Zbardhet pjesa e fundit e letrës që Enver Hoxha i dërgoni Mao Ce Dun më 1971, s ai takon afrimit të Pekinit me Uashingtonin dhe vitin e Riçard Nikson në Kinë. Në fund të letrës Hoxha ja bën të qartë Mao Ce Dun se është kundër bashkëpunimit me SHBA, duke i cilësuar ata si imperialistë. Por pas kësaj letre u dhanë dhe sinjalet e prishej së marrëdhënieve mes dy vendeve.
6 gusht 1971
Ne nuk e konsiderojmë të saktë llogaritjen tuaj se si rezultat i disfatave që ata kanë pësuar, amerikanët kërkojnë të zbusin situatën e tensionuar duke tërhequr trupat e tyre nga bazat ushtarake në territoret e huaja, apo se do të evitojnë përfshirjen në konflikt apo në krijimin e vatrave të luftës. Nëse bëjmë vlerësime të tilla ne krijojmë përshtypjen e përgjithshme se ka një tërheqje të përgjithshme të imperializmit amerikan në të gjitha frontet, dhe kjo krijon vetëm iluzione të dëmshme dhe prish mobilizimin e forcave revolucionare anti-imperialiste. Në fakt imperializmi amerikan ushtron një influencë të madhe ekonomike, politike e ushtarake dhe vazhdon me fushatat e tij agresive. Buxheti i luftës, gara e armatimeve dhe përmirësimi i vazhdueshëm i tyre, janë treguesi kryesor i politikave luftënxitëse dhe predatore të SHBA, të cilat nuk po reduktohen, por përkundrazi po rriten nga viti në vit me hapa të shpejtë. Imperializimi amerikan nuk do të heqë dorë kurrë nga qëllimi i tij strategjik i luftës dhe agresionit, pasi ndryshe nuk do të ishte imperlializëm. Nëse Shtetet e Bashkuara do të mendonin se qeveritë kukulla duhet të luftojnë vetëm ndaj popujve dhe se SHBA do t’i ndihmojë vetëm me para dhe armë, atëherë kjo do të ishte certifikata e vdekjes së imperializmit amerikan dhe e kukullave të tij. Në këtë front nuk mund të ketë iluzione të tilla. Edhe nëse pësojnë disfatë dhe tërhiqen nga një vend apo nga një tjetër, kjo nuk do të thotë se imperializmi amerikan nuk do të tentojë ndërhyrjet apo fushatat e tjera agresive kundër vendeve të tjera. Lufta agresioni, shtypja dhe skllavërimi i popujve janë natyra e imperializmit, pasi lindin nga vetë thelbi i sistemit shfrytëzues. Është e ditur se vetëm për të ekzistuar dhe ruajtur stilin e tyre të jetesës, Shtetet e Bashkuara kanë nevojë për zgjerim të vazhdueshëm ekonomik, politik dhe ushtarak, me qëllim mbajtjen e popujve të kapur për t’i thithur gjakun. Ndryshe imperializmi do të vdiste dhe i hapet rruga revoltave, kryengritjeve e revolucioneve. Prandaj ne mendojmë se SHBA nuk do të çmontojë kurrë bazat e saj ushtarake dhe nuk do të tërheqë trupat jashtë vendit. Kjo do të ndodhë vetëm kur të detyrohet ta bëjë nga vetë populli i saj.
Këshillat e Shqipërisë
Sipas opinionit tonë, detyra e marksizëm-leninizmit dhe revolucionarëve është nxitja e popujve kundër imperializmit dhe revizionizmit, ndërtimi i vetëbesimit dhe ndërgjegjësimi i tyre se ka ardhur tashmë koha për t’i rezistuar me sukses imperializmit, si të vjetrit dhe të ri, dhe aftësimit për të shkatërruar planet e tij. Ne i kuptojmë dhe mbështesim me të gjitha forcat përpjekjet e Republikës Popullore të Kinës për të kundërshtuar politikat agresive të imperialistëve amerikanë në Lindjen e Mesme dhe veçanërisht në Indokinë, mbështesim përpjekjet tuaja për çlirimin e Tajvanit, kundërshtimin e militarizmit japonez dhe tentativat e vendosjes së paqes dhe sigurisë në nën kontinentin indian. Ne kemi mbrojtur dhe do të vazhdojmë të mbrojmë me entuziazëm të drejtën e pamohueshme të Kinës për çlirimin e Tajvanit, i cili është pjesë e pandashme e republikës së Kinës. Qeveria jonë do të kundërshtojë gjithmonë teorinë e “dy Kinave” apo teorinë e Kinës dhe Tajvanit, apo “statusin e papërcaktuar” dhe çfarëdo termi të sajuar që mohon përkatësinë e Tajvanit te Kina. Ashtu si më partë, Shqipëria do të luftojë të zërë vendin që i takon në Kombet e Bashkuara, dhe që uzurpuesit e Çang Kai Shi të përjashtohen prej saj. Populli ynë ashtu si shumë popujt të tjerë të botës kanë admiruar ndihmën bujare e të pakufizuar që Kina i ka dhënë popullit të Vietnamit gjatë luftës së tyre heroike kundër agresorëve amerikanë, si dhe për kauzën e tyre në arenën ndërkombëtare. Me politikat e saj anti-imperialiste e anti-revizioniste republika popullor e Kinës do të vazhdojë të luajë një rol të rëndësishëm dhe deçiziv në çlirimin e Indokinës.
Aleanca
Në lidhje me luftën ne Vietnam, ju e njihni qëndrimin e partisë sonë. Ne kemi qenë dhe vazhdojmë të jemi kundër bisedimeve të Parisit. Këtë ua kemi thënë hapur dhe shokëve vietnamezë, por gjithsesi ne kemi mbështetur dhe vazhdojmë të mbështesim pa rezerva përpjekjen legjitime të popullit të Vietnamit, fitorja e të cilit tashmë është pranë dhe do të jetë deçizive për përpjekjen anti-imperialiste në tërësi të popujve. Vazhdimi i agresionit amerikan në Vietnam dhe gjetkë në Indokinë është çështje që shqetëson të gjithë popujt. Problemi vietnamez do të zgjidhet vetëm atëherë kur SHBA të vendosë të ndalojë luftën, të çmontojë bazat e saj ushtarake dhe të largojë çdo ushtar nga vendi. Ne jemi të bindur se populli vietnamez do të triumfojë me luftën e tyre heroike dhe gjakun e derdhur. Imperialistët amerikanë dhe satelitët e tyre, së bashku me revizionistët sovjetikë dhe forcat e tyre të armatosura, po tentojnë të krijojnë unazën e zjarrit rreth kufijve të Kinës, për të kërcënuar lirinë dhe pavarësinë e saj. Në këtë drejtim, zhvillimi i miqësisë mes revizionistëve sovjetikë dhe reaksionerëve të Sato-s është domethënës. Ne gjithmonë kemi mbajtur anën tuaj në përpjekjen e shenjtë kundër këtyre planeve armiqësore të imperialistëve, revizionistëve dhe reaksionarëve të tjerë. Ne mbështesim vendimin tuaj për të mos i komunikuar Kisinger pikëpamjet e Kinës mbi Bashkimin Sovjetik, por megjithatë mendojmë se duhet të ndajmë opinionet mbi veprime të mundshme politike që mund të merren nga revizionistët sovjetikë, kundër Kinës e Shqipërisë, të paktën për rrethanat aktuale. Pikëpamjet e imperialistëve amerikanë mbi Bashkimin Sovjetik, siç janë parashtruar nga Kisinger në bisedat me të, nuk duhet të ishin mbajtur sekret ndaj nesh. Duke pasur parasysh se imperialistët amerikanë janë aleatë me revizionistët sovjetikë, ata tani koordinojnë veprimet mes tyre, prandaj këto pikëpamje mund të kenë pasoja jo vetëm për Lindjen e Largët por dhe për Evropën. Sikur ne të ishim informuar mbi atë që tha Kisinger për Bashkimin Sovjetik, do të kishim qenë në njëfarë mënyre më të përgatitur për të zbuluar lëvizjet amerikane e sovjetike në fushën evropiane të shahut. Ne mbështesim përpjekjen e Kinës kundër militarizmit japonez dhe politikat e saj ekspansioniste në Azi, veçanërisht në drejtim të Koresë, Taivanit dhe më gjerë. Bashkë me mbështetjen që Kina i jep popullit japonez kundër qeverisë reaksionare të Satos dhe kundër aleancës Japoni-SHBA. Ky është një qëndrim korrekt që ndihmon ngritjen e përpjekjes revolucionare në Japoni, si dhe në kufizimin e planeve agresive amerikane dhe militarizmit japonez.
Imperialistët
Imperializmi amerikan dhe revizionizmi sovjetik kanë përshpejtuar hapat e tyre në nxitjen e militarizmit japonez, në reagimet e Indisë dhe të disa vendeve të tjera kundër Kinës dhe vende të lira të Azisë. Në këtë kontekst ne vlerësojmë shumë përpjekjet e Kinës në forcimin e unitetit mes popujve të Kinës, Vietnamit, Kamboxhias, Laosit, dhe zgjerimin e kontakteve me popuj të tjerë si India, Pakistani apo Japonia. Ne mendojmë se grevat dhe demonstratat në SHBA janë të rëndësishme, por edhe më i rëndësishëm është zgjimi i popujve si India, Japonia dhe e gjithë Azia për t’u mobilizuar në revolucion. Teoria e shokut Mao Ce Dun për rrethimin e qytetit dhe fshatit mund të aplikohet tërësisht në këtë rast, pasi metropoli i imperializmit amerikan do të rrethohet nga përpjekja e armatosur dhe revolucionare e popujve të Azisë dhe Amerikës Latine. Gjithashtu është e ditur se Lenini ka vendosur theks të veçantë në triumfin e revolucionit në vende të mëdha si Kina dhe të tjera në Lindje, me qëllim triumfin madhor botëror. Imperializmi britanik ka krijuar përçarje dhe antagonizma mes popujve të Indisë dhe Pakistanit, prandaj ne marksistët duhet të kundërshtojmë qëllimet shfrytëzuese dhe agresive të imperializmit, që përpiqet të vërë dy popujt kundër njëri-tjetrit. Ne kemi theksuar se Kina dhe miqtë e saj të vërtetë marksistë-leninistë duhet të luajnë rol më të madh në Evropë në mbështetje të revolucionit dhe në kundërshtim të ekspansionizmit të NATO dhe Traktatit të Varshavës. Ne mendojmë se politikat e imperialistëve amerikanë në Evropë janë të komplikuara. Me gjithë kundërshtimet e tyre mes partnerëve, lidhjet tradicionale të SHBA me Britaninë dhe Francën duhet të kihen parasysh. Ne jemi dakord se për vendosjen e diplomacisë mes vendeve duhen krijuar kontakte. Kjo është një diplomaci e hapur dhe e sinqertë, e cila i shërben socializmit, përpjekjes së popujve për çlirim dhe zgjerimit të ngritjes revolucionare. Por ashtu si marrëdhëniet diplomatike nuk janë mjeti i vetëm për lidhjen mes popujve, edhe kontaktet nuk vendosen detyrimisht me takime mes liderëve. Influenca e vendeve socialiste ushtrohet pikësëpari me anë të politikave parimore që ato ndjekin, me anë të luftës anti-imperialiste e anti-revizionsite dhe mbështetjes e solidaritetit me popujt revolucionarë dhe përpjekjet çlirimtare. Deri kohët e fundit, Republika Popullore e Kinës nuk ka pasur marrëdhënie diplomatike apo kontakte direkte me vendet kapitaliste, por kjo gjithsesi nuk e pengonte të ushtronte influencën e saj të gjerë në lëvizjet çlirimtare dhe revolucionare të botës, ashtu siç nuk ka penguar vendet e kontinenteve të ndryshme të admirojnë dhe të mbrojnë Kinën për përqafimin e ideve të Mao Ce Dun. Vietnami jo vetëm që nuk ka marrëdhënie diplomatike me Shtetet e Bashkuara, por janë në luftë me ta prej kohësh. Ndërsa pikërisht sot, falë kësaj lufte simpatia e popujve të botës ndaj popullit vietnamez është më e madhe se kurrë. Trimëria dhe forca e popullit vietnamez ka ndihmuar më shumë se gjithçka radikalizmin e masave të popullit amerikan, të cilët kanë dalë nëpër rrugë me flamurin e Vietnamit dhe me portrete të Ho Çi Min.
Lidhja me BRSS
Maksimumi që mund të arrihet në takimet me krerët e vendeve kapitaliste është zgjidhja e problemeve specifike. Por ato gjithsesi nuk mund të kthehen në një faktor influence që të nxisë vullnetin e masave revolucionare, veçanërisht kur masat janë të pakënaqura dhe janë vënë në lëvizje kundër politikave të udhëheqësve të tyre. Në raste të tilla, takimet dhe bisedime të tilla mund të krijojnë iluzione mes popullit për udhëheqësit imperialistë, si dhe të krijojnë një atmosferë zbutjeje të masave dhe dobësim të përpjekjes së tyre. Vendosja e marrëdhënieve diplomatike nuk është gjithmonë e dobishëm në këtë përpjekje. Ne për shembull nuk pranojmë marrëdhënie me Bashkimin Sovjetik, pasi siç dihet ata kanë kryer krime të rënda dhe kanë sulmuar ashpër marksizëm-leninizmin, dhe në veçanti republikën e Shqipërisë. Ata ndërprenë marrëdhëniet me ne me iniciativën e tyre. Partia jonë ka kërkuar që ata të bëjnë autokritikë për gjithçka që kanë bërë kundër marksizëm-leninizmit dhe kundër vendit tonë. Nëse ata nuk e bëjnë këtë ne do të dukej sikur të paktën pjesërisht e pranojmë fajin për prishjen e marrëdhënieve, dhe i japin BRSS argumente për t’u justifikuar në sytë e popullit sovjetik për sulmet e tyre ndaj marksizëm-leninizmit dhe Shqipërisë. Aktualisht kjo nuk do të ishte në interes të popullit sovjetik dhe të përpjekjes së tyre anti-revizioniste, por në fakt do të ndihmonte Brezhnjevin të konsolidonte pozitën e tij. Ose le të marrim në konsideratë marrëdhëniet tona me Jugosllavinë. Dy vendet tona kanë marrëdhënie diplomatike dhe tregtare, si dhe njëfarë këmbimesh kulturore. Por këto marrëdhënie po kryhen në një kohë kur ne jo vetëm që nuk kemi kontakte me udhëheqësit titistë, por dhe kur jemi duke luftuar ideologjikisht kundër tyre. Polemikat dhe përpjekja ideologjike kund titizmit reflektohet gjerësisht në dokumentet dhe materialet e publikuara nga partia jonë, por kjo nuk na ka ndaluar të deklarojmë se në një kohë kur dhe Jugosllavia kërcënohet nga social-imperializimi sovjetik, në rast lufte ne do të rreshtoheshim përkrah popullit jugosllav. Në këtë mënyrë ne ruajmë kontaktet me popullin e Jugosllavisë. Të dashur shokë. Këto ishin pikëpamjet tona mbi informacionin e komunikuar prej jush ambasadorit tonë në Pekin. Të dyja partitë qeveritë dhe popujt tanë kanë mbajtur të njëjtën linjë në përpjekjen e tyre kundër imperializmit, me në krye atë amerikan, kundër revizionizmit modern me në krye atë sovjetik dhe kundër reaksionarëve ndërkombëtarë. Në këtë luftë ne kemi arritur suksese të një rëndësie historike, ndërsa pozita, autoriteti dhe roli i luajtur nga vendet tona është forcuar dhe zgjeruar. Shumë armiq e kanë sulmuar me fuqi partinë dhe popujt tanë, duke përdorur manovra dhe stile nga më dinaket, për të na detyruar të devijojmë nga kursi ynë ose duke tentuar të na ndanin. Por ata janë demaskuar dhe kanë dështuar. Uniteti ynë i ka qëndruar të gjitha testeve dhe përpjekja jonë e përbashkët është përforcuar duke u ngritur në nivele gjithnjë e më të mëdha. Partia, qeveria dhe populli ynë kanë përshëndetur dhe mbështetur megjithë zemër revolucionin e madh kulturor të nxitur dhe drejtuar personalisht nga shoku Mao Ce Dun, i cili ka shkatërruar me vendosmëri shpresat e imperialistëve e revizionistëve për marrjen e Kinës nga brenda. Në një kohë kur armiqtë fërkonin duart duke pritur triumfin e tyre dhe në një kohë kur shumë të tjerë që e quanin veten revolucionarë e komunistë u stepën e u çorientuan, besimi ynë në fitoren e linjës revolucionare të Mao Cedung nuk u trondit për asnjë moment. Tani që revolucioni i madh kulturor ka triumfuar plotësisht dhe kur linja oportuniste kundër-revolucionare e Liu Shaoqi është shkatërruar, miqtë e rreme kanë nisur të sillen si miq të vërtetë, ndërsa revizionistët tradhtarë, që i kanë shërbyer prej kohësh imperializmit amerikan sillen si miq të Kinës, e armiq të amerikanëve e sovjetikëve. Ne duhet t’i shfrytëzojmë avantazhet e revolucionit që ato të mos avancojnë interesat e armiqve tanë por të forcojnë besimin te linja korrekte dhe te përpjekja jonë, duke ruajtur parimet dhe dinjitetin e shteteve tona socialiste.
Lufta ndaj imperializmit
Ne jemi plotësisht të bindur se populli i Kinës nën udhëheqjen e partisë së saj të lavdishme dhe të marksist-leninistit të madh Mao Ce Dun, do të jetë gjithmonë në pararojë të përpjekjes anti-imperialiste e anti-revizioniste, dhe se nuk do të zhvendoset për asnjë moment nga parimet e saj. Ne jemi plotësisht të bindur se qëndrimi juaj marksist-leninist dhe ai logjik e i vërtetë, do të kundërshtojë pranimin e vizitës së Nikson në Kinë. Nga ana jonë, ne duam t’ju sigurojmë se linja dhe qëndrimi i Partisë së Punës së Shqipërisë do të mbetet gjithmonë parimor, konsekuent dhe i pandryshuar. Ne do të luftojmë kundër imperializmit amerikan dhe revizionizmit sovjetik pa kompromis. Mund të ndodhë që armiqtë tanë të ndërmarrin akte aventureske agresioni kundër nesh, qoftë individualisht apo bashkarisht, ose duke nxitur aleatët dhe zagarët e tyre. Por ne do të luftojmë pa u trembur deri në fund, deri në arritjen e fitores. Partia jonë do të vazhdojë e vendosur të forcojë aleancën me Kinën e madhe të Mao Ce Dun dhe me partinë e saj të lavdishme komuniste, pasi miqësia jonë nuk bazohet në interesa e konjuktura, por në mësimet jetësore të marksizëm-leninzimit, një miqësi e skalitur në luftën kundër imperializmit dhe revizionizmit. Miqësia jonë është e sinqertë, ashtu siç ka thënë shoku Mao Ce Dun: “Ne jemi miq dhe shokë. Ju jeni tanët, nuk jeni si ata miqtë e gënjeshtërt e të dyfishtë që kanë mjaltë në gojën e tyre dhe vrasje në zemër”. Prandaj ne jemi të bindur se ju i merrni në konsideratë në mënyrë miqësore dhe i kuptoni korrektësisht kritikat tona, që po i drejtojmë partisë më të dashur për ne. Sigurisht që armiqtë do ta përmendin faktin që ne nuk e pranojmë vizitën e Nikson në Kinë dhe do të flasin për këtë, duke tentuar të krijojnë konflikte mes nesh. Ata do të përpiqen të ngrenë konflikte dhe të ekzagjerojnë gjërat mes nesh. Por ne jemi të bindur se miqësia mes dy partive tona marksiste-leniniste so të forcohet dhe do t’i rezistojë intrigave të armiqve. Ajo do të forcohet në përpjekjen tonë të përbashkët, për të mirën e popujve dhe të kauzës së revolucionit botëror. Përshëndetje komuniste, Komiteti Qendror i PPSH, Sekretari i parë, Enver Hoxha.
Komentet