Heshtja jonë
perëndim dielli
si një dhelpër e kuqe
dinake
e pabesë
si Ulisi
që më profetizon
pritje dhe përcjellje
të pafajshme
të pashërueshme
tej e përtej
heshtës së kohës
heshtja jonë
beduine
nëpër shkretëtirat
e thjeshtësirës makabre
e thjeshtësirës
perverse
që përpiu
nëpër galeritë
katakomba
duke përplasur duart
gjithë ovacione oruelliane
ahmat dhe rënkimet njerëzore
të qytetit tim
të trazuar dhe të zbrazur
nga shpirtërat njerëzorë
Marrë nga Libri i Elida Buçpapajt, Unë jam e përjetëshme, Omsca 2012