VOAL

VOAL

Intervista: Kolegët e mi spiunë – Flet ish zyrtari i lartë i SHIK-ut Andrea Dimushi

May 12, 2016

Komentet

Kara-Murza: Putini duhet të humbasë në Ukrainë (Intervista e plotë)

VOA/Tatiana Vorozhko

Politikani opozitar dhe gazetari rus Vladimir Kara-Murza u lirua nga një burg rus më 1 gusht si pjesë e një shkëmbimi të gjerë të të burgosurve ndërmjet Rusisë dhe disa vendeve perëndimore. Ai ishte burgosur në prill 2022 me akuzën e tradhtisë, për shkak të kritikave ndaj luftës së Rusisë në Ukrainë. Ai u helmua pothuajse për vdekje dy herë, në vitin 2015 dhe 2017.

Që nga lirimi i tij, zoti Kara-Murza është përfshirë në mënyrë aktive në përpjekjet diplomatike të opozitës ruse, duke u takuar me presidentët e Shteteve të Bashkuara dhe Francës, si dhe kancelarin gjerman. Gjatë një vizite të fundit në Uashington, ai u intervistua nga gazetarët e Zërit të Amerikës. Duke folur për Shërbimin ukrainas të Zërit të Amerikës, ai diskutoi axhendën që opozita ruse po mbështet në Perëndim.

Intervista në vazhdim është redaktuar për të qenë më e përmbledhur dhe më e qartë.

Zëri i Amerikës: Pas lirimit, ju u takuat me Presidentin Biden, Presidentin Macron dhe Kancelarin Scholz. Cili ishte mesazhi juaj kryesor për ta, në lidhje me politikën ndaj Rusisë?

Vladimir Kara-Murza: Ka dy mesazhe kryesore. Mesazhi i parë është se Vladimir Putini duhet ta humbasë luftën në Ukrainë, sepse nëse ai fiton, kjo do të thotë se në një vit apo një vit e gjysmë, ne do të flasim për një luftë tjetër ose një pushtim tjetër rus, sepse kjo është çfarë bën ky njeri.

Mesazhi i dytë është se kombet demokratike të botës së lirë duhet të kenë një strategji. Ne e dimë nga dy shekujt e fundit të historisë ruse se luftërat e dështuara të agresionit çojnë gjithmonë në ndryshime politike në vend. Sapo Putini të mposhtet në Ukrainë, duhet të ketë një strategji të përgatitur për ri-integrimin e një Rusie të re, të ndryshuar, demokratike, të periudhës pas-Putinit, sërish në Evropë, në botën e qytetëruar dhe në atë që ne e quajmë rend ndërkombëtar i bazuar në rregulla.

Zëri i Amerikës: Nëse Putini humbet pushtetin, si mund të ndodhë demokratizimi? Dikush nga rrethi i tij i brendshëm ka shumë të ngjarë ta rrëmbejë pushtetin.

Vladimir Kara-Murza: Shpresoj të mos vdesë në detyrë dhe të përfundojë në këtë mënyrë. Unë jam i krishterë dhe e di që të gjithë do të përballen me një gjyq atje lart, dhe po ashtu edhe ai. Por unë vërtet dua që ai njeri të ketë një gjyq edhe në këtë jetë.

Për çështjen e ndryshimit, kjo është një diktaturë personale. Nuk është një diktaturë ideologjike si në kohën sovjetike, me Byronë Politike kolektive, kur mund të zëvendësohej personi në krye pa zëvendësuar regjimin. Ky sistem do të shembet shumë shpejt, siç e pamë në vitin 1953 pas vdekjes së Stalinit.

Zëri i Amerikës: Por Hrushovi, i cili zëvendësoi Stalinin, ishte nga rrethi i tij i ngushtë; ai nuk ishte një i panjohur.

Vladimir Kara-Murza: Edhe nëse udhëheqësi tjetër vjen nga i njëjti rreth, ata gjithmonë e bazojnë sundimin e tyre në një mohim të plotë të gjithçkaje që ka ndodhur më parë. Hrushovi ishte një nga njerëzit më të afërt të Stalinit. Ishte ai që liroi miliona njerëz nga gulagët dhe u angazhua në një proces shumë të paplotë, shumë të papërsosur, por që ishte gjithsesi de-stalinizimi që patëm në fund të viteve 1950 dhe fillimin e viteve 1960 – e ashtuquajtura “Shkrirje”.

Zëri i Amerikës: Çfarë përgatitjesh duhen bërë? Si mund ta merrnin pushtetin forcat demokratike?

Vladimir Kara-Murza: Aspekti i brendshëm ka të bëjë me reflektimin dhe llogaridhënien, që unë e quaj një proces të së vërtetës dhe pajtimit. Kjo është e nevojshme për çdo shoqëri që ka pësuar traumën e sundimit totalitar. Të gjithë personat që janë përgjegjës për krimet ndaj qytetarëve rusë, si vrasja e Boris Nemtsovit, vrasja e Alexei Navalnit dhe persekutimin e qindra e qindra të burgosurve politikë, duhet të sillen para drejtësisë. Të gjitha arkivat dhe dokumentet e të gjitha krimeve të kryera duhet të bëhen publike.

Zëri i Amerikës: Po përballja me mentalitetin imperialist rus? A duhet që Rusia të përballet gjithashtu me të gjitha krimet që ka bërë ndaj popujve të tjerë gjatë historisë së saj?

Vladimir Kara-Murza: Është pjesë e së kaluarës totalitare, sepse për vite e vite me radhë, për dekada, regjimi në Kremlin ka kryer krime kundër popullit tonë në Rusi dhe kundër vendeve të tjera, popujve të tjerë dhe kombeve të tjera. Shikoni agresionin dhe luftërat që ky regjim ka bërë ndaj çeçenëve, gjeorgjianëve, Ukrainës – të mos e harrojmë, duke filluar nga viti 2014. Pastaj, në Siri, sigurisht, le të mos harrojmë Shoigun, ministrin e Putinit, që u mburr me armatimet e reja që kishin testuar – testuar! – tek njerëzit, tek civilët në zonat e banuara.

Zëri i Amerikës: Dua të trajtoj argumentin tuaj kryesor për integrimin e Rusisë në Perëndim pas demokratizimit dhe liberalizimit. Argumenti kryesor kundër kësaj do të ishte se Perëndimi e pati provuar tashmë këtë në vitet 1990. Rusia ishte pjesë e G-8ës. NATO-ja dhe BE-ja u angazhuan me Rusinë. Ka marrë ndihma. Megjithatë, ndërsa Rusia u bë më e pasur, ajo u bë më agresive. Sa më shumë të integrohej me Perëndimin, aq më efikase bëheshin aktivitetet e saj keqdashëse ndaj Perëndimit.

Vladimir Kara-Murza: Këtu nuk pajtohem në thelb, sepse i gjithë problemi është se Perëndimi nuk e bëri këtë në vitet 1990. Po, pati disa hapa simbolikë, si G-8, që është vetëm një takim i nivelit të lartë. Por, ndryshe nga vendet e tjera të ish-Traktatit të Varshavës, Rusisë në vitet 1990 nuk iu ofrua kurrë një perspektivë e asaj që unë do ta quaja integrim të nivelit të parë evropian, ose atlantik, me përfitime të prekshme, si tregtia e lirë, udhëtimi pa viza dhe garancitë e përbashkëta të sigurisë.

Zëri i Amerikës: Por këto duan kohë. Ukrainës ende nuk i është ofruar anëtarësimi në NATO…

Vladimir Kara-Murza: Por problemi është se këto hapësira që shfaqen janë vetëm të shkurtra. Ato zgjasin disa muaj në rastin më të mirë dhe Perëndimi e humbi atë mundësi në Rusi në fillim të viteve 1990. Nuk mund të lejojmë që kjo të ndodhë përsëri.

Në vitin 1943, ndërsa Lufta e Dytë Botërore po vazhdonte, qeveria e Shteteve të Bashkuara hartoi Planin Morgenthau për Gjermaninë e pasluftës. Bëhej fjalë për copëtimin, de-industrializimin, poshtërimin dhe në thelb shkatërrimin e Gjermanisë si një shtet funksional. Duke patur parasysh tmerret e bëra në kohën e luftës, emocionalisht ishte shumë e kuptueshme. Megjithatë, udhëheqësit e vendeve aleate perëndimore e kuptuan se nuk mund ta bazonin politikën strategjike afatgjatë mbi emocionet. Pra, Plani Morgenthau u braktis në favor të Planit Marshall, i cili ishte pikërisht e kundërta: të rindërtohej dhe vetëm rindërtohej Gjermania e pas luftës, për ta bërë atë një ekonomi tregu të suksesshme dhe një demokraci funksionale liberale.

Zëri i Amerikës: A duhet të ndodhë kjo përpara apo pasi Rusia të paguajë dëmshpërblimet për shkatërrimin e Ukrainës?

Vladimir Kara-Murza: Duhet të ndodhë njëkohësisht. E vetmja mënyrë për të siguruar paqen, stabilitetin, sigurinë dhe demokracinë afatgjatë në kontinentin evropian është me një Rusi demokratike. Nuk do të ndodhë në asnjë mënyrë tjetër.

Intervista- Corn: Putini mund të përdorë Dodikun dhe aleatët për të destabilizuar Ballkanin

Glenn Corn, Institute for World Politics, USA

 

Predrag Zvijerac

Mendoj se duhet të pranojmë, nëse asgjë tjetër, ne në Amerikë, që rusët tashmë u kanë shpallur luftë Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në shumë mënyra që konsiderohen akte lufte. Konflikti nuk është vetëm në Ukrainë, konflikti është edhe këtu në Ballkan, në Lindjen e Mesme, në Kaukaz, në mbarë botën.

Uashingtonit do t’i duhet t’i kushtojë më shumë vëmendje dhe burime kësaj. Ne duhet të fokusohemi në ndihmën ndaj ukrainasve, por edhe aleatëve tanë në Ballkan.

Kështu i tha Radios Evropa e Lirë (REL) Glenn Corn, profesor në Institutin amerikan për Politika Botërore (IWP) në Uashington, i cili mori pjesë në Konferencën e sigurisë në Sarajevë, e organizuar nga Instituti New Lines për Strategji dhe Politika.

Corn, ish-drejtues i lartë në Agjencinë Qendrore të Inteligjencës (CIA), i cili kaloi 34 vjet në komunitetin e inteligjencës dhe atë diplomatik, duke punuar në Rusi, Turqi, Azinë Qendrore dhe Lindjen e Mesme, konsideron se rajoni i Ballkanit Perëndimor “është ende një fuçi baruti”.

“Mendoj se Putini mund të përdorë zotin (presidenti i entitetit Republika Sërpska, Millorad) Dodik dhe aleatët e tij, bashkëpunëtorët e tij ose bashkëpunëtorët e mundshëm për të destabilizuar situatën këtu dhe për të larguar vëmendjen nga rajonet e tjera”, vlerëson Corn.

Duke folur për politikën drejtpeshuese të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, mes Lindjes – përfshirë Rusinë – dhe Perëndimit, Corn thotë se në Perëndim shpesh harrojnë se duhet të ofrojnë një alternativë.

“Nuk mund vetëm t’u thuash njerëzve të mos punojnë me rusët, kinezët apo ndonjë vend tjetër”, tha Corn në intervistën për REL-in.

Ai thotë se Moska po bën luftëra hibride, duke përdorur ato që ai i quan “masa aktive” që përfshijnë propagandën, ndikimin politik, likuidimet, sabotimet, jo vetëm në Ballkan, por edhe në Evropë dhe SHBA.

“Moska i ka bërë të gjitha këto në Ukrainë përpara se të fillonte pushtimin”, thotë Corn, i cili shërbeu si i dërguar i lartë i presidentit të SHBA-së për çështje të inteligjencës dhe sigurisë.

Glenn Corn

Glenn Corn

Radio Evropa e Lirë: Sipas jush, sa efektive është përgjigja e deritashme e Perëndimit ndaj pushtimit rus të Ukrainës?

Glenn Corn: Sapo jam kthyer nga Ukraina ku kalova dhjetë ditë. Vullneti i popullit ukrainas për të vazhduar t’i rezistojë përpjekjeve të Rusisë për t’i vënë nën vullnetin e Moskës, është shumë mbresëlënës. Mendoj se ukrainasit do të vazhdojnë rezistencën e tyre për të mos iu nënshtruar vullnetit të Moskës. Kjo është shumë mbresëlënëse.

Ukrainasit kanë shumë merita, jo vetëm për mbrojtjen e Ukrainës, por edhe Perëndimin – duke përfshirë këtë rajon dhe këtë vend (Bosnje dhe Hercegovinën), i cili është objektivi i radhës në linjën e sjelljes dashakeq ruse, nëse kanë sukses në Ukrainë. Ne, gjithashtu, duhet të shohim se çfarë do të bëjnë rusët më pas këtu në Evropë, cili është qëllimi i tyre i ardhshëm nëse ata do jenë të suksesshëm në Ukrainë.

Sa i përket ndihmës perëndimore për Ukrainën, mendoj se është efektive në shumë fusha.

Ukrainasit përballen edhe më tej me kufizime se si mund ta përdorin këtë ndihmë. Mendoj se kjo i pengon ata në arritjen e një varg qëllimesh të tjera. E di që ka diskutime të shumta në Uashington dhe Bruksel se si të kapërcehen këto dallime, veçanërisht për faktin se ukrainasit duan të punojnë me ndihmën ushtarake nga Perëndimi.

Shpresoj që këto dallime të kapërcehen së shpejti, deri në fund të këtij muaji. Mendoj se për këtë do të diskutohet në takimin mes presidentit (të SHBA-së Joseph) Biden dhe presidentit (të Ukrainës, Volodymyr) Zelensky, gjatë Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

Shpresoj se kufizimet (për përdorimin e armëve me rreze të gjatë) do të hiqen dhe se ukrainasve do t’u jepet më shumë hapësirë për të bërë më shumë nga ato që duhet të bëjnë ushtarakisht, në mënyrë që të ndalojnë agresionin rus.

Përveç ndihmës ushtarake, Perëndimi duhet të fokusohet më shumë në ndihmën në sektorin e energjisë. Infrastruktura energjetike e Ukrainës është rrënuar nga sulmet ruse. Ukraina ka nevojë për marrëveshje për rindërtimin e infrastrukturës. Kjo ndihmë është duke ardhur edhe tash, por ukrainasit kanë nevojë për më shumë dhe ata kanë nevojë për atë ndihmë sa më shpejt të jetë e mundur.

Në Perëndim përballemi me shumë burokraci dhe hezitime. Kur flasim për ndihmën financiare, kompanitë amerikane dhe evropiane duhet qysh sot ta ndihmojnë Ukrainën. Ky është çelësi për të ardhmen afatgjatë të Ukrainës – investimet private, jo që qeveritë të ndihmojnë qeverinë, por bizneset t’i ndihmojnë bizneset.

Radio Evropa e Lirë: A do të përpiqet Kremlini ta zgjerojë këtë konflikt përtej kufijve të Ukrainës?

Glenn Corn: Duhet të pranojmë se Rusia tashmë e ka përhapur këtë konflikt përtej kufijve të Ukrainës. Kjo nisi edhe para Ukrainës, në Gjeorgji dhe Moldavi.

Mendoj se pikëpamja ruse është se ata kanë qenë në luftë me Perëndimin për të paktën dhjetë vjet, nëse jo më gjatë, që nga vitet 1990. Në ato vite, mbase ka ekzistuar shansi që njerëzit që udhëhoqën Rusinë në vitet 1990 të mos kenë menduar se ishin në konflikt me Perëndimin. Kjo ndryshoi kur (Vladimir) Putin erdhi në pushtet.

Në thelb, ne jemi në luftë në shumë nivele. A do të përhapet lufta? Shumë njerëz sot janë të shqetësuar nëse do të përdoren armë bërthamore. Ata pyesin se cili është niveli tjetër i luftës.

Mendoj se duhet të pranojmë, nëse askund tjetër, ne në Amerikë, që rusët tashmë i kanë shpallur luftë SHBA-së në shumë mënyra që konsiderohen veprime lufte.

Radio Evropa e Lirë: Në gjithë këtë, çfarë roli luan siguria energjetike në Evropë? Vendet e Ballkanit Perëndimor varen nga energjia ruse, Bosnja dhe Hercegovina blen gaz ekskluzivisht nga Gazpromi?

Glenn Corn: Siguria energjetike është absolutisht kritike. Këtë e dinim edhe para shkurtit të vitit 2022. Në Uashington kishte shqetësime se si Rusia do të përdorte varësinë e vendeve të tjera nga nafta, gazi dhe energjia ruse, si do ta manipulonte atë dhe do t’u diktonte vendeve se si të pozicionoheshin.

Turqia u përball me këtë problem dhe ai është ende sfidë për atë vend. Moldavia përballet me të njëjtin problem. Kjo është sfidë edhe për vendet e Ballkanit.

Ne duhet të gjejmë një zgjidhje për varësinë nga energjia ruse.

Nëse Rusia do t’i trajtonte fqinjët e saj si një vend normal, biznesi do të vazhdonte dhe nuk mendoj se do të ishte një kërcënim.

Për sa kohë që Rusia përpiqet të manipulojë dhe të përcaktojë se si duhet të jetojnë vendet e tjera, është e rrezikshme si për Perëndimin ashtu edhe për ato vende.

Radio Evropa e Lirë: Çfarë hapash duhet të ndërmarrin SHBA-ja, BE-ja, NATO-ja, Perëndimi në përgjithësi, për të forcuar lidhjet me Ballkanin Perëndimor në dritën e veprimeve që vijnë nga Moska? Si munden aleatët perëndimorë t’i kundërshtojnë ndikimet indirekte të ashtuquajtura “proxy” [luftërat mes shteteve më të forta që zhvillohen në shtete tjera} në këtë rajon?

Glenn Corn: Unë mendoj se SHBA-ja duhet të pranojë se mbase jemi në luftën e tretë botërore. Ne duhet t’i dedikojmë burimet tona për ta menaxhuar atë konflikt. Kjo do të thotë se duhet t’i kushtojmë më shumë vëmendje dhe të investojmë më shumë.

Konflikti nuk është vetëm në Ukrainë, është edhe këtu në Ballkan, është edhe në Lindjen e Mesme, në Kaukaz, në mbarë botën. Madje edhe në Amerikën e Jugut.

SHBA-ja duhet t’i kushtojë më shumë vëmendje gjithë asaj që po ndodh dhe të investojë më shumë në luftën kundër ndikimit malinj të Rusisë dhe aleatëve të saj.

Nëse flasim veçmas për Ballkanin, duhen më shumë investime dhe më shumë përfshirje në proceset në këtë rajon.

Mendoj se SHBA-ja po përpiqet të bëjë gjithçka që mundet, ashtu si Bashkimi Evropian, por shumë burime janë shpërndarë, prej vitesh, në shumë drejtime.

Këtu kemi pasur luftëra në vitet 1990. Kemi Lindjen e Mesme, Irakun, Afganistanin, kemi pasur atë që quhej luftë globale kundër terrorizmit dhe tani kemi një pushtim të plotë rus të Ukrainës.

Ne duhet të fokusohemi në ndihmën ndaj ukrainasve, por edhe aleatëve tanë në Ballkan. Për këtë do të nevojitet shumë më tepër vëmendje në Uashington, angazhim më të mirë dhe më shumë resurse.

Radio Evropa e Lirë: Presidenti i entitetit Republika Sërpska, Millorad Dodik, është takuar me liderin rus, Putin, pesë herë që nga shkurti i vitit 2022, dhjetë herë që nga aneksimi rus i Krimesë më 2014. Çfarë përfaqëson Dodik për Putinin dhe çfarë mund të bëjë Putin përmes Dodikut për të dëmtuar Perëndimin?

Glenn Corn: Unë nuk jam ekspert për Ballkanin, por mendimi im është se ky rajon është ende një “fuçi baruti”.

Falë Zotit, sot jemi ulur në një hotel në një qytet që në vitet 1990 u përball me tmerrin, me të cilin po përballen sot ukrainasit. Ju u granatuat nga kodrat. Të gjithë jemi mjaft të vjetër për të kujtuar imazhet e masakrës së njerëzve në rrugë (të Sarajevës). Falë Zotit, u ndalua!

Megjithatë, të gjithë e dimë se situata këtu është shumë e ndjeshme.

Mendoj se Rusia mund të përdorë z.Dodik dhe aleatët e vet, bashkëpunëtorët e vet ose bashkëpunëtorët potencialë për të destabilizuar situatën këtu dhe për të larguar vëmendjen nga rajonet e tjera.

Kur i kthehemi 7 tetorit të vitit të kaluar, që ishte një ditë e tmerrshme për të gjithë botën, mendoj se Rusia është i vetmi vend që kishte përfitim nga ajo që bëri Hamasi (të cilin SHBA-ja dhe BE-ja, ndër të tjera, e konsiderojnë organizatë terroriste) – sulmi masiv terrorist në Izrael.

Ai largoi vëmendjen nga ajo që po ndodhte në Ukrainë.

Mendoj se ne, si SHBA, duhet të jemi shumë të kujdesshëm kur flasim për vende të tjera ku Putini mund të kërkojë një shans për të krijuar kaos, shkatërrim, në mënyrë që të largojë presionin nga Moska dhe lufta konvencionale që po bën në Ukrainë.

Putini mund të përdorë aleatët e tij, bashkëpunëtorët e tij, për të destabilizuar këtë rajon.

Radio Evropa e Lirë: Si e shihni Serbinë dhe presidentin Aleksandar Vuçiq, i cili drejtpeshon ndërmjet Lindjes – Kinës dhe Rusisë, dhe Perëndimit – BE-së dhe SHBA-së? Serbia refuzon të vendosë sanksione ndaj Rusisë, mbështet sovranitetin e Ukrainës, blen avionë ushtarakë francezë, dakordon shitjen e litiumit në Gjermani, shet miniera dhe fabrika te kinezët, arabët ndërtojnë “Beogradin mbi ujë”, dakordon me dhëndrin e Donald Trumpit, Jared Kushner, ndërtimin e një kompleksi banesor-afarist dhe të ngjashme.

Glenn Corn: Nuk do të doja të gjendesha në një situatë të tillë. Besoj se serbët e dinë mirë se rusët nuk janë partnerë të besueshëm, se Rusia është një vend me të cilin ata mund të ecin në shtigje të gjata. Është një drejtpeshim ndërmjet interesave të shumta në atë vend. Rusia ka ndikimin e saj në Serbi dhe mendoj se ne të gjithë e dimë shumë mirë këtë.

Mendoj se Qeveria e Serbisë po përpiqet me të gjitha forcat të ecë në këtë tel të hollë. Mendoj se pyetja e vërtetë është se si ne, si SHBA dhe BE, do të përfshihemi dhe çfarë alternativë do të ofrojmë.

Ajo që ne shpesh harrojmë në Perëndim është se duhet të ofrojmë një alternativë. Nuk mundeni vetëm t’u thoni njerëzve që të mos punojnë me rusët, kinezët apo ndonjë vend tjetër dhe të mos u ofrosh atyre një alternativë.

Secila qeveri duhet të kujdeset për njerëzit e saj, mirëqenien dhe ekonominë e tyre. Nëse keni vende që vijnë dhe ofrojnë ndihmë, ndërkaq ju nuk mund të ofroni diçka konkrete për ta kundërshtuar këtë, nuk do të arrini asgjë dhe nuk do të jeni në gjendje të drejtoni politikën e jashtme në mënyrë efektive.

Çështja është se sa mund të jemi ne më gjithëpërfshirës dhe më të vëmendshëm, dhe shpresoj se mund ta bëjmë këtë për një periudhë më të gjatë kohore sesa oponentët tanë.

Radio Evropa e Lirë: Shpesh flitet për luftën hibride. Çfarë taktikash hibride të luftës përdor Rusia në Evropë dhe në Ballkanin Perëndimor?

Glenn Corn: Rusët i quajnë “masa aktive”. Propaganda, ndikimi politik, likuidimet, sabotimet përdoren jo vetëm këtu në Ballkan, por edhe në Evropë dhe SHBA. Fushatat e dezinformimit ishin shumë të fuqishme, duke nisur në fillim të viteve 2000, si vazhdimësi e asaj që pamë në kohët sovjetike.

Moska e ka bërë dhe e bën këtë kryesisht në vendet që i konsideron brenda të ashtuquajturës sferë e influencës ruse, kundër SHBA-së dhe aleatëve të saj. Pas vitit 2012 u përhap në të gjithë botën, duke përfshirë SHBA-në dhe Evropën. Ne kemi parë përpjekje për të ndikuar në zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare.

Në Mal të Zi pamë përpjekjen për të rrëzuar Qeverinë. Kemi parë likuidime dhe tentativa likuidimi. Ne kemi parë prova të besueshme të tentativave për sulme ndaj depove të armëve në Evropë. Shembulli i fundit ishte gjatë Lojërave Olimpike në Paris. Dikush u përpoq të sabotonte hekurudhën.

Në Ukrainë e bënë këtë përpara se të fillonin pushtimin. Fillimisht nisën me fushata dezinformuese, pastaj kaluan në ndikimin politik brenda shoqërisë ukrainase, brenda Qeverisë dhe duke përdorur kishën, duke shfrytëzuar korrupsionin.

Kemi pasur likuidime dhe tentativa për likuidime të zyrtarëve ukrainas që i konsideronin antirusë. Kemi pasur tentativë për të helmuar kandidatin për president. Ishim dëshmitarë të sulmeve kibernetike.

Radio Evropa e Lirë: Ju përmendët zgjedhjet presidenciale. Në nëntor janë zgjedhjet presidenciale në SHBA. Shumë analistë besojnë se – kushdo që fiton – fokusi i SHBA-së do të zhvendoset edhe më shumë në Paqësor dhe veçanërisht në Kinë. A mund të bashkëpunojnë Kina dhe SHBA-ja apo do të shohim ndonjë konflikt, veçanërisht rreth Tajvanit?

Glenn Corn: Mendoj se kinezët nuk duan një luftë me Tajvanin dhe më me qejf do të dëshironin të shihnin skenarin e Hong Kongut.

Sa i përket fokusit të Amerikës në Azi, SHBA-ja është një shtet që përmes bregut perëndimor del në Oqeanin Paqësor. Ekonomia jonë është e integruar në atë kineze po aq sa ajo kineze është e integruar në atë amerikane.

Ne kemi lidhje të forta tregtare, pavarësisht rivalitetit politik dhe diplomatik. Sa i përket Kinës, nuk jam veçanërisht i shqetësuar, por nëse do të konkurrojmë me Kinën, duhet ta bëjmë në të gjithë botën.

Le të kujtojmë se çfarë ndodhi gjatë Luftës së Ftohtë dhe se si presidenti Ronald Reagan zgjidhte çështjet me Bashkimin Sovjetik.

Politika e tij ishte se ne nuk mund të fokusoheshim vetëm te Bashkimi Sovjetik. Aleanca ishte një sfidë për Perëndimin dhe për vlerat dhe idealet perëndimore. Reagani konsideronte se SHBA-ja duhet t’i përgjigjet sfidave në çdo pjesë të botës, qoftë nëse bëhej fjalë për Afrikën, Amerikën e Jugut apo Azinë.

Këtë duhet ta bëjmë edhe sot. Kinezët janë sfiduesit dhe ne duhet të jemi gati të konkurrojmë me ta me produkte dhe shërbime më të mira. Unë mendoj se kompanitë perëndimore mund ta bëjnë këtë, por ne duhet të punojmë më shumë, sepse kinezët kanë treguar se mund të jenë efektivë.

Rusia është më shumë një kërcënim momental. Moska është e gatshme të përdorë forcën vdekjeprurëse për t’u diktuar vendeve të tjera dëshirat e saj dhe ajo po kërcënon aleatët tanë.

Nuk mund ta injorojmë këtë. Ne duhet të shohim se cilët janë aleatët tanë dhe cilët janë aleatët tanë potencialë, si kë do të mund të tërheqim në anën tonë për të qenë partnerët tanë.

Nuk është më 1991 dhe SHBA-ja duhet ta trajtojë luftën botërore. Dhe, ne kemi nevojë për aleatë të fortë. Kjo ndonjëherë nënkupton aleatë që marrin vendime të pavarura nga Uashingtoni.

Unë gjithmonë jap shembullin e Turqisë, e cila është një vend i rëndësishëm, shumë i fuqishëm në shumë sfera. Por, turqit marrin vendime si komb sovran dhe për të mirën e tyre, dhe ato vendime nuk janë gjithmonë në përputhje me interesat e SHBA-së. Por, ne duhet të jemi të durueshëm dhe të kujtojmë vlerën e përgjithshme të aleancës sonë. Mendoj se Turqia është aleatja jonë.

Radio Evropa e Lirë: Turqia dëshiron të anëtarësohet në BRICS. A është e mundur të jesh në një aleancë me Rusinë dhe në të njëjtën kohë të jesh anëtar i NATO-s?

Glenn Corn: Nuk mendoj se kjo nuk është zgjedhje ekskluzive. Ne duhet t’i ofrojmë Turqisë më shumë dhe t’i tregojmë asaj ku janë përfitimet e të qenët aleati ynë.

Mendoj se ata e dinë këtë, por duhet t’ua përkujtojmë ndonjëherë. Ju përmendët se sa herë është takuar Dodik me Putinin. Mendoj se ndaj çështjeve të tilla duhet të tregojmë më shumë vëmendje, në një nivel më të madh.

Përgatiti: Bekim Bislimi

Intervista- Mëniku: Gjuha dhe kultura shqipe të jenë përparësi kombëtare

VOA/Klementina Cenkollari

Pedagogia dhe autorja e librave të gjuhës shqipe Linda Mëniku thotë se gjuha dhe kultura shqipe duhet të jenë përparësi kombëtare, pasi po përballen me sfida të shumta. Ajo thotë se një pjesë e gjuhës shqipe rrezikon të zhduket dhe njëkohësisht zhvillimi I teknologjisë dhe përdorimi i gjerë i anglishtes po ndikon në mënyrë të pashmangshme shqipen. Në një intervistë për Zërin e Amerikës ajo vë në dukje se për ruajtjen dhe pasurimin e gjuhës shqipe duhet vepruar si në rrugë institucionale nga autoritetet shtetërore, por edhe nga gjuhëtarët, duke mobilizuar forcat arsimore dhe shkencore, në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni të Veriut dhe Mal të Zi.

Zëri Amerikës: Faleminderit për ketë bisedë në Zërin e Amerikës

Linda Mëniku: Shumë faleminderit juve për ftesën. Nëse më lejoni do doja t’ju shprehja falenderimet e mia për mundësinë që më dhatë, përtej të imagjinueshmes që të jap një intervistë në Zërin e Amerikës. Unë jam rritur me familje dhe me njerëz që e kanë dëgjuar në fshehtësi Zërin e Amerikës, kështu që është emocion krejtësisht iveçantë të jem këtu. Falemiderit juve dhe për drejtorin Arben Xhixho për këtë mundësi krejtësisht të veçantë.

Zëri i Amerikës: Gjuha shqipe përballet sot me sfidën e ndikimit nga gjuhët e huaja nga njëra anë dhe nevojës për t’iu përshtatur një realiteti të ri të zhvillimit me shpejtësi të shoqërisë, që dikton gjithashtu mes të tjerash edhe pasurimin e gjuhës shqipe. Si po e përballon gjiha sfide këtë sfidë?

Linda Mëniku: Situata botërore në të cilën ndodhen jo vetëm gjuha shqipe, por edhe gjuhë të tjera është e vështirë, në kuptimin që një pjesë e mirë e gjuhëve, rrezikojnë të zhduken. Nga 7 mijë gjuhë që ka sot bota mendohet se deri në vitin 2100, 3 mijë prej tyre do të zhduken. Dhe në këtë kuadër gjuhësh ka dhe gjuhë të tjera që janë të rrezikuara siç janë arbërishtja apo arvenitishtja, unë nuk po i hy diskutimeve nëse janë gjuhë apo dialekte, pra ne kemi një pjesë të gjuhës sonë e cila rrezikon të zhduket. Kështu që është një nga problemet. Problemi i dytë që ka lidhje me zhvillimin e teknologjisë në nivel botëror është përballja me një mori idesh, konceptesh, objektesh të reja, të cilat hyjnë në mënyrë shumë të shpejtë në gjuhë dhe me këtë situatë përballen të gjitha gjuhët. Si po përballet gjuha shqipe? Unë mendoj se kemi dy marrëdhënie me shqipen, një marrëdhënie të institucioneve shtetërore për të patur një vëmendje më të shtuar ndaj gjuhës shqipe dhe një situatë e cila lidhet me punën që bëjnë gjuhëtarët, studiuesit, në lidhje me identifikimin e problemeve dhe dhënien e propozimeve për të gjetur zgjidhje. Cila është situata konkrete? Shqipja ndodhet në trysninë e fjalëve të huaja, sidomos nga gjuha angleze. E kemi thënë shumë herë që gjuha angleze është sot “lingua franca” e botës moderne dhe ndikimi i saj në të gjitha gjuhët, është krejtësisht i pashmangshëm. Por ajo që duhet të bëjë Shqipëria, është që të ndjekë modelet e shteteve të vogla si ne të cilat kanë gjetur një zgjidhje për të pasur përparësi kombëtare gjuhën e tyre amtare.

Do të përmendja këtu një vendim që ka marrë qeveria sllovene, ata kanë 20 vitet e fundit një akt publik të përdorimit të gjuhës së tyre në të gjitha institucionet publike dhe në të gjitha faqet e internetit dhe se fundmi e kanë çuar edhe më tej këtë vendim duke përcaktuar që të gjitha sistemet operacionale të pajisjeve elektronike që do të përdoren në Slloveni do të jenë në gjuhën sllovene.

E përmenda këtë për të thënë që qeveria shqiptare mund të ketë një ndikim shumë më të madh për t’i dhënë gjuhës shqipe rëndësi dhe për të ndihmuar shtetasit shqiptarë që të kenë mundësinë e përdorimit të gjuhës shqipe në të gjitha nivelet, pasi ne duhet të jemi realist se nëse teknologjia vjen, pajisjet vijnë dhe të gjitha sistemet janë në gjuhë të huaj, njerëzit do të duhet të mësojnë gjuhë të huaja apo të përdorin një terminologji të huaj. Kjo është një çështje të cilën e kemi diskutuar shpesh, ka fjalor të huazimeve që janë futur në gjuhën shqipe, shpesh herë është diskutuar për një ligj për gjuhën shqipe, gjërat nuk zgjidhen me ligje gjuhësore, por zgjidhen me një vëmendje të shtuar. Sllovenët po parashikojnë ndëshkime me gjobë për ata që realizojnë këtë gjë deri në shifra shumë të mëdha dhe nga ana tjetër edhe progamet “Siri” apo “Alexa” që janë sot programet më të njohura, i kanë propozuar që të jenë në gjuhën sllovene. E njëjta gjë mund të bëhet me gjuhën shqipe, në mënyrë që shtetasit shqiptarë të kenë në përdorim gjuhën shqipe në të gjitha nivelet e përdorimit të saj, si në familje, si në institucione, apo edhe në marrëdhënie me teknologjinë.

Zëri i Amerikës: Me përdorimin e gjerë të rrjeteve sociale është vënë re se gjuha shqipe shkruhet dhe flitet keq. Çfarë mund të bëhet në këtë drejtim?

Linda Mëniku: Gjuhëtarët thonë që kjo është një periudhe ku problemin nuk e kanë gjuhët, por e ka mungesa e kulturës. Rritja e nivelit kulturor të njerëzve, rritja e përmirësimit të të folurit publik, të politikanëve shqiptarë, të drejtuesve të shtetit, të të gjitha institucioneve të cilat krijojnë në fakt formimin gjuhësor të shqiptarëve do të ishtë një gjë me rëndësi. Unë gjej rastin këtu të falenderoj Zërin e Amerikës, për dy gjëra të mëdha. E para sepse përgjatë viteve të errëta të komunizmit ka qenë një burim shprese, ka qenë drita në fund të tunelit dhe ka qenë jo vetëm përçuesi i vlerave demokratike të shtetit amerikan, por edhe ka ndikuar në formimin gjuhësor të shqiptarëve. Si ka ndikuar? Shqiptarët ishin mësuar me një terminologji gjuhësore të ngurtësuar, të lidhur vetëm me sistemin e kohës dhe e gjithë terminologjia që Zëri i Amerikës përçonte, formimi gjuhësor i shqiptarëve ishte mbi një gjë krejtësisht të re, gjë që ndihmoi një pjesë të mirë të atyre shqiptarëve që ndiqnin Zërin e Amerikës që të ishin të njohur me këto terma dhe t’i përdornin lehtësisht me pas në vitet e demokracisë, në vitet e para të tranzicionit.

Nga ana tjetër, ruajtja dhe përdorimi i gjuhës në mënyrë të saktë dhe duke përdorur pasurinë leksikore të gjuhës shqipe është shumë i rëndësishëm. Ajo që vihet re sot është një mosnjohje e leksikut të shqipes. Shqipja nuk është gjuhë e varfër, sikurse shpesh herë përpiqen ta paraqesin, por mos njohja, pra padija, bën që njerëzit të përdorin një fjalor të kufizuar. Media, si pushtet i katërt do të duhet që të ndikonte në këtë. Ajo që unë vë re me shumë keqardhje është që në periudhën e fundit, me gjithë ndryshimin e teknologjisë, një pjesë e mirë e lajmeve të huaja po përkthehen nga gjuhët nëpërmjet përkthimeve që janë tashmë me sistemet e reja të përkthimit. Është e dukshme mungesa e një përkthyesi njerëzor. Njeriu nuk mund të zëvendësojë dot kurrë programet. Prandaj shteti këtu ndërhyn me ndikimin e madh në përmirësimin e përdorimit të gjuhës shqipe në administratë, mund të ndikojë nëpërmjet Autoritetit të Mediave Audiovizive, që e bëjnë, por mund ta bëjnë në mënyë më të shtuar, që mediat të kenë një vëmendje shumë të të theksuar te gjuha shqipe.

Zëri i Amerikës: Ju thatë pak më parë se gjuha shqipe nuk është e varfër, megjithatë ajo ka nevojë të pasurohet. Si mund të bëhet kjo?

Linda Mëniku: Këtu është ndikimi i institucioneve gjuhësore, pra duhet të gjitha forcat arsimore, të gjitha forcat shkencore të cilat merren me gjuhën dhe kulturën shqiptare të ndërveprojnë. Ne nuk mund të punojmë mirë nëse jemi qendra të izoluara, sigurisht ka një ndërvperim shumë të madh mes Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës, mes shqiptarëve që janë në Republikën e Maqedonisë së Veriut, sigurisht dhe shqiptarëve në Mal të Zi, por do të ishte mirë që për punë të mëdha të nivelit kombëtar të përfshiheshin të gjitha forcat shkencore. Dikur kanë qenë shumë të zhvilluara departamentet që merreshin me pasurimin e fjalëve të reja. Unë mendoj që duhet të punësohen më shumë njerëz që të merren me pasurimin e fjalëve të reja pasi duhet të ketë institucione shtetërore të cilat të njoftojnë publikun për hyrjen e fjalëve të reja, për mënyrën se si shkruhen, për mënyrën si përdoren, për kuptimet e tyre, gjë e e bëjnë insitucionet të caktuara në shtete më të zhvilluara, ku rasti më esktrem është akademia franceze me ata që njihen si të pavdekshmit apo mbrojtësit e gjuhës frënge.

Zëri i Amerikës: Përveçse pedagoge e gjuhës shqipe dhe mjaft e angazhuar në fushën e veprimtarisë gjuhësore, ju prej vitesh jepni mësim të gjuhës shqipe edhe në Universitetin e Arizonës. Këtë vit Instituti i Gjuhëve Kritike në Universitetit e Arizonës shënoi 20 vjetorin e mësimdhënies në shqip. Vazhdon të ketë iteres për gjuhën shqipe dhe cilave fusha u përkasin më së tepërmi studentët tuaj?

Linda Mëniku: Vëmendja është e ndryshme ne vite të ndryshme. Unë do të thosha që gjatë periudhës së pandemisë kishim një numër më të madh njerëzish të interesuar që ishin profesionistë të fushave të ndryshme, profesore universiteti, fitues të bursës Fulbright, familjarë që kanë lidhje me Shqipërinë. Vitin tjetër kursi do të jetë online, do të kthehet sërish në një format ndryshe dhe ndoshta do të tërheqë edhe më shumë njerëz të cilët janë të interesuar për gjuhën shqipe për arsye nga më të ndryshmet. Mua më vjen shumë mirë që kurset e gjuhës shqipe i kanë dhënë mundësi dhe specialistëve shqiptare, me origjinë shqiptare, por që jetojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës që të përdorin aq njohuri sa mund të marrin nga kurse të tilla për studimet e tyre të mëtejshme. Ka shqiptaro-amerikanë që sot janë në pozicione shumë të rëndësishme në universitetet amerikane dhe puna e tyre kërkimore lidhet ngushtë me Kosovën, me Shqipërinë, me Maqedoninë e Veriut, prandaj këto kurse kanë ndihmuar këtë kategori për të bërë studimet e tyre dhe për të sjellë risi. Ka patur studiues të cilët janë marrë me sistemin komunist, situatën traumatike të shqiptarëve dhe të tjerë. Interesi vazhdon, sa kohë që kursi vazhdon që të ofrohet, kështu që nëse shqiptarët na dëgjojnë, vitin tjetër do të jetë online dhe unë uroj shumë që të ketë edhe më shumë të interesuar.

Zëri Amerikës: Ju gjendeni në Shtetet e Bashkuara në kuadër të një programi i cili u mundëson të rinjve nga Shqipëria, të jetojnë dhe studiojnë në Shtetet e Bashkuara. Si ka ndikuar ky program tek të rinjtë?

Linda Mëniku: Ky është programi ‘Kennedy-Lugar Youth Exchange & Study’ i njohur si programi YES, program i themeluar dhe i financuar krejtësisht nga Departamenti amerikan i Shtetit, Zyra për Arsim dhe Kulturë, një program i cili u krijua pas rënies së kullave binjake për të krijuar një marrëdhënie të re të Shteteve të Bashkuara të Amerikës me shtete të tjera me popullsi të ndryshme për sa i përket përkatësisë fetare. Në Shqipëri është hapur në vitin 2009, ka me qindra shqiptarë që kanë konkuruar për të fituar një bursë të plotë studimi, për të studiuar 10 muaj në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Programe të tilla arsimore, me synimin për të krijuar drejtuesit e së ardhmes në vendin tonë janë shumë të rëndësishëm dhe ata që kthehen nga programi YES kanë dhënë kontrubutin e tyre duke jetuar edhe në Shqipëri, por edhe duke sjellë një mendësi të re. Në këtë kuadër do të doja të theksoja diçka që ka lidhje me gjuhën shqipe. Rinia shqiptare ka nevojë që të movitohet, ka nevojë që të ndihet e përfshirë. Ne folëm për teknologjinë dhe se çfarë mund të bëjmë më shumë dhe do doja të theksoja një gjë, që të rinjtë shqiptarë mund të përfshihen në proceset e e reja të pasurimit të gjuhës shqipe nëpëmjet teknologjisë. Ata janë shumë të përparuar në këtë fushë. Do të doja të permendja këtu një konkurs kombëtar që ministria e Arsimit organizon tashmë për disa vitesh për nxënësit e klasave të nënta, ‘Gjuha shqipe në kohën e teknologjisë’, ku të rinjtë realisht kanë sjellë projekte shumë interesante duke I shtuar jo vetëm dashurinë për gjuhën, por duke dhënë dhe një kontribut real.

Motivimi i këtyre njerëzve për të qenë drejtuesit e së ardhmes, për të dhënë kontrubut në shtetin e tyre i bën programet e shkëmbimit shumë të rëndësishëm, por dhe programe të tilla simotra në Shqipëri, shumë të rëndësishëm.

Do doja të falenderoja në mënyrë të veçantë për rolin e ish drejtuesit të Zërit të Amerikës, zotit Elez Biberaj për formimin, për arsimin e të rinjve shqiptarë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pasi programe të tilla formimi ka dhe në forma të ndryshme dhe në nivele të ndryshme.

Intervista- Sveçla: Aktakuza për Banjskën e anashkalon përgjegjësinë e institucioneve të Serbisë

Sveçla për REL-in: Dora e Serbisë në Kosovë po dobësohet

 

Valona Tela

Ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, thotë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë se aktakuza që ka ngritur Prokuroria Speciale e Kosovës për rastin e sulmit në Banjskë, është “e vonshme dhe e paplotë”.

Ajo, sipas tij, nuk përfshin disa komandantë të ushtrisë serbe, të cilët, siç thotë, “e kanë mundësuar trajnimin e grupit terrorist, por edhe e kanë furnizuar atë me armatimin ushtarak që ne e kemi zënë”.

“Për shembull, ne kemi dëshmi të padiskutueshme se ky grup terrorist ka mbajtur ushtrime ushtarake në Pasulanske Livade, që është një kazermë zyrtare e ushtrisë së Serbisë, ku [presidenti i Serbisë, Aleksandar] Vuçiq shkon pothuajse çdo muaj dhe mbikëqyr trajnime të ndryshme të pjesëtarëve të njësiteve të ndryshme të ushtrisë apo policisë”, thotë Sveçla për Radion Evropa e Lirë.

Më 24 shtator të vitit të kaluar, një grup i armatosur serbësh ka sulmuar policinë e Kosovës në Banjskë të Zveçanit, duke vrarë rreshterin Afrim Bunjaku.

Në shkëmbimin e zjarrit që ka pasuar, janë vrarë edhe tre sulmues serbë.

Udhëheqësit e Kosovës kanë fajësuar vazhdimisht udhëheqjen e Serbisë për këtë sulm, edhe pse ajo e ka mohuar përgjegjësinë.

Pak ditë para përvjetorit të parë të sulmit, Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur një aktakuzë për rastin, që implikon 45 persona.

Ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla.

Ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla.

Radio Evropa e Lirë: Një vit nga sulmi në Banjskë, si është sot situata e sigurisë në Kosovë?

Xhelal Sveçla: Një vit pas atij sulmi të tmerrshëm terrorist, situata në Kosovë është shumë, shumë më e mirë. Mund të them lirisht që është e qetë dhe stabile në të gjithë territorin e Kosovës, me theks të veçantë në katër komunat veriore, ku për këta katër vjet gati të qeverisjes sonë, por edhe që nga paslufta, kemi pasur incidente, probleme, çështje serioze të pasigurisë – qoftë publike, qoftë tentim të cenimit të integritetit territorial. Por, lirisht mund të them se kemi një situatë plotësisht ndryshe.

Radio Evropa e Lirë: Dëgjojmë vazhdimisht deklarata, përfshirë edhe nga kryeministri Albin Kurti, për kërcënime nga Serbia. Ju, a mund të ndani diçka më shumë me ne?

Xhelal Sveçla: Në vazhdimësi ka informata inteligjente, jo vetëm tonat, por edhe të partnerëve tanë ndërkombëtarë, se grupe të njëjta – apo për nga numri edhe më të mëdha – vazhdojnë të trajnohen në territorin e Serbisë, përreth kufirit mes Kosovës dhe Serbisë, por edhe më në thellësi.

Kjo patjetër që është një brengë e shtuar për institucionet tona të sigurisë, në kuptimin që jemi të obliguar të parashikojmë e pastaj të parandalojmë çfarëdo tendence për sulme, të cilat do të cenonin integritetin, sovranitetin, sigurinë e qytetarëve tanë, por edhe të pjesëtarëve të institucioneve të sigurisë.

Në të njëjtën kohë, kemi në vazhdimësi armatosje të Serbisë, qoftë të ushtrisë apo edhe të njësiteve speciale të policisë së Serbisë, të cilat në të kaluarën kanë provokuar Kosovën dhe e kanë sulmuar Kosovën në një apo mënyrë tjetër.

Armatosja e një vendi, i cili nuk të njeh dhe në aspektin diplomatik dhe retorik të sulmon, është arsye për t’u brengosur, por nuk është arsye as për t’u frikësuar, e as për të hequr dorë nga aspiratat legjitime të popullit tonë, të vendit tonë për t’u anëtarësuar në organizata të ndryshme.

Radio Evropa e Lirë: Pra, mund të thoni se institucionet e sigurisë e kanë nën kontroll situatën…

Xhelal Sveçla: Po, institucionet e sigurisë e kanë nën kontroll situatën dhe mund të them se janë edhe më të përgatitura se më herët, për t’u përballur me çfarëdo skenarësh.

“Kemi dëshmi” që ushtarakët serbë i kanë trajnuar dhe financuar sulmuesit në Banjskë

Radio Evropa e Lirë: Një vit pas sulmit në Banjskë kemi një aktakuzë të ngritur nga Prokuroria Speciale e Kosovës, e cila implikon mbi dyzet persona, por vetëm tre prej tyre janë në paraburgim në Kosovë. A prisni ekstradimin e Radoçiqit dhe të tjerëve nga Serbia?

Xhelal Sveçla: Më në fund kemi një aktakuzë që për mua është e vonshme, por edhe e paplotë, duke qenë se ne e dimë që kanë qenë diku rreth njëqind terroristë të kyçur drejtpërdrejt në këtë sulm. Po ashtu, ka qenë evidente organizimi dhe përkrahja nga ana e institucioneve të Serbisë.

Për shembull, ne kemi dëshmi të padiskutueshme se ky grup terrorist ka mbajtur ushtrime ushtarake në Pasulanske Livade, që është një kazermë zyrtare e ushtrisë së Serbisë, ku [presidenti i Serbisë, Aleksandar] Vuçiq shkon pothuajse çdo muaj dhe mbikëqyr trajnime të ndryshme të pjesëtarëve të njësiteve të ndryshme të ushtrisë apo policisë.

E, çuditërisht, në aktakuzë nuk është as komandanti i kësaj kazerme, as zëvendëskomandanti i kazermës, as komandanti i Ushtrisë së Serbisë, e pse jo edhe vetë Vuçiq në qoftë se ka lidhje të drejtpërdrejtë me këtë sulm. Por, për këta tre të parët që i përmenda, tashmë kemi dëshmi që jo vetëm e kanë mundësuar trajnimin e këtij grupi terrorist, por edhe e kanë furnizuar këtë grup terrorist me armatimin ushtarak që ne e kemi zënë.

Prandaj, po them që kjo aktakuzë është pak e vonshme, por edhe e paplotë.

Megjithatë, unë jam i bindur se duke punuar më shumë, duke u fuqizuar më shumë, duke bashkëpunuar me faktorin ndërkombëtar që ta rrisë presionin ndaj Serbisë, Serbia, herët a vonë, do të detyrohet të dorëzojë Radoiçiqin dhe të tjerët.

Fundi i fundit, sipas ligjeve të Kosovës, gjykimi në mungesë mund të ndodhë dhe pastaj, pas aktgjykimit, këta terroristë do të mund të kërkohen edhe përmes Interpol-it dhe lëvizja e tyre do të kufizohej jashtëzakonisht shumë.

Në të njëjtën kohë, ne duhet të bëjmë që Serbia të paguajë një çmim të shtrenjtë për mosakomodimin e kërkesave legjitime të drejtësisë.

Radio Evropa e Lirë: Pse mendoni që nuk janë përfshirë këto dëshmi që ju i përmendët në aktakuzë?

Xhelal Sveçla: Unë besoj se kjo është pyetje për Prokurorinë Speciale. Unë, duke qenë se i kam parë dëshmitë, jam i bindur… por edhe profesionistë të fushave juridike e të sigurisë e ngrenë të njëjtën çështje: pse me këtë aktakuzë, në njëfarë mënyre apo tjetër, anashkalohet përgjegjësia e individëve dhe institucioneve të Serbisë në këtë sulm terrorist?!

“Vuçiq dhe Qeveria e Serbisë duhet ta ndiejnë presionin ndërkombëtar”

Radio Evropa e Lirë: A mendoni se bashkësia ndërkombëtare po i bën mjaftueshëm thirrje Serbisë për ekstradimin e të pandehurve?

Xhelal Sveçla: Jo, nuk shoh ndonjë presion të veçantë. Thirrje ka, por përderisa këto thirrje mbesin deklarative, ato nuk do të përmbushen nga Vuçiqi. Mendoj se Vuçiq dhe Qeveria e Serbisë duhet ta ndiejnë presionin ndërkombëtar, ta ndiejnë personalisht presionin ndërkombëtar, në mënyrë që ata t’i nënshtrohen kësaj kërkese legale.

Megjithatë, unë jam pak skeptik, sepse jam i bindur se ky sulm ka ndodhur nën tutelën e Vuçiqit, që të mos them nën organizimin e drejtpërdrejtë të tij.

Radio Evropa e Lirë: Që nga sulmi në Banjskë, policia e Kosovës ka rritur praninë e saj në veri të Kosovës, por ajo që dëgjojmë janë ankesat e pjesëtarëve të komunitetit serb për, siç thonë ata, diskriminim. Nga disa anketa që kemi zhvilluar ne në atë zonë të Kosovës, kemi kuptuar po ashtu se besimi i tyre në policinë e Kosovës mungon. A e keni diskutuar këtë çështje brenda institucionit tuaj dhe a jeni duke bërë diçka për ta ndryshuar këtë situatë?

Xhelal Sveçla: Patjetër se një situatë, ku siguria është e brishtë, nuk është e dëshirueshme për asnjë qytetar. Megjithatë, shumica e qytetarëve, me të cilët ne bashkëbisedojmë, e pranojnë faktin se ndihen shumë më të sigurt tash, kur ka rend dhe ligj, sesa në kohën kur në atë zonë mbretëronin bandat.

Në asnjë shoqëri, në asnjë vend nuk besoj se qytetarët e zakonshëm do të dëshironin të jetonin nën shtypjen e bandave të ndryshme, të cilat qëllim primar dhe të vetëm kanë interesat e tyre, qoftë personale, qoftë klanore.

Tash, për sa i takon besueshmërisë në polici, shifrat që i kemi ne – në raport apo në krahasim me bashkëveprimin me policinë e Kosovës përpara dorëheqjes së ish-policëve – flasin ndryshe. Paraqitjet e rasteve të veprave të ndryshme kriminale nga qytetarët serbë atje, drejtuar policisë së Kosovës për asistencë dhe për të siguruar drejtësi e barazi, janë shumë më të larta sesa më herët.

Unë besoj se ka ende hapësirë për të biseduar me qytetarët atje, qoftë kabineti im, qoftë policia, qoftë ministritë tjera apo edhe organizatat tjera, vendore e ndërkombëtare. Po punojmë në këtë drejtim.

Pengesë në vazhdimësi është Serbia dhe elementet e saj në atë zonë, të cilat i kërcënojnë qytetarët që bashkëveprojnë dhe punojnë me institucionet e Republikës së Kosovës. Do të thotë, në njërën anë, eksponentë të Serbisë ankohen sesi qytetarët atje nuk i marrin shërbimet e nevojshme, e, në anën tjetër, i kërcënojnë ata qytetarë që ndërveprojnë me institucionet e Kosovës.

Kjo po zbutet tashmë. Dora e zgjatur e Serbisë është duke u dobësuar. Një pjesë e kriminelëve janë në burg, një pjesë janë në arrati.

Patjetër, duhet ende angazhim e ndoshta duhet ende kohë që të ketë një besim të ndërsjellë mes qytetarëve dhe policisë sa i takon përditshmërisë, sigurisë, paraqitjes së rasteve të shkeljeve të ndryshme.

Radio Evropa e Lirë: Megjithatë, ka pjesëtarë të komunitetit serb që besojnë se Qeveria e Kosovës po përdor policinë për t’i integruar “me dhunë”… Për këtë ka tërhequr vërejtjen edhe Ambasada amerikane në Prishtinë, duke thënë se “policia po instrumentalizohet” për hir të veprimeve të pakoordinuara. Cili është komenti juaj?

Xhelal Sveçla: Unë besoj se duhet t’i integrojmë të gjithë pjesëtarët e shoqërisë në Kosovë, pavarësisht se cilit grupacion i takojnë apo cilës etni i takojnë. Por, po ashtu, duhet t’i minimizojmë ndikimet negative apo presionin që qytetarët kanë nga ata që janë kundër integrimit.

Nuk mund të kesh integrim të qytetarëve kur ata ndihen të kërcënuar nga tjetërkush.

Ne kemi punuar shumë që sa më shumë të rinj e të reja nga komuniteti serb të inkuadrohen në radhët e policisë së Kosovës. Në të njëjtën kohë, jo vetëm ne, por edhe institucionet ndërkombëtare në Kosovë e jashtë kanë shumë dëshmi të presionit të jashtëzakonshëm kriminal të Serbisë, drejtuar këtyre individëve, për të parandaluar dhe për të pamundësuar hyrjen e tyre në polici. Kjo është e dëmshme, por tashmë, deri diku, edhe e pasuksesshme, sepse radhët e serbëve në policinë e Kosovës po shtohen çdo ditë. Megjithatë, do të duhet kohë që numri i tyre të jetë në kapacitetet e nevojshme.

Në të njëjtën kohë, ne, me çdo mjet, me çdo kusht, mundohemi të parandalojmë çfarëdo keqpërdorimi të autoritetit të policit.

Policia e Kosovës, si çdo polici tjetër në vendet demokratike, ka autorizime për veprimet e saj dhe ka edhe mbikëqyrje. Askund më i fortë dhe më vigjilent se në veri të Kosovës nuk është Inspektorati Policor i Kosovës. Ne bashkëpunojmë ngushtë edhe me EULEX-in dhe KFOR-in, që bëjnë një lloj monitorimi të situatës atje, por edhe të sjelljes së policëve tanë.

Dhe, po, e di që ka ankesa, por një pjesë e madhe e tyre janë propagandë e nxitur nga Beogradi.

Policët që kanë dhënë dorëheqje, nuk mund të kthehen

Radio Evropa e Lirë: Si i komentoni thirrjet e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për riintegrimin e serbëve në institucionet e Kosovës? Konkretisht, a do t’i pranoni policët e dorëhequr?

Xhelal Sveçla: Ajo është histori e shkuar. Absolutisht, kjo nuk mund të ndodhë, as nuk do të ndodhë. Sipas ligjeve të Kosovës, në qoftë se dikush jap dorëheqje nga policia, pavarësisht se kush është ai, ekzistojnë procedurat e duhura për ta pranuar atë dorëheqje.

Ne i kemi pritur ata zyrtarë rreth 30 ditë për t’i rishikuar potencialisht vendimet e tyre. Kjo nuk ka ndodhur. Ne kemi vazhduar me punën tonë të përditshme. Kemi vazhduar me proceset e rekrutimit të pjesëtarëve të komunitetit serb. Shumë shpejt do ta përmbyllim këtë proces, ku komuniteti serb do të jetë i përfaqësuar në Policinë e Kosovës mjaftueshëm përtej numrave minimalë që i parashohin Kushtetuta dhe ligjet tona.

Radio Evropa e Lirë: E nëse hapni konkurs për rekrutime të reja, a do të mund të kandidojnë ata që kanë dhënë dorëheqje?

Xhelal Sveçla: Po, me kusht që janë nën 30 vjeç dhe nuk kanë të kaluar kriminale.

Sipas ligjeve të Kosovës, çdo i ri apo e re, shtetas i Republikës së Kosovës, mund të aplikojë për t’u bërë pjesë e Policisë së Kosovës nëse është nën moshën 30-vjeçare dhe nëse i plotëson kushtet tjera të parapara, si aftësia fizike, aftësia psikologjike, edukimi i duhur, verifikimi i pastërtisë dhe i së kaluarës kriminale. Kur këto plotësohen, atëherë është e mundshme që dikush të pranohet në Policinë e Kosovës.

“Të gjitha institucionet ilegale do të mbyllen”

Radio Evropa e Lirë: Në fund të muajit të kaluar, institucionet e Kosovës kanë mbyllur disa institucione paralele serbe në veri. A planifikohet mbyllja e tyre në të gjithë Kosovën?

Xhelal Sveçla: Absolutisht është e papranueshme që në Republikën e Kosovës, në territorin e saj të ketë veprimtari që janë në kundërshtim me ligjet dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Një praktikë e tillë është toleruar tashmë jashtëzakonisht gjatë. Të gjitha institucionet ilegale që operojnë në Kosovë, në një kohë apo tjetër, do ta kenë fatin e njëjtë, sikur ato që tashmë janë mbyllur. Është çështje e përgatitjeve operacionale të institucioneve të Republikës së Kosovës.

Radio Evropa e Lirë: Kolegu juaj, ministri për Kthim dhe Komunitete, Nenad Rashiq, ka thënë se mbyllja e institucioneve arsimore dhe shëndetësore është çështje kohe. A ka ndonjë plan të afërt në këtë drejtim?

Xhelal Sveçla: Sipas Pakos së Ahtisaarit, komuniteti serb në këto dy sfera, përmes qeverisjeve komunale, ka një autonomi më të gjerë. Do të thotë, shëndetësia dhe arsimi kanë disa të drejta shtesë, disa privilegje, të cilat ne nuk jemi të interesuar që t’i prekim, sepse janë edhe në ligj.

Andaj, në këto fusha do të jemi më të kujdesshëm, në kuptimin e përcaktimit të saktë të veprimtarisë së tyre brendapërbrenda ligjeve të Kosovës.

Më herët, unë po flisja për komuna paralele, për shërbime, që nuk parashihet të ofrohen nga askush tjetër, përveç institucioneve legjitime të Republikës së Kosovës.

Radio Evropa e Lirë: Domethënë, spitalet, shkollat nën sistemin e Serbisë do të vazhdojnë të funksionojnë?

Xhelal Sveçla: Jo, nuk po them nën sistemin e Serbisë. Po them që këto dy shërbime apo këto dy fusha kanë situatë specifike dhe do të trajtohen në mënyrë specifike, ndaras nga mbyllja e institucioneve të tjera, të cilat janë tashmë në proces.

Radio Evropa e Lirë: Tash për tash, a mund të ndani ndonjë detaj se si do të operojnë, si do të koordinohet puna e tyre?

Xhelal Sveçla: Të gjitha këto gjëra janë të parapara me ligj. Krejt çfarë do të bëjmë, është të kërkojmë që ligjet e Kosovës të zbatohen me përpikëri.

Ministria e Shëndetësisë tashmë i ka komunikimet e nevojshme me sistemin shëndetësor, i cili punon në këto komuna. Unë besoj se krejt çfarë nevojitet, është një koordinim i shtuar mes të dyja palëve, në mënyrë që çdo gjë të futet në bazën e ligjshmërisë. E njëjta gjë do të duhej të ishte edhe me sistemin arsimor.

“Nuk ka rrezik” nga hapja e urës

Radio Evropa e Lirë: Aktuale vazhdon të mbetet edhe çështja e hapjes së urës kryesore mbi lumin Ibër për qarkullimin e makinave. A ka ndonjë plan konkret për këtë?

Xhelal Sveçla: Nuk ka asnjë arsye konkrete që ura të vazhdojë të jetë e mbyllur për qarkullimin e veturave. Për këtë jemi në dakordancë të plotë edhe me aleatët tanë. E vetmja dilemë është aspekti i sigurisë, domethënë vlerësimi i impaktit të sigurisë në procesin e hapjes së urës.

Mund t’ju them se unë kam një vlerësim bazuar në vlerësimet e institucioneve tona të sigurisë, që është pak më ndryshe se i faktorit ndërkombëtar, sa i takon impaktit të sigurisë në Kosovë.

Për ne, çështja është e kryer, sa i përket asaj se a duhet a nuk duhet të hapet ura. Po bisedojmë. Jemi duke biseduar me të gjithë aktorët legjitimë, që kjo të ndodhë sa më shpejt që është e mundshme.

Radio Evropa e Lirë: A besoni se do të mund të garantohet siguria e të gjithëve nëse hapet ura?

Xhelal Sveçla: Absolutisht. Unë do të isha kundër hapjes së urës, në qoftë se ne nuk mund ta garantojmë sigurinë e të gjithëve.

Por, unë jam i bindur se institucionet e sigurisë të Republikës së Kosovës janë mjaftueshëm të pjekura, të fuqishme, të përgatitura e profesionale… Edhe ndihma e misioneve ndërkombëtare, siç janë EULEX-i dhe KFOR-i, garanton që hapja e urës është një hap më se normal, asgjë e jashtëzakonshme apo e rrezikshme. Me këtë, ne nuk rrezikojmë, por patjetër që i mbrojmë të gjithë qytetarët, pa asnjë dallim.

Radio Evropa e Lirë: Megjithatë, ambasadori amerikan ka paralajmëruar se mund të vihet në rrezik jeta e ushtarëve të KFOR-it…

Xhelal Sveçla: Kjo është një brengë që ai e ka shfaqur publikisht. Ne nuk jemi të interesuar të rrezikojmë as jetën e qytetarëve, as të pjesëtarëve të policisë së Kosovës, as të pjesëtarëve të EULEX-it, as të pjesëtarëve të KFOR-it e aq më pak të KFOR-it amerikan.

Besojmë se me qasje të duhur dhe me përgatitje të duhur, parandalohet çfarëdo rreziku për të gjithë, përfshirë edhe ushtarët e KFOR-it amerikan, për të cilët kemi një vlerësim të jashtëzakonshëm, qoftë për atë çfarë kanë kontribuar për lirinë e Kosovës, por edhe për kontributin e vazhdueshëm që japin në siguri dhe në sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës.

Intervista e rrallë e gazetarit të “New York Times”: Enveri ishte po aq mizor sa Hitleri e Stalini

“Kam pritur 28 vjet, për të marrë një vizë që të prek Shqipërinë”, – ky ka qenë fati i David Binder, gazetarit të njohur të “The New York Times”, i cili, përmes një interviste ekskluzive për “Albania”-n, flet për periudhën 33-vjeçare të karrierës së tij profesionale, si raportues i Shqipërisë dhe i bllokut komunist lindor, në një ndër mediat më prestigjioze të botës. Gazetari që pa me sytë e tij ndërtimin e Murit të Berlinit, në vitin 1961, por që sërish ishte dëshmitar në shembjen e tij dhe përmbysjen e komunizmit, rrëfen se informacionet e para për Shqipërinë, i mori në auditorët e Universitetit të Harvardit.

Në këtë intervistë, Binder tregon për herë të parë se si u njoh me Shqipërinë; raportimet e vazhdueshme të tij për shtetin e izoluar komunist, refuzimin e misionit tonë në OKB, për t’u takuar me të gjatë vitit 1984 dhe, së fundi, takimin me ambasadorin tonë në Beograd, Kujtim Hysenaj, i cili pas më pak se një dekadë, do të bëhej shef i Shërbimit Informativ Kombëtar.

Në pjesën e parë të kësaj interviste që po botojmë, Binder flet për shkaqet që çuan në dështimin e bisedimeve për rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe SHBA-ve, në vitin 1973. “Ndoshta ajo kishte të bënte me atakun në zemër që pësoi Enver Hoxha”, – thotë gazetari i njohur i “Times”, disa herë pretendent për “Pulitzer”, një ndër çmimet më të njohur në fushën e gazetarisë në mbarë botën.

Z. Binder, kur keni dëgjuar për herë të parë për Shqipërinë? Kur keni nisur të shkruani për këtë vend?

Unë kam mësuar për herë të parë rreth Shqipërisë, teksa po studioja historinë e Ballkanit, me profesor Robert Lee Wolff, në Universitetin e Harvard-it. Ndërsa nisa të shkruaja rreth këtij vendi, në vitin 1963, kur u vendosa në Beograd, për të punuar si gazetar i “The New York Times”.

Në atë kohë, ishte shumë e vështirë të gjeje informacione për Shqipërinë? Cilat ishin rrugët që keni përdorur, për të marrë të dhëna për shtetin e izoluar komunist? Çfarë kontaktesh keni patur me institucionet shqiptare, misionin diplomatik shqiptar nëpër botë dhe diplomatët e huaj në Tiranë?

Teksa qëndroja në Beograd, unë dëgjoja edicionin anglisht në “Radio Tirana”. Po ashtu, lexoja përkthimet e shtypit shqiptar dhe komentet rreth Shqipërisë, në shtypin jugosllav. Por, pak kohë përpara vitit 1984, kur i bëra një kërkesë telefonike misionit shqiptar në Kombet e Bashkuara, për një takim me përfaqësuesin diplomatik, mora një përgjigje të prerë: “Ju nuk mund të bisedoni me askënd, në çdo lloj kohe”.

Unë e vizitova Ambasadën shqiptare në Beograd, duke filluar që në verën e vitit 1963, ku aplikova për një vizë dhe vazhdova këmbënguljen për 28 vjet. Përfundimisht, e mora në vitin 1990, nga ambasadori Kujtim Hysenaj, i cili ishte shumë inteligjent dhe një njeri i këndshëm.

U përpoqa që ta kompensoja pamjaftueshmërinë e njohjes së shqiptarëve në atdheun e tyre, duke gjetur shqiptarë në diasporë; si Steven Peters, i Departamentit Amerikan të Shtetit dhe profesor Arshi Pipa, veprat e të cilit i lexova në anglisht.

Unë lexova letërsinë shqiptare, duke e gjetur të përkthyer, përfshirë prozën dhe poezinë e Ismail Kadaresë. Madje, unë u përpoqa të mësoj pak, edhe gjuhën shqipe.

Nuk e di nëse e keni takuar ndonjëherë Enver Hoxhën?! Si do ta paraqisnit atë si udhëheqës? Po nëse do ta krahasonit atë, me diktatorët e tjerë në Lindje?

Unë nuk e kam takuar kurrë Enver Hoxhën. Por unë mendoj se ai ishte një nga tiranët më të ligj, në historinë bashkëkohore; po aq mizor sa Hitleri, Stalini, Mao. Ai ishte po aq i keq, sa edhe Çaushesku, Rakoshi dhe Zhivkovi; dhe në disa aspekte, më i keq se të gjithë ata. Ai kishte bërë një punë domethënëse, duke unifikuar gjuhën shqipe (megjithëse me një çmim të rëndë, për gegët).

Ju keni shkruar disa artikuj se Shtetet e Bashkuara kanë ftuar Shqipërinë, për të vendosur marrëdhënie diplomatike që në vitin 1973. Përse dështuan negociatat?

Përgjigjja e kësaj pyetjeje, ekziston në Tiranë, jo në Uashington. Ndoshta ajo kishte të bënte me atakun në zemër që pësoi Enver Hoxha, në vitin 1973. Por, unë dyshoj se ajo kishte të bënte më shumë me marrëdhëniet e Shqipërisë me Kinën, të cilat pastaj, kishin nisur të ftoheshin.

Si e keni imagjinuar Shqipërinë dhe si e patë atë, kur mbërritët për herë të parë këtu?

Unë e dija se ishte e varfër, e izoluar dhe e prapambetur ekonomikisht, por, në të vërtetë, realiteti ishte më shokues, duke përfshirë edhe maninë e bunkerëve të Enver Hoxhës, e ngjashme kjo me vijën mbrojtëse të frontit të luftës së Maginot-it. (front mbrojtës i Francës, kundër Gjermanisë, gjatë Luftës së Dytë Botërore, – shën. red.).

Surpriza më e madhe e nivelit njerëzor, ishte se zbulova se shumica e shqiptarëve që takova, ishin njerëz me edukim të lartë, që ishin të mirinformuar rreth botës, për atë që ndodhte përtej kufijve të tyre të ngushtë, kryesisht përmes radio-televizioneve të huaja.

            Kush është David Binder?

David Binder, ka lindur nga prindër amerikanë, me 22 shkurt 1931, në Londër. Ai është diplomuar në Universitetin e Harvard-it dhe më pas bëri një kurs, ku mori gradë shkencore për arte, në Historinë dhe Letërsinë Europiane, në vitin 1953. Binder ishte studiues i Fulbright, në Universitetin e Cologne-s në vitet 1953-‘54. Ai bëri një kualifikim në Seminarin e Salsburgut.

Binder është autor i librave; “Berlin East and West”, i botuar në vitin 1962 dhe “The Other German – The Life and Times of Willy Brandt” në vitin 1976. Po ashtu, ai është bashkautor i botimeve të “New York Times”, të “Project Apollo”, për rënien e komunizmit. Ai ka punuar deri në vitin 1996 dhe prej asaj periudhe, është në pension.

         Karriera profesionale e David Binder

David Binder, ishte një nga gazetarët e Zyrës së Uashingtonit të “New York Times”, që nga viti 1973 dhe deri në kohën kur doli në pension, në vitin 1996. Ishte i pari si korrespondent diplomatik dhe pastaj si redaktor lajmesh e, sërish si një korrespondent. Ai vazhdoi të punojë duke u specializuar në mbulimin e çështjeve të Europës Lindore dhe Qëndrore. Binder, udhëtoi shpesh në këto shtete.

Detyrat e mëparshme të tij për “Times”, ishin: korrespondent në Gjermani, në vitet 1967-1973 dhe korrespondent për Europën Lindore, i vendosur në Beograd, në vitet 1963-1967. Më herët, ai punoi në Uashington, si një korrespondent diplomatik dhe në Berlin, mbuloi raportimet për ndërtimin e Murit të Berlinit në vitin 1961.

Edhe në vitet 1989 dhe 1990, ai raportoi rënien e Murit dhe përmbysjen e sistemit komunist në Gjermaninë Lindore, Rumani, Bullgari, Shqipëri dhe Jugosllavi. David Binder, raportoi edhe për luftërat civile në Kroaci, Bosnje dhe për konfliktin në Kosovë. Përveç “New York Times”, që nga viti 1991, ai ka bashkëpunuar edhe me shumë gazeta të tjera amerikane dhe britanike. Memorie.al

Intervista- Lajçak: Shoqëritë në Kosovë dhe në Serbi nuk janë gati për normalizim

I dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbisë, Mirosllav Lajçak, gjatë intervistës për Radion Evropa e Lirë, në margjina të forumit Globsec, që po mbahet në Pragë, 30 gusht 2024.

 

Krenare Cubolli

I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak, ka thënë se ekziston rreziku për destabilizim të Ballkanit Perëndimor, nëse palët nuk angazhohen në dialog dhe vazhdojnë të bëjnë veprime të pakoordinuara e të ngutshme.

Në intervistën për Radion Evropa e Lirë, në margjina të forumit Globsec, që po mbahet në Pragë, Lajçak e ka pranuar se nuk është bërë mjaftueshëm për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, të arritur mes palëve vitin e kaluar, por marrëveshje më e mirë nuk mund të arrihet dhe se palët duhet ta kuptojnë që përparimi në dialog është thellësisht i lidhur me rrugën e tyre drejt BE-së.

“Nëse më pyesni mua, problemi është se dy shoqëritë [në Kosovë dhe në Serbi] nuk janë gati për normalizim”, ka theksuar ai.

I pyetur se si duhet të përfundojë dialogu, edhe nëse duhet të përfshihet njohja reciproke, ai ka thënë se u takon palëve të vendosin në atë aspekt. Ai ka folur edhe për sulmin në Banjskë dhe akuzat që i janë bërë nga zyrtarë të Kosovës për qasje të padrejtë ndaj vendit.

Radio Evropa e Lirë: Z. Lajçak, ju jeni afër fundit të mandatit si i dërguar i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë. Shumica, përfshirë edhe vetë BE-në, thonë se është bërë pak dhe disa thonë edhe se dialogu ka dështuar, ka vdekur. Çfarë shkoi keq?

Mirosllav Lajçak: Dialogu është vendimtar për Kosovën dhe Serbinë, nëse e kanë seriozisht për aspiratat e tyre evropiane, sepse Bashkimi Evropian e ka bërë shumë të qartë që para se të shqyrtohen seriozisht për pranim [në BE], ata duhet t’i normalizojnë marrëdhëniet. Kështu që nuk ka asnjë rrugë përreth kësaj. Kjo është një gjë.

Së dyti, Bashkimi Evropian është ndërmjetësues i këtij procesi, por procesi është nën pronësi të dy palëve, Kosovës dhe Serbisë. Ne po e bëjmë më të mirën tonë për t’i ndihmuar ato në normalizimin e marrëdhënieve, por duhet të them që shpejtësia e procesit dhe rezultati i procesit nuk varen nga Bashkimi Evropian, por nga palët.

Kur shikoj prapa te mandati im, ka pasur rezultate konkrete, si: njohja e dokumenteve të identifikimit, njohja e targave, marrëveshja shumë e rëndësishme multimilionëshe për energji. Që nga fillimi i këtij viti, ne e kemi një situatë standarde ku njerëzit janë të regjistruar dhe ata paguajnë për energjinë, energjinë elektrike që konsumojnë.

Por, natyrisht, arritja më e rëndësishme është marrëveshja për rrugën drejt normalizimit, që u arrit dhe për të cilën u arrit pajtim vitin e kaluar në Ohër. Me këtë marrëveshje, nuk ka më nevojë për negociata, por për zbatim.

Dhe, po, fatkeqësisht, zbatimi nuk ka nisur seriozisht. Janë bërë disa gjëra, por natyrisht që marsin e vitit të kaluar në Ohër unë prisja që do të kishim më shumë sukses. Pse nuk po ndodh kjo? Mos e pyesni ndërmjetësuesin, pyetini palët.

Por, natyrisht, ata duhet ta bëjnë pjesën e tyre. Dhe, nëse nuk dëshiron ta bësh pjesën tënde, atëherë kërkon justifikime. Por, asgjë nuk i pengon as Kosovën e as Serbinë që ta bëjnë atë për të cilën janë zotuar në Ohër. Dhe, është e shkruar qartësisht… ky dokument është publik.

Përsëri, nëse më pyesni mua, problemi është se të dyja shoqëritë nuk janë gati për normalizim. Nuk shoh ndonjë shtyrje nga brenda, nga partitë politike, nga akademia, nga shoqëria civile, që të kërkojnë që udhëheqësit të bëjnë përparim drejt normalizimit. Përkundrazi, sa herë që ka një marrëveshje, ka më shumë kritika se janë bërë lëshime. Udhëheqësit nuk inkurajohen të bëjnë përparim drejt normalizimit.

Pra, duhet të punojmë për ta ndryshuar mendësinë. Njerëzit duhet ta kuptojnë se normalizimi nënkupton kompromis. Normalizimi nënkupton fitim të ndërsjellë. Normalizimi nënkupton që marrëveshja të mund t’i prezantohet publikut dhe parlamenteve, si në Kosovë, ashtu edhe në Serbi.

Për aq kohë sa jetoni në iluzione se kjo është një fitore për njërën dhe një humbje për tjetrën, nuk do të ketë përparim. Por, nëse nuk do të ketë përparim drejt normalizimit, nuk do të ketë përparim drejt integrimit evropian. Gjithçka tjetër është një iluzion dhe lajthitje.

Radio Evropa e Lirë: Por, ju thatë se të dyja palët nuk janë gati dhe nuk janë të gatshme për ta arritur normalizimin. Pra, duket se e dimë problemin. Atëherë, çfarë duhet të bëjë udhëheqësia e re e BE-së? A duhet t’i ndryshojnë taktikat, prioritetet, pasi që ju jeni ndërmjetësuesi? A mund të bëni më shumë për t’i bindur ata?

Mirosllav Lajçak: Shiko, parametrat bazë nuk do të ndryshojnë. Parametrat bazë të këtij procesi janë të njohura mirë. Dhe natyrisht, këtu përfshihet fakti që komuniteti serb në Kosovë duhet të jetë në gjendje ta ruajë identitetin e vet, të ndihet i sigurt dhe i mbrojtur, të ketë marrëdhënie institucionale me Serbinë në përputhje me standardet evropiane dhe brenda kornizës ligjore të Kosovës. Le të jemi shumë të qartë për këtë. Dhe, në këmbim, Serbia duhet t’i përmbushë të gjitha elementet e normalizimit të marrëdhënieve.

Kështu që, kjo nuk mund të ndryshojë. Dhe përsëri, nuk mendoj që do të ketë një marrëveshje të re. Sepse nëse do të kishte një marrëveshje më të mirë, dikush do ta kishte propozuar. Janë mendjet më të ndritura që kanë punuar për këtë marrëveshje. Kjo marrëveshje mbështetet plotësisht nga Shtetet e Bashkuara, nga 27 vendet anëtare të Bashkimit Evropian dhe në veçanti nga Gjermania, Franca dhe Italia.

Pra, është përsëri një iluzion të besosh se me përfaqësuesin e ri të Lartë [të BE-së], papritur do të ketë një proces të ri. Parametrat kryesorë nuk do të ndryshojnë. Dhe për këtë arsye, pacta sunt servanda – ajo që është rënë dakord duhet të zbatohet – është parimi bazë. Dhe sa më shpejt ta kuptojmë këtë, aq më mirë.

Radio Evropa e Lirë: Ju përmendët se për sa u përket serbëve të Kosovës, të drejtat e tyre duhet të respektohen. Çfarë prisni si prioritet nga ana tjetër? Gjithashtu përmendët kompromise. Cilat janë dy kompromiset më të mëdha që secila palë duhet t’i bëjë?

Mirosllav Lajçak: Shiko, gjithçka është në marrëveshje. Kjo do të thotë se Serbia zotohet t’i njohë simbolet, dokumentet, institucionet e Kosovës. Ka një marrëveshje për shkëmbimin e misioneve. Ka një marrëveshje për të mos e penguar anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare. Pra, lexoni marrëveshjen dhe gjithçka është aty.

Dhe, siç thashë, asgjë nuk i pengon palët ta bëjnë pjesën e tyre, përveç që ka shumë pak besim midis tyre. Fatkeqësisht, mandati im ka qenë ndoshta më shumë i përkushtuar ndaj menaxhimit të krizave sesa promovimit të normalizimit.

Por, një element i rëndësishëm që do ta theksoj, natyrisht, edhe për pasardhësin tim dhe për përfaqësuesin e ri të Lartë, është që ky proces duhet të jetë i lidhur dukshëm dhe drejtpërdrejt me integrimin evropian. Sepse në të kaluarën, kur palët e dinin se një përparim drejt normalizimit do të sillte gjithashtu përparim të dukshëm në rrugën drejt BE-së, ky ishte një motivim shumë i fortë.

“Palët vendosin vetë si duhet të përfundojë dialogu”

Radio Evropa e Lirë: A po punoni për një takim të ri të nivelit të lartë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë?

Mirosllav Lajçak: Aktualisht, jemi duke përgatitur takimin e radhës në nivel kryenegociatorësh. Dhe, ne jemi gjithmonë të gatshëm për këtë. Duhet të ketë agjendë, duhet të ketë gatishmëri. Tani për tani, hapi i radhës është takimi i kryenegociatorëve.

Radio Evropa e Lirë: Si duhet të përfundojë dialogu? Cila duhet të jetë marrëveshja përfundimtare ndërmjet dy palëve?

Mirosllav Lajçak: Për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje, në rolin tim aktual, mundem vetëm të përdor gjuhën zyrtare të Bashkimit Evropian, që dialogu duhet të përfundojë me marrëveshjen ligjërisht obliguese për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e cila do t’i zgjidhte të gjitha çështjet e mbetura dhe do t’i hapte rrugë të ardhmes evropiane.

Radio Evropa e Lirë: Ju pyeta, sepse në fillim thuhej gjerësisht se dialogu duhet të përfundojë me njohje reciproke. Por, me kalimin e kohës, kjo disi u la në hije. A duhet të përfundojë dialogu me njohje reciproke?

Mirosllav Lajçak: Qëndrimi i Bashkimit Evropian nuk ka ndryshuar. Dhe, po ashtu, Bashkimi Evropian thotë se u takon dy palëve të vendosin se cili do të jetë fundi. Ne nuk po imponojmë, nuk po diktojmë. Por, sigurisht, i kemi pritjet tona. Dhe, kur unë përmend marrëveshjen ligjërisht obliguese, kjo flet shumë, po ashtu. Por, nuk jemi aty dhe sigurisht se do të ishte gabim diplomatik imi të thosha se si e shoh fundin e procesit. Jam këtu t’u ndihmoj palëve të arrijnë marrëveshje ligjërisht obliguese për normalizimin e marrëdhënieve mes tyre.

“Sulmet personale nuk ndihmojnë”

Radio Evropa e Lirë: Z. Lajçak, Bashkimi Evropian dhe ju vetë jeni akuzuar nga udhëheqësit e Kosovës për qëndrim jo fer ndaj vendit. Si e komentoni këtë?

Mirosllav Lajçak: Unë jam mjaftueshëm gjatë në këtë punë për t’i ditur të gjitha këto lojëra. Pikë së pari, sulmet personale nuk janë mënyrë evropiane. Ne nuk e bëjmë këtë në Evropë. Duhet t’i shohësh çështjet.

E dyta, ajo që kërkohet nga Kosova, sipas Marrëveshjes së Ohrit, është diçka për të cilën Kosova tashmë është zotuar ta bëjë më 2013, dhe madje e ka ratifikuar në Parlament. Më tregoni, pra, se si një gjë e tillë është jo fer.

Nëse mendoni se mund të merrni gjithçka falas, atëherë sigurisht se kur ju kërkohet ta kryeni pjesën tuaj, mund t’ju duket e padrejtë. Por, në jetën reale, mes të rriturve, duhet të japësh që të marrësh. Të dyja palët. Kjo është e vetmja mënyrë se si mund të arrish marrëveshje. Dhe, sulmet personale nuk do të ndihmojnë, sepse ato, në fakt, diskreditojnë njerëzit që sulmojnë.

Radio Evropa e Lirë: A shihni ndonjë rrezik të destabilizimit në Ballkan, nëse dialogu vazhdon me ritmin aktual dhe të dyja palët vazhdojnë të bëjnë ata që ju i konsideroni hapa të njëanshëm?

Mirosllav Lajçak: Po. Sepse, ose do të kemi normalizim, që do të sillte stabilitet, do t’i hapte rrugën bashkëpunimit rajonal, i cili po ngec aktualisht, ose do të vazhdojmë me veprime të pakoordinuara, me veprime të ngutshme, të cilat prapë s’janë të koordinuara, dhe mund të bëhen armiqësore apo edhe të dhunshme. Dhe, mund të ngelemi të zënë për shumë vite me këtë përsëritje, do të thosha unë, të shpërthimeve [të situatave] destabilizuese.

Kjo, sigurisht, ia pamundëson rajonit të përparojë në rrugën evropiane. Prandaj, normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nuk është vetëm çështje e tyre. Është çështje rajonale dhe evropiane, madje.

“Serbia nuk është tërhequr nga Marrëveshja e Ohrit”

Radio Evropa e Lirë: Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë se konsideron se Serbia tashmë është tërhequr nga Marrëveshja Bazë. Prandaj, nëse Kosovës i kërkohet prapë ta formojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe, ajo duhet të ulet dhe të flasë me aleatët e saj për të kërkuar garanci të sigurisë. Sa realiste është kjo?

Mirosllav Lajçak: Serbia nuk është tërhequr nga Marrëveshja. Ajo vazhdon të jetë ligjërisht obliguese dhe e vlefshme në tërësinë e saj. Bashkimi Evropian e ka thënë këtë shumë herë. Dhe, po ashtu, të gjitha obligimet e Serbisë sipas Marrëveshjes tashmë janë inkorporuar në Kapitullin 35 të negociatave për anëtarësimin e Serbisë në BE. Pra, ato janë, po ashtu, ligjërisht obliguese ndërmjet Serbisë dhe Bashkimit Evropian.

Kësisoj, nuk ka nevojë për qasje alternative. Unë mendoj se presidenti [francez, Emmanuel] Macron e tha shumë qartë dje [në Beograd]. Rruga është e shtruar. Dhe, rruga është Marrëveshja e Ohrit. Ai tha se Serbia ka një vend në Evropë. Por, ai, po ashtu, kritikoi Kosovën për… Po i referohem pjesës që lidhet me dialogun. Ai e bëri shumë të qartë se e mbështet plotësisht Marrëveshjen e Ohrit. Franca ka luajtur një rol shumë të rëndësishëm dhe aktiv. Dhe, e dyta, nuk ka alternativë ndaj zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit. Kjo ishte, mendoj unë, shumë e qartë nga ajo që tha ai. Dhe, pjesën tjetër po ua lë të tjerëve ta komentojnë.

“Nuk është bërë mjaftueshëm për gjykim të përgjegjësve për sulmin në Banjskë”

Radio Evropa e Lirë: I dërguari i ri amerikan për Ballkanin, Alexander “Sasha” Kasanof do të marrë pjesë në forumin Globsec. A do ta takoni? A e keni kontaktuar?

Mirosllav Lajçak: Natyrisht. E kemi kontaktuar nëpërmjet telefonit. Por, do të takohemi për herë të parë këtu personalisht në Pragë, në Globsec.

Radio Evropa e Lirë: Edhe disa liderë të Ballkanit Perëndimor pritet të vijnë këtu. A do të takoheni me ta? A keni diçka të planifikuar?

Mirosllav Lajçak: Unë gjithmonë takohem me ta. Për mua Globsec-u është konferenca e dytë prej tri të tillave që po organizohen në këtë kohë. Isha në Alpbach. Tani jam në Globsec. Do të jem në Bled javën tjetër. Në secilën prej këtyre konferencave kam shumë takime me liderë të Ballkanit, dhe këtë e kam bërë përgjatë viteve. Është gjithmonë mundësi e mirë për t’u takuar dhe të biseduar për çështjet aktuale.

Radio Evropa e Lirë: Do ta ndryshojmë pak temën. Kosova thotë vazhdimisht që presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, është prapa sulmit në Banjskë. Si e komentoni?

Mirosllav Lajçak: Agjencitë e sigurisë tashmë i kanë bërë deklaratat e tyre dhe unë vetëm mund të përsëris atë që kanë thënë. Natyrisht që ka qenë diçka shumë e tmerrshme dhe shumë e rrezikshme. Dhe, ka ndryshuar shumë gjëra në dinamikat rajonale. Pozicioni i Bashkimit Evropian është që gjithçka duhet të hetohet siç duhet dhe personat që janë përgjegjës duhet të mbajnë përgjegjësi.

Radio Evropa e Lirë: A ka bërë mjaftueshëm Serbia për t’i gjykuar ata që kanë qenë përgjegjës për sulmin në Banjskë, përfshirë Millan Radoiçiqin, i cili është i lirë dhe besohet se është në Serbi?

Mirosllav Lajçak: Qartazi nuk mund të thuhet se është bërë mjaftueshëm kur njerëzit që janë përgjegjës, duke nisur me Millan Radoiçiqin, që e ka pranuar përgjegjësinë, nuk është përballur ende me drejtësinë. Natyrisht se askush nuk mund të thotë se është bërë mjaftueshëm. E përsërisim që ai duhet të mbahet përgjegjës për atë që ka bërë.

“Po bëhet më e vështirë heqja e masave”

Radio Evropa e Lirë: Pse BE-ja nuk i ka larguar ende masat ndaj Kosovës?

Mirosllav Lajçak: Kjo është në dorë të vendeve anëtare. Vendet anëtare e kanë marrë vendimin për t’i vendosur masat dhe vendet anëtare tani janë duke diskutuar çfarë të bëjnë me masat. Kjo nuk është çështje e dialogut. Dinamika e vendeve anëtare është që duhet pasur konsensus të 27 vendeve anëtare.

Radio Evropa e Lirë: E kuptoj, por ne kemi dëgjuar prej disa diplomatëve që disa vende janë duke hezituar. A keni mundur të bisedoni me këto vende? Cilat janë dilemat e tyre? Pse nuk po i tërheqin masat?

Mirosllav Lajçak: Pozicionin tim e kam bërë shumë të qartë publikisht. Menjëherë pas Banjskës kam bërë thirrje publike për heqje të masave kundër Kosovës, si gjest i mbështetjes dhe solidaritetit në këtë periudhë të vështirë. Mendoj që e kemi humbur një mundësi të mirë për t’i hequr. Më vonë, siç po e shohim, po bëhet më e komplikuar dhe më e vështirë. Por, është në agjendë të Këshillit dhe vendet anëtare po vazhdojnë të diskutojnë për to.

“Me të dërguarin e ri nuk do të ketë proces të ri dialogu”

Radio Evropa e Lirë: A do të ketë të dërguar të ri të BE-së për dialogun pasi ta përfundoni mandatin? Kemi dëgjuar prej disa diplomatëve që kjo pozitë nuk do të ekzistojë më dhe që përfaqësuesja e Lartë për Punë të Jashtme do të merret me dialogun, që do të thotë Kaja Kallas në legjislaturën e ardhshme.

Mirosllav Lajçak: Do të takohem me të dërguarin e ri të BE-së në ditët në vijim dhe do të diskutojmë, natyrisht, për të gjitha në hollësi. E kemi një takim të caktuar. Por, nuk dua të parashikoj rezultatin, porse mund të jem i sigurt që do të ketë të dërguar të BE-së dhe ekipi do të vazhdojë, sepse është vërtetuar se është i rëndësishëm, sidomos për përfaqësuesin e Lartë, sepse përfaqësuesi i Lartë ka shumë punë para vetes. Ballkani dhe procesi i normalizimit kanë nevojë për dikë që është i fokusuar në të dhe e vëzhgon 24/7. Kjo është saktësisht ajo që bëjmë. Puna nuk është kryer ende dhe prandaj duhet të vazhdojë. Unë besoj që duhet të ketë të dërguar të BE-së që e asiston përfaqësuesin e Lartë, derisa të zbatohet Marrëveshja e Ohrit. Kjo është pozitë shumë e qartë.

“Momentum i ri i BE-së për zgjerim”

Radio Evropa e Lirë: Në fund, zgjerimi i BE-së ka ngecur më 2013, dhe Kroacia është e fundit që është anëtarësuar. A do të ndryshojnë dinamikat, apo a duhet të ndryshojnë nën udhëheqësinë e re të BE-së?

Mirosllav Lajçak: Dinamikat kanë ndryshuar tashmë. Fakti që procesi i zgjerimit është ndaluar, është për keqardhje, dhe është gabim i madh që ka kontribuuar në shumë zhvillime negative në rajon.

Bashkimi Evropian e ka kuptuar që ka qenë gabim dhe duhet të jemi më seriozë sa i përket zgjerimit. Paradoksalisht, ky zgjim ndodhi si pasojë e agresionit të [presidentit rus, Vladimir] Putinit kundër Ukrainës, dhe kur BE-ja vendosi të ftojë Ukrainën dhe Moldavinë që t’i bashkohen BE-së. Kjo është mundësi e madhe për Ballkanin. Dera që ka qenë e mbyllur për 10 vjet dhe tani është e hapur. Derën e ka hapur gjeopolitika, por ajo nuk do të garantojë anëtarësimin e Ballkanit Perëndimor.

Prandaj, i përket secilit shtet të Ballkanit Perëndimor që ta shfrytëzojë këtë mundësi, sa më gjatë që mundet, për ta mbajtur derën të hapur. Ekziston momentum i ri, mirëpo duhet kryer detyrat e shtëpisë, duhet bërë reforma. Është e rëndësishme, sepse në të kaluarën, mund të keni qenë të gatshëm, por dera ka qenë e mbyllur. Tani dera është e hapur. Kjo nënkupton se ata që janë gati dhe të përkushtuar, e kanë këtë mundësi historike.

Kthimi i Trumpit apo fitorja e Harrisit? Ballkanin mund ta presin ndryshime, thotë Joseph (Intervista e plotë)

Valona Tela

Edward P. Joseph, ligjërues në Universitetin Johns Hopkins në SHBA, flet në një intervistë për Radion Evropa e Lirë për ndikimin që mund ta ketë rezultati i zgjedhjeve në Shtetet e Bashkuara në Ballkanin Perëndimor.

Joseph thotë se rikthimi i mundshëm i Donald Trumpit në presidencë, mund të çojë në ndryshime drastike në politikën e jashtme të SHBA-së. Në atë rast, ai nuk e përjashton mundësinë e një marrëveshjeje me Rusinë për Ukrainën, që, siç thotë, do të ndikonte drejtpërdrejt në Ballkan.

Për fitoren e mundshme të Kamala Harrisit nuk është i sigurt se çfarë do të sillte, por, sipas tij, do të ishte e rëndësishme që Harris ta adresonte “paradoksin ballkanik”.

“Pas pushtimit rus të Ukrainës në shkurt të vitit 2022, Perëndimi është më i fuqishëm dhe më i bashkuar dhe Rusia është më e dobët dhe më e izoluar, ndërsa situata në Ballkan është përkeqësuar. Ky është paradoksi ballkanik”, thotë Joseph.

Ai flet edhe për vizitën e shefit të CIA-s, William Burns, javën e kaluar në disa vende të Ballkanit.

Radio Evropa e Lirë: Fushata zgjedhore në SHBA po merr hov, ndërkohë që gara mes dy kandidatëve është tejet e ngushtë. Ka shumë pasiguri – sondazhet nxjerrin në epërsi herë Harrisin, herë Trumpin. Sa ndihet kjo pasiguri në rajonin e Ballkanit Perëndimor?

Edward P. Joseph: Fakti që gara është e ngushtë, nuk e ndikon Ballkanin, por e ndikon perspektiva e rikthimit të Donald Trumpit në presidencë. Cilido kandidat tjetër republikan të ishte – qoftë të kaluarit si Mitt Romney apo George Bush, apo të mëvonshmit si Marco Rubio apo Nikki Haley – ju nuk do të më pyesnit nëse kjo zgjedhje do ta ndikonte Ballkanin. Do të ishte me interes për Ballkanin, por nuk do të ndikonte në Ballkan.

Ajo që e prek rajonin, është perspektiva e rikthimit të Donald Trumpit dhe qasja thelbësisht tjetër ndaj politikës së jashtme dhe ndaj rolit të Amerikës në botë. Kjo, padyshim, do të ndikonte në Ballkan dhe në pjesën tjetër të botës. Sepse, [në atë rast] ekziston perspektiva e një aleance krejt tjetër – e një aleance me autokratë – që do të vinte në pikëpyetje vazhdimin e qasjes së njëjtë ndaj [presidentit rus, Vladimir] Putin dhe ndaj Ukrainës. Njëjtë do të ishte edhe me Ballkanin: do të vazhdohej apo do të lihej mënjanë përkushtimi ndaj disa parimeve në Ballkan.

Radio Evropa e Lirë: Konkretisht, si do ta ndikonte Ballkanin rikthimi i mundshëm i Trumpit?

Edward P. Joseph: Një ndër çështjet kryesore me efekt në Ballkan, është Ukraina, lufta në Ukrainë. Ai [Trump] mund të përpiqet të arrijë marrëveshje me Rusinë për Ukrainën dhe ta shtyjë Ukrainën drejt një zgjidhjeje territoriale. Nëse e bën këtë, duke treguar një lloj marrëdhënieje miqësore me Putinin, kjo ndikon menjëherë në Ballkan. Sepse, aleanca me autokratë si Putini nënkupton qasje më të butë ndaj [presidentit të Serbisë, Aleksandar] Vuçiq. Për mendimin tim, edhe administrata e Bidenit ka qenë tejet e butë ndaj tij.

Duhet theksuar se Harris, kur e ka pranuar nominimin e Partisë Demokratike në Çikago, ka thënë se nuk do të miqësohet me autokratë.

Radio Evropa e Lirë: Në politikën e jashtme, amerikanët kanë çështje të mëdha në agjendë – ju e përmendet luftën në Ukrainë, pastaj është lufta në Gazë. Në krejt këtë vorbull ngjarjesh, ata kanë kthyer vëmendjen edhe kah Ballkani – gjë të cilën mund të themi se e dëshmon edhe vizita e shefit të CIA-s, javën e kaluar…

Edward P. Joseph: Ajo që mund të nxjerrim nga kjo vizitë, është shqetësimi i vazhdueshëm i administratës Biden për Ballkanin. Duhet kujtuar se në fillim të kësaj administrate, ka pasur zyrtarë që e kanë thënë publikisht në seanca dëgjimore të Kongresit se nuk ka ndonjë arsye për t’u shqetësuar për konflikte në Ballkan. Tani, në gusht të vitit 2024, keni drejtorin e CIA-s, i cili është i përfshirë në negociatat jashtëzakonisht komplekse për armëpushimin [në Gazë], që shkon në së paku tri kryeqytete të Ballkanit.

Arsyeja që ka shkuar nuk ka të bëjë me mbajtjen e interesimit në rajon, por ka të bëjë me brengat dhe shqetësimet për të. Dhe kjo dallon nga ajo që kemi dëgjuar në fillim të administratës Biden.

Radio Evropa e Lirë: A po përpiqet SHBA-ja të përfundojë ndonjë gjë në Ballkan përpara zgjedhjeve?

Edward P. Joseph.

Edward P. Joseph.

Edward P. Joseph: Unë nuk e shoh kështu. Do të ishte mirë sikur të ishte dhe sikur të kishte ndonjë iniciativë, por unë nuk e shoh vizitën e Burnsit në këtë kontekst. Ajo ishte një vizitë për frenim, për t’i paralajmëruar aktorët si [presidenti i Republikës Sërpska, Millorad] Dodik dhe të tjerët që do të mund të merrnin hapa destabilizues. Dhe, Burns është një përçues shumë i mirë i mesazheve.

Dërgimi i tij ka qenë një veprim i mirë, por unë nuk e shoh atë si pjesë të ndonjë misioni të shpëtimit, apo të ndonjë zgjidhjeje.

Nëse ka nisma të fshehta, do të ishte mirë, por nuk i shoh ato si qëllim të vizitës së tij. Për mua, ajo ishte një paralajmërim i ashpër për ata që do t’i përkeqësonin gjërat, dhe jo për t’i përmirësuar gjërat ose për të mbyllur çështje të hapura.

Radio Evropa e Lirë: Për çfarë mendoni se mund të ketë diskutuar Burns në Kosovë?

Edward P. Joseph: Shikojeni fotografinë që është publikuar. Keni parë Burnsin të ulur pranë kryeministrit [të Kosovës, Albin] Kurti. Në të djathtë të Burnsit ka qenë ambasadori [i Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Jeffrey] Hovenier, duke marrë shënime.

Unë mendoj se ajo që Burns i ka thënë Kurtit, është mesazhi që ka dhënë edhe ambasadori Hovenier për të mos ndërmarrë veprime të njëanshme dhe për të mos destabilizuar rajonin.

Si drejtor i CIA-s, Burns mund të ketë kërkuar edhe rritjen e ndërgjegjësimit për aktivitetet dhe interesimin e Rusisë në rajon.

Në anën tjetër, Kurti mund t’i ketë bërë presion Burnsit për pozicionin e SHBA-së ndaj Vuçiqit dhe për rastin e sulmit në Banjskë. Sepse, Burns është personi ideal për t’u pyetur në lidhje me Banjskën, çfarë ka ditur Vuçiq dhe cili ka qenë roli i tij. Ky mund të ketë qenë një moment ideal për ta ngritur këtë çështje. Nuk e di nëse Kurti e ka bërë këtë, por shefi i CIA-s është personi ideal.

Unë besoj që edhe në Beograd, Burns ka pasur një takim të hapur me Vuçiqin, ku me terma të qartë ia ka bërë të ditur se ne e dimë se çfarë ka ndodhur në Banjskë, e dimë se cili ka qenë roli juaj president Vuçiq dhe i dimë aktivitetet e figurave të tjera në Qeverinë tuaj. Pra, e dimë se çfarë ka bërë Qeveria juaj për të destabilizuar situatën dhe ne presim që t’i ndaloni ato veprime.

Unë shpresoj që Burns ta ketë thënë këtë në Beograd, por, sigurisht, ato janë takime konfidenciale dhe nuk e di.

Radio Evropa e Lirë: A mendoni se kjo vizitë do të ndryshojë ndonjë gjë në raportet Kosovë-Serbi?

Edward P. Joseph: Ndoshta jo në mënyrë drastike menjëherë, por ka potencial. Sepse, nëse Kurti dhe Vuçiq e kuptojnë qartazi se Shtetet e Bashkuara e dinë – dhe normalisht e dinë sepse Burns është shef i inteligjencës – se cilat veprime e destabilizojnë situatën dhe se SHBA-ja nuk do t’i tolerojë ato, atëherë një gjë e tillë mund t’i largojë disa tundime nga tryeza dhe ndoshta ta ripërqendrojë vëmendjen te bashkëpunimi. Mendoj kështu potencialisht, por nuk shoh diçka të menjëhershme apo dramatike.

Radio Evropa e Lirë: Në Bosnje, njëri entitet udhëhiqet nga njerëz që janë në listën e zezë të SHBA-së, por edhe në Qeverinë e Serbisë ka persona të tillë. A mund të arrihet diçka me këta njerëz?

Edward P. Joseph: Unë shpresoj. Kemi indikacione se vizita e Burnsit i ka pasur disa efekte, sepse Dodik ka deklaruar më pas se qëllim i Republikës Sërpska nuk ka qenë kurrë ndarja nga pjesa tjetër e Bosnje e Hercegovinës. Kjo më sugjeron të mendoj se mesazhi i Burnsit në Banja Llukë ka pasur ndikim.

Në Beograd, nuk jam i sigurt se është marrë mesazhi, sepse administrata Biden ka qasje konfliktuale ndaj Beogradit, ndryshe prej Banja Llukës. Zyrtarë të caktuar amerikanë e lavdërojnë vazhdimisht Qeverinë e Serbisë për atë që bën, për shembull, në Ukrainë.

Radio Evropa e Lirë: Folët më herët për ndikimin e fitores së mundshme të Trumpit në Ballkan. Dua t’ju pyes për fitoren e mundshme të Harrisit. Si do ta ndikonte ajo Ballkanin dhe problemin mes Kosovës dhe Serbisë konkretisht?

Edward P. Joseph: Nuk e di përgjigjen në këtë pyetje dhe nuk e di nëse do të jetë një vazhdimësi e qasjes së Bidenit, e cila në disa aspekte ka qenë vazhdimësi e qasjes së Trumpit. Trump ka shtyrë përpara mini-Schengenin, Biden ka shtyrë përpara Ballkanin e Hapur.

Situata në Ballkan është përkeqësuar dhe nëse Harris do t’i marrë parasysh vështirësitë që Biden ka hasur në Ballkan që nga fillimi i luftës në Ukrainë dhe do të provojë diçka ndryshe, nuk e di.

Radio Evropa e Lirë: Mendoni se SHBA-ja duhet të angazhohet më shumë në Ballkan?

Edward P. Joseph: Nëse më pyesni se çfarë do të duhej të bënte Harris… ajo duhet t’i shqyrtojë me kujdes vështirësitë që ka pasur administrata Biden dhe të përballet me – siç e kam quajtur unë në shkrimet e mia – paradoksin ballkanik. Ajo duhet të përballet me paradoksin ballkanik.

E, çka është paradoksi ballkanik? Pas pushtimit rus të Ukrainës në shkurt të vitit 2022, Perëndimi është më i fuqishëm dhe më i bashkuar dhe Rusia është më e dobët dhe më e izoluar, ndërsa situata në Ballkan është përkeqësuar. Ky është paradoksi ballkanik. Pse situata në Ballkan është përkeqësuar kur Perëndimi është më i fortë dhe më i bashkuar dhe Rusia është më e dobët dhe më e izoluar? Pse raportet mes Kosovës dhe Serbisë janë edhe më të përkeqësuara? Pse situata e brendshme në Serbi është përkeqësuar? Pse janë përkeqësuar raportet mes Serbisë dhe Malit të Zi? Pse janë përkeqësuar raportet mes Serbisë dhe Kroacisë?… Kamala Harris dhe këshilltarët e saj do të duhej të përballeshin me paradoksin ballkanik. Dhe, ndryshe nga zyrtarë të lartë të administratës Biden, ata duhet të ndalojnë së pretenduari se ai nuk ekziston.

Intervista- Prelec: Hapja e urës së Ibrit, si akt simbolik, pa mbështetjen e perëndimit mund të nxisë tensione

VOA/Edlira Bllaca

Eksperti për Ballkanin në Grupin Ndërkombëtar të Krizave, Marko Prelec, beson se hapja e urës kryesore mbi Ibër në Mitrovicë pa mbështetjen e perëndimit, mund të nxisë tensione të reja në veriun e Kosovës. Në një bisedë Zërin e Amerikës, zoti Prelec thotë se kjo çështje vlen të trajtohet në dialog, të paktën si një gjest miqësor ndaj Bashkimit Evropian për mbështetjen që i ka dhënë Kosovës.

Eksperti për Ballkanin në Grupin Ndërkombëtar të Krizave, Marko Prelec, tha se hapja e urës kryesore mbi Ibër, si një akt simbolik, pa mbështetjen e perëndimit mund të nxisë tensione të reja në veriun e Kosovës.

Në një intervistë me Zërin e Amerikës, zoti Prelec tha se shmangia e tensioneve të reja në Kosovë, mund të ketë qenë një nga temat e diskutimeve të Drejtorit të Agjencisë Qendrore amerikane të Zbulimit (CIA), William Burns, gjatë takimeve me udhëheqësit e Kosovës. Ai beson se vizita e zotit Burns, i cili qëndroi në Kosovë pas vizitave në Bosnjë dhe Serbi, synonte “të çojë përpara disa interesa amerikane rreth qëndrueshmërisë së rajonit”.

Vizita përkoi me një kohë kur qeveria amerikane po kundërshton vendimet për veriun e Kosovës të qeverisë së kryeministrit Albin Kurti, përfshirë synimet për hapjen e urës që ndan dy komunat e qytetit – jugun më shumcië shqiptare dhe veriun me shumicë serbe.

Zoti Prelec tha se hapja e urës, më shumë se gjithçka tjetër, është një akt simbolik.

“Janë tri ura në qytet, dy prej të cilave janë të hapura për trafikun e makinave, ndërkaq ura kryesore, është dhe ka qenë, për sa kohë mbaj mend e hapur për këmbësorë dhe përdoret gjerësisht. Unë vet e kam kaluar shumë herë. Mund të shihni njerëz që shkojnë nga veriu në jug për blerje, nga jugu në veri për takime, kështu që kjo nuk është si shembja e murit të Berlinit, është një akt simbolik sepse është në qendër dhe sepse menjëherë pas ndërhyrjes së NATO-s në vitin 1999 kjo urë ishte epiqendra ku prania paraushtarake serbe në veri u përpoq të ndalojë shqiptarët e armatosur ta kalonin urën, pra ishin aty të ashtuquajturit rojet e urës”, tha ai.

Shtetet e Bashkuara, NATO-ja dhe Bashkimi Evropian kërkojnë zgjidhjen e kësaj çështjeje në kuadër të dialogut në Bruksel.

Zoti Prelec, thotë se kjo çështje ia vlen të trajtohet në dialog, të paktën si një gjest miqësor ndaj Bashkimit Evropian për mbështetjen që i ka dhënë Kosovës.

“Mendoj se ka një kohë që dialogu është në një lloj kome dhe kjo ka të bëjë me synimin e tij thelbësor, që t’i shtyjë palët drejt normalizimit në një mënyrë gjithëpërfshirëse. Qartazi që kjo nuk po ndodhë dhe nuk duket të ketë shumë perspektivë në ringjalljen e atij dialogu politik drejt normalizimit në të ardhmen e afërt, të paktën jo këtë vit. Por, ajo që dialogu mund të bëjë është të trajtojë çështje të nivelit më të ulët si çështja se çfarë të bëhet me urën kryesore në Mitrovicë”, thotë zoti Prelec.

Ai beson se hapja e urës pa bashkërendim ndërkombëtar mund të nxisë tensione të reja.

“Por nuk pres domosdoshmërisht të ketë ndonjë lloj dhune, mund të shohim demonstrata. Përshtypja ime, duke theksuar se kanë kaluar disa muaj prej që kam vizituar Kosovën dhe gjërat mund të kenë ndryshuar, por nga hera e fundit që kam qenë në veri përshtypja ime është se popullata atje është mjaft e frikësuar dhe se nuk ndihet sikur është në pozicion të kryej akte që tregojnë forcën siç është provuar në të kaluarën me vendosjen e barrikadave apo individ të caktuar që kryenin veprime, që disa do t’i cilësonin si paraushtarake, e të tjerë si terrorizëm kundër shtetit. Nuk duket të ketë gatishmëri tani për tani në veri të Kosovës për të bërë diçka të tillë”, tha ai.

Shtetet e Bashkuara kanë theksuar se mungesa e bashkërendimit të qeverisë së Kosovës rreth veprimeve në veri tashmë ka dëmtuar partneritetin ndërmjet dy qeverive. Bashkimi Evropian ka paralajmëruar mundësinë e shtimit të masave ndëshkuese për Kosovën. Zoti Prelec tha se pohimi i kritikëve se qeveria po “vë në rrezik aleancat”, mbase është një qëndrim tepër i fortë, por sipas tij, është shumë e qartë për një grup të gjerë të vëzhguesve se qeveria e Kosovës tashmë ka dëmtuar marrëdhëniet me aleatët e saj më të rëndësishëm në një shkallë domethënëse.

“Shtetet e Bashkuara ndoshta janë më të zëshme se të tjerët por edhe Bashkimi Evropian dhe vende të ndryshme anëtare si Franca, Gjermania, Italia kanë qenë mjaftë të qarta rreth dëmit që u është shkaktuar marrëdhënieve dhe faktit se janë më pak të gatshëm të ndërhyjnë në emër të Kosovës. Kështu që kjo tashmë ka ndodhur. Nuk shoh shumë mundësi për përshkallëzim të mëtejshëm sepse në veri të Kosovës mendoj që qeveria i ka arritur synimet e saj. Ka përmbushur këto synime në kuptim të ndërmarrjes së hapave të rëndësishëm për të larguar institucionet serbe dhe për vendosjen e autoritetit të saj dhe tërësisë tokësore. E ka paguar një çmim për këtë dhe tani kjo është e kryer”, tha zoti Prelec.

Në një intervistë me Zërin e Amerikës në fillim të kësaj jave, kryeministri i Kosovës Albin Kurti, duke folur lidhur me përplasjet me Perëndimin dhe kritikat e opozitës për mungesë bashkërendimi me aleatët për shumë çështje, tha se dallimet në qëndrime nuk kanë qenë asnjëherë në qëllime, vlera e parime, por vetëm në strategji, taktika dhe operacione.

Intervista- Lela: PD viktimë e anomalisë, që ka çuar në rritje të Edi Ramës skandal pas skandali

VOA/Menada Zaimi

Drejtori i Komunikimit në Partinë Demokratike Alfred Lela thotë se në Shqipëri nuk ka zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe se opozita është viktimë prej vitesh e këtij fenomeni. Gjatë intervistës për Zërin e Amerikës, zoti Lela shton se nëse në çdo vend demokratik, një skandal do të dëmtonte një parti në pushtet, krejt e kundërta ndodh në Shqipëri. Ai sjell shembuj të disa garava elektorale mes tyre zgjedhjet e fundit në Himarë, që sipas tij ishin të manipuluara.


Zëri i Amerikës: Zoti Lela, po nis pyetjen e parë duke marrë shkas nga Kuvendi Kombëtar i Demokratëve që është në ditën e dytë të tij. U parapri, siç ju e dini, nga tërheqja e Presidentit Biden nga gara, duke i hapur rrugën kandidimit zyrtarisht të Nënpresidentes Harris. Pse në Shqipëri, zoti Lela është kaq shumë e vështirë që udhëheqësit t’i hapin rrugën dikujt tjetër. Mjaft të kujtojmë që nga fillimet e demokracisë ka shumë pak emra të cilët kanë drejtuar vendin. Përveç zotit Nano, që u tërhoq, pothuajse të gjithë vazhdojnë të jenë në jetën politike, përfshirë edhe zotin Berisha, i cili mori drejtimin e Partisë Demokratike.

Alfred Lela: Unë mendoj që rrethanat dhe kultura janë krejt të ndryshme dhe meqë përmendët zotin Berisha është fakt që zoti Berisha është tërhequr një herë. Pra, është politikani që pas humbjes së zgjedhjeve në vitin 2013, u tërhoq, dha dorëheqjen, ia la vendin e kryetarit të Partisë Demokratike nëpërmjet zgjedhjeve, e dimë tashmë historinë, zotit Lulzim Basha. Pra zoti Berisha e ka bërë aktin e tërheqjes.

Nëse futemi tek detajet dhe kontekstet e tjera, pastaj do na duhet më shumë kohë për të folur për kulturën politike e me radhë. Por fakti është që Sali Berisha u tërhoq në vitin 2013. Nëse do të diskutojmë se pse u rikthye, edhe ajo kërkon kohën e vet.

Zëri i Amerikës: Por nëse mund ta sillni në sintezë se përse u rikthye…

Alfred Lela: Ishte jashtë vullnetit të zotit Berisha. U kthye, u rikthye për të, do të duket e tepërt po ta them, por gjithsesi për mua ky është një fakt. U rikthye për të shpëtuar opozitën e cila, sipas kronikave që edhe ju keni transmetuar, ishte drejt shpartallimit, e gjendur në një rrethim si të jashtëm ashtu edhe të brendshëm. Kur them të jashtëm kam parasysh ish agjentin e FBI-së, Charles McGonigal, i cili në dosjen e Departamentit të Drejtësisë, të transmetuar edhe prej jush, figuronte si i paguar nga qeveria shqiptare për të dëmtuar Partinë Demokratike në opozitë.
Sa i takon faktorit të brendshëm, mbipushteti i 11 viteve të fundit të Edi Ramës, i cili ka kapur të gjitha levat. I ndodhur para këtij rreziku, përfshirë këtu edhe një non grata, të cilën vet zoti Berisha e cilëson si të padrejtë – i këtij mendimi jam edhe unë, sepse faktet, dokumentet që janë kërkuar, mbi të cilat u shpall non grata zoti Berisha, nuk janë sjellë ende.

Pra ishte një precedent i paprecedentë, pra një kthim do të thoja unë, i pavullnetshëm. Vullnetar ishte ikja e zotit Berisha, e ka bërë gjestin e ikjes, dorëheqjes; i pavullnetshëm ishte rikthimi. Shkonte, mendoj unë, përtej zotit Berisha dhe kishte të bënte dhe ka të bëjë ende me fatet e opozitës.

Zëri i Amerikës: Zoti Lela, vendimi i Apelit, që i njohu drejtimin Partisë Demokratike, zoti Berisha u pa si një fund i një krize brenda kësaj force politike. Megjithatë testi i parë elektoral, që ishte Himara, rezultoi në një tjetër dështim përballë socialistëve. Kur ka mbetur më pak se një vit nga zgjedhjet e radhës, opozita duket e dobët dhe jo një alternativë bindëse për të marrë pushtetin. A ka kohë opozita për ta përmbysur këtë situatë në favor të saj?

Alfred Lela: Nuk e di, a do ta quaja dështim të opozitës. Do të doja të flisja me veten, duke iu drejtuar publikut tuaj, ata që na ndjekin, si ka mundësi që një qeveri, që ka shumicën në Shqipëri aktualisht, që është ajo e Edi Ramës, fiton, e thellon rezultatin pas skandaleve. Ka ndodhur kjo me Dibrën, ka ndodhur kjo me Rrogozhinën, ndodhi edhe me Himarën. Pra unë mendoj që pyetja ekzistenciale mendoj unë për fatet e vendit, jo më për Partinë Demokratike, apo Partinë Socialiste, është pse ndodh kjo? Pra si i përgjigjemi kësaj anomalie dhe a është Partia Demokratike viktimë e kësaj anomalie apo është përpunuese e saj? Unë mendoj që është viktimë e kësaj anomalie, e tillë është edhe shoqëria, sepse pyetja mbetet. Nuk ndodh askund në botë, edhe në vendet e botës së tretë, në Amerikë sigurisht jo e jo, që një kryebashkiak, një kryetar qeverie, një president të bëj skandal dhe të dalë më i fortë në raundin tjetër të zgjedhjeve. Ne përballë kësaj anomalie jemi. Sigurisht, opozita ka punët e veta për të bërë. Por pa rregulluar këtë anomali, pa u përballur me të, rregullimi vjen duke e pranuar, duke thënë që ekziston kjo anomali. Çfarë duhet të bëjmë? E ka fajin opozita?! Sepse, Shqipëria është edhe në këtë anomalinë tjetër…..

Zëri i Amerikës: Ju po thoni që janë manipuluar zgjedhjet?

Alfred Lela: Sigurisht që po. Do ta përsëris tani një slogan të vjetër të Partisë Demokratike: “Pa zgjedhje të lira nuk ka zgjidhje”. Dhe prandaj nuk ndodh asnjë zgjidhje. Prandaj, Rrogozhinën e humbet qeveria në raundin e parë dhe e fiton me rezultat dërrmues në raundin e dytë. Dibrën, pas skandalit seksual të ish kryetarit socialist të bashkisë….ndodh skandali dhe në raundin e tjetër fiton përsëri Partia Socialiste. E njëjta gjë ndodhi me Himarën. Kemi histori të tilla pa fund. Mendoj, se kjo është ajo me të cilën ne duhet të përballemi dhe duke filluar nga kjo të kërkojmë zgjidhjet.

Zëri i Amerikës: A nuk janë këto çështje, të cilat duhen ngritur në gjykata, duhen provuar gjithsesi? Ju mund të pretendoni që janë manipuluar zgjedhjet, por fakti është që ju vazhdoni të mbeteni në opozitë?

Alfred Lela: Po fakti është edhe që të gjitha kanë shkuar në gjykata. Tani futemi edhe në diskutimin e gjykatave, rolin e tyre dhe çuditërisht pandjeshmërinë e gjykatave mbi rënien e sistemit dhe atë që në Amerikë është shumë e shtrenjtë, po që duhet të ishte edhe në Shqipëri, pra në çdo vend demokratik: a ka ndarje të pushteteve? A është gjyqësori i ndarë nga ekzekutivi? A është Parlamenti i ndarë nga ekzekutivi? Apo të gjitha këto, në një mënyrë apo tjetër, janë nën kontrollin dhe trysninë e Kryeministrit të vendit.

Zëri i Amerikës: Zoti Lela, një vit më parë mbështetët tezën e mosbindjes civile, e cila u duk se ishte lënë në harresë. Tani po flisni për një qeveri teknike, por pa e shpjeguar se si do të shkohet deri aty. Cila është strategjia e opozitës?

Alfred Lela: Unë nuk i shoh si të ndara mosbindjen civile dhe qeverinë teknike. Pra, janë dy shina, që të çojnë në një drejtim. Mosbindja civile, sepse jetojmë në atë vend që është atdheu ynë, quhet Shqipëri dhe skandalet anulojnë njëri-tjetrin. Pra, janë kaq të shpejtë, kaq shpesh sa anulojnë njëri-tjetrin sa harrohen. Krimi, korrupsioni, onkologjiku rasti më i fundit. Pra, të gjitha këto trysni dhe babëzi në korrupsionin e qeverisë kërkojnë një mosbindje civile. Sigurisht, hyjmë sërish në një diskutim, që do të ishte i gjatë, që pse shoqëria nuk reagon, pse shoqëria ia drejton gjithmonë gishtin opozitës. Ky është një diskutim i gjatë dhe nuk dua t’i hy. Pastaj vijmë tek shina tjetër, që është qeveria teknike. Qeveria teknike, duhet pikërisht për të mos ia lënë këtij njeriu, që i fiton zgjedhjet skandal pas skandali. Humbet raundin e parë, sepse ka ndodhur një skandal, një padrejtësi dhe fiton në raundin e dytë sikur kërkesa e demokracisë, kushti i demokracisë të ishte “bëj një skandal që të rritesh”. Në çdo vend normal pas një skandali zvogëlohesh ose shkon në shtëpi, nuk shkon edhe më në majë.

Intervista- Hovenier: Hapja e urës në Mitrovicë në këtë kohë mund të rrezikojë ushtarët amerikanë

Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, gjatë intervistës për Radion Evropa e Lirë. Prishtinë, 13 gusht 2024.

 

Amra Zejneli Loxha

Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, tha në një intervistë për Radion Evropa e Lirë se ekziston një rrezik real i lidhur me hapjen e urës në Mitrovicë në këtë kohë, që mund të ndikojë në sigurinë e ushtarëve të NATO-s, përfshirë ata amerikanë.

“Ne besojmë se ky rrezik rrit kërcënimin, mundësinë e dhunës dhe problemet e tjera, si për komunitetin lokal, ashtu edhe për ushtarët e NATO-s, përfshirë ushtarët amerikanë që po punojnë për të siguruar paqen dhe sigurinë në Kosovë. Ne e marrim shumë seriozisht çdo veprim që mund të ndikojë në sigurinë dhe mbrojtjen e ushtarëve amerikanë që punojnë për të mbështetur Kosovën”, tha ambasadori amerikan.

“Shpresa jonë është që Qeveria do ta dëgjojë këtë dhe do t’i marrë parasysh këto shqetësime”, shtoi ai.

Qeveria e Kosovës ka thënë se synon të hapë për qarkullim të automjeteve urën mbi Ibër, që ndan Mitrovicën e Jugut me shumicë shqiptare dhe atë të Veriut me shumicë serbe. Me gjithë kundërshtimin e vendeve të QUINT-it dhe NATO-s, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se ura duhet të hapet dhe se “nuk është kundër askujt”.

Paralajmërimi për hapjen e urës u bë pasi autoritetet e Kosovës më 5 gusht mbyllën zyrat e Postës së Serbisë në veri, veprim që është parë nga aleatët e Kosovës si “i pakoordinuar dhe i njëanshëm”.

Hovenier tha se SHBA-ja është sfiduar nga kryeministri dhe Qeveria e tij në disa aspekte.

“Duhet të them se cilësia e partneritetit tonë nuk është ajo që do të shpresonim të ishte në disa nga këto çështje që lidhen me mënyrën se si ai trajton veriun dhe si ai e menaxhon dialogun”.

Ai shtoi se veprimet e pakoordinuara të Qeverisë në veri e zvogëlojnë entuziazmin e SHBA-së për të mbështetur Kosovën në rrugën e saj euroatlantike.

Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier

Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier

“Ju lutemi, mos e ndërmerrni këtë veprim tani”

Radio Evropa e Lirë: Do t’ia filloj me zhvillimet e fundit. Përse nuk është kohë e përshtatshme për të hapur urën në Mitrovicë, për të cilën janë pajtuar edhe Kosova edhe Serbia në Bruksel?

Jeffrey Hovenier: Me të vërtetë më vjen mirë që e shtruat këtë pyetje sepse mendoj se kjo çështje është keqkuptuar. Shtetet e Bashkuara të Amerikës besojnë fuqishëm se nuk është koha për të rihapur urën për qarkullim të automjeteve. Më lejoni të sqaroj diçka.

Ne besojmë se ura përfundimisht do të duhet të hapet për qarkullim të automjeteve dhe kjo gjë, siç e thatë edhe ju, ishte pjesë e dialogut të lehtësuar nga BE-ja. Është arritur një marrëveshje, por ne i kemi kërkuar Qeverisë që të mos vazhdojë me këtë çështje, tash për tash, dhe këtë nuk e kanë bërë vetëm Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kolegët e mi të QUINT-it kanë qenë me mua në një takim me kryeministrin (e Kosovës, Albin Kurti) për këtë çështje.

Arsyeja pse e kërkojmë këtë është se besojmë se ka rrezik të njëmendtë që lidhet me një veprim të tillë tani, si dhe besojmë se ky rrezik shton kërcënimin e mundshëm për dhunë dhe probleme të tjera, si për komunitetin lokal, ashtu edhe për ushtarët e NATO-s, përfshirë ushtarët amerikanë, të cilët po punojnë për të ofruar paqe dhe siguri në Kosovë. Dhe, ne i marrim shumë seriozisht veprimet që mund të ndikojnë në sigurinë e ushtarëve amerikanë që punojnë për të mbështetur Kosovën.

Pra, kërkesa jonë drejtuar Qeverisë – dhe e kemi bërë këtë bisedë qe disa muaj – është: ju lutemi, mos e ndërmerrni këtë veprim tani. Punoni me ne. Duam të ndihmojmë për të krijuar kushte ku diç e tillë mund të bëhet, por nuk besojmë se është koha tani.

Radio Evropa e Lirë: Por, kush mund të shkaktojë dhunë?

Jeffrey Hovenier: Nuk mund të flas se kush mund të shkaktojë dhunë. Vetëm e di se kemi vlerësim që mund të ketë dhunë dhe që është reale dhe pyetja se kush mund të jetë përgjegjës për të, që është pyetje shumë e arsyeshme, nuk e mohon faktin se mund të ketë dhunë dhe rrezik të njëmendtë për komunitetin lokal dhe për ushtarët e NATO-s.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk janë të interesuara që në këtë çast ushtarët amerikanë të përballen me rrezik shtesë për këtë çështje.

Radio Evropa e Lirë: Në reagimin tuaj ndaj mbylljes së Postës së Serbisë, ju thatë se veprimet e pakoordinuara të Kosovës rrezikojnë qytetarët e Kosovës dhe ushtarët e KFOR-it. Por, pikërisht në këtë rast, e dimë se KFOR-i ka një prezencë të përhershme në urë dhe KFOR-i gjithashtu mendon që kjo çështje duhet të diskutohet në dialogun në Bruksel. A mundet kjo çështje në një moment të vë KFOR-in në përballje me autoritetet e Kosovës?

Jeffrey Hovenier: Nuk mund të flas se si do të reagojë Kosova në një situatë të tillë. Mund të them se KFOR-i ka qenë mjaft i qartë se e merr seriozisht edhe këtë çështje.

KFOR-i ndan të njëjtin vlerësim të rrezikut që Shtetet e Bashkuara e kanë për këtë çështje dhe që ne ua kemi bërë të ditur autoriteteve të Kosovës, se hapja tani e urës për qarkullim të automjeteve do të rrisë rrezikun për ushtarët dhe kjo është arsyeja pse KFOR-i ka qenë gjithashtu shumë-shumë i qartë duke shprehur pikëpamjen se kjo duhet të bëhet vetëm në një mënyrë që e zbut atë rrezik. Por, ne nuk besojmë se planet aktuale e marrin parasysh atë rrezik.

“KFOR-i do të reagojë ndaj çfarëdo kërcënimi që do të rriste jostabilitetin në rajon”

Radio Evropa e Lirë: A mundet KFOR-i të refuzojë që të largohet nga ura?

Jeffrey Hovenier: Për këtë duhet të vendosë vetë KFOR-i. KFOR-i ka dhënë një varg deklaratash publike që është i gatshëm të përmbushë detyrat e tij, për të garantuar mjedis të qetë dhe të sigurt, si dhe për të mundësuar liri të lëvizjes në vend, por gjithashtu ka dalë me deklarata që qartësojnë se do të reagojë ndaj çfarëdo kërcënimi që do të rriste jostabilitetin në rajon.

Radio Evropa e Lirë: Pavarësisht këtij qëndrimi të QUINT-it, Shteteve të Bashkuara dhe NATO-s, kryeministri Kurti këmbëngul se ura duhet të hapet dhe se kjo nuk është kundër askujt. Këto ditë kemi parë edhe punime në urë, testime, bisedime me popullatën vendore, edhe pse shumë pak serbë kanë marrë pjesë në to. Pra, duket se kryeministri Kurti po vazhdon me planin e tij, atë që prezantoi në takim para disa ditëve.

Jeffrey Hovenier: Nuk mund të flas për qëllimet e Qeverisë. E di që kryeministri më ka thënë se dëshiron t’i bëjë gjërat në bashkërenditje me bashkësinë ndërkombëtare dhe këtë e ka thënë publikisht. Porosia e bashkësisë ndërkombëtare për kryeministrin është më se e qartë se tani, në këtë çast, ne nuk e mbështesim ndryshimin e statusit të urës. Dhe, arsyeja pse nuk e mbështesim është sepse besojmë se ekziston mundësia për rritje të tensioneve dhe të dhunës, e cila rrit rrezikun për ushtarët dhe për komunitetet lokale, përfshirë edhe për ushtarët amerikanë. Kështu ka shkuar biseda jonë.

Shpresa jonë, kërkesat tona kanë qenë të sinqerta dhe të matura, por të qarta: shpresojmë që Qeveria do t’i marrë parasysh kërkesat e Shteteve të Bashkuara për diçka që ne besojmë se ndikon drejtpërdrejt në sigurinë e ushtarëve tanë dhe ushtarëve të NATO-s që punojnë në Kosovë. Shpresojmë që Qeveria ta dëgjojë këtë kërkesë dhe t’i marrë parasysh këto shqetësime.

Radio Evropa e Lirë: E, nëse nuk i merr parasysh? Si do të reagojnë Shtetet e Bashkuara?

Jeffrey Hovenier: Nuk hyj në çështje hipotetike. Kosova thotë se është partnere dhe mike jona. Kosova na thotë se është vendi më proamerikan në botë, prandaj, do të shpresoja që vendi më proamerikan në botë t’i dëgjojë kërkesat specifike të Qeverisë amerikane për të mos vënë në rrezik ushtarët e NATO-s, përfshirë ata amerikanë.

Radio Evropa e Lirë: Por, menjëherë pas takimit me QUINT-in, kryeministri – kabineti – doli me një deklaratë ku thuhej se ura duhet të hapet dhe po ashtu i kemi parë gjithë ato punime në urë. Pra, ata po vazhdojnë me planin e tyre…

Jeffrey Hovenier: Mund të them vetëm se edhe ne kemi dalë me deklarata pas takimit ku i kemi shprehur pikëpamjet tona, se jemi të shqetësuar për këtë veprim në këtë moment. Sërish, në afat të gjatë, Shtetet e Bashkuara pajtohen, e mendoj që edhe partnerët tanë evropianë po ashtu pajtohen, që ura do të duhej të hapej për qarkullim të automjeteve. Kjo marrëveshje është arritur në dialog. Shtrohet pyetja: si dhe në çfarë rrethanash? E, ne nuk besojmë që janë kushtet e përshtatshme pikërisht tani.

Arsyeja përse nuk besojmë që janë kushtet e përshtatshme pikërisht në këtë çast është për shkak të vlerësimit tonë, të cilin e kemi ndarë vazhdimisht me autoritetet e Kosovës, se kjo gjë shton rrezikun dhe kërcënimin për popullatën lokale dhe për ushtarët e NATO-s, duke përfshirë edhe ushtarët amerikanë.

“Jemi sfiduar nga kryeministri dhe Qeveria e tij”

Radio Evropa e Lirë: Përse kjo urë është kaq e rëndësishme kur dihet që urat e tjera, që janë disa metra më larg, janë të hapura për këmbësorë dhe për qarkullim të automjeteve?

Jeffrey Hovenier: Mendoj se për këtë gjë duhet ta pyesni Qeverinë e Kosovës. Unë nuk kam përgjigje të mirë për të.

Radio Evropa e Lirë: A e konsideroni ende kryeministrin Kurti partner tuajin? A ju konsideron ai juve partner?

Jeffrey Hovenier: Nuk mund të flas se si na konsideron ai. Mund të them vetëm se nga këndvështrimi i Qeverisë së Shteteve të Bashkuara, jemi sfiduar nga kryeministri dhe Qeveria e tij në disa mënyra.

Në disa çështje kemi partneritet të mirë dhe të ngushtë. Kemi punuar së bashku në disa gjëra të rëndësishme për të përmirësuar ekonominë e Kosovës dhe jemi përpjekur për ta ndihmuar vendin që të krijojë një sistem ekonomik që iu ofron mirëqenie më të mirë. Kemi arritur përparim të njëmendtë me autoritetet e shtetit të Kosovës për t’i ndihmuar institucionet mjaft të reja të Qeverisë, që të jenë më efikase në punën e tyre dhe për të ofruar shërbime më të mira për qytetarët, veçanërisht në fushën e sundimit të ligjit.

Por, për këto çështje, më duhet të them se jemi sfiduar nga kryeministri dhe Qeveria e tij, dhe më duhet të them se cilësia e partneritetit tonë nuk është ajo që do të shpresonim të ishte për disa nga këto çështje që lidhen me mënyrën se si merret me çështjen e veriut dhe me atë të dialogut.

Këtë nuk e them vetëm unë. Para pak kohësh, këtu ishte një nënsekretare jona e Shtetit, e cila foli për nevojën dhe shpresën tonë për bashkërenditje dhe bashkëpunim më të mirë. Jim O’Brien, ndihmës-sekretari ynë për Evropën, ka folur publikisht për këtë.

Ne patëm një moment të jashtëzakonshëm dhe do të marr pak kohë që ta lexoj një pjesë të deklaratës, kur hiç më larg se javën e kaluar, pas aksioneve të pakoordinuara kundër zyrave të Postës në veri, zëdhënësi i Departamentit të Shtetit tha: “Jemi të shqetësuar nga vendimet e vazhdueshme të pakoordinuara të udhëheqësisë së Kosovës. Ne besojmë se ato i vënë në rrezik mundësitë që ne kemi ndihmuar që Kosova t’i krijojë. Nëse shikoni, që nga pavarësia e Kosovës, Shtetet e Bashkuara kanë mbështetur fuqimisht integrimin e saj të plotë në bashkësinë ndërkombëtare si një demokraci sovrane dhe shumetnike, por për ta realizuar këtë vizion, i cili është një vizion që ne e ndajmë, ne kemi bashkëpunuar me udhëheqësit e njëpasnjëshëm politikë të Kosovës për masat që fuqizojnë paqen dhe prosperitetin në vend, që e çojnë Kosovën përpara në rrugëtimin euroatlantik. E nxisim këtë Qeveri të Kosovës që të kthehet – – gjë që sugjeron se nuk jemi në atë pikë tani – në një angazhim të ngushtë dhe konstruktiv me Shtetet e Bashkuara, me BE-në, me NATO-n dhe me partnerët e tjerë ndërkombëtarë të Kosovës”.

“Shqetësohem se kah po shkon kjo…”

Radio Evropa e Lirë: Sa kohë do të prisni që Kosova të kthehet? Sa kohë, më lejoni të them, do të toleroni që të sfidoheni?

Jeffrey Hovenier: E dini, Kosova është shtet sovran dhe ne e pranojmë si të tillë. Kështu që nuk e di nëse është çështje e tolerancës. Mendoj se më shumë ka të bëjë me cilësinë e partneritetit tonë. Kemi mëdyshje se sa e përkushtuar është kjo Qeveri për partneritet me ne.

Kur flasim me një Qeveri për gjërat që mund të bëjë të cilat shtojnë rrezikun për ushtarët tanë dhe nuk jemi të bindur se po marrim një përgjigje efektive, kjo ndikon në pikëpamjen tonë se deri në çfarë mase kjo Qeveri po i merr parasysh shqetësimet tona, sa e përkushtuar është kjo Qeveri ndaj partneritetit që duam të kemi.

Radio Evropa e Lirë: A po shqyrtoni ndonjë pasojë?

Jeffrey Hovenier: Shikoni, shqetësohem se kah po shkon kjo. Dua të them, në afat të gjatë, Shtetet e Bashkuara duan të shohin, dhe populli i Kosovës dëshiron ta shohë Kosovën duke përparuar drejt strukturave evropiane dhe euroatlantike. Dëshirojmë ta shohim Kosovën në Këshillin e Evropës. Dëshirojmë ta shohim Kosovën në BE. Dëshirojmë ta shohim në NATO.

Rruga për ta arritur këtë është duke punuar së bashku me ne, me partnerët tanë evropianë, me prijësit e BE-së, me prijësit e NATO-s. Por, vetëm një shembull. Hiç më larg se javën e kaluar, me këtë aksion të pakoordinuar kundër Postës, e patë se si BE-ja, SHBA-ja, Gjermania, Franca, Britania e Madhe, Italia, të gjitha i ngritën shqetësimet e tyre. Shqetësohem se veprimet e tilla ulin oreksin dhe zbehin zotimin – jo zotimin – por, entuziazmin për ta mbështetur Kosovën në rrugëtimin e saj.

Kosova tashmë ka humbur një mundësi të rëndësishme për anëtarësim në Këshillin e Evropës, duke mos reaguar ndaj kërkesave të partnerëve tanë evropianë, të cilët mund t’i zgjedhin kushtet që ata prisnin që Kosova t’i përmbushë për t’u anëtarësuar në Këshillin e Evropës.

Jam shumë i shqetësuar se rruga e Kosovës drejt Bashkimit Evropian, kërkesa e saj, aplikimi aktual për statusin e anëtarësimit, zbatimi efektiv dhe i plotë i marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, që është në dobi të Kosovës, brengosem shumë se do të ketë ndikim negativ. Javën e kaluar, kolegu im gjerman foli për mënyrën sesi vetë rruga e anëtarësimit mund të vihet apo të mbahet në sirtar ose të ngrihet.

BE-ja po flet për masa shtesë. Shpresoj shumë që të mos ketë masa shtesë, por kjo, në masë të madhe, varet nga Qeveria e Kosovës dhe shkalla në të cilën ajo do t’i ndalë këto lloj veprimesh për të cilat ne vazhdimisht kemi paralajmëruar, dhe do të fillojë të veprojë në partneritet me ne dhe me partnerët tanë evropianë ashtu siç e kemi kërkuar vazhdimisht të bëjë.

Pajtohemi që kjo është e vështirë. Pajtohemi se ka gjëra të vështira në agjendë, por gjithashtu mendojmë se kemi një sistem dhe një proces për të ndihmuar në avancimin e Kosovës që e kërkon një bashkëpunim të tillë.

Radio Evropa e Lirë: A po lobojnë Shtetet e Bashkuara për anëtarësimin e Kosovës në organizata të ndryshme apo kjo çështje është në pritje?

Jeffrey Hovenier: Nuk kam parë shumë entuziazëm në mbështetje të përpjekjeve të Qeverisë tani për anëtarësime të reja në organizatat ndërkombëtare. Kemi bërë përpjekje të vërteta për Këshillin e Evropës, por Kosova pastaj nuk tregoi vullnet për të ndërmarrë hapin që partnerët e saj evropianë dhe ne ia kërkuam, që të dërgonte draft-statutin për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Gjykatën Kushtetuese për shqyrtimin e kushtetutshmërisë së tij.

Radio Evropa e Lirë: Kjo nuk ka ndodhur ende.

Jeffrey Hovenier: Nuk ka ndodhur ende dhe fakti që nuk ka ndodhur, më duhet të them, e ka zbehur entuziazmin e Qeverisë amerikane për t’i vazhduar këto përpjekje, përderisa Kosova nuk do ta ndërmarrë madje as këtë, sipas këndvështrimit tonë, hap mjaft të vogël dhe të hershëm në këtë proces.

Radio Evropa e Lirë: Çka do të ndodhë nëse nuk e dërgon draft-statutin në Gjykatën Kushtetuese?

Jeffrey Hovenier: Dua të them, kjo është zgjedhje e Qeverisë së Kosovës, por kjo do të thotë se, mendoj se shumë nga këto procese ka gjasa të ngecin. Kjo është çështje e real-politikës.

Nëse doni të anëtarësoheni në NATO, nëse doni të anëtarësoheni në Bashkimin Evropian, nëse doni të anëtarësoheni në Këshillin e Evropës, duhet të keni mbështetjen e vendeve që tashmë janë anëtare dhe kemi sfidën e disa vendeve në ato institucione që nuk e njohin Kosovën siç e njohim ne si shtet sovran dhe të pavarur dhe e kanë bërë të qartë se një aspekt i mbështetjes së tyre do të varet nga përparimi në dialog dhe duke dashur të shohin Kosovën dhe Serbinë të ripozicionojnë marrëdhëniet e tyre.

Nga këndvështrimi ynë, Qeveria e Kosovës nuk është angazhuar në mënyrë konstruktive në dialog në disa mënyra të caktuara. Por mund të them të njëjtën gjë edhe për Serbinë. Kemi folur për domosdoshmërinë që të dyja vendet të punojmë shumë më shumë për t’i përmbushur të gjitha detyrimet e tyre.

Por, duke qenë se e nxjerr bukën në Kosovë, si dhe meqenëse personalisht unë dhe Qeveria ime institucionalisht, dëshirojmë shumë që ta shohim Kosovën duke përparuar në këtë rrugëtim dhe duke zënë vendin e saj në strukturat evropiane, shpresojmë ta shohim këtë Qeveri, në vend që të përpiqet të ndërmarrë veprime që na e vështirësojnë mundësinë për të avokuar në mënyrë efektive, duke na dhënë argumente të mira në favor të anëtarësimit të Kosovës. Kjo nuk ka ndodhur ende.

“Gjendja në veri është më ndryshe se sa ishte dy apo tre vjet më parë, por…”

Radio Evropa e Lirë: T’u kthehemi veprimeve të Qeverisë në veri. Gjatë dy vjetëve të fundit, bashkësia ndërkombëtare ka reaguar shumë herë për veprimet që i ka ndërmarrë Qeveria e Kosovës. Por, Qeveria po thotë se ka pasur sukses, ia ka dalë për të vendosur rregull dhe rend. A besoni se ka më shumë rregull dhe rend në veri se sa dy-tre vjet më parë?

Jeffrey Hovenier: Do të thosha se gjendja në veri është më ndryshe se sa ishte dy apo tre vjet më parë. Por, nëse dëshironi ta integroni një rajon, i integroni edhe rajonin edhe njerëzit, e ajo që kam parë kohëve të fundit është mungesë e integrimit të popullatës në veri dhe përpjekje absolute, të pakompletuara për t’i tërhequr, për t’i nxitur, për t’i përfshirë ata.

Le ta marrim vetëm shembullin e takimit për urën. Aty ishin shumë pak njerëz. Ata që ishin aty, e që ishin qytetarë të veriut, siç e kam kuptuar, shumica nuk ishin për hapjen e urës për qarkullim të automjeteve.

“Kurti planifikon të marrë pjesë në Konventën Kombëtare Demokratike me ftesë të Institutit Kombëtar Demokratik”

Radio Evropa e Lirë: Dhe, folën për çështjet e tjera me të cilat përballen e jo për urën.

Jeffrey Hovenier: Pikërisht dhe ata janë shumë të shqetësuar. Prandaj, shpresojmë që kjo Qeveri, e cila absolutisht shprehet me fjalë të duhura se është Qeveri për të gjithë qytetarët e Kosovës, të veprojë në përputhje me këtë dhe të gjejë mënyra për t’i treguar popullit se edhe ata duhet të integrohen në Kosovë, se ka përfitime të njëmendta nga integrimi dhe se kjo Qeveri është e përgjegjshme ndaj brengave të tyre.

Nuk kam takuar shumë përfaqësues të bashkësisë etnike serbe kohëve të fundit, të cilët besojnë se Qeveria Kurti po bën përpjekje të suksesshme për të treguar ndjeshmëri dhe shqetësim rreth çështjeve që janë në mendjen e bashkësisë etnike serbe në Kosovë.

Radio Evropa e Lirë: E përmendët se keni pasur sfida nga kjo Qeveri. Por, dje, pamë raportime në media që kryeministri Kurti mund të marrë pjesë në Konventën Kombëtare Demokratike në Çikago. A mund ta konfirmoni këtë?

Jeffrey Hovenier: Sa e di unë, kryeministri Kurti planifikon të marrë pjesë në Konventën Kombëtare Demokratike me ftesë të Institutit Kombëtar Demokratik (NDI – National Democratic Institute). Por, të jemi të qartë, kjo nuk është ftesë nga Qeveria amerikane.

Partia Demokratike është një parti politike në Shtetet e Bashkuara. NDI-ja është krah i Partisë Demokratike që punon në ndërtimin e partive dhe institucioneve demokratike jashtë vendit.

Pra, kryeministri është ftuar nga NDI-ja, besoj në cilësinë e tij si kryetar i një prej partive të Kosovës, ashtu siç NDI-ja i ka ftuar edhe kryetarët e partive tjera të Kosovës. Por, kjo nuk është ftesë nga Qeveria amerikane.

Radio Evropa e Lirë: Në fund, dëshiroj t’ju pyes pak për Banjskën. Po i afrohemi përvjetorit të parë të Banjskës. Organizatori kryesor, Milan Radoiçiq, është ende i lirë, supozohet në Serbi. Edhe sa kohë do të presin Shtetet e Bashkuara që Serbia të arrestojë Radoiçiqin dhe që ai të përballet me akuza?

Jeffrey Hovenier: Mendoj se Shtetet e Bashkuara kanë qenë mjaft të qarta lidhur me pritjet tona që të gjithë ata që kanë qenë të përfshirë në atë krim të tmerrshëm të japin llogari. Këtë e kemi thënë publikisht. Dhe, natyrisht, pjesë e diplomacisë sonë me Serbinë kanë qenë edhe pritjet tona që z.Radoiçiq dhe autorët e tjerë të kësaj vepre kriminale të mbajnë përgjegjësi. Kjo vazhdon të jetë pjesë e bisedës sonë dhe shpresojmë ta shohim të ndodhë së shpejti. Dëshiroj të vë në pah se sipas mendimit tim, Kosova mund të ndihmojë për këtë.

Sa e di unë dhe zyrtarët serbë kanë folur për këtë, ata kanë parashtruar kërkesë zyrtare përmes kanaleve zyrtare për ndihmë juridike reciproke, që t’ju sigurohen provat që iu duhen për ta ndjekur penalisht z. Radoiçiq, të cilat i kanë autoritetet kosovare. Sërish, në baza politike, do të shpresoja që Qeveria e Kosovës t’i përgjigjet kësaj kërkese, sepse dëshironi që të siguroni që të ketë ndjekje penale dhe që z. Radoiçiq, si dhe të tjerët që ishin të përfshirë, të japin përgjegjësi për veprën e tyre kriminale.

Radio Evropa e Lirë: A ka rezultate nga hetimet? Ish-ndihmësi i sekretarit të Shtetit, Escobar, e ka përmendur se ka mundësi që sulmi ka pasur lidhje financiare dhe organizative me shtetin e Serbisë.

Jeffrey Hovenier: Nuk kam gjë për të shtuar për këtë.

Radio Evropa e Lirë: A mendoni se mungesa e përgjegjësisë për Banjskën e ushqen këtë narrativ se Perëndimi po e qetëson Serbinë duke mbajtur qëndrim më të butë për shkak të interesave gjeopolitike, për ta pasur Serbinë në krah të saj, duke siguruar që Serbia të jetë në Bruksel e jo në Moskë.

Jeffrey Hovenier: E dini, mendoj se Shtetet e Bashkuara kanë qenë mjaft të qarta se presim që Kosova dhe Serbia t’i përmbushin disa standarde. Dhe, mendoj se kemi qenë – sërish, unë punoj në Kosovë për bukën e gojës – prandaj e tëra që mund të them është se besoj se Ambasada e SHBA-së në Beograd është mjaft e angazhuar në përpjekjet për të siguruar që Serbia t’i përmbushë gjërat që vetë ka thënë se do t’i kryejë. Dhe, kjo përfshin që z.Radoiçiq dhe autorët e tjerë të një krimi, të japin llogari për atë krim. Këtu, gjithashtu, përfshihet çështja që Serbia t’iu përmbahet dhe të përmbushë të gjitha detyrimet e saj që i ka marrë në dialog, ashtu siç po bëjmë ne këtu.

Intervistë me nënkryetarin e Parlamentit të Malit të Zi, Nikollë Camaj

VOA/Ali Salaj

Nënkryetari i Parlamentit të Malit të Zi, Nikollë Camaj thotë se përfshirja e një numri të madh të forcave politike në qeverinë malazeze nuk do ta pengojnë as do ta ndryshojnë orientimin evroatlantik të vendit. Në një intervistë për “Zërin e Amerikës” ai tha se përfshirja e shqiptarëve në pushtetin e Malit të Zi është tejet e rëndësishme për realizimin e atyre të drejtave që me dekada u janë mohuar.

Në një intervistë për Zërin e Amerikës nënkryetari i sapozgjedhur i parlamentit të Malit të Zi, Nikollë Camaj vlerëson se përfshirja e një numri të madh të forcave politike në qeverinë malazeze nuk do ta pengojnë as ta ndryshojnë orientimin evroatlantik të vendit.

Zoti Camaj tha se përfshirja e shqiptarëve në qeverinë e Malit të Zi është tejet e rëndësishme për realizimin e atyre të drejtave që me dekada u janë mohuar.

“Marrja e pozitave të rëndësishme, qoftë në qeveri apo parlament, është e rëndësishme edhe për jetësimin e atyre premtimeve parazgjedhore,por edhe për kyçjen e shqiptarëve në pushtet dhe marrjen e përgjegjësisë për ti realizuar ato të drejta që me dekada na janë premtuar dhe të cilat ishin të nënshkruar në letra, por në aty kanë mbetur. Nga pozicioni i nënkryetarit të kuvendit, nga pozicioni i nënkryetarit në qeveri dhe të ministrave, kemi marrë përgjegjësi dhe nuk do të fajësojmë ndonjë tjetër nëse gjërat nuk shkojnë ashtu siç i kemi planifikuar”, tha zoti Camaj.

Zoti Camaj, vë në dukje, se rruga e integrimeve evropiane dhe çështjet tjera në rajon nuk do të cenohen dhe rrezikohen edhe nga fakti se, siç tha ai, bazohen në marrëveshjen e koalicionit qeverisës.


“Ajo që në këtë moment dominon dhe është dëshmuar me dhjetëra ligje të miratuara për të fituar IBAR-in( faza e re e negociatave me BE-në) dhe vendimet që i ka patur qeveria edhe në raport me Kosovën, dëshmon se dominuese është rryma tjetër që çon drejtë Evropës. Se a mund të vijnë në pyetje raportet me shtetet fqinje natyrisht se nuk besojmë se do të vijnë në pyetje dhe ne të jemi pjesë e kësaj ngjarjeje, pasi ne kemi një marrëveshje që nuk lejon që këto çështje të preken dhe çdo përpjekje do të ishte joserioze dhe e parealizueshme”, tha nënkyetari i parlamentit zoti Camaj.

Zoti Camaj nuk beson se shumica aktuale në pushtet mund ta ndryshojnë rrugëtimin e Malit të Zi, pasi sipas tij, për një veprim të tillë nuk ekziston as fuqia politike.

“Mali i Zi e ka njohur Kosovën dhe këto dy vende kanë marrëdhënie diplomatike dhe nuk mund të quhet ndryshe pëveç Kosovë e pavarur. Ndodhë që në parlament të kemi debate të ndyshme,por nuk besoj se do të ketë nisma për diçka më shumë dhe po të ketë janë të dështuara. Në fund të fundit ato nisma nuk mund të jenë me ne brenda dhe me shumë të tjerë siç është Partia Boshnjake. Dhe sikur ato forca do të donin që ndoshta të bënin ndonjë lëvizje nuk e kanë fuqinë politike”, tha zoti Camaj.

Pushteti në Malin e Zi do të jetë i përqendruar krejtësisht në përputhje me politikën e jashtme dhe sigurinë e Bashkimit Evropian dhe me partnerët e NATO-s. Respektimi dhe mbrojtja e këtyre çështjeve është jetike për Malin e Zi, tha nënkryetari i parlamentit, Nikollë Camaj.

Si mund të ndryshojë politika e jashtme e SHBA-së nëse fiton Trumpi?

Kandidati republikan për zëvendëspresident, J.D. Vance (djathtas), i fotografuar së bashku me ish-presidentin Donald Trump, ka qenë një kundërshtar i zëshëm i dërgimit të çdo ndihme në Ukrainë.

 

Vazha Tavberidze

Profesori William C. Wohlforth, ekspert i politikës së jashtme të SHBA-së në Kolegjin e Dartmouth, ka folur për shërbimin gjeorgjian të Radios Evropa e Lirë për trashëgiminë e mundshme të politikës së jashtme të presidentit të SHBA-së, Joe Biden, dhe për ndryshimet që mund të pësojë kjo politikë e jashtme nëse Donald Trump zgjidhet president në nëntor.

Wohlforth, i njohur si themelues i realizmit neoklasik në politikën e jashtme, thotë se “pozicioni i SHBA-së në botë nuk është ai që ishte pesë apo dhjetë vjet më parë” dhe është e mundur që Trump beson në një “marrëveshje të madhe me Putinin”, megjithëse qëndrimet e ashpra të liderit rus mund ta pengojnë atë.

Më shumë se anëtarësimi në NATO, Wohlforth argumenton se ajo për të cilën Kievi me të vërtetë ka nevojë është një angazhim afatgjatë ushtarak nga Perëndimi.

William C. Wohlforth

William C. Wohlforth

Radio Evropa e Lirë: Si fillim, si e vlerësoni kohën në të cilën jetojmë nga një perspektivë e strategjisë së madhe?

William C. Wohlforth: Po, nëse mund të flas nga një perspektivë e ngushtë amerikane, ne jetojmë në një kohë ku ka më shumë potencial për ndryshim të rëndësishëm në qasjen fundamentale të Amerikës ndaj ndjekjes së interesave të saj, domethënë strategjisë së saj të madhe, se që kemi parë në shumë, shumë, shumë dekada, që nga formimi i hershëm i sistemit ndërkombëtar të udhëhequr nga SHBA-ja pas Luftës së Dytë Botërore, nën kujdesin e fuqisë dhe qëllimit amerikan në periudhën rreth vitit 1950.

SHBA-ja mund të jetë në prag të një ndryshimi të konsiderueshëm në mënyrën se si i qaset ndjekjes së interesave të saj, dhe nuk kam parë asgjë të ngjashme me këtë në jetën time. Dua të theksoj se po flas vetëm për çfarë mund të ndodhë potencialisht. Kemi shumë vështirësi në vlerësimin se çfarë është e mundshme të ndodhë duke marrë parasysh politikën e brendshme të SHBA-së. Por, shoh më shumë potencial real për një ndryshim se sa që kam parë që një kohë shumë të gjatë.

Radio Evropa e Lirë: Do t’i diskutojmë skenarët alternativë pas pak, por, para kësaj, doja t’ju pyesja për trashëgiminë e presidentit të SHBA-së, Joe Biden. A mund të flasim tani për trashëgiminë e tij, për fitoret dhe dështimet e tij, apo duhet të presim deri në përfundim të mandatit të tij?

William C. Wohlforth: Mendoj që në politikën e jashtme kemi disa pyetje që janë të pazgjidhura, zgjidhja e së cilave do ta përcaktojë vendin e tij historik. Por, mendoj se është e drejtë të fillojmë ta bëjmë një bilanc mbi sukseset dhe dështimet e politikës së jashtme të presidentit Biden dhe trashëgiminë e tij të përgjithshme. Ai krijoi një ekip shumë të aftë të sigurisë kombëtare dhe ndoqi një strategji mjaft koherente të përpjekjes për të mbajtur, për të ruajtur angazhimet ndaj aleancave dhe institucioneve që kjo administratë mendon se janë të nevojshme për sigurinë e SHBA-së, por gjithashtu për të filluar zvogëlimin e kujdesshëm të asaj që ata e shihnin si mbingarkesë për Shtetet e Bashkuara.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, dhe presidenti amerikan, Joe Biden, gjatë një takimi në Paris, më 7 qershor.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, dhe presidenti amerikan, Joe Biden, gjatë një takimi në Paris, më 7 qershor.

Dhe kjo u pa, natyrisht, në përfundimin e procesit të tërheqjes nga Afganistani. Dhe ata, vërtet, dëshironin të shihnin një zbutje, ose një ulje të angazhimit të SHBA-së në Lindjen e Mesme, por ata nuk arritën ta bënin këtë për arsye që janë jashtë kontrollit të tyre. Kur Hamasi e sulmoi Izraelin në tetor të vitit 2023, ajo ishte pikërisht aso ngjarje që administratat nuk mund ta kontrollojnë, dhe ata duhej të reagonin ndaj saj.

Sa i përket Evropës, kishte një rritje masive të angazhimit të Amerikës ndaj NATO-s, një përpjekje serioze për ta ndihmuar Ukrainën në mbrojtjen e saj nga sulmi i Rusisë dhe menaxhimin e atij procesi me kompetencë dhe teori.

Tani, mund të mos pajtoheni me teorinë e tyre. Mund të mendoni se ishin shumë të shqetësuar për përshkallëzimin. Mund të mendoni se ishin shumë të kujdesshëm në shpejtësinë, me të cilën mundësuan që Ukraina të përfitonte nga sistemet e armëve të ndryshme të SHBA-së. Mund ta bëjmë atë diskutim, por ata patën një qasje koherente ndaj Ukrainës – luftës së Rusisë kundër Ukrainës – dhe e zbatuan atë me një shkallë të lartë kompetence.

Dhe pastaj nëse shikoni Azinë, keni parë një forcim të mëtejshëm të aleancës së SHBA-së me Azinë dhe me partnerët aziatikë, veçanërisht me Korenë e Jugut dhe Japoninë. I keni parë ata ta menaxhojnë çështjen e ngushticës [midis Tajvanit dhe Kinës kontinentale] me një siguri të konsiderueshme. Dhe, i keni parë ata ta të jenë inxhinierë të një ndryshimi në qasjen tonë ndaj marrëdhënieve ekonomike me Kinën – që është ndërgjegjësimi se politika e Kinës është në thelb të përfitojë nga hapja e SHBA-së për ta përshpejtuar sfidën gjeopolitike ndaj Shteteve të Bashkuara.

Dhe kështu, keni parë një përpjekje mjaft të konsiderueshme për ta ruajtur angazhimin ekonomik të përgjithshëm me Kinën, ndërsa, në të njëjtën kohë, kufizimin e qasjes në gjërat që do ta përshpejtonin ritmin e përgatitjeve të tyre kundër Shteteve të Bashkuara. Nëse i bashkoni të gjitha këto gjëra, shihni një zbatim koherent, profesional të një korrektimi të lehtë të kursit në strategjinë e madhe themelore të SHBA-së.

Radio Evropa e Lirë: Po kalojmë te ky ndryshim i madh që e përmendët në fillim. Ne po i shohim në thelb dy Amerika të mundshme, apo jo? Dhe ato dy të ardhme të mundshme mund të jenë reciprokisht ekskluzive varësisht nga rezultati i zgjedhjeve presidenciale të SHBA-së në nëntor. Sa të ndryshme janë ato dy Amerika që mund t’i kemi?

William C. Wohlforth: Duhet ta vendos një pikëpyetje mbi këtë pyetje se a varet gjithçka nga zgjedhjet [më 5 nëntor]. Arsyeja është se Partia Republikane nuk është e unifikuar në politikën e jashtme. Në një farë mënyre, kjo fshihet tani nga fakti se partia është në një fushatë [zgjedhore] dhe po përpiqet ta paraqesë një qëndrim të unifikuar kundër Bidenit dhe tani [kandidates së supozuar të Partisë Demokratike] Kamala Harrisit.

Por, nën këtë [ka] rrjedha të ndryshme në politikën e jashtme të Partisë Republikane. Dhe është shumë e vështirë të parashikohet cila prej këtyre rrjedhave do të dalë dominuese nëse [kandidati i supozuar i Partisë Republikane] Donald Trump fiton në nëntor.

Një afishe ku shkruan "Trump do t'i japë fund luftës në Ukrainë" ishin vendosur në karriget e pjesëmarrësve gjatë ditës së tretë të Konventës Kombëtare Republikane 2024 në Milwaukee, Wisconsin, më 17 korrik.

Një afishe ku shkruan “Trump do t’i japë fund luftës në Ukrainë” ishin vendosur në karriget e pjesëmarrësve gjatë ditës së tretë të Konventës Kombëtare Republikane 2024 në Milwaukee, Wisconsin, më 17 korrik.

Ka tri rrjedha themelore. Ka një lloj politikë të jashtme republikane, të vazhdueshme dhe të fortë, në stilin e Reaganit, me të cilën jemi të njohur të gjithë.

Ekziston një, si mund ta quajmë, një version ekstrem ose i fortë i rishikimit, që është të zhvlerësohet në mënyrë dramatike siguria evropiane, të detyrohen evropianët të marrin më shumë përgjegjësi dhe të orientohen Shtetet e Bashkuara më shumë drejt Azisë dhe, në një masë më të vogël, Lindjes së Mesme.

E treta është një element shumë më i fortë i politikës “America First”, që sheh një zvogëlim të përgjithshëm të nevojës për angazhim amerikan në të gjithë botën. Është shumë më dramatike. Kjo ndiqet me më shumë proteksionizëm dhe tarifa të larta. Nëse qasja e tretë bëhet dominuese në një administratë të mundshme të Trumpit, atëherë do ta shihni atë ndryshimin dramatik në politikën e jashtme amerikane.

Radio Evropa e Lirë: A do të ishte e drejtë të thuhet se rrjedhat e dyta dhe të treta mund të bashkëjetojnë me njëra-tjetrën, por e para nuk mundet?

William C. Wohlforth: Po, mendoj se qasja e dytë, që është zhvlerësimi i Evropës, por jo zhvlerësimi i aspekteve të tjera, është gjithashtu shumë më nacionaliste dhe transaksionale në natyrë, pavarësisht një besnikërie ndaj institucioneve dhe parimeve. Mendoj se kjo është rrjedha që duket më e mundshme.

Radio Evropa e Lirë: Dhe duket se mund të lidhet mjaft lehtë edhe me qasjen e tretë, apo jo?

William C. Wohlforth: Mund të ndodhë. Përsëri, është një çështje se si Shtetet e Bashkuara do të përgjigjen ndaj aleancave të tyre në rajonin lindor. A do të vazhdojnë t’i kenë prioritet ato, apo do të marrin një qasje transaksionale si të Trumpit ndaj Japonisë, Koresë së Jugut, Australisë dhe aleatëve të tjerë rajonalë? Dhe, kjo është e vështirë për t’u vërejtur. Shumica e njerëzve [janë] duke e trajtuar emërimin e J.D. Vance [nga Trumpi] si kandidat për zëvendëspresident si një lëvizje drejt qasjes së dytë dhe të tretë [dhe] larg nga e para.

Radio Evropa e Lirë: Le të supozojmë se ky bashkim i rrjedhës së dytë dhe të tretë ndodh, ky ndryshim dramatik bëhet realitet. Çfarë nënkupton kjo për pozitën e SHBA-së në botë?

William C. Wohlforth: Mendoj se pozita e SHBA-së në botë është tashmë, padyshim, jo ajo që ishte pesë apo dhjetë vjet më parë. Pra, kemi një situatë të qartë në të cilën shumë aktorë në botë – dhe po mendoj për elitat, qeveritë, agjencitë e inteligjencës – kanë vlerësuar se pozita e fuqisë së Shteteve të Bashkuara është në rënie.

Radio Evropa e Lirë: A do të ishte e drejtë të thuhet se Amerika është tani në pikën e saj më të dobët që ka qenë në këtë shekull?

William C. Wohlforth: Mendoj se në këtë shekull, po, është më e dobët se që ka qenë që nga viti 2000. Do të thosha [është më e dobët] si objektivisht, ashtu edhe subjektivisht. Ajo që dua të them, megjithatë, është se besoj se shumë nga këta aktorë e ekzagjerojnë shkallën e rënies amerikane. Kjo përfshin, mendoj, [presidentin rus] Vladimir Putin dhe [presidentin kinez] Xi Jinping, por gjithashtu përfshin disa nga këta republikanë që e shohin pozicionin e Shteteve të Bashkuara si shumë më të stresuar se sa që mendoj se është, bazuar në përpjekjet e mia më të mira me kolegë, bashkautorë dhe studiues që përpiqen ta kuptojnë se ku qëndrojnë realisht Shtetet e Bashkuara.

Pra, po përpiqem t’ju them dy gjëra: Po, pozicioni i SHBA-së ka rënë. [Por], perceptimet e asaj rënieje janë më dramatike se realiteti i asaj rënieje.

Radio Evropa e Lirë: Le të diskutojmë gjithashtu edhe për këtë epokë të “mungesës” që po e predikon J.D. Vance. Çfarë përfshin dhe çfarë nënkupton kjo për pjesën tjetër të botës? Sidomos duke pasur parasysh esenë tuaj të fundit, ku keni argumentuar se SHBA-ja nuk duhet të zgjedhë midis Tajvanit dhe Ukrainës.

William C. Wohlforth: Kjo është e drejtë, nuk mendoj se duhet [ta bëjnë]. Sidoqoftë, kjo është në kuptimin e përgjithshëm që Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj kanë burimet për t’i mbështetur angazhimet për t’i dhënë Ukrainës shansin më të mirë që mundet për të dalë nga ky konflikt në pozicionin më të mirë të mundshëm si një shtet demokratik, i lulëzuar dhe i pasur, që integrohet në Evropë. Dhe, që Tajvani do të mbrohet mjaftueshëm, në mënyrë që Kina të detyrohet të përdorë mjete paqësore për ta zgjidhur çështjen e saj me Tajvanin. Ajo do ta vlerësojë mundësinë e përdorimit të forcës dhe do të vendosë që nuk ia vlen të luhet me këtë lojë.

Dhe, kështu, besoj se Shtetet e Bashkuara i kanë ato kapacitete. Megjithatë, duhet të pranohet se, në disa zona, kjo luftë dhe kjo krizë globale në të cilën jemi tani, kanë zbuluar dobësi në bazën industriale të SHBA-së dhe aleatëve të saj.

Fakti është se ne, në 25-30 vjetët e fundit, jemi përgatitur dhe menduar për një lloj lufte shumë të ndryshme nga një luftë e gjatë midis ushtrive moderne të mëdha. Shkalla në të cilën lufta e Rusisë kundër Ukrainës po shkatërron pajisjet ushtarake, është mjaft e jashtëzakonshme dhe njerëzit nuk e kishin menduar këtë.

Tanket ruse të dëmtuara shihen në një fushë pranë qytetit Vuhledar, rajoni i Donjeckut në Ukrainë, nëntor 2023.

Tanket ruse të dëmtuara shihen në një fushë pranë qytetit Vuhledar, rajoni i Donjeckut në Ukrainë, nëntor 2023.

Pra, J.D. Vance ka të drejtë, në kuptimin e ngushtë, që ne përballemi me një mungesë burimesh në disa municione që janë të nevojshme për Ukrainën.

Megjithatë, disa ekspertë do t’ju thonë se shumica prej tyre – përveç në disa raste – nuk janë të njëjta me ato që nevojiten në Azinë Lindore dhe ato që nevojiten në Tajvan. Dhe gjëja tjetër që duhet pasur parasysh është se me kalimin e kohës… Duhet të them që ne tashmë po shohim se baza industriale e mbrojtjes po përgjigjet ndaj kësaj kërkese të re dhe ju po e shihni një rritje të prodhimit në objektet industriale të mbrojtjes në Evropë dhe SHBA, në mënyrë që mendoj se kjo mungesë, për të cilën ai po flet mund të kapërcehet me një farë vonese.

Radio Evropa e Lirë: Nëse kthimi drejt Kinës është vërtet i pashmangshëm, sa e mençur është ta lëmë [problemin e] Rusisë të pazgjidhur dhe një kërcënim të paktën për Evropën Lindore?

William C. Wohlforth: Mendoj se është e pamend. Edhe pse analistët më të mirë ushtarakë vlerësojnë se – le të themi që e përfunduam luftën sot – ushtrisë ruse do t’i duhen shtatë deri në dhjetë vjet për t’u rimëkëmbur pas gjithë dëmeve që ka marrë. Kjo nuk do të thotë domosdo se Rusia tani pajtohet me një rend evropian të sigurisë që ne kemi krijuar.

Provat e forta tregojnë se elita politike ruse mbetet thellësisht e pakënaqur me arkitekturën ekzistuese të sigurisë evropiane. Dhe, kjo është arkitektura që ne mbështesim; prandaj Rusia do të kërkojë mënyra të ndryshme në përpjekje për ta minuar atë rend deri sa ta arrijë një lloj tjetër rendi evropian të sigurisë, gjë që nuk do të ishte e mirë për Shtetet e Bashkuara. Prandaj, mendoj se të largohemi shpejt nga Evropa, t’ua lëmë evropianëve gjithë barrën e përpjekjes për ta ndihmuar Ukrainën të mbrohet, do të ishte një gabim për interesat amerikane.

Radio Evropa e Lirë: Ata që i përmbahen asaj narrative që sapo kritikuat… Cili është vizioni i tyre për qasjen ndaj Rusisë? A do të ishte deklarata shumë e përfolur nga ish-presidenti Trump për përfundimin e luftës në Ukrainë brenda 24 orësh një shembull i asaj lloj politike shtetërore?

William C. Wohlforth: Përsëri, ka zëra të tjerë të politikës së jashtme të lidhur me fushatën e Trumpit që flasin për një kthesë shumë më të kujdesshme dhe të përgjegjshme ose një kthim të ripërtërirë drejt Azisë, duke u larguar nga Evropa. Megjithatë, J.D. Vance thotë se nuk i intereson se çfarë ndodh me Ukrainën dhe thotë se nuk beson se ka ndonjë domethënie për interesat amerikane. Nuk pajtohem me këtë. Trump, në thelb, argumenton se do ta zgjidhim luftën brenda 24 orëve dhe do të bëjmë një marrëveshje me Putinin. Mendoj se të dyja këto gjëra janë mjaft të pabaza. Nuk jam i sigurt se ato janë të prira të çojnë në një rezultat të mirë për Shtetet e Bashkuara, duke mos lënë mënjanë, natyrisht, se nuk do të jetë një rezultat i mirë për Ukrainën.

Teoria e tyre është se Evropa do të ngrihet shpejt për të kundërshtuar Rusinë… Siç thotë Vance, nëse kujdesen kaq shumë për Ukrainën, pse nuk mund t’i transferojnë thjesht disa para nga programet e tyre të mirëqenies në ushtritë e tyre dhe të merren me të?

Rusia, sipas tyre, është një problem plotësisht i menaxhueshëm për Evropën, pa Shtetet e Bashkuara. Dhe ajo që ata do të thonë është se mënyra e vetme që Evropa do ta bëjë këtë ndonjëherë, është nëse ne fillojmë seriozisht të tërhiqemi.

Radio Evropa e Lirë: Dhe, ju nuk besoni se [Evropa] mundet?

William C. Wohlforth: Nuk besoj. Mendoj se duhet të jetë një proces shumë më gradual dhe ka shumë lloje aftësish që Evropa nuk i ka. Ka aftësi inteligjence; ka aftësi kyçe të mbrojtjes ajrore; ka aftësi kyçe të komandës, kontrollit dhe komunikimeve, transportit, logjistikës, që marrin një kohë shumë të gjatë dhe shumë investime për t’u tejkaluar.

Më duket se SHBA-ja mund të luajë një rol në ndihmën e Evropës për t’u bërë më e pavarur strategjikisht. E di që kjo tingëllon si një kontradiktë në terma. SHBA-ja duhet të luajë një rol disi dashamirës, paternalist në ndihmën për ta nxitur një autonomi strategjike.

Zëvendëspresidentja e SHBA-së, Kamala Harris, përshëndet Zelenskyn teksa takohen për një bisedë dypalëshe gjatë Samitit global për Paqen në Ukrainë, në Zvicër më 15 qershor.

Zëvendëspresidentja e SHBA-së, Kamala Harris, përshëndet Zelenskyn teksa takohen për një bisedë dypalëshe gjatë Samitit global për Paqen në Ukrainë, në Zvicër më 15 qershor.

Por, nëse nuk e bën këtë, nëse tërhiqet shpejt, mendoj se do të shihni kundërthënie ndërmjet shteteve evropiane. Do të shihni probleme koordinimi. Ta pranojmë, në çështjet e sigurisë, Evropa mbetet e ndarë në vende sovrane. Bashkëpunimi i vendeve sovrane në gjëra si armët bërthamore, prokurimet e mbrojtjes, është vërtet-vërtet i vështirë pa një shtet udhëheqës.

Nëse amerikanët janë jashtë kësaj, cili është shteti udhëheqës? Do të jetë Gjermania? Do të jetë Franca? Do të jenë të dyja? Si përshtatet Mbretëria e Bashkuar tani që është jashtë BE-së? Është shumë e vështirë. Prandaj mendoj se SHBA-ja duhet të jetë jashtëzakonisht e angazhuar ndaj Evropës për ta ndihmuar Evropën të fitojë aftësi më të mëdha strategjike për përballjen me Rusinë në afat të gjatë.

Radio Evropa e Lirë: A do të përfshinte kjo një start të ri me Rusinë? Dhe nëse po, pse do të funksiononte kjo kur të gjitha të mëparshmet kanë dështuar?

William C. Wohlforth: Nuk e shoh [si mundësi]. Dua të them që mendoj se është e mundur që vetë Trump ose ndoshta njerëzit në orbitën e politikës së jashtme të Trumpit mendojnë se një marrëveshje e madhe me Putinin është e mundur. Ndoshta këtë kanë në mendje me këtë nocion se disi do të largohen nga Ukraina dhe do të krijojnë një lloj modus vivendi (stil jete) dhe afrimi me Putinin. Shoh shumë pak gjasa që kjo të jetë e suksesshme. Shumë pak gjasa.

Mendoj se një nga gjërat që do të parashikoja këtu është se kemi dëgjuar nga Moska kohët e fundit se cilat janë kushtet e tyre për të diskutuar rreth një armëpushimi, për të mos përmendur një marrëveshje paqeje. Dhe për të folur për një armëpushim, Rusia kërkon që Ukraina ta pranojë si legjitime aneksimin nga Rusia të katër rajoneve në lindje të Ukrainës. Mendoj se kur të bëhet e qartë se ky është pozicioni i tyre minimal për t’i filluar bisedimet, e kam të vështirë ta imagjinoj edhe se Trump do t’i pranonte ato kushte për bisedën.

Radio Evropa e Lirë: Kjo na çon te pyetja e radhës: Nëse kjo është e papranueshme, çfarë është e pranueshme? Cila është një rrugëdalje e pranueshme për Putinin që Perëndimi dhe SHBA-ja mund t’ia ofrojnë?

William C. Wohlforth: Do të doja ta dija. Vërtet do të doja ta dija. Shumica e njerëzve që e analizojnë këtë luftë nuk vlerësojnë që këto kushte janë të pranishme tani, kushtet për ndonjë lloj zgjidhjeje. Ndërsa lexoj deklaratat më të fundit të Kremlinit për bisedimet dhe kushtet e tyre, më tingëllojnë sikur po thonë këtë: Ne mendojmë se do të forcohemi në të ardhmen. Dhe kështu, nëse mendoni se këto kushte janë të papranueshme, ato në të ardhmen do të jenë edhe më të këqija. Pra, më mirë pranoni këto.

Ndërsa, ne në Perëndim ende mendojmë se me armë të mjaftueshme për Ukrainën dhe mbështetje të mjaftueshme, Ukraina mund të jetë në një pozicion për të siguruar kushte shumë më të mira, [dhe] se Rusia në fakt është nën stres të konsiderueshëm. Pra, nuk jam i sigurt se cila prej tyre është e vërtetë.

Radio Evropa e Lirë: Nga qëllimet e luftës le të kalojmë te vijat e kuqe dhe menaxhimi i përshkallëzimit. Cilat duhet të jenë vijat e kuqe të SHBA-së kur bëhet fjalë për këtë luftë? Dhe çfarë ndodh nëse Rusia nuk i respekton ato?

William C. Wohlforth: Epo, për Shtetet e Bashkuara, vija e kuqe e qartë është një sulm ndaj një vendi të NATO-s. Shtetet e Bashkuara janë angazhuar vazhdimisht ta theksojnë se kjo do të ishte një luftë aktive. Pra, kjo është bërë e qartë nga niveli më i lartë i administratës së Bidenit.

Radio Evropa e Lirë: Ato vija të kuqe janë, si të themi, të kuqe të ndritshme. Le të kalojmë tek ato më të mjegullta, si, për shembull, goditja e objektivave ruse brenda Rusisë.

William C. Wohlforth: Po, ajo për të cilën SHBA-ja – si e kuptoj unë mendimin amerikan për këtë temë – është e shqetësuar është një proces i përshkallëzimit që del jashtë kontrollit. Në rregull, le të themi që Ukraina fillon të godasë objektiva më gjerë në të gjithë Rusinë duke përdorur armë amerikane.

Pastaj rusët përgjigjen në një mënyrë, siç po bëjnë në thelb, me fushatën e sabotazhit që kemi vëzhguar në Evropë. Ata do të fillojnë të përshkallëzojnë në një mënyrë tjetër të ndërlikuar… Dhe pastaj papritur ne ndihemi të detyruar të përgjigjemi.

Radio Evropa e Lirë: Pra, një përshkallëzim i madh?

William C. Wohlforth: Po. Pra, SHBA-ja po përpiqet ta ndihmojë Ukrainën sa më shumë të jetë e mundur duke e shmangur çdo rrugë që do ta rriste mundësinë e një lufte me Rusinë ose me një përballje të drejtpërdrejtë me Rusinë. Kemi shumë mosmarrëveshje midis ekspertëve nëse kjo është e arsyeshme. Shumë njerëz vërtet të zgjuar thonë, [është] çmenduri, jeni shumë të shqetësuar për përshkallëzimin. Dhe, nëse më pyesni mua për përgjigjen time, në fakt jam shumë më pro qasjes së ngadaltë të administratës Biden, ku ajo ngadalë përmirësoi atë që Ukraina mund ta bëjë dhe u shqetësua për përshkallëzimin që përmendët. Por, unë plotësisht e respektoj pikëpamjen që thotë se kjo është çmenduri, se kjo është shumë konservatore.

Po përballeni me një fuqi shumë të madhe bërthamore dhe administrata e Bidenit e ka bërë plotësisht të qartë që interesi amerikan nuk përfshin një luftë të drejtpërdrejtë me Rusinë për Ukrainën. Pra, nëse keni parasysh ato premisa, unë e shoh mënyrën se si administrata e Bidenit ka menaxhuar përshkallëzimin si të kuptueshme, të arsyeshme dhe të mbrojtshme.

Radio Evropa e Lirë: Dua t’ju pyes për samitin e fundit të NATO-s në Uashington. Ju ishit një nga nënshkruesit e një letre të botuar në The Guardian që argumentonte se do të ishte e paarsyeshme që NATO-ja ta ftonte Ukrainën të bashkohej me aleancën ushtarake, por nuk ofroi një zgjidhje alternative që mund ta mbronte Ukrainën nga agresioni rus. A mund ta ofroni atë alternativë? Çfarë do të ofronit në këmbim nëse Ukraina do t’i braktiste shpresat e saj për t’u bashkuar me NATO-n?

William C. Wohlforth: Perspektiva ime dhe ajo letër mund të kenë pikëpamje të ndryshme. Nuk mund të flas për të gjithë, dua të them, ne pajtohemi për atë që thotë teksti. Nuk mund të premtohet anëtarësimi në NATO tani për shkak të asaj që sapo thashë, dhe ju ftoj ta gjeni ndonjë provë që tregon të kundërtën. Sapo thashë, pozicioni zyrtar amerikan, që ka të ngjarë të mos ndryshojë, është se nuk ka gatishmëri ta luftojë Rusinë për Ukrainën. Kjo është ajo që do të thotë anëtarësimi në NATO.

Pra, të flasësh për anëtarësimin e Ukrainës në NATO është një devijim nga politika e vërtetë. Dhe, politika e vërtetë që mund të ndihmojë për t’iu përgjigjur pyetjes suaj është ajo që sugjeroi [sekretari i përgjithshëm në largim i NATO-s] Jens Stoltenberg, që është ajo që duhej të dorëzonim në Uashington: Një angazhim afatgjatë, i besueshëm për ta vazhduar ndihmën për Ukrainën në mënyrë që Putini ta dijë: Perëndimi është i përfshirë për një kohë të gjatë.

Fatkeqësisht, ne nuk e kemi një konsensus politik për këtë angazhimin afatgjatë. Dhe ne duhet të vazhdojmë të luftojmë për ta marrë ndihmën për Ukrainën çdo gjashtë muaj ose çdo vit. Ky është rezultati më i keq i mundshëm. Dhe ajo që do të thosha – arsyeja pse e vura emrin tim në atë letër – është sepse të flasësh për zgjerimin e NATO-s për Ukrainën absolutisht nuk do ta zgjidhë problemin. Ata po i thonë këto fjalë të mëdha, por nuk janë në gjendje ta dorëzojnë atë për të cilën Ukraina vërtet ka nevojë, që është një program ndihme i vazhdueshëm, i besueshëm, afatgjatë. Kjo është ajo që duhet të bëjmë. Mendoj se mund ta përballojmë. Nuk pajtohem me J.D. Vance që nuk mund ta përballojmë. Mendoj se mundemi dhe është në interesin tonë. Nëse Putini do ta dijë që për dhjetë vjetët e ardhshëm, nëse ata ende luftojnë, ne jemi atje, ai do ta ndryshonte vlerësimin për kushtet e negociatave në këtë luftë.

Pra, të shtosh një vend të madh sa Franca me një kufi masiv me Rusinë në një aleancë kur nuk ke vullnet politik, nuk ke kapacitet për ta mbrojtur, është çmenduri”.

Radio Evropa e Lirë: Le të kthehemi te letra, ajo thotë se “disa pretendojnë se akti i sjelljes së Ukrainës në NATO do ta pengonte Rusinë që ta pushtonte përsëri Ukrainën. Ky është një mendim i bazuar në dëshira”. Po, për vendet Baltike? Polonia? Finlanda? Suedia? E gjithë arsyeja pse ata donin të bëheshin anëtarë të NATO-s është që të jenë të sigurt dhe të mbrojtur në të ardhmen. Pra, si e shihni të ardhmen kur bëhet fjalë për NATO-n dhe Ukrainën?

William C. Wohlforth: Para së gjithash, një vend nuk bëhet i sigurt thjesht duke deklaruar se është anëtar i NATO-s.

Për të qenë i sinqertë, Shtetet e Bashkuara dhe NATO-ja i pranuan shtetet Baltike para se [NATO] të kishte ndonjë mënyrë të besueshme për t’i mbrojtur ato. Ende në njëfarë mënyre nuk ka, por ka gjëra të tjera që mund të bëhen kundër Rusisë në përgjigje të një inkursioni rus në ato vende.

Pra, të shtosh një vend të madh sa Franca me një kufi masiv me Rusinë në një aleancë kur nuk ke vullnetin politik, nuk ke kapacitetin për ta mbrojtur, është çmenduri. Por, a mund të ketë garanci të tjera që mund t’i ofrohen Ukrainës si pjesë e një marrëveshjeje për përfundimin e luftës? Me siguri. Dhe [a mund të] duken shumë si anëtarësimi në NATO? Ndoshta.

Në fakt, kur nënshkrova letrën, kryesisht isha kundër idesë së shpalljes së një të ardhmeje të pashmangshme të NATO-s për Ukrainën, që është ajo që thanë në Uashington. Ekziston mundësia që ndoshta në një marrëveshje të ardhshme mund të krijohet një situatë ku Ukraina mund të mbrohet nga Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj në Evropë. Por, tani për tani nuk mundet. Dhe, kështu, nuk dua ta përjashtoj mundësinë që një ditë në të ardhmen kjo do të jetë e mundur.

Por, ka shumë mënyra të ndryshme për të ofruar siguri për vendet që nuk përfshijnë domosdo angazhimet e Nenit 5 të [NATO-s] (që një sulm ndaj një anëtari të NATO-s konsiderohet një sulm ndaj të gjithë aleancës). Mendoj se ato duhet të merren parasysh si një pjesë e mundshme e një zgjidhjeje përfundimtare në të ardhmen.

Radio Evropa e Lirë: A besoni se pa një garanci të fortë të sigurisë, paqja në Ukrainë mund të jetë afatgjatë?

William C. Wohlforth: Mendoj se do të jetë shumë e vështirë, por mendoj se është e mundur kryesisht sepse Ukraina ka treguar se është një vend jashtëzakonisht i fortë në mbrojtje. Është shumë e vështirë ta pushtosh atë. Tani, kthimi i territorit që Rusia ia ka vjedhur dhunshëm do të jetë jashtëzakonisht i vështirë. Por, ta pushtosh Ukrainën, ta mundësh Ukrainën, kush dëshiron ta bëjë atë? Kush dëshiron të luftojë kundër Ukrainës?

Unë nuk dua. Ata janë një vend shumë, shumë i fortë. Dhe po mbrohen në mënyrën e vjetër, që do të thotë se po mbrohen vetë, sigurisht me shumë ndihmë materiale. Kjo, për mua, është pengesa më themelore ndaj Rusisë.

Përgatiti: Doruntina Baftiu

Send this to a friend