Maltin Repishti, është shembulli më i ndritshëm që kam njohur në Minneapolis të Amerikës në fillim të këtij shekulli. Një djalë i jashtëzakonshëm, një shpirt plot buqeta dashurie dhe respekti, një shkodran me humor që ta rrëfentë botën e vet duke qeshur, një profesionist që shkëlqente dhe nuk harronte kurrë të telefononte pacinetët e vet në çdo ditëlindje. Dr.Maltin Repishti dëshmon një krenari shqiptare të pashoqe në Amerikë. Një monument i dukshëm dhe i paharruar. Ai mbetet një profil i ndritshëm shqiptar në shëndetësinë amerikane.
Rastësia na bashkoi në Minnesota. Ime shoqe, më tha një ditë se kishte gjetur shqiptar në Minneapolis. “Nuk ka mundësi, – i thashë, – nuk ka shqiptarë këtu.” Ajo qeshi dhe më shpjegoi: “Një klienti im më tha se kisha aksentin si të doktorit të tij. Është shqiptar më tha.Doktori më i mirë që kam pasur”. Ajo më zgjati një copë letër me numrin e Maltin Repishtit. I telefonova dhe lashë mesazh. Pas dy ditësh ra zilja. Një zë i ëmbël më tha: ” Unë jam Maltini Repishti…” Ishte telefonata më e bukur që kam përjetuar larg Atdheut. Kisha gjetur një mik të rrallë që “më shoi” etjen shqiptare.
Prej asaj dite ne mbetëm miq. Kemi kaluar sa e sa momente të bukura me Dr. Maltin Repishtin, duke kujtuar copëza nga Shqipëria që kishim lënë të dy pas pa mëdyshje. Ai ishte student i dhjetorit, por që nuk krenohej për këtë. “E vetmja gjë e mirë e asaj lëvizje, – më rrëfente Maltini, – ishte mundësia për të ikur”. Ai erdhi në Amerikë me $40.00 dollarë në xhep dhe falë punës së tij u bë një doktor milionier, që jetoi gjithë ëndrrat e veta.
Më dhemb në shpirt ikja e beftë e Dr. Maltin Repishtit. Ai ishte njeriu i dimensioneve moderrne dhe shkodrani që sillte humor në hapësirat e qyteteve binjake në Minnesota.Për mua, Maltin Repishti ishte simbol i një brezi ëndërrimtarësh që “rrëmbeu shansin” në perëndim dhe nuk u ndie kurrë “i ardhur” apo emigrant. Maltini që në takimin e parë të dukej sikur kishte lindur kësaj ane të Atlantikut: një intelektual me ëndrra të mëdha dhe fantazi plot dritë. Ai ndihmoi me dhjetëra shqiptarë të ishin “si Maltini i Shkodrës”: të sukseshëm.
Nuk do të kem dot kurrë një mik të tillë, të rrallë në Amerikë, si Maltin Repishti. Nga afër kam lexuar botën e madhe ëndërrimtare të këtij shkodrani, që të bënte të ndiheshe ndryshe që në takimin e parë. Mbeten në kujtesën time momentet pikante të Maltinit, që e deshëm të gjithë. Të gjithë kërkonin të ishin “miq me Maltinin”, ndërsa ai mençurisht zgjidhte miqtë dhe shokët që deshte. Jam dëshmitar i sa e sa momenteve ku ai shpaloste çlitërisisht ëndërrimet e veta. Kujtoj kur ai kujdesej në Minneapolis për babën e vet të sëmurë. “Nuk dua të ikë pa më parë mua të martuar” – do të më thoshte një ditë me lot në sy.
Njeriu lind që të ëndërrojë dhe të prekë ëndrrën e vet. Në fakt, Maltin Repishti i “preku me dorë” tërë ëndërrimet dhe projektet e veta. Ashtu siç dëshironte vetë. Kujtoj: ndërsa ishte në Gjermani për të ndjekur një kampionat botëror të futbollit, Maltini do më telefononte: “Shefqet. E gjeta dhe unë vajzën me të cilën do të martohem. Është shqiptare…” E do më rrëfente në detaje se si në një mbrëmje në Çikago, një vajzë e bukur kishte “verbuar” vështrimin e qartë të djaloshit Maltin. Kur u kthye, do të takoheshim dhe tërë zjarr do të më rrëfente: “Është një vajzë e mrekullueshme.
Është nga antë e tua, Do të martohem. Do të bëj 4 fëmijë. Do jenë dy vajza, dy djem…Kur të më rriten çunat, do të shikojmë bashkë të ndjekim finalet e kampionatit botëror, kudo që të jenë nëpër Botë, kudo…” Unë dëgjoja. Sa shumë më gëzonin këto ëndrra që më shpaloste një shkodran që sapo ishte fejuar. Ndihesha i ngazëllyër për atë sinqeritet që nuk e kisha parë askund tjetër dhe mezi prisja kohën që rrokullisej. Dhe unë dëshmoj: Dasma shkodrane në Minnetonka ishte një ndër më të bukurat dhe më madhështoret nga shqiptarët e këtushëm. Duke u puthur Lori-Maltini, çifti do të lëshonte pëllumba të bardhë në qiell. Ne dasmorët duartrokitëm plot hare.Ishte një dasmë monumentale , për të cilën kam botuar kronikën tek librim “Unë, ikanaku Shqiptar”. Sot më duket sikur ata pëllumba të bardhë që fluturuan në qiell atë ditë-martese , tashmë e “shëtisin” Maltin Repishtin në Univers, mes yjesh pa fund. Nuk mund të kontrolloj dhimbjen për këtë ikje, kur Maltini duhej që të shijonte më tej atë që kishte projektuar në ëndrrimet e veta.
E kam përqafuar fort Maltinin kur u bë baba për herë të parë në Minnesota. “Po krijoj familjen time” – më thoshte dhe fytyra i ndriste e qeshura. Iku më pas në San Diego, Kaliforni ku ndërtoi “perandorinë e tij”. Në Nëntor 2024, erdhi në Minneapolis dhe qëndruam bashkë. Ai më fliste. Më rrëfente se si kishte krijuar familjen e madhe siç kishte premtuar: dy vajza, dy djem. Lori, bashkëshortja, ishte bërë juriste. Më rrëfente pa pushim për “kështjelltën” ku jetonte: se kishte një bahçe të madhe, në një kodër të bukur nga ku vështroje Paqësorin. “Kam mbjellë me duart e mia 130 drurë frutorë nga gjithë bota, edhe nga Shqipëria…” – do më thoshte. Më rrefentë në celular pamjen nga sateliti, duke më befasuar me histori interesante me komshinj amerikanë. “Ejani na vizitoni.Ejani…” – më përsëriste herë pas here.
Takimi i fundit me Maltin Repishtin ishte një “rrëfim pa fund”. E solli Zoti apo shansi? Më dëftente udhëtimet e pafundme me familjen e vet nëpër botë. U ndal veçanërisht në magjitë që kishte zbuluar në ishujt grekë që nuk i kisha dëgjuar e ai mi rrëfentë si përralla. Kishte një etje të më magjepste me çdo gjë që kishte parë nëpër Greqinë e lashtë dhe nëpër botë. “Jeta duhet shijuar – më përsëriste herë pas herë dhe pastaj, duke më parë në sy , vijonte – dhe unë e kam shijuar… Ja, kam prerë biletat për finalet e Kampionatit Botëror të Futbollit për vitin 2027… Do të jem me çunat e mi…” Sytë shkëlqenin duke rrëfyer. Në fytyrën e tij sikur shfaqej zemra me të rrahurat e saj pa pushim. Pa pushim më foli Maltini në takimin e fundit, pa pushim…
Dr. Maltin Repishti ishte një shatërvan ëndrrash të bukura. Me të kthehej rinia dhe nuk ndieje asnjë peshë kohe. Maltini, doktori që shëroi sa e sa dhimbje, që shpëtoi sa e sa jetë amerikane, që platiti dhimbje, dhuroi shpresë, optimizëm, që “vaditi”me fjalën e vet dashurinë e kurajon për jetën…në dhjetor 2024, do të më telefenonte. Ishte një zë ndryshe. Nuk m’u duk Maltini.U drodha.Ishte mëngjes. Maltini nga San Diego, me atë zë që më kishte zhytur në qindra rrëfime të bukura, befas do më thoshte: “Shefqet, jam diagnostikuar me kancer në stomak…E kam të trashëguar, por do të shërohem…” U drodha.Nuk e besova. Më shpëtuan lot. Zëri i tij më trembi. “Do të shërohesh mik. Do të triumfosh…” – i thashë dhe fshiva lotët. Maltini ëndërrimtar më ka mbetur para syve i tillë: I mrekullueshëm! Kur zëri i dridhur më përcillte lajmin tronditës, nuk di pse kujtova rrëfimin e Dr. Repishtit kur sapo ishte fejuar. Me atë të qeshurën e vet si diell më tha me krenari: “Kam gjetur një vajzë të mrekullueshme. Ti nuk e di, por si dëshmi e jashtëzakonshme e kësaj dashurie, bëra një analizë speciale të shëndetit tim dhe gjithçka ishte në parametra fantastikë. Bëra një kërkim molekular në bërthamën e jetës qelizore, që nuk e bëjnë të gjithë dhe ishte perfekte. Mahnitëse ishte. Ia rrëfeva Lorit dhe prindërve të saj si një garanci e një të ardhmeje të sigurtë e plot ëndrra.” …Maltini kishte bërë aktin qytetar perëndimor, por jeta ka befasitë e veta. Doktor Maltini ka ikur.
Ky janar 2025 e mori Maltinin e dashur. Babain e mrekullueshëm. Bashkëshortin ideal. Profesionistin e shkëlqyer. Shqiptarin dhe njeriun e madh të Shkodrës, duke lënë emrin dritë në Amerikë:
Doktor Maltin Repishti. Kurrë nuk kisha menduar se do të shkruaja për Dasmën dhe Ikjen e Maltinit që sillte kudo dashuri dhe shpresë.
Nuk e kisha menduar këtë Lamtumirë Janari për të mrekullueshmin Maltin Repishti.
Lamtumirë mik i rrallë!Lamtumirë nga Tirana jonë!
Shefqet Meko
Tiranë, 26 Janar 2025