VOAL

VOAL

Ishambasadori britanik: Nuk shoh arsye që Shqipëria dhe Kosova të mos bashkohen

February 15, 2016

Komentet

Osmani takohet me Macronin, flasin për integrimin e plotë të Kosovës në strukturat euroatlantike

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është takuar me homologun e saj francez, Emmanuel Macron.

Këtë e ka bërë të ditur përmes një postimi në Facebook, ku zbuloi se me Macronin ka diskutuar mbi rëndësinë e ecjes përpara drejt integrimit të plotë të Kosovës në strukturat euroatlantike.

“Dje, me Presidentin Macron, diskutuam mbi rëndësinë e ecjes përpara drejt integrimit të plotë të Kosovës në strukturat euroatlantike, në partneritet me aleatët tanë dhe në dobi të të gjithë qytetarëve tanë, pa dallim”, ka shkruar e para e shtetit të Kosovës, njofton Klankosova.tv.

Takimi i dy presidentëve u bë në kuadër të Samitit të Komunitetit Politik Evropian i cili u mbaj në Britani. sn

Rreziku ndaj SHBA dhe ndaj Evropës nuk do të ndalet me Ukrainën, paralajmërojnë zyrtarët

Gjenerali Christopher Cavoli
VOA/Jeff Seldin

Përfundimi i luftës në Ukrainë mund të mos mjaftojë për t’i dhënë fund rrezikut në Evropë apo edhe në Shtetet e Bashkuara, mendojnë disa diplomatë të lartë evropianë, si dhe gjenerali më i lartë i forcave amerikane në Evropë.

Duke folur të enjten në Forumin e Sigurisë në Aspen, të Kolorados, zyrtarët e përshkruan luftën dhe mbështetjen e vendeve të tyre për Ukrainën si të natyrës ekzistenciale, por thanë se një fitore e Ukrainës përballë forcave pushtuese ruse do të ishte vetëm fillimi.

“Rezultati në terren do të ishte jashtëzakonisht, jashtëzakonisht i rëndësishëm”, tha gjenerali amerikan Christopher Cavoli, i cili drejton Komandën Qendrore Amerikane dhe shërben si Komandanti Suprem i Forcave Aleate në NATO.

“Por, nuk mund të kemi iluzione”, tha gjenerali Cavoli. “Në përfundim të konfliktit në Ukrainë, sido që të përfundojë, do të kemi një problem shumë, shumë të madh me Rusinë…”

“Do të kemi një situatë ku Rusia po ringre forcat e saj ushtarake, është e gjendur në kufijtë e NATO-s, është e udhëhequr nga pothuajse të njëjtët persona si tani, dhe është e bindur se ne jemi kundërshtari, dhe është shumë, shumë e zemëruar”, tha ai.

Këshilltari gjerman për çështjet e jashtme dhe të sigurisë, u tregua gjithashtu i drejtpërdrejtë.

Jens Plotner (marrë nga https://www.aspensecurityforum.org/)

Jens Plotner (marrë nga https://www.aspensecurityforum.org/)

“Me dëshirën e Putinit po hyjmë në një fazë konflikti të gjatë dhe të zgjatur me Rusinë”, i tha Jens Plotner audiencës në Aspen.

“Manifestimi i saj më përgjakshëm për momentin, është lufta në Ukrainë. Por, qartazi nuk është e vetmja”, tha zoti Plotner. “Kemi parë aktivitet hibrid në mbarë Evropën. Kemi parë aktivitet hibrid në Shtetet e Bashkuara. Kemi parë Rusinë të shtrihet drejt Afrikës. Kemi parë Rusinë të ripërtërijë lidhjet me Teheranin, madje edhe më keq, me Phenianin”.

“Kështu që mendoj se të gjitha këto janë pjesë e pamjes më të madhe, ekzistencën e së cilës duhet ta vëmë në dukje”, tha ai.

Zoti Plotner nuk pranoi të komentojë rreth njoftimit të bërë këtë muaj fillimisht nga kanali televiziv CNN, për një komplot rus për të vrarë drejtuesin e kompanisë Rheinmetall, një ndër kompanitë kryesore gjermane në industrinë ushtarake. Ai tha megjithatë se janë bërë arrestime dhe agjencitë e sigurisë të Gjermanisë janë në gjendje të lartë gatishmërie.

Logoja e kompanisë gjermane të industrisë së mbrojtjes, Rheinmetall

Logoja e kompanisë gjermane të industrisë së mbrojtjes, Rheinmetall

“E dimë se komplotet që kemi arritur të ndalim nuk kanë qenë të fundit”, tha ai.

Rusia ka mohuar çdo përfshirje në komplotin për të vrarë drejtuesin e kompanisë Rheinmetall, duke i hedhur poshtë këto njoftime si të rreme.

“Njoftime të tilla nuk mund të merren seriozisht”, tha zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov.

Gjermania dhe vendet e tjera evropiane kanë ngritur gjithnjë e më shumë shqetësime rreth rrjeteve të lidhura me Rusinë që punojnë për të zvogëluar mbështetjen për Ukrainën.

Në prill, autoritetet gjermane arrestuan dy shtetas ruso-gjermanë me akuza për spiunazh, duke akuzuar se njëri prej tyre kishte rënë dakord të kryente sulme në objektet ushtarake amerikane për të sabotuar dërgimin e ndihmës ushtarake në Ukrainë.

Në fillim të këtij muaji, zyrtarët e inteligjencës amerikane pretenduan se Rusia po kërkon përsëri të ndërhyjë në zgjedhjet e ardhshme presidenciale amerikane me një përpjekje për të ndihmuar kandidatët që perceptohen si të favorshëm për Moskën, veçanërisht në lidhje me luftën në Ukrainë.

Kurti: Hapja e urës së Ibrit nuk është kundër askujt

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë të enjten se Qeveria e tij synon hapjen e urës kryesore mbi lumin Ibër, dhe që ai veprim nuk është kundër askujt.

Kurti i ka bërë këto deklarata një ditë pas takimit me ambasadorë të vendeve të QUINT-it në Kosovë, dhe shefin e zyrës së Bashkimit Evropian, me të cilët ka diskutuar për këtë çështje.

Në QUINT bëjnë pjesë Shtetet e Bashkuara, Mbretëria e Bashkuar, Gjermania, Franca dhe Italia.

“Askush nuk mund të thotë që kjo nuk është një gjë e mirë dhe e drejtë, por ne dëshirojmë që edhe të zbatohet ligji, edhe të respektohet liria e lëvizjes, por edhe të kemi paqe e siguri për të gjithë”, ka thënë Kurti në një konferencë për media.

Sipas Kurtit, hapja e urës i ndihmon të gjithë banorët e asaj zone, pa dallim etnie.

“I ndihmon si njerëzit në të dyja anët e Ibrit, gjithashtu edhe tregtinë, ekonominë, bashkëpunimin”.

Ai ka përmendur që para shumë vjetësh, zyrtarë të Bashkimit Evropian i janë referuar hapjes së urës në tërësi për qarkullim si “simbol i normalizimit”.

“Kundër askujt, por për të gjithë”, ka thënë mes tjerash Kurti, kur e ka përmendur nevojën e hapjes së urës.

Diskutimet për urën janë aktualizuar në muajt e fundit, pas thirrjeve në Kuvendin Komunal të Mitrovicës së Veriut që ura të hapet tërësisht për qarkullim.

Këtë komunë në veri të Kosovës e udhëheq Erden Atiq nga partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje.

Kryetari i Kuvendit Komunal të Mitrovicës së Veriut, Nexhad Uglanin, pati thënë se zbatimi i vendimit për çështjen e urës u takon autoriteteve qendrore dhe institucioneve të sigurisë.

Zyrtarë të këtij Kuvendi, madje, patën thënë se hapja e urës është edhe nën juridiksion të Mitrovicës së Jugut dhe të misionit paqeruajtës të Organizatës së Traktatit të Atlantikut Verior (NATO) në Kosovë, KFOR.

Edhe zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani, pati paralajmëruar në maj se ura “do të hapet shpejt”, dhe se po diskutohet me eprorët se si të bëhet kjo.

Faktori ndërkombëtar, në anën tjetër, po kërkon vazhdimisht të ketë koordinim mes të gjitha palëve të prekura që të mos përshkallëzohet situata.

Karabinierët italianë të KFOR-it kanë prani të përhershme mbi urën e Ibrit dhe kryejnë patrullime në rrethinë. Ura vëzhgohet edhe prej pjesëtarëve të Policisë së Kosovës.

Qeveria e Kosovës beson se liria e lëvizjes duhet të sigurohet në të gjithë territorin, por Serbia e konsideron hapjen e urës si “provokim”.

Shqiptarët në Mitrovicë të Jugut dhe serbët në Mitrovicë të Veriut – me të cilët ka biseduar më parë Radio Evropa e Lirë – janë të ndarë nëse ura duhet të hapet.

Për shqiptarët, hapja e urës do të ishte “gjë e mençur”, ndërsa për serbët vendim që rrit tensionet. REL

UGSHPD: NJË SHTET QË ËSHTË I FIKSUAR PAS NUMËRIMIT TË TURISTËVE DITORË (Mirë se vini në Republikën e Rilindjes Socialiste!)

 
Që turizmi po ja merr të gjitha energjitë qeverisë së Rilindjes Socialiste, kjo tashmë nuk ka asnjë dyshim. Vetëm në dy vitet e fundit po flitet dhe zhurmohet ditë e natë me shifrat e lodhëshme; 10 milion turistë në 2023-shin dhe 14 milion në 2024-ën. Ky është motivi i çdo dite dhe rreth tij të ndjekura nga mediat sillen i gjithë kabineti i kryeministrit Rama me detyra për infrastrukturën dhe energjinë, turizmin dhe mjedisin, shëndetësinë,  ministrrinë e brendëshme dhe të mbrojtjes. Këto dy të fundit edhe për shkak të stinës së nxehtë u duhet të kujdesen me forca të shumëfishuara për shkak jo vetëm të fluksit të automjeteve dhe të njerëzve me destinacion pushimet, por për më tepër se sezoni nga mbingarkesa e protestatve masive që mbahen në kryeqytet aq sa edhe me zjarret që shpërthejnë në natyrë dhe në fushat e mbledhjes së mbeturinave urbane. Mungesa e energjisë dhe e ujit, çmimet e produkteve ushqimore, ndotja e natyrës përgjithësisht po kthehen në problematikat kryesore të vështirësisë së jetës së shqiptarëve dhe e vizitorëve ditorë dhe afatshkurtër të turizmit. E gjithë kjo situatë tregon për një mospërgatitje serioze, paqendrueshmëri edhe në pikat ku kjo qeverisje pretendon se ka investuar me miliona euro dhe rezultati vetëm i muajit Korrik 2024, po tregon se plazhet në jug janë bosh ose frekuentohen fare pak për shkak të çmimeve dhe nga ana tjetër treguesit e shëndetit të ajrit dhe të ujit, përveç ndërprerjeve të herë pas hershme të furnizimeve me ujë dhe energji ndodhin në qytete dhe fshatra ku banojnë dhe punojnë pa menduar për pushime qindramijë shqiptarë.
Kjo tabllo e përgjithshme zbulohet nga ankimimet dhe kërkesat e përditshme që drejtojnë shtetasit shqiptarë, por ende askush nuk i dëgjon dhe ua zgjidh shqetësimet dhe problemet madje ato nuk përfillen dhe zvogëlohen sepse qeveria përmes propagandës i godet shtetasit e vet me shifrat e turizmit dhe të imazhit që këta vizitorë disa ditor e përcjellin në mbarë botën. Në këtë kuptim turizmi dhe shifra 14 milion vizitorë për këtë vit mban fiksimin dhe pushtimin ideologjik të mendjes dhe të propagandës së Rilindjes Socialiste.
Vetëm nga një vëzhgim i njoftimeve dhe lajmeve zyrtare që përcjell ATSH-ja çdo ditë, kemi monitoruar mënyrën e propagandës për turizmin ku peizazhi i natyrës, bregdeti, qendrat dhe qytetet muzeale të Shqipërisë ofrohen sa nga artikujt e gazetave prestigjoze të huaja deri tek shkrepjet e celularëve dhe videot e porositura nga kryeministri dhe mundësisht çdo ministre dhe ministër i kabinetit të tij. Kësht propaganda kontrrollon, ndërton një perceptim të gabuar për shqiptarët brenda vendit dhe në diasporë se vendlindja e tyre është më tërheqësja në rajon, zbulim i ri i kontinentit e të tjera krahasime të fryra që arrijnë në marrëzi.
Sot kemi mbërritur në marrëzinë e shifrave sa që është zor t’i ndalësh edhe sikur të kërkosh ekspertizë serioze të ekonomistëve. Të konsumuar nga numërimet nga çdo tra, porte dhe nga aeroporti i Rinasit, çdo javë sajohen lajme dhe vëzhgime të reja. Një i fundit ishte numurimi i 20 mijë kalimtarëve nga Pika veriore kufitare e Murriqanit. Ilustrimi ishte aq i kujdesur sa që imazhet bëhen gënjyese dhe mashtruese deri në atë shkallë sa kjo shifër për fluksin e lëvizjes së lirë hyrje-dalje nga një pikë kufitare pë njerëz dhe automjete me qëllim tregëtinë, mallrat, tregun e punës dhe sigurisht vizitorë, shitet e gjitha si shifra që do të plotësojë numrin e 14 milionë “turistëve” (Mbi 20 mijë qytetarë kaluan në pikën kufitare të Murriqanit gjatë 24 orëve). Ky është një titull goditës i ATSH dhe ashtu siç përmendet, ai është i përditshëm në format e trajtimit për çdo pikë të kalimit kufitar veç se Murriqani të befason me imazhin dhe me paraqitjen e kërkesave të ngjyrave të ideologjisë së sëmurë të qeverisë Rama. 
Për vite me rradhë premtimet e punëve dhe e projekteve të mëdha kanë treguar se përfundojnë me shpërdorime dhe me korrupsion, ndërsa mbulimi i tyre bëhet fare thjeshtë sepse është pushteti i qeverisjes nga njëra anë dhe nga ana tjetër ngjyra lejla e ideologjisë dhe e propagandës. Pika kufitare e Murriqanit në kontaktin e parë ta lë një shije të tillë. Simbolet shtetërore apo  veçoritë dalluese kombëtare të krahinës dhe zonës me histori dhe tradita po maskohen dhe mbulohen me furçën e ngjyrës lejla. Kjo shije është ushqyer prej vitesh dhe për një shqiptar diaspore kur shkel pas shumë kohësh tokën e atdheut të vet, kupton se vendlindja ka pësuar ndryshime, një transformim të sforcuar ideologjik sa që “mikpritja” duket se të ngatërron edhe me ftesën dhe duket sikur thotë: “Mirë se vini në Republikën e Rilindjes Socialiste!”.
Numërimi i hyrje-daljes së qytetarëve, i shtetasve, i vizitorëve dhe i kalimtarëve vazhdon të numërohet dhe e gjithë lëvizja e lirë e njerëzve në fund të sezonit do të rrumbullakoset me shifrën 14 milion turistë, një rekord i ri i qeverisë.
 

16 Korrik, 2024

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës (UGSHPD)

Verband Albanischer Berufsjournalisten der Diaspora (VABD)

Union of Professional Albanian Journalists of Diaspora (UPAJD)

L’Union des journalistes professionnels albanais de la diaspora (UJPAD)

Unione dei Giornalisti Professionisti Albanesi della Diaspora (UGPAD)

Kurti diskuton me QUINT-in për hapjen e urës mbi Ibër

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka biseduar me ambasadorët e shteteve të QUINT-it dhe atë të Bashkimit Evropian për hapjen e urës mbi lumin Ibër për qarkullim edhe për vetura.

Në takimin e 17 korrikut, sipas njoftimit për media të lëshuar nga Zyra e Kurtit, në kuadër të informimit dhe koordinimit me partnerët ndërkombëtarë është trajtuar “rëndësia e bashkërendimit të veprimeve institucionale për hapjen e urës mbi lumin Ibër edhe për vetura, në mënyrë që të mundësohet liria e plotë e lëvizjes e cila i ndihmon qytetarët në të dy anët e urës, pa dallim”.

Sipas Qeverisë, hapje e urës mbi Ibër do t’i kontribuonte zhvillimit të ekonomisë dhe tregut “përmes lëvizjes më të lehtë të mallrave dhe kapitalit”.

Në QUINT bëjnë pjesë Shtetet e Bashkuara, Mbretëria e Bashkuar, Gjermania, Franca dhe Italia.

Në fund të majit, asamblistët e Lëvizjes Vetëvendosje në Komunën e Mitrovicës së Veriut kërkuan që të zbatohet vendimi për hapjen e urës kryesore mbi Ibër për trafik.

Kjo urë që nga viti 1999 e ndan Mitrovicën në pjesën jugore, të banuar me shumicë shqiptare, dhe atë veriore, të banuar me shumicë serbe.

Në prill të vitit 2023, Kuvendi Komunal i Mitrovicës së Veriut vendosi që ura të hapej edhe për trafik. Por, vendimi nuk është zbatuar ende.

Kjo komunë udhëhiqet nga Erden Atiq, i cili vjen nga Lëvizja Vetëvendosje – partia e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.

Kundër zbatimit të vendimit për hapjen e urës mbi Ibër është shprehur Lista Serbe, partia kryesore e serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Beogradit.

Ndërkaq, Bashkimi Evropian, që ndërmjetëson dialogun për normalizim të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, ka deklaruar se çështja e urës mbi lumin Ibër duhet të zgjidhet në kuadër të dialogut në Bruksel.

“Hapja e urës është pjesë e dy marrëveshjeve. Por, përkundër përpjekjeve tona, kjo urë ka mbetur e mbyllur për trafik. Pasi kjo është pjesë e dialogut, gjithçka duhet të diskutohet dhe të vendoset në dialog me pjesëmarrjen e Kosovës dhe Serbisë”, deklaroi në fund të majit zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.

Edhe misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, ka kërkuar që çështja e hapjes së urës mbi Ibër të zgjidhet në kuadër të dialogut.

Karabinierët e KFOR-it kanë prezencë të përhershme në urën mbi lumin Ibër. REL

Osmani do të marrë pjesë në Samitin e Bashkësisë Politike Evropiane

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, do të marrë pjesë në Samitin e Bashkësisë Politike Evropiane, që mbahet në Mbretërinë e Bashkuar më 18 korrik.

Përmes një postimi në X, që më herët njihej si Twitter, Osmani tha se në samitin e katërt të Bashkësisë Politike Evropiane do të takohet me udhëheqësit nga kontinenti për të diskutuar për “zgjidhjet për çështjet kryesore që ndikojnë në sigurinë dhe prosperitetin e të gjithë qytetarëve tanë”.

“Ne po ashtu do të riafirmojmë angazhimin tonë për të forcuar aleancat e Kosovës dhe për ta afruar edhe më shumë shtetin tonë me institucionet euroatlantike”, shkroi ajo në X.

Bashkësia Politike Evropiane është shndërruar në forumin më të madh evropian, ku marrin pjesë më shumë se 50 liderë nga shtetet evropiane dhe nga organizatat evropiane.

Për Bashkimin Evropian, forcimi i Bashkësisë Politike Evropiane konsiderohet me rëndësi të veçantë. BE-ja dëshiron që ky forum të forcohet dhe ekzistenca e tij të mos vihet në dyshim. Blloku po ashtu e sheh këtë Bashkësi si mundësi për t’i përfshirë në debat për çështje të interesit të përbashkët edhe shtetet evropiane që ndajnë vlerat e përbashkëta, por që nuk janë shtete anëtare të BE-së.

Në Bashkësinë Politike Evropiane janë 44 vende. Kjo nismë është lancuar rreth dy vjet më parë.

Takimi i parë u zhvillua në Pragë në vitin 2022, kur Çekia kishte kryesimin e radhës së Bashkimit Evropian; i dyti në Kishinjev të Moldavisë në qershor të vitit 2023, ndërsa i treti në Granadë të Spanjës në tetor të vitit 2023.

Të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor janë pjesëmarrëse të rregullta në Bashkësinë Evropiane Politike, përfshirë Kosovën, pavarësisht se ky forum në të kaluarën u mbajt në dy shtete që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës: Moldavi dhe Spanjë.

Idenë për krijimin e saj e ka përmendur i pari presidenti i Francës, Emmanuel Macron, e pas tij edhe presidenti aktual i Këshillit Evropian, Charles Michel.

Bashkësia Politike Evropiane nuk është një organizatë formale, por shërben si forum, ku së paku një herë në vit liderët e 44 vendeve evropiane mblidhen dhe diskutojnë për çështje të interesit të përbashkët.

Kur ideja është përmendur për herë të parë, ka pasur edhe disa dyshime nëse kjo bashkësi do të shfrytëzohej si alternativë për zgjerimin e BE-së. Por, në BE kanë siguruar se Bashkësia Politike Evropiane, në asnjë mënyrë, nuk ka për qëllim ta zëvendësojë procesin e zgjerimit të BE-së, e as të bëjë gara me organizatat ekzistuese, strukturat apo proceset. REL

Tentoi të hidhej në lumin Buna me 4 fëmijët e mitur- Policia parandalon 27-vjeçaren

Policia e Shkodrës ka parandaluar një ngjarje të rëndë.

Sipas informacioneve, një 27-vjeçare ka tentuar që të hidhet në lumin Buna së bashku me 4 fëmijët e saj të mitur.

Policia thotë se pas një njoftimi rreth orës 14:15 një shtetase po tentonte të hidhej në lum së bashku me 4 të vegjlit e saj, të cilët janë të moshave 7, 5, 3 dhe 1 vjeç.

Teksa ngjarja u parandalua, policia ka shoqëruar në komisariat 27-vjeçaren së bashku me 4 fëmijët e mitur.

Teksa është ngritur një grup i posaçëm hetimor për të zbardhur detajet e ngjarjes.

Njoftimi i policisë:

Shkodër / Ndërhyrja e Policisë parandaloi një ngjarje të rëndë.

Tentoi të hidhej në lumin Buna, bashkë me 4 fëmijët e saj të mitur, falë ndërhyrjes së shpejtë nga patrulla e përgjithshme që patrullonte në zonë, pengohet 27-vjeçarja.

Menjëherë pas marrjes së njoftimit, rreth orës 14:15, se një shtetase po tentonte të hidhej në lumin Buna, bashkë me 4 fëmijët e saj, shërbimet e Policisë që patrullonin në zonë, kanë ndërhyrë duke penguar 27-vjeçaren, e cila po tentonte të hidhej në lumë, bashkë me 4 fëmijët e saj 7, 5, 3 dhe 1 vjeç.

27-vjeçarja dhe fëmijët e saj u shoqëruan në ambientet e Komisariatit të Policisë Shkodër.

Grupi hetimor vijon punën për sqarimin e rrethanave të rastit.

BB: Ndryshimet e klimës do t’i sjellin humbje Shqipërisë sa 15.7% e PBB-së, nivelet më të larta në rajon

Ndryshimet klimatike me temperatura ekstreme dhe përmbytje do të dëmtojnë ekonominë e vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Raporti rajonal për Klimën dhe Zhvillimin në Vendet e Ballkanit Perëndimor (CCDR) i Grupit të Bankës Botërore, i cili u botua sot, thotë se së bashku, gjashtë ekonomitë e Ballkanit Perëndimor duhet të investojnë të paktën 37 miliard dollarë gjatë dhjetë viteve në vijim për një mbrojtje më të mirë të popujve dhe pasurive të tyre nga ndikimet dëmtuese dhe në përshkallëzim të ndryshimeve klimatike.

Bazuar në një analizë të tre rreziqeve – përmbytjet e lumenjve, thatësirat (përmes ndikimit në të mbjella) dhe stresi i nxehtësisë pritet ti shkaktojnë humbje për Shqipërinë, sa 15.7 e PBB deri në 2050.

Banka vlerëson se Humbjet e Shqipërisë janë më të mëdhatë në rajon, pasi mesatarja e vendeve të tjerë në Ballkanin Perëndimor janë sa një e treta e Shqipërisë.

Gjithashtu Serbia pritet të përjetojë dëmet të mëdha nga klima rreziqet n, e ndjekur nga Bosnja dhe Hercegovina. Përmbytjet pritet të shkaktojnë dëmin më të madh i PBB-së në të gjitha vendet, duke filluar nga rreth 15 për qind humbje në vitin 2050 PBB për Serbinë dhe rreth 3 për qind të humbjes së PBB-së për Maqedoninë e Veriut nën trendin e rritjes.

Ndikimi i thatësirës, i modeluar përmes ndikimit të saj në prodhimin e misrit dhe grurit, do të jetë më i vogël, duke qenë se këto kultura përbëjnë një pjesë të vogël të prodhimit bujqësor në shumicën e vendeve të BB-6, dhe pavarësisht faktit që thatësirat përgjithësisht konsiderohen si një rrezik i rëndësishëm klimatik.

Rritja më e lartë mund të kompensojë disa e dëme të pritshme në pjesën më të madhe të rajonit. Përjashtim bën Serbia, ku ka dëme më të mëdha nga përmbytjet

Tërmetet, edhe pse nuk janë rrezik për ndryshimin e klimës, vlerësohen dhe pritet të shkaktojnë dëme të konsiderueshme të prodhimit, duke pasur parasysh rreziqet historike sizmike në rajon.

Banka vlerëson se dëmet nga rreziqet klimatike mund të lehtësohen nëpërmjet investimeve të përshtatjes dhe ndërhyrjeve të hershme.

Modelimi i ndikimit të investimeve të përshtatjes për të tre rreziqet (përmbytjet e lumenjve, thatësirat nëpërmjet ndikimi në drithëra tregoi se investimet vjetore duhen të jenë mesatarisht 1.3 për qind të PBB-së në të gjithë rajonin për 2025-50 dhe ato mund të sjellë një përfitim mesatar vjetor prej 1.7 për qind të PBB-së./MONITOR

Vendet ku shtetasit e Kosovëa mund të udhëtojnë pa viza

Tajlanda është bërë vendi i fundit që ka hequr vizat për shtetasit e Kosovës. Kosovarët tani mund të udhëtojnë pa viza në 51 shtete të botës, ndërsa në 39 vende mund të pajisen me viza sapo të mbërrijnë.

Qëndrime kritike nga UNESCO mbi Butrintin, Beratin dhe Gjirokastrën për autoritetet shqiptare

VOA/Raimond Kola

Autoritetet shqiptare pritet të përballen me kritika të forta në Komitetin e Trashëgimisë Botërore të UNESCOS që mbahet këtë muaj në Indi.

Projekt vendimet për Butrintin, Gjirokastrën dhe Beratin të bëra publike nga UNESCO flasin për një seri detyrimesh të papërmbushura nga Shqipëria dhe për shqetësime nga organizata botërore për një seri çështjesh.

Komiteti i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s që mblidhet gjatë këtij muaji në Indi në sesionin e 46-të, pritet t`u drejtojë autoriteteve shqiptare kritika të forta për menaxhimin e Butrintit, Gjirokastrës, Beratit dhe Ohrit që janë përfshirë në listën e pasurive botërore.

Projekt-vendimet e Komitetit të UNESCOS janë bërë të njohura deri tani për Butrintin si dhe për Beratin dhe Gjirokastrën, si pasuri të trashëgimisë në seri, ndërkohë që projektvendimi për Ohrin ende nuk është publik.

Misionet e mëparshme të UNESCOS kanë qenë tejet kritike si ndaj palës shqiptare edhe atë maqedonase edhe për Ohrin, sidomos për moskontrollin e ndërtimeve pa kriter buzë liqenit.

UNESCO thotë në projekt-vendimin për Gjirokastrën dhe Beratin, se “ vëren me keqardhje se, pavarësisht kërkesave të mëparshme, Shqipëria nuk ka zbatuar plotësisht projektin për zhvillimin e Planit të Menaxhimit në bashkëpunim me sektorin qeveritar dhe civil, financuar nga Fondi i Trashëgimisë Botërore”.

“Shqipëria duhet të përditësojë Planin e Menaxhimit si një çështje me përparësi duke marrë parasysh komentet dhe rekomandimet e bëra tashmë nga Organet Këshillimore dhe duke përfshirë në mënyrë aktive autoritetet vendore të Beratit dhe Gjirokastrës”, thotë UNESCO.

UNESCO u kërkon autoriteteve shqiptare të paraqesin një projekt parafinal të planit të menaxhimit , i cili do të shërbejë si bazë për ndonjë ndihmë të mëtejshme nga Qendra e Trashëgimisë Botërore dhe Organet Këshillimore.

Shqipëria në raportin e saj në shkurt të këtij vitit të dorëzuar në UNESCO tha se nuk kishte arritur të përfundonte Planin e Menaxhimit për Beratin dhe Gjirokastrën, pasi grupi që punonte për dokumentin u zhvendos i tëri nga Ministria e Kulturës në një ministri tjetër.

UNESCO kishte financuar autoritetet shqiptare për Planin e Menaxhimit të Beratit dhe Gjirokastrës me rreth 30 mijë dollarë.

Planet e Menaxhimit janë dokumente startegjike për monumentet e trashëgimisë botërore dhe vendet kanë detyrimin t`i hartojnë dhe t`i zbatojnë ndërkohë që në rastin e Gjirokastrës dhe Beratit prej katër vitesh autoritetet nuk kanë arritur të finalizojnë një Plan Menaxhimi.

UNESCO thotë më tej në projekt-vendimin që do të shqyrtohet nga Komiteti i Trashëgimisë Botërore në Indi se “vëren me keqardhje përfundimin e ndërtimit të rrugës së bypass-it të Gjirokastrës pa zbatuar kërkesat e UNESCOS, dhe për këtë arsye i kërkon Shqipërisë që të kryejë urgjentisht një vlerësim të plotë të pavarur të ndikimit të projektit në trashëgiminë e Gjirokastrës dhe ta dorëzojë në Qendrën e Trashëgimisë Botërore për shqyrtim nga Organet Këshillimore”.

UNESCO i kërkon Shqipërisë të ndërmarrë një studim të integruar për të vlerësuar ndikimin e projekteve të shumta të infrastrukturës dhe zhvillimit dhe t’ia dorëzojë atë UNESCOS për shqyrtim nga organet këshillimore.

Ndërkohë UNESCO në projekt-vendim thotë se mirëpret angazhimin e Shqipërisë për të përmirësuar rregulloret e urbanistikës së Beratit dhe të Gjirokastrës, por kërkon të qartësohen ndërlidhjet ndërmjet Planit të Menaxhimit të Integruar dhe planeve të veçanta për ruajtjen mbrojtjen dhe administrimin e qendrave historike të dy qyteteve.

Së fundi, UNESCO i kërkon Shqipërisë që t’i paraqesë Qendrës së Trashëgimisë Botërore, deri më 1 shkurt të vitit 2025, një raport të përditësuar mbi gjendjen e ruajtjes dhe zbatimin e kërkesave të misioneve të UNESCOS , i cili do merret për shqyrtim nga Komiteti i Trashëgimisë Botërore në sesionin e tij të 47-të.

Analiza dhe përfundimet e UNESCOS që shoqërojnë projekt-vendimin për Gjirokastrën dhe Beratin pohojnë se “as përparim i mjaftueshëm dhe as thelbësor nuk është raportuar në zbatimin e rekomandimeve të misionit Monitorues Reaktiv të Qendrës së Trashëgimisë Botërore/ICOMOS/ICCROM në vitin 2021 dhe ritheksohet kërkesa drejtuar Shqipërisë që t’i zbatojë ato plotësisht”.

“Shqipëria duhet nxitur t’i zbatojë plotësisht këto rekomandime, me vëmendje të veçantë ndaj atyre të theksuara në vendimin e mëparshëm të Komitetit”, thotë UNESCO.

UNESCO thotë në analizën e saj se detajet e projekteve të zhvillimit që mund të kenë ndikim në vlerat universale të Beratit dhe Gjirokastrës nuk janë dorëzuar nga autoritete shqiptare për shqyrtim nga Organet Këshillimore të UNESCOS.

UNESCO i kërkon Shqipërisë që të paraqesë gjithashtu detajet e projekteve në Qendrën e Trashëgimisë Botërore për shqyrtim përpara çdo miratimi ose vendimi të pakthyeshëm. UNESCO i kërkon Shqipërisë të vazhdojë përpjekjet për të kufizuar shfaqjen e aktiviteteve të ndërtimit të paligjshëm në qendrat historike të Gjirokastrës dhe Beratit.

UNESCO në analizën e saj ka vlerësuar ndërkaq progresin e bërë në përmirësimin e gjendjes së ruajtjes dhe mbrojtjes nëpërmjet nismës së Bonusit të Rijetëzimit dhe në përmirësimin e rregulloreve urbanistike të Qendrave Historike të Beratit dhe Gjirokastrës.

Gjirokastra u përfshi në listën e trashëgimisë botërore të UNESCO-s më 15 korrik të vitit 2005 dhe më 8 korrik të vitit 2008 u përfshi si një pasuri e trashëgimisë në seri edhe Berati.

Autoritetet shqiptare të kulturës dhe mjedisit njoftuan dy javë më parë se zhvilluan në selinë qendrore të UNESCO-s në Paris takime me nivelin më të lartë të drejtuesve të trashëgimisë botërore për të dakordësuar një plan pune dhe protokoll teknik bashkëpunimi me UNESCON.

“Dakordësuam një plan pune dhe protokoll shumë të mirë teknik, por edhe politik për të qenë gjithmonë e më afër me njëri-tjetrin, në të gjitha sfidat që na presin”, tha pas takimeve me përfaqësusit e UNESCOS ministri i Kulturës, Ekonomisë dhe Inovacionit Blendi Gonxhja.

Ndërsa ministrja e Mjedisit, Mirela Kumbaro tha se “zhvillimi i qëndrueshëm i turizmit kalon përmes dy pasurive më të mëdha që ka Shqipëria, natyrës dhe trashëgimisë kulturore”. “ Këtë konfirmim ne e morëm këtu në selinë e UNESCO-s në Paris”, tha zonja Kumbaro.

Presidenti Biden përcjell mesazhin e bashkimit pas atentatit ndaj ish-Presidentit Trump

VOA/AP dhe Reuters

Presidenti amerikan Joe Biden duke folur nga Zyra Ovale e Shtëpisë së Bardhë theksoi të dielën nevojën për bashkim pas atentatit ndaj rivalit të tij republikan Donald Trump.

Sulmi ndaj ish-Presidentit Trump është një “thirrje ndaj të gjithëve ne, që të reflektojmë”, tha zoti Biden.

“Fatmirësisht (presidenti) Trump nuk u lëndua rëndë”, tha ai.

Zoti Biden paralajmëroi lidhur me rreziqet e dhunës politike në Shtetet e Bashkuara, duke thënë se dhuna nuk është zgjidhje.

“Nuk ka vend në Amerikë për këtë lloj dhune – për asnjë lloj dhune”, tha zoti Biden.

“Në demokracinë amerikane –argumentet paraqiten në mirëbesim. Në demokracinë amerikane — respektohet sundimi i ligjit”, tha ai.

Ishte hera e tretë që zoti Biden fliste nga Zyra Ovale për të komentuar mbi çështje me rëndësi kritike për amerikanët që kur mori detyrën në vitin 2021.

Tetorin e kaluar ai mbajti një fjalim mbi konfliktet në Gazë dhe Ukrainë, ndërsa në qershor 2023 ai iu drejtua amerikanëve për një marrëveshje me republikanët lidhur me buxhetin.

Dhuna me armë është diçka që ndodh shpesh në Shtetet e Bashkuara, por dhuna politike është shumë më e rrallë.

Katër presidentë amerikanë janë vrarë dhe disa u kanë shpëtuar atentateve. Shumë kandidatë presidencialë janë vënë në shënjestër, disa prej të cilëve kanë humbur jetën.

Zoti Biden dhe ekipi i tij po përpiqen të modifikojnë mesazhin e fushatës pas atentatit ndaj zotit Trump.

Disa orë pas atentatit, fushata e zotit Biden tërhoqi reklamat televizive dhe po pezullon komunikimet e tjera politike.

UGSHPD: QEVERIA E RILINDJES MES VAPËS DHE KANABISIT NË SEZONIN TURISTIK 2024

 

(Pressing-u propagandistik i Ramës që përkthehet si strategjia sezonale për Jetë a Vdekje në politikë)

 

Kë të besosh nga ministrat e Rilindjes Socialiste,… atë të shëndetit gjatë kësaj jave apo atë të brendshmin?

 

Dy tituj tërheqës nga ATSH-ja, agjencia e propagandës zyrtare të qeverisë socialiste ishin “Mbi 1200 pushues kanë marrë shërbim gjatë qershorit në Qendrën Shëndetësore verore Velipojë” dhe “Policia luftë të gjitha formave të krimit për të garantuar sigurinë e komunitetit”. Ato të bien në sy se si këto dy materiale arrijnë të kulmojnë mbi skandalet e krizës përmes propagandës pikërisht për dy probleme të rëndësishme si shëndetësia dhe rendi e siguria i shtetasve prej trafiqeve dhe krimit.

 

A nuk ishin ditët paraardhëse ato që na paralajmëruan me këto dy ministri?

 

Vetëm në datën 8 Korrik, qarkulluan dy lajme që ta tërhiqnin vëmendjen se çfarë po ndodh me të vërtetë në Shqipëri dhe ku mund ta kërkojmë përgjegjësinë e qeverisë dhe të pushtetit vendor. Njëri lajm se, 90 banorë u helmuan nga ndotja e ujit të pijshëm në Bulqizë dhe tjetri ku, një drejtor i shkollës së muzikës në qytetin e Durrësit ishte shpërndarës lëndësh narkotike dhe armësh janë ndër alarmuesit për ta kuptuar dhe vlerësuar gjendjen. Por në asnjërin prej tyre për fat të keq nuk pamë ose dëgjuam reagimin e fortë të ministrave përgjegjës.

 

Por çfarë treguan këto veç se të kundërtën e asaj që propaganda ushtron çdo ditë?

 

Vetëm këto dy lajme me shtrirje të ndryshme gjeografike të tregojnë zgjerimin dhe përforcimin e rasteve që kanë ndodhur edhe më parë me korrupsionin në shëndetësi dhe me sigurinë për parandalimin e krimeve dhe rritjen e trafiqeve narkotike në territorin e vendit.

 

Të përtypësh një lajm të tillë si të ATSH-s dhe ta gjesh atë të amplifikuar në media dhe në rrjetet sociale se ç’ndodh gjatë sezonit turistik në Velipojë, ky është koncept i medias së korruptuar dhe jo i medias së lirë: “Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu vizitoi nga afër këtë qendër, ku theksoi se vetëm gjatë muajit qershor u ka ofruar shërbime mbi 1200 turistëve vendas e të huaj… Me staf të specializuar e të përkushtuar në 34 Qendra Shëndetësore verore, hapur në të gjithë vendin, jemi angazhuar për të siguruar një sezon turistik të sigurt dhe të shëndetshëm”. 

 

Por a mund ta pyesim sa për informacion ministren Koçiu tani pas Cens-it se sa është rradha e pritjes së vizitave dhe shtrimet në qendrat ambulatore të qyteteve dhe fshatrave të tjerë? Apo ajo di të na tregojë kujdesin për shtrirjen gjeografike nga Vermoshi në Konispol për 34 qendrat ambulatore që i shërbejnë turistëve të huaj dhe atyre vendas.

A di ministrja Koçiu të përgjigjet apo edhe për këtë pikë shërbejnë spotet elektorale të cilat postohen në faqen e saj në Facebook ashtu si edhe të çdo anëtari të qeverisë në shkallët e kryeministrisë pasi nënshkruhen VKM-t javore?

 

Në rastin tjetër të ministrit Balla kur “Policia ka sekuestruar edhe sasi të konsiderueshme lëndësh narkotike, shuma parash të përfituara nga aktiviteti kriminal si dhe automjete. Do të vijojmë ta konsolidojmë revanshin e sundimit të ligjit kundër të gjitha formave të krimit, për të garantuar komunitete të sigurta”.

Si duhet kuptuar kjo deklaratë e ministrit të brendshëm Balla kur fjala siguri shtrohet për të gjithë popullsinë dhe shtetasit dhe jo për komunitete dhe harta sezonale të diferencuara. Më 24 Maj, 2024 ai deklaroi se 1635 punonjës policie do të ishin të angazhuar në bashkëveprim me zjarrfikësit dhe urgjencat, por vatrat e zjarrit, tregtia e kanabisit në zonat turistike përveç krizës së qarkullimit rrugor kanë bërë që Shqipëria të ulë standardet e cilësisë turistike dhe të priren nga tendencat e oazeve me festa të shfrenuara të alkoolit, eksperimentimit të narkotikëve nën efetet e muzikës dhe dritave.

 

Me këta dy shembuj që konkretizojnë realisht gjendjen e Shqipërisë në sezonin turistik dhe propagandën nuk po zgjatemi më me të tjerë elementë të rëndësishëm të analizës ekonomike dhe sociale sepse ato do të dukeshin se bëhen me tendencë dhe qëllimshëm gjatë këtij vëzhgimi. Por ama njëri prej tyre që duhet theksuar që është dhe mbetet sikurse edhe ka qenë gjatë viteve të kaluara lidhet me pyetjen se:- Sa përlind e familjeve shqiptare i kanë aq para të mjaftueshme apo të kursyera për të bërë qoftë edhe një javë pushime diku në Shqipëri?

 

Këtë përgjigje na e ka dhënë duke e përforcuar çdo vit sistemi i korruptuar i qeverisjes.

Të gjithë si elitë në Rilindjen Socialiste pavarësisht postit, kryetar partie apo kryeministër, ministre/ministra njëherësh apo kryetarë politik qarqesh, e kanë kapur Shqipërinë qosh më qosh për ta treguar punën e tyre vetëm me propagandë. Qofshin këto suksese apo skandale, secilin ministre/ministër sheh sot se ndodhet  virtualisht në të gjitha vendngjarjet duke i sfiduar mediat dhe duke ua bërë të gatshëm lajmin. Rrjetet sociale të qeveritarëve janë njëherësh altoparlantët dhe zjarrfikësit për gjithshka që ndodh në Shqipëri dhe mundësisht në Diasporë duke u bërë burimi zyrtar për të gjitha mediat  dhe mundësisht shtegu i mashtrimit për të ndikuar mbi opinionin publik.

 

Ky është ndikimi i vazhdueshëm i kahershëm që e ka mbajtur veç të tjerash në tre mandate Rilindjen Socialiste dhe ndoshta po kuptohet së fundmi para 2025-ës se ky ka qenë vështrimi 12 vjeçar i pushtetit dhe mënyra se si elita e qeverisjes socialiste e sheh Shqipërinë; turizëm dhe infrastrukturë, kulla që pakësojnë gjelbërimin, lyerje spitalesh e shkollash dhe pacientë e studentë që u mungon shërbimi, një bujqësi vendase e mundur nga importi dhe ata pak shqiptarë që mund ta shijojnë vijën bregdetare apo klimën malore me çmime marramendëse në qoftë se ndryshe mund të ndodhen fizikisht në to si punëtorë sezonalë shërbimesh.

 

Pra Shqipëria e Rilindjes Socialiste që është fasada që ka shqyer arkën e shtetit duke sajuar investimet dhe zhvillimin e vendit, ka mundur me këtë mënyrë të rrisë shpenzimet për t’u pasuruar dhe për ta trashëguar pushtetin si elitë. Kjo strukturë e organizuar në politikë e ka brenda vetes motivimin dhe garën e hapur mes qeveritarëve vetëm për t’u pasuruar dhe postet i humbin “më pak të zgjuarit”, ajo ose ai  që nuk di dhe nuk e ka aftësinë të fshehë pa lënë gjurmë pronën e vjedhur publike e cila i është dhënë plotësisht me leje nga kreu i qeverisë dhe i ideologjisë rilindase, Edvin Rama.

 

Për sytë dhe dijen e publikut në tre mandatet socialiste, objektet e vjedhura në miliarda euro janë skena të krimit ekonomik sepse asgjë nuk është realizuar krahasuar me vlerat e shpenzuara. Por edhe nëse vepra gjigande po të jenë përuruar gjatë një periudhe, ato karakterizohen nga ethet e fushatave zgjedhore sepse pas fitoreve ashtu sikurse rrugët janë shembur, rrjeti i energjisë rëndohet dhe tubacionet nuk kanë nxjerrë ujë, po kështu si për çdo gjë të premtuar që tashmë nuk ekziston kanë filluar të dalin një nga autorët përgjegjës të përvetësimeve dhe shpërdorimeve dhe ku prova e korrupsionit të politikës përpara drejtësisë ende pret përgjegjësit.

 

Në qoftë se këtë realitet e shohin dhe e përjetojnë shtetasit çdo ditë duke mbijetuar prej kërcënimit të rënies në nivelet  ulëta të jetesës, prej rritjes së çmimeve të çdo produkti dhe shërbimi mbi dy herë si dhe e shtesës së taksave për çdo vepër të re që pretendohet se realizohet nga programi i qeverisë me paratë e shqiptarëve atëherë shqiptarët dhe diaspora që përmbyten nga propaganda e drejtpërdrejtë e qeverisjes në rrjetet sociale e kanë shumë të lehtë që të kuptojnë dy karakteristikat thelbësore të qeverisjes së Rilindjes Socialiste:  1- pasurimi përmes korrupsionit dhe 2- qëndrimi sa më gjatë dhe me çdo kusht në pushtet për të mos u bërë objekt i drejtësisë.

 

Këto dy karakteristika të gjendjes ekonomike dhe sociale në Shqipëri i Ka kuptuar më së miri kryeministri Rama i cili nga media e huaj shpesh vizatohet si artisti dhe sportisti para se të merrej me politikë. Këto dy karakteristika dalluese e bëjnë Ramën 60 vjeçar pas një mbijetese 30 vjeçare në politikë që ta fuqizojë edhe më shumë makinerinë e propagandës e cila ndryshe në strategji përkthehet pressing-un ndaj kundërshtarit.

 

Nuk e themi dot me siguri se Rama mund ta trashëgojë këtë nga sporti i basketbollit apo instinkti i politikës, por duket ana tjetër se të gjithë anëtarët e kabinetit të tij dhe kryetarët politik të qarqeve socialistë e kanë përvetësuar tashmë si duhet këtë strategji. Ato/Ata janë zërat e parë që dinë të heshtin duke u fshehur kur skandalet shpërthejnë, dinë gjithashtu edhe t’i mohojnë veprat dhe bëmatkur ato hetohen dhe u dërgohen si dosje gjyqësore drejtësisë dhe po ashtu me arratinë apo burgun që marrin mbi vete, e gjithë elita kthehet në mburojën e “sukseseve mashtruese” të qeverisë qoftë në Kuvendin e Shqipërisë dhe qoftë në rrjetet sociale dhe mediat ku prodhohen me shumicë propaganda, militantizmi dhe patronazhimi në shoqërinë shqiptare.

 

10 Korrik, 2024

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës (UGSHPD)

Verband Albanischer Berufsjournalisten der Diaspora (VABD)

Union of Professional Albanian Journalists of Diaspora (UPAJD)

L’Union des journalistes professionnels albanais de la diaspora (UJPAD)

Unione dei Giornalisti Professionisti Albanesi della Diaspora (UGPAD)


Send this to a friend