Drenicaku shkon në Francë për të punuar dhe në këtë vend liberal dhe të lirive të njeriut punoi disa vjet. Për një kohë nuk kishte ardhë në Drenicë në familjen e tij, sepse kishte shkuar që të fitojë paranë e gyrbetit dhe një ditë të kthehej në vendin e vet me xhepin plot dhe kokën lart.
Pasi kishte marrë pushimin e verës, drenicaku kishte marrë udhën për në Drenicë. Kishte mbërri në fshatin e tij dhe atëherë ishte zakon që, posa vinin nga gyrbeti, në odën e burrave vinin fqinjët dhe të afërmit që të takojnë njeriun e vet.
Në odën e burrave dhe takimi me njeriun e gyrbetit, niste biseda për jetën në Francë dhe çfarë kishte në atë vend të Evropës, si janë franqezët, si punojnë… dhe deri në orët e vona nuk ndalej biseda në odën e burrave në Drenicë.
Për të bërë sa më kurreshtarë të pranishmit në odë, drenicaku nuk ngurroi që të tregojë ,,historinë,, se çfarë i kishte ndodhë kur ai ishte ngjitur në Kullën Eiffel në Paris.
E mora burra… kur jam ngjitur atjhe naltë në Kullën Aiffel e pashë Parisin… Francën cep me cep dhe, kur u ktheva kah pjesa e Jugut dhe kah Drenica, më besoni… burra e pashë nanën tuj ju qitë pulave kollomoq.
Më të dëgjuar drenicakun se si tregonte ,,historinë,, e gyrbetit të gjithë në odë nuk mundën të ndalin të qeshurat dhe biseda vazhdoi deri në orët e vona të natës.
Ky është humori i drenicakut për Kullën Eiffel në Paris!
Skënder Karaçica
Çikago,17 dhjetor 2017
Komentet