Ambasadori William Walker, ish-shefi i Misionit verifikues të OSBE-së në Kosovë, thotë se kriza aktuale në Kosovë dhe gjithë problemet që e shqetësojnë vendin, tregojnë se sistemi politik nuk po funksionon. Në një intervistë për Zërin e Amerikës, ambasadori Walker ia atribuon përgjegjësinë jo vetëm politikanëve të vendit, sidomos qeverisë, por edhe problemeve të trashëguara nga ato që ai i quan gabime të organizatave dhe faktorëve ndërkombëtarë që kanë vepruar në vend që pas çlirimit. Në bisedën me kolegen Keida Kostreci, ambasadori Walker foli edhe për planin e tij për të organizuar diasporën shqiptare nga të gjitha vendet e Ballkanit, për të rritur ndikimin e tyre.
Zëri i Amerikës: Ambasador Walker, Kosova gjendet në krizën më të rëndë politike që kur shpalli pavarësinë për shkak të mospajtimeve rreth marrëveshjes për shënimin e kufirit me Malin e Zi, e cila është tërhequr tashme nga parlamenti, dhe asaj për asociacionin e komunave me shumicë serbe. Si i shihni ju këto zhvillime?
William Walker: Mendoj se është një krizë shumë serioze, jo vetëm politike, por e përgjithshme që tregon se çfarë ka ndodhur në Kosovë që nga pavarësia, madje që nga çlirimi i saj. Ka shumë çështje që janë akumuluar, si për shembull radikalizimi i të rinjve të Kosovës. Kush mund ta mendonte se Kosova do të kishte një përqindje kaq të lartë të rinjsh që bëhen xhihadistë, në raport me popullsinë? Është pastaj krimi i organizuar, mungesa e shtetit ligjor, korrupsioni, të gjitha këto çështje vijnë para një parlamenti, një qeverie që nuk po funksionon. Sistemi politik nuk funksionon dhe të gjitha këto probleme janë manifestim i kësaj dukurie. Të gjitha këto sipas mendimit tim, e kanë fillesën tek hapat që u morën pas çlirimit dhe pas pavarësisë. Unë fajësoj klasën politike, fajësoj ndërkombëtarët që erdhën për t’u bërë mentorë dhe kam frikë se disa herë kanë udhëzuar në drejtimin e gabuar. Mendoj se një pjesë e mirë e korrupsionit në Kosovë, është pasqyrim i korrupsionit që ishte tek UNMIK-u, tek disa nga ndërkombëtarët, detyra e të cilëve ishte që t’i tregonin Kosovës se si të bëhej një shtet modern evropian.
Zëri i Amerikës: Cilat do të ishin disa nga zgjidhjet e krizës politike në Kosovë, sipas jush? Çfarë duhet bërë për ta kapërcyer atë?
William Walker: Mendoj se qeveria duhet të dëgjojë opozitën në vend që ta detyrojë të hedhë gaz lotsjellës në parlament, apo të organizohet për të dalë nëpër rrugë, siç ka bërë Vetëvendosja. Nuk duhet ta shohin opozitën si armik dhe të mendojnë se është shumë më mirë të kënaqin komunitetin ndërkombëtar, sesa opozitën në vend. Mendoj se mënyra e vetme për reformimin e sistemit politik është përfshirja e opozitës në diskutime, sesa të thonë “jo, jo, jo” dhe të dëgjojnë vetëm atë që u thotë komuniteti ndërkombëtar.
Zëri i Amerikës: Ju keni qenë i afërt me opozitën, veçanërisht me Vetëvendosjen. Ju po thoni që opozita është shtyrë të ndërmarrë këto veprime, por përgjegjësia nga vëzhguesit e jashtëm të paktën, është vendosur jo vetëm mbi qeverinë që nuk e dëgjoi opozitën por edhe mbi metodat që ka përdorur opozita, që në një vend demokratik nuk do të ndodhnin dhe mënyra sesi ka vepruar opozita është konsideruar jokonstruktive…
William Walker: E di që ka shumë njerëz që mendojnë se unë kam shumë simpati për Vetëvendosjen. Kur Vetëvendosja u shndërrua nga një lëvizje popullore nën Albin Kurtin dhe (lëvizjes iu tha) se ndërkombëtarët nuk duan t’ju flasin, Ambasada amerikane nuk donte t’i fliste Albin Kurtit, por më thanë mua që nëse Vetëvendosja bëhet parti politike dhe hyn në jetën politike, atëherë ndërkombëtarët do të bisedonin me ta, do t’i ndihmonte që të tregonin se janë një forcë e opozitës, por gjithsesi një forcë pozitive. Kur u realizua kjo, unë thashë se kjo ishte diçka e mirë për demokracinë, që tani ky grup njerëzish që ishte jashtë sistemit, ishte përfshirë në sistem. Disa muaj pasi unë po bëja këto deklarata në favor të Vetëvendosjes, edhe unë u zhgënjeva me mënyrën se si po vepronte Vetëvendosja si parti politike. Pa dyshim që unë nuk jam në favor të dhunës që është provokuar në parlament dhe nëpër rrugë. Për protestat e dhunshme që kanë qenë të shpeshta vitet e fundit, Vetëvendosja ka një pjesë të mirë të përgjegjësisë, por kjo ka lidhje edhe me refuzimin e qeverisë për të hyrë në dialog me ta, duke thënë se Ambasada amerikane, apo ambasada të tjera na kanë thënë se duhet të veprojmë kështu e ashtu lidhur me Malin e Zi dhe çështjet e tjera. Unë nuk flas më në favor të Vetëvendosjes. Unë nuk besoj se gjendja është e mirë në Kosovë, si edhe në vende të tjera të rajonit. Politikanët nuk po punojnë si patriotë për qytetarët por vetëm po përpiqen të pasurojnë veten, të mbajnë veten në pushtet. Qeveria duhet të flasë me të gjithë në vend. Ata nuk i flasin Vetëvendosjes, nuk i flasin Ramush Haradinajt dhe njerëzve në partinë e tij dhe kjo mungon atje.
Zëri i Amerikës: Ju flisni për luftëtarët e huaj, xhihadistët që bashkohen me luftra të huaja në Lindjen e Mesme. Fakti tjetër shqetësues është që ata vijnë nga një vend që është ndoshta më proamerikani në botë. Si e shpjegoni këtë?
William Walker: Kur unë ika nga Kosova popullsia myslimane e Kosovës ishte ndër më laiket. Unë e kam vizituar vazhdimisht Kosovën, rreth 50 herë në 15 vitet e fundit. Për mua ka qenë befasi që Kosova është bërë tani një nga kontribuesit e numrit më të madh të xhihadistëve që shkojnë në Siri, në Lindjen e Mesme për të luftuar për ISIS-in, në raport me numrin e popullsisë. Është shumë e vështirë të gjesh një përgjigje, përveç faktit që papunësia mes të rinjve në Kosovë është në shifra astronomike, rreth 75-80 për qind. Këta të rinj nuk kanë se për çfarë të shpresojnë. Po ashtu, pas luftës, një numër faktorësh nga konfliktet e Lindjes së Mesme, filluan të dërgojnë fonde për ngritjen e qendrave ku predikohej një lloj islamizmi që ishte më radikal nga ai tradicional i Kosovës, para se ata të vinin. Filluan të vijnë para nga Lindja e Mesme, duke kërkuar vende ku mund të vendoste rrënjë ky lloj radikalizimi. Dhe u konsolidua ngadalë. Në fillim askush nuk po i kushtonte vëmendje. Është një prirje shumë shqetësuese dhe as komuniteti ndërkombëtar, as qeveria e Kosovës nuk e panë që ishte një problem në rritje. Këtij problemi i duhet kushtuar vëmendje e jashtëzkonshme dhe duhet të zmbrapset.
Zëri i Amerikës: Ju keni ndërmarrë një nismë për të bashkuar në një zë diasporat shqiptare nga të gjitha vendet e rajonit, për t’i mobilizuar që të jenë më forta si grupim vetë, por edhe që të kenë një zë më të fortë në vendet e origjinës. Mund të na jepni disa detaje?
William Walker: Unë jam i interesuar për mënyrën sesi funksionojnë sepse kam qenë i angazhuar me diasporën salvadoriane dhe atë vietnameze. Diasporat kanë disa të përbashkëta, përfshirë ato që vijnë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia dhe Mali i Zi megjithëse vijnë nga kontekste të ndryshme. Shumë prej tyre duan të punojnë dhe të kthehen në vend të hapin biznese me përvojën që kanë marrë këtu. Por shumë pak nga këto përpjekje kanë qenë të suksesshme, sepse kur kthehen shohin që qeveritë e vlerësojnë faktin që ata dërgojnë remitanca në vendet e tyre, sepse shumë vetë varen prej tyre. Për shembull në Kosovë, ato përbëjnë një përqindje të madhe 30-40 për qind të prodhimit të brendshëm kombëtar dhe qeveria e vlerëson këtë, por nuk do asnjë këshillë ose opinion nga diaspora, nuk duan që asnjë organizatë e diasporës t’u thotë se çfarë të bëjnë, që të sjellin përvojë nga jashtë, nga Shtetet e Bashkuara, Evropa.
Zëri i Amerikës: Dhe cili do të ishte roli juaj?
William Walker: Mendoj se diasporat nuk e kanë të qartë se çfarë pushteti do të kishin po të bashkoheshin dhe të punonin si një. Dhe ndryshime duhet të ketë në vetë këto vende. Për shembull në Kosovë, 20 vende në parlament janë të rezervuara për pakicën dhe ata kanë të drejtë vetoje. Por aq shumë vetë sa kanë lënë Kosovën dhe kontribuojnë në ekonominë e saj, kanë të drejtën që të kenë vende të rezervuara si diasporë në parlament, duhet të kenë zërin e tyre në procesin politik, sepse aktualisht janë krejtësisht të përjashtuar. Gjithashtu diaspora duhet të ketë të drejtën të votojë nga çdo vend ku janë në botë. Ka një proces që mund të votojnë në mungesë, por është shumë i komplikuar. Kur ata të kenë të drejtën të votojnë, politikanët do të dëgjojnë. Ajo që po përpiqem të bëj është që mes gjithë atyre organizatave të diasporës shqiptare, me platforma të ndryshme t’i bind tëm harrojnë politikën, dhe se kë mbështesin në vendin e origjinës dhe të bashkohen. Diaspora është aq e përçarë dhe e çorganizuar saqë unë do të përpiqem t’i bind njerëzit që të bashkohen, që të fitojnë peshën e duhur që të ndikojnë në vendet e tyre.
Shpenzimet e ulëta publike për shëndetësinë në Shqipëri nuk ndikojnë vetëm te cilësia e shërbimit, por edhe te jetëgjatësia e qytetarëve dhe zhvillimi ekonomik i vendit. Ky është përfundimi i një raporti të përgatitur nga ekspertë ndërkombëtarë për llogari të Dhomës Amerikane të Tregtisë, i cili paralajmëron se nënfinancimi i sektorit po sjell pasoja të rënda si në shëndetin e popullsisë, ashtu edhe në ekonomi.
Sipas raportit, mijëra shqiptarë humbin jetën para kohe për shkak të nivelit të ulët të investimeve publike në sistemin shëndetësor. Përveç kostos njerëzore, dokumenti vlerëson se barra e sëmundjeve ul produktivitetin e forcës së punës, frenon inovacionin dhe shkakton humbje të konsiderueshme ekonomike.
Në vitin e kaluar, shpenzimet publike për shëndetësinë në Shqipëri ishin mesatarisht 330 euro për banor, një nivel rreth pesë herë më i ulët se në vendet e ngjashme të rajonit dhe dhjetë herë më i ulët se mesatarja e Bashkimit Evropian.
Ekspertët argumentojnë se rritja e fondeve publike për rimbursimin e barnave, zgjerimin e aksesit në terapi bashkëkohore dhe forcimin e programeve të depistimit dhe diagnostikimit të hershëm të sëmundjeve do të sillte përfitime të konsiderueshme. Sipas tyre, nëse Shqipëria do t’i afrohej niveleve të financimit të vendeve të rajonit, ekonomia mund të gjeneronte mbi 560 milionë euro prodhim shtesë çdo vit.
Raporti rekomandon që qeveria të ndërmarrë një plan gradual për ta çuar financimin publik të shëndetësisë në 4% të Prodhimit të Brendshëm Bruto deri në vitin 2030, nga 2.9% që është aktualisht.
Auto 900 0 1785930451xpjese Raporti 8461785931836
Për realizimin e këtij objektivi do të nevojiteshin 457 milionë euro financime shtesë. Nga kjo shumë, 287 milionë euro do të përdoreshin për zgjerimin e rimbursimit të ilaçeve, terapive moderne dhe programeve parandaluese, ndërsa pjesa tjetër do të investohej në kujdesin shëndetësor parësor, mbështetjen për personelin mjekësor, mirëmbajtjen e infrastrukturës dhe investimet në dixhitalizim.
Autorët e raportit theksojnë se kjo nuk duhet parë si një barrë për buxhetin, por si një investim me kthim të lartë ekonomik, pasi përmirësimi i shëndetit të popullsisë ndikon drejtpërdrejt në rritjen e produktivitetit dhe zhvillimin ekonomik.
Edhe Organizata Botërore e Shëndetësisë vlerëson se vendet që shpenzojnë më pak se 3% të Prodhimit të Brendshëm Bruto për shëndetësinë janë ato që përfitojnë më shumë nga rritja e investimeve në këtë sektor.
Megjithatë, raporti evidenton se parashikimet e Programit Buxhetor Afatmesëm tregojnë një ulje të mëtejshme të peshës së shpenzimeve publike për shëndetësinë në raport me ekonominë. Sipas autorëve, kjo qasje rrezikon të thellojë kostot sociale dhe ekonomike, në një kohë kur kërkohet rritje e investimeve në shëndetësi. bw
Për 67 ditë me radhë mbahen protesta masive në vend kundër kryeministrit Edi Rama. Shqiptarët njëzëri kërkojnë largimin e kryeministrit.
Ata janë shprehur të vendosur se kërkesa për dorëheqje është e panegociueshme duke paralajmëruar se revoltat do të vazhdojnë deri në largimin e tij.
Edhe këtë të mërkurë qytetarët do të mbushin sërish sheshin para Kryeministrisë për të kërkuar dorëheqjen e Ramës dhe hetimin e tij, gjithashtu edhe të politikanëve të tjerë të korruptuar, që sipas tyre janë përgjegjës për plagët sociale me të cilat përballet vendi, si emigrimi apo varfëria ekstreme
Në javët në vijim pritet të mbahen protesta të mëdha kombëtare me pjesëmarrjen masive të diasporës. bw
Në një kohë kur rezistenca për dorëheqjen e kryeministrit Rama ka hyrë në ditën e 66, ylli i muzikës pop, Dua Lipa dhe shkrimtarja Lea Ypi kanë inkurajuar qytetarët që të vazhdojnë të protestojnë.
Në episodin e radhës të podcast-it Service95 Book Club, dyshja ka ndalur vëmendjen te lëvizjet qytetare në Shqipëri dhe mesazhi që ato përcjellin për përballjen me apatinë politike.
Dua Lipa ka komentuar një nga sloganet e forta të protestës: “Shqipëria nuk shitet”, dhe i është përgjigjur një prej komentuesve të programit i cili ngre pyetjen: “Si mund të shmangim lodhjen nga protestat?”, duke nxitur kështu një diskutim të thellë mbi lëvizjet qytetare në Shqipëri.
Gjatë podcastit, Lea Ypi shprehet se “është e rëndësishme ta shohim demokracinë si diçka që jeton edhe përmes këtyre rasteve të protestës, dhe jo ta reduktojmë demokracinë thjesht në pjesëmarrje në zgjedhje”.
Dua Lipa: Do të doja t’ua kaloja fjalën në këtë moment lexuesve të Service95, sepse kam disa pyetje nga ata për të ndarë. Kjo pyetje lidhet me protestat “Shqipëria nuk shitet”, dhe thotë: “Si mund të shmangim lodhjen nga protestat?” – Cassidy
Lea Ypi: Mendoj se është e rëndësishme ta shohim demokracinë si diçka që jeton edhe përmes këtyre rasteve të protestës, dhe jo ta reduktojmë demokracinë thjesht në pjesëmarrje në zgjedhje, jo ta reduktojmë te elitat ekzistuese, dhe të mos mendojmë se e kemi kryer detyrën thjesht në atë ditë kur kemi shkuar dhe kemi zgjedhur një përfaqësues në vend të një tjetri. Dhe të kuptojmë se në këto raste, protestat mund të jenë gjithashtu krijuese. Ato mund të gjenerojnë ide, mund të gjenerojnë projekte, dhe…
Dua Lipa: Po.
Lea Ypi: Për mua, është shumë përcaktuese t’i përmbahemi kësaj dhe të mos i dorëzohemi apatisë e cinizmit. Dhe këtu, në fillim, njerëzit po këndonin, po kërcenin dhe po u shpërndanin lule policisë, kështu që ishte thjesht një mënyrë vërtet ndryshe për të bërë një protestë…
Dua Lipa: Po, për të protestuar.
Lea Ypi: …të cilën e ndjeva se ishte vërtet frymëzuese dhe mund të shërbente si shembull se si vendet e tjera duhet t’u përgjigjen elitave të tyre dhe t’i përgjigjen kësaj kapjeje oligarkike të politikës.
Për 66 ditë me radhë, në mbarë vendin po zhvillohen protesta masive kundër kryeministrit Edi Rama. Protestuesit kërkojnë njëzëri largimin e tij nga detyra.
Ata janë shprehur të vendosur se kërkesa për dorëheqjen e kryeministrit është e panegociueshme, duke paralajmëruar se protestat do të vazhdojnë deri në realizimin e këtij qëllimi.
Sot shënohet dita e 66-të e protestave, ndërsa qytetarët pritet të mblidhen sërish për të përsëritur thirrjen e tyre për dorëheqjen e kryeministrit.
Qytetarët kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Rama dhe qeveri teknike 12-mujore, po ashtu hetimin e kryeministrit Edi Rama nga SPAK. bw
Protesta popullore nuk do të ndalet as gjatë muajit gusht, pavarësisht temperaturave të larta, kurse në shtator do të zbatohet një strategji e re me kërkesa të njëjta, ku numrat do të rriten së tepërmi dhe kryeministri Edi Rama nuk do ketë pushime të qeta.
Kështu u shpreh aktivisti Erjon Murataj sot në studion e televizionit News24, duke komentuar aktualitetin politik, protestën qytetare, reformën territoriale dhe çështje të tjera që prekin Shqipërinë.
“Kemi parë zbutje të gjuhës së Ramës si pasojë e protestave. Kuvendi një nga instrumentet e nismës së protestës popullore. Protesta qytetare e ka vrarë frikën. Është një detyrim që ia kemi brezave dhe qytetarëve tanë. Protesta është detyrë e çdo qytetari që kërkon një Shqipëri ndryshe”, tha ai mes të tjerash.
Duke komentuar strategjinë e protestës gjatë muajit gusht dhe shtator, Murataj nënvizoi se bërthama e revoltës ka mbetur në shesh pavarësisht vapës, kurse në shtator do të ketë lëvizje më të mëdha.
“Unë mendoj se organizimi tani ka nisur edhe për muajin shtator, i grupuar apo jo, por secili po punon për diçka më të madhe në shtator. Organizimi i protestës do ndryshojë, por kërkesa do mbetet e njëjtë. Nuk do të thotë se nuk do vijojë edhe në gusht, por kufizohet edhe për shkak të temperaturave të larta, por dallohet qartë se ka vendosmëri të qartë dhe numrat do jenë në rritje. Protesta ka faktuar se e ruan bërthamën e saj dhe thirrja mbetet e njëjtë”, vijoi ai.
Murataj paralajmëroi se kryeministri nuk do të ketë pushime të qeta verore, teksa denoncoi edhe planin e kreut të mazhorancës për të kapur reformën territoriale, bashkitë dhe deri te Prokurori i Përgjithshëm.
“E kam thënë dhe e them se Rama nuk është i qetë dhe nuk do ketë pushime të qeta. Ende nuk është bërë lajm, por Rama po fut duart edhe te Prokurori i Përgjithshëm dhe kjo rezonon me frikën e madhe që ai ka për shtatorin. Reforma Territoriale i përgjigjet nevojës ë Ramës për të administruar politikisht territorin dhe jo për shtetbërje. Kryebashkiakët që nuk dalin në protestat për reformën territoriale janë servila të kryeministrit Rama dhe lëpirës të tij. Financat do përqendrohen në qytetet e mëdha dhe ky është problem, kryebashkiaku i Elbasanit nuk mund të kujdeset për nevojat e banorëve të Shalës. Po kështu edhe në Belsh dhe zona të tjera. Jo vetëm Bashkitë nuk duhet të shkrihen, por duhet të rikthehen edhe Komunat”, tha Murataj.
Në fund Murataj falënderoi edhe televizionin “News24” si të vetmen “dritare shprese” për protestën dhe qytetarët shqiptarë, që pasqyron me realitet atë që po ndodh, por edhe hallet e qytetarëve.
Protesta kundër qeverisë hyn sot në ditën e saj të 65-të, duke shënuar mbi dy muaj mobilizim të pandërprerë në rrugët e Tiranës. Edhe këtë mbrëmje, qytetarët pritet të mblidhen para godinës së Kryeministrisë për të vijuar protestën e përditshme, e cila, sipas organizatorëve, do të vazhdojë deri në largimin e kryeministrit Edi Rama.
Ajo që nisi si një reagim ndaj zhvillimeve në Zvërnec është shndërruar në një lëvizje qytetare më të gjerë, me protesta të përditshme kundër qeverisë dhe asaj që organizatorët e cilësojnë si “kastë politike”. Për më shumë se dy muaj, tubimet janë shoqëruar me marshime në rrugët kryesore të kryeqytetit dhe me thirrje të vazhdueshme për ndryshim politik.
Në protestën e një dite më parë, aktivistët deklaruan se nuk do të tërhiqen nga kauza e tyre. Ata përsëritën kërkesën për dorëheqjen e kryeministrit, ndërsa u shprehën se pakënaqësia qytetare po zgjerohet edhe në qytete të tjera të vendit për shkak të reformës së re territoriale, që sipas propozimit të mazhorancës pritet shkrirja e 15 bashkive.
Si çdo mbrëmje, edhe sot protesta pritet të nisë me fjalime para Kryeministrisë dhe të pasohet nga një marshim në rrugët e Tiranës. Organizatorët kanë bërë të ditur se mobilizimi do të vijojë çdo ditë deri në përmbushjen e kërkesave të tyre, duke theksuar se protesta nuk do të ndalet. bw
Lëvizja qytetare që kërkon dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe largimin e qeverisë vijon edhe këtë të diel, me protestën e radhës që pritet të nisë në orën 19:00 në sheshin “Skënbderbej”, në Tiranë.
Tubimi i sotëm shënon ditën e 64-të radhazi të mobilizimit, ndërsa organizatorët bëjnë thirrje për pjesëmarrje masive dhe vazhdimin e protestave deri në realizimin e kërkesave të tyre.
Gjatë protestës së 63-të, mijëra qytetarë marshuan në rrugët e kryeqytetit, duke shprehur pakënaqësinë ndaj qeverisë përmes pankartave dhe sloganeve të ndryshme. Mes thirrjeve të dëgjuara ishin: “O milet, Rama ka siklet”, “Rama f*ck you” dhe “140 deputet, Parlament analfabet”.
Protestës iu bashkuan edhe përfaqësues të diasporës, të cilët kërkuan fundin e sistemit aktual politik, dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama. bw
Lëvizja qytetare që kërkon dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe largimin e qeverisë mban sot protestën kombëtare, ku do të jetë e pranishme dhe Diaspora shqiptare.
Ashtu si për cdo natë, edhe dje u mbajt protesta e 62-të radhazi, duke vijuar mobilizimin e përditshëm në Tiranë.
Gjatë tubimit, organizatorët përsëritën thirrjet për dorëheqjen e kryeministrit dhe zhvillimin e zgjedhjeve të parakohshme, ndërsa njoftuan se protesta e radhës, e planifikuar për nesër, më 1 gusht, pritet të jetë një protestë kombëtare me pjesëmarrje të gjerë të qytetarëve dhe të diasporës shqiptare.
Sipas njoftimeve të shpërndara nga komunitetet e diasporës në rrjetet sociale, protesta do të zhvillohet në Bulevard, ndërsa shqiptarët brenda dhe jashtë vendit janë ftuar t’i bashkohen tubimit.
“Ka nisur numërimi mbrapsht. Vrisni frikën, merrni pjesë në protestë. Rama i ka ditët e numëruara”, ishin thirrjet e bëra në protestën para Kryeministrisë
Organizatorët kanë bërë apel për pjesëmarrje sa më të madhe në protestën e 1 gushtit, duke e cilësuar atë si një nga mobilizimet më të rëndësishme të kësaj lëvizjeje, ndërsa theksojnë se pjesëmarrja e diasporës do të jetë një element kyç i tubimit.
Rama, jepe dorëheqjen! Quhet hiti veror i Bulevardit të Tiranës i cili e ka lodhur nervin e kryeministrit për të provuar një krijim të ri.
Ndoshta askujt nuk do t’ja merrte mendja se politika dhe muzika do të ishin kaq të lidhura dhe paralajmëruese në histori dhe fatet e një vendi. E hedhim këtë këndvështrim jo sepse Koncerti i Shtatorit për Jenifer Lopez dështoi, as edhe pse Kanye West e la zhurmën pasi “ne si shqiptarë nuk do të turpëroheshim”, siç Gonxhe dhe Rama zhbllokuan mbi 4 milion fond emergjence për mbarëvajtjen e një koncerti 90 minutësh.
Nuk e dimë se si matematika bëhet, por e panjohura mbeti.
Askush nga qeveria nuk na e dokumenton faturën (transparencë) se sa u pagua West dhe 3200 punëtorët e përkohshëm.
Nga veprimet dimë dy deklarata.
1-Rama:- “Jo më pak se 100 milion euro të ardhura për ekonominë?”
2-Gonxhe:-“… ka sjellë para në qarkullim në Shqipëri rreth 35 milionë euro”
Futën 4, morën 35 dhe thanë jo më pak se 100.
Ose 100 – ( 35-4) -x = 31
Sa është kjo e panjohur?
Vetëm 69.
Ishte kjo një shumë vetëm për imazh apo ishte keq menaxhim?
Ky është në fakt besimi që krijohet ose humbet tek qytetarët.
Prandaj Lopez duke e kuptuar se juve jeni 99-ça, nuk ua pranoi koncertin, por ju vuri kushtin i cili sigurisht u justifikua menjëherë nga propaganda. Në këtë rast Gonxhe e tha hapur:-“Refuzuam Jenifer Lopez për koncert për shkak të protestave, na kërkoi 2 mln euro garanci”.
Po mirë, edhe me më pak se 4 milionëshi i West sakrifica për imazh në këtë rast nuk ja vlen?!
Mbase e nënëfishonit. 18 milion nuk janë pak me këtë mënyre se si punon ekonomia e Rilindjes Socialiste.
Kuptueshëm, Ministri i Kulturës Gonxhe nuk di as “suksesin” ta menaxhojë sepse hijet e përvetësimit dhe skema korruptive duhet të vajisë shumë aktorë dhe çmimet duket se janë rritur dhe nuk ja vlen të ofendohesh me shifra dhe çmime të tilla.
Por mirë se edhe që matematika nuk bëhet saktë, por nga njëri mashtrues tek tjetri përvetësimi dhe mashtrimi si do të jenë pasojat në qoftë se nuk ka transparencë dhe kontrroll financiar. Nuk veprojnë organet e drejtësisë?
Buxheti i shtetit dhe taksat e qytetarëve nuk janë imazhi.
Me përllogaritjet e Ramës, futja e 4 milion eurove që u nëntëfishua sipas Gonxhes nuk janë suksesi i pritshëm. E panjohura është ai 69 milionshi që nëse përllogaritet gabim i bie të që të jetë fryrë mbi dy herë.
Mes imazhit, aritmetikës dhe propagandës qytetarët në sheshin e protestës e kanë kuptuar se janë të vjedhur.
Kur dëgjon Gonxhen të thotë në Kuvend se:-“Ata që kanë diçka me koncertin na vjen keq do të jetë një nga eventet më të jashtëzakonshëm të Tiranës, të Shqipërisë, që na futën në ligën e kampionëve të vendeve më elitare sa i takon imazhit të vendit, reputacionit dhe destinacionit si dhe sa i takon brandit shqiptar. T’i vijë turp çdo njërit që shpif në emër të kulturës të artit dhe aktiviteteve që forcojnë turizmin dhe zhvillojnë vendin tonë”, dhe Ramën kur sqaron aneksin e “Besës” me shpikjen “Prania Besnike” dhe thekson se:-“…e kam tagrin të vendos për veten time nëse duhet t’i dëgjoj apo jo dëshirat ose urdhrat e një pjese që këndon poshtë zyrës sime: “Rama, jepe dorëheqjen!” Ajo këngë mua më pëlqen dhe më energjizon aq shumë, sa, të them të drejtën, më gënjen mendja që mund të bëj edhe një këngë tjetër me të. Por, në çdo çast dhe rrethanë, përtej këngës, të largohesh nga detyra që të ka ngarkuar shumica vetëm sepse një pakicë bërtet në kor, nuk është as tipar udhëheqës, as përgjegjshmëri institucionale dhe as modesti institucionale; është vetëm braktisje e një përgjegjësie shumë të madhe.” , shqiptarët kanë kuptuar se pasi janë vjedhur, janë fyer dhe pasi janë fyer këta qeveritarë edhe u këndojë.
Në sheshin e protestës askush nuk po shpif dhe kënga “Rama, jepe dorëheqjen!” pavarësisht se i pëlqeka dhe po i prish mendjen që të mund të bëj edhe një këngë tjetër me temën, atyre u duhet thënë se me albumet e para “Tirona”, more Bashkinë e kryeqytetit dhe hodhe themelet e korrupsionit. Me tjetrën “Çohu” në 2013 more pushtetin dhe ju sule Shqipërisë. Tani me “Dorëheqjen”, ky hit i verës prej Bulevardit të Tiranës, ka marrë qytete e Bashki si Përrenjasi, Poliçani, Shkodra, Klosi e ndoshta shumë të tjera pas që do të zgjohen për t’i larguar duart e grabitjes pas shpopullimit që Rilindja Socialiste dhe elita e saj i bënë Shqipërisë.
Hiti i Verës, Rama jepe Dorëheqjen! është në krye këto tetë javë ose më saktë në Ditën e 62-të.
31 Korrik, 2026
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës (UGSHPD)
Verband Albanischer Berufsjournalisten der Diaspora (VABD)
Union of Professional Albanian Journalists of Diaspora (UPAJD)
L’Union des journalistes professionnels albanais de la diaspora (UJPAD)
Unione dei Giornalisti Professionisti Albanesi della Diaspora (UGPAD)
Këngëtarja shqiptare me famë ndërkombëtare, Dua Lipa do të mbajë edhe këtë vit në Prishtinë festivalin “Sunny Hill”, nga data 31 korrik deri më 2 gusht.
E veçanta e këtij edicioni është se po mbahet në një periudhë kur Shqipëria është përfshirë nga protesta masive antiqeveritare, që nisën nga Zvërneci si një kauzë mjedisore në mbrojtje të natyrës.
Më herët ylli ndërkombëtar, në një bashkëbisedim në podkastin e shkrimtares Lea Ypi u shpreh në mbështetje të protestave, intervistë që bëri jehonë në mediat ndërkombëtare.
Në këtë ediocion Dua Lipa ka zgjedhur që në hyrje të festivalit të vendosë simbolin e këtyre protestave që janë flamingot, duke i dhënë kauzës një tjetër mbështetje të madhe pasi vetë audienca e festivalit nga viti në vit rritet dhe gjithmonë e më shumë po i bashkohen artistë të mëdhenj të skenës botërore.
Në këtë edicion lista kryesohet nga Katy Perry, asaj i bashkohen Martin Garrix, Lewis Capaldi, Adam Port dhe Rampa të Keinemusik, Seth Troxler, PAWSA dhe Carlita.
I themeluar në vitin 2018 nga Dukagjin Lipa dhe i promovuar ndërkombëtarisht nga vajza e tij Dua Lipa, festivali tërheq më shumë se 100,000 pjesëmarrës nga gati 60 vende çdo vit. bw
Këtë të premte SPAK pritet t’i komunikojë akuzën ish-zv.kryeministres Belinda Balluku për zgjatjen e hetimeve dhe njëherazi do t’i komunikojë akuzën edhe për lotët 5, 6 dhe 7.
Ndërkohë pranë dyerve të SPAK, disa të rinj kanë zgjedhur një mënyrë të veçantë për të protestuar.
“Bela vasalja e mretit, tregoi SPAK-ut vjedhjen e buxhetit”, shkruhet në një pankartë. gsh
Shqipëria është e rrethuar nga dete, liqene dhe alpe mahnitëse, por më shumë se gjysma e familjeve në vendin tonë nuk kanë mundësi financiare të përballojnë një javë pushime në vit larg banesës së tyre, duke e renditur Shqipërinë ndër vendet me nivelin më të lartë të privimit ekonomik në Europë.
Sipas të dhënave të Eurostat, që për Europën i takojnë vitit 2025, dhe Shqipërisë vitit 2023, rreth 53% e familjeve në Shqipëri nuk mund të përballojnë një javë pushime. Shqipëria renditet e dyta, pas Rumanisë, ku kjo përqindje kalon 60%.
Pas Shqipërisë renditen Turqia, me rreth 51%, Maqedonia e Veriut, me afërsisht 48%, dhe Greqia, me rreth 47%. Të dhënat tregojnë se pamundësia për të bërë pushime është veçanërisht e përhapur në vendet e Europës Juglindore dhe në ekonomitë me të ardhura më të ulëta.
Në këtë tregues, Shqipëria është shumë më dobët edhe se Rajoni. Në Serbi, rreth 36% e familjeve nuk mund të përballojnë pushimet, ndërsa në Bullgari dhe Hungari përqindja arrin afërsisht në 39%. Italia regjistron një nivel prej rreth 36%, ndërsa Portugalia, Kroacia dhe Spanja luhaten në intervalin 32-33%.
Mesatarja e Bashkimit Europian është rreth 27%, pothuajse sa gjysma e nivelit të regjistruar në Shqipëri. Kjo do të thotë se pamundësia për të kryer një javë pushime prek proporcionalisht gati dy herë më shumë familje shqiptare sesa në BE.
Në vendet me të ardhura më të larta, përqindja është dukshëm më e ulët. Në Gjermani dhe Irlandë, rreth një në pesë familje nuk mund të përballojë pushimet, ndërsa në Holandë dhe Suedi, niveli zbret në rreth 12-13%.
Përqindjet më të ulëta regjistrohen në Zvicër dhe Norvegji, ku më pak se 10% e familjeve nuk kanë mundësi të kryejnë një javë pushime, si dhe në Luksemburg, me rreth 11%.
Pozicioni i Shqipërisë reflekton nivelin e ulët te të ardhurave të familjeve dhe hapësirën e kufizuar që mbetet për shpenzime jo të domosdoshme, pasi përballohen kostot e ushqimit, strehimit, energjisë dhe transportit.
Edhe pse pushimet nuk konsiderohen shpenzim bazë, pamundësia për t’i financuar përdoret si një tregues i rëndësishëm i standardit të jetesës dhe i privimit material.
Treguesi i Eurostat nuk mat nëse një person ka shkuar realisht me pushime, por nëse familja ka mundësi financiare të paguajë një javë larg shtëpisë. Pushimet mund të bëhen brenda ose jashtë vendit.
Nëse një familje zgjedh të mos udhëtojë për arsye personale, ajo nuk konsiderohet automatikisht e privuar. bw
Komentet