VITET E IKURA
Vitet e ikura thyejnë errësirën
Pas lënë gjurmë hiri të shkriftë
Nga zjarr përvëlues vetëtimash
Mes reve të dendura derdhet shi lotësh
Kujtimet lëpihen mallëngjimeve rinore
Nuk ke kohë të numërosh ditët
Mbushur me gëzime të harruara
E as vuajtjet nuk numërohen
Kur vrapojnë mendimet si në log betejash
Pa u përkulur në përballje stuhish
Edhe atëherë kur shtrembëroheshin lisat
E rrënjët nuk tundeshin….
Në fletoren shumëfaqëshe të jetës
Janë drynuar kujtime të thella
Në rafte mbeten si hieroglife
Nuk mund t’i grisë as era , as furtuna
Vitet e ikura lënë pas vragë si hije nate
Brenda meje fle dhimbja e dashuria
Rrugëtim i papërfunduar kurrë…..
VALLËZIM I BUKUR…
Dhimbje e heshtur në brendi
Buzëqeshje e vrarë fluturim
Mes reve të zeza n’ hapësirë
Lëkurë e çarë erërave të ftohta
Tajitje limfe, jargosje stinëve
Rrugëtimeve të gjata
I hutuar në kohë…
Në katër stinë dhimbje e kuqe fle
Njëlloj shfaqet buzëqeshja
Në pranverë gjelbërim i dalldisur
Rreshkje përvëluese vapës verore
Pikturë shumëngjyrëshe në vjeshtë
( Brushë e Pikasos shndrite lartësive)
Dimrit akullnajë, dru i ndezur brenda…
Sa gjatë i bartka njeriu plagët
Kur dhimbja vallëzon bukur
Homazh mirësie…
DIALOG ME VARGUN….
Ti, vargu im idhnak
Kurrë nuk më le të qetë
Në qetësinë time të shurdhëruar krismash
Më ngacmon ditë natë, pa pushim
Shprush zjarrin tim të përgjumur moteve…
Më thuaj edhe çfarë do nga ky shpirt i dërmuar
Unë te fala buzëqeshjen e zemrës
Më dhurove lotët e shpirtit
Së bashku për të gjetur shtegun e ecjes
Rrugës së dashurisë e të dhimbjes
Si t’ia verbojmë territ sytë…
Udhëtuam lartësive në kërkim të horizonteve
Ura jete ndërtuam brigjeve tona
Ecëm e ecëm kapur për ashtin e plagosur…
Mëngjeseve rrezonte dielli
Buzëve dukeshin ngricat e natës
Errësira e natës ishte çmendur
Shkulte mykun e flokëve të gjata…
Sytë shpojnë qiellin n ‘thellësi
Furtunat këndojnë këngën heshtur
Sa kryengritëse dita e lirisë sime
Gjithherë festë bën shpirti i paepur