Nastradini u ngjit në një lis të madh, u ndal dhe filloi të presë me sëpatë degën ku ai po qëndronte. Një kalimtar e pa dhe filloi t’i thërrasë:
-Hej ti, çfarë po bën? Ti do të biesh përtokë!
Nastradini nuk e përfilli, vazhdoi të presë degën me sëpatë. Dega më në fund u pre dhe ra. Edhe Nastradini ra në tokë. Pavarësisht gërvishtjeve dhe lëndimeve, ai vrapoi, e mbërriti kalimtarin dhe i tha:
-Ti që e parashikove kur do të rrëzohem nga lisi, mund të parashikosh edhe se ku do të vdes!
Dhe nuk e lejoi kalimtarin të shkonte në punën e vet, pa ia dhënë një përgjigje. Kalimtari, pa ç’pa, ia dha këtë përgjigje:
-Ti do të vdesësh kur gomari yt do të pëllasë dy herë rresht, kur të ketë në kurriz një barrë të madhe me dru dhe të jetë duke u ngjitur në një kodër përpjetë!
Pas pak, gomari pëlliti dy herë rresht. Nastradini tha:
-Ja që u bë. Unë tashmë jam i vdekur. – Dhe u hodh përdhe.
Fshatarët e panë, e morën, e dërguan për tek shtëpia e tij dhe e nisën për në varreza. Në njëfarë vendi, rruga u nda në dy degëzime dhe ata nuk po dinin cilin drejtim do të merrnin.
Nastradini, më në fund, e humbi durimin, ngriti kokën dhe tha:
-Dëgjomëni mua, kur unë isha gjallë, e kisha zakon të merrja këtë drejtimin këndej për në varreza!
Komentet