Dy baza ajrore që strehojnë trupat amerikane në Irak janë goditur nga më shumë se një duzinë raketash balistike nga Irani, sipas Departamentit të Mbrojtjes të SHBA-së.
Televizioni shtetëror iranian tha se sulmi është ndërmarrë, si hakmarrje ndaj vrasjes së komandantit të lartë të vendit, Qasem Soleimanit.
Ai u vra në një sulm me dron në Bagdad, me urdhër të presidentit amerikan Donald Trump.
Pentagoni thotë se dy bazat e ushtrisë amerikane që u sulmuan janë në Irbil dhe Al Asad të Irakut.
Është e paqartë nëse ka pasur viktima.
“Presidenti është informuar dhe po monitoron nga afër situatën si dhe po këshillohet me ekipin e tij kombëtar të sigurisë”, tha zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Stephanie Grisham, përmes një deklarate.
Garda Revolucionare e Iranit tha se sulmi ishte në shenjë hakmarrjeje për vdekjen e gjeneralit Soleiman.
“Ne po paralajmërojmë të gjithë aleatët e amerikanëve, të cilët i lëshuan bazat e tyre, ushtrisë së saj terroriste, se në shënjestër do të jetë çdo territor, nga i cili ndërmerren veprimet agresive kundër Iranit”, tha ky formacion ushtarak i Iranit, përmes një deklarate të transmetuar nga agjencia shtetërore e Iranit IRNA.
Ministri i Jashtëm iranian, Javad Zarif lëshoi më vonë një deklaratë në Twitter, përmes së cilës pretendoi se sulmi ishte vetëmbrojtje dhe mohoi se Irani po kërkon të përshkallëzohet situata.
Televizioni shtetëror iranian pohoi – pa ofruar prova – se nga sulmet u vranë “të paktën 80 ushtarë të SHBA-së” dhe gjithashtu u dëmtuan helikopterë, dronë dhe pajisje të tjera në bazën ajrore të Ain al-Asad.
Por, presidenti amerikan, Donald Trump përmes një postimi në rrjetin social Twitter, këmbënguli se “gjithçka është mirë”, ndërsa shtoi se autoritetet amerikane nuk kishin shënuar ndonjë viktimë të mundshme nga sulmet.
“Gjithçka është mirë! Raketat janë lëshuar nga Irani në dy baza ushtarake të vendosura në Irak. Vlerësimi i dëmeve po ndodh tani. Ne kemi ushtrinë më të fuqishme dhe të pajisur mirë kudo në botë! Do të bëj një deklaratë nesër në mëngjes”, ka shkruar Trump.
Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo dhe sekretari i Mbrojtjes, Mark Esper, menjëherë pas sulmeve nga ana e Iranit, mbërritën në Shtëpinë e Bardhë, ndërsa nënpresidenti amerikan, Mike Pence ka qenë në kontakt me drejtuesit e Kongresit përmes telefonit.
Një ditë më parë në Uashington, Esper u tha gazetarëve se ai parashikonte që Irani të hakmerrej për vdekjen e Soleimanit.
“Ne jemi të përgatitur. Dhe atëherë do t’i përgjigjemi siç duhet çdo gjëje që ata bëjnë,” paralajmëroi ai.
Profesori, Stephen David i Universitetit Johns Hopkins i tha Zërit të Amerikës se ndërsa hakmarrja e Iranit nuk ishte e papritur, ishte e habitshme që Teherani zgjodhi të niste sulmin nga territori i vet dhe të përdorte raketa balistike – një armë në thelb më e fuqishme sesa një raketë.
Çfarë ndodhi?
Dy baza ushtarake që strehojnë trupa amerikane dhe të koalicionit të udhëhequr nga SHBA-ja u sulmuan me raketa të Iranit. Njëra bazë në Al Asad dhe një në Irbil të Irakut.
Raketat u lëshuan nga territori i Iranit.
Baza ajrore e Al-Asad – e vendosur në provincën Anbar të Irakut perëndimor – u godit nga të paktën gjashtë raketa.
Më herët, presidenti Trump tha se një tërheqje e trupave amerikane nga Iraku do të ishte gjëja më e keqe për vendin.
Komente të tij u bënë pas një letre që ushtria amerikane tha se ishte dërguar gabim, te kryeministri i Irakut, për një tërheqje të mundshme të trupave amerikane.
Parlamenti i Irakut kishte kërkuar tërheqjen e trupave të huaja, menjëherë pas vrasjes së gjeneralit iranian.
SHBA-ja ka rreth 5000 trupa në Irak.
Si u përshkallëzua situata?
Më 3 janar, Shtetet e Bashkuara përmes sulmeve ajrore vranë udhëheqësin e forcës Kuds të Iranit, Qasem Soleimani.
Irani ka kërcënuar se do të hakmerret ashpër.
Uashingtoni e ka fajësuar Soleimanin për vrasjen e trupave amerikane në Irak dhe e ka akuzuar atë për komplot për sulme të reja pak para vrasjes së tij, javën e kaluar pranë aeroportit të Bagdadit.
Soleimani ka udhëhequr milicitë iraniane në konfliktet në Siri, Irak, Liban dhe Jemen.
Shtetet e Bashkuara e kanë konsideruar si “terrorist”.
Komentet