E nderuara zonja Presidente,
I shqetësuar me zhvillimet e fundit në vend, po ju shkruaj në cilësinë e njërit prej anëtarëve të komisionit shtetëror për hartimin e kushtetutës dhe si zëvendës kryetari i parë i Gjykatës Kushtetuese. Shpresoj që do ta kem si konsideratën ashtu edhe mirëkuptimin tuaj.
Vetëm para pak ditësh mendoja që rruga më e mirë për të menaxhuar situatën aktuale është që ju të tregoheshit e kujdesshme dhe që vendimin përfundimtar rreth konstituimit të Kuvendit t’ia linit Gjykatës Kushtetuese.
Sot, nuk mendoj kështu.
Si njëri nga hartuesit e kushtetutës, pra si një nga ata që mund ta bëjë interpretimin autentik të kushtetutës, ju garantoj që hartuesit e kushtetutës asnjëherë nuk e kanë pasur qëllim, synim apo qoftë edhe ide krejtësisht periferike që konstituimin e Kuvendit, gjegjësisht aftësinë e Kuvendit për të kryer detyrat dhe përgjegjësitë e veta kushtetuese, ta kushtëzojnë me zgjedhjen apo mos zgjedhjen e një apo dy nënkryetarëve të Kuvendit.
Në mënyrë që mos ta përsërisë veten, ju lutem që t’i lexoni dy letrat e mia publike që ia kam drejtuar kolegjit të Gjykatës Kushtetuese, ku i kam shtjelluar të gjitha argumentet dhe racionalitetin pse nuk mund të kushtëzohet konstituimi, gjegjësisht funksionalizimi i Kuvendit.
Fatkeqësisht, shteti i Kosovës, ky projekt madhor i popullit shqiptar të Kosovës, sot ka rënë pre e inateve primitive politike dhe është bërë peng i një gjeneratë politikanësh të papërgjegjshëm. Në këtë situatë alarmante për vendin, konsideroj që është imperative që ju të tregoni lidership dhe të zhbllokoni proceset.
Afatet kushtetuese për formimin e Qeverisë se re, kaq shumë të domosdoshme për legjitimitetin e degës ekzekutive të pushtetit, duhet të rrjedhin patjetër. Ju duhet të tregoheni e guximshme dhe ta konstatoni që konstituimi i Kuvendit ka përfunduar, që Kryesia e Kuvendit është funksionale sepse ka kuorumin e nevojshëm të përcaktuar me rregullore, që vendi vakant në kryesi mund të plotësohet në ndërkohë dhe që të dekretoni menjëherë procesin e rrjedhjes së afatit kushtetues për formimin e Qeverisë.
Nëse deputetët shqiptarë të Kuvendit, respektivisht deputetët e PDKsë, LDKsë dhe AAKsë, realisht mendojnë që Kuvendi nuk mund të funksionalizohet pa zgjedhjen edhe të nënkryetarëve nga komunitet jo shumicë, si dy vende të garantuara gjegjësisht të falura në Kryesinë e Kuvendit, janë të lirë që t’i bashkohen deputetëve të “Listës Serbe” duke ia mundësuar kësaj të fundit 30 nënshkrimet e nevojshme për të sfiduar dekretin tuaj në Gjykatën Kushtetuese.
Ju garantoj që nëntë deputetë nga komunitetet jo serbe, si patriotë të dëshmuar të kësaj Republike, nuk do t’i japin nënshkrimet e tyre në këtë iniciativë të mundshme ligjore,
Ju lus që të reflektoni mbi rrezikun që i kanoset themeleve të kësaj Republike si dhe të drejtave të popullit shqiptar si titullar primar i këtij shteti, dhe të tregoni guxim dhe lidership.
Sinqerisht
Prof. Dr. Kadri Kryeziu