Pas incidenteve të paprecedentë në Kretë dhe ndërhyrjes së prokurorit të Gjykatës së Lartë, i cili kërkoi hetime të menjëhershme për vepra si pengimi i transportit, dhuna ndaj punonjësve dhe shkaktimi i dëmeve, protestat e fermerëve në Greqi vijojnë të ashpërsohen.
Mëngjesin e sotëm, fermerët nga bllokadat e Thesalisë nisën pushtimin e porteve të Volosit atij të mallrave dhe atij tregtar si dhe të zyrës doganore duke hyrë me traktorë nga toka. Paralelisht, peshkatarët e zonës po bllokojnë portin edhe nga deti. Ndërkohë, raportohet se fermerët në Maqedoni po shqyrtojnë një veprim të ngjashëm në portin e Selanikut.
Fermerët dhe blegtorët e Greqisë Perëndimore po vijojnë qëndrimin në bllokadat e ngritura në Aitoloakarnania, Akai dhe Ilia.
Në Aitoloakarnania, autostrada Antirrio–Janinë mbetet e bllokuar në pikën e pagesës Angelokastro pranë Agrinios, ndërsa është bërë thirrje për mobilizim sot në orën 11:00 në urën Rio–Antirio.
Fermerët e Nafpaktisë, Doridës, Mesolongjisë dhe Vonitës mbajnë të bllokuara urat e Mornos dhe Evinos, si dhe qarkullimin në Rrugën Amvrakia.
Bllokada në Akrainë dhe Ilia: trafiku devijohet
Në Akai, bllokadat janë vendosur në autostradën Patra–Pirgus (në kryqëzimin e Kato Akai), në autostradën Patra–Korinth (në urën e Selinountas), në zonën e Aigios dhe në rrugën perimetrale të Patras (kryqëzimi Eglykada).
Për pasojë, trafiku i mjeteve devijohet nga porti K1 i Patras dhe nga kryqëzimet e Ovrisë drejt rrugëve lokale.
Edhe në Ilia situata mbetet e tensionuar, me bllokada në kryqëzimin e Pirgos dhe zonën e Lechaina.
Gjatë asamblesë së përgjithshme në Nikaia, përfaqësuesit e fermerëve reaguan ndaj ndërhyrjes së Gjykatës së Lartë, duke e cilësuar si “një lëvizje komunikimi nga qeveria që ndodhet nën presion”. Ata ngritën pyetjen pse drejtësia nuk veproi me të njëjtin zell ndaj skandalit të OPEKEPE.

Fermerët njoftuan se këtë të premte do të zgjerohen protestat në Larisa, përpara zyrave politike të Zëvendësministrit të Zhvillimit Rural Christos Kellas, Sekretarit të Përgjithshëm të grupit parlamentar të ND-së Maximos Harakopoulos, dhe deputetit të ND-së Christos Kapetanos.
Ndërkohë, Komiteti Panhelenik i Blloqeve do të mblidhet të shtunën në Nikaia të Larisës për të vlerësuar rrjedhën e protestave dhe për të përcaktuar hapat e mëtejshëm.
Qeveria përgatit paketën e masave
Burime qeveritare bëjnë të ditur se është drejt finalizimit një paketë masash që lidhen me uljen e kostove të prodhimit, një nga kërkesat kryesore të fermerëve. Nuk përjashtohet që një takim mes përfaqësuesve të qeverisë dhe fermerëve të zhvillohet javën e ardhshme, me synimin që protestat me traktorë të shmangen gjatë festave.