Kancelari i Republikës Federale të Austrisë, Christian Stocker përmes një telegrami ia ka uruar kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, mandatin e ri qeverisës dhe datëlindjen e tij.
“Dua t’ju përgëzoj për formimin e qeverisë suaj të re dhe t’ju uroj suksese në legjislaturën e re, veçanërisht lidhur me përparimin e vazhdueshëm drejt integrimit në Bashkimin Evropian dhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë. Austria ka qenë mbështetëse e Republikës së Kosovës që nga themelimi i saj dhe do të vazhdojë ta mbështesë Kosovën në rrugën e saj evropiane”- shkruan në letrën e kancelarit Stocker të publikuar nga Zyra e Kryeministrit.
Stocker theksoi se në kohë gjeopolitikisht të trazuara, marrëdhëniet e forta ndërmjet vendeve dhe popujve tanë janë më të rëndësishme se kurrë.
“Diaspora aktive kosovare në Austri dhe bashkëpunimi ynë i ngushtë ekonomik janë lidhje që i vlerësoj shumë. Gjithashtu, isha shumë i kënaqur që pata një bisedë personale me ju në Londër gjatë Samitit të Procesit të Berlinit tetorin e kaluar, dhe mezi pres t’ju shoh përsëri së shpejti”- ka shkruar ai në letër.
Kurti u rizgjodh kryeministër më 11.02.2026. Prej asaj dite ka pranuar urime nga miqtë ndërkombëtar për mandatin e ri qeverisës.
Kurti sot më 24.03.2026 shënon 51 vjetorin e tij të lindjes.Kallxo.com