Kur qytetarët trajtohen si të pandehur
Rastësisht u ula në një lokal të qytetit të Korçës, (emrin e lokalit s’po e bëj të ditur sepse pronari nuk ka lidhje me ngjarjen). Në atë çast desha t’i telefonoja dikujt dhe celularin e lashë mbi tavolinë. Qëndrova atje për një farë kohe. Kur desha të largohesha thirra kamarrierin të paguaja dhe kamarieri erdhi. “Sa bëjnë?”- e pyeta. Ai më kërkoi një pagesë që ishte shumë më e lartë nga ajo që kisha konsumuar. “Nuk ka mundësi të bëjnë aq”- i thashë. “Mirë, atëherë unë po të marr celularin, – më tha ai, – dhe u largua. Pa u larguar mirë i thashë: “Ok djali, po të jap sa thua ti, por celularin lërë mbi tavolinë, por ai iku dhe nuk doli më. Qëllimi kishte qenë marja e celularit. Nuk është se u shqetësova shumë, sepse këtë rast kaq flagrant të kryer sy ndër sy, do ta zgjidhja me ndihmën e policisë. Madje besoja vërtet. Te hyrja e Drejtorisë së Policisë kisha vënë re tri shirita ku shkruhet: “A ju kërkojnë para?” “A janë të sjellshëm?” “A ju dëgjojnë?” Po kurrë nuk më kishte shkuar në mendje se atje duhej shtuar edhe një shirit tjetër: “Kur vini të kërkoni ndihmën e policisë, a ju marrin si të pandehur?” Një ngjarje të tillë jam duke u treguar.
Nuk shkova dot që atë çast në polici
Fatkeqësisht nuk shkova dot që atë çast në polci sepse gjendja ime shëndetësore kishte filluar të rëndohej që kur gjendesha në lokal. (Mëngjeseve vrapoj deri te kodrat e qytetit dhe isha ftohur keq). Shkova në shtëpi dhe m’u desh një javë ta merrja veten. Fill pas kësaj shkova në polici. Te shërbimi i pritjes, (kështu po e quaj unë aty ku merr kontaktin e parë me policinë), iu shpjegova punonjësve të policisë se kisha ardhur të bëja një denoncim dhe sqarova cila ishte natyra e denoncimit. Gjithçka që thashë ia raportuan oficerit të hetimit Elvir Poçka. “Ngjitu në katin e tretë më thanë dhe takoje”. U ngjita dhe hyra në zyrën e tij. Iu prezantova kush isha pa i thënë që jam gazetar, sepse unë gjithnjë kam besuar që jo vetëm policia, por gjithë institucionnet e këtij vendi duhet të jenë në shërbim të qytetarëve në mënyrë të barabartë. Ia tregova ngjarjen shkurtimish, aq sa deshi oficeri i policisë së hetimit, Poçka. Dhe pas kësaj më tha: “Po shkoj te lokali”. U ngrita edhe unë të shkoja me të mbase prania ime ishte e nevojshme për ndonjë ballafaqim. “Jo, më tha, ti më prit këtu!” Vura re që toni i tij nuk ishte aq miqësor, por dhe shumë rëndësi kësaj gjëjë nuk i kushtova, më saktë nuk e paragjykova. Rëndësi për mua kishte zgjidhja e problemit.
Kthehet oficeri i hetimit
Oficeri i hetimit u kthye pas pak. Fjalët e para të tij ishin: “Ti ishe i pirë, i kishe sharë, celularin nuk ta ka marrë kamarrieri, celulari nuk ishte i kushtueshëm, 20 mijë (lekë të reja) etj. Kundërshtova ato që tha ai, sepse celularin e kisha të mirë, (por edhe në mos ishte i mirë ishte prona ime), i shpjegova që nuk kisha sharë askënd (madje me sa jam në dijeni, lokali ka kamera dhe mund të verifikohet gjithçka, dhe tek unë nuk ka për t’u gjetur asnjë çast nervozizmi. Në lokal kam qenë i qetë që nga momenti që kam hyrë e deri në sekondën e fundit që kam dalë. Por oficeri i hetimit Elvir Poçka nuk kishte dëshirë të më dëgjonte më.
Më shpalli të pandehur
Tani më dëgjo mua tha: “Ngrehu në këmbë, më urdhëroi dhe mori Kodin Penal në dorë. U ngrita më këmbë sikur të isha i pandehur. Kjo gjë më la tejet të habitur. Dhe pasi më lexoi nenin që fliste për dëshmi të rreme, më tha: “Nëse nuk vërtetohet që celularin ta ka marrë kamarieri, ti rrezikon 5 vjet burg për dëshmi të rreme, por edhe nëse e kanë marrë ata dhe e hedhin në rrugë dhe dikush tjetër e gjen dhe thotë celularin e tij e kam gjetur unë, ti përsëri dënohesh me 5 vjet burg për dëshmi të rreme”. “Domethënë, – i thashë oficerit të hetimi, Elvir Poçka, – nëse ata ia japin celularin një shokut të tyre dhe ky i fundit thotë e kam gjetur unë, atëherë unë përsëri shkoj në burg?” “Po tha oficeri i hetimit”,- Elvir Poçka. Po kur qenka kështu i thashë, atëherë ai që ma mori celularin le ta mbajë me shëndet, sepse unë nuk kam ndërmend të rrezikoj 5 vite burg për një celular”. “Prandaj të them, – tha Elvir Poçka”. Tronditja që pësova në ato çaste nuk mund ta përshkruaj dot. Përse paguhen këta oficerët e hetimit?! – mendova. Dola nga zyra e Elvir Poçkës duke i thënë: “E zgjidhe problemin!”
Si në diktaturë
Ajo që përjetova në zyrën e oficerit të hetimit Elvir Poçka, më kujtoi vitet e diktaturës. E kam përjetuar edhe atë kohë. Nëse bije në dorë të tyre, ata nuk kishin nevojë të të pyesinin, sepse ata e dinin që më përpara çfarë shkeljesh ligjore kishte bërë i akuzuari. Ata e dinin kush ishte i fajshmi dhe kush ishte i pafajshmi. Mënyrën e sjelljes së tij nuk mund të rrija pa e denoncuar. Me t’u qetësuar nga ajo që provova te zyra e Elvir Poçkës sepse m’u desh një farë kohe të merrja veten, i shkruajta zëdhënses së Drejtorisë së Policisë të Qarkut Korçë, gjithçka që më kishte ndodhur duke kërkuar që të vinte në dijeni drejtorin e Policisë së Qarkut Korçë ku ndërkohë kërkoja të dija nëse këto janë procedura të ligjshme që ndiqen nga oficerët e hetimit ose jo. Gjithashtu kërkoja të bëhej edhe verifikimi nëpërmjet kamerave, nëse lokali kishte kamera. Më pas mora takim edhe me zëdhënsesn e Drejtorisë së Policisë të qarkut Korë. Ju mund ta zgjidhni edhe ne rrugë ligjore, më tha zëdhënsja. “Fillimisht do ta denoncoj në shtyp”, iu përgjigja.
Dhe sërish mendova se aty te tri shiritat e godinës së Drejtorisë së Policisë ku shkruhet: “A ju kërkojnë para?”, “A janë të sjellshëm”, “A ju dëgjojnë?” – duhet shtuar edhe një shirit tjetër : “Kur vini të kërkoni ndihmën e Policisë a ju marrin si të pandehur?!” Sepse kush është fajtori dhe kush është dëshmi e rremeë zbulohen gjatë hetimeve, jo apriori siç mund të ketë qejf oficeri i hetimit dhe në rastin konkret, Elvir Poçka
Komentet