VOAL

VOAL

Këshilli i Europës rrëzon listën e qeverisë për gjykatës në Gjykatën e Strasburgut

September 30, 2016

Komentet

Maqedonci për blerjen e raketave kineze nga Serbia: Shpërfaqje e tendencave hegjemoniste ndaj fqinjëve

Valbona Bytyqi

Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci, i ka thënë të premten Radios Evropa e Lirë se pretendimet e autoriteteve serbe që po armatosen për t’u mbrojtur nga vendet fqinje nuk qëndrojnë, dhe me blerjet e fundit të armëve kineze ato po shpërfaqin tendencat e tyre hegjemoniste në raport me këto vende.

Maqedonci i bëri këto deklarata pasi presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, bëri të ditur një ditë më parë se Serbia ka blerë raketa kineze “shkatërruese”.

Bëhet fjalë për raketat balistike supersonike CM-400 nga Kina.

“Blerjet nga Rusia dhe Kina janë bërë që disa vite dhe vazhdojnë të bëhen, pra nuk lidhet me ndonjë kërcënim aktual për Serbinë…asnjë shtet fqinj i Serbisë në asnjë rast nuk ka shfaqur ndonjë qëllim agresiv apo sulmues në raport me Serbinë”, ka deklaruar Maqedonci, duke përmendur se është Serbia ajo e cila shfaq pretendime territoriale ndaj Kosovës.

Në një intervistë për Radiotelevizionin e Serbisë, Vuçiq ka thënë se Serbia i ka integruar me sukses raketat e blera kineze në aeroplanët ushtarakë rusë MiG-29, që veçse i zotëron.

“Ne kemi një numër të konsiderueshëm raketash dhe do të kemi edhe më shumë”, tha Vuçiq në një intervistë për Radio Televizionin e Serbisë.

Presidenti serb nuk tregoi se sa kushtuan raketat por tha se ato “janë tmerrësisht të shtrenjta. Ne i morëm me një zbritje të vogël”.

Ministri Maqedonci beson se blerjet e Serbisë nga Kina janë vazhdimësi e politikës së Vuçiqit.

“Republika e Serbisë blerjet ushtarake kryesisht i realizon nga vendet joanëtare të NATO-s. Kryesisht blerjet strategjike Serbia i ka realizuar nga Federata Ruse dhe Kina. Nga Kina, Ministria e Mbrojtjes së Serbisë ka prokuruar sistemet raketore kundër-ajrore FK3, HQ-17 dhe HQ-9 si dhe fluturake pa pilot dhe radarë të ndryshëm”.

Sipas të dhënave të Institutit Ndërkombëtar për Kërkime të Paqes (SIPRI) në Stokholm, në periudhën 2020–2024, Serbia ka importuar më së shumti armë nga Kina (57%), më pas nga Rusia (20%) dhe nga Franca (7.4%).

Ndaj kësaj blerjeje të Serbisë ka reaguar kryeministri i Kroacisë, Andrej Pllenkoviq, i cili paralajmëroi se për këtë çështje do të diskutojë me aleancën e NATO-s.

Duke reaguar ndaj deklaratës së Pllenkoviqit, Vuçiq tha se “Zagrebi nuk do të vendosë se çfarë do të ketë Serbia”.

Ai tha se Serbia “po përgatitet për mundësinë e sulmit nga aleanca që po formohet nga Prishtina, Tirana dhe Zagrebi”.

Në mars të vitit 2025, Kroacia, Shqipëria dhe Kosova nënshkruan një Deklaratë për bashkëpunim në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë, të cilën zyrtarët serbë e cilësuan si kërcënim për sigurinë e Serbisë.

Nuk i përgjigjen modernizimit të paguar shtrenjtë- Shërbimet online, por administrata publike arrin në 185.4 mijë punonjës! Rekordi i 23 viteve

Në tremujorin e fundit të vitit të kaluar numri i punonjësve në sektorin shtetëror u zgjerua më tej duke arritur në 186,581 persona, teksa numri mesatar për të gjithë vitin 2025 ishte 185,386  punonjës.

Sipas të dhënave zyrtare te INSTAT në krahasim me vitin 2024 administrata publike u zgjerua me rreth 3 mijë punonjës ose me 1.6% më shumë, duke shënuar nivelin më të lartë në që nga viti 2002.

Në vitin 2002, vendi numëronte mbi 3 milionë banorë dhe shërbehej nga rreth 186 mijë punonjës publikë. Vitin e kaluar, 23 vite më pas popullsia ka pësuar një rënie drastike prej 22%, duke zbritur në rreth 2.36 milionë banorë, një tkurrje që reflekton plagët e emigrimit dhe rënies së lindshmërisë.

Megjithatë, në vend që të ndiqte këtë trend rënës apo të reflektonte automatizimin e shërbimeve përmes investimeve qindra miliona eurosh në platforma digjitale, numri i punonjësve në administratë ka shënuar rritje të shpejtë sidomos pas vitit 2018.

Në vitin 2014, fondet për paga dhe kontribute për punonjësit e shtetit ishin rreth 71.4 miliardë lekë, ndërsa numri i të punësuarve në sektorin publik ishte rreth 163 mijë persona.

Njëmbëdhjetë vite më vonë, në vitin 2025, administrata publike numëron rreth mbi 185 mijë punonjës dhe shpenzimet buxhetore për personelin janë rritur në rreth 125.7 miliardë lekë. Që nga 2024 në 2025, numri i punonjësve në sektorin shtetëror është zgjeruar me 12.7 për qind, ndërsa shpenzimet ndaj tyre janë rritur me 76 për qind.

Rritja nuk ka qenë vetëm në numrin e punonjësve dhe fondet për paga. Paralelisht, investimet për qeverisjen digjitale janë shtuar me ritme të shpejta në 6 vitet e fundit.

Në 2025, financimi për e-qeverisjen u rrit me tre herë brenda vitit, duke arritur në 20.1 miliardë lekë (mbi 200 milionë euro), nga rreth 3.3 miliardë lekë që jepeshin në vitin 2019, në një total prej 48.4 miliardë lekësh në 4 vjet, ose gati 500 mln euro.

Qeveria e ka paraqitur digjitalizimin si një nga shtyllat kryesore të modernizimit të administratës dhe përmirësimit të shërbimeve për qytetarët dhe bizneset. Të dhënat e tjera të Eurostat tregojnë se shqiptarët e përdorin e-qeverisjen më shumë se mesatarja e Bashkimit Europian, për shkak se shumë shërbime tashmë mund të merren vetëm online. 78% e qytetarëve shqiptarë ndërvepruan me autoritetet publike në mënyrë online gjatë 12 muajve të mëparshëm, në krahasim me 72% që ishte mesatarja e Bashkimit Europian.

Megjithë këto investime, shërbimet publike digjitale kanë shfaqur probleme serioze funksionimi gjatë muajve të fundit.

Platforma kryesore e-Albania e shërbimeve elektronike për qytetarët dhe bizneset është përballur me ndërprerje të shpeshta, vonesa dhe pamundësi aksesimi, duke krijuar vështirësi reale në marrjen e dokumenteve, kryerjen e procedurave administrative dhe përmbushjen e detyrimeve ligjore këtë vit.

Kalimi i shërbimeve online duhet të kishte sjellë një administratë më të vogël, por shifrat dëshmojnë se për çdo qytetar që largohet nga vendi, barra e administratës mbi ata që mbeten bëhet gjithnjë e më e rëndë.

Në vitin 2003, kishte rreth 16 banorë për çdo punonjës shteti, ndërsa në vitin 2025 ky raport pritet të ngushtohet në më pak se 13 banorë për një punonjës, duke e kthyer sektorin publik në një strukturë të fryrë që nuk i përgjigjet realitetit të ri demografik dhe as modernizimit të paguar shtrenjtë nga taksapaguesit./ monitor/

UGSHPD: Shprehim shqetësimin dhe protestën tonë ndaj vendimit të Kuvendit për të mos ia hequr imunitetin deputetes Belinda Balluku

 

UGSHPD -Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë Shqiptarë  të Diasporës

UGSHPD (Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës) shpreh shqetësimin e thellë dhe reagimin e fortë publik ndaj vendimit të Parlamentit për të mos pranuar heqjen e mandatit të deputetes Belinda Balluku, e cila është nën akuzë dhe hetim nga SPAK.

Ky vendim përbën një sinjal alarmant për gjendjen e demokracisë, transparencës dhe respektimit të shtetit të së drejtës në Shqipëri. Refuzimi për t’i hapur rrugë drejtësisë që të kryejë detyrën e saj pa pengesa politike sjell dyshime serioze për ndërhyrje politike në proceset e drejtësisë dhe për përdorimin e pushtetit si mburojë për zyrtarë të fuqishëm.

UGSHPD e konsideron këtë zhvillim si një goditje të rëndë ndaj besimit të qytetarëve tek drejtësia dhe tek institucionet demokratike. Në një shtet që synon integrimin europian, askush,pavarësisht postit, pushtetit apo ndikimit politik, nuk mund dhe nuk duhet të vendoset mbi ligjin.

Rasti i deputetes Belinda Balluku, i shoqëruar me akuza serioze nga organi i posaçëm i drejtësisë, kërkon transparencë të plotë dhe një proces të lirë nga çdo presion apo ndikim politik. Çdo pengesë ndaj drejtësisë, çdo përpjekje për të zbehur përgjegjësinë ligjore apo për të mbrojtur politikisht individë të fuqishëm, përbën një precedent të rrezikshëm për shtetin e së drejtës.

UGSHPD thekson me forcë se ndarja e pushteteve është një nga shtyllat themelore të demokracisë. Parlamenti nuk mund te shndërrohet në një mekanizëm mbrojtës për zyrtarët e akuzuar, ndërsa drejtësia të mos pengohet dhe të veprojë e pavarur dhe pa presione politike. Seanca e sotme plenare tregoi pikërisht  të kundërtën. Çdo cenim i këtij parimi minon besimin e qytetarëve tek institucionet dhe dobëson themelet e shtetit ligjor.

Si gazetarë dhe profesionistë të medias në diasporë, ne ndjejmë përgjegjësinë morale dhe profesionale për të mbrojtur të vërtetën, transparencën dhe interesin publik. Mbrojtja e së vërtetës nuk është vetëm detyrë profesionale, por edhe një mision qytetar në shërbim të demokracisë. Fakti që jetojmë dhe punojmë në vende me demokraci të konsoliduar si Zvicër, Francë, Itali dhe SHBA që rreshtohen ndër partnerët seriozë të ndërtimit të demokracisë, shtetit ligjor dhe të drejtave universale të njeriut. Kjo e bën më tepër se kurrë të ndërgjegjshëm UGSHPD për t’ju drejtuar të gjithë mediave shqiptare brenda dhe jashtë vendit që ta vlerësojnë si duhet rolin e tyre për të mbrojtur të vërtetën, për të luftuar censurën dhe gënjeshtrat e qeverisë aktuale.

UGSHPD dënon çdo formë të favorizimit të të fuqishmëve dhe paralajmëron se drejtësia selektive është një nga kërcënimet më serioze për demokracinë dhe për besimin publik.

UGSHPD i bën thirrje institucioneve të Republikës së Shqipërisë që të respektojnë pa asnjë kompromis pavarësinë e drejtësisë dhe të garantojnë që askush të mos mbrohet politikisht nga përgjegjësia ligjore.

Ne gazetarët shqiptarë në diasporë do të vazhdojnë të ndjekin me vëmendje zhvillimet dhe të mbrojnë publikisht parimet e së vërtetës, transparencës, llogaridhënies dhe sundimit të ligjit.

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës (UGSHPD)
Verband Albanischer Berufsjournalisten der Diaspora (VABD)
Union of Professional Albanian Journalists of Diaspora (UPAJD)
L’Union des journalistes professionnels albanais de la diaspora (UJPAD)
Unione dei Giornalisti Professionisti Albanesi della Diaspora (UGPAD)

AKK: Komiteti Evropian i Rajoneve heq fusnotën për emërtimin e Kosovës në dokumentet e tij

Radio Evropa e Lirë

Komiteti i Rajoneve i Bashkimit Evropian (CoR), ka vendosur ta heqë përdorimin e fusnotës në emrin e Kosovës në dokumentet dhe komunikimet e tij, njoftoi të enjten Asociacioni i Komunave të Kosovës (AKK).

AKK shkroi në Facebook se u njoftua nga CoR-i se në opinionin e tij më të fundit mbi Paketën e Zgjerimit të BE-së 2025 për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë, ka vendosur që në dokumentet dhe komunikimet e tij publike të ndërpritet përdorimi i emërtimit Kosovë me fusnotë, dhe të përdoret thjesht Kosovë.

Ky vendim vlen për dokumentet dhe komunikimet e Komitetit të Rajoneve, tha Asociacioni.

Për shembull, ky komitet e përdori fusnotën në emrin e Kosovës së voni, kur në maj 2025 njoftoi në uebsajtin e vet për takime me politikanë lokalë dhe rajonalë nga Shqipëria, Kosova dhe Moldavia, synimi i të cilave ishte përshpejtimi i përgatitjeve për anëtarësim në BE.

I themeluar më 1994, Komiteti Evropian i Rajoneve është Asambleja e Bashkimit Evropian e përfaqësuesve lokalë dhe rajonalë.

Në uebsajtin e vet, CoR thotë se është zëri i rajoneve dhe qyteteve në BE, dhe se i përfaqëson autoritetet lokale dhe rajonale në të gjithë Bashkimin Evropian dhe jep këshilla për ligje të reja që kanë ndikim mbi rajonet dhe qytetet.

Çka është fusnota?

Më 24 shkurt të vitit 2012, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, Kosova dhe Serbia arritën një marrëveshje për përfaqësimin rajonal, që më vonë u bë e njohur si “marrëveshja e fusnotës”.

Në bazë të kësaj marrëveshjeje, fusnota do t’i shtohej emrit të Kosovës sa herë që vendi do të përmendej, për ta mundësuar përfaqësimin në konferenca e iniciativa të ndryshme rajonale e ndërkombëtare.

“Ky përcaktim është pa paragjykime ndaj statusit dhe në përputhje me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe me opinionin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për aktin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës”, thuhej në marrëveshje.

Në vitet pas nënshkrimit të marrëveshjes, emrit të Kosovës i bashkëngjitej gjithnjë edhe simboli i fusnotës në dokumente të OKB-së, BE-së e institucioneve të tjera ndërkombëtare.

Por, së voni, megjithatë, në disa dokumente – si në rezoluta të Parlamentit Evropian, apo në dokumentet e Marrëveshjes së Ohrit për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi – fusnota nuk e ndiqte emrin e Kosovës.

Kosova dhe Serbia nuk kanë bërë hapa për ta zbatuar marrëveshjen e 2023-ës për normalizim të marrëdhënieve dhe Beogradi zyrtar vazhdon të mos e njohë pavarësinë e fqinjit.

Pavarësinë e saj nuk e njohin as pesë vendet e BE-së: Spanja, Rumania, Qiproja, Sllovakia dhe Greqia.

Kosova njihet nga 121 shtete.

Ambasada Gjermane:Kusht i domosdoshëm për të bërë progres ndjekja penale me efektivitet e korrupsionit edhe në raste të rangut të lartë

Lidhur me vendimin e sotëm të Parlamentit shqiptar rreth heqjes së imunitetit Ambasada Gjermane deklaron:

Gjermania mbështet procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian në përputhje me dëshirën e shqiptarëve.

Kusht i domosdoshëm për të bërë progres në këtë proces të bazuar në merita është ndjekja penale me efektivitet e korrupsionit edhe në raste të rangut të lartë. Pritshmëria jonë e qartë është që edhe në këto raste ndjekja penale përmes drejtësisë të mund të realizohet shpejt dhe pa pengesa. Prej politikës shqiptare vazhdon të kërkohet ende që ta garantojë këtë proces.

🇩🇪 | Zur heutigen Entscheidung des albanischen Parlaments über die Aufhebung der Immunität erklärt die deutsche Botschaft Tirana:

Deutschland unterstützt im Einklang mit dem Wunsch der Albanerinnen und Albaner den EU-Beitrittsprozess Albaniens.

Für Fortschritte in diesem leistungsbasierten Prozess ist die effektive Strafverfolgung von Korruption auch in hochrangigen Fällen unverzichtbare Voraussetzung. Es ist unsere klare Erwartung, dass die Strafverfolgung durch die Justiz auch in diesen Fällen zügig und ohne Behinderung erfolgen kann. Die albanische Politik ist weiterhin aufgefordert, dies zu gewährleisten.

Berisha njofton protestën e radhës: Me 22 mars, e gjithë Shqipëria në Tiranë. Të vazhdojmë kryengritjen paqësore gjer në fitore!

Ish-kryeministri Sali Berisha ka njoftuar protestën e radhës kombëtare që do të mbahet në Tiranë. Kryedemokrati njoftoi datën 22 mars si takim për tubimin e radhës.

“Me 22 mars, e gjithë Shqipëria në Tiranë. E gjithë Tirana në rrugë. Të vazhdojmë kryengritjen tonë paqësore gjer në fitoren përfundimtare. Fitore, fitore, fitore!”, tha ai.

Sot teksa Kuvendi mbante seancën plenare ku u votua për rrëzimin e kërkesës së SPAK për dhënien e autorizimit për Ballukun, jashtë sallës se seancave plenare u mbajt protestë nga ana e opozitës. bw

Adriatik Lapaj: Maskat ranë! Edi Rama me 81 vota u rreshtua në krahë të abuzimit duke i dalë kundër drejtësisë!

Maskat ranë!

Edi Rama me 81 vota u rreshtua në krahë të abuzimit duke i dalë kundër drejtësisë!

Besoj dhe ndërkombëtarët tashmë janë të qartë se Edi Rama në funksion të pushtetit të vetë është i gatshëm të bëjë çdo gjë!

A ka më moral ky Parlament të vazhdojë punën? A mund të ketë më besim se ky njeri do organizojë zgjedhje të lira dhe të ndershme? A mund të bashkëjetojmë më me këtë model shtypës?

Zgjidhja e vetme është dorëheqja pa kushte e tij!

Krijimi i një qeverie tranzitore të përbërë nga intelektual përtej partive me mandat 12 mujor për organizimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.

Reformim i Kodit Zgjedhor për demokratizimin e vendit.

Depolitizim i administratës zgjedhore.

UGSHPD: GJUHA DHE PESHA E FJALËS NË KUVEND (“Rishpërndarja” e Rezolutës së EPP Women të datës 8-9 Dhjetor 2025 )

 

Në qoftë se rasti ‘0900 Balla’ shënoi standardin më ulët etik jo vetëm për lëshimin e gjuhës nga anëtarë të krahëve të ndryshëm në Kuvend fakti që Balla kaloi jo i pandëshkuar, por dhe fare pa një vërejtje nga  Sekretariati * ‘ajka e vulgaritetit’ edhe me gjeste në të njëjtën ditë u mpiks prej Ramës me të vetët në GPS e së Hënës 9 Mars. Kryetari nuk u ndal për atë që sa shumë i duhej mbrojtja ndaj koha ishte e mjaftueshme për të dhënë sinjalin e një përshkallëzimi që drejtpërdrejtë paralajmëroi frymën e deputetëve socialistë për seancën e së Enjtes më 12 Mars si një përfaqësim monolit politik dhe bllokun në një votë të socialistëve për të kundërshtuar/rrëzuar kërkesën e SPAK për heqjen e imunitetit ndaj deputetes Belinda Balluku tashmë e shkarkuar si zv/kryeministre dhe Ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë nga i njëjti subjekt politik.

Me faktet e parashtruara që prej 16 Dhjetorit, 2025 heshtja, presioni dhe çdo vonesë taktike i shërbyen plot 3 muajve (90 ditëve) që kërkesa e SPAK të mos zbatohej dhe të presë dëgjimin e fjalës”rrëzohet”.
Pra subjekti politik pasi provoi pezullimin e pezullimit të një mase të marrë nga drejtësia, tani fton në sallën e ligjbërësve përfaqësuesit përkatës të drejtësisë që të dëgjojnë fjalën “rrëzohet” sipas ngjyrës së kartonit me të cilën do të formulohet votimi.
 
Çfarë parashikojnë gjuha (si fjalë vulgare), dhe mesazhi politik përmes gjuhës?

Gjuha nuk po përmendet për ata/ato që brenda PS flasin edhe gjuhë të tjera veç shqipes apo që sipas Ramës janë “anglisht folësit”, por çfarë dëgjuan ata/ato në fjalimin e fundit të Ramës që përfaqësojnë një grupim brenda partisë që mbase mendon ndryshe.
 
Edhe për këtë elita rilindase u kujdes. 
 
Ishte taktika puniste “mbrojta më e mirë është sulmi”. Deputetja e mazhorancës Evis Kushi përvetësoi thelbin e një Rezolute të “EPP Women” mbi “Përballjen me Dhunën kundër Grave në Politikë dhe Jetën Publike” të Dhjetorit të kaluar (2025 ), për të formuluar një qendrim të respektit të barazisë gjinore pas tre muajsh ose tani kur ju desh grave socialiste ( 33 nga 83 mandate), duke përqendruar goditjen e emërtuar dy drejtuesit kryesorë të PD-s, Berisha dhe Bardhi. Në katër pesë pikat e kësaj rezolute që me siguri do të kalojë në Kuvend adaptimin me forcë kartoni, Kushi lkexoi pikë kthesën e mendimit të elitës së rilindjes veç dy rrëzimeve më parë që kishin propozuar Manja dhe Rama për Ballukun. Kjo pikë e fundit në adaptim cilësonte:-Falënderojmë EPP dhe shprehim gatishmërinë tonë që të bashkëpunojmë edhe me të për çdo hap përpara në mbrojtjen e grave, duke qenë gjithashtu të gatshme të ndajmë edhe eksperiencat e bukura pozitive të Shqipërisë në këtë aspekt, falë politikave gjinore të Partisë Socialiste dhe lidershipit të kryeministrit Edi Rama.”
Megjithëse e përforcojnë liderin verbërisht ndoshta socialistëve u ka humbur thelbi i orientimit ramist në GPS kur kryetari i tyre i plotfuqishëm shprehej pë xhelozinë dhe investimin në Porto Romano:-” Ata që e luftojnë projektin. Ata që s’po luajnë gur për ta bllokuar projektin… ne i dimë kush janë. Dhe i kanë bërë llogaritë gabim se projekti do bëhet! (pauzë)Unë nuk kam plan “B” vetëm për BE-në. Për çdo gjë tjetër jam te “C-ja”.
A është Rama dy hapa para?
Çfarë do të ndodhë?!
 
Absurdi dhe kofuzioni politik i mazhorancës ka marrë përmasa luftarake për seancën e së Enjtes 12 Mars, 2026.
Opozita duhet të menaxhojë qetësinë brenda dhe jashtë Kuvendit për të focuar qendresën e qytetarëve.

______________

*Kuvendi i Shqipërisë/Sekretariati për Procedurat, Votimet dhe Etikën (1):-“… mori në shqyrtim kërkesën e një grupi deputetësh të Grupit Parlamentar të PS për “Marrje mase disiplinore” për deputetët z.Gazment Bardhi dhe z.Klevis Balliu. Sipas kërkesës z.Bardhi ka penguar zhvillimin e rregullt të seancës së datës 5 mars 2026, ka shkaktuar kaos në sallë dhe ka përdorur fjalë të rënda fyese ndaj deputeteve të PS dhe drejtuesit të seancës, ndërsa z.Balliu ka shkaktuar kaos në sallë, ka përdorur fjalë të rënda fyese, ka dëmtuar pajisjet dhe ka hequr funksionalitetin e tyre logjistik. Në kërkesë është kërkuar përjashtimi nga seancat plenare dhe komisionet parlamentare për z.Gazmend Bardhi me 10 ditë, ndërsa për z.Klevis Balliu me 30 ditë. Në përfundim të mbledhjes, Sekretariati për Procedurat, Votimet dhe Etikën me shumicë votash vendosi përjashtimin e z.Gazment Bardhi dhe z.Klevis Balliu me 10 ditë nga seancat plenare dhe komisionet parlamentare  .” dhe (2):-“mori në shqyrtim kërkesën e një grupi deputetësh të Grupit Parlamentar të PD-së për “Marrje mase disiplinore” për kryetarin e grupit parlamentar të PS-së, z.Taulant Balla. Sipas kërkesës në seancën e datës 5 mars 2026, z.Balla ka përdorur gjuhë fyese, ofenduese, seksiste, diskriminuese dhe tërësisht të papranueshme në drejtim të deputetes së grupit parlamentar të PD-së, znj.Albana Vokshi, duke cënuar rëndë dinjitetin e saj si deputete, si grua dhe nënë. Në kërkesë është kërkuar përjashtimi i z.Balla për 60 ditë nga seancat plenare dhe komisionet parlamentare. Në përfundim të mbledhjes, Sekretariati për Procedurat, Votimet dhe Etikën me shumicë votash vendosi rrëzimin e kërkesës.”

 
 

11 Mars, 2026

 

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës (UGSHPD)
Verband Albanischer Berufsjournalisten der Diaspora (VABD)
Union of Professional Albanian Journalists of Diaspora (UPAJD)
L’Union des journalistes professionnels albanais de la diaspora (UJPAD)
Unione dei Giornalisti Professionisti Albanesi della Diaspora (UGPAD)

Vendoset sot për imunitetin e Ballukut, PD protestë para dhe brenda Kuvendit

Partia Demokratike do të protestojë sot para godinës së Kuvendit, në të njëjtën kohën kur në seancën plenare pritet të votohet kërkesa e SPAK për heqjen e imunitetit të deputetes Belinda Balluku.

Sipas njoftimit zyrtar, protesta do të nisë në orën 10:00, ndërsa Policia e Tiranës ka marrë masa për garantimin e rendit dhe sigurisë gjatë zhvillimit të tubimit.

Që dje, zona përreth Parlamentit është rrethuar me gardh metalik, ndërsa pritet një prani e shtuar e forcave të policisë për të shmangur çdo incident. Burime bëjnë me dije se situata mund të shoqërohet me tensione.

Ndërkohë, deputetët e Partisë Socialiste janë njoftuar të paraqiten në Kuvend më herët se zakonisht dhe të mos mungojë asnjë, për të marrë pjesë në votimin e kërkesës së SPAK.

Policia e Tiranës njofton se për shkak të protestës do të ketë kufizime në qarkullimin e automjeteve në zonën pranë Parlamentit.

“Përfaqësues të subjektit politik Partia Demokratike e Shqipërisë kanë njoftuar Policinë e Tiranës për zhvillimin e një tubimi, ditën e nesërme, në orën 10:00, para Parlamentit,” thuhet në njoftimin e policisë.

Sipas autoriteteve, nga ora 06:00 e mëngjesit deri në përfundim të tubimit do të kufizohet lëvizja në rrugën “George W. Bush”.

Në varësi të zhvillimit të protestës, mund të ketë kufizime edhe në akse të tjera rrugore përreth, ndërsa policia ka parashikuar devijimin e trafikut në rrugë alternative.

Policia u bën thirrje qytetarëve të tregojnë mirëkuptim për kufizimet në qarkullim dhe të distancohen në rast se përballen me veprime që cenojnë rendin dhe sigurinë publike. bw

Edward Joseph: Zgjedhjet e reja në Kosovë nuk janë në interes të askujt

TIRANË- Profesori amerikan, Edward Joseph deklaroi se Kosova nuk është në një situatë ku është e vështirë të formohet një qeveri për shkak të rezultateve të ngushta zgjedhore, por për shkak të kokëfortësisë së udhëheqjes. Sipas Joseph, vendi po përballet me një krizë të re politike, e cila do të përkeqësojë më tej marrëdhëniet me Uashingtonin dhe Bashkimin Europian.

Joseph tha se shpreosn se Gjykata Kushtetuese do të vendosë të mos e shpërndajë Kuvendin e Kosovës, por se situata në Kosovë nuk është e mirë dhe se zgjedhjet e reja nuk janë në interes të askujt.

“Kjo është një krizë e panevojshme dhe ajo që duhet të shpresojmë është që Gjykata Kushtetuese të vendosë se Kuvendi nuk është shpërbërë, se ekziston një mundësi tjetër që Kuvendi të veprojë përpara se Kosova të shkojë në zgjedhje të reja, gjë që nuk është në interesin e askujt. Kjo nuk është një krizë politike standarde në të cilën ke rezultate të ngushta dhe është shumë e vështirë të formosh një qeveri, kështu që duhet të shkosh në zgjedhje të reja. Ky është një rast në të cilin ke një mundësi të plotë për të formuar një qeveri, por ka një refuzim dhe kokëfortësi të udhëheqjes në Kosovë për të kuptuar se thjesht duhet të vazhdojë me zgjedhjen e presidentit”, tha Joseph.

Joseph beson se ngërçi i ri politik mund të tendosë më tej marrëdhëniet midis Prishtinës dhe Uashingtonit, si dhe Bashkimit Europian, sepse askush nuk dëshiron më kaos. Ai theksoi gjithashtu se pasiguria e re institucionale mund të dobësojë mbështetjen ndërkombëtare për Kosovën nga SHBA-ja, BE-ja dhe NATO-ja, duke vënë në dukje se Prishtina po dërgon një sinjal të keq duke provokuar kriza artificiale.

Kur tregoni se jeni në një krizë kushtetuese krejtësisht të panevojshme, artificiale pas një pamundësie afatgjatë për të formuar një qeveri, çfarë mesazhi po dërgoni? A po dërgoni një mesazh se jeni të aftë të jeni partner i plotë? Jo, kjo thjesht po u jepni argumente kundërshtarëve të Kosovës, përfshirë, sigurisht, ata në Serbi. Ky është një sinjal krejtësisht i gabuar, i panevojshëm. Ekziston një zgjidhje shumë e thjeshtë. Nëse Gjykata Kushtetuese vendos që Kuvendi nuk është shpërbërë plotësisht dhe se zgjedhjet nuk duhet të mbahen ende, atëherë lidershipi duhet të bashkohet dhe të mbështesë Osmanin, nëse jo për ndonjë arsye tjetër, atëherë për interesat e Kosovës dhe për të shmangur një krizë”, tha Joseph./Dosja.al

Dyshimet për financime ruse dhe thirrjet e amerikanëve, anulohet procedura e tenderit për ndërtimin e Portit në Porto Romano

Pas kritikave nga Dhoma Amerikane e Tregtisë, procedura e tenderit për ndërtimin e portit të ri tregtar në Porto Romano është anuluar, pasi kompania e vetme e mbetur në garë nuk paraqiti ofertën financiare brenda afatit të përcaktuar.

Mësohet se kompania Archirodon, e cila ishte e vetmja që vijonte në garë në fazën përfundimtare të tenderit, nuk dorëzoi ofertën e saj financiare më 9 mars.

 

Tenderi kishte një vlerë të përllogaritur prej rreth 400 milionë eurosh dhe synonte ndërtimin e portit të ri tregtar në zonën e Porto Romanos.

Po ashtu mësohet se Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion (SPAK) po heton lidhur me proceduren e tenderit.

Kërkesa e Dhomës Amerikane të Tregtisë

Kreu i Dhomës Amerikane të Tregtisë në Tiranë, Grant Van Cleeve, pak ditë më parë adresoi një letër publike për Edi Ramën dhe titullarë të lartë qeveritarë, në lidhje me tenderin e Porto Romanos.

Van Cleeve e konsideron këtë projekt si një vendim që merret një herë në 100 vjet dhe kërkon shtyrjen e garës pasi sipas tij projekti ekzistues i heq Shqipërisë shansin të jetë konkurruese në rajon.

Sipas Dhomës Amerikane të Tregtisë, vendimi i planifikuar për 9 mars për tenderin e Porto Romanos përfaqëson një moment strategjik që mund të përcaktojë pozicionin ekonomik dhe gjeopolitik të Shqipërisë në Evropën Juglindore për dekada.

Van Cleeve argumenton se projekti aktual i portit është shumë i vogël, me rreth 400 metra mur moli dhe një sipërfaqe portuale prej 38 hektarësh, kapacitete që nuk mund të konkurrojnë me portet e mëdha rajonale.

Ai paralajmëron se në këto kushte Korridori 8 mund të dështojë të zhvillohet si bosht i rëndësishëm logjistik lindje-perëndim, ndërsa flukset e mallrave do të vazhdojnë të përqendrohen në portet e Pireu dhe Selanik.

Sipas tij, një zhvillim strategjik i Porto Romanos duhet të synojë një port me ujëra të thella deri në 18 metra, me kapacitet mbi 2 milion TEU për kontejnerë, zona të mëdha logjistike dhe zona të lira tregtare, si dhe terminale për transport RoRo dhe energji, përfshirë edhe LNG nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në përfundim, ai kërkon që tenderi i planifikuar për 9 mars të shtyhet dhe projekti të rishikohet në përputhje me kërkesat strategjike të Korridorit 8 dhe NATO-s. Sipas tij, projekti mund të zhvillohet brenda këtij viti me financim të përbashkët nga partnerë nga SHBA dhe Italia, si dhe me përfshirjen e kompanive inxhinierike nga SHBA, Italia, Holanda dhe Turqia.

Zgjidhja e Propozuar
1.Kërkojmë me respekt që tenderi i Porto Romanos i planifikuar për 9 mars të shtyhet dhe të rishikohet në bazë të kërkesave më të fundit të NATO-s dhe Korridorit 8.
2.Mund të lehtësojmë zhvillimin EPC+F të një Porto Romano më të madh brenda këtij viti, të bashkëfinancuar nga partnerë nga Shtetet e Bashkuara dhe Italia, dhe të realizuar nga furnitorë strategjikë nga SHBA, Italia, Holanda dhe Turqia.
3.Mund të ofrojmë firmat më të mira inxhinierike amerikane për të asistuar në rishikimin e projektimit të Porto Romanos, hekurudhave, autostradave dhe të gjithë infrastrukturës dual-use të Korridorit 8, të ndërtuara sipas standardeve të NATO-s, në koordinim të plotë me NATO-n dhe për të siguruar financim shtesë nga NATO”, thuhet në reagimin e kreut të Dhomës Amerikane të Tregtisë, Grant Van Cleve.

REFUZIMI I RAMËS

Më 9 mars kryeministri Edi Rama para deputetëve të PS gjatë qëndrimit publik, ka theksuar se duhet të jepte një qëndrim për tenderin e Porto Romanos, për të cilin tha se plani i tij ka ngjallur xhelozi. Në qëndrimin e tij, i cili linte vend për interpretime, Rama ka thënë se: “ata që e luftojnë projektin, ata që s’po lënë gur pa luajtur për ta bllokuar projektin, ne i dimë kush janë dhe i kanë bërë llogaritë gabim, sepse projekti do bëhet”.

“Duhet të them këtu dy fjalë për Porto Romanon, është një nga proceset më të ndërlikuar, ndoshta më i ndërlikuar që ne kemi bërë. Është një plan strategjik që ka krijuar edhe xhelozi. Xhelozitë janë të zakonshme mes vendesh që janë në stade të caktuara zhvillimi. Një proces shumë i sofistikuar me projektin e studios më të madhe në botë dhe me reputacionin më absolut në botë për ndërtimin e infrastrukturës dhe sidomos të asaj portuale e Royal Haskoning nga Hollanda.

Një garë e jashtëzakonshme me pjesëmarrje nga të gjitha anët, por e monitoruar nga A-ja te Zh-ja nga konsulenti Royal Haskoning përsëri dhe armiqësi ndaj projektit. Nuk do flas më shumë, por një gjë dua ta them këtu: Ata që e luftojnë projektin, ata që s’po lënë gur pa luajtur për ta bllokuar projektin, ne i dimë kush janë dhe i kanë bërë llogaritë gabim, sepse projekti do bëhet.

Unë nuk kam plan B vetëm për Bashkimin Europian, për çdo gjë tjetër jam te C-ja” u shpreh kryeministri.

rama grupi i PS- imuniteti i Ballukut=belinda-refuzimi-arrestimi (4)

Opozita nga ana tjetër ka theksuar se pas fituesve të projektit të Porto Romanos qëndrojnë interesa të kundërshtarëve të NATO-s, me konkretisht Rusisë. Sipas Berishës, Rama do qe porti te ndërtohet nga ruset, por kjo gje eshte zbuluar nga aleatet e NATO-s.

“Edi Rama ka dorën e tij të zezë mbi shkatërrimin e Portit të Durrësit, një pasuri kombëtare prej 4 miliardë eurosh.

Ai u përpoq të tërheqë në aferat e tij korruptive NATO-n, por dështoi me turp dhe tani që janë oferta të qarta të partnerëve strategjikë, ai kërkon që portin e Durrësit për ta vjedhur ta ndërtojë me rusët apo me të tjerë që kanë interesa të ngushta strategjike me Shqipërinë dhe NATO-n”, ka tënë Berisha. gsh

UGSHPD: A ËSHTË SHIJAKU MALËSI?! (“Paketa e Maleve” dhe 20 Zona Zhvillimore në +92 km 2) 

 

GPS-ja e së Hënës tërhoqi thuajse gjithë vëmendjen e opinionit publik dhe kryesisht atë të mediave për të përcjellë fjalët përmbyllëse të  Raportit të Këshillit të Mandateve së pari nga deputeti Manja me:-“…ne si anëtarë të mazhorancës i rekomandojmë seancës plenare rrëzimin e kërkesës së SPAK për dhënien e autorizimit për ndryshimin e masës së sigurisë” dhe më tej kryetarit Rama duke përforcuar për të dytën herë se :-  “…kjo, për mua, ishte dhe do të jetë e papranueshme sa të jem unë këtu në këtë detyrë. Besoj se isha po aq i qartë sa është i qartë edhe raporti i Këshillit të Mandateve, i shkruar nga pala jonë, por besoj se edhe në raportin tjetër të palës tjetër i keni të gjitha argumentet pse kjo kërkesë rrëzohet”. Por po në 9 Mars, Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, ndodhej në një takim në Bruksel me drejtoreshën e përgjithshme të Drejtorisë së Bujqësisë në Komisionin Europian, Elisabet Werner, ku sipas ATSH thuhet se:-“Gjatë takimit u diskutua mbi progresin e Shqipërisë në përthithjen e fondeve europiane për bujqësinë dhe zhvillimin rural, si dhe mbi hapat e mëtejshëm për zbatimin efektiv të programit IPARD III.”


Mediat e së Martës këtë propagandë të heshtur e zbuluan përmes vlerave të rreth 146 milion eurove të cilat do të mund të fillojnë të lëvrohen gjatë vitit 2026, pra pas 3 vitesh ngrirje ose bllokim për shkak të nivelit të korrupsionit që u konstatua dhe nuk u ndëshkua me abuzimet e rreth me 138 milionë euro të fondit IPARD për periudhën 2017–2021, fond i taksapaguesve Evropianë. Mesa duket ekuilibri mes një lajmi të mirë për rifillimin e tërheqjes së fondeve kaq të domosdoshme tani për fermerët sidomos e krahasuar me periudhën një vjeçare ku përfshihet fushata elektorale e subjekteve politike, më pas zgjedhjet e përgjithshme të 11 Majit, 2025 duket ende i pandjeshëm me pasojat që u trashëguan dhe u ndien tek fermerët; për transportin, tregun, vaditjen, punimet me mekanikë bujqësore, konkurrimin e produkteve bujqësore dhe blegtorale të importit mbi prodhimin vendas, mos menaxhimi i zjarreve dhe i përmbytjeve e deri tek mungesa e fuqisë punëtore. Të gjitha këto dukuri janë trajtuar, vlerësuar dhe çmuar në anët ekonomike dhe sociale prej medias dhe specialistëve. Por qeverisja ka tre vite që hesht për ruajtjen e imazhit edhe pse hetimet mbi korrupsionin vazhdojnë. Me takimin e ministrit  Salla në Bruksel propaganda zyrtare ka riformuluar angazhimin me BE si të tillë:-“Rritja e aksesit në fondet e Bashkimit Europian dhe modernizimi i sektorit bujqësor mbeten ndër prioritetet kryesore në rrugën e integrimit europian të Shqipërisë”.
Por puna është se kush do ta bëjë?

Popullsia rurale po zvogëlohet me përmasa të frikshme.
Është e vërtetë që investimet i lidhin njerëzit me vendin dhe zhvillimin e pronës, por cilat janë drejtimet dhe projektet për ta në qoftë se është dhënë garancia se ato projekte nuk do t’i ngjanin IPARD-eve të mëparshme.

“Risitë” e Rilindjes Socialiste gjatë tre mandateve kanë qenë nga më të sofistikuarat për të justifikuar thithjen e fondeve dhe për ta kthyer në art korrupsionin me ndryshim destinacioni në se do të ishte e nevojshme. Në plus12 vite shembujt e gazetarisë investigative janë të shumtë. Ndoshta janë bërë edhe të lodhshëm duke u dëgjuar e përsëritur si fenomen i korrupsionit pasi autorët zbulohen, paratë nuk kthehen dhe varfërimi i popullsisë që paguan taksat thellohet.

Por që ta freskojmë idenë jo me atë çka thotë propaganda për fondet e IPARD III dhe fermerin shqiptar që do të përfitojë, sikur ta shihnim me një tjetër këndvështrim se si kjo qeveri përmes teknicienëve apo administratës së saj i motivon projektet për të thithur para përmes një shembulli të fundit, publiku do të kuptonte edhe më shumë se ku arrin shkalla e korrupsionit. Dhe shembulli në fjalë lidhet jo me një titull lajmi që të rrëshqet pa ta kapur syri si “Paketa e Maleve” rrit interesin për investime në Shijak, 21 aplikime në dy muaj, as me atë që shtjellohet në këtë lajm se:- “Pjesa më e madhe e aplikimeve, konkretisht 17 prej tyre, i përkasin sektorit të argo turizmit dhe parashikojnë ngritjen e strukturave pritëse për turistët, si vila druri dhe ambiente të dedikuara për mikpritjen e vizitorëve që synojnë të eksplorojnë natyrën dhe traditat e zonës.”, as edhe me kohën e shpejtë 45 ditore të plotësimit ë aplikimeve, more po as edhe me vlerën e fondit se:-“investimet që pritet të realizohen në kuadër të këtyre aplikimeve arrijnë rreth 10 milionë euro, duke reflektuar besimin në rritje të sipërmarrësve dhe fermerëve për zhvillimin e qëndrueshëm të zonave rurale të Shijakut.”, por me gjeografinë fizike të 8-vjeçares sikurse sot i thuhet arsim i mesëm i ulët Klasat VI– VII, ndoshta edhe VIII – IX.

Sinqerisht mbetesh pa fjalë kur shikon se “Paketa e Maleve” aplikohet në Shijak. Një qytet që ka lumin Erzen, Adriatikun fare pranë gati 6 km vijë ajrore dhe një reliev pak të thyer që shkon nga 30 me lartësi deri në 51 metra mbi nivelin e detit..

Pra  një pyetje fare e thjeshtë:- A qendron projekti i “Paketës së Maleve” për Shijakun i cili shtrihet në Ultësirën Perëndimore?

Lartësitë prej ku një mal fillon e matet është përgjithësisht 300 metra dhe Shqipëria pavarësisht se dallon për 70% terren malor në sipërfaqen e saj, rreth 708 metra mbi nivelin e detit ose dy herë më shumë se mesatarja e relievit të Evropës kjo epërsi duhet të na bëjë vërtetë më të matur që Projekteve Ekonomike Integruese me botën t’i bëjmë më të arsyeshëm dhe më praktikë.
“Paketa e Maleve” rendi si një projekt në diasporë Greqi, Itali, Mbretërinë e Bashkuar dhe SHBA përpara zgjedhjeve të 2025 dhe u bë një premtim elektoral i Rilindjes Socialiste dhe vetë Ramës për BE 2030 vetëm për vota. Në të vërtetë detajet e “Paketës së Maleve” dhe disa ligjeve të tjera interesante investimesh që gjenden në Fletoren Zyrtare të RSH të vitit 2025, Nr. 69 sikurse edhe në çdo njësi administrative të pushtetit vendor.

Çështja për Shijakun, 30-50 metra mbi nivelin e detit “Paketa e Maleve” ka plot 20 zona zhvillimi  mund të shikohet dobët në faqen e internetit informacioni dhe transparenca mbi hartat, por me pak vështirësi sheh numrin e VKM dhe firmën e Kryeministrit Edi Rama, Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor Ervin Demo, Sekretarit të Përgjithshëm Engjëll Agaçi.
Ajo që kuptohet në 20 zonat zhvillimore të Shijakut sipas dokumentit është se janë përcaktuar: “Llojet e aktiviteteve që do të zhvillohen në këtë zonë janë: a) të zhvillimit ekonomik; b) industriale; c) turistike.”

Një tjetër anë e përshtatjes së “Paketës së Maleve” në Ultësirën Perëndimore të Shqipërisë lidhet edhe me konceptimin që qeveria shqiptare ka ofruar për Shijakun ku shkruhet se Paketa e Maleve : – “Është një nismë ligjore dhe zhvillimore e Qeverisë Shqiptare që synon të nxisë investimet dhe rigjallërojë jetën ekonomike në zonat malore të vendit.”

Shijaku nuk është një i tillë.

Të tjera motivacione që nga blerja e sipërfaqes simbolike deri në 1 euro, përjashtimi nga taksat për 10 vite për 500 aplikuesit e parë, janë vërtetë detaje të rëndësishme për raportin me ofertën të cilën veçanërisht ata për Shijakun duhet ta përcaktojnë.
Dhe ajo kërkon të kuptohet së pari jo vetëm të specifikojë Shijakun gjeografikisht, por rubrika Rreth Paketës në faqen zyrtare të Paketës së Maleve, nuk e shquan qytetin pranë bregdetit as për grupin e karakteristikave dalluese që përmblidhen në të si
Mungesë të vendeve të punës në malësi
Shpopullim të vazhdueshëm të fshatrave malorë
Përqendrim disproporcional të zhvillimit në zonat bregdetare, ku infrastruktura dhe prona janë më të formalizuara
Zbehje e rolit të bashkive malore si motorë zhvillimi

…të cilat Shijaku nuk i ka.
Këshilla në raste të tilla mbetet transparencë prej administratës, kujdes nga korrupsioni dhe vigjilencë e institucioneve përgjegjëse ndaj fondeve, sidomos kur ato vijnë pas “një pushimi” tre vjeçar siç ndodhi me IPARD-in.
 
 
 


11 Mars, 2026

 
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës (UGSHPD)
Verband Albanischer Berufsjournalisten der Diaspora (VABD)
Union of Professional Albanian Journalists of Diaspora (UPAJD)
L’Union des journalistes professionnels albanais de la diaspora (UJPAD)
Unione dei Giornalisti Professionisti Albanesi della Diaspora (UGPAD)

Send this to a friend