Pas përshkallëzimit të ndjeshëm të protestave në Iran gjatë dy ditëve të fundit, regjimi duket se po “përgjigjet” në shumë zona me përdorim të municioneve reale.
Një mjek në Teheran, i cili foli për revistën TIME nën kushtin e anonimatit, deklaroi se vetëm gjashtë spitale në kryeqytetin iranian kanë regjistruar të paktën 217 vdekje protestuesish, “shumica prej tyre nga plumbat”.
Nëse ky numër konfirmohet, bëhet e qartë se kemi të bëjmë me një strategji represioni të gjerë, e cila ishte parapërgatitur përmes “blackout”-it të internetit dhe linjave telefonike, i vendosur mbrëmjen e së enjtes.
Raportimet për qindra viktima vijnë në një kohë kur presidenti i SHBA-së, Donald Trump, e ka paralajmëruar vazhdimisht regjimin iranian se do të “paguajë shtrenjtë” nëse vret protestuesit, të cilët kanë dalë në rrugë në numër gjithnjë e më të madh që prej 28 dhjetorit.
Një zhvillim i tillë do të përbënte, sipas vlerësimeve, një provokim të drejtpërdrejtë ndaj Uashingtonit, ndërsa klima është rënduar edhe më tej nga deklaratat e ashpra të transmetuara nga mediat shtetërore të Republikës Islamike.
Protestat, të cilat tashmë janë përhapur në të gjitha 31 provincat e vendit, nisën si reagim ndaj një ekonomie në rënie të lirë. Megjithatë, shumë shpejt ato morën karakter politik, me kërkesa që shkojnë deri te përmbysja e regjimit autoritar islamik që qeveris Iranin që prej vitit 1979, mbi një popullsi prej rreth 92 milionë banorësh.
Edhe pse tubimet janë përshkruar kryesisht si paqësore, me thirrje si “Liri” dhe “Vdekje diktatorit”, janë raportuar edhe raste vandalizmi ndaj ndërtesave qeveritare. Mjeku që citohet nga TIME tha se autoritetet hoqën trupa nga spitali të premten. Sipas tij, shumica e viktimave ishin të rinj. Ai përshkroi gjithashtu një incident pranë një komisariati policie në veri të Teheranit, ku, sipas dëshmisë së tij, forcat e sigurisë “qëlluan me mitraloz” drejt turmës, duke lënë protestues të vrarë “në vend”. Aktivistët raportuan se në këtë incident u qëlluan të paktën 30 persona.
Organizatat e të drejtave të njeriut, megjithatë, të premten jepnin shifra dukshëm më të ulëta të viktimave krahasuar me vlerësimin e mjekut, duke ia atribuar diferencën kritereve të ndryshme të regjistrimit. Organizata Human Rights Activist News Agency, me seli në Uashington, e cila numëron vetëm viktimat e identifikuara, raportoi rreth 63 të vdekur.
Në të njëjtën kohë, udhëheqja iraniane dhe sistemi i drejtësisë dërguan mesazhe të ashpra ndaj pjesëmarrësve në protesta. Udhëheqësi suprem, ajatollah Ali Khamenei, në një fjalim të transmetuar të premten, deklaroi se “Republika Islamike nuk do të tërhiqet përballë vandalëve” që synojnë të “kënaqin” Donald Trump-in.
Paralelisht, prokurori i Teheranit tha se protestuesit mund të përballen edhe me dënimin me vdekje. Në një transmetim televiziv shtetëror, një zyrtar i Gardës Revolucionare u bëri thirrje prindërve t’i mbajnë fëmijët larg protestave, duke deklaruar: “Nëse… ju godet një plumb, mos u ankoni”.
Ali Larijani, sekretar i Këshillit Suprem të Sigurisë Kombëtare të Iranit, deklaroi gjithashtu se vendi ndodhet “në mes të një lufte”. Sipas tij, “trazuesit përbëjnë një grup urban, gjysmë-terrorist” dhe “Izraeli qëndron pas situatës aktuale”.
Postimet që filluan të qarkullojnë në rrjetet sociale të premten, së bashku me kërcënimet brutale të regjimit, përforcuan perceptimin se janë dhënë urdhra të qarta për shtypje.
“Mendoj se, në kushtet aktuale, nga momenti që protestat janë shtrirë edhe në zonat e klasës së mesme, regjimi nuk do të hezitojë të përdorë dhunë të hapur”, deklaroi për një media britanike Hossein Hafezian, politolog iranian me bazë në New Jersey. Sipas tij, “në këtë moment ata e shohin situatën si një kërcënim ekzistencial”, duke parashikuar se “nga tani e tutje humbjet do të rriten me shpejtësi”.
Në të njëjtin kontekst, Hafezian shtoi, në një deklaratë që pasqyron nivelin e tensionit, se “nëse Trump godet disa kazerma të policisë kundër trazirave, loja mund të ndryshojë”.
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, shprehu sot mbështetjen e SHBA-së për popullin e Iranit, ku protestat vazhdojnë prej 14 ditësh, ndërsa qasja në internet është ndërprerë që prej së enjtes. “Shtetet e Bashkuara mbështesin popullin e guximshëm të Iranit”, shkroi Rubio në platformën X.
Nga ana e tij, presidenti amerikan Donald Trump paralajmëroi sërish të premten autoritetet iraniane: “Do të ishte më mirë të mos filloni të qëlloni, sepse edhe ne do të fillojmë të qëllojmë”.
“Nëse ata fillojnë të vrasin njerëz siç kanë bërë në të kaluarën, atëherë do të ndërhyjmë”, shtoi republikani, duke sqaruar: “Kjo nuk do të thotë se do të dërgojmë trupa tokësore, por do të thotë se do t’i godasim shumë, shumë fort, aty ku dhemb”.
Ndërkohë, protestat vazhduan edhe natën e së premtes në Teheran dhe në qytete të tjera të Iranit, ku mijëra banorë dolën në rrugë, sipas videove të shpërndara në platformat e rrjeteve sociale, pavarësisht faktit se qasja në internet ende nuk është rikthyer në vend.
© Panorama.al