Mjeshtri i valleve Rexhep Çeliku, prej 44 vitesh është në skenë me Ansamblin Kombëtar të Këngëve dhe Valleve Popullore, duke krijuar një repertor shumë të pasur artistik, dhe vlerësime brenda dhe jashtë vendit. Por pas 44 vitesh jetë artistike me Ansamblin Kombëtar, solisti i njohur tregon se përballë gjendjes shumë problematike që ka kaluar AKKVP gjatë viteve, tashmë ka ardhur koha që të rinovohet. Ndërsa kujton jetën e pasur artistike dekada më parë, koreografi i njohur popullor pohon se para ndërrimit të sistemeve AKKVP ka pasur gati 90 veta si strukturë, me valltarë, kor, orkestra, dhe sot fatkeqësisht ky ansambël është shumë i reduktuar. Sipas mjeshtrit të valleve, sa ka qenë dekada më parë grupi i valleve, sot është i gjithë ansambli, me një numër të kufizuar 32 vetë. Por jo vetëm shtimi i artistëve të AKKVP shihet si emergjente nga mjeshtri i valleve, pasi shumë problem për të janë dhe kostumet popullore. Duke folur për jetën artistike që zhvillon sot AKKVP mjeshtri i valleve, i cili për kontributin e tij artistik është nderuar edhe me titullin “Mjeshtër i madh”, pohon se Ansambli Kombëtar nuk mund të ketë një jetë të kufizuar artistike vetëm në skenat e Tiranës, por duhet të shtojë aktivitetin e tij nga veriu në jug të vendit, sepse folklorin duhet t’ia përcjellë edhe brezit të ri.
-Si ka nisur ky vit për mjeshtrin e valleve Rexhep Çeliku?
Viti 2014 është një vit i ri, me një drejtor të ri dhe mbi të gjitha ne e kemi dhe kolegun tonë, artisti Ilir Kerni. Edhe drejtori i mëparshëm Zhani Ciko ka qenë një njeri me shumë përvojë dhe kulturë, por çdo gjë ka kohën e saj, ka ndryshime, por e rëndësishme është që në TOB ka hyrë një drejtor i ri shumë i mirë, dhe ne që jemi në fushën e koreografisë do të dimë të diskutojmë për të mirat dhe të këqijat e këtij institucioni. Ky vit ka hyrë me shumë shfaqje, sidomos për baletin dhe operën, por dhe Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve ka pasur koncertet e tij, dhe tani ne po përgatitemi dhe me një premierë të re, që do të jetë ditët e para të shkurtit.
-Prej dekadash jeni pjesë e Ansamblit Kombëtar, sot si është gjendja e këtij ansambli?
Shumë diskutohet për teatrot, për institucione të tjera dhe shumë pak për Ansamblin Kombëtar të Këngëve dhe Valleve Popullore kur ky ansambël është me vlerë, një nga institucionet më të rëndësishëm, sepse me anë të këtij ansambli ne kemi vlerat tona kulturore, trashëgiminë tonë, dhe e ka zili gjithë bota. Mendohet se do të jetë një reformë në të gjithë institucionet e artit, dhe sipas zërave mund të bjerë dhe në AKKVP. Por varet se si e kuptojnë këtë reformë. Reformë nuk do të thotë të shkurtosh, reformën mund ta kuptoj dhe ndryshe. Nëse këtij ansambli i ka rënë reforma prej kohësh, ku më herët ka qenë gati 90 veta si strukturë, me valltarë, kor, orkestra, sot ky ansambël është shumë i reduktuar. Sa ka qenë dekada më parë grupi i valleve, sot është i gjithë ansambli, me një numër të kufizuar 32 vetë. Para shumë vitesh ka qenë 18 çifte valltarësh dhe sot janë vetëm 7. Pra në AKKVP reforma ka rënë vetvetiu vetë, por mendimi im është se ky ansambël duhet të parë me një sy tjetër nga qeveria e re, e cila duket se është dashamirëse sa i takon kulturës dhe folklorit dhe ta shohi me një sy tjetër, çfarë mund ti rregullojmë këtij ansambli që ta kemi, sepse duhet ta kemi dhe ta kultivojmë dhe tek rinia sot.
-Thatë se në AKKVP reforma ka ardhur vetvetiu. Çfarë mund të na thoni mbi vëmendjen e institucioneve shtetërore gjatë kohës që AKKVP reduktohej nga artistët?
Ne jemi në një kohë tjetër sot, jemi shtet kapitalist dhe me këtë punë do të punojnë ata që janë për të punuar, por jo për ta shkatërruar. Por në AKKVP ka ardhur një strukturë, që nuk ke ku ta kapësh, ka arritur fundin dhe kërkon patjetër të fuqizohet si nga grupi i valleve, grupi vokal, solistët, orkestra, instrumentistët popullorë. Ansambli Kombëtar kërkon kostume të reja popullore, sepse u bënë shumë vite që jemi po me këto kostume që janë të vjetra. Kanë shumë vite, por ne i ruajmë me kujdes, i pastrojmë, i hekurosim. Këto duhet të mendojë dhe ministria, qeveria, duke ditur sa kemi jorganin të na japi një cep të jorganit, që dhe ne të qepim kostume të reja popullore, për ta pasur dhe për ta rinovuar këtë ansambël, sepse kostumi ka 50 për qind të vlerave.
-U shprehët se sot janë një numër i reduktuar artistësh në AKKVP, megjithatë aktivitetit artistik i mungojnë shumë dhe turet që keni pas zhvilluar dikur, janë shumë pak sot?
Ansambli ka shfaqje, ka koncerte, por për mua AKKVP dikur ka pasur një lëvizje më të gjerë më të madhe nga ana artistike edhe në vend edhe jashtë vendit. Sot ne e kemi të vështirë të lëvizim me ture brenda vendit, sepse mungon ana financiare, teatrot e qyteteve nuk janë në gjendjet e mëparshme, por janë degraduar dhe është vështirë. Duan një financë më vete për ti rikthyer edhe njëherë teatrot ku kanë qenë për ti rikthyer edhe njëherë teatrot atje ku kanë qenë që të ketë një aktivitet të gjallë. Por ky ansambël si para ndërrimit të sistemeve ashtu dhe sot ka një sukses të njëjtë. Ne dimë dhe e njohim shumë mirë, dhe kur dalim jashtë vendit, shikojmë se sa shumë spektatori i huaj e do dhe e preferon spektatorin tonë. Po kështu unë do të thosha, që neve na mungon ajo që thashë pak më parë, që ansambli duhet të jetë më i lëvizshëm sa i takon turneve artistike brenda vendit. Pse mos të shkojë sot Ansambli Kombëtar në Shkodër, pse të mos shkojë në Korçë, etj. Ansambli duhet të shkojë deri nga veriu në jug të vendit, ku publiku të marri nga folklori, sepse dhe ne si AKKVP programin me folklorin e popullit e kemi.
-Keni 44 vjet në skenë me Ansamblin Kombëtar të Këngëve dhe Valleve Popullore. Gjatë kësaj kohe është diskutuar shumë dhe mosha e artistit. Është e drejtë që një artist të kërcejë në skenë deri në moshën 60 vjeçare?
Unë kam 44 vjet që kërcej në skenë, dhe në 1970 kam filluar punën si artist i AKKVP. Në kohën e monizmit ka pasur ligje të tjera për moshën e daljes në pension. Skena nuk të pranon në një moshë të madhe. Unë sot vërtetë kërcej në skenë, por bëj dhe punën e përgjegjësit, duke i mësuar vallet brezit të ri, pra vijoj punën e koreografit duke sjellë valle të reja. Por interpretimi ka moshë të caktuar, në kohën e monizmit ishte si rregull, që deri në 45 vjeç ishte mosha e daljes në pension për femrat dhe 50 vjeç burrat, pas ’90 kjo moshë u shtua. Për gratë mosha e daljes në pension shkoi 50 vjeç, ndërsa për burrat 55 vjeç, dhe tani ka arritur mosha 55 vjeç në pension për gratë dhe 60 për burrat. Për këto probleme ne me sindikatën e artistëve kemi diskutuar dhe statusin, i cili fatkeqësisht nuk është miratuar. Më herët ka pasur një ligj, ku ishte një 50 vendësh që e përdornim edhe për të afruar elementin e ri. Ai që ishte element i vjetër, jashtë forme, të jepte mësim në Shkollën e Baletit për të plotësuar dhe rrogën deri sa ti vinte mosha e pensionit, por këto ligje kanë ikur nuk janë më. Sot është e vështirë të gjesh rrugën e ndërmjetme, pasi është vështirë ti flakësh artistët në rrugë. Artistët mezi presin ditën e rrogës, ndaj duhen parë me kujdes politikat për artistët.
-U shprehët se nga vitet ’90 AKKVP pati një dëmtim me trupën artistike. Si i kujtoni ato vite, dhe ku u fokusua puna juaj që ansambli të mos e humbiste aktivitetin artistik?
Gjatë atyre viteve, pjesa dërrmues e AKKVP mori rrugën e mërgimit për të gjetur një jetë më të mirë dhe një pakicë e ansamblit, duke filluar që nga unë qëndruam për ta mbrojtur këtë ansambël. Por dhe duke pasur Shkollën e Baletit, të gjithë ata elementë që ikën, ne i zëvendësuam me elementin e ri të kësaj shkolle, dhe filluam ti mësonim repertorin, që mos të humbiste tradita dhe folklori. Intervistoi: Julia Vrapi
Komentet