aleksandar Vulin, në vizitën e tij në Republikën e Kosovës në vitin 2013.

Shteti i Serbisë është këmbë e krye i përfshirë në këtë sulm terrorist me qëllim destablizimin e Republikës së Kosovës. Për këtë gjë tashmë ekziston edhe lidhja formale e strukturore e përfshirjes së Aleksandar Vuçiq në sulmin e 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit: Milan Radojçiq, si nënkryetar i Listës serbe dhe trupëroja e Aleksandër Vulinit, shef i BIA-s. Të dy këta po ashtu të sanksionuar në listën e zezë të ShBA-ve. Të dy këta nga njerëzit më të afërt të presidentit të Serbisë.

Këto fakte janë dëshmi tjetër se synimet e Serbisë ndaj Republikës së Kosovës nuk kanë ndryshuar aspak nga koha e regjimit të Millosheviqit, ish-ministri i Propagandës së atij regjimi, tash president i regjimit aktual në Serbi. Edhe optimistët më të mëdhenj që deri tash e kanë gënjyer veten për ndryshimet në këtë shtet besoj janë bindur për të kundërtën këto ditë.

Dua të shpreh edhe njëherë mirënjohje për qendresën e Policisë së Kosovës atë ditë dhe për profesionalizmin e pashoq, aksion në të cilin nuk është lënduar lënduar asnjë civil.

blank

Hapet për qarkullim rruga që të çon në fshatin Banjskë të Zveçanit

Rruga që çon në fshatin Banjskë është liruar për qarkullim, njoftoi Koha.net nga vendi i ngjarjes.

Policia e Kosovës ka lejuar lëvizjen e makinave. Deri tani, në udhëkryqin që çon në këtë fshat Policia nuk lejonte automjete të tjera, veç atyre të banorëve të fshatit.

Situata po konsiderohet më e qetë. Sot pritet të merret vendimi se si do të procedohet tutje pas përfundimit të bastisjeve.

Të dielën, si pasojë e një sulmi të armatosur në Banjskë të Zveçanit u vra polici Afrim Bunjaku.

Në aksionin pasues të Policisë, dhjetëra sulmues të armatosur me uniforma serbë u rrethuan në fshatin Banjskë.

Policia u sulmua në vazhdimësi nga sulmuesit. Nga aksioni deri tani janë konfirmuar tre sulmues të vrarë e tetë të arrestuar. Është kapur edhe arsenal armësh, ndërsa disa sulmues të tjerë tashmë kanë ikur e po trajtohen në spitalet e Serbisë.

blank

Sulmi në veri- Nis me një minutë heshtje mbledhja e Qeverisë së Kosovës, 50 mijë euro për familjen e efektivit Bunjaku

Mbledhja e Qeverisë së Kosovës ka nisur sot me një minutë heshtje në nderim të policit Afrim Bunajku, i cili u vra të dielën nga sulmi terrorist në Banjskë të Zveçanit.

Mësohet se kabineti qeveritar i Kosovës akordoi një shumë prej 50 mijë eurosh, për t’i ardhur në ndihmë familjes së policit të vrarë, i shpallur dëshmor i atdheut. Kryeministri i vendit, Albin Kurti tha se të dielën është cenuar siguria kombëtare.

“Me mbi 5 milionë euro vlerë të armatimit është dëshmuar skenari për gjakderdhje në Kosovë…”, tha kryeministri Kurti. Ai ftoi qytetarët e vendit që sot kudo që shohin policët e Kosovës t’i falënderojnë ata për shërbimin ndaj Kosovës.bw

blank

Donika Gërvalla-Schwarz: Vendimi i Serbisë për të shpallur ditë zie për terroristë kërkon dënim universal dhe të qartë

Zv Kryeministrja dhe Ministrja e Jashtme e Kosovës Donika Gërvalla-Schwarz ka dënuar në Twitter glorifikimin dhe shpalljen ditë zie nga Beogradi të terroristëve që vranë policin e Kosovës Afrim Bunjakun duke shkelur sovranitetin e shtetit të pavarur:

Glorifikimi i terrorizmit nxit pa ndryshim më shumë dhunë dhe duhet refuzuar me vendosmëri.

Vendimi i Serbisë për të shpallur ditë zie për terroristët e neutralizuar nga policia e Kosovës në përgjigje të një sulmi terrorist vdekjeprurës,

kërkon dënim universal dhe të qartë.”

 

blank

Kurti: Vuçiç tha në takimin e 2 majit në Bruksel që Millan Radojçiq do të bëhet ‘Adem Jashari’ i serbëve

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë një reagim në rrjetin social Facebook në lidhje me ngjarjet e fundit në veri të vendit. Kurti ka treguar një bisedë mes tij dhe Vuçiç në Bruksel, me gjasë në prani të Lajçak dhe Borrell, ku Vuçiç ka thënë se Radojçiq do të bëhet Adem Jashari i serbëve.

Posotimi i Kurtit:

Kosova është shtet demokratik dhe vend properëndimor: kush integrohet, jeton më mirë. Serbët në Kosovë nuk kanë nevojë për çlirim nga Republika e Kosovës por nga veglat terroriste të Serbisë.

Vuçiq është i obsesionuar me kryekomandantin e UÇK-së, Adem Jasharin. Ai dëshironte që me 24 shtator ta shndërronte Manastirin Ortodoks të Banjskës në “Kullë të Jasharajve” për serbët e Kosovës! Në takimin e 2 majit në Bruksel na tha që Millan Radojçiq do të bëhet Adem Jashari i serbëve. Por, duke qenë diktator, ai s’e kupton historinë: epopeja dhe çlirimi nuk fabrikohen dhe as s’kopjohen.

blank

Ish-ministri i Jashtëm i Kosovës: Sulmi i ngjan aneksimit të Krimesë

Sulmi i ndodhur të dielën në veri të Kosovës, është i orkestruar nga shteti serb. Këtë e pohon edhe ish-ministri i jashtëm dhe nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Enver Hoxhaj.

I ftuar këtë mbrëmje në emisionin “Open” në News24 ai deklaroi se sulmi terrorist, për nga mënyra e përgatitjes, është e pamundur që të mos dihej si skenar nga shteti serb, teksa shtoi se sulmi i ngjan aneksimit të Krimesë. Ai tha se në këtë sulm do të merrnin pjesë mbi 200 ushtarë, si pjesë e fazës së parë.

Hoxhaj tha se pas kësaj ngjarjeje të rëndë, tashmë Kosova duhet ta shohë si një pikë kthese të gjithë atë që do të pasojë.

“ Është fitorja e mirëfilltë e policisë dhe shtetit të Kosovës, në një situatë që askush nuk mund ta parashikonte që e diela mund të dukej ashtu. Përpos dhimbjes ne krenohemi që kemi ditur të mbrojmë shtetin në atë situatë, pas një agresioni të mirëfilltë të shtetit serb ndaj Kosovës. Është akt terrorist mbi Kosovën. Axhenda ka qenë që në fillim politike, logjistika dhe mbështetja ka qenë nga shteti serb.

Të krijojnë realitete të reja politike, të merrnin kontroll mbi territor, mendohet se kanë qenë 200 vetë që do duhej të ishin pjesë e fazës së parë. Sulmi i ngjanë aneksimit të Krimesë, i barabartë me ngjarjet e Kroacisë dhe Bosnjes. Kjo është vetëm faza e parë, duhet ta shohim këtë ngjarje si pikë kthesë. Nuk mund të flasim tani me gjuhën e njëjtë që kemi fol deri para një jave.

I takon Kuritt që pas kësaj ngjarjeje, përtej fjalimeve politike, të ketë strategji në këtë situatë të re. Mund të ketë dhe skenarë në vazhdim. Sasia e armatimit, përgatitja logjistike, financimi, qëndrimi që ka mbajtur Vuçiç, tregon se pas kësaj ngjarjeje qëndron shteti serb. Gjëra të tilla të mëdha nuk ndodhin pa e ditur ai që është i pari në vend.

Rusia mund të ketë të përdorë Kosovën si zonë nevralgjike që mund ta shkundë paqen në Ballkan, por qëllimi është politik i shtetit serb”, tha ai.

blank

Kush është Millan Radoiçiqi?

Millan Radoiçiqi ka tjetër nam në Prishtinë, e tjetër në Beograd.

Autoritetet e Kosovës e përmendin si person në arrati, të sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara dhe të akuzuar disa herë si kriminel.

Në Serbi ai është konsideruar “mbrojtës” i serbëve të Kosovës, madje edhe nga presidenti i këtij shteti, Aleksandar Vuçiq.

Millan Radioiçiq është nënkryetar i Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve të Kosovës – e cila gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar.

Më 26 shtator, ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, e ka publikuar një video, ku pretendon se një burrë i veshur me uniformë dhe armë në duar, sikurse një grup burrash tjerë, është Radoiçiqi, i cili dyshohet se ka marrë pjesë në sulmet ndaj Policisë së Kosovës më 24 shtator në Banjskë.

Si pasojë e sulmeve është vrarë një zyrtar policor dhe tre sulmues.

Si është bërë i njohur emri i tij?

Radoiçiqi, 45-vjeçar, ka lindur në Gjakovë, qytet në jugperëndim të Kosovës.

Për organet e drejtësisë në Serbi, emri i tij është i njohur prej vitit 2011.

Në atë kohë, kundër tij dhe Zvonko Vesellinoviqit është ngritur aktakuzë në Beograd për përvetësimin e 32 kamionëve të firmës “Hipo Alpe Adria Lizing”.

Në atë periudhë ka nisur dialogu Kosovë – Serbi dhe të dy janë liruar nga akuzat në vitin 2016.

Radoiçiqi besohet se vazhdon punën në Serbi. Ai është bashkëpronar i kompanisë ndërtimore, INKOP nga Quprija – bashkë me vëllezërit Vesellinoviq – në të cilën ka 40 për qind të pronësisë.

INKOP-i ka blerë edhe kompanitë ndërtimore Novi Pazar – put dhe Betonjerka Aleksinac.

INKOP-i zotëron, po ashtu, kompaninë hoteliere DollyBell, e cila ka hotelin Grey në Kopaonik.

Veprimtaria e tij në Kosovë

Më 2017 ka qenë kryeministri i atëhershëm i Kosovës, Ramush Haradinaj, që e ka përmendur emrin e Radoiçiqit si njeri të fuqishëm në komunat në veri të banuara me shumicë serbe.

Haradinaj ka thënë se “[ai është] dikush nga veriu, i cili pyetet për gjithçka dhe unë bisedoj me të”.

Radioiçiqi është zgjedhur nënkryetar i Listës Serbe pak muaj pas vrasjes së politikanit serb nga Kosova, Oliver Ivanoviq, më 2018.

Emri i tij lidhet edhe me këtë vrasje, por epilog për këtë rast nuk ka ende.

Vetë ai e ka përshkruar akuzën e autoriteteve të Kosovës ndaj tij si tentim të Prishtinës për ta hequr qafe.

“… sepse e di se unë, së bashku me miqtë e mi dhe vëllezërit e mi, jemi ndër të paktët që mund t’i kundërshtojmë në synimin e tyre për të nëpërkëmbur dhe përvetësuar veriun e Kosovës dhe Metohisë dhe për të nënshtruar popullin serb”, ka thënë Radoiçiqi në atë kohë.

Urdhri për arrestimin e Radoiçiqit është tërhequr pa asnjë shpjegim në mars të vitit 2021 – mirëpo më vonë është kthyer prapë.

Rasti “Brezovica”

Katër vjet pas vrasjes së Ivanoviqit, në janar të vitit 2022, Radoiçiqi është shpallur sërish në kërkim nga autoritetet e Kosovës, nën dyshimet se ka ndikuar në frikësimin e dëshmitarëve në rastin e njohur si “Brezovica”.

Më shumë se 100 persona janë hetuar e dhjetëra të tjerë janë akuzuar për këtë rast që ka të bëjë me ndërtime pa leje, degradim të ambientit dhe marrje të ryshfetit.

Një muaj më vonë, në shkurt, Radoiçiqi i ka ikur Policisë së Kosovës në pikën kufitare në Bërnjak dhe ka hyrë nga Serbia në Kosovë.

Disa zyrtarë të Policisë së Kosovës janë suspenduar atëbotë për mosreagim adekuat.

Në korrik të atij viti, ai është futur sërish në mënyrë ilegale në territorin e Kosovës, dhe përmes një video-mesazhi, ka thënë se serbët e dinë se çfarë do të thotë për ta kthimi i tij në Kosovë.

Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, e ka përsëritur disa herë, prej korrikut të vitit 2021, se Radoiçiqi është në krye të kontrabandistëve që e sulmojnë Policinë e Kosovës.

Takimet me autoritetet e Kosovës

Emri i tij ka çuar në dhunë mes deputetësh në Kuvendin e Kosovës në korrik të këtij viti.

Në njërën prej seancave parlamentare, kryetarja e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari – Lila, është kritikuar ashpër për një audio-inicizim, në të cilin ajo e ka pranuar se ka biseduar me Radoiçiqin.

Por, kjo nuk ka qenë hera e parë që zyrtarë të Kosovës kanë biseduar dhe e kanë takuar atë.

Më 2017, Radoiçiqi besohet se është takuar edhe me Behxhet Pacollin, kryetarin e partisë Aleanca Kosova e Re (AKR). Mediat në Kosovë dhe Serbi e patën publikuar një fotografi ku Pacolli shihej në shoqërim të kryetarit të Listës Serbe, Goran Rakiq, dhe të Radoiçiqit. Takimi kishte ndodhur në një jaht luksoz në Mal të Zi.

Më 2018, kryeministri i atëhershëm, Ramush Haradinaj, e ka pritur atë në zyrën e kryeministrit.

Image

Haradinaj ka deklaruar se nuk ka qenë në kontakt me Radoiçiqin nga koha kur ai është arratisur nga autoritetet gjyqësore të Kosovës, por e ka pranuar se në një rast e ka vizituar bashkë me të presidentin e atëhershëm të Kosovës, Hashim Thaçi, në zyrën e tij.

Edhe vetë Radoiçiqi ka folur për kontaktet e tij me zyrtarët kosovarë. Në mars të vitit 2019, ai i ka thënë Televizionit Klan Kosova, në Prishtinë, se është takuar me Thaçin dhe Haradinajn.

“Jam takuar me të dy dhe jam takuar edhe me të tjerë. Ata u kanë premtuar serbëve kulla dhe qytete, që ata të jenë në anën e tyre dhe jo në anën tjetër. Por, ne nuk mund t’i shkelim interesat jetike serbe”, ka thënë Radoiçiq.

Takimet me Vuçiqin e zyrtarë të tjerë serbë

Image

Më 2 shkurt të këtij viti, Radoiçiqi ka marrë pjesë në një seancë të jashtëzakonshme në Parlamentin e Serbisë. I ftuar aty ka qenë edhe presidenti serb, Vuçiq.

Ndonëse në fotografinë më lart Vuçiqi nuk shihet, në fotografinë më poshtë, ai shihet duke i shtrënguar duart me Radoiçiqin.

Image

Nën sanksione të SHBA-së dhe Britanisë

Në dhjetor të vitit 2021, Departamenti amerikan i Thesarit e ka sanksionuar Radoiçiqin, bashkë me Zvonko Vesellinoviqin, vëllain e tij, Zharkon, dhe dhjetë persona të tjerë të lidhur me ta.

Në sqarim është thënë se Radoiçiqi ka qenë zëvendës i Zvonko Vesellinoviqit dhe udhëheqës i një grupi të organizuar kriminal, kur Vesellinoviq është tërhequr për pak kohë.

Po ashtu, është thënë se Radoiçiqi ka qenë përgjegjës për kontrabandën e armëve në grupin e krimit të organizuar të Vesellinoviqit. Radoiçiqi nuk është deklaruar për këto akuza.

Sipas autoriteteve amerikane, grupi kriminal i Vesellinoviqit është i përfshirë në një skemë të gjerë të ryshfetit, së bashku me zyrtarë të sigurisë kosovare dhe serbë, të cilët lehtësojnë tregtinë e paligjshme të mallrave, parave, narkotikëve dhe armëve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Një vit më vonë, më 2022, Radoiçiqi është sanksionuar edhe nga Mbretëria e Bashkuar, në kuadër të skemës së saj për luftim të korrupsionit në nivel global.

blank

E tmerrshme, ja si nderohen 3 terroristët serbë në Mitrovicën e Veriut. Kreu i Listës Serbe puth fotografitë e të vrarëve

Tre terroristët e vrarë në Banjskë, u nderuan sot në Mitrovicën e Veriut, në një kohë që është territor i Kosovës.

Qytetarë serbë, nderuan në një vend ku ishin vendosur fotografitë e tyre dhe qirinj, autorët e sulmit ndaj Policisë së Kosovës, ku për pasojë humbi jetën dhe një efektiv, dhe u plagos një tjetër.

Mes të të pranishmëve ishin dhe krerët e Listës Serbe, Goran Rakiç e Igor Simiç.

Goran Rakiç në një moment është përkulur dhe ka puthur fotografinë e një prej terroristëve të vrarë të dielën në Kosovë.bw

blank

Kurti: Vuçiçi donte ta kthente manastirin e Banjskës në kullë të Jasharajve

Policia ka përfunduar operacionin policor për bastisje në fshatin Banjskë të Zveçanit. Mësohet se sot do të vendoset se cilat do të jenë hapat e mëtejmë të policisë.

Ndërkohë, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar se presidenti i Serbisë, Aleksandat Vuçiç dëshironte të shndërronte manastirin e Banjskës në kullë të Jasharajve.

“Kosova është shtet demokratik dhe vend properëndimor: kush integrohet, jeton më mirë. Serbët në Kosovë nuk kanë nevojë për çlirim nga Republika e Kosovës por nga veglat terroriste të Serbisë. Vuçiq është i obsesionuar me kryekomandantin e UÇK-së, Adem Jasharin. Ai dëshironte që me 24 shtator ta shndërronte Manastirin Ortodoks të Banjskës në “Kullë të Jasharajve” për serbët e Kosovës! Në takimin e 2 majit në Bruksel na tha që Millan Radojçiç do të bëhet Adem Jashari i serbëve. Por, duke qenë diktator, ai s’e kupton historinë: epopeja dhe çlirimi nuk fabrikohen dhe as s’kopjohen”, ka thënë Kurti.

Gjatë ditës së sotme (e martë) policia në një hotel ka arrestuar edhe dy persona të dyshuar si dhe në zonën e fshatit Banjskë janë gjetur dhe janë konfiskuar disa mjete dhe arsenal armësh. Pas arrestimit të dy sulmuesve terroristë me armë zjarri ndaj zyrtarëve policorë, arrestimit të katër personave të dyshuar të cilët ishin hasur nën posedim ilegal të radiolidhjeve e të cilët dyshohet se ndërlidhen me grup terrorist, si dhe arrestimit të dy personave të dyshuar të hënën, numri i të arrestuarve deri më tani ka arritur në tetë persona.

Mjetet e konfiskuara gjatë së martës përbëjnë një veturë rëndë të blinduar, dy vetura dhe një ekskavator të cilat kanë qenë të mbushura me sasi të madhe të armatimit. Përpos kësaj, policia pati sekuestruar armatim në sasi të madhe edhe gjatë së dielës.

Në orët e para të së dielës së 24 shtatorit, një grup terroristësh sulmuan Policinë e Kosovës duke lënë të vdekur rreshterin Afrim Bunjaku, ndërsa plagosi dy policë të tjerë. Ndërsa në mesin e terroristëve mbeten të vrarë 3 prej tyre. Autoritetet në Kosovë kanë nxjerrë prova që implikojnë nënkryetarin e Listës Serbe, Milan Radoiçiq si udhëheqës të këtij grupi terrorist. Radoiçiç është i sanksionuar edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Britania e Madhe.bw

blank

Policia e Kosovës po vazhdon hetimet në zonën rreth Banjskës

Policia e Kosovës në një rrugë në afërsi të fshatit Banjskë, në veri të Kosovës më 26 shtator 2023.

 

Policia e Kosovës po i vazhdon të martën bastisjet nëpër shtëpi dhe objekte në dhe rreth fshatit Banjskë në veri të Kosovës, dy ditë pas një përleshjeje të armatosur me një grup personash, nga e cila mbeti i vdekur një polic dhe tre sulmues.

Hyrja në fshatin e Zveçanit vazhdon të jetë e bllokuar dhe nuk dihet kur do të hapet për qarkullim, tha më 26 shtator për Radion Evropa e Lirë zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani.

“Policia ende nuk e ka mbaruar punën, nuk dihet se kur do ta bëjë, ndoshta sot gjatë ditës”, tha Elshani.

Në Banjskë, fshatin e vogël rreth 55 kilometra larg kryeqytetit Prishtinë, mund të hyjnë dhe dalin vetëm banorët e tij me nevoja urgjente, sipas Elshanit.

Më 24 shtator, në orët e hershme të mëngjesit, Policia e Kosovës u sulmua nga një grup personash të maskuar dhe të armatosur derisa po shkonte për ta hetuar bllokimin e një rrugë nga dy kamionë pa targa në Banjskë. Si pasojë, u vra polici i Kosovës Afrim Bunjaku, ndërsa disa policë të tjerë u plagosën.

Pasi shtiu ndaj zyrtarëve policorë, grupi i armatosur iku dhe u strehua në manastirin e Banjskës, ku i vazhdoi përleshjet me policinë e Kosovës.

Gjatë shkëmbimit të zjarrit, policia i vrau tre sulmues të nacionalitetit serbë, ndërsa i arrestoi gjashtë të tjerë.

Ndërkohë në mbrëmjen e 25 shtatorit në hotelin Banjska janë arrestuar edhe dy persona të tjerë për armëmbajtje.

Vendet perëndimore dënuan ashpër sulmin e armatosur ndaj policisë së Kosovës dhe kërkuan një hetim urgjent dhe që personat e përfshirë të sillen para drejtësisë.

Kosova e ka bërë përgjegjëse Serbinë për sulmin, ndërsa Beogradi zyrtar serbët e Kosovës.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha të dielën se një “formacion terrorist dhe kriminal prej 30 vetave” mori pjesë në sulm.

Kurti i përshkroi sulmuesit e armatosur si “një njësi e organizuar profesionale, që ka ardhur për të luftuar në Kosovë”.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se personat e armatosur ishin serbë lokalë të Kosovës, “të cilët nuk mund të vuanin më terrorin e Kurtit”.

Vuçiq e dënoi vrasjen e policit të Kosovës, duke thënë se ajo “nuk mund të justifikohet”, por mohoi se Beogradi kishte ndonjë lidhje me sulmin.

blank

Drejtori i Policisë: Rreth 30 të dyshuar të tjerë ikën në këmbë, lanë pas 24 automjete

Drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, ka thënë së rreth 30 persona të përfshirë në sulmin ndaj Policisë së Kosovës në veri, kanë arritur të ikin nga Manastiri i Banjskës në këmbë.

Hoxha tha se ata kanë lënë pas 24 automjete, një prej të cilave mjet i blinduar. Brenda këtyre veturave, Hoxha tha se janë gjetur sasi e madhe e armatimit të kalibrave të ndryshëm.

“Personat e tjerë të dyshuar që bazuar në pamjet e sigurisë, mund të ishin rreth 30 persona kanë arritur që të largoheshin në këmbë nga hapësirat brenda dhe përreth manastirit të Banjskës, duke lënë mbrapa automjetet e tyre, që gjatë ekzaminimit të vendit të ngjarjes, rezulton të jenë 24 automjete, një mjet i blinduar, si dhe dy motorrë me katër rrota, në brendi të të cilave automjete gjendej në sasi e madhe e armatimit të kalibrave të ndryshëm”, ka deklaruar Hoxha në konferencën e përbashkët me Ministrin Xhelal Sveçla.

Në vendin e ngjarjes, Hoxha tha se janë gjetur trupat e tre personave të vrarë, të cilët ishin të pajisur me armë të gjata dhe të veshur me uniforma ushtarake.

“Gjatë ekzaminimit të vendin e ngjarjes, në hapësirat në dhe përreth Manastirit të Banjskës janë gjetur trupat e tre personave të vrarë që janë në process të verifikimit, të cilëyt dyshohet të jenë vrarë gjatë shkëmbimit të zjarrit me ekipet e Policisë së Kosovës. Personat e vrarë ishin të pajisur me armë të gjata dhe kishin të veshur uniforma dhe pajisje të tjera ushtarake”, ka thënë Hoxha.

blank

Kosovë: Të arrestuarit në Banjskë, ‘shtetas të Serbisë’

Të arrestuarit në Banjskë të Zveçanit, që dyshohet se ishin në kontakt me sulmuesit e Policisë së Kosovës, kanë shtetësi të Serbisë, konfirmon prokurori i Prokurorisë Speciale të Kosovës, Naim Abazi.

“Shtetas të tjerë nuk kemi”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.

Ai shton se disa nga të arrestuarit, përveç nënshtetësisë serbe, kanë edhe dokumente të Kosovës, por nuk specifikon se sa prej tyre kanë të tilla.

Sipas tij, të gjithë ata janë ende në proces të intervistimit.

Më 24 shtator, një pjesëtar i Policisë së Kosovës mbeti i vrarë kur persona të armatosur, rreth 30 syresh, sulmuan njësitet policore në fshatin Banjskë – zonë e banuar me shumicë serbe në veri të vendit.

Në përleshjet që pasuan midis grupit të armatosur dhe forcave të rendit u vranë tre sulmues dhe u arrestuan gjashtë persona që dyshohet se ishin të lidhur me ta, konfirmuan autoritetet. Ato nuk thanë nëse personat tjerë të armatosur, u larguan.

Prokuroria Speciale e Kosovës tha se të arrestuarve u është caktuar tashmë masa e ndalimit prej 48 orësh dhe se ata dyshohen për një sërë veprash, përfshirë “sulm kundër rendit kushtetues të Republikës së Kosovës”, “përgatitje të veprave terroriste” dhe “armëmbajtje pa leje”.

Duke folur në një konferencë për gazetarë të hënën, drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, tha se hetimet për të arrestuarit janë duke vazhduar.

“Sa i përket identifikimit të personave që kanë qenë prezentë, është duke u bërë një punë e madhe, por, për momentin, informacionet në këtë drejtim nuk mund t’i ndajmë me publikun”, tha Hoxha.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe ministri i tij i Brendshëm, Xhelal Sveçla, akuzuan Beogradin zyrtar për orkestrimin e sulmit në Banjskë.

Çfarë thonë autoritetet në Beograd?

Në Beograd nuk ka asnjë informacion zyrtar për sulmuesit e Policisë së Kosovës, përveç asaj që tha presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

“Serbët nga Kosova u rebeluan, pasi nuk deshën ta vuajnë më terrorin e Kurtit”, tha Vuçiq.

Por, nuk ka asnjë përgjigje zyrtare në pyetjet se kush janë sulmuesit, kush i ka trajnuar dhe me kë kanë qenë të lidhur.

Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë dhe Agjencia e Sigurisë dhe Informacionit nuk iu përgjigjën pyetjeve të Radios Evropa e Lirë nëse dikush nga grupi i sulmuesve ka kaluar në Serbi dhe nëse ai është arrestuar.

Meho Mahmutoviq, drejtor i spitalit në Novi Pazar, qytetit më të afërt përtej kufirit të Kosovës, nuk iu përgjigj kërkesës së REL-it për të komentuar deklaratat e ministrit të Brendshëm të Kosovës, Xhelal Sveçla, se gjashtë sulmues të policisë në Banjskë po trajtohen në këtë spital.

REL-i mori vesh jozyrtarisht nga një burim brenda spitalit se disa nga sulmuesit janë duke u trajtuar aty. Megjithatë, burimi nuk ka mundur ta thotë numrin e saktë dhe as të japë informacione për gjendjen e tyre shëndetësore.

Ekipi i REL-it shkoi te spitali në Novi Pazar pasditen e së hënës, por nuk vërejti prani të shtuar të policisë.

Qeveria e Serbisë dhe Zyra për Kosovën në Serbi nuk iu përgjigjën kërkesës së REL-it për t’i komentuar pretendimet e ministrit Sveçla se Millan Radoiçiq – nënkryetar i partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, Listës Serbe – është i lidhur me sulmin.

Qeveria serbe nuk iu përgjigj as pretendimeve të Prishtinës se grupi që ka sulmuar Policinë e Kosovës, dyshohet se është mbështetur aktivisht nga kjo qeveri.

As Presidenca e Serbisë nuk dha ndonjë koment.

Dushan Janjiq, nga Forumi joqeveritar për Marrëdhënie Etnike në Beograd, thotë për Radion Evropa e Lirë se është e zakonshme për hetimet që të mos zbulojnë emra, derisa të kontrollohet gjithçka.

“Nëse autoritetet në Beograd dinë vetëm atë që ka lexuar Vuçiq, atëherë duhet ta zëvendësojnë menjëherë Vulinin”, thotë Janjiq.

Aleksandar Vulin është kreu i Agjencisë për Siguri dhe Informacion të Serbisë (BIA). Ai është në listën e sanksioneve të Shteteve të Bashkuara, nën dyshimet për korrupsion dhe përfshirje në trafikun e drogës, si dhe për lidhje me Rusinë.

Janjiq thotë se, aktualisht, nuk ka informacione se ku janë “njëzet apo tridhjetë personat e mbetur nga grupi që u përlesh me Policinë e Kosovës”.

Autoritetet e Kosovës thanë se grupi prej rreth 30 sulmuesish ishte i armatosur me armë të rënda, përfshirë, sipas tyre: granata, armë ushtarake dhe disa automjete të blinduara.

Një sasi e madhe e këtij armatimi u konfiskua, tha Policia e Kosovës.

Janjiq thotë se motivi i sulmit ndaj Policisë së Kosovës është politik dhe përmend deklaratën e Vuçiqit se bëhet fjalë “për rebelim të popullit” serb.

“Tash e tutje mund të flasim për parapolici apo paraushtarakë brenda komunitetit serb”, thotë Janjiq.

Në një adresim të jashtëzakonshëm më 24 shtator, Vuçiq i hodhi poshtë akuzat se policia apo ushtria serbe janë të përfshira në sulmin në Banjskë.

Ekspertë të sigurisë në Kosovë thanë për Radion Evropa e Lirë se grupi që sulmoi policët kosovarë, nuk është strukturë spontane, por e organizuar dhe e parapërgatitur mirë.

“Tash, lind pyetja: A ka qenë drejtpërdrejt shteti serb i përfshirë në këtë strukturë apo kanë qenë elemente radikale të përziera? Kjo është vështirë të konfirmohet. Por, pasi që ka persona të arrestuar, atëherë informacionet se kush i ka shtyrë ata që të organizohen, do të gjenden”, tha Mentor Vrajolli nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë.

Edhe Charles Kupchan, ish-drejtor i çështjeve evropiane në Këshillin e Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, i tha REL-it se sulmi në veri duket se ishte një aksion “i organizuar mirë”.

Komuniteti ndërkombëtar e dënoi sulmin në Banjskë në termat më të fuqishëm.


Send this to a friend