VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

“Joker” kryeson nominimet për Çmimin e filmit të Akademisë Britanike

By | January 7, 2020

Komentet

Moderatori shqiptar shumë shpejt pjesë e televizionit italian me një projekt interesant

TIRANE

Një nga prezantuesit më simpatikë të medias shqiptare, i njohur për stilin e tij elegant në çdo daljen tijën publike, por edhe me angazhimet si profesionist i ekranit duket se shumë shpejt do të nisë një kapitull të ri! Xhani Shqerra, ka zbuluar se do të jetë pjesë e medias italiane në një nga televizionet kombëtare të rëndësishme atje, me një projekt të ri dhe interesant që i kushtohet design-it!

“Gjate muajit prill –maj do të xhiroj në Itali programin, që do të jepet ne një media kombëtare italiane”, u shpreh ai gjatë një interviste të fundit dhënë për mediat shqiptare. Programi xhirohet në pranverë dhe nis transmetimin në sezonin e ri televiziv, në shtator, në një nga mediat italiane, emrin e së cilës moderatori nuk e ka zbuluar ende shkruan Class.

Xhani duket se do t’i rikthehet Italisë, vendit ku u rrit dhe jetoi për një kohë të gjatë, por këtë herë si profesionist.
Ai thekson se nuk do të largohet nga Shqipëria, do të vazhdojë të jetë i angazhuar me projektet televizive këtu, por eksperienca si bashkëprezantues në Itali është sigurisht një arritje profesionale për të dhe ai nuk mund ta fshehë entuziasmin për këtë!

“London International Film Fest”, Pluton Vasi shpallet regjisori më i mirë

Regjisori shqiptar Pluton Vasi, i njohur për individualitetin e tij në krijimtari, si në filmin dokumentar edhe në atë artistik është shpallur fitues i çmimit “Regjisori më i mirë”, në “London International Film Fest”.

Projekti kinematografik, që i mundësoi Vasit fitoren e çmimit në fjalë ishte filmi artistik “Ndërkombëtarët”.

Filmi është një komedi e zezë, ku roli kryesor interpretohet nga Eni Shehu, personazhi i Roshit, aktori Ardian Cerga vjen në rolin një britaniku, Hervin Çuli po në rolin e një ndërkombëtari, Karafil Shena ka rolin e kryetarit të Sindikatës, për të vijuar dhe me Rovena Lule, Kastriot Çaushi, Alfred Trebicka, Lulzim Zeqja, Eriona Kakeli, Alert Çeloaliaj, Adele Gjoka, e të tjerë.

Vazhdon ëndrrën: Alida Hisku rikthehet në Festivalin e Pranverës me këngën e fundit pas ‘tragjedisë rinore’

Personazhi i sotëm i Festës së Këngës në News24, nën drejtimin e Gjergj Lekës, është një këngëtare shumë e njohur për publikun e cila pavarësisht se ka më shumë se 30 vjet që është shkëputur nga kënga vazhdon të ketë një publik që e adhuron.

Ajo është Alida Hisku, një këngëtare shumë e dashur, që rrjedh nga një familje artistësh dhe që pavarësisht se e larguar nga skena shumë kohë më parë, vazhdon të këndojë dhe të bëjë muzikë. Në kopshtin e shtëpisë së saj në Gjermani, ajo ka improvizuar edhe një skenë ku këndon me miqtë e saj gjerman, një vend që u bë shtëpia e saj e dytë pas largimit nga Shqipëria. Alida Hisku është një këngëtare shumë ndryshe nga të tjerat, jo vetëm për mënyrën e të kënduarit që ajo ka, por edhe për komunikimin direkt me publikun që ajo përcjell dhe Alida gjithmonë ka pranuar çfarë i kanë ofruar në materialet muzikore.

Këngë për partinë, këngë revolucionare, të gjitha këngët që i jepnin dikur të këndonte në kohën e komunizmin, kompozitorët e dinin që ajo do t’i këndonte me gjithë shpirt. Me një karrierë të nisur që në festivalet për fëmijë, ku mori edhe çmim në 1969, Alida Hisku gjithashtu ishte një këngëtare që mori çmime në festivalet në Radion televizion, ku përmendim këtu këngën ‘Vajzat e fshatit tim’, në festivalin e 13-të, ku ajo fitoi edhe çmimin e parë.

Me një repertor shumë të pasur prej më shumë se 60 këngësh, Alida Hisku mbetet një këngëtare shumë e dashur edhe sot për publikun. Në një interviste të dhënë për ‘Na ishte një herë Muzika’, Alida tregon për ëndrrën e saj për të organizuar një muzikal me këngët e saj të cilat janë të shumta, gërshetuar me biografinë dhe tragjedinë e saj të rinisë. ‘Unë do vazhdoj të ëndërroj- thotë Alida- derisa kjo ëndërr të realizohet. Cdo ditë e ujis ëndrrën time dhe ajo që e ushqen këtë ëndërr është shpresa, të cilën deri në këto momente nuk e kam humbur, ajo më jep forcë’.

Alida ka mbetur e njëjtë nuk ka ndryshuar aspak, vetëm në një gje ka ndryshuar këngëtarja, për mirë sigurisht. Siç rrezikon kur hidhet nga avioni me parashutë në moshën që ka, apo merr patentën e drejtimit të avionit, ajo njësoj sillet edhe me këngën, pra pasioni mbi të gjitha. Edhe pse ëndrrën ja thyen në mes, Alida siç e tha edhe vetë vazhdon të ëndrrojë dhe realizimi i këtyre ëndrrave është qëllimi më i rëndësishëm në jetën e saj. Alida Hisku prezanton në Festën e Këngës, një këngë të ‘Dekadës së Majit’, e kënduar siç thotë ajo vetëm një herë, por që sipas asaj është shumë e bukur. “Është një këngë shumë e bukur, me tre nota, shumë e thjeshtë, por që publiku pa dalë nga salla filloi ta këndonte dhe kjo ishte kënga e fundit e kënduar prej meje, me të cilën unë u ndava edhe nga publiku’. Një pjesë të kësaj këngë Alida Hisku do e këndojë sot, ndërsa këngën e plotë do e këndojë në muajin Maj, gjatë Netëve të këtij Festivali Pranvere, që siç thotë Alida, ‘i rizgjoi ëndrrat’. bw

Më 7 shkurt 1945 lindi Mevlan Shanaj, aktor, producent, regjisor i shquar shqiptar

Mevlan Shanaj Mjeshter i madh, artist i merituar, profesor dega e filmit në Akademinë e Arteve Tirane, lindi më 7 shkurt të vitit 1945 në Fier, Shqipëri. Është prezantuar për publikun si aktor, regjisor në kinema dhe televizion, dhe si producent. Nga viti 1987 deri më 1992 ka qenë Drejtor i Departamentit të Filmit në TVSH Shkëputet për 4 vite nga televizioni dhe kthehet në vitin 2001 si drejtor i Departamentit të Filmit dhe Spektaklit në TVSH. Në vitin 2001 ka filluar punën e producentit dhe regjisori me “Zig-Zag” Film. Më 2005-2006 ka ushtruar profesionin e pedagogut në Akademinë e Filmit dhe Multimedias “Marubi” e deri më sot në degën e regjisë në Akademinë e Arteve. Në vitin 2008 mori titullin “Mjeshtër i Madh”.

Shanaj ka interpretuar në filmat: “I teti në bronz”(1970) regjisor Viktor Gjika, “Malet me blerim mbuluar” (1971) regjisor Dhimitër Anagnosti, “Guximtarët” (1970) regjisor Gëzim Erebara, “Rrugicat që kërkonin diell” (1975) regjisor Saimir Kumbaro,Rikard Ljarja, “Ballë për Ballë”(1979) regjisor Kujtim Çashku, “Rrethimi i Vogël” (1986) regjisor Saimir Kumbaro, “Pranvera s’erdhi vetëm” (1988) i Pirro Milkanit, Unë e dua Erën” (1991), regjisor Albert Minga, “Viktimat e Tivarit”(1996) regjisor Ekrem Kryeziu, “, “Lule të Kuqe Lule të Zeza” realizim i vetë Shanajt, “Ne kerkim te kujt” regjisor Gjergj Xhuvani. Të tjera realizime të tij janë filmat artistikë: “Korrierët” (1976), “Plumba Perandorit” (1980 ), “I Paharruari”(1984), “Të Shoh në Sy” (1985), “Një Telegram dhe një Këngë” (1986), “Fletë të Bardha” (1990).”Lule te kuqe, lule te zeza” Dokumentarë: “Marie Kraja”, “Tefta Tashko”, “Komani një Betejë e Madhe”, “Gju me Gju”, “Lasgush Poradeci”, “Berati Qyteti i Bardhë”, “Zëra nga Lashtësia”, “Katër Mëngjeset”, “Pandi Raidhi”, “Rrugët”, “Bibla & Kurani” , “Një ftesë nga Iliri”, “Visi”, “Përcjellja”, “Shkronjat e Pavarësisë”, “Te fala Ndreke Luca”, “Rruget” Gjate punes ne RTSH ka realizuar rreth 30 vepra te zhanreve te ndryshme televizive, si dramen ne tv,dhe shume spektakle.

Filmografia

Aktrim

Ne kerkim te kujt (2009) Doktor Leo
Lule të kuqe, lule të zeza – (2003)
Viktimat e Tivarit (1991)
Unë e dua Erën – (1991), Kujtimi
Pranvera s’erdhi vetem (1988)
Rrethimi i vogël – (1986), shoku i Agronit
Ballë për ballë – (1979) Besnik Struga
Rrugicat që kërkonin diell – (1975) Nebi Surreli
Malet me blerim mbuluar (1971)
Guximtarët – (1970)
I teti në bronz – (1970) Ibrahim

Regji

Lule të kuqe, lule të zeza 2003

Fletë të bardha 1990

Të shoh në sy 1986

I paharruari 1984

Një telegram një këngë 1982

Plumba perandorit 1980

Korrierët 1976

Pallati 176 1986

Dokumentarë

Tefta Tashko
Marije Kraja
Berati
Katër mëngjeze
Rruga b.kater
Lasgush Poradeci
Gju më gju
Komani
Pandi Raidhi
Shqiptari i vonuar
Rruget
Bibla dhe kurani
Ftesë nga Iliri
Përcjellja
Shkronjat e Pavarsise
Te fala Ndreke Luca. Rruget 2. Koha e pelikules ( Xhanfise Keko)

Producent

Lule te kuqe lule te zeza, 2003 Koncert Elsa Lila 2004 Ftese nga Iliri 2004 Visi 2005 Percjellja( Vangjush Furxhiu)2008 Pharmakon, 2012 Dita e fundit e Loro Shestanit 2012 Te fala Ndreke Luca 2013 Rruget 2

VIDEOT: Këngët më të njohura të Nexhmije Pagarushës

Këngëtarja ikonë e muzikës shqipe ka lënë pas vete një prapavijë të pasur kulturore.

Nexhmije Pagarusha ka vdekur në mëngjesin e sotëm në moshën 86-vjeçare, megjithatë emri i saj do të jetojë gjithmonë në kulturën dhe historinë shqipe.

Ajo është dalluar gjithmonë për zërin e saj të dalluar e të fuqishëm, zë ky që i bënte këngët e saj kryevepra edhe më të veçanta, shkruan Gazeta Express.

Nexhmije Pagarusha, bashkë me bashkëshortin e saj, kompozitorin Rexho Mulliqi e disa bashkëpunëtorë tjerë, kanë publikuar shumë këngë që kanë mbetur të pavdekshme në historinë e muzikës shqipe, e që këndohen e interpretohen edhe gjatë ditëve të sotme.

Padyshim kënga më e njohur e saj është ‘Baresha’, këngë kjo që është kënduar e interpretuar në shumë versione përgjatë viteve. Pagarusha ka qenë e vetmja që ka arritur ta këndojë në mënyrën e saj këngën që është mjaft e vështirë për t’u interpretuar, e që ajo e bënte me aq lehtësi.

Ajo ka kënduar në versionin e saj edhe këngën e njohur “E dehur jam”, duke e bërë si këngë të vetën me interpretimin fantastik që i ka bërë.

Një këngë që është me të vërtetë e pavdekshme, është ajo me titullin “Ani mori nuse” që shfaq këngën shqipe në nivel shumë të lartë.

Njëjtë mund të themi edhe për këngën “E kujtoj atë takim”, në të cilën zëri i artistes kumbon shumë bukur dhe vërehet veçantia e tij.

“Mora Testin”

“Kur një ditë të kthehesh ti”

“Oj lulija jonë”

“Sytë për ty i kam të njomë”

Ndahen çmimet ‘Bafta’, “1917” triumfon në natën e madhe të ‘Oskarëve’ britanikë

BRITANI E MADHE

Mbrëmë në Londër u ndanë çmimet Bafta’ ose sic njihen ndryshe “Oskarët Britanikë”. Protagonisti i kësaj mbrëmje ishte filmi ‘1917’ i regjisorit Sam Mendes, i cili ka rrëmbyer 7 çmime.

Drama, që tregon një histori gjatë Luftës së Parë Botërore, ishte fituesja e madhe e natës, pasi mori me vete 7 çmime, përfshi regjinë më të mirë për Sam Mendes, figurën më të mirë, filmi më i mirë britanik, miksazhi më i mirë i zërit, produksioni më i mirë dhe çmimin për efektet vizuale.

Ndërsa Renée Zellëeger (Judy) dhe Joaquin Phoenix (Joker) morën çmimin si aktorët më të mirë. Zhgënjim të madh këtë mbrëmje pati filmi, “The Irishman”, i cili u kthye në shtëpi pa asnjë çmim edhe pse kishte 10 nominime.

Çmimet ‘Bafta’ për aktorët më të mirë joprotagonistë shkon për Laura Dern më filmin “History of a Ëedding” dhe Brad Pitt për filmin, “Once upon a time in … Hollywood”.

Por, nuk kaloi pa kritika ndarja e çmimeve britanike kur vjen puna tek nominimi i aktorëve me ngjyrë apo kandidimi i meshkujve. Në lidhje me këtë, Joaquin Phoenix, teksa mori kupën e aktorit më të mirë për rolin e tij në filmin “Joker”, tha se lista e kandidaturave është një mesazh i qartë për aktorët me ngjyrë se nuk janë të mirëpritur në këtë akademi. Amanda Berry, Presidentja e çmimeve ‘Bafta’ reagoi duke shprehur zemërim për keqkuptimin e situatës.bw

Jennifer Lopez dhe Shakira “ngrenë” në këmbë publikun e finales së madhe të ‘SuperBowl’

Mbrëmë u zhvillua edicioni i 54-t i SuperBowl i cili na dhuroi një nga spektaklet e pushimit të ndeshjes më të bukura në histori.

Dy divat e muzikës botërore Jennifer Lopez dhe Shakira ishin ngarkuar me detyrën për të ngritur në këmbë publikun e finales së madhe të futbollit amerikan. Me një veshje transparentë ylli i muzikës ka dhënë spektakël në skenë me performancën e saj.

Dritat e “Hard Rock Stadium” u fikën për pak sekonda, përpara se të fokusoheshin të gjitha te Shakira, e cila u shfaq me një kostum të kuq dhe nisi të këndonte këngën “She Wolf”.

Këngëtarja kolumbiane vijoi me një miks hitesh të tjera të saj, që e mbylli me “Hips Don’t Lie”. Më pas, skena ishte e gjitha për divën Jennifer Lopez, e cila interpretoi “Jenny from the block”, “On the Floor” dhe “Waiting for the night”. I ftuar i JLo ishte edhe J Balvin.

Pasi interpretuan veç e veç, dy yjet latine u bashkuan në fund duke e mbyllur spektaklin e pushimit të ndeshjes me këngën “Waka Waka”, himni i Botërorit të futbollit të vitit 2010.
(BalkanWeb)

“Edi Rama ishte i fejuar me Matilda Makoçin, vinte në xhirime, por…”- Regjisori rrëfen prapaskenat e filmit “Hijet që mbetën pas”: Çfarë ndodhi në zyrën e Ramiz Alisë

“Ç’të them më parë për Xhevdet Ferrin? Ka kaq shumë për të treguar, por dhimbja i merr frymën fjalës. Xhoda kishte ende shumë për të dhënë… “. 16 janari i këtij viti i mori kinematografisë shqiptare një nga aktorët më të mirë, që jetësoi më shumë se 30 role, dy prej të cilave si protagonist në filmat e Esat Musliut.

Kineasti sot, ndërsa tregon heroin e “Hije që mbeten pas” dhe “Vitet e pritjes”, herë pas here kapërdin lotët, për aktorin që sipas tij diti më së pari të jetë njeri. E kujton ende sot Xhevdet Ferrin në fillimet e tij, kur i kishte tërhequr vëmendjen me lojën në “Vëllezër e shokë” të Dhimitër Anagnostit për portretin meditativ, lojën interpretative e të qenit fotozhenik. Veti këto, që do të bënin që Musliu t’i propozonte rolin kryesor të gjykatësit në “Hije që mbeten pas”. Nga takimi me të në qytetin e Durrësit, ku Xhoda jetonte, ai zbulon një djalosh të vëmendshëm e me aftësi të jashtëzakonshme për të dëgjuar. Pas leximit të skenarit, realizuar nga Musliu dhe Diana Çuli, aktorit do t’i pëlqente roli, por kishte për regjisorin një dëshirë të veçantë, që deri diku do ta linte kineastin të befasuar: Duhej që kërkesën që Xhoda të merrte pjesë në film t’ia parashtronte dhe babait të tij. Regjisori tregon për “Panoramën” takimin me të atin e aktorit në shtëpinë përdhese të qytetit bregdetar, për një film i cili do të ishte nën vëzhgimin e veçantë të instancave për temën delikate që trajtonte: korrupsionin.

Ai e kujton sot Xhevdet Ferrin në sheshxhirim si një aktor tepër korrekt e të vëmendshëm, gjithmonë në kërkim të detajeve artistike. “Ishte i veçantë, fliste pak e dëgjonte shumë. Një fjalor anglishteje në xhepin e tij tregon edhe zellin e tij, largpamësinë”. Në “Hije që mbeten pas”, Musliu tregon se trupa e aktorëve me Reshat Arbanën, Demir Hyskjan, Tinka Kurtin, Eva Alikajn etj., ia bënë punën më të lehtë. “Asnjëherë nuk m’u desh të bëja më shumë se dy dubla. Masandej, interpretimi i Xhevdetit dhe Matildës ishte i jashtëzakonshëm”.

Për herë të parë në një rol protagonist e me një lojë kurajoze me Xhevdet Ferrin, Musliu e veçon Matildën si një nga talentet e jashtëzakonshme që ka pasur kinemaja jonë. “Në këtë film ajo ka treguar gjithë potencialin e saj, sa keq që u shkëput aq herët nga kinematografia…”, thotë regjisori. Musliu kujton se në ’85-ën, gjatë xhirimeve të “Hije që mbeten pas”, Makoçi, e fejuar me Edi Ramën, shoqërohej shpesh nga ky i fundit. Kryeministri ka qenë prezent dhe në episodin e fundit, të cilin regjisori e veçon si nga më të vështirët, ku frikën e territ të natës ia shtonte edhe valixhja me paratë e vërteta, me të cilën duhet të realizonte skenën finale mes Matildës dhe Xhevdetit.

Një film që duket se nuk u ka shpëtuar ndërhyrjeve të Partisë e instancave që në fillime, kur ministri i korruptuar në skenar, me urdhër nga lart zëvendësohet me një drejtor drejtorie. Tensioni do të shoqëronte Musliun edhe pas realizimit të tij, kur për pak kohë filmi ndenji i bllokuar e pa u shfaqur. Pas kësaj, një takim zyrtar me Ramiz Alinë duket se u jep fund mëdyshjeve. Musliu tregon të gjitha prapaskenat e “Hije që mbeten pas”… një rrëfim që ka në fokus aktorin Xhevdet Ferri.

Ai flet gjithashtu për filmin “Vitet e pritjes”, ku përkrah Xhodës kërkoi edhe bashkëshorten e tij aktore, Rozetën, për një histori sa më reale dashurie, që zhvillohet mes dramës së emigrimit. Por Musliu e vlerëson Xhevdet Ferrin edhe në punën e bërë gjatë pozicioneve në Qendrën Kinematografike të Filmit, ku sipas tij, me të si drejtor u realizuan filmat më të mirë.

Po ashtu, ai flet me superlativa për periudhën në të cilën u angazhua në Teatrin Kombëtar si drejtues dhe përfshirjen për një periudhë të shkurtër në politikë si deputet. Gjurmë të bardha ka lënë, sipas tij, edhe me angazhimin në platforma televizive, por për të gjitha këto ka vetëm një keqardhje: Çdo detyrë e realizoi me dinjitet, pa dyshim. Më vjen keq vetëm për faktin se nga kjo kohë do t’i kishte dhënë edhe më shumë kinemasë sonë si aktor… Roli i tij i fundit, ku interpretoi si Asllani militant te “Delegacioni”, tregoi sipas kineastit protagonizmin që ai diti t’i japë çdo roli dhe faktin se mund të luante edhe dhjetëra role të tjera, duke i komunikuar publikut përsëri e përsëri memorien e pashlyeshme të personazheve të Xhodës…

Zoti Musliu, 10 ditë më parë u nda nga jeta aktori Xhevdet Ferri, të cilin ju e keni pasur si protagonist në dy nga filmat tuaj, “Hije që mbeten pas” dhe “Vitet e pritjes”. Për ta risjellë përmes kinemasë, donim të ndanit me ne disa nga kujtimet tuaja. Si u njohët me të?

E kam parë Xhevdetin për herë të parë në filmin “Vëllezër dhe shokë” të Dhimitër Anagnostit. Aty nuk kishte një rol të madh, megjithatë më befasoi me interpretimin e tij e veçanërisht me portretin tepër fotozhenik. Kishte dy sy të mëdhenj e një portret meditativ, që tërhiqte lehtësisht vëmendje. Përpos kësaj, nëse aktorët, veçanërisht në ditët e sotme, kanë maninë e të folurit e një dinamikë të jashtme, hera-herës të pajustifikueshme, ai ishte i gjithmonë i qetë, me atë aftësinë e jashtëzakonshme për të dëgjuar. Dhe një aktor që di të dëgjojë, do të thotë që di të komunikojë, çka është një “armë” tepër e fortë në aktrim.

E kujtoni çastin kur i propozuat të interpretonte rolin e Agronit në “Hije që mbeten pas”, si e priti?

E kujtoj si të ishte sot. Xhevdeti kishte mbaruar studimet dhe ishte emëruar në Teatrin e Durrësit, aty jetonte me familjen. U nisa posaçërisht për ta takuar dhe u ulëm të pinim kafe. Gjatë bisedës, unë isha tepër i vëmendshëm, e dëgjoja, shikoja portretin e tij. E kisha menduar për rolin e Agronit, një gjykatësi që di të arsyetojë, të vendosë drejt… Për këtë personazh më duhej një njeri tepër i vëmendshëm dhe Xhevdeti ishte i tillë. Ai fliste pak dhe dëgjonte shumë. I tregova në mënyrë të përmbledhur subjektin e skenarit dhe i propozova që të luante në filmin tim. Ai nuk më dha përgjigje në vend, por më tha: “Ti e ke skenarin, të lutem ma sill ta lexoj”. Dhe kështu u bë. Pas disa ditësh ia çova dhe pasi e lexoi, u ritakuam. Më tha shkurt: “Skenari më pëlqen dhe pranoj të aktivizohem me ju, veçse kam një dëshirë: Të vish të takosh babanë tim, e kemi si rregull familjar. Këtë kërkesë që ma bëre mua, përsëritja edhe atij”. Të jem i sinqertë, në fillim u befasova, s’kisha hasur më parë në të tillë kërkesë, mirëpo vendosa ta dëgjoj e t’i shkoja në shtëpi.

Çfarë ndodhi më pas, e takuat babanë e zotit Ferri?

Unë shkova në shtëpi. Xhevdeti jetonte në një shtëpi përdhese me disa dhoma, ku së bashku me të ëmën më priti jashtëzakonisht mirë. Më pas, ai më ftoi të takoja të atin në dhomën ngjitur. Hyra dhe pashë një burrë trupmadh, që dridhte me qetësi cigaren. Nuk u çua siç ndodh zakonisht për të pritur një mik, megjithatë më ftoi të ulesha. Ndenji pak dhe më pyeti:

“Si është puna?”

I tregova për planin për të aktivizuar Xhevdetin në film dhe ai u interesua më tej.

“Çfarë roli do të luajë?” – më tha.

Pasi i shpjegova se do të luajë rolin e një gjykatësi, ai më pyeti: “Çfarë bën ky gjykatës?” I tregova se është një gjykatës që duhet të marrë vendime dhe është i fejuar me një vajzë, babai i së cilës është një njeri i korruptuar.

Mirëpo, flasim për sistemin komunist dhe fjala korrupsion asokohe tingëllonte shumë e padëgjuar. Ligjet dhe rregullat e asaj kohe ishin të tilla që mund të përmendej fjala vjedhje, por jo korrupsion, sepse përfshinte diçka më madhore.

I sqarova më tej se xhirimet bëheshin në Tiranë dhe ne do ta merrnim dhe do ta sillnim Xhevdetin me makinë.

Pas kësaj, ai kthehu kokën nga Xhevdeti e më pyeti:

“A është dakord ky?”

-Xhevdeti ka mendimin tuaj, do të bëjë siç ta vendosni ju, – iu përgjigja.

-Mirë. Mund të shkosh,- i tha më në fund të birit.

U ngrita, i dhashë dorën dhe e falënderova.

Kur Xhevdeti më përcolli te dera, e pyeta:

Po ç’ishte e gjitha kjo?

-Është rregull familjar, – më tha.

Dhe unë brenda mentalitetit tim e pranova.

Pra, Xhevdetin e keni përzgjedhur për rolin e personazhit kryesor pa kinoprova?

Unë kryesisht nuk kam bërë kinoprova për aktorët që kam marrë në filmat e mi. E kam zgjedhur dhe puna që kam bërë më tej është ndërtimi i figurës artistike; mënyrën si do grimohet, mbajtja e flokëve, kostumet. Bënim një punë të madhe me gjithë stafin, përfshirë piktorin e filmit. Njëkohësisht i flisja Xhevdetit për skenarin dhe personazhin, të cilin ai duket se e kishte pëlqyer shumë. E kishte pëlqyer në mënyrën e heshtur që ai njihte, jo me patetizmin që shfaqin ndonjëherë aktorët.

Si partnere në film kishit menduar aktoren Matilda Makoçi, e cila kishte një rol mjaft të vështirë… Matilda ishte një aktore e mrekullueshme, që me “Hije që mbeten pas” debutonte për herë të parë në një rol kryesor. Kishte një kurajë në interpretim, një shprehi të admirueshme. Në këtë film ajo është shpërfaqur plotësisht, duke përmbushur çdo pritshmëri. Jam shumë i keqardhur që Matilda u tërhoq nga kinemaja… Largimi i saj nga filmi është një humbje shumë e madhe për kinemanë tonë. Ka treguar një potencial të jashtëzakonshëm. Po kështu, kam mbetur tepër i kënaqur edhe me aktorët e tjerë, nisur nga Xhevdeti, Ndriçim Xhepa, Eva Alikaj etj. Falë tyre, unë realizova gjithçka kisha në mendje për këtë film.

Kur flas për vështirësinë e rolit të Matildës apo të aktorit Reshat Arbana (në film Adnan Kodra), e lidh edhe me çështjen delikate të korrupsionit që ju përmendët. Një skenar i tillë, në atë kohë kërkonte guxim…

Është e vërtetë, tema që trajtohet në këtë film për kohën ishte mjaft delikate. Skenari bazohet në një roman të Diana Çulit dhe e kam punuar bashkë me të. Për herë të parë në atë skenar hidhej ideja që edhe në shtetin komunist ka korrupsion dhe ky fenomen mund të shkatërrojë dhe vetë sistemin. Mbaj mend se qysh pa filluar filmin, kur e kam çuar skenarin për aprovim në instancat përkatëse, pati disa ngërçe. Unë personazhin kryesor e kisha menduar ministër dhe ata më thanë: “Ule, ule pak!”. Atëherë, unë propozova ta lëmë personazhin zëvendësministër. “Ule akoma”, – m’u përgjigjën.

-Epo, drejtor drejtorie do të jetë, se një nëpunës i thjeshtë nuk ka asgjë në dorë, – shtova më tej. Edhe kështu ndodhi, ma lanë drejtor.

Si ishte puna në sheshxhirim, kishit vështirësi me protagonistët apo me ndonjë nga aktorët e tjerë?

Për sa i përket Xhevdetit, ai ishte pa dyshim një aktor shumë i përgatitur. Nuk kam pasur kurrë probleme, qoftë me dublat, tekstin apo mizaskenën… Me Xhodën ndodhi ajo që ne i themi në gjuhën e regjisë së filmit, “iu dorëzua regjisorit”. Brilant ka qenë dhe interpretimi i Matildës dhe i pjesës tjetër të trupës. Pata fatin të punoja me aktorë të mrekullueshëm, duke filluar nga Tinka Kurti, Reshat Arbana, Demir Hyskja, Eva Alikaj, Antoneta Papapavli etj. Mandej, Ndriçim Xhepa kishte një personazh krejt të kundërt me atë të Xhevdetit. Zbulon degradimin e familjes dhe ngrihet kundër saj, duke demaskuar të atin dhe hipokrizinë familjare. Ka disa shpërthime të mrekullueshme dhe po për këtë film mori edhe kupën e festivalit

Cilin do të veçonit si momentin më të fuqishëm të këtij filmi në aspektin artistik?

Mund të përmend episodin tek Amfiteatri i Liqenit, unë e konsideroj si momentin më brilant të këtij filmi. Është një skenë e ndërtuar mirë, së cilës i vumë në dispozicion të gjithë ndriçimin e Kinostudios. Pastaj, nata krijon atë atmosferën e qetësisë dhe lejon komunikimin e pastër. Janë momente filmike të punuara me shumë dashuri edhe falë dy aktorëve të mrekullueshëm, me të cilët punoja. Matilda dhe Xhevdeti i kishin detyrat aktoreske shumë të qarta dhe unë punoja vetëm me mizaskenën. Skenat e filmit janë realizuar me një, ose maksimumi dy dubla.

Ka pasur ndonjë skenë veçanërisht të vështirë për t’u realizuar?

Veçoj një skenë, për të cilën mund të kem edhe ndonjë vërejtje. Bëhet fjalë për momentin kur Matilda Makoçi tenton të korruptojë të fejuarin e saj. Ajo i lutet ta mbyllë këtë çështje duke i ofruar edhe para. Kur xhiroja me gjithë ato para me vete, natyrisht që kisha një lloj frike se mos dikush mund t’i rrëmbente. Unë për realizimin e skenës kisha marrë të gjitha lekët e llogarisë sonë, me mirëkuptim kuptohet. Ishin mijëshe, pesëqindëshe, të cilat mezi mbaheshin në dorë. Frika ishte e madhe edhe për faktin se ne xhironim në errësirë te “Zogu i Zi”. Kisha zgjedhur ta xhiroja aty, pasi ishte i vetmi vend me semafor, element që më nevojitej për atë episod, pasi kisha krijuar një lloj paralelizmi mes ngjyrave të semaforit, të cilat ndryshonin sipas gjendjes shpirtërore të personazheve. Në atë episod, pavarësisht se aktorët i kisha të mrekullueshëm, me një lojë tepër të mirë, ndriçimi nuk ishte i mjaftueshëm. Përpos kësaj, do të ishte mirë që të ndihej edhe dinamika e lëvizjes së automjeteve, megjithatë duke pasur parasysh rrethanat, përsëri jam shumë i kënaqur… Xhevdeti e ka përballuar më së miri peshën e kësaj drame të madhe, kjo është reflektuar në sytë e tij, në heshtjet e në pauzat që krijonte..

Si sillej Xhevdeti jashtë momenteve të xhirimeve me ekipin, ishte i tërhequr apo miqësor?

Çuditërisht, aq sa ishte korrekt e i saktë, aq i dashur ishte me aktorët e tjerë. Ishte një atmosferë e jashtëzakonshme, bënin humor, kishte gjallëri. Kujtoj se aktorët krijonin një grup paksa të mënjanuar nga pjesa tjetër e ekipit, ku përfshihen teknicienët, grimierët etj. Jashtë xhirimeve, mes tyre vërehej një komunikim miqësor.

Flasim për vitin ’85, periudhë kur aktorja Matilda Makoçi ka qenë e fejuar me Kryeministrin Edi Rama. Si ishte qasja e Matildës ndaj kolegëve dhe a ka asistuar ndonjëherë Rama në xhirime?

Matilda, përveçse një aktore jashtëzakonisht e talentuar, ishte një vajzë shumë e komunikueshme. Është e vërtetë, asokohe ishte e fejuar me Edi Ramën dhe ai vinte shpesh në xhirime, por rrinte i mënjanuar, nuk përzihej me ekipin e filmit. Priste Matildën disi i distancuar sa mbaronte xhirimet, pastaj e merrte dhe largoheshin bashkë. Unë me të s’kam pasur asnjë lloj komunikimi, as dorën s’ma ka dhënë, as më ka pyetur se si po shkojnë xhirimet apo diçka tjetër. Kryesisht rrinte mënjanë i ulur diku, qoftë në dritë apo në errësirë. Kujtoj se ka qenë i pranishëm edhe gjatë episodit të fundit me paratë, sepse xhirohej natën. Mirëpo, nuk ndërhynte, shikonte marrëdhënien e vet me Matildën, komunikonte vetëm me të.

Pas përfundimit të xhirimeve, si shkoi më tej filmi, pati probleme për t’u shfaqur?

Në fakt, fillimisht, pasi mbaruam xhirimet dhe montazhin, filmi qëndroi pak kohë i bllokuar, për shkak të problemeve që ngrinte. Ka qenë viti 1985, sapo kishte vdekur Enver Hoxha dhe diçka çalonte me shtetin tradicional komunist. Pra, filmi duhet të kalonte e të aprovohej nga të gjitha instancat. Në atë periudhë kam qenë në stres, mendoja se mos na hapej ndonjë telash, po nga ana tjetër Diana më inkurajonte. Mund të them se ka qenë një shkrimtare tepër e guximshme. Ndodhi që filmi hallkë pas hallke do të shikohej nga Ramiz Alia, fill pas kësaj më erdhi në shtëpi Viktor Gjika, që asokohe ishte drejtor i Kinostudios dhe më thotë: “Duhet të vish me mua, na pret Ramiz Alia”. Unë u tremba fillimisht, me thënë të drejtën, mendova se kaq e pata! Viktorin, pavarësisht frikës që kisha, e shikoja disi të gjallëruar, e pyesja se çfarë kishte ndodhur, por ai nuk më tregonte për arsyen e vërtetë të këtij takimi. Derisa i shkuam në zyrë Ramiz Alisë… Aty ai ma shtrëngoi dorën e më tha: “Filmi ishte shumë i mirë. Është kjo ajo që ne kërkojmë, të thuhet e vërteta në çdo rrethanë”. Mandej u interesua për punët e Kinostudios dhe udhëzonte Viktor Gjikën për rrugën që duhet të ndiqte. Nga këto biseda, unë ndieja se diçka kishte ndryshuar në botën e filmit, së paku në konceptin tim intelektual, kjo ndoshta lidhej edhe me reformat që po bënte Gorbaçovi e që ndiheshin edhe në vendet e tjera socialiste.

Si u prit filmi nga publiku?

Filmi është pritur jashtëzakonisht mirë, theu rekordin e spektatorëve me 650 mijë shikues si asnjëherë më parë. Pati dyndje të jashtëzakonshme nga spektatorët shqiptarë. Ne bënim dhe takime me publikun, bisedonim në lidhje me filmin dhe vinim re që pritej me shumë kënaqësi kuraja jonë për të demaskuar korrupsionin, që faktikisht ekzistonte dhe në atë periudhë, por që akoma nuk flitej për të. Po ashtu, filmi u shfaq në disa festivale botërore, në disa prej të cilave kam qenë edhe unë i pranishëm. Madje, për “Hije që mbeten pas” ka shkruar edhe shtypi i huaj. Kujtoj titujt e artikujve të natyrës “Fortesa e fundit e komunizmit, po fryjnë erërat gorbaçoviane”, të cilat i ruaj ende sot. Në disa media, ndërsa analizonin personazhin kryesor të filmit, që është nëpunësi i lartë i shtetit, i cili vjedh, përvetëson apo favorizon pa meritë, shkruanin: “Për herë të parë, Shqipëria nxjerr një gjykatës, i cili mban qëndrim, dënon këtë korrupsion… Dhe kjo është figura qendrore e së ardhmes së këtij shteti komunist”. Filmi qarkulloi shumë edhe jashtë dhe në Shqipëri mori çmimin “Aleksandër Moisiu”. Po kështu, me “Hije që mbeten pas” unë u dekorova me Urdhrin “Naim Frashëri”, ndërsa Ndriçim Xhepa mori kupën e festivalit si aktor.

4 vite më vonë nga realizimi i këtij filmi në vitin 1989, ju do të realizoni “Vitet e pritjes”, një film i fortë që prek temën e emigrimit. Përse zgjodhët përsëri Xhevdet Ferrin si protagonist në rolin e Gjon Kodrit?

Zgjodha Xhevdetin sepse më duhej një personazh meditativ, i aftë për të bërë analiza psikanalitike të asaj që lë në Shqipëri. Gjon Kodri shkon në Amerikë 10 vjeç dhe kthehet në një moshë të pjekur. Ai mbart në largim një botë, e gjen një tjetër. Po ashtu, edhe në kohën e kthimit përjeton drama shumë të mëdha. Unë i kërkova Xhevdetit një personazh hermetik, që përbrenda përjeton drama të mëdha, por që nuk e shfaq. Ai kthehet nga Amerika si një njeri me botë e jo një punëtor krahu i rëndomtë… mirëpo, gjen një familje të shkatërruar. Të gjithë këtë peshë Xhevdeti e përballoi në mënyrë të jashtëzakonshme. Po ashtu edhe lojën me Helenën, fëmijën me të cilën ishin rritur e kishin luajtur të vegjël.

Helena interpretohet nga Rozeta, bashkëshortja e aktorit Xhevdet Ferri. Përse vendosët që t’i zgjidhnit të dy për të luajtur këtë histori dramatike, që ka në mes edhe dashurinë e tyre?

Mendimi im ishte se asnjë aktore tjetër s’do t’i luante aq natyrshëm skenat intime mes të dyve apo s’do ta shprehte me aq forcë dashurinë që kishin që prej fëmijërisë. Një dashuri e lënë në embrion, të cilën Rozeta, në rolin e Helenës, e ruante me shumë ndjenjë, duke shprehur atë mall të madh që personazhi kishte. Kështu që, i mora me kënaqësi të dy, ata asokohe ishin të martuar, por ende s’kishin fëmijë. Pata pak probleme me Rozetën se kishte prerë flokët shkurt e na u desh që në një kohë shumë të shkurtër t’i përshtatnim një paruke. Mandej, të gjitha skenat dyshe që ka pasur Xhevdeti me Rozetën kanë shkuar jashtëzakonisht mirë. Puna për mua u bë shumë e lehtë se kisha dy personazhe që komunikonin shumë lirshëm me njëri-tjetrin.

Si ndiheni tani 3 dekada më pas, pasi e shikoni atë film?

Mbushem me emocione, veçanërisht në skenën kur Gjon Kodri gjen shtëpinë e mbyllur e shkul dërrasat e mbërthyera për të hapur dritaret. Më pas fryn një erë e fuqishme nga jashtë e dëgjohen cicërimat e zogjve. Ka një detaj mes së tjerësh, vatra është e fikur, por aty qëndron një çengel që varen kusitë. Përmes atij çengeli, që është një metaforë e jashtëzakonshme, e cila tregon se aty është varur familja e tij, unë xhiroja fytyrën e Gjon Kodrit që vajton shtëpinë e vet. Sytë e Xhevdet Ferrit, portreti i tij, flasin përmes dhimbjes. Si çdo rol, edhe këtë Xhevdeti e ka përjetuar në çdo qelizë

Filmat e Ermal Mamaqit dhe Bes Kallakut, Trebicka: Këta janë sharlatanë të kinemasë

Ndërkohë që në javët e fundit shtypi dhe mediat kanë vluar nga propaganda për filmat e Bes Kallakut dhe Ermal Mamaqit, Alfred Trebicka, aktor dhe regjizor prej më shumë se 20 vitesh i ka quajtur autorët e tyre “sharlatanë të kinemasë”, ishte i ftuar në emisionin “Vizioni i Pasdites”.

“Unë si profesionist do t’i quaja sharlatanë, këta janë sharlatanë të këtij arti të madh siç është kinemaja”, tha ai pasi prezantuesja e pyeti për filmat e prodhuar kohëve të fundit.

“Këtu po dalin njerëz pa asnjë lloj formimi, thonë ‘unë jam kineast.’ Fjala kineast është fjalë shumë e madhe. Një njeri që vjen nga asgjëja dhe thotë unë do bëj film. Bëjnë skenarin vetë, bëjnë regjinë vetë, bëjnë dhe rolet vetë. Dhe vetëshpallen pastaj, ‘unë jam regjisor, jam kineast, se unë e njoh tregun.’ Ka kapur tregun ky, ky e di ç’do tregu. Cilin treg? Për cilin treg flasin këta?”, është shprehur Trebicka.

Trebicka, i cili ndonëse nuk vuri gishin e kishte tepër të dukshme se për kë aludonte, e përfundoi deklaratën duke i etiketuar filmat e rinj dhe krijuesit e tyre si “gripe, si viruse që gjenden gjithandej.”

Hidhet shorteu- Kur do të performojë Shqipëria në Eurovizion 2020?

Këtë vit festivali i madh i Eurovizionit do të mbahet në Hollandë. 5 vendet që do të hyjnë automatikisht në finale janë Gjermania, Italia, Franca, Spanja dhe Mbretëria e Bashkuar. Kjo pasi këto vende janë kontribuesit më të mëdhenj financiarë të Unionit Europian të Transmetuesve që prodhon Eurovizionin. Po ashtu, automatikisht në finale shkon edhe Hollanda, si fituese e vitit të kaluar shkruan Class.
Më në fund, është hedhur edhe shorti që vendos se kur do të performojë secili shtet. Shqipëria, e përfaqësuar nga Arilena Ara me këngën “Shaj”, do të performojë në pjesën e dytë të gjysmëfinales së dytë.

Renditja e plotë vijon si më poshtë.
Nata e parë gjysmëfinale
Gjysma e parë:
Maqedonia e Veriut
Bjellorusia
Lituania
Suedia
Sllovenia
Australia
Irlanda
Rusia

Gjysma e dytë:
Norvegjia
Qipro
Kroacia
Azerbajxhani
Malta
Izraeli
Ukraina
Rumania
Belgjika

Nata e dytë gjysmëfinale
Gjysma e parë
Austria
Moldavia
Polonia
San Marino
Serbia
Islanda
Republika Çeke
Greqia
Estonia

Gjysma e dytë:
Danimarka
Bullgaria
Zvicra
Finlanda
Armenia
Letonia
Gjeorgjia
Portugalia
Shqipëria

Billie Eilish fiton çmimet kryesore Grammy

Këngëtarja Billie Eilish, 18-vjeçare ka fituar pesë çmime Grammy, në ceremoninë vjetore të mbajtur këtë vit në Los Angelos.

Albumi, Kur na zë gjumi, ku shkojmë? (When We All Fall Asleep, Where Do We Go? ), i ka ndihmuar këngëtares të fitojë çmimet për albumin e vitit, këngën më të mirë, për incizimin dhe realizimin më të mirë të këngës, pa harrur edhe shpërblimin për artisten më të mirë.

Ajo tani është personi i parë që ka fituar këto çmime, prej kur Christopher Cross kishte shënuar sukses të ngjashëm më 1981.

Vëllai më i madh i këngëtares, Finneas O’Connell, i cili i ka ndihmuar Eilish të shkruajë këngët, si dhe në realizim të albumit, ka përfunduar duke fituar gjashtë çmime këtë natë.

Në mesin e fituesve të tjerë kanë qenë, Lil Nas X dhe Lizzo.

Përgjatë ceremonisë, pjesëmarrësit kanë përmendur me pikëllim lajmin për vdekjen e legjendës së basketbollit amerikan, Kobe Bryant.

Ai ka vdekur pas rrëzimit të helikopterit në Kaliforni.

Tetë persona tjerë në bord, përfshirë vajzën 13-vjeçe të basketbollistit kanë vdekur po ashtu. rel

“Mjeshtër i Madh” për aktorin Petrit Malaj, Meta: Kontributi i tij është real dhe i prekshëm

Në një ceremoni solemne të zhvilluar në Institucionin e Kreut të Shtetit, ku merrnin pjesë aktorë, regjisorë, profesorë e pedagogë të Universitetit të Arteve dhe personalitete të artit, Presidenti i Republikës Sh.T.Z Ilir Meta vlerësoi aktorin e shquar Petrit Malaj me Titullin “Mjeshtër i Madh”, me motivacionin: “Për talentin e spikatur dhe profesionalizmin në realizimin e shumë roleve artistike si në ekranin e kinemasë, ashtu dhe në skenën e teatrit; për kontributin e dhënë në organizimin dhe drejtimin e strukturave akademike të artit skenik”.

Duke i dorëzuar zotit Malaj vlerësimin e lartë, Presidenti Meta vuri në dukje kënaqësinë e veçantë të nderimit të një personaliteti të artit skenik e filmit shqiptar, dhe një pedagog me 35 vite eksperiencë pedagogjike në Universitetin e Arteve.

“Kontributi i tij është real dhe i prekshëm, si në krijimtarinë e tij aktoriale ashtu edhe në fushën pedagogjike. Me krijimtarinë e tij, Petrit Malaj është një personalitet i njohur për publikun shqiptar, ku me personazhet e interpretuara prej tij ka fituar simpatinë e të gjithëve.
Ai ka interpretuar në mbi 20 filma artistik, në shumë pjesë teatrale dhe përherë ka transmetuar plot talent te publiku jetën e personazheve të tij. Zoti Petrit Malaj i përket një brezi të artë të artistëve shqiptarë.

Nuk mund të lë pa veçuar rolet e tij në filmat si , “Besa e Kuqe”, “Nëntori i Dytë”, “Militanti”, “Balada e Kurbinit”, “Kolonel Bunker”, e në veçanti në filmin “Kur hapen dyert e jetës”, që është aq i dashur për publikun shqiptar edhe sot. Së fundmi ai është rikthyer me shumë sukses në teatër në shfaqjen “Vizita e Inspektorit” me regji të regjisorit Altin Basha.”

Z.Malaj ka luajtur krah figurave më të mëdha të filmit shqiptar. Figura ikonike të ekranit dhe teatrit të cilët janë krenaria e artit shqiptar, si Sandër Prosi, Kadri Roshi, Robert Ndrenika, Tinka Kurti, Reshat Arbana, Ndrek Luca, Timo Flloko, Kastriot Çaushi, e shumë artistë të tjerë dhe regjizorë të talentuar.
Interpretimi pranë këtyre figurave të skenës dhe filmit shqiptar, fillimisht si student i disave prej tyre, e më pas si profesionist, bëri që, me eksperiencën e tij, të krijonte një profil të spikatur si aktor.” – nënvizoi Presidenti i Republikës.

“E larmishme sigurisht, është edhe karriera e tij pranë institucionit të vetëm publik të arsimit të lartë artistik në Shqipëri, si udhëheqës artistik i teatrit të Akademisë së Arteve, Dekan i Fakultetit të Artit Skenik dhe Rektor i Universitetit të Arteve.

Me krijimtarinë e tij, punën pedagogjike dhe drejtuese në Universitetin e Arteve, Petrit Malaj është pjesë e kontributit shumëvjeçar të brezave të shumtë të aktorëve, pedagogëve e studentëve për artin shqiptar.
Shkolla e artit shqiptar ka patur dhe ka personalitete të spikatura e të shquara, të cilët kanë dhënë një kontribut të vyer për ta çuar atë në nivele të larta. Petrit Malaj është njëri prej tyre.
Nisur nga ajo çfarë Petrit Malaj na ka afruar, me figurat e interpretuara në skenë dhe ekran, si dhe me punën e tij pedagogjike, ai ka krijuar një portret tejet të vecantë dhe interesant, i cili përherë ka ardhur tek ne duke promovuar energji pozitive e duke na dhënë sidomos në ekran, figura plot emocion.
I uroj zotit Malaj suksese të mëtejshme në karrierën e tij artistike, i bindur se ai dhe brezi i artistëve të cilit i përket, janë shembull për të rinjtë shqiptarë që aspirojnë ekranin dhe skenat shqiptare e ndërkombëtare” – u shpreh Presidenti i Republikës.