Heshtja i mbuloi fjalët hibride
prurje stuhish të vjetra
faraonike
mbarsur me erëra detare
dimërore
plazhesh memece
natyrash mortore
me veladone murgjesh
e maskuar
mbi vranësira muzgjesh
të plogshtuar
heshtja e mefshët
lëviz e ligështuar
mbi harqe manastirësh
të rrënuar
ku bujtin
me trokun dhe galopin
e braktisur
në hipodrome
kuaj të plakur
heshtakë,
pa hingëllima
nën qiejt e kalëruar
vetëm prej skifterësh
me krahë të djegur
nga vetëtimat
(Nga libri poetik në përgatitje Skaterr)