Na erdhën për Shqipërinë
prapë kohë të vrerëta;
gjithë qielli është nxirë
nga re të zeza të errëta.
.
Atdhetarët ngado janë
ndiqen, mërgohen e vriten:
Luigjin në mars e vranë
dhe Bajramin pas ca dite.
.
Xhevdetin, djalin e rrallë,
shpura sot gjer në kufi,
kaloi me zemër të vrarë
la pas mëmën Shqipëri.
.
Kish ardhur nga Skrapari,
Mahmudi e solli në Butkë,
veshur me rroba fshatari
me gunë mbuluar trupnë.
.
Një vit e ca në male
në gjurmim edhe në ndjekje,
s’u përkul e s’u tremb fare,
dhe pse dënuar me vdekje!
.
Vërtet Shqipëria u bë,
po ne kërkuam lirinë,
ndaj populli u ngre,
Me at Fan Nolin në krye;
Xhevdeti ish nga të parët
dhe i fundit që u thye.
.
Edhe kur kaloi matanë,
s’mendoi veten, as shtëpinë:
mendoi vetëm për vatanë,
kish në zemër Shqipërinë.
—————————
(Butkë, Kolonjë, 1925)