Washingtoni i kërkoi Meksikës ekstradimin në Shtetet e Bashkuara të djalit të bosit të burgosur të trafikut të kokainës Joaquin Guzman njohur ndryshe si El Chapo bëri të ditur një zëdhënës i qeverisë meksikane.
Ovidio Guzman, i kapur në muajin janar, dyshohet se ka ndihmuar në drejtimin e kartelit famëkeq Sinaloa që kur babai i tij iu dorëzua autoriteteve amerikane në vitin 2017.
Ambasada e SHBA në Mexico City paraqiti kërkesën për ekstradim në ministrinë e jashtme dhe zyrën e prokurorit të përgjithshëm, tha zëdhënësi për agjencinë e lajmeve AFP.
Dy burime të paidentifikuara të qeverisë meksikane konfirmuan gjithashtu kërkesën për ekstradimin e 32-vjeçarit Ovidio Guzman për agjencinë e lajmeve Reuters.
Djali I El Chapos u kap pranë qytetit Culiacan, në shtetin verior të Sinaloa, duke shkaktuar një valë dhune që la dhjetëra njerëz të vdekur.
El Chapo, i cili ngriti perandorinë e tij të kontrabandës nga Sinaloa, po vuan një dënim të përjetshëm në SHBA për trafik ndërkombëtar droge.
Ovidio Guzman siguroi një urdhër gjykate në janar që bllokonte ekstradimin e tij të menjëhershëm në SHBA dhe një gjykatës i dha Shteteve të Bashkuara mundësinë që deri më 5 mars të paraqesë një kërkesë ekstradimi.
Ai akuzohet se ka ndihmuar në mbikëqyrjen e dhjetëra laboratorësh të metamfetaminës në Sinaloa, si dhe për komplot për shpërndarjen e kokainës dhe marihuanës, sipas autoriteteve amerikane.
Ai gjithashtu dyshohet se urdhëroi vrasjen e informatorëve, një trafikant droge dhe një këngëtari meksikan që refuzoi të performonte në dasmën e tij.bw