VOAL

VOAL

Jep Doreheqjen zonja Ministre e Arsimit ! Nga Alfred Milot Mirashi

December 10, 2018
1 Comments
  • author avatar
    Andreina 5 years ago Reply

    Jo sepse nuk ka ku te vjedhe me i shterojne burimet.a

Komentet

Leave a Reply to Andreina Cancel reply

Hungaria nderon sërish figurën e Skënderbeut, busti i Gjergj Kastriotit inaugurohet në qytetin Eger

Një bust i heroit kombëtar të Shqipërisë, Gjergj Kastriot Skënderbeu është inauguruar sot në Hungari, në qytetin Eger.

Busti është vendosur në sheshin e emëruar gjithashtu pas heroit kombëtar, ndërsa është mbajtur edhe një ceremoni e organizuar nga Ambasada e Shqipërisë në Hungari dhe bashkia e Egerit.

Busti, një financim i Konsullit të Nderit z. Avni Hafuzi, do të jetë në të njëjtat përmasa si ai i vendosur ne Parkun e kryeqyteti hungarez, Budapest.bw

Anselmo Lorecchio, Dritë e Rilindjes Shqiptare në zemrën e Arbëreshëve!- Nga Bajram Begaj

Sot, në këtë ditë të shënuar, ndodhemi në zemrën e komunitetit arbëresh për të nderuar një figurë të shquar që ka lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë dhe kulturën e shqiptarisë: Anselmo Lorecchio-s. Për mua është nder dhe privilegj të flas për jetën dhe veprën e tij, sepse ai është një tjetër dëshmi e qartë e lidhjes së pandarë mes shqiptarëve dhe arbëreshëve. Anselmo Lorecchio nuk ishte vetëm një patriot, por një urë mes dy botëve, asaj arbëreshe në Itali dhe shqiptare në Ballkan. I lindur në një kohë kur identitetet kulturore po formësoheshin dhe përcaktoheshin nga luftërat dhe ndryshimet politike, Lorecchio kuptoi rëndësinë e identitetitkulturor, të ruajtjes së gjuhës dhe zakoneve arbëreshe. Ai i mbrojti dhe zhvilloi ato me përkushtim të pathyeshëm.

Veprat e tij kanë qenë thelbësore për të dokumentuar dhe rikthyer në vëmendje historinë dhe kontributet e arbëreshëve në Rilindjen Kombëtare Shqiptare. Ai e pa qartë se çdo përpjekje për të ndërtuar një të ardhme të ndritur për arbëreshët, nuk mund të ndahej nga rrënjët e tyre shqiptare. Jeta e tij është një testament i dashurisë për kulturën dhe trashëgiminë arbëreshe, duke u bërë një zë i fuqishëm për komunitetin në Itali e më gjerë.

Në një kontekst më të gjerë, Anselmo Lorecchioshërben si simbol i forcës dhe rezistencës së pakicave kombëtare. Përmes punës së tij, ai tregoi se si një minoritet mund të ndikojë pozitivisht në kontekstin më të gjerë kombëtar dhe ndërkombëtar. Figura e tij na kujton rëndësinë e mbrojtjes së të drejtave dhe ruajtjes së identitetit në një botë që shpesh na shtyn drejt asimilimit dhe uniformizimit.

Vepra dhe jeta e Anselmo Lorecchio-s mbeten jashtëzakonisht relevante për arbëreshët dhe shqiptarët e sotëm. Puna e tij na kujton se ruajtja e gjuhës, traditave dhe zakoneve arbëreshe nuk është thjesht çështje nostalgjie, por një nevojë thelbësore për të mbajtur të gjallë një identitet unik në skenën ndërkombëtare. Arbëreshët, përmes figurës së Lorecchios, janë një dëshmi e gjallë se identiteti arbëresh dhe ai shqiptar janë pjesë e të njëjtit mozaik kulturor dhe historik.

Shqiptarët i janë mirënjohës AnselmoLorecchios për kontributin e tij të çmuar për një Shqipëri të pavarur. Veprat e tij si patriot dhe publicist përbëjnë një pasuri të padiskutueshme për të gjithë shqiptarinë. Ato duhen promovuar duke përdorur edhe teknologjitë më të fundit.

Le të përqafojmë rrënjët tona me krenari dhe t’imbrojmë ato për brezat që do të vijnë. Kështu, jo vetëm që nderojmë të kaluarën tonë, por, gjithashtu, ndihmojmë në ndërtimin e një ure midis brezave dhe kulturave, duke pasuruar jo vetëm komunitetin tonë, por edhe botën përreth nesh.

Dëshiroj të falënderoj organizatorët për mundësinë që të ndaja me ju disa reflektime personale. Falënderoj, gjithashtu, z. Umberto Lorecchion, profesorët dhe studiuesit e pranishëm, të cilët me punën e tyre i japin mëshumë vlerë ruajtjes së kulturës arbëreshe dhe shqiptare njëkohësisht. Një falënderim i veçantë për familjarët e Anselmo Lorecchios, që me praninë e tyre i japin domethënie të veçantë këtij aktiviteti. Ju faleminderit për vëmendjen!

*Fjala e Presidentit Begaj në Konferencën me rastin e 100-vjetorit të vdekjes së Anselmo Lorecchio-s, 3 maj 2024, Pallagorio

Ramës i refuzohet tubimi në Greqi- Nuri: Jo rastësi që e kërkoi më 12 maj, ditën e arrestimit të Belerit

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka kërkuar që të mbledhë në një miting më 12 maj në Athinë, emigrantët shqiptarë që jetojnë atje, por institucionet greke i kanë sugjeruar që ta shtyjë datën dhe ta organizojë takimin pas zgjedhjeve të Parlamentit Evropian që mbahen më 9 qershor.

Sipas avokatit të njohur Franc Nuri, autoritetet greke gjykojnë se kjo vizitë e planifikuar pikërisht më 12 maj, datë që përkon me një vit të arrestimit të Fredi Belerit, mund të ketë ndikim në zgjedhjet që do të bëhen në Greqi në kushtet kur Beleri, i burgosur në Shqipëri, është caktuar kandidat për Parlamentin Evropian nga partia kryesore greke.

Gazeta greke Kathimerini shkroi  më 2 maj 2024 se “janë ngritur pikëpyetje  nëse vizita e kryeministrit shqiptar Edi Rama në Athinë do të lejohet më në fund më 12 maj, kur ai ka planifikuar të mbajë një fjalim në një miting me emigrantët shqiptarë, anëtarë dhe mbështetës të partisë së tij.

Mitingu fillimisht ishte planifikuar të mbahej në Sallën Olimpike në Galatsi, por leja u anulua nga bashkia në fjalë për shkak të aktiviteteve të tjera të planifikuara.

Pra, mbetet për t’u parë se ku do të zhvillohet takimi apo nëse nuk do të zhvillohet fare. Duke qenë se deri të mërkurën nuk kishte mbërritur asnjë kërkesë me shkrim në Ministrinë e Jashtme të Greqisë dhe autoritete të tjera përkatëse për vizitën e Ramës (ndonëse jozyrtare), ende nuk është dhënë hapur asnjë deklaratë nga pala greke,” vijon artikulli.

Lidhur me lajmin në fjalë është kërkuar sot mendimi i avokatit Franc Nuri në emisionin Kafe Shqeto në SYRI TV.

“Patjetër që me afrimin e zgjedhjeve në Shqipëri janë ndezur motorët e fushatës elektorale, – tha Nuri. –  Para fushatës, të gjitha partitë, po sidomos pushteti dhe në këtë rast qeveria e kryesuar nga Rama po tentojnë që të fillojnë që tani përgatitjet dhe parapërgatitjet.

Të mos harrojmë se kësaj radhe është dhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese në lidhje me votën e emigrantëve që palët politike duan apo nuk duan, do të përpiqen që të gjejnë një mekanizëm për votën e emigrantëve dhe votën e diasporës  në Shqipëri , kështu që qeveria duke qenë se ka dhe gurin dhe arrën mund të influencojë në këtë lloj sistemi të ri zgjedhor.

Pra, rregullat e lojës me zgjedhjet është e sigurt që do të ndryshojnë përsëri dhe çfarë bën Edi Rama?! Zhvillon dhe bën fushatë me emigrantët shqiptarë kudo nëpër botë, sepse edhe turi në Athinë i parashikuar që do të zhvillojë Rama hyn në këtë kontekst, hyn në takimet  që Edi Rama dhe PS do të bëjnë me emigrantët shqiptarë kudo që ata janë.

Dihet që Greqia apo Italia apo dhe shtete të tjera perëndimore janë shtete ku ka më shumë emigrantë shqiptarë, dhe ku ka më tepër peshë elektorale apo supozohet se do të ketë elektorat për t’u joshur për zgjedhjet e ardhshme, kështu që parë në këtë kontekst, në këtë lloj turi, ne shohim një tendencë për të joshur emigrantët shqiptarë duke u afruar atyre edhe votimin. Metoda se si do të arrihet votimi mbetet për t’u parë, por tentohet për t’i tërhequr për zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

Ndërsa lidhur me vizitën në Athinë dua të theksoj se nuk është rastësi data që kishte kërkuar në axhendë për këtë takim nga pala shqiptare. Nga mediat mësohet se ishte kërkuar data 12 maj që përkon fiks, me një vit pas arrestimit të zotit Fredi Beleri. Edhe këtu unë shoh një simbolikë dhe një tendencë nga zoti Rama. Nuk më duket se është një gjë e lënë rastësisë.

Nga pala greke mësohet se është kërkuar që ky takim me diasporën shqiptare në Athinë të spostohet, të shtyhet pas datës 9 qershor sepse me përfundimin e  fushatës elektorale që po ndodh në Evropë dhe në Greqi për zgjedhjet e parlamentit evropian , duke shprehur faktin se kjo vizitë mund të tensionojë situatën dhe të ndikojë në zgjedhjet evropiane.

Theksoj në parantezë se Beleri është kandidat tashmë në zgjedhjet e PE në listën e partisë kryesore në Greqi, kështu që për të shmangur këtë lloj ndikimi, është kërkuar që ky takim të spostohet.

Por me sa duket përfaqësuesit e Edi Ramës kanë insistuar që takimi të zhvillohet në atë datë dhe jemi akoma në këto faza.”/SYRI.NET

Greqia nxjerr qarkore të re, emigrantët shqiptarë do të lejohen të lëvizin me vërtetim të lejes së qëndrimit

Ministria e Mbrojtjes së Qytetarëve të Greqisë ka publikuar në fletoren zyrtare qarkore sipas së cilës emigrantët shqiptarë do të lejohen të kalojnë lirshëm me vërtetimin blu deri në 31 dhjetor 2024.

Kjo qarkore rrëzon atë të mëparshmen, sipas së cilës shqiptarët e Greqisë do të pengoheshin të qarkullonin pas 31 marsit, nëse ishin në pritje të lëshimit apo rinovimit të lejes së qëndrimit

Siç e theksoi Neës24 dy ditë më parë, ministria e Emigracionit kishte premtuar rrëzimin e qarkores penguese, ndërsa shtyrja e afatit jepet deri më 31 dhjetor 2024 pasi më 1 prill 2024 hyn në fuqi Kodi i Rinovuar i Emigracionit, ku veç reformave të tjera në favor të Emigrantëve parashikohet edhe të mos ketë më leje qëndrimi në pritje për afate kaq të gjata kohore, çfarë përbënin ngërç për një sërë procedurash të përditshme.

Vonesa në lëshimin e lejeve të qëndrimit u theksua shumë gjatë pandemisë dhe ndryshimit të sistemit në atë elektronik menjëherë më pas.bw

Trazirat e 17 marsit 2004 ishin planifikuar të ndodhnin nga pushteti kriminal i Serbisë- Nga Hysen Ibrahimi, Suedi/Förslöv, 17 mars 2024

Nesër do të protestohet dhe e kam vendosur me shkue me ju bashkangjitë protestave kundër vrasjeve tre fëmijëve shqiptarë të pa fat nga kriminelët serbo/çetnik
… ishin këto fjalët e fundit të jetës me vëllain tim të dashur dhe të pa harruar, Isak Ibrahimin, përmes telefonit nga Suedia.

Trazirat e 17 marsit 2004, ishin planifikuar të ndodhnin nga pushteti kriminal i Serbisë. Sa herë që krijoheshin mundësit që situata të qetësohej në Mitrovicë, pushteti serb organizonte trazira dhe pastaj të ankohej para Bashkësisë Ndërkombëtare, se janë shqiptarët që kryejnë krime mbi popullatën serbe. Edhe kësaj here sikurse edhe më parë kishin organizuar që të sulmohen fëmijët e fshatit Çabër më 16 mars 2004, kur tre fëmijë shqiptarë Egzon Zaim Deliu (12), Avni Sheremet Veseli (11) dhe Florent Çerkin Veseli (9), po luanin duke ndjekur shota të egra përskaj lumit Lumbardh (Ish-Ibër), derisa një serb që po korrte tallën e misrit, filloj ti shajë në gjuhën serbe. Kurse mbrapa atij serbit që shante, ishte një grup tjetër po ashtu i nacionalitetit serb që filluan të shanin edhe ata dhe me qëllim ata ua ndërsejnë qenin drejt fëmijëve të cilët të frikësuar fillojnë të ikin dhe kanë hy në lumin Lumbardh duke humbur tragjikisht jetën e tyre. Për këtë ka tregua fëmiu që kishte arritur për të shpëtuar e ka kaluar lumin Lumbardh, ai ishte Fitim Veseli. Ai, para mediave televizive ka treguar se si ka ndodhur ngjarja. Ky rast ishte i rëndë për shqiptarët. Në mbrëmje më 16 mars 2004 pasi kishte ndodhur ngjarja që kishin humbur jetë tre fëmijët shqiptarë krejtëisht të pafajshëm, e kam telefonuar vëllain tim Isakun në mbrëmje pas lajmeve:
-Alo, përshëndetje vëlla Isak.
-Përshëndetje o vëlla Hysen, po a jeni mirë të gjithë?
-Mirë të gjithë jemi. Si është Nëna, fëmijët dhe të tjerët? – e pyeta vëllain tim Isakun.
-Kurqysh nuk jemi. A ke dëgjuar në lajme se serbët i kanë ndjekur fëmijët shqiptarë me qenë dhe ata duke ikur kanë rënë në lumin Lumbardh (Ish-Ibër) dhe janë mbytur që të tretë – ma kthu vëllai Isaku përgjigjën dhe e vërejta se ju dridh zëri nga mërzia e tepërt që e kishte përjetuar.
-Po, po e dëgjuam në lajme. Shumë rëndë, por uroj që organet e drejtësisë t’a marrinë situatën në dorë.
-Me shkjaun nuk merret vesh o vëlla Hysen, ai e don vetëm plumbin në ballë, asgjë tjetër – ma ktheu me një zemërim të madh të madh që kishte për serbët, sepse e kishte përjetuar rëndë me shpirt vdekjen e fëmijëve.
-Uroj që të bëhet mirë o vëlla Isak, mos u mërzit – ia ktheva që ta ngushëlloja sadopak, pa e ditur se kjo ishte biseda ime e fundit në jetë më vëllain tim Isakun.
-Nesër do të protestohet dhe e kam vendosur me shkue me ju bashkangjitë protestave kundër vrasjeve tre fëmijëve shqiptarë të pa fat nga kriminelët serbo/çetnik. Po si jeni ju vëlla Hysen, se harrova të të pyes – vazhdoi Isaku.
-Mirë jemi të gjithë, e kemi përjetuar rëndë edhe ne në mërgatë këtë rast të krimit serb të shëmtuar, se pak po ju duket se na kanë vrarë, por edhe pas lufte ata don të në vrasin. Vëlla Isak, ma kalo Nënën të flas pak, ty të përsëndes dhe ruaju sa të mundesh – i thash i shqetësuar.
-Vëlla Hysen, të fala të gjithëve, dëgjohemi, qe po ta kaloj Nënë në telefon – ishin këto fjalët e fundit më vëllain tim të dashur Isak Ibrahimin.
Të nesërmën, pas orës 13, më kanë telefonuar dhe më kanë shprehur ngushëllime, se vëllai Isak Ibrahimi ra dëshmor i kombit së bashku me Ajvaz Shatrollin, Fatmir Abdullahun, Ferid Çitakun dhe më vonë nga plagët e rënda ka ndërruar jetë edhe Naim Gërxhaliu.
Programi për vrasjen e fëmijëve shqiptarë, nga kriminelët serb të udhëhequr nga Serbia, ishte program në vazhdimësi kundër shqiptarëve, duke e ditur se vrasja e fëmijëve do t’i prek rëndë dhe shqiptarët dhe ata do të ngriten dhe do t’i kompromitojmë para Bashkësisë Ndërkombëtare. Më 17 dhe 18 mars 2004 në këto ngjerje të dhimbshme në Mitrovicë, e orkestruar nga pushteti i Serbisë kriminale janë vrarë gjithsej 27 persona, 11 shqiptarë dhe 16 serbë kurse të lënduar kanë qenë mbi 900 persona.
Në Mitrovicë kemi arritur unë Hysen Ibrahimi me vëllezërit Bahriun (me banim në Finlandë, u bashkuam në aeroportin e Austrisë në Vijen), Blerimin dhe kusherini ynë Rrahman Rrahmani. Nga Vijena me aeroplan deri në Tiranë, nga Tirana me furgon deri në Mitrovicë në mëngjes më 19 mars 2004.
Për vrasjen e vëllait Isak Fazli Ibrahimi (38), Ajvaz Mehmet Shatrollin (62), Fatmir Avdullah Avdullahu (38), Ferit Sefer Çitaku (24) e po ashtu edhe për vrasjen e fëmijëve Egzon Zaim Deliu (12), Avni Sheremet Veseli (11) dhe Florent Çerkin Veseli (9), nuk u denua askush për këto vrasje dhe as që janë marrë në pyetje. Kjo është e rëndë për familjet shqiptare dhe ndjehemi të zhgënjyer se ka pasur mundësi që të zbulohen të gjithë.

Mëshira dhe bekimi i zotit qofshin me shpirtin e tyre.

Shkurtohet kohëzgjatja e procesit për azil në Gjermani

Kohëzgjatja e procedurave të azilit në Gjermani vitin e kaluar u shkurtua, pavarësisht se u rrit numri i aplikimeve.

Aplikimi zyrtar zgjati mesatarisht 6.8 muaj më 2023, krahasuar me 7.6 muaj në vitin paraprak, sipas të dhënave të Qeverisë të prezantuara gjatë pyetjeve parlamentare.

Qeveria gjermane tha se kohëzgjatja e procedurave gjyqësore për apelimet kundër vendimeve për azil po ashtu ka rënë me rreth pesë muaj në vitin 2023.

Megjithatë, duke zgjatur mesatarisht prej 20.7 muajsh, krahasuar me 26 muaj në vitin 2022, i gjithë procesi i azilit është ende i gjatë dhe dallon shumë në vende të ndryshme të shtetit.

Në shtetin perëndimor të Rhineland-Palatinate zgjat rreth pesë muaj, ndërkaq në shtetet sikurse Hese dhe Saksoninë e Ulët kohëzgjatja mesatare e procesit të azilit zgjat në një mesatare prej më shumë se dy vjetësh. Ndërkaq në Brandenburg është kohëzgjatja më e madhe, ku azilkërkuesit kryesisht presin mbi tre vjet.

Duke folur për rrjetin RND, Calra Bunger, anëtare e partisë së krahut të majtë, Die Linke, subjekt që kërkoi nga Qeveria këto të dhëna, bëri thirrje për “kuadër më të mirë të punonjësve dhe operim më efektiv të gjykatave administrative, në veçanti në reduktimin e kohëzgjatjes së procedurave gjyqësore”.

Procedurat e gjata për azil janë rënduese për refugjatët sepse ato ua parandalojnë atyre integrimin dhe krijojnë ndjenjën e pasigurisë, tha Bunger.

“Është e papranueshme që azilkërkuesit duhet të presin një mesatare prej një viti e gjysmë derisa statusi i tyre të bëhet i qartë”, tha ajo.REL

Policia dhe prokuroria gjermane japin detaje se si ndodhi vrasja e boksierit shqiptar në Gjermani

Ish-boksieri kosovar, Besar Nimani ka mbetur i vrarë në mbrëmjen e së shtunës në qytetin e vjetër të Bielefeldit në Gjermani.

Tanimë vrasja e tij është konfirmuar edhe nga policia gjermane dhe prokuroria të cilët kanë dhënë detaje shtesë rreth vrasjes së ish-boksierit me pasaportë kosovare.

Të shtunën më datë 9 mars rreth orës 18:00 një 38-vjeçar nga Bielefeld ka mbetur i vdekur si pasojë e plagëve të marra nga të shtënat që ndodhën në qendër të qytetit”.

“Autori ose autorët janë në arrati, pasi deri më tani dëshmitarët kanë thënë se kanë parë mbi dy persona duke ikur nga vendi i ngjarjes”.

“Policia gjermane ka kryer disa kontrolle në disa apartamente në Bielefeld, por deri më tani autorët ende nuk janë kapur. Megjithatë operacioni i madh kërkimor është duke vazhduar në zonën e qytetit të Bielefeldit deri në arrestimin e autorëve të këtij krimi”, thuhet në një deklaratë të përbashkët të policisë dhe prokurorisë gjermane.

Detajet e tjera që ka raportuar ‘Radio Bielefeld’ është se ata autorët e krimit kanë qenë një grup burrash të cilët para krimit kanë qenë në kafene në Obernstrasse.

Ndërkohë sa i përket tanimë ish-boksierit Besar Nimani, ai ka qenë në një sallon parukerie dhe momentin që ka dalë nga aty ai është qëlluar.SN

Vritet në Gjermani boksieri i famshëm shqiptar Besar Nimani

Boksieri i famshëm, Besar Nimani, është vrarë sot (e shtunë) në qytetin e Bielefeldit në Gjermani.

Këtë e kanë bërë të ditur familjarët e të ndjerit.

Sipas raportimeve nga mediat në Gjermani si dhe bazuar në deklaratat e dëshmitarëve në vendin e ngjarjes, Nimani është qëlluar sapo ka dalë nga restoranti.

Në atë që raporton media prestigjioze “Bild”, vdekja e 38-vjeçarit është konstatuar në vend të ngjarjes nga ekipi mjekësor.

Ata që kryen këtë vrasje deri tani nuk janë identifikuar nga autoritetet gjermane, ndërsa është thënë se një sulm i ngjashëm ndaj tij kishte ndodhur edhe në vitin 2013.

Nimani gjatë karrierës së tij si boksier profesionist ka zhvilluar 27 duele, ku ka arritur që të shënojë fitore në 26 prej tyre ndërsa ka pësuar vetëm një humbje.sn

AG APOLLONI KRIJUES NOVATOR E BRILANT – Nga ALBANA KASUMI-DASHI dhe IDRIZ ZEQIRAJ

Në foto: Albana Kasumi-Dashi, Ag Apolloni, Argent Ferizi
     Shoqata Kulturore-Humanitare Shqiptaro-Gjermane, “Sali Çekaj”, në Pfaffenhofen, me kryetar Mr.Ing. Argent Ferizi; Klubi Letrar “Martin Camaj”, në Mynih, me kryetar Bashkim Halilaj; Shoqata “Abeja” në Mooburg, me kryetar Agron Haxhaijaj, organizuan përurimin  dy romaneve të fundit të Prof. Dr. Ag Apollonit: “Kësulëkuqja – përrallë për të rritur” dhe “Nje fije shprese, një fije shkrepëse”, të cilët u vlerësuan me çmime, u ribotuan dhe u përkthyen në disa gjuhë evropiane.
     Moderatorja simpatike, Era Kolgeci, moshatare e Shoqatës “Sali Çekaj”, fton në foltore kryetarin Argent Ferizi, i cilin, në emër të organizatorëve, mbajti fjalën e rastit dhe përshëndeti pjesëmarrësit, duke i falenderuar për praninë e tyre: “Konzullin e Përgjithshëm të Republikës së Kosovës, në Bavari dhe Thüringen, Afrim Nura; deputetin e vetëm dhe të suksesshëm në Bavarinë e Epërme, Deli Balidemaj; krijuesin letrar e artistik, Ag Apollonin; Shoqatat, Klubet; korrespondentin e luftës dhe kryetarin e Bibliotekës “Mark Krasniqi”, Maxhun Smajli; kryetarin e Nderit të Shoqatës “Sali Çekaj”, Osman Ferizi; të burgosurit politikë Idriz Zeqiraj e Naser Krasniqi; poetët: Nusret Dërguti, Selman Syla, Gazmend Dashi, Besnik Halilaj; veprimtarët e hershëm: Emrush Tafa, Milaim Krasniqi, Kadri Gubetini, Lendita Musliu, Agron Haxhijaj, Naim Haxhijaj dhe të pranishmit tjerë.
     Një përshëndetje të veçantë kemi për autorin e romaneve që përurojmë, poetin, prozatorin, dramaturgun, shkrimtarin, artistin Ag Apollonin dhe ideatorin, koordinatorin të kësaj -Ore Letrare-, bacën Gazmend Dashi, nënkryetar i Shoqatës “Sali Çekaj”.
     Shoqatat tona, në bashkëpunim me Klubin letrar “Martin Camaj”, organizojmë përurimin “Një fije shprese, një fije shkrepëse” dhe “Kësulëkuqja”- përrallë për të rritur”, të autorit Ag Apollonit. Përmës romanit dokumentar“ Nji fije shpresë, një fije shkrepëse”, pasqyrohet tragjedia e popullit shqiptar gjatë luftës së fundit, ku shkrimtari Ag Apolloni, në mënyrë brilante, paraqet ngjarjen reale të dy NËNAVE, simbole të Vuajtjeve Shqiptare, nëna Ferdonije dhe nëna Pashke, e para, jeton më shpresën, përkundër tragjedisë familjare, kurse, e dyta, vendos të vetëflijohet, si fundin e vuajtjes të saj, për tragjedinë dhe përjetimet e luftës, ku humbi bijtë e saj, autori paraqet lidhëshmërinë e fatit të hebrejve, gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe popullit shqiptar nga gjenocidi serbo- shovenist sllavë.
Në foto: Pamje e pjesëshme nga të pranishmit në “Orën letrare”
     Moderatore Era fton në skenë studjuesen e apasionuar të gjuhës dhe letërsisë shqipe, Albana Kasumi-Dashi, e cila, mjeshtërisht e profesionalisht, paraqiti reçensionin për romanet e bujshme të  krijuesit novator e brilant, Ag Apollonit:
     “Ag Apolloni (1982) është prozator, poet, studiues dhe profesor në Universitetin e Prishtinës. Ka kryer studimet për Dramaturgji në Fakultetin e Arteve dhe për Letërsi shqipe në Fakultetin e Filologjisë në Universitetin e Prishtinës, ku punon që nga viti 2008. Ka doktoruar për letërsi në UP dhe ka drejtuar revistën letrare “Jeta e Re” (2010-2012) dhe revistën për studime kulturore “Symbol” (2013-2023), ku ka realizuar intervista me emra të njohur botërorë si: Jonathan Culler, Linda Hutcheon, Stanley Fish, D.M. Thomas, Rita Dove, Peter Singer etj.
     Është autor i katër romaneve dhe disa dramave, librave poetikë dhe studimorë. Romanet e tij janë përkthyer në gjuhën angleze, gjermane, holandeze, çeke, maqedone, malazeze etj. Romani “Ulurima e Ujkut” është botuar në gjuhën çeke, si pjesë e kolanës “30 libra të autorëve të shquar bashkëkohorë”, mes autorëve si Gaito Gazdanov, Jose Saramago, Julian Barnes etj., ndërsa në gjuhën malazeze, është përfshirë në një kolanë me shkrimtarët Umberto Eco, Adam Zagajevski, Ewa Lipska etj.
     Veprat e Ag Apollonit janë shpërblyer me disa çmime kombëtare e ndërkombëtare, dhe janë mirëpritur nga kritika shqiptare dhe ajo e huaj. Ai ka mbajtur ligjërata, ka prezantuar letërsinë e Kosovës dhe ka qëndruar si shkrimtar rezident në vende të ndryshme, si: Berlin, Leipzig, Vjenë, Graz, Pragë, Debrecen etj.
     Ag Apolloni është kryetar i Shoqatës “Miqtë e Nikos Kazantzakis”, dega në Kosovë.
     Romani “Kësulëkuqja-përrallë për të rritur”, është romani që shënon ngritje cilësore në karrierën letrare të Ag Apollonit. Ai është një histori dashurie mes një dramaturgu dhe një aktoreje. Ngjarja vendoset në Prishtinë, në vitin 2022. Lorita (aktorja) është zgjedhur për ta luajtur rolin e Juditës, në shfaqjen që po përgatitet në Teatrin Kombëtar, ndërkaq Maksi (dramaturgu, shkrimtari) është në krizë psikologjike, duke mos mundur ta shkruajë romanin për përdhunimet e luftës. Maksi gjithashtu ka një problem shëndetësor me mushkërinë, si pasojë e Covid-it, prandaj për të marrë ajër të pastër del në park, ku e takon aktoren, e cila ka dalë për të vrapuar. Ata takohen në park, mes drunjëve, Maksi në të zeza si një ujk i sëmurë, Lorita me kapele të kuqe si Kësulëkuqe e rritur. Dhe, nga ai moment lindë dashuria mes tyre, e cila ka rrënjet dhe ngritjet e veta gjatë romanit.
     Pos dashurisë, aty trajtohet edhe tema e përdhunimeve. Lorita, që luan rolin e Juditës së përdhunuar, në dramën që ka shkruar Maksi, është edhe vetë fryt i përdhunimit. Ndërkohë ajo e kupton që nëna e saj, për shkak të të qenët e përdhunuar, ka kryer vetëvrasje. Gjithashtu, e kupton që aktorja me të cilën ndanë skenën në shfaqje, po ashtu ka qenë e përdhunuar, dhe del të jetë tezja e saj. Në roman trajtohet gjatë historia e përdhunimit, nga miti i Europës së përdhunuar nga Zeusi, deri te përdhunimet e luftës së Kosovës.
     Përveç këtyre dy temave, në këtë roman trajtohen edhe disa tema të tjera si: lufta, vdekja, trauma, fqinjësia, religjioni dhe filozofia. Krahas këtyre temave, me theks te pasojat e dhunës dhe përdhunimit, në këtë roman kombinohen edhe shumë teknika shkrimi, që sjellin lidhje intertekstuale dhe intermediale me: mite, përralla, histori, cartoons etj. Aty gjejmë interpretime psikoanalitike, reflektime mbi politikën, referenca dramatike, diskutime filozofike dhe skena të pastra erotike.
     Romani “Kësulëkuqja- përrallë për të rritur” i Ag Apollonit është roman që flet për një Kësulëkuqe koketuese dhe një Ujk të sëmurë. Është një histori e dashurisë dhe një shëtitje nëpër pyllin magjik të tregimtarisë, ku personazhet futen shtigjeve të mitologjisë, përrallës, religjionit dhe animacionit. Ulërimat dhe psherëtimat, lehjet dhe blegërimat vijnë si një përballje alegorike që zgjon jehun e egërsisë brenda nesh.
     Romani është ndërtuar si një shëtitje filozofike, nëpër një botë sa reale, aq edhe përrallore. Ky nuk është roman dokumentar, as përrallë e pastër. Më shumë se një roman historik, është një metafiksion historiografik.
     Ky roman është botuar në nëntor 2022, njëkohësisht në Kosovë dhe Shqipëri, dhe është romani i katërt i Ag Apollonit, pas romaneve “Ulurima e Ujkut” 2013, “Zazen” (2014) dhe “Një fije shprese, një fije shkrepëse” (2020).
 
               “Një fije shprese, një fije shkrepëse”
     Romani dokumentar “Një fije shprese, një fije shkrepëse” i Ag Apollonit, është përshkrim i një vizite të tre shokëve në shtëpinë e nënës Ferdonije, e cila gjatë luftës ka humbur katër djemtë dhe burrin. Linja e parë e këtij romani është udhëpërshkrim. Mirëpo brenda saj gërshetohen edhe linja të tjera, që shpalosin histori të përndjekjes, shpërnguljes, dhunimit, vrasjeve, masakrave, pritjes dhe vetëvrasjes. Bashkë me historinë e nënës Ferdonije, rrëfehet edhe historia e nënës Pashkë, e cila pak ditë pasi iu kthyen mbetjet e dy djemve, bëri vetëvrasje, duke djegur veten me benzinë. Po ashtu, e bazuar krejtësisht në materiale arkivore, vihet edhe një paralele mes Luftës së Dytë Botërore dhe Luftës së Kosovës, përkatësisht mes kampeve të shfarosjes dhe kampeve të shpërnguljes. Ndërsa, në funksion të plotësimit të mozaikut të tragjedisë kosovare, rrëfehen edhe përvojat personale të tre shokëve, në raport me luftën, dhe nuk mungojnë lidhjet e shumta me letërsinë dhe mitologjinë greke.
     Ky dokuroman (roman dokumentar) flet për dhunën e regjimit serb, për dëbimet dhe djegiet, për spastrimin etnik, për intervenimin ushtarak të NATO-s, për personat e pagjetur, për dramën e humbur të Eskilit dhe një tragjedi të ngjashme me të, që gjendet e gjallë në Gjakovë, për peshën e pritjes dhe rëndësinë e shpresës.
     Vlerësime për dokuromanin (romanin dokumentar) “Një fije shprese, një fije shkrepëse”:
     Një dokuroman që me anë të një stili të përmbajtur e rrëfimi të shkurtër rrëfen tmerret e luftës, duke qëndruar pranë përvojave të viktimave dhe njëkohësisht duke shmangur patetikën e tepërt: kjo është dhurata e Ag Apollonit për botën. Është një kryevepër letrare që ia vlen të shndërrohet në film.
Mieke Bal, teoriciene holandeze
       Nuk ndodh shpesh, por, ja, ndodh, që studiuesi i shquar i letërsisë të bëhet edhe krijues i shquar i letërsisë. Studiues i risive të letërsisë shqipe, Ag Apolloni, në romanin e tij të ri “Një fije shprese, një fije shkrepëse” u dëshmua krijues i shquar i letërsisë shqipe, u dëshmua shkrimtar i risive.
Rexhep Qosja, shkrimtar, kritik dhe akademik kosovar
Në këtë roman (“Një fije shprese, një fije shkrepëse”) nuk qan askush që ta shohin, por ama shenjat e pikësimit në tekst, më janë dukur se kanë format e lotëve.
Visar Zhiti, shkrimtar shqiptar
Romani i Ag Apollonit është njëkohësisht muze i të gjithë neve, ekspozitë artistike me tablo tmerri, dramë në vete, arkiv historik. Mbi të gjitha, është një vepër e jashtëzakonshme artistike.
Blerim Shala, publicist kosovar
                   
      Kryekonsulli i Landit të Bavarisë dhe të Thüringenit, Afrim Nura, rezident në Mynih, është një bashkëpunëtor i shkëlqyer me komunitetin shqiptar të Mërgatës. Andaj merr pjesë në aktivitetet e ndryshme kulturore, sportive, festive, përkujtimore, të organizuara nga shoqatat dhe klubet vendore. I pranishëm ishte edhe në “Orën letrare”, në përurimin e dy romaneve të shkrimtarit të mirënjohur, Ag Apollonit. Ai i përshëndeti organizatorët, të pranishmit dhe autorin e librave, duke e vlerësuar krijimtarinë e tij të begatë letrare.
      Folësi i radhës ishte Idriz Zeqiraj, i cili bëri një ekspoze të krijimtarisë letrare të krijuesit shumë- dimensional, novator dhe brilant, si vlerë e shtuar në literaturën shqiptare.
     Në përmbyllje të -Orës letrare-, njeriu i letrave, Ag Apolloni, bëri një pasqyrë të krijimtarisë së tij. Të pranishmit patën mundësi bashkëbisedimi me autorin, duke e përgëzuar atë për arritjet krijuese, për shpërblimet numerike e cilësore. Organizatorët e këtij aktiviteti letrar, e falenderuan shkrimtarin Ag Apollonin, për ardhjen enkas nga Kosova, duke u ndjerë të privilegjuar me praninë e tij, mysafir në mesin e mërgimtarëve.

Të bojkotohen nga mërgata partitë e dështuara politike!- Nga Florim Zeqa

Zbrazja e Kosovës nga të rinjtë, është dukuria më e dhimbshme dhe më e trishtë e cila po ndodhë para syve tanë. Rritja enorme e numrit të popullatës dhe të rinjëve në veçanti që janë duke e braktisur Kosovën është plaga më e rëndë e Kosovës së pasluftës.

 

Kosova po varfërohet nga të rinjtë

 

Përderisa Kosova po zbrazet çdo ditë e më shumë, vendet evro-perëndimore po pasurohen me fuqinë punëtore, kurse ne po varfërohemi çdo ditë nga të rinjëve tanë!

Të gjithë njerëzit e veshur me petkun e politikanit në Kosovë duhet të mendojnë seriozisht për situatën në të cilën e kanë sjellur Kosovën!

Largimi i të rinjëve prej moshave 17-20 vjeç nga Kosova dhe trojet tjera etnike është ndjenjë trishtimi për çdo mërgimtar të viteve të 90-ta!

Ndjenjë trishtimi, për faktin se këta të rinjë nuk do të kthehen më në Kosovë, por do të mbeten përjetësisht në perëndim si fuqi krahu, siq mbetem ne gjeneratat e viteve të ’80-90-ta, të ikur nga dhuna dhe represioni serbosllav.

Por, akoma më e dhëmbshme bëhet situata, kur këta të rinjë nuk janë duke ikur nga dhuna dhe represioni serb, por nga mungesa e përspektivës zhvillimore, mungesës së sigurimeve shëndetësore dhe pasigurisë në vendet e punës.

 

Ikja e të rinjve nga vendi, plaga më e rëndë e pasluftës

 

Fajtore për ketë situatë më nuk është Serbia, por klasa e jonë politike e pasluftës, e cila nuk mendoj fare për të ardhmen e vendit, por vetëm për interesat e tyre personale, grupore dhe klanore.

Njerëzit e politik-bërjes, gjegjësisht ata që merren me zanatin e politikës, nëse nuk merren me problemet e të rinjëve, përkatësisht, për krijimin e kushteve për punë dhe jetë dinjitoze në Kosovë, nuk e di çka tjetër duhet të jetë prioritet primarë për ta!

Ne kemi pasur shpërngulje të popullatës shqiptare nga Kosova edhe në periudha të mëhershme historike, edhe në periudhën e okupimit klasik të Serbisë, por emigrimet e fundit masive e të rinjëve shqiptarë janë më shqetësuese dhe më të dhëmbshme se asnjëherë më parë gjatë historisë.

Lutem që ky shqetësim imi personal të trokas në ndërgjegjën e pushtetarëve dhe të secilit politikan në Kosovë, në mënyrë që të gjejnë forma dhe mundësi, të bëjnë fushata parandaluese për zbrazjen e Kosovës nga të rinjët.

 

Duhet të ndodhë vetëdijësimi i mërgimtarëve

 

Partitë opozitare, ato që ua thyen shpresat qytetarëve, tani turr e vrap pas të rinjëve në Diasporë për t’i joshur dhe mashtruar mërgimtarët për interesa partiake, klanore dhe personale.

Nëse vazhdohet me këtë trend të zbrazjes, brenda pak viteve Kosova do të mbetet e shkretë dhe e mjerë pa të rinjët e saj!

Atëherë cili do të jetë rezultati final, do të jetë tepër i dhëmbshëm dhe fatal, do të ndodhë realizimi në plotni i planeve armiqësore për zbrazjen e Kosovës, ku më pastaj do të fillojë rikolonizimi me popullatë serbe dhe jo shqiptare nga vendet ballkanike dhe ato aziatike, për çka, Kosova nuk do të ngjajë më në atë për të cilën u luftua dhe u derdh gjak në luftën çlirimtare.

Kosova po varfërohet edhe si pasojë e ikjes nga kjo botë edhe e ish veprimtarëve që e mbajtën gjallë dhe trashëguan brez pas brezi atdhedashurinë, gjuhën e bukur shqipe, traditat popullore dhe kulturen unikate që nuk e ka asnjë komb tjetër në botë.

 

Sa më parë duhet të ndodhë vetëdijësimi dhe ndërgjegjësimi i mërgimtarëve për t’i bojkotuar vizitat e ekspeditave e partive të dështuara në Diasporë, të atyre që e sollën në këtë gjendje të mjerë dhe të pashpresë Kosovën e bekuar nga Zoti me resurse natyrore dhe pasuri të arta nëntokësore.

 

Pse në GUXO e jo diku tjetër!- Nga Florim Zeqa

 

Me dhëmbje shpirtërore dhe zemër të plagosur deklaroj: “Unë Florim Zeqa, nga sot, ditë e dielë, 31.05.2015 e pushojë aktivitetin tim politik si anëtar i LDK-së nga themelimi e deri më sot. Muajëve, javëve dhe ditëve të fundit, misioni im prej gazetari, analisti dhe veprimtari të LDK-së ishte vështirësuar tejë mase, pasi nga bashkpartiakët e mi u “shpërbleva” me mbyllje portalesh, sharje e fyerje të natyrave të ndryshme dhe deri të këcënimi me jetë, vetëm e vetëm pse mora guximin të bëjë publike të vërtetën e zhvillimeve gjatë procesit zgjedhor në LDK”.

 

Në pritje të reformave që nuk ndodhën kurrë në LDK

 

Edhe pas largimit nga LDK-ja në vitin 2015, asnjëherë në jetën time nuk e kam menduar aderimin në ndonjë subjekt tjetër politik. Nisma ime politike, Alternativa Demokratike për Ndryshim (ADN) e vërteton atë që ceka më lartë.

Edhe pse jo pjesë aktive e LDK-së, asnjëherë nuk e kam ndalur punën dhe veprimtarinë time në shërbim të LDK-së, duke shpresuar që një ditë LDK-ja do të kthehet kah e mbara dhe do të reformohet në kuptimin e plotë të fjalës.

Por, fatkeqësisht, në vend të reformimit dhe demokratizimit ndodhi e kundërta! Nga kuvendi në kuvend LDK-ja doli më e kapur dhe më e stërkequr nga grupet e interesit, të cilat e ngulfatën çdo zë ndryshe dhe çdo vlerë intelektuale dhe njerëzore brenda saj!

Intelektualët e mirëfilltë dhe themeltarët, aktivistët dhe veprimtarët u detyruan të largohen prej LDK-së nga klani i Isa Mustafës dhe sejmenëve të tij.

E dhëmbshme, por është e vërtetë e hidhur, që pas shkuarjes në amshim të Ibrahim Rugovës, liderit historik dhe shpirtëror të shqiptarëve të Kosovës dhe jo vetëm, nga zgjedhjet nacionale të vitit 2004 e deri më sot, LDK nuk e ka shijuar më asnjëherë kënaqësinë e fitores. E tillë çfarë është aktualisht, e tkurrur dhe e fragmentizuar, më shumë se dëshirë, fitorja mbetet vetëm një iluzion i pambarim i lidershipit aktualë!

Lakmia për pushtet, ua vërbojë sytë elites partiake, të cilët nuk qenë në gjendje të ndalen në opozitë, që t’i kthehen vetes dhe të përgatiten mirë për zgjedhjet e radhës, por gjithnjë pranuan të bëhen patericë e partive tjera, kinse për të mirën e vendit duke e rrënuar në themel filozofinë politike rugoviane të LDK-së!

 

Pranimi me kënaqësi dhe vendosmëri e ftesës nga partia GUXO

 

LDK-ja rugoviane dhe Rugova për shqiptarët mbeten dy simbole të shënjta të historisë së lavdishme kombëtare, të papërseritshme, të paharruara dhe të pashlyerara në kujtesën popullore.

Deri me 31 Maj të vitit 2015 jam angazhuar me tërë qenjën fizike dhe shpirtërore për të shpëtuar atë pak frymë rugoviane që kishte mbetur në këtë parti, por ishte e kotë, ngase varrëmihësit e saj ishin të shumtë në numër dhe më të fuqishëm kundrejt ne mbrojtësve të pakët dhe të pafuqishëm të kësaj fryme politike!

Asnjëherë dhe në asnjë kohë nuk kam vrapuar pas posteve dhe privilegjeve, por kam vrapuar pa u ndalur edhe në kohërat më të vështira për interesin e popullit dhe vendit tim të shenjt.

Kjo që ka mbetur, nuk është LDK-ja rugoviane! Janë vetëm klane dhe grupe të interesit, pjesë e të cilave nuk kam qenë dhe as që kam dashur të bëhem ndonjëherë.

Edhe përkundër kërkesave të shumta nga subjektet e tjera politike, vendosa t’i bashkohem subjektit GUXO, subjektit me frymë të pastër rugoviane dhe orientim pro-perëndimor.

Janë përafrimet programore të nismës në embrion (ADN) dhe partisë GUXO, janë koncepti dhe filozofia politike rugoviane ato që na bashkuan fuqishëm në rrugëtimin e përbashkët drejt fitoreve të reja.

I falenderojë nga zemra drejtuesit e partisë GUXO për ftesën për aderim, për respektin dhe konsideratën, besimin dhe mundësinë e dhënë për të kontribuar për shtetin, qytetarët e Kosovës dhe mërgimtarët në veçanti.

Na priftë e mbara!

Kosova u pavarësua në themelet e Kushtetutës së vitit 1974- Nga Xhafer LECI

Të nderuar bashkëatdhetarë,motra dhe vëllazër,sot  jemi tubuar këtu të festojmë sëbashku,16 vjetorin e Pavarsisë së Kosovës !

Shpërbërja e ish-Jugosllavisë deri tek Pavarësia e Kosovës.

Boshnjaku Hamdija Pozderac, Kryetar i Komisionit Kushtetues të Kuvendit  të Jugosllavisë, për të mos ndryshuar parimet bazë të  Kushtetutës së vitit 1974, për mos-heqjen e autonomisë, për krahinat autonome të Kosovës dhe Vojvodinës, ishte viktimë e një përplasjeje politike, i cili vdiq në prill 1988, në rrethana të dyshimta.
Kundër politikës represive të Serbisë ndaj Kosovës, në vitet 1988-89, për mos ndryshimin e Kushtetutës, u organizuan protesta masive të shqiptarëve.
Edhe greva e minatorëve Trepça më 1989, mendohet se lëkundi themelet e ish-Jugosllavisë.
Më 23 mars 1989, në Kuvendin e Kosovës, dhunshëm ndryshohet Kushtetuta e vitit 1974, suprimohet autonomia e Kosovës, shkëputet nga Federata Jugosllave, mbetet pjesë përbërëse të Serbisë.
Beogradi pushton Kosovën me mijëra policë e ushtarë serbë, duke vënë shqiptarët nën masa represive dhe aparteidi.
Më 2 korrik të vitit 1990, Kuvendi i Kosovës shpalli deklaratën kushtetuese Kosova  Republikë. Më 7 shtator të vitit 1990, në Kaçanik, nxirret Kushtetuta e Republikës së Kosovës.
Më 5 korrik, Kuvendi i Serbisë, me një ligj anti-kushtetues, suspendon Kuvendin dhe ndalon punën e Qeverisë së Kosovës.
Menjëherë pas referendumit për pavarësi, më 1991 në Kosovë, Dr. Rugova zgjidhet president i Republikës së Kosovës, formon qeverinë në ekzil, kryeministër caktohet Dr.med.Bujar Bukoshi.
Rugova kishte konceptuar politikën e tij “të rezistencës aktive, por, me mjete paqësore dhe sistemin paralel, duke krijuar miqësi të madhe me Amerikën dhe Perëndimin, sepse nuk kishim pushtet”, – ka thënë presidenti Dr.Ibrahim Rugova, në fillimvitet e `90-ta. Politika paqësore e Rugovës dhe LDK-së filloi të kritikohet nga vitet 1995, nga grupe që kërkonin një rezistencë ndryshe, qoftë edhe me armë. Edhe pse nuk kishin pika të përbashkëta bashkëpunimi, qëllimi ishte i njëjtë-çlirimi i Kosovës nga Serbia dhe bërja e Kosovës shtet të pavarur e sovran-.
Në vitin 1997 u bë dalja publike, e tre pjesëtarve të uniformuar, në varrimin e një mësuesi, si parathënie e krijimit të themelimit të organizimit ushtarak.
Më 1 tetor të vitit 1997, Lëvizja Studentore organizon një protestë masive.
Më 5 mars të vitit 1998, forcat serbe sulmojnë fshatin Prekaz i Ulët, ku vrasin Adem Jasharin, me familje, figurën që për shqiptarët nënkupton komandantin e UÇK-së.
Më 15 janar të vitit 1999, kur forcat serbe ekzekutojnë 45 civilë shqiptarë në Reçak. Ish-shefi i Misionit Mbikëqyrës të OSBE-së në Kosovë, Villiam Volker, doli botërisht dhe e tha se “ajo ishte një masakër”. NATO-ja dhe evropianët organizuan Konferencën në Rambuje, afër Parisit. LDK-ja dhe UÇK-ja bashkohen në një delegacion.
Nga 24 marsi deri më 10 qershor, makineria ushtarake e NATO-paktit goditi caqet ushtarake dhe objektet tjera në Serbi, Mal të Zi dhe Kosovë, për ta paralizuar mundësinë e kundër-përgjigjës ushtarake serbo-sllave. Me 10 qershor, me nënshkrimin e Marrëveshjes në Kumanovë me NATO-n, Serbia pranon kapitullimin dhe detyrohet të tërheq forcat ushtarake e policore nga Kosova, bashkë me qeverinë kriminale të Millosheviqit. Miratohet Rezoluta 1244, me të cilën vendoset Misioni administrues i Kombeve të Bashkuara në Kosovë.
Kosova shpall pavarësinë më 17 shkurt të vitit 2008.

Vrasjet gjatë luftës

Nga organizata Fondi për të Drejtën Humanitare,gjatë luftë në Kosovë (1999). Janë vrarë ose janë zhdukur gjithsej 13,535 njerëz, kjo shifër është nxjerrë në bazë të analizës së 31,600 dokumenteve.
Shqiptarët me 10.812, serbët  2,197, kurse romët, boshnjakët, malazezët dhe joshqiptarët e tjerë përbëjnë 526 viktima gjithsej.
1.647 persona konsiderohen si të pagjetur dhe për ta ende nuk dihet asgjë. Prej tyre rreth 420 serbë. Nga marsi i vitit 2000, janë identifikuar 529 varreza masive, shumica në Kosovë, janë gjetur 4.300 trupa të pajetë. Varreza  më madhe është zbuluar në Batajnicë, afër Beogradit, me 93O të vrarë. Sipas hulumtuesit Bekim Blakaj dhe krryetares së Organizates FDH, Natasha Kandiq, mungon vullneti politik, për të dhënë informacione, për vendndodhjen e varrezave masive në Serbi.
Sipas një raporti të organizatës së OKB-së për refugjatët, (UNHCR), dëshmohet se gjatë luftës 1998-99, soldateska serbo-sllave, dëboi dhunshëmose  862,979 refugjatë nga Kosova.
Numri i viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës, llogaritet të jetë rreth 20 mijë vetë, sipas pohimit të ish-presidentes të Kosovës, Atifete Jahjaga, para Kongresit amerikan. Me emër e mbiemër janë identifikuar rreth 1200 viktima. Në vitin 2014, Kuvendi i Kosovës ka miratuar statusin i viktimës së dhunës seksuale, me pension mujor prej 230 euro. Qendra për rehabilitimin e viktimave të torturës, ndihmon në procesin e aplikimit të viktimave të dhunës seksuale.
Shkatërrimi i pronës gjatë luftës së Kosovës, ishte egërsi unike e një pushtuesi barbar.
Sondazhi i cituar nga UNHCR-së të nëntorit të vitit 1999, raporton se pothuajse 40 përqind e të gjitha shtëpive të banimit në Kosovë janë dëmtuar rëndë ose janë shkatërruar plotësisht. Nga një total prej 237,842 shtëpish, 45,768 u dëmtuan rëndë dhe 46,414 u shkatërruan. Shkollat dhe xhamitë u prekën në mënyrë të ngjashme. Sipas një vlerësimi të dëmeve nga Kombet e Bashkuara, nga 649 shkolla në Kosovë, ose një e pesta, janë shkatërruar.
Bashkimi Evropian, në kuadër të misionit të UNMIK-ut, pas luftës, kishte vlerësuar një kosto prej së paku 4 miliardë dollarë, për një periudhë prej tre vjetësh, për të rindërtuar Kosovën e shkatërruar nga lufta.
Bëra një ekspoze kronologjike të rrugëtimit 10-vjeçar, të popullit të Republikës së Kosovës, për çlirim e liri, për të ardhur ke pavarësia shtetërore e 17 shkurtit 2008. Dhe, tani, jemi në plotësimin e komponentit të tretë: Konsolidimin e shtetit të Kosovës dhe të demokracisë të mirëfilltë, si aspiratë dhe porosi hyjnore e Presidentit historik Dr. Ibrahim Rugova, me shumë shokë, si vijimësi e ëndrrës fisnike të Rilindasve tanë të zëshëm, me brezat vizionarë..

Xhafer LECI
Kirchheim/Teck,17.02.2024


Send this to a friend