Në orët e mëngjesit të së premtes, policia e Kosovës arrestoi katër veta në veriun e Mitrovicës, një zonë e banuar me shumicë serbe në kuadër të hetimeve për vrasjen e politikanit lokal serb Oliver Inavoviç.
Policia tha se ka kryer kontrolle në katër vende dhe ka arrestuar tre persona që lidhen me hetimet dhe një tjetër për pengim të punës së zyrtarëve policorë.
Udhëheqësi i nismës qytetare serbe, “Liria, Demokracia, Drejtësia”, Oliver Ivanoviç, është vrarë me armë zjarri më 16 janar të këtij viti në veriun e Mitrovicës.
Katër të arrestuarit janë pjesëtarë të komunitetit serb dhe sipas medieve lokale serbe, njëri prej tyre është pjesëtar i policisë së Kosovës .
Grupe qytetarësh serbë janë mbledhur në sheshin qendror në Mitrovicë.
Operacioni i policisë së Kosovës u krye në një periudhë tensionesh të larta politike pas vendimit të qeverisë së Kosovës për një taksë prej 100 për qind ndaj mallrave nga Serbia, që nxiti reagimin e Beogradit por edhe të Bashkimit Evropian, i cili kërkoi heqjen e saj.
Qeveria e Kosovës, tha se operacioni nuk ka të bëjë me zhvillimet politike.
“Ky veprim policor ishte në pajtim të plotë me ligjin, konform urdhrit të Prokurorisë Speciale, dhe nuk ndërlidhet në asnjë mënyrë me asnjë zhvillim politik. Qeveria e Kosovës siguron të gjithë qytetarët se shteti i Kosovës dhe organet e tij të rendit, në asnjë mënyrë dhe asnjëherë nuk do të orientohet kundër asnjë grupi etnik apo politik”.
Qeveria e Kosovës iu bën thirrje të gjithë qytetarëve, subjekteve politike, kryetarëve të komunave, posaçërisht atyre në veri dhe organeve të tjera, që “të kontribuojnë në mbajtjen dhe avancimin e qetësisë publike, në shërbim të paqes dhe qëndrueshmërisë”.
“Është më rëndësi që askush të mos bie pre e dezinformatave të ndryshme. Ruajtja e rendit dhe respektimi i ligjit është në interes të të gjithëve në Kosovë”,theksohet në deklaratën e qeverisë. za


























Komentet