VOAL

VOAL

Hapja e Dosjeve – Trondit Gumeni: Do iki, na kanë vënë të mos zbulojmë asgjë. Asnjë ministër i verifikuar

October 10, 2017
3 Comments
  • author avatar
    Anonymous 9 years ago Reply

    Fallsiteti i Edi Rames nuk lene shpres per te pare nje dite te vertet ne Shqiperi , Vazhdon manipulimi deri ne qeliz i çdo te vertete! Vendi drejtohet nga ish komunista sa djathtas dhe majta! !Kaluan 74 vjet me semundejen e koleres komuniste ,dhe nuk po i gjendet kura!

  • author avatar
    ben 8 years ago Reply

    Nje institucion me shume qe rendon xhepat e shqiptareve. Z. Gumeni ju falenderoj, sepse aprovove ate qe e kam ditur qe ne fillim te “punes” se ketij autoriteti… qe eshte ngritur per te mos zbuluar asgje! Jane kapur me Musine Kokalarin, qe megjithe respektin per vuajtjet, tashme na ka lene shendetin dhe nuk merren me keta qe me qetesi po shkaterrojne te ardhmen e vendit!

Komentet

Hovenier për REL-in: Kosova rrezikon ta humbasë besimin e Uashingtonit nëse nuk vepron

Valona Tela

 

Kosova nuk mund të ecë përpara me prioritetet e saj kryesore pa institucione të qëndrueshme, thotë ish-ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier.

Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, ai paralajmëron se ngërçi politik po e dëmton pozitën e Kosovës në raport me Shtetet e Bashkuara, Bashkimin Evropian dhe partnerët e tjerë.

Hovenier thotë se pezullimi i Dialogut Strategjik me Uashingtonin është tashmë një pasojë konkrete për Kosovën.

Sipas tij, Prishtina duhet të veprojë më shpejt në çështjet e energjisë dhe të komunitetit serb, nëse synon ta rikthejë marrëdhënien me administratën e presidentit Donald Trump.

Ai thekson se vëmendja e Uashingtonit “nuk është e pafundme”.

“Prandaj, mendoj se është e rëndësishme të shfrytëzohen mundësitë që ofrohen dhe të mos shpenzohet shumë kohë duke u menduar apo reflektuar, por, përkundrazi, të përpiqesh të gjesh fusha të përbashkëta bashkëpunimi dhe përparimi”, thotë Hovenier.

Radio Evropa e Lirë: Ambasador Hovenier, Kosova po përballet sërish me vështirësi për të krijuar institucione funksionale. Kush e mban përgjegjësinë më të madhe për ngërçin aktual?

Jeffrey Hovenier: Është e vështirë për mua të them se kush mban përgjegjësinë më të madhe për ngërçin aktual. Ajo që do të theksoja është se sa i dëmshëm është ky ngërç për qytetarët e Kosovës.

Kosova nuk mund të ecë përpara me prioritetet e saj më të rëndësishme strategjike për aq kohë sa qeveriset nga një qeveri në detyrë ose përballet me kërcënimin e zgjedhjeve të reja.

Prandaj, mendoj se ka shumë përgjegjësi për situatën aktuale.

Po të isha ende ambasador i SHBA-së në Kosovë, do të bëja gjithçka për t’i inkurajuar të gjithë liderët politikë – qoftë nga Vetëvendosje, PDK, LDK, AAK apo partitë e tjera – që të gjenin një rrugëdalje, për të mirën e vendit dhe të qytetarëve.

Ata duhet të krijojnë një qeveri të re, të zgjedhin presidentin dhe t’u ofrojnë Shteteve të Bashkuara, Bashkimit Evropian dhe partnerëve të tjerë një bashkëbisedues të besueshëm dhe legjitim.

Radio Evropa e Lirë: Po thoni se është e nevojshme ndërhyrja ndërkombëtare?

Jeffrey Hovenier: Shpresoj që jo. Kosova është një demokraci e konsoliduar. Kanë kaluar shumë vite që nga shpallja e pavarësisë, por kjo është një provë për klasën politike: a mund t’i lërë mënjanë interesat e ngushta partiake dhe të veprojë në të mirë të qytetarëve të Kosovës? Unë besoj se po.

I njoh ende mjaft mirë politikanët e Kosovës dhe besoj se janë të aftë ta bëjnë këtë. Tani është e rëndësishme që ta bëjnë.

“Përgjegjësia duhet të ndahet”

Radio Evropa e Lirë: Si e vlerësoni refuzimin ose hezitimin e disa partive opozitare për t’u bërë pjesë e Qeverisë së ardhshme? A mbajnë edhe ato përgjegjësi për krizën, apo përgjegjësia kryesore mbetet mbi fituesen e zgjedhjeve?

Jeffrey Hovenier: Nuk e di nëse dua të hyj në atë se kush, sipas meje, mban përgjegjësinë më të madhe, sepse mendoj se përgjegjësia duhet të ndahet. Por, ajo që dua të theksoj sërish është se Kosova, në këtë moment, po paguan një çmim që nuk do të duhej domosdoshmërisht ta paguante.

Të gjithë qytetarët e vendit do të ishin në një pozitë më të mirë nëse politikanët do t’i linin mënjanë disa nga dallimet e tyre të brendshme dhe do të gjenin një rrugë të përbashkët përpara, në të mirë të vendit.

Radio Evropa e Lirë: E dimë se Kosova ka mbajtur tri palë zgjedhje në një vit e gjysmë. A mendoni se problemi është bërë tani strukturor, apo do të zgjidhin ndonjë gjë zgjedhjet e reja nëse ato do të mbaheshin?

Jeffrey Hovenier: Është gjithmonë e vështirë të parashikosh zgjedhjet paraprakisht, por, siç e thatë edhe ju, janë mbajtur tri palë zgjedhje dhe ky proces i pamundësisë për të formuar një qeveri të qëndrueshme ose për të zgjedhur një president, vazhdon.

Kjo ndikon negativisht në aftësinë e Kosovës për të avancuar objektivat e saj strategjike, siç janë ripozicionimi dhe përmirësimi i marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara, avancimi i aspiratës për të çuar përpara procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian, anëtarësimi në Këshillin e Evropës, përfaqësimi i interesave të saj në dialogun Kosovë-Serbi dhe çështje të tjera të rëndësishme, si zhvillimi i ekonomisë.

Prandaj, e vetmja gjë që mund të them është se partnerët më të rëndësishëm të Kosovës duan të shohin një bashkëbisedues të besueshëm dhe të qëndrueshëm.

Tri zgjedhje brenda 18 muajsh, kërcënimi i zgjedhjeve të tjera dhe pamundësia për të formuar një qeveri nuk e ndihmojnë Kosovën në arritjen e atyre që, sipas meje, duhet të jenë prioritetet e saj më të larta për të mirën e qytetarëve të Kosovës.

“Marrëdhënia me administratën Trump nuk është në nivelin e dëshiruar”

Radio Evropa e Lirë: Cilat mendoni se duhet të jenë prioritetet e Kosovës?

Jeffrey Hovenier: Le të flasim për disa prej tyre. Nuk është sekret se marrëdhënia me administratën [e presidentit amerikan, Donald] Trump nuk është në nivelin e dëshiruar.

Treguesi më i qartë për këtë është fakti se Dialogu Strategjik me Serbinë do të nisë më 17 korrik në Uashington dhe ministri i Jashtëm [i Serbisë, Marko] Gjuriq do të jetë atje për t’u takuar me zëvendëssekretarin e Shtetit, [Christopher] Landau.

Ndërkohë, nuk ka pasur asnjë lëvizje për Dialogun Strategjik mes Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës që nga pezullimi i tij në shtator të vitit të kaluar, për shkak të dallimeve lidhur me disa zgjedhje politike të bëra nga kryeministri i atëhershëm në detyrë, Albin Kurti. Kjo është diçka që, sipas meje, Kosova duhet ta adresojë.

Mendoj se Kosova dëshiron ta pozicionojë veten si një partnere e fortë e Shteteve të Bashkuara. Këtë e kam dëgjuar nga të gjithë liderët politikë dhe të gjithë e kanë deklaruar publikisht – edhe pasi unë jam larguar nga Kosova.

Por, për ta bërë këtë, duhet të kesh një qeveri. Duhet të kesh politika qeveritare. Duhet të kesh komunikim dhe angazhim. Dhe besoj se të gjithë ata që janë aktualisht në qeveri, do të thoshin se po i bëjnë këto gjëra.

Megjithatë, situata është ndryshe kur ekziston kërcënimi i zgjedhjeve të tjera, kur nuk është zgjedhur ende presidenti ose kur qeveria vazhdon të jetë në detyrë. Për të ecur përpara duhen politika qeveritare.

Një element tjetër është se Qeveria amerikane – kjo administratë amerikane, administrata Trump – ka qenë mjaft e qartë për dëshirën e saj që Kosova të përfshihet në nismat amerikane për energjinë në Ballkanin Perëndimor, dhe veçanërisht në disa prej kornizave të krijuara për gazin e lëngshëm natyror (LNG).

Kjo tani është bërë një çështje politike në Kosovë. E kuptoj këtë. Por, po flas si një vëzhgues i jashtëm. Nuk përfaqësoj më Qeverinë e Shteteve të Bashkuara. Nëse Qeveria e Kosovës dëshiron të ndërtojë një marrëdhënie më të ngushtë me administratën aktuale amerikane, atëherë – me shumë gjasë – është në interesin e saj të gjejë një mënyrë për t’iu përgjigjur disa prej kërkesave dhe diskutimeve që vijnë nga Uashingtoni.

Dialogu Strategjik është një mënyrë për ta bërë këtë, por nuk është e vetmja. Megjithatë, edhe për të duhet të kesh një qeveri funksionale, që të mund të ketë politika për energjinë dhe të marrë vendime përfundimtare. Ky është një grup prioritetesh.

Tani le të flasim për prioritetin evropian. Besoj se të gjithë pajtohemi se e ardhmja e Kosovës është në Evropë. Të gjithë presim që një ditë Kosova të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian dhe tashmë ka ardhur koha që ky proces të ecë përpara.

Por, si mund ta bësh këtë me Bashkimin Evropian, kur nuk ke një qeveri të konsoliduar dhe vazhdon të funksionosh me institucione në detyrë? Është shumë e vështirë. Si mund të hartosh politika qeveritare për t’iu përgjigjur kërkesave të BE-së, nëse nuk ke një qeveri të plotë? Si mund t’i adresosh fushat që Bashkimi Evropian i identifikon si prioritare në raportet e tij vjetore të progresit?

Këto janë prioritetet për të cilat po flas. Dhe, në fund, është dialogu Kosovë-Serbi. Për mirë apo për keq, ai nuk do të zhduket. Bashkimi Evropian e lehtëson dialogun, por ai mbetet mekanizmi për të arritur një lloj pranimi reciprok.

Shtetet e Bashkuara, nën administratën Biden dhe të gjitha administratat e mëparshme, kanë besuar se ky proces duhet të përfundojë me njohje reciproke. Por, si mund të ecet përpara në këtë proces dhe si mund të arrihet një gjendje më e mirë në marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë, nëse jo përmes këtij dialogu?

Përshtypja ime është se dialogu i lehtësuar nga Bashkimi Evropian ka mbetur kryesisht i ngrirë. Jo për shkak të mungesës së dëshirës nga ana e BE-së, por për shkak të veprimeve të Serbisë, ndryshimeve të qeverive dhe zgjedhjeve në Kosovë. Ka pasur shumë pak përparim dhe kjo, sërish, ndikon negativisht te qytetarët e Kosovës.

Këto janë prioritetet, por ka edhe një tjetër: rritja dhe zhvillimi ekonomik. Qoftë kur flasim për energjinë, vendet e punës apo investimet, të gjitha janë më të lehta kur ke një qeveri të konsoliduar, për të cilën njerëzit e dinë se do të qëndrojë për një kohë. Një qeveri me politika të qarta që tërheqin investime, që e bëjnë vendin tërheqës për investitorët dhe që u japin siguri atyre që duan të investojnë ose të krijojnë vende pune në Kosovë.

Sepse, ata duhet të ndihen të sigurt për stabilitetin e vendit. Në fund të fundit, Kosova është një demokraci e konsoliduar.

Tani, nuk po flasim për një situatë si ajo e viteve ’90. Asgjë e ngjashme me atë. Por, njerëzit e biznesit nuk e pëlqejnë pasigurinë.

Mjafton të shihni deklaratat e Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë dhe atë që ajo kërkon: parashikueshmëri, transparencë dhe mënyra për të ndihmuar në tërheqjen e investimeve dhe për ta çuar përpara rritjen ekonomike.

Prandaj, mendoj se këto janë prioritete reale për cilëndo qeveri që do të dalë nga ky proces dhe shpresoj që ajo të jetë në gjendje t’i adresojë ato sa më shpejt.

Radio Evropa e Lirë: Në një intervistë të kohëve të fundit keni thënë se reputacioni i Kosovës në Uashington ka pësuar një “goditje të rëndë”. Me çfarë pasojash konkrete mund të përballet Kosova nëse ky reputacion nuk rikthehet së shpejti?

Jeffrey Hovenier: Siç e thashë, këtë javë nis Dialogu Strategjik me Serbinë, ndërsa, aktualisht, nuk ka një dialog të tillë me Kosovën.

Kjo për mua është për keqardhje, edhe një paraqitje jo e saktë e realitetit të rajonit.

Kosova duhet të jetë në tryezë me Shtetet e Bashkuara, po aq sa edhe Serbia, dhe ne do të kishim një agjendë ndryshe me Kosovën nga ajo që do të kemi me Serbinë.

Me Serbinë do të flasim për investimet ruse dhe energjinë ruse. Shpresoj se do të flasim edhe për disa elemente të demokracisë dhe të drejtave të njeriut. Shpresoj se do të flasim pak edhe për Kosovën dhe për kërcënimet e bëra, përfshirë ato nga një ministre së fundmi, të cilat janë krejtësisht në kundërshtim me mënyrën se si qeveritë demokratike dhe moderne të shekullit XXI duhet të flasin për fqinjët e tyre.

Me Kosovën, biseda jonë do të duhej të përqendrohej pikërisht te prioritetet. Si t’i konsolidojmë arritjet demokratike? Si ta avancojmë rritjen dhe zhvillimin ekonomik, në mënyrë që Kosova të vazhdojë të jetë burim stabiliteti në rajon? Si të punojmë së bashku?

Por, natyrisht, me administratën Trump do të kishte edhe një bisedë me karakter transaksional, që do të përfshinte LNG-në dhe çështje të tjera të energjisë.

Prandaj, fakti që kjo bisedë nuk po zhvillohet në këtë mënyrë të strukturuar përmes Dialogut Strategjik, është tashmë një pasojë për Kosovën.

Do të thosha gjithashtu se, aktualisht, keni njerëz të mirë që shërbejnë si ministra në detyrë, por është ndryshe kur keni një qeveri të plotë.

Për shembull, është më e lehtë për ministrin e Ekonomisë të jetë në kontakt me homologët e tij amerikanë kur ata e dinë se ai person do të vazhdojë të jetë ministër edhe për disa vite. E njëjta vlen edhe për ministrin e Jashtëm dhe të tjerët.

Këto janë pasojat për të cilat po flas.

Mendoj se nuk është sekret që disa njerëz brenda administratës Trump janë ndier të sfiduar nga disa prej zgjedhjeve që ka bërë herë pas here kryeministri në detyrë, Kurti. Kjo është arsyeja pse Dialogu Strategjik u pezullua.

Por, ai ka një mundësi të madhe për ta ripozicionuar këtë marrëdhënie dhe për të ecur përpara në bashkëpunim me Shtetet e Bashkuara.

Dy gjëra për Kosovën

Radio Evropa e Lirë: Atëherë, bazuar në përvojën tuaj, çfarë hapash konkretë duhet të ndërmarrë Kosova që të fillojë Dialogu Strategjik? Çfarë standardesh duhet të shohë Uashingtoni?

Jeffrey Hovenier: Nuk mund të flas në emër të administratës Trump dhe as nuk do të doja ta bëja këtë. Nuk jam pjesë e diskutimeve të tyre, prandaj mund vetëm të spekuloj.

Besoj se ata do të donin të shihnin, ndoshta, dy gjëra.

E para, do të donin të shihnin një përgjigje ndaj dëshirës së tyre që Kosova të përfshihet në infrastrukturën më të gjerë rajonale të energjisë, e në veçanti në projektet që lidhen me LNG-në.

Besoj se administrata Trump e ka bërë të qartë se ky është një prioritet i saj, prandaj mendoj se, nëse po përpiqesh të ndërtosh një marrëdhënie të ngushtë me Shtetet e Bashkuara, do të ishte gjë e mençur t’i përgjigjeshe pozitivisht kësaj.

Gjëja tjetër që do të thosha është se kjo nuk është vetëm një çështje e administratës Trump. Është një çështje që ka ekzistuar edhe në administratat e tjera amerikane ku kam punuar.

Mendoj se, herë pas here, kemi pasur pikëpamje të ndryshme me disa përfaqësues të Qeverisë aktuale të Kosovës, si dhe me Qeverinë Kurti në të kaluarën, lidhur me mënyrën më të mirë për t’i trajtuar çështjet shumë të ndjeshme të komuniteteve joshumicë, veçanërisht komunitetit serb në Kosovë, si dhe çështjen shumë të vështirë të garantimit që Serbia të mos ushtrojë sovranitet jashtë kufijve të saj.

Kosova është një shtet sovran dhe duhet të jetë përgjegjëse për administrimin e shtetit të saj sovran brenda kufijve të vet. Por, njëkohësisht, duhet të jetë e ndjeshme ndaj shqetësimeve të komunitetit serb në Kosovë dhe të gjejë mënyra që Serbia të ushtrojë të drejtën që i jep Plani i Ahtisaarit për ta mbështetur atë komunitet, pa e cenuar sovranitetin e Kosovës.

Këto janë çështje shumë, shumë të vështira. Janë çështje shumë, shumë të ndjeshme. Por, mendoj se aty u ndërpre Dialogu Strategjik, ose më saktë, aty u bazua vendimi që Qeveria amerikane mori vjeshtën e kaluar. Ai lidhej posaçërisht me veprimet e ndërmarra nga autoritetet e Kosovës në këto çështje të ndjeshme, pa pasur, nga këndvështrimi amerikan, konsultime të mjaftueshme ose përpjekje për të gjetur mënyra për të ecur përpara, që do të ishin më pak shqetësuese për komunitetin etnik serb.

Prandaj, mendoj se Kosovës do t’i duhet gjithashtu të gjejë mënyra për t’i treguar Uashingtonit se Qeveria e Kosovës e kupton se kjo është një çështje e rëndësishme dhe e ndjeshme; se Kosova nuk do të heqë dorë nga sovraniteti i saj, dhe as nuk duhet ta bëjë këtë, por se do të punojë me Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian për të gjetur një rrugë të përbashkët përpara në trajtimin e këtyre çështjeve.

Mendoj se këto janë dy çështjet kryesore.

“Kosova rrezikon ta humbasë besimin”

Radio Evropa e Lirë: A do ta humbë Kosova besimin nëse dështon të veprojë?

Jeffrey Hovenier: Mendoj se po. Sërish, nuk mund të flas në emër të kësaj administrate, por nga gjithçka që shoh, ajo është mjaft transaksionale dhe hapësira e saj e vëmendjes nuk është shumë e madhe.

Prandaj, mendoj se është e rëndësishme të shfrytëzohen mundësitë që ofrohen dhe të mos shpenzohet shumë kohë duke u menduar apo reflektuar, por, përkundrazi, të përpiqesh të gjesh fusha të përbashkëta bashkëpunimi dhe përparimi.

Radio Evropa e Lirë: Folëm për projektet e LNG-së. A mendoni se Kosova është në rrezik ta humbasë këtë mundësi strategjike të energjisë me Shtetet e Bashkuara?

Jeffrey Hovenier: Këtë e kam të vështirë ta them dhe nuk jam ekspert i këtyre çështjeve. Ekspertët që merren me to, shohin se administrata Trump po sjell ndryshime në infrastrukturën energjetike të Ballkanit Perëndimor.

Unë vetëm do të vë në dukje se, sa kuptoj unë, të gjithë fqinjët e Kosovës tashmë janë pjesë e një mirëkuptimi me Shtetet e Bashkuara që përfshin LNG-në amerikane si një element të infrastrukturës energjetike të rajonit.

Prandaj, është e vështirë të kuptohet pse Kosova do të ishte një rast kaq i ndryshëm, saqë kjo të mos kishte kuptim për të, nëse ka kuptim për Greqinë, Maqedoninë e Veriut, Shqipërinë, Bosnje e Hercegovinën, Kroacinë dhe vendet e tjera të rajonit.

Sërish, nuk kam ekspertizë në këtë fushë, por po shoh edhe sinjalet politike, dhe ato janë gjithashtu shumë të qarta nga Uashingtoni.

Radio Evropa e Lirë: Mund të jetë e vështirë të thuhet, por pse heziton Kurti sipas jush?

Jeffrey Hovenier: Kam shumë respekt për kryeministrin Kurti. Megjithatë, gjatë viteve që kam punuar me të, kam mësuar të mos përpiqem kurrë t’i shpjegoj vendimet që ai merr, sepse ai mendon në mënyrën e vet, shumë unike dhe shumë të thellë. Prandaj, mendoj se kjo pyetje do të ishte më mirë t’i bëhej atij.

Këshilla ime për të, po të isha ende atje, do të ishte: përfundoje procesin tënd të të menduarit dhe kthehu me ide, sepse vëmendja e Uashingtonit nuk është e pafundme dhe ata po presin një përgjigje pozitive.

Mendoj se do të ishte në interesin tuaj të gjeni një mënyrë për të bashkëpunuar me Shtetet e Bashkuara në këtë çështje, të paktën me administratën Trump.

Intervista- Mocioni brenda LDK-së dhe negociatat me LVV-në: Lutfi Haziri flet për dy proceset

Bekim Bislimi

Ndërsa brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës po zhvillohet një proces që mund të çojë në thirrjen e Kuvendit të partisë, udhëheqja e saj është angazhuar edhe në bisedime me Lëvizjen Vetëvendosje për formimin e institucioneve të reja.

Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, thotë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë se këto janë dy procese të ndara dhe se partia do të punojë që zhvillimet e brendshme të mos ndikojnë në negociatat politike.

Ai flet për kushtet e LDK-së për një marrëveshje me LVV-në, duke theksuar se ajo duhet të jetë gjithëpërfshirëse dhe të mbulojë njëkohësisht formimin e institucioneve, zgjedhjen e presidentit dhe dakordimin për prioritetet kryesore shtetërore.

Radio Evropa e Lirë: Zoti Haziri, zyrtarë të Lidhjes Demokratike të Kosovës dorëzuan të mërkurën nënshkrimet për thirrjen e Kuvendit të partisë. Çfarë nënkupton kjo dhe a lidhet me nismën e raportuar brenda partisë për shkarkimin e kryetarit Lumir Abdixhiku?

Lutfi Haziri: Po, keni të drejtë. Sot, porceduralisht, sipas normave të brendshme të statutit të LDK-së, është dorëzuar një e treta e nënshkrimeve, me mocion, me kërkesa politike ndaj LDK-së. Kjo është në binarin e parë.

Unë jam nga ata që nuk besoj se kërkesat politike zgjidhen me peticione, me nënshkrime apo edhe mocione. Por, meqë kjo është çështje që e rregullon [statuti i LDK-së], kjo e drejtë është shfrytëzuar nga kolegët tanë që janë përfaqësues të votuesve të LDK-së.

Besoj shumë që tash do të trajtohet proceduralisht dhe sekretariati i LDK-së, pas verifikimit [të nënshkrimeve] ia dorëzon rekomandimin final kryetarit të LDK-së.

Në binarin e dytë, derisa është kryetar i LDK-së Lumir Abdixhiku, ai e ruan të drejtën e përfaqësimit të të gjitha autorizimeve që i jep Kuvendi i LDK-së dhe statuti i LDK-së. Pra, është i mbrojtur. Ky është mendimi im, sepse ende nuk kemi pasur hapësirë dhe mundësi që ta diskutojmë këtë çështje në forume më të gjera dhe më të larta.

Radio Evropa e Lirë: A ndërlidhet kjo kërkesë vetëm me shkarkimin e zotit Abdixhiku apo edhe me çështje tjera?

Lutfi Haziri: Kërkesa për votëbesim të zotit Abdixhiku ka kaluar në skanim në Kuvend [të LDK-së] më 31 janar. Tani është procedurë gati se e njëjtë, por që lidhet me kërkesën për shkarkimin e kryetarit të LDK-së, si pjesë e mocionit të kërkuar nga kolegët e LDK-së.

Radio Evropa e Lirë: Si është, në fakt, gjendja brenda LDK-së sot?

Lutfi Haziri: Situatat paszgjedhore të ballafaqojnë me rezultatin. Rezultati të ballafaqon me kërkesa politike. Kjo është kulturë e LDK-së.

Zhvillimet e fundit – edhe para zgjedhjeve natyrisht, por edhe pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, por edhe atyre të 28 dhjetorit – e kanë çuar LDK-në në një proces, të cilin unë e kam quajtur bashkim në dallime politike.

Kërkesat politike janë të tilla, por ne duhet të vazhdojmë ta ruajmë dhe ta zhvillojmë kulturën tonë politike të bashkëpunimit. Edhe në dallime. Është vlerë. Dialogu i brendshëm në LDK është i zhvilluar. Kërkesat politike duhet të trajtohen dhe të zgjidhen vetëm me bashkëpunim politik.

Format tjera mund të jenë statutore, mund të jenë ligjore, mund të jenë të çfarëdo natyre, por kërkesat politike zgjidhen vetëm me bashkëpunim politik e jo në forma të tjera.

Në këtë rrafsh, unë kam besim se mekanizmat politikë të LDK-së janë të pjekur, janë të zhvilluar dhe çdo proces politik do të ballafaqohet me durim, me bashkëpunim dhe në fund me rezultat të përbashkët politik.

Për ne është e rëndësishme rikthimi i madh dhe gjetja e rrugës për rikthim të madh nuk është e lehtë. Asnjëherë nuk kemi thënë që është e lehtë, as sot nuk besojmë që është e lehtë, por besojmë në vlerat politike që i kemi trashëguar si LDK.

Radio Evropa e Lirë: A mund të ndikojnë këto zhvillime brenda LDK-së në negociatat me Lëvizjen Vetëvendosje për një marrëveshje të mundshme për formimin e institucioneve?

Lutfi Haziri: Mendoj që çdo proces politik e ka efektin e vet. Por, do të punojmë shumë që t’i mbyllim efektet negative, meqë shumica e madhe e njerëzve në LDK e ruajnë bashkëpunimin si vlerë politike, të cilën ne e shohim si pozicionin tonë të fortë.

Po rikthehem në fillim të asaj që e thashë. Lidershipi i LDK-së dhe kryetari i saj janë përballë dy kërkesave, në dy binarë politikë – dy procese të ndara që kanë ndikim në njëri-tjetrin.

Një është kërkesa e kolegëve tanë për mocion në Kuvend të LDK-së dhe dy është kërkesa për bashkëpunim që ka ardhur nga lideri i LVV-së për ndërtimin e institucioneve, pas zgjedhjeve të 7 qershorit.

Të dyja do të trajtohen, të dyja do të marrin përgjigje dhe unë besoj që efektet negative do të minimizohen.

Radio Evropa e Lirë: Ku kanë arritur bisedimet mes LDK-së dhe Lëvizjes Vetëvendosje për krijimin e institucioneve?

Lutfi Haziri: Takimi i parë u zhvillua me ftesë të zotit [Albin] Kurti [kreut të Vetëvendosjes]. LDK-ja u përfaqësua në këto bisedime nga kryetari i saj, Lumir Abdixhiku. Deri tani është mbajtur vetëm ai takim. Gjithçka tjetër mbetet një proces i hapur.

Radio Evropa e Lirë: Cilat janë kërkesat kryesore të LDK-së në këto bisedime? A janë ato të panegociueshme apo ka hapësirë për kompromis?

Lutfi Haziri: Kërkesat tona janë parimore. Ato nuk kanë të bëjnë me emra të përveçëm apo me pozita të caktuara politike. Ne kemi thënë se çështja e presidentit dhe përgjegjësitë e tjera institucionale duhet të jenë pjesë e një marrëveshjeje të përgjithshme. Pra, ose merremi vesh për të gjitha në një pako, ose nuk merremi vesh për asgjë. Ky është parimi ynë kryesor.

Parimi i dytë lidhet me proceset e rëndësishme politike që e presin Kosovën, si në planin e brendshëm – zhvillimi ekonomik dhe projektet infrastrukturore – ashtu edhe në politikën e jashtme, përfshirë rrugën drejt NATO-s dhe Bashkimit Evropian. Për këto çështje duhet të ketë dakordim paraprak.

Vetëm pas kësaj vjen ndarja e përgjegjësive institucionale. LDK-ja më nuk lidhet as për emra të përvetshëm, as për pozita të caktuara, por për agjendën e Republikës dhe për interesin e përgjithshëm – në parimin e bashkëpunimit institucional.

Radio Evropa e Lirë: Çfarë nënkuptoni kur thoni se nuk ndërlidheni me emra të përveçëm dhe se duhet të ketë marrëveshje “për të gjitha ose për asgjë”?

Lutfi Haziri: Në Kosovë është krijuar perceptimi se gjithçka sillet rreth emrave të përveçëm, pozitave politike apo ndarjes së pushtetit. LDK-ja, përmes mënyrës se si ka vepruar ndër vite – duke bashkëqeverisur me parti të ndryshme, por edhe duke qëndruar për një kohë të gjatë në opozitë – ka dëshmuar se synimi ynë nuk është ndarja e posteve.

Ne jemi të interesuar të ndërtojmë një agjendë për Republikën dhe t’i japim vendit institucione funksionale, kredibile, me integritet, në shërbim të zhvillimit të Kosovës.

Natyrisht, në fund të procesit gjithçka përkthehet në emra. Lista e deputetëve përbëhet nga emra dhe edhe përgjegjësitë institucionale u takojnë njerëzve konkretë. Por, ne besojmë se fillimisht duhet të dakordohemi për interesin e përgjithshëm, pra për agjendën.

Më pas, pikërisht ajo agjendë dhe proceset politike do të përcaktojnë edhe emrat dhe marrëveshjet politike që mund të dalin nga bisedimet mes LDK-së dhe Lëvizjes Vetëvendosje.

Radio Evropa e Lirë: A po synohet bashkëqeverisje apo jo?

Lutfi Haziri: Natyrisht. Bashkëpunimi për t’i dhënë vendit institucione funksionale nënkupton edhe bashkëqeverisje. Pra, bëhet fjalë për një marrëveshje klasike, të ngjashme me ato që LDK-ja ka arritur në të kaluarën me parti të ndryshme politike, me të cilat kemi pasur si përvoja bashkëpunimi, ashtu edhe rivaliteti politik.

Kjo nënkupton se agjenda dhe interesi i Republikës përcaktojnë rolin dhe përgjegjësinë politike që secili merr për një mandat të caktuar.

Ne duhet ta thyejmë këtë rreth vicioz. LDK-ja ka vullnet politik për ta bërë këtë. Prej gati dy vjetësh, Kosova po sillet në vend, pa bërë përparim, ndërsa rajoni dhe bota kanë ndryshuar ndjeshëm. Dy luftëra të mëdha kanë ndikuar në këtë pjesë të botës dhe pasojat e tyre i ndiejmë edhe ne.

Ndërkohë, politika e Kosovës vazhdon të merret me vetveten dhe të bëjë me gisht, të gjejë fajtor brenda nesh, të adresojë fajin brenda nesh… pa ndonjë arsye të madhe.

Shteti duhet të jetë funksional dhe t’u shërbejë qytetarëve dhe Republikës, jo ideologjive apo agjendave partiake.

Radio Evropa e Lirë: Çfarë duhet të ndodhë që të zgjidhet çështja e konsolidimit të institucioneve? Dhe, sa i dëmshëm është bllokimi institucional, jo vetëm për qytetarët, por edhe për pozitën ndërkombëtare të Kosovës? Cilat janë pasojat?

Lutfi Haziri: Kur flas për agjendë politike, e kam fjalën për një agjendë shtetërore, jo për një agjendë të ngushtë partiake. Agjenda për Republikën duhet t’i bashkojë partitë politike rreth një konsensusi sa më të gjerë.

Kjo do të thotë se edhe partitë që mbesin në opozitë – përfshirë LDK-në nëse mbetet në opozitë – nuk duhet ta përjashtojnë bashkëpunimin për procese me rëndësi shtetërore, si integrimi euroatlantik apo reformat e domosdoshme të brendshme.

Sa i përket pjesës së dytë… Kemi pasur tri palë zgjedhje dhe tri herë kemi dështuar t’i zbatojmë rezultatet e tyre. Kjo krijon pakënaqësi te qytetarët, të cilët kanë votuar për një mandat katërvjeçar, e jo për institucione që zgjasin vetëm tre, katër apo pesë muaj.

Ka edhe një kosto të madhe financiare. Vetëm nga buxheti i shtetit janë shpenzuar mbi 36 milionë euro, pa llogaritur shpenzimet e partive politike. Kosova nuk e ka komoditetin që çdo krizë politike ta zgjidhë me zgjedhje të reja ose duke pritur vendime nga Gjykata Kushtetuese, e cila shpesh nuk ka dhënë një zgjidhje të drejtpërdrejtë për këto situata.

Në planin e brendshëm, vendi ka stagnuar. Çdo sektor është në pritje. Administrata publike nuk mund të funksionojë normalisht pa institucione të plota dhe pa një agjendë të qartë shtetërore. Zyrtarët kryejnë vetëm detyrat e përditshme, por nuk kanë hapësirë të marrin vendime apo të çojnë përpara procese të rëndësishme. Administrata nuk funksionon me kapacitet të plotë.

Si pasojë, asnjë proces i madh në Kosovë nuk mund të ndodhë. Aplikimi i Kosovës për statusin e vendit kandidat në Bashkimin Evropian vazhdon të mbetet i pahapur, ndërkohë që vende si Shqipëria, Mali i Zi, madje edhe Ukraina, e cila është në luftë, po bëjnë përparim në procesin e integrimit evropian.

Kosova po perceptohet si një vend që prodhon vazhdimisht lajme të këqija dhe u shkakton shqetësime partnerëve të saj. Nuk mund të vazhdojmë me këtë situatë.

Duhet ta thyejmë këtë rreth vicioz dhe ta ndryshojmë këtë imazh, ku paaftësia e klasës politike për të zbatuar rezultatin e zgjedhjeve, është shndërruar në problemin kryesor të Republikës. E, pastaj, janë edhe shumë probleme të tjera që janë grumbulluar gjatë viteve të fundit.

Radio Evropa e Lirë: E përmendët nevojën për konsensus mes partive. A shihni ndonjë shenjë se një konsensus i tillë mund të arrihet?

Lutfi Haziri: Për momentin, në Kosovë nuk ka konsensus për asnjë proces të rëndësishëm politik. Përjashtim bëjnë rastet kur LDK-ja, në mënyrë të njëanshme, ka mbështetur ratifikimin e marrëveshjeve financiare ndërkombëtare në Kuvend gjatë pesë vjetëve të fundit. Në disa raste është bashkuar edhe PDK-ja, në disa të tjera edhe AAK-ja, por kjo ka qenë një përpjekje e jona për të mos lejuar bllokimin e proceseve të rëndësishme për vendin.

Në çështjen e dialogut me Serbinë nuk ka pasur dialog mes partisë së parë, pra Qeverisë, dhe partive të tjera, përfshirë LDK-në. E njëjta situatë ka qenë edhe në procesin e integrimit evropian. Nuk është ndërtuar dialog me opozitën, nuk ka dialog me sindikatat, ndërsa dialogu social-ekonomik, praktikisht, është lënë mënjanë.

Pra, mungojnë mekanizmat e dialogut të brendshëm – politik, institucional dhe shoqëror – që do të mundësonin ndërtimin e një konsensusi të gjerë për proceset më të rëndësishme të vendit. Ka ardhur koha t’i jepet fund kësaj logjike dhe kësaj mënyre të të vepruarit.

Dialogu është e vetmja rrugë për partitë politike. LDK-ja ka përvojë në këtë drejtim. Kur kemi bashkëpunuar, kemi ndërtuar institucione, kemi çuar përpara procese dhe kemi realizuar objektiva të rëndësishme për vendin. Edhe periudhat më të vështira i kemi përballuar së bashku dhe besoj se edhe sfidat e sotme mund të përballohen në të njëjtën mënyrë.

Por, nuk është vetëm vullnet politik. Unë do të thosha se është frymë kushtetuese. Ne kemi vendosur, e kemi ndërtuar këtë frymë kushtetuese dhe në germën e saj – nëse duan juristët ta shohin – e gjejnë. Bashkëpunimi është kërkesë.

Radio Evropa e Lirë: A nuk ka arsye të mjaftueshme për t’u ngutur me formimin e institucioneve?

Lutfi Haziri: Për dallim nga tri herët e kaluara, kësaj radhe Lëvizja Vetëvendosje i ka nisur takimet para konstituimit të Kuvendit të Republikës. Nuk kemi parë veprime të njëanshme apo përpjekje që rezultati i zgjedhjeve të zbatohet vetëm duke u mbështetur te numrat.

Ky ndryshim, sado i vogël të duket, mund të ketë peshë të madhe në tejkalimin e problemeve që i kemi hasur në tri proceset e kaluara. Besoj se ka mundësi të ndërtohet një marrëveshje më gjithëpërfshirëse, e cila do t’i japë stabilitet procesit të konstituimit të Kuvendit, formimit të Qeverisë dhe zgjedhjes së presidentit.

Një marrëveshje e tillë do t’u jepte siguri qytetarëve dhe institucioneve se kësaj radhe nuk do të përsëritet dështimi.

“Evropa të jetë më shumë kritike ndaj qeverisë”/ 44 ditë revoltë për dorëheqjen e Ramës, Neomalësorja për median holandeze: Protestat do të rriten edhe më shumë!

“Shqipëria ka qenë  trazuar, shkak është “Revolucioni Flamingo”. Deri tani, dhjetëra mijëra shqiptarë kanë dalë në rrugë për më shumë se 40 ditë, ku maksimumi i pjesëmarrësve në shesh ka qenë 250,000 qytetarë”.

Kështu shkruan gazeta hollandeze “de Volkskrant”, për të cilën deputetja tashmë e pavarur Marjana Koçeku ka dhënë një intervistë në lidhje me protestat dhe revoltën qytetare që vijojnë prej 44 ditësh në Shqipëri.

Sipas medias holandeze, protestat mbështeten edhe nga deputetja Marjana Koçeku, e cila u largua nga grupi parlamentar i PS pas shpërthimit të protestave në vend.

INTERVISTA:

Pse vendosët të largoheni nga partia?

Largimi im ishte një grumbullim pakënaqësie. U bëra aktiviste në moshë të re dhe hyra në politikë sepse shpresoja të bëja një ndryshim në çështje të rëndësishme si mjedisi, ekologjia dhe turizmi i qëndrueshëm. Por shpejt u bë e qartë se zëri im kritik nuk u vlerësua nga udhëheqja e partisë sime. Më anashkaluan plotësisht temat që më prekin shumë, siç është ndotja e lumit Drin, nga vij unë. Kur dolën në dritë skandalet e mëdha mjedisore, kuptova se duhej të mbështesja politika që në fakt shkatërrojnë mjedisin. Ky ishte kufiri im moral.

Nuk kishit qenë anëtar i Partisë Socialiste për shumë kohë; a nuk mund ta kishit parashikuar këtë?

Rama më kontaktoi pasi e isha në podcastin e tij ku fola për problemet me të cilat po përballej rajoni im: një problem i madh me mbeturinat, një mungesë totale të rrugëve dhe energjisë elektrike të mirë, sepse qeveria e tij dhe të gjitha qeveritë para saj thjesht na kishin harruar.

Nuk ka qenë kurrë ëndrra ime të bëhesha politikane. Gjithmonë kam qenë një kundërshtare e ashpër e pushtetit dhe kam protestuar kundër tyre që nga ditët e mia studentore. Kur u bashkova me Partinë Socialiste, ata përreth meje ishin kundër meje. Por e shihja këtë si detyrën time morale, pjesërisht sepse përfaqësimi politik ishte mjaft i paimagjinueshëm për një grua të re nga një rajon i izoluar dhe patriarkal.

Për më tepër, shumë të rinj hynë në parlament atë vit. Sinqerisht mendova: ndoshta ky është momenti ynë.

Protestat vazhdojnë, edhe për sa kohë?

Pres që ata vetëm të rriten. Elita jonë politike e ka humbur plotësisht kontaktin me realitetin dhe nuk ka asnjë ide se çfarë kalojnë njerëzit në jetën e tyre të përditshme. Protestuesit me të drejtë po kërkojnë ndryshim. Këto protesta kanë të bëjnë me sundimin e ligjit, demokracinë e vërtetë dhe refuzimin për ta lënë vendin tonë të plaçkitet. Ne do t’i përmbahemi fort idealeve tona.

Në një letër të hapur drejtuar Ramës, ju i kërkuat atij të jepte dorëheqjen. Çfarë duhet të ndodhë për të ndryshuar sistemin politik?

Kjo kërkon shumë më tepër sesa vetëm largimin e një njeriu. Ligji aktual zgjedhor mbron rendin e vendosur, i cili është thelbësisht i kalbur dhe i shërben vetëm interesave të një grupi shumë të vogël. Ne kemi nevojë për njerëz në parlament që janë aty për shkak të kompetencave të tyre, jo për shkak të besnikërisë së tyre të verbër ndaj një udhëheqësi partie.

Rezervati natyror Vjosa-Narta, ku amerikani Jared Kushner dëshiron të ndërtojë një vendpushim luksoz.

Partive të reja politike duhet t’u jepet një shans i drejtë. Kam respekt të madh për partitë e pakta të reja kritike që hynë së fundmi në parlament nëpërmjet zgjedhjeve dhe tani po mbështesin protestat. Një diversitet më i madh politik do ta bëjë demokracinë tonë më të shëndetshme, më autentike dhe më të gjallë.

Por ndryshimi i madh do të duhet të vijë nga poshtë. Qytetarët shqiptarë, dhe veçanërisht diaspora jonë, aktualisht po tregojnë një angazhim shumë më të madh ndaj ndryshimeve demokratike sesa e gjithë elita politike. Sistemi duhet të ndryshojë dhe të fillojë të funksionojë për qytetarët; nuk ka rrugë tjetër.

Në letrën drejtuar Ramës, ju shkruat edhe për një paralajmërim që ai ju kishte dhënë.

“Nuk dua të them shumë për këtë, por ai më dërgoi një mesazh se do të përfundoj vetëm, pa besimin e popullsisë apo të mbështetësve të mi në male. Përgjigja ime ndaj tij ishte e thjeshtë: Jam mësuar të qëndroj vetëm. E vetmja gjë që ka vërtet rëndësi për mua tani është se e kam mbyllur derën pas meje dhe jam e lirë. Për fat të mirë, nëna ime nuk ka rrjete sociale, kështu që nuk sheh asnjë nga agresionet dhe ngjyrimet politike që janë përhapur rreth meje që nga largimi im.”

Kohët e fundit udhëtuat për në Bruksel për një takim me anëtarë të Parlamentit Europian. Çfarë prisni prej tyre?

Evropa duhet të jetë shumë më kritike ndaj qeverisë shqiptare. Procesi i anëtarësimit nuk duhet të jetë një strategji thjesht gjeopolitike apo një çështje burokratike e plotësimit të kritereve. BE-ja aktualisht po flet vetëm me Kryeministrin dhe elitën politike, por duhet të angazhohet edhe në dialog me popullsinë dhe shoqërinë civile shqiptare. Rreth 92 përqind e shqiptarëve janë pro-evropianë sepse besojmë në vlerat evropiane si drejtësia, transparenca dhe sundimi i ligjit, por kjo nuk do të thotë që ne mbështesim qeverinë tonë.

A po flasim këtu me udhëheqësin e ardhshëm të Shqipërisë?

Ambicia ime është më e madhe se kurrë, por tani për tani e gjej më të rëndësishme t’i përkushtohem vendit tim si anëtar i pavarur i Parlamentit. Në fund të fundit, koha do të tregojë se kush mbijeton dhe kush jo. Por një gjë është e sigurt: ky nuk është fundi. bw

Intervista- Hodges: Ngërçi politik e bën Kosovën më të cenueshme ndaj ndikimeve të jashtme

Valona Tela

Kosova mbetet e cenueshme ndaj ndikimeve të jashtme për aq kohë sa nuk arrin të dalë nga ngërçi politik dhe të ndërtojë institucione të qëndrueshme, vlerëson ish-komandanti i Ushtrisë amerikane në Evropë, Ben Hodges.

Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, ai thotë se Rusia nuk ka interes ta shohë Kosovën si një shtet të fortë e të integruar në strukturat euroatlantike, ndërsa thekson se prania e KFOR-it mbetet një “spirancë e stabilitetit”.

Hodges flet edhe për transformimin e synuar të NATO-s pas samitit në Ankara, rritjen e rolit të Evropës në mbrojtje, kërcënimet hibride nga Rusia dhe mënyrën se si inteligjenca artificiale dhe teknologjitë e reja do ta ndryshojnë përgatitjen e Aleancës për konfliktet e së ardhmes.

Radio Evropa e Lirë: Gjeneral Hodges, cili mendoni se ishte mesazhi më i rëndësishëm strategjik që doli nga samiti i NATO-s në Ankara?

Ben Hodges: Mesazhi më i rëndësishëm është gjithmonë uniteti i aleancës.

Natyrisht, shumë shqetësohen se presidenti [i SHBA-së, Donald] Trump do të vijë dhe do ta prishë këtë unitet. Në fillim, ai e bëri disi, duke rikthyer çështjen e Grenlandës, duke kritikuar Spanjën dhe gjëra të ngjashme. Por, në fund të samitit, tha se salla ishte e mbushur me dashuri dhe se aty kishte njerëz vërtet të mirë.

Mendoj se është e rëndësishme që samiti përfundoi me një ton të tillë dhe që ai u largua me një qasje shumë më pozitive.

Prandaj, ruajtja e unitetit të aleancës mbetet gjithmonë prioriteti kryesor në samite të tilla.

Së dyti, ishte shumë me rëndësi edhe demonstrimi i investimeve evropiane në mbrojtje, si dhe i Kanadasë. Të gjitha njoftimet e bëra gjatë ditëve të fundit flasin për para dhe kapacitete reale ushtarake. Ky ishte një zhvillim shumë pozitiv.

Dhe, në fund, mbështetja për Ukrainën. Jo vetëm toni i deklaratave, por edhe njoftimi për t’i dhënë Ukrainës licencë për të prodhuar interceptorët Patriot, raketat PAC-3.

Do të shohim nëse kjo do të realizohet. Shpresoj që po, edhe pse mbetem skeptik, sepse presidenti Trump nuk ka qenë vazhdimisht mbështetës i fortë i Ukrainës. Por, shpresoj që këtë herë të bëhet fjalë për një angazhim të vërtetë.

Një NATO më e bashkuar, me një Evropë më të fortë

Radio Evropa e Lirë: Deklarata flet për një Evropë më të fortë brenda një NATO-je më të fortë. Në aspektin praktik, a sinjalizon kjo një ndarje të re të përgjegjësive ndërmjet Evropës dhe Shteteve të Bashkuara?

Ben Hodges: Po, e sinjalizon një gjë të tillë dhe unë nuk kam problem me këtë, për aq kohë sa Shtetet e Bashkuara nuk ia kthejnë shpinën Evropës.

Parandalimi bërthamor është, natyrisht, shumë i rëndësishëm. Por, ai duhet të plotësohet edhe nga një prani konvencionale amerikane, qoftë përmes fuqisë ajrore, detare dhe tokësore apo shkëmbimit të inteligjencës. Pra, nuk mund të jetë thjesht: ‘Ju i keni armët bërthamore, ne po largohemi’. Kjo nuk do të ishte e dobishme.

Megjithatë, transferimi i një pjese më të madhe të përgjegjësive për parandalimin konvencional tek aleatët evropianë, ka kuptim.

Dhe, nuk duhet harruar Kanadaja, e cila shpesh lihet disi në hije në këto diskutime. Ajo është duke rritur kontributin e saj në aleancë, dhe kjo është e nevojshme për shkak të pozitës së saj gjeografike dhe cilësisë së burrave dhe grave në forcat e saj të armatosura. Edhe Kanadaja është një pjesë e rëndësishme e këtij ndryshimi.

Radio Evropa e Lirë: Pra, aleatët evropianë pritet të marrin përgjegjësi më të mëdha për mbrojtjen, duke vazhduar njëkohësisht të bashkëpunojnë ngushtë me Uashingtonin. Sa i rëndësishëm është ky ndryshim për të ardhmen e sigurisë transatlantike?

Ben Hodges: Gjëja më rëndësishme është angazhimi i vazhdueshëm i të 32 vendeve anëtare të Aleancës ndaj mbrojtjes kolektive. Kjo është gjëja më e rëndësishme.

Gjithmonë do të ketë dinamika mes aleatëve, mosmarrëveshje apo tensione për arsye të ndryshme. Ashtu siç ndodh edhe brenda Bashkimit Evropian, ku ka debate për migracionin, politikat financiare, vizat apo çështje të tjera. Kjo është e natyrshme.

Por, përkushtimi i të gjitha vendeve ndaj njëra-tjetrës për mbrojtjen kolektive, është themeli i Aleancës.

Dhe, natyrisht, mënyra më e mirë për t’i mbrojtur vendet e NATO-s nga një sulm i mundshëm rus, është të sigurohet që Ukraina të ketë sukses. Prandaj, mbështetja për Ukrainën mbetet një pjesë thelbësore e mbrojtjes dhe sigurisë së përgjithshme të Aleancës.

Lufta e së ardhmes: Dronë dhe inteligjencë artificiale

Radio Evropa e Lirë: NATO-ja po i kushton gjithnjë e më shumë rëndësi inteligjencës artificiale, kapaciteteve kibernetike, mbrojtjes raketore, sistemeve pa ekuipazh… Sa shumë po e ndryshon kjo mënyrën se si Aleanca përgatitet për konfliktet e së ardhmes?

Ben Hodges: Mendoj se Nisma për Parandalimin në Krahun Lindor është një nga qasjet më moderne ndaj parandalimit dhe mbrojtjes. Ajo nuk i zëvendëson elementet tradicionale, si forcat tokësore, pengesat apo minat, por i plotëson ato.

Përgjatë gjithë krahut lindor të NATO-s, nga veriu i Finlandës deri në Detin e Zi, po ndërtohet një sistem i integruar. Nuk do ta quaja “mur”, sepse nuk e përshkruan saktë, por është një kombinim i të gjitha kapaciteteve që i përmendët, të lidhura në një rrjet, që rrit ndjeshëm shpejtësinë me të cilën komandantët identifikojnë kërcënimet, marrin vendime dhe reagojnë ndaj tyre.

Kjo është një përshtatje e rëndësishme dhe një hap përpara në përdorimin e teknologjive të reja.

Mendoj se një pjesë e madhe e kësaj është nxitur nga ajo që kemi parë në Ukrainë. Atje është krijuar një lloj “zone e vdekjes” që shtrihet në një pjesë të madhe të territorit, ku forcat ruse, deri tani, nuk kanë arritur të depërtojnë, për shkak të mbikëqyrjes së vazhdueshme dhe aftësisë për të goditur me mijëra dronë.

Besoj se Aleanca ka mësuar nga kjo përvojë dhe po i zbaton këto mësime duke i kombinuar me kapacitete të tjera. Ky është një zhvillim pozitiv.

Megjithatë, vazhdon të ekzistojë një mangësi e madhe në mbrojtjen ajrore dhe raketore. Ne ende nuk jemi të përgatitur ta mbrojmë gjithë infrastrukturën tonë kritike të transportit nga sulmet – të ngjashme me ato që Ukraina përjeton pothuajse çdo natë.

Dhe, do të shtoja edhe një gjë: Aleanca ende nuk ka gjetur një përgjigje të qartë, ashtu si edhe shtetet individuale, për mënyrën se si duhet të përballet me operacionet ruse në të ashtuquajturën “zonë gri”.

Bëhet fjalë për përdorimin e taktikave hibride – dronëve, atentateve, sabotimeve, dezinformimit – të gjitha të projektuara për të frikësuar shoqëritë evropiane, në mënyrë që qeveritë e tyre ta ndalin mbështetjen për Ukrainën.

Prandaj, duhet të gjejmë mënyra për t’i imponuar pasoja Rusisë, edhe kur shumica e këtyre veprimeve nuk mund t’i atribuohen drejtpërdrejt asaj dhe mbeten nën pragun e Nenit 5 të NATO-s.

Kjo është një sfidë të cilën ende nuk e kemi zgjidhur.

Pse NATO duhet t’i përgjigjet më fort Rusisë?

Radio Evropa e Lirë: Po pse nuk ka ende përgjigje ndaj këtyre kërcënimeve?

Ben Hodges: Mendoj se këtu çdo shtet përballet me sfidat e veta – ka kuadrin e vet ligjor dhe konsideratat e veta politike të brendshme, të cilat duhet t’i zgjidhë.

Për shembull, kujtoni rastin kur rreth 12 dronë hynë në territorin e Polonisë disa muaj më parë. Askush nuk e mohoi se ishin rusë, por cili ishte reagimi? U ngritën në ajër avionë F-35 dhe F-16.

Por, kjo nuk ishte përgjigjja e duhur.

Nga ana tjetër, nuk dëshiron të rrëzosh dronë mbi qytetet tua kur nuk je në një gjendje lufte në kuptimin tradicional. Nëse e rrëzon një dron, mbetjet e tij do të bien diku.

Pastaj, ka edhe mosmarrëveshje institucionale. Për shembull, këtu në Gjermani shtrohet pyetja: kush është përgjegjës? A është çështje për policinë? Për ushtrinë? Kush e kontrollon hapësirën ajrore mbi aeroportin e Frankfurtit apo të Berlinit? Këto janë çështje të cilat ende duhet të zgjidhen.

Mendoj se ekziston prirja që këto incidente të trajtohen si raste të zbatimit të ligjit, pra si vepra penale. Kjo nënkupton se duhet të mblidhen prova të pakundërshtueshme dhe të vërtetohet, sikurse në gjykatë, se përgjegjës është ky apo ai.

Natyrisht, rusët e dinë këtë. Prandaj, nuk do të dërgojnë një ushtar me uniformë dhe flamur rus në krah. Ata përdorin njerëz që i paguajnë ose i sponsorizojnë për t’i kryer këto veprime.

E njëjta gjë vlen edhe për të ashtuquajturën “flotë në hije”. Ajo është pjesë e së njëjtës strategji. Tashmë e dimë se këto anije jo vetëm që transportojnë naftë dhe gaz rus ilegalisht në Detin Baltik dhe Detin e Zi, por disa prej tyre janë përdorur edhe si platforma për lëshimin e dronëve, për shembull kundër Danimarkës.

Prandaj, duhet ta pranojmë realitetin se Rusia është në luftë me ne, edhe nëse ne nuk e konsiderojmë veten në luftë me Rusinë.

Radio Evropa e Lirë: Çfarë mesazhi i dërgon Rusisë mungesa e një përgjegjeje kuptimplotë?

Ben Hodges: Ajo kërkon vullnet politik, guxim politik, por edhe zgjidhje praktike.

Natyrisht, kjo është më e ndërlikuar kur je pjesë e vendeve demokratike, që përpiqen të veprojnë në përputhje me ligjin dhe të drejtën ndërkombëtare. Duhet të gjenden mënyra për të reaguar brenda këtij kuadri.

Unë besoj se kjo është e mundur. Ekzistojnë baza ligjore që mund të përdoren, por kërkohet punë serioze nga qeveritë.

Rreziku është se, nëse nuk gjejmë mënyrën për t’iu përgjigjur këtyre veprimeve, Rusia do të vazhdojë t’i shtyjë kufijtë gjithnjë e më tej, derisa një ditë mund të ndërmarrë edhe një sulm të kufizuar ndaj një vendi të NATO-s.

Për shembull, mund të sulmojë një zonë si Daugavpils në Letoni dhe pastaj të pyesë: ‘Mirë NATO, çfarë do të bëni tani? A do të hyni në luftë bërthamore për Daugavpilsin?’

Nëse përgjigjja do të ishte ‘jo’, atëherë besueshmëria e Nenit 5 dhe e vetë Aleancës do të dëmtohej rëndë.

Ku mbetet Kosova në transformimin e Aleancës?

Radio Evropa e Lirë: Folëm për transformimin e NATO-s. Në këtë kontekst, ku mbeten partnerët e Aleancës, si Kosova? A mund të krijojnë teknologjitë e reja më shumë mundësi për bashkëpunim, apo rrezikojnë ta zgjerojnë hendekun mes vendeve anëtare dhe partnerëve?

Ben Hodges: Mendoj se edhe vendet më të vogla të NATO-s, të Bashkimit Evropian, apo shtete të tjera evropiane si Kosova, kanë shumë për të ofruar. Ato kanë të rinj të talentuar dhe me aftësi të mira në teknologji.

Prandaj, jo çdo vend duhet të ketë avionë F-35 apo aeroplanmbajtëse. Çdo shtet mund të kontribuojë me kapacitetet që ka, përfshirë edhe në fushën e inteligjencës dhe ndërgjegjësimit për situatën – pra, të kuptuarit se çfarë po ndodh në terren.

Jam mjaft i bindur se Aleanca do të vazhdojë të punojë për të gjetur mënyra se si t’i integrojë më mirë vendet më të vogla me ato më të mëdha.

Nuk është e dëshirueshme që gjithçka të mbështetet vetëm në kapacitetet e Shteteve të Bashkuara. Pikërisht për këtë ka paralajmëruar prej kohësh presidenti [i Francës, Emmanuel] Macron, duke theksuar rrezikun e mbështetjes së tepërt te SHBA-ja.

Sepse, nëse krijohet një situatë ku administrata amerikane nuk perceptohet si plotësisht e besueshme, ose nëse çdo gjë trajtohet vetëm si një transaksion, atëherë pjesa tjetër e Aleancës bëhet më e cenueshme.

Radio Evropa e Lirë: Ballkani Perëndimor nuk përmendet në deklaratën e samitit të NATO-s, megjithëse rajoni vazhdon të përballet me çështje të pazgjidhura dhe rreziqe të sigurisë – nga veriu i Kosovës deri te Bosnje dhe Hercegovina dhe Republika Sërpska. A mendoni se NATO-ja e sheh ende këtë rajon si një prioritet strategjik? Dhe çfarë duhet të bëjë Aleanca për të parandaluar që këto kriza të menaxhuara të shndërrohen në konflikte të hapura?

Ben Hodges: Po, mendoj se kjo është një situatë sfiduese dhe me shumë dimensione. Nuk e di saktësisht se ku renditet Ballkani Perëndimor në listën e prioriteteve të Aleancës apo si e vlerëson NATO-ja rajonin.

Megjithatë, nuk do t’i jepja ndonjë kuptim të veçantë faktit që Ballkani Perëndimor nuk u përmend në deklaratën e publikuar pas samitit. Në fund të fundit, samiti përbëhej nga një darkë, një takim i përbashkët dhe disa bisedime dypalëshe që u zhvilluan paralelisht.

Samitin e ardhshëm pritet ta organizojë Shqipëria. Tani ekziston një ide që vitin e ardhshëm të mos mbahet, kështu që, nëse kjo ndodh, Shqipëria do të ishte mikpritëse në vitin 2028.

Kjo do të ishte një mundësi për ta kthyer vëmendjen te Ballkani, ashtu siç organizimi i samitit nga Turqia ndihmoi që fokusi të vihej te Deti i Zi dhe te roli i Turqisë.

Mendoj se NATO-ja ka përgjegjësi në këtë rajon, sepse aty ka vende anëtare të Aleancës, ndërsa edhe Bashkimi Evropian ka interesa. Por, sinqerisht, nuk mund të them se ku renditet Ballkani Perëndimor në listën e prioriteteve.

Radio Evropa e Lirë: Kosova po përballet sërish me vështirësi për të formuar institucione të qëndrueshme pas zgjedhjeve të përsëritura. Nga këndvështrimi i NATO-s dhe i sigurisë, sa i dëmshëm është ky ngërç politik për një vend që synon të shihet si një partner i besueshëm i Perëndimit?

Ben Hodges: Natyrisht, një situatë e tillë e mban Kosovën të cenueshme ndaj ndikimeve të jashtme.

Rusia nuk ka asnjë interes që Kosova të bëhet një shtet i fortë, liberal-demokratik, i integruar në Bashkimin Evropian, në NATO apo në struktura të ngjashme.

Prandaj, për sa kohë që Kosova nuk arrin ta zgjidhë këtë situatë, ajo do të mbetet e pambrojtur ndaj atyre që synojnë ta ruajnë status quo-në dhe të vazhdojnë ta destabilizojnë vendin.

Radio Evropa e Lirë: Mendoni në kërcënime për sigurinë…

Ben Hodges: Po, por edhe duke nxitur vazhdimisht ndasitë e vjetra dhe duke minuar besimin e qytetarëve tek institucionet dhe proceset demokratike.

Radio Evropa e Lirë: Teksa Evropa merr një rol më të madh në mbrojtje, a duhet të presë Kosova ndonjë ndryshim në misionin e NATO-s, KFOR?

Ben Hodges: Nuk e di. Unë shpresoj që misioni i KFOR-it të vazhdojë. Mendoj se ta kam përmendur edhe në një bisedë të mëparshme që kemi pasur: njëherë, një zyrtar i lartë i Kosovës dhe një zyrtar i lartë i Serbisë më thanë të njëjtën gjë: ‘Ju lutem, mos e tërhiqni KFOR-in, sepse ai është e vetmja spirancë e stabilitetit’.

Kjo ka ndodhur disa vite më parë, por ajo bisedë më ka mbetur në mendje. Tregon se nuk është e nevojshme të ketë një numër të madh trupash në terren; vetë prania e KFOR-it shërben si një pikë stabiliteti.

Radio Evropa e Lirë: Sa e rëndësishme është prania amerikane në Kosovë?

Ben Hodges: Mendoj se prania e Shteteve të Bashkuara në Kosovë është e rëndësishme, sepse është edhe në interes të vetë SHBA-së që Evropa të jetë e qëndrueshme dhe e sigurt. Vetëm kështu ajo mund të jetë edhe e begatë, pasi Evropa është partneri më i madh tregtar i Amerikës.

Prandaj, paqëndrueshmëria në Ballkanin Perëndimor kontribuon në paqëndrueshmërinë edhe në pjesë të tjera të Evropës dhe krijon dobësi që Rusia do të përpiqet t’i shfrytëzojë.

Kështu do ta formuloja unë rëndësinë e pranisë amerikane në Kosovë.

Radio Evropa e Lirë: Dhe, përtej samitit, çfarë duhet të bëjë Kosova tani për të mbetur partnere e rëndësishme dhe e dobishme për NATO-n?

Ben Hodges: Të vazhdojë të punojë për përmbushjen e kushteve që kërkohen për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Ky është drejtimi ku duhet të ecë. Mendoj se kjo do ta plotësonte edhe synimin për ta bërë Kosovën një partnere më të vlefshme për NATO-n, nëse kjo është në interesin e saj.

Të Gjelbrit Evropiane krah protestës- “Test për demokracinë”, Vula Tsetsi për “News24”: Rama duhet të marrë seriozisht situatën, s’mund të mbyllet kapitulli 27 pa zgjidhur…

Bashkëkryetarja e të Gjelbërve Evropianë Vula Tsetsi, i bën thirrje kryeministrit Edi Rama që të dëgjojë kërkesat e protestuesve që kanë dalë në rrugë. E shoqëruar nga eurodeputetë në vizitën e saj në Shqipëri, Tsetsi thekson mbështetjen e saj për protestën qytetare në Shqipëri.

Në një intervistë dhënë për “News 24”, ajo thekson se protesta është një test për demokracinë dhe sundimin e ligjit në Shqipëri. Sipas saj, Komisioni Evropian duhet të jetë shumë i qartë në qëndrimet mbi çfarë po ndodh në Shqipëri.

Në këndvështrimin e saj, sundimi i ligjit është thelbësor për procesin e integrimit evropian. Vula Tstetsi nënvizon se “liria e medias është një termometër i demokracisë”

Intervista Vula Tsetsi, Bashkëkryetare e të Gjelbërve Evropianë

 

Zonja Tsetsi, prej 4 javësh në Tiranë po zhvillohen protesta qytetare që kanë tërhequr edhe vëmendjen ndërkombëtare. Si e shihni ju këtë mobilizim popullor, a do ta ndiqni nga afër? Çfarë mesazhi mendoni se po përcjell ai?

Vula Tsetsi: Si bashkë-kryetare e të Gjelbërve Evropianë, së bashku me disa eurodeputetë të Partisë së të Gjelbërve erdhëm në Shqipëri për të marrë pjesë në protestë. Ne besoj se ky është një sinjal shumë i rëndësishëm për demokracinë dhe përgjegjësisë. Qytetarët kanë dalë në rrugë sepse duan të mbrojnë natyrën, por duan të mbrojnë zbatimin e ligjit. Prandaj, për ne çfarë po ndodh në rajon së bashku me zbatimin e ligjit, është e njëjta gjë. Kësisoj ne erdhëm të dëgjojmë, erdhëm të kuptojmë dhe ne erdhëm me qëllimin që të kthehemi në Bruksel për të bërë ndërhyrjet tona në nivele të ndryshme.

Protesta në Shqipëri lindi si reagim kundër projektit në Zvërnec, por kaloi shumë shpejt në kërkesën për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe qeverisë. A e shihni këtë si një krizë më të gjerë të besimit ndaj institucioneve?

Vula Tsetsi: Sigurisht që ky është një moment krize dhe të mungesës së besimit. Ne, sigurisht nuk jemi këtu për të gjykuar proceset demokratike dhe kryeministrin e zgjedhur. Por ne jemi këtu për të bërë një thirrje vërtetë të qartë, se çfarë po ndodh në rrugë pas 30 vitesh, duhet marrë shumë seriozisht nga Edi Rama, por gjithashtu edhe nga Komisioni Evropian. Prandaj është shumë e rëndësishme jo thjesht të thuhet se nuk është problemi im, ndërhyrje të huaja, ata duan të shkatërrojnë vendin tim, sipas kryeministrit. Por duhet përpjekje të kuptojë se përse qytetarët kanë dalë në rrugë dhe përse ata janë shumë të zhgënjyer. Nga ajo që kemi kuptuar deri tani, vërtetë nuk ka konsultim publik, nuk ka transparencë, nuk ka përgjegjësi. Prandaj ky është një moment që kryeministri të dëgjojë gjithë këta njerëz që kanë dalë në rrugë dhe të përpiqet të ndërtojë përsëri besim.

Parlamenti Evropian ka shprehur shqetësime për zhvillimet në zonat e mbrojtura natyrore në Shqipëri, për të cilin është shprehur shqetësim edhe në rezolutën e fundit të tij për Shqipërinë. A mendoni se projekti i Zvërnecit është në përputhje me standardet europiane të mbrojtjes së mjedisit dhe Kapitullin 27 të negociatave?

Vula Tsetsi: Sigurisht po flasim për një zonë që është vërtetë e mbrojtur. Është një parajsë për flamingot dhe po ashtu është një parajsë për zogjtë. Është një zonë që qartësisht duhet të mbrohet. Nuk ka asnjë mënyrë për të mbyllur asnjë kapitull, kapitullin 27, pa zgjidhur këtë çështje. Çfarë do të thotë kjo? Kjo do të thotë se është e lehtë të thuhet, le të vazhdojmë punën si zakonisht dhe pastaj të flasim për rishikimin e ligjit të 2024-ës dhe të shohim se çfarë do të ndodhë. Unë mendoj se kjo situatë me protestën ka shkaktuar shumë vëmendje jo vetëm në Shqipëri, por në të gjithë Bashkimin Evropian dhe përtej. Pra ky është një test për demokracinë dhe zbatimin e ligjit. Kështu që unë nuk mendoj se do të përfundoj pa pasoja të qarta, sa i takon Kapitullit 27, por edhe sa i takon perspektivës e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Sa të rëndësishme janë transparenca dhe dialogu me qytetarët në raste të tilla, për një vend që synon anëtarësimin në Bashkimin Europian? 

Vula Tsetsi: Në jemi shumë në favor të së ardhmes së Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Në jemi shumë në favor për dëgjimin e zërit të qytetarëve që kërkojnë reforma. Sa i takon perspektivës evropiane reformat janë të nevojshme dhe për pasojë nuk duhet të injorohen. Ne i marrim ato shumë shumë seriozisht. Gjithashtu dua të them si parti politike evropiane, ne i bëjmë një thirrje jo vetëm kryeministrit Rama, por edhe familjes së tij politike, Socialdemokratëve, të cilës ai i përket, si anëtar i asociuar, ata duhet ta ndihmojnë të kuptojë se demokracia dhe përgjegjësia nuk është “a la carte” – sipas zgjedhjes, por është në zemër të vlerave të integrimit evropian.

Pas 30 ditësh protestë e qendresë popullore, cili duhet të jetë sipas jush reagimi i kryeministrit Rama dhe qeverisë? A jeni njohur me reagimet e deritanishme të tij dhe nëse po, si i vlerësoni ato?

Ne kemi ndjekur me shumë vëmendje nga afër çfarë qeveria ka thënë. Ne kemi ndjekur nga afër se si ka reaguar Komisioni Evropian. Mendoj se kryeministri Rama është pozicionuar shumë në mbrojtje, por gjithashtu jo transparent mbi ekzakt se çfarë po ndodh. Kjo krijon një mungesë besimi të madhe tek qytetarët dhe jam e bindur se ky mobilizim do të vazhdojë nëse kjo mungesë besimi do të vijojë të ekzistojë. Gjithashtu po ndjekim shumë nga afër faktin se Komisioni Evropian është i druajtur, është i heshtur me idenë “le të shohim”. Jo, Komisioni Evropian është roja e traktateve. Komisioni Evropian duhet të jetë shumë i qartë se çfarë po ndodh në këtë vend, sa i takon zonave të ndjeshme ekologjike, nuk pranohet. Prandaj do të jetë një vonesë në procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Pra nuk është “punë si zakonisht”.

Shqipëria ka hapur kapituj të negociatave me Bashkimin Europian. Si e vlerësoni ritmin e deritanishëm të procesit dhe a do të pësojë ngecje në kushtet e protestës që është paralajmëruar se nuk do të ndalojë pa largimin e Ramës?

Dua të përsëris se për ne, perspektiva e Shqipërisë është në Bashkimin Evropian. Vendi juaj është vendi me besimin më të madh kur flitet për projektin evropian. Më shumë se 90% e qytetarëve duan të anëtarësohen në Bashkimin Evropian. Kjo është unike në Ballkan. Prandaj zëri i popullit nuk mund të injorohet. Nuk mund të injorohet këtu, nuk të injorohet në Bruksel.

Në procesin e anëtarësimit në BE, sfida në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, sundim i ligjit dhe pavarësia e sistemit të drejtësisë, mbeten sfidat kryesore. Sa shqetësuese janë për Bashkimin Europian raportimet e vazhdueshme për korrupsionin, klimën e vështirë për biznesin dhe mungesën e kontrollit e balancës së pushteteve në Shqipëri?

Mendoj se i takon eurodeputetëve tanë të shkojnë më thellë çështjes së korrupsionit. Ajo që ka rëndësi është se ka një hetim të pavarur dhe mendoj se kjo pavarësi është shumë e rëndësishme në këtë vend, sepse të gjitha problemet duhet të nxirren në dritë. Dua të them se Po, ka disa fusha ku është bërë përparim. Por mendoj se kur flitet për besim, kur flitet për transparencë, kur flitet për përgjegjësi, ka ende shumë për të bërë.

Në Shqipëri udhëheq një qeveri, 2 ish-zëvendëskryeministrat e së cilës akuzohen dhe hetohen për korrupsion, pastrim parash, shumë kryetarë bashkish dhe zyrtarë të tjerë po ashtu. A ka shqetësim në Parlamentin Evropian për një situatë të tillë?

Sigurisht që ka dhe në raporte të ndryshme janë ngritur këto çështje dhe dua të them se është e rëndësishme që Zëvendëskryeministrat dhe zyrtarë të tjerë politikë janë përgjegjës. Prandaj çdo gjë që do të sjellë hapje, përfshirë këtu edhe heqjen e imunitetit është e rëndësishme, sepse nëse dikush nuk ka probleme duhet të jetë tërësisht i hapur për tu gjykuar. Mendoj se është një sinjal vërtetë i rëndësishëm. Është një sinjal shqetësues, por një sinjal i rëndësishëm që këto probleme potenciale duhet të vihen në dritë. Prandaj le të kthehemi tek protestat në rrugë. Nuk janë vetëm për mjedisin. Këto janë për demokracinë dhe janë për zbatimin e ligjit.

Parlamenti Evropian jo pak herë ka ngritur shqetësime edhe për lirinë e medias. Ju po jepni intervistë në një televizion të rëndësishëm informativ dhe kritik me qeverinë, i cili 1 vit më parë u mbyll arbitrarisht dhe gazetarët u nxorën me dhunë nga mjediset e punës. Si e vlerësoni këtë zhvillim?

Liria e medias është një termometër i demokracisë. Nuk ka mundësi të kesh një shtet dhe qeveri demokratike pa hapësirë ​​frymëmarrjeje pa një media të lirë. Prandaj është e papranueshme që ka pasur presione dhe se ka pasur mënyra për të mbyllur ose për të frikësuar gazetarët. Ju kemi probleme me paditë, që është vërtetë një problem, sepse njerëzit kanë frikë se në qoftë se flasin hapur, do të jenë subjekt i organeve të drejtësisë dhe nuk do të kenë mundësi të paguajnë të gjitha paratë për të ndjekur çështjen e tyre. Është në detyrën e institucioneve, Komisionit Evropian që të ndjekin nga shumë afër se çfarë po ndodh në vend, sepse pa liri të medias nuk ka demokraci dhe nuk ka anëtarësim në Bashkimin Evropian.

A mendoni se çështjet e lirisë së medias mund të ndikojnë në ecurinë e integrimit evropian?

Sigurisht që Po! Sikundër shpjegova më herët, media është termometër i demokracisë. Nuk ka asnjë mënyrë të injorohet se në qoftë se media nuk është e lirë, populli nuk është i lirë dhe qytetarët nuk janë të mirë informuar. Prandaj kjo rrezikon të krijojë më shumë presion. Dhe Komisioni Europian nuk mund të heqë dorë nga kjo dhe nuk do të heqin dorë, sepse është pjesë e kritereve të Kopenhagës, është pjesë e kapitujve negociues kur flitet për demokracinë dhe përgjegjësinë. Ata duhet të bëjnë presion për përmirësime.

Pas kësaj vizite në Shqipëri dhe takimeve që do zhvilloni, cfarë mesazhi do përcillni në Parlamentin Evropian?

Për ne, si familje politike është e rëndësishme të dëgjojmë dhe të kuptojmë se çfarë po ndodh këtu. Tu tregojmë qytetarëve që jemi afër tyre dhe se shpresojmë vërtetë që Shqipëria do të anëtarësohet në Bashkimin Evropian. Mesazhi im për kryeministrin Rama se duhet të dëgjojë se çfarë po ndodh në mënyrë që të puojë së bashku me qytetarët dhe jo kundër qytetarëve. Mesazhi im drejtuar familjes politike të cilës i përkas, socialdemokratëve, është se ata duhet të bëjnë vërtetë presion që kjo situatë të mos vazhdojë kështu dhe se ka një hapësirë ​​frymëmarrjeje dhe se duhet mbrojtje të natyrës në këtë vend. Sa na takon ne, ju mund të mbështeteni tek ne, sepse ky “Revolucion i Flamingove” është një moment demokracie. Është thirrja e këtyre njerëzve, të cilët thonë: “kemi nevojë për ndihmën tuaj”. Mendoj se sa i takon institucioneve evropiane dhe eurodeputetëve tanë, të paktën s ana takon ne, keni mbështetjen tonë 100%.

Intervista- Kryeministri i ri hungarez: Fundi i një regjimi vjen kur njerëzit nuk kanë më frikë prej tij, madje fillojnë të qeshin me të

HUNGARI- Kryeministri i ri i Hungarisë, Peter Magyar, ka deklaruar në një intervistë për revistën gjermane Der Spiegel se fundi i epokës së Viktor Orbánit erdhi në momentin kur qytetarët nuk kishin më frikë nga pushteti dhe filluan ta sfidonin hapur atë. Gjatë intervistës, ai tregon se dy vite më parë nuk kishte asnjë ambicie për tu përfshirë në politikë. Por më pas, ish-anëtari i partisë Fidesz tha se u shkëput nga sistemi i ndërtuar nga Orbán dhe nisi angazhimin publik pas një interviste që tërhoqi miliona shikues.

Sipas Magyarit, pas 16 vitesh qeverisjeje të Orbánit, qytetarët u lodhën nga propaganda, korrupsioni dhe mungesa e transparencës. Magyar vlerësoi se propaganda funksionon vetëm kur përmban një pjesë të së vërtetës, ndërsa pretendimet e qeverisë së mëparshme nuk bindën më votuesit. Ai nënvizon se populli e votoi për të bërë një shkëputje të plotë nga e kaluara.

-Ju e nisët rrugëtimin dy vjet më parë si një figurë e panjohur politike dhe tani keni arritur të mposhtni Viktor Orbán, kreun më jetëgjatë në BE, një lider që e rrënoi demokracinë në vendin e tij. A pati një moment të vetëm kur menduat: Kjo mund të funksionojë?

Në fakt, unë s’kisha ndërmend të hyja në politikë. Dikur isha anëtar i partisë së Orbánit Fidesz, por më pas u shkëputa nga sistemi. Në shkurt 2024 dhashë një intervistë për median online Partizán.

Ajo u pa nga gati 3 milionë njerëz, gjë që më befasoi vërtet. Një muaj më vonë organizova një protestë kundër korrupsionit dhe klientelizmit. Erdhën 50 mijë vetë. Tre javë më pas ishin 200 mijë. Ndoshta ai ishte momenti.

-Megjithatë njerëzit e Orbán kontrollonin pjesën më të madhe të mediave dhe aparatin shtetëror…

Unë kam qenë gjithmonë shumë mosbesues nëse mund të fitohej përballë një regjimi të tillë, aq më tepër me një shumicë si ajo që arritëm. Por u bëra vërtet optimist vetëm në gjysmën e dytë të vitit 2025.

-Si e shpjegoni që pas 16 vitesh klima ndryshoi papritur kundër sistemit?

Arsyet janë të shumta. Hungarezët janë shumë të durueshëm, por e duan lirinë. Kishte shumë gënjeshtra, shumë korrupsion, shumë propagandë. Dhe pas kaq vitesh, dolëm ne, një forcë jashtë sistemit, që donte sinqerisht të fitonte dhe që tha: Do të punojmë me ndershmëri dhe transparencë, do të mbrojmë qytetarët tanë.

-Orbán i fitoi zgjedhjet e mëparshme me slogane shumë polarizuese kundër Brukselit apo emigrantëve. Së fundmi, ai përmendi edhe një kërcënim të pretenduar nga Ukraina. Pse votuesit nuk i besuan më këto narrativa?

Njerëzit mësohen me propagandën e vazhdueshme dhe në fund e kuptojnë. Propaganda funksionon vetëm kur përmban një grimcë të së vërtetës. Ne arritëm të tregojmë se pretendimet e Orbán nuk kishin bazë reale.

Fundi i një regjimi vjen kur njerëzit nuk kanë më frikë prej tij, madje kur fillojnë të qeshin me të. Pikërisht kjo ndodhi edhe në Hungari. Motoja ime që në fillim ishte: “Mos kini frikë!”. Edhe dy vjet më parë thosha se pushteti i Orbánit dukej shumë më i fortë sesa ishte në të vërtetë.

-Çfarë mësimesh mund të nxjerrin demokratët në vende të tjera nga suksesi juaj në përballjen me autokratët?

Nuk besoj se ekziston një recetë universale. Ne thjesht punuam me ndershmëri dhe shumë përkushtim. Politika ka të bëjë me njerëzit. Që votuesit të të besojnë, duhet të shkosh tek ata, t’i shikosh në sy dhe t’i dëgjosh.

Gjatë fushatës vizitova mbi 700 qytete e fshatra. Në disa vende shkova 5 ose 6 herë. Isha më shumë në rrugë sesa në shtëpi. Të tjerët menduan se mjaftonin rrjetet sociale dhe televizioni. Por kjo nuk është e mjaftueshme.

-Si po reagon tani aparati i pushtetit i poshtëruar? Orbán në thelb e kishte kapur shtetin; besnikët e tij ndodhen në çdo hallkë të pushtetit…

Vendi ynë ishte një shtet i marrë peng. Ka ende shumë besnikë të tij në sistem. Për shembull në Këshillin e Mediave. Por edhe presidenti i Gjykatës së Lartë dhe prokurori i përgjithshëm janë njerëz të Orbánit. Pra sigurisht që kemi hasur rezistencë.

Por këtë e prisnim. Këta njerëz duhet të largohen. Ata e tradhtuan shtetin e së drejtës, demokracinë dhe popullin hungarez. Askush prej tyre nuk reagoi kur gjyqtarë, gazetarë, artistë apo qytetarë të thjeshtë u fyen dhe ndaj tyre u shpif.

As kur Orbáni i quajti kritikët e sistemit “parazitë” që duhej të shtypeshin. Njerëzit nuk votuan për një ndryshim të thjeshtë qeverie, por për një ndryshim sistemi.

-Ju keni kërkuar që një sërë figurash të fuqishme besnike të Orbánit të japin dorëheqjen vullnetarisht, madje edhe presidenti Tamás Sulyok…

U përpoqëm të ishim shumë korrektë. Ai mund të largohej me dinjitet. Nuk e bëri këtë, me gjasë nën presionin e Orbánit. Ata po përpiqen të pengojnë ndryshimin e sistemit, ndoshta për të mos lejuar zbardhjen e krimeve: mashtrime dhe përvetësime me vlerë miliardash. Është ironike të shohësh ata që për 16 vjet dobësuan shtetin e së drejtës, tani të pretendojnë se po e mbrojnë atë. Ne kemi një shumicë të paprecedentë, mbi dy të tretat, dhe mund të ndryshojmë kushtetutën. Populli na votoi për të bërë një shkëputje të plotë nga e kaluara. Na duhen njerëz dhe rregulla të reja, si dhe rikthimi i balancave dhe kontrollit institucional.

-A ekziston rreziku që, me një shumicë kaq të madhe, të bini në tundimin e qeverisjes autoritare?

Unë kam propozuar kufizimin e mandatit të kryeministrit në tetë vjet dhe kjo vlen edhe për mua. Do të ndërmarrim hapa të tjerë për të parandaluar abuzimet me pushtetin si ato të 16 viteve të fundit.

-A keni frikë se do të vazhdojë polarizimi i shoqërisë?

Ne duam të ribashkojmë kombin. Nuk ishte një betejë “hungarez kundër hungarezit”, por sistemi i Orbánit kundër popullit. Duhet të përballemi me të kaluarën, por ata që janë përgjegjës duhet së pari të kërkojnë falje dhe të mbajnë përgjegjësi. As Orbáni nuk e ka bërë këtë.

Ai nuk po merr pjesë në parlament. Nuk dëshiron përballje me popullin. Kur të përfundojë fushata publike e urrejtjes dhe propagandës, do të jetë më e lehtë të bashkohemi. Shpresoj që në tetor të festojmë 70-vjetorin e Revolucionit të vitit 1956 në një vend më të bashkuar.

-Orbán është kritikuar për politikat e tij pro-ruse. A do të mbështesë Hungaria dërgimin e ndihmave për Kievin?

Ne duam marrëdhënie të mira me të gjitha vendet fqinje. Në çdo vend fqinj ka pakica hungareze. Mbi 100 mijë hungarezë jetojnë vetëm në Ukrainë. Për shembull, ata nuk lejohen të përdorin gjuhën e tyre në administratë apo kopshte.

Jemi në negociata për këtë çështje. Nëse garantohet mbrojtja e pakicave, dhe unë jam optimist, do të takohem me presidentin Volodymyr Zelensky dhe do të hapim një kapitull të ri me Ukrainën. Por nuk do të dërgojmë armë apo trupa.

-A do të mbështesni paketat e sanksioneve të BE-së kundër Rusisë?

Nëse ka konsensus në Bashkimin Evropian, sigurisht që do t’i mbështesim sanksionet. Ashtu siç bëri edhe Orbán në fund të fundit, pavarësisht retorikës së tij të brendshme.

Analiza e Radio France: “Revolucioni i Flamingove” po sfidon Ramën. Mobilizimi i parë i madh qytetar kundër gjithë kastës politike

Analizë e Radio France mbi situatën në Shqipëri me një intervistë të një eksperti | Çfarë po ndodh aktualisht në Shqipëri? Kush po proteston, kundër çfarë, dhe që kur kanë nisur këto protesta?

Miguel Roán, ekspert i Ballkanit perëndimor:

Shqipëria po përballet me mobilizime qytetare prej pak më shumë se një jave kundër një mega-projekti të zhvillimit urban të planifikuar në gadishullin e Zvërnecit, i cili përfshin ishullin e Sazanit dhe lagunën e Nartës, pranë Vlorës. Kjo është një nga zonat më të vyera të vendit në aspektin ekologjik, e lidhur me deltën e lumit Vjosa, që konsiderohet si lumi i fundit i egër i madh në Evropë. Këto mobilizime janë pagëzuar si “Revolucioni i Flamingove”, si referencë ndaj shpendëve që popullojnë lagunën.

Megjithatë, kjo lëvizje shkon përtej çështjes mjedisore. Bëhet fjalë për mobilizimin e parë të madh qytetar dhe të pavarur në Shqipërinë bashkëkohore: jopartiak, transversal, i udhëhequr nga të rinjtë, kuadro, banorë vendas dhe organizata ekologjike. Kjo lëvizje po kundërshton si partinë e kryeministrit Edi Rama, ashtu edhe atë të opozitës. Shkëndija që ndezi protestën ishte mbërritja e ekskavatorëve, kur rojet e një kompanie private sigurimi ushtruan dhunë ndaj liderëve të protestës në praninë pasive të policisë.

Flitet për Jared Kushner, dhëndrin e Donald Trump, dhe Ivanka Trump, vajzën e tij. Cili është saktësisht roli i tyre dhe pse ky projekt ngjall aq shumë reagime, përtej shkatërrimit të ekosistemeve që denoncojnë OJQ-të?

Ivanka Trump dhe Jared Kushner janë në krye të kësaj iniciative. Jared Kushner ka pranuar se bëhet fjalë për një investim masiv që kalon vlerën e një miliard eurove për të ndërtuar një kompleks turistik luksoz në ishullin e Sazanit dhe në bregdetin përballë tij. Pjesëmarrja e tyre i jep që në fillim një dimension ndërkombëtar këtij konflikti. Kritikët vlerësojnë se bëhet fjalë për një operacion politik për të mbështetur figura që janë në shënjestër të drejtësisë sepse ekziston edhe një problem i madh pronësie. Prej një dekade, ka pasur konflikte të shumta mbi pronësinë e këtyre tokave, që në të kaluarën u përkisnin për përdorim popullatave lokale. Këta banorë papritmas e gjejnë tani veten të privuar nga hapësirat që i shfrytëzonin historikisht me të drejtë.

Në çfarë mënyre qeveria e Edi Ramës i ndryshoi rregullat për t’i dhënë dritën jeshile këtij projekti të kontestuar?

Kjo zonë gëzonte statusin e “peizazhit të mbrojtur” që nga viti 2004 dhe mbrohej nga një ligj për zonat e mbrojtura që nga viti 2017. Një ligj i ri, i cili hyri në fuqi në vitin 2024 dhe që fillimisht ishte konceptuar për të plotësuar kriteret evropiane, integroi disa klauzola toleruese për motive të “interesit ekonomik”. Për shumë qytetarë, ky projekt simbolizon problemet strukturore që po e gërryejnë Shqipërinë prej vitesh. Edi Rama e ka ndërtuar strategjinë e tij mbi tërheqjen e ethshme të investitorëve të huaj dhe mbi aleancat diplomatike të drejtpërdrejta me figura si Donald Trump, Benjamin Netanyahu apo Giorgia Meloni, pa asnjë kompleks ideologjik, megjithëse ai vetë drejton një parti të qendrës së majtë. Dhuna e ushtruar në terren ka njollosur seriozisht imazhin e tij si një lider modern, duke shpërfaqur një udhëheqës që përqendron pushtetin dhe mban lidhje të dyshimta me afaristë të vënë nën akuzë nga drejtësia.

Gjatë marshimeve, njerëzit thërrasin se “Shqipëria nuk është në shitje”. Çfarë tregon kjo për modelin e zhvillimit ekonomik të vendit?

Kjo është një çështje shumë ambivalente, nuk është aq e thjeshtë. Turizmi në Shqipëri ka dy anë të medaljes. Nga njëra anë, kontributi ekonomik është i pamohueshëm. Trafiku në aeroportin e Tiranës është shumëfishuar me 200 herë gjatë viteve të fundit, duke e rreshtuar vendin ndër destinacionet kryesore. Kjo hapje ndërkombëtare ka qenë pozitive për një shoqëri thellësisht të traumatizuar që kaloi nga diktatura e Enver Hoxhës në një tranzicion brutal drejt ekonomisë së tregut, me një shoqëri sot të minuar nga emigracioni masiv i të rinjve. Megjithatë, ky model zhvillimi ka rënë në anarki. Bregdeti është betonizuar me nxitim, shpesh pa leje ndërtimi dhe pa studime të ndikimit në mjedis. Janë krijuar zona turistike të mbyllura, krejtësisht të paarritshme për vetë shqiptarët, qoftë sepse janë privatizuar, qoftë sepse janë jashtëzakonisht të shtrenjta.

Ky projekt në Shqipëri ngjan me një tjetër projekt për një kompleks luksoz të udhëhequr nga Jared Kushner në Beograd të Serbisë, i cili gjithashtu ka ngjallur protesta të ashpra. Pse ekziston ky interes i madh për Ballkanin vitet e fundit?

Ata gjejnë atje hapësira thjesht “transaksionale” dhe një mjedis ku interesat ekonomike private dhe pushteti politik gërshetohen pa pasur kundërpesha të vërteta, as nga drejtësia , as nga opozita apo nga mediat sepse pushteti në fuqi kontrollon thuajse gjithshka. Ballkani ofron hapësira të mëdha natyrore ende të egra, me çmime të tokës dhe kosto të fuqisë punëtore shumë të ulëta.
Familja Trump tentoi të njëjtën gjë në Beograd, duke kërkuar të shndërronte ish-Shtabin e Përgjithshëm të ushtrisë të bombarduar nga NATO në vitin 1999 – një vend me ngarkesë të fortë emocionale për serbët – në një hotel luksoz. Ky projekt sot është i bllokuar, por ai ilustron mungesën totale të ndonjë filtri moral kur bëhet fjalë për të bërë biznes, si dhe ndërthurjen e plotë mes funksioneve diplomatike të Jared Kushner dhe interesave të tij private.

A është ky projekt simptomë e një shkarjeje që po ndodh dhe gjetiu në Ballkan?

Absolutisht, kjo nuk është një specifikë vetëm shqiptare. Në Kosovë, Serbi, Bosnjë apo Maqedoninë e Veriut, përqendrimi i pushtetit ka pësuar rritje eksponenciale gjatë pesëmbëdhjetë viteve të fundit, ndërsa treguesit e demokracisë dhe lirisë së shtypit kanë rënë. Për dhjetë vjet, procesi i zgjerimit evropian mbeti i ngrirë, duke u dhënë mundësi liderëve si Edi Rama të grumbullojnë një pushtet të pamasë pa asnjë kontroll të jashtëm.

Sa i përket Shteteve të Bashkuara, marrëdhënia e tyre me rajonin tashmë është thjesht transaksionale: motivet që lidhen me demokratizimin janë fshirë, ndërsa sjelljet autoritare tolerohen për sa kohë që ato lejojnë ruajtjen e lidhjeve ekskluzive të biznesit. Ironia më e madhe është se prokuroria antikorrupsion (SPAK) që u desh të ndërhynte në këtë çështje, u krijua dhe u financua fillimisht pikërisht nga Uashingtoni dhe Brukseli.

A mund ta detyrojë ky mobilizim Edi Ramën të tërhiqet?

Lëshimet që ai mund të bëjë janë të mundshme, por Edi Rama ka investuar një kapital politik tepër të madh për t’u tërhequr vërtet pas. Protestat janë domethënëse, por për momentin nuk kanë një volum kritik të mjaftueshëm për të kërcënuar qeverinë e tij të bjerë. Nga ana tjetër, ato nuk mund të përvetësohen nga asnjë parti opozitare. Ky është i njëjti problem si në Serbi: një mobilizim i madh popullor, por me një vështirësi të madhe për t’u përkthyer në një forcë politike të aftë për të rivalizuar pushtetin në fuqi. Kjo krizë nxjerr në dritë përçarjen totale që ekziston në Ballkan mes klasës politike dhe shoqërisë civile, si dhe paaftësinë e kësaj të fundit për t’u strukturuar në mbrojtje të interesit të përgjithshëm.

Intervista- Zeka: Gazi nga SHBA-ja, vendimtar për sigurinë kombëtare të Kosovës

Arian Zeka, drejtor ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane.

 

Nadije Ahmeti

Në kohën kur Shtetet e Bashkuara po rrisin praninë e tyre energjetike në Ballkanin Perëndimor, në Kosovë është rikthyer debati për furnizimin me gaz të lëngshëm natyror nga SHBA-ja.

Diskutimi vjen mes përpjekjeve të Uashingtonit për t’i diversifikuar burimet energjetike në rajon dhe nevojës së Kosovës për të siguruar stabilitet afatgjatë në sektorin e energjisë.

Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë ka prezantuar tashmë një dokument, i cili trajton çështjen e gazit të lëngshëm natyror nga SHBA-ja në Evropë dhe potencialin e tij për Kosovën.

Drejtori ekzekutiv i kësaj ode, Arian Zeka, vlerëson në një intervistë për Radion Evropa e Lirë se gazi amerikan mund të luajë rol kyç në forcimin e sigurisë energjetike të Kosovës, duke theksuar se siguria energjetike sot është e barasvlershme me sigurinë kombëtare.

*Intervistën e plotë me zotin Zeka mund ta shikoni në videon më poshtë:

Në kontekstin e zhvillimeve globale, përfshirë konfliktet, çrregullimet në zinxhirët e furnizimit dhe luhatjet e çmimeve, ai thotë se është e domosdoshme që Kosova t’i kthehet seriozisht çështjes së gazit.

Një alternativë e tillë, sipas tij, do ta ndihmonte vendin të ulë varësinë nga importi i energjisë elektrike dhe të sigurojë stabilitet më të madh në çmimet e rrymës.

Por, Zeka e konsideron shqetësuese mungesën e një qëndrimi të qartë institucional për përfshirjen e Kosovës në rrjetet rajonale të gazit.

“Gjithçka varet nga vullneti politik. Ndoshta jemi pak mbrapa në aspektin e legjislacionit ose të infrastrukturës ligjore. Financimi mund të sigurohet lehtë për këtë projekt. Prandaj, mungesa e qartë e një zotimi të Qeverisë, se Kosova do të bëhet pjesë e një infrastrukture të tillë, është pak paradoksale”, thotë Zeka.

Ai thekson se nga investitorët amerikanë ka interes dhe gatishmëri konkrete për të investuar në sektorin energjetik në Kosovë.

Ambasada amerikane në Prishtinë, përmes një postimi në Facebook më 28 maj, theksoi se “Shtetet e Bashkuara janë të gatshme për të bashkëpunuar me Kosovën në avancimin e zgjidhjeve energjetike të sigurta dhe të diversifikuara, si dhe për të tërhequr investime të ardhshme”.

Në vitin 2021, Kosova hoqi dorë nga projekti për ndërtimin e infrastrukturës së gazit, i financuar nga Korporata e Sfidave të Mijëvjeçarit e SHBA-së.

Atëkohë, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, tha se “nevojiten më shumë informacione për të qenë të sigurt se ndërtimi i infrastrukturës së gazit është opsioni më i mirë për tranzicionin energjetik”.

Por, në Samitin Trans-Atlantik për Sigurinë e Gazit, të mbajtur në shkurt në Uashington, Rizvanolli, tani ministre në detyrë, shprehu gatishmërinë e Kosovës për t’u furnizuar me gaz natyror nga SHBA-ja, duke e cilësuar këtë bashkëpunim si vendimtar për ndërtimin e një sektori të sigurt energjetik.

Në fillim të këtij muaji, Radio Evropa e Lirë i është drejtuar Ministrisë së Ekonomisë me pyetje lidhur me planet konkrete për lidhjen me rrjetin rajonal të gazit, ndërtimin e infrastrukturës përkatëse dhe bisedimet me palën amerikane, por nuk ka marrë përgjigje.

Gjatë javëve të fundit, SHBA-ja dhe kompani amerikane kanë nënshkruar marrëveshje miliardëshe me disa vende të Ballkanit Perëndimor për projekte energjetike në rajon.

Kosova, megjithatë, ka mbetur jashtë kësaj vale investimesh.

I dërguari i posaçëm i Departamentit amerikan të Energjisë, Joshua Volz, ka thënë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë se sistemi energjetik i Kosovës ka nevojë urgjente për modernizim – çfarë krijon mundësi të mëdha për industrinë amerikane që të investojë.

Megjithatë, ai ka theksuar se projektet e mëdha do të varen nga vetë Kosova, përkatësisht përmirësimi i mjedisit biznesor dhe rregullator në vend.

Intervistë e fundit me aktorin, “Mjeshtrin e Madh”, Birçe Hasko: Ky vënd është krimbur dhe nuk ka zot që e ç’krimb. Por kam mendimin se të gjithë ata që po e vjedhin këtë vend i hapin varrin e parakohshëm vetes së tyre-Nga Bashkim Koçi

Birçe Hasko:  E kam bërë notin në det me dallgë të trazuara, por në breg  dola ashtu si desha

Nga Bashkim Koçi

Gazeta Destinacioni

Birçe Hasko, i  lindur në Dukat të Vlorës në 15 mars 1942, është aktor i njohur shqiptar. Mbas mbarimit të shkollës “Jani Minga” të Vlorës punoi si mësues në Memaliaj, ku  angazhohet me trupën e Estradës amatore të qytetit. Në vitin 1965 fillon studimet për aktor në Institutin e Lartë të Arteve (sot Akademia e Arteve). Mbas diplomimit Birçe Hasko mbahet pedagog pranë këtij Instituti, ku për disa dekada ka dhënë lëndën e Mjeshtërisë së Aktorit. Në teatër ka interpretuar mbi 12 role. Roli i tij më i realizuar është ai i Milos në komedinë “Shi në plazh”, shkruar nga Teodor Laço. Një kontribut të çmuar ka dhënë  në kinematografinë shqiptare, ku ka interpretuar me dhjetëra role. Roli i tij i parë në kinematografi është në vitin 1971, ai i Sulo Ballistit në filmin “Kur zbardhi një ditë”. Më tej do të vazhdonin rolet e tij në shumë filma si ai i Mete Aliut tek filmi “Radiostacioni” në vitin 1979, roli i Syrjait në filmin “Skëterrë 43”, në vitin 1980, roli i mesuesit në filmin “Gurët e shtëpisë sime” në vitin 1985 si dhe shumë role në filma të tjerë për të mbërritur në rolin e tij më të fundit në filmin “Kronikë provinciale”. Në vitin 1995 mori  titullin Profesor. Eshtë  dekoruar me urdhrin “Naim Frashëri” të  Klasi të  Dytë. Në vitin 1988 Birçe Haskos iu dha titulli “Artist i Merituar”. Bashkia e Orikumit e ka shpallur “Qytetar Nderi”. Ai gëzon edhe titullin “Mjeshtër i Madh”.

-Një  pyetje disi “patriakale”,  Birçe.  Familja juaj, Haskot, ini të gjthë të  kënduar, të arsimuar.  Trashëgimi, genet, apo…?

-Jo, jo. Janë ca nga të gjitha. Ne kemi qënë 8 fëmijë, 6 vëllezër e dy motra. Shtatë nga këta morën  arsim të lartë. Vetëm një motër mbeti me arsim të mesëm..Të tërë kemi qënë me nivel të lartë në mësime. E di pse? Sepse  babai ynë, ndjesë pastë, ishte shumë arsimdashës. Ishim të varfër, nga më të pikurit në Dukat. I thoshte fshati babait: dërgoji djemtë tek filani për të ruajtur bagëtitë. Ishte fjala për të nxjerrë bukën e gojës. Ai kurrë nuk e bëri këtë.  Mesaduket  kishte vendosur të zhdukte injorancën në familje.
Eshtë disi e pabesueshme, por unë do ta tregoj. Kishim disa prona në Llogara, pyje e krysisht kullota. Atje në stan, ku edhe flinte, babait i kish dalë   Fan Nolin në endërr. I paskësh thënë: Ju Haskot do të përparoni, do të bëheni njerëz të kënduar, do shkolloheni.

-E vërtetë?

-Po, po, kjo është shumë e vërtetë. Babai ishte arsimdashës i thekur, por ajo ëndrra me Fan Nolin ia përforcoi  dëshirën që të na dërgonte nëpër  shkolla. Ai nuk të falte, ishte nopran i madh. Edhe 50 vjeç apo më shumë, njeriu duhet të mësojë, mbaj mend të na thoshte. Ka qënë vetëm ai  që na nxiti për të vazhduar shkollat. Nuk të falte për këtë. Kunatën, Shanen, edhe pse ishte me fëmijë, e detyroi të mbaronte Institutin Pedagogjik të Shkodrës. Ajo në fillim nguroi, nxori njëmijë e një yçkla, por ai një ditë iu hakërrye  e i tha: Mos të të dëgjoj më nga këto që më thua, do të vesh në institute që çke me të! Ka qënë i çuditshëm babai ynë.

-E veçanta tek ju Haskot është se, që të gjithë,  kini mbaruar arsimin e lartë.

-Është e vërtetë. Për mësimet të gjithë jemi përgjigjur vetë. Që të gjithë, pa përjashtim. Vëllai i madh,  Birbili, mbaroi për inxhinjer elektromekanik  në Ҫekosllavaki. E mbaroi shkëlqyshëm, mori medalje të artë. Skënderi, vëllai tjetër, mbaroi për gazetari. Edhe ai shkëlqeu në mësime e në punë. Edhe ju e dini që mbeti një ndër shkrimtarët më të mirë për fëmijë. Jo se e kam vëlla, por Skënderi  ka lënë një emër të mirë si krijues, si shkrimtar dhe publicist. Edhe vëllai i tretë, Halili, mbari pët inxhinir mekanik. Ishte i talentuar si inxhinier, por ai u mor më shumë me politikë. Ka punuar në Berat, Fier, Vlorë, etj.  Ka qënë edhe deputet në Kuvendin Popullor. Nga ne vëllezrit Halili mbetet si më i drejti, njeri që lutoi e lufton për ideale të pastra.

-Po ti Birçe? Thonë që  ke qënë me fat, të ka ndjekur e mira.   

– Le të thotë njerëzia çtë dojë, por e vërtëta është që në jetën timë, në karierën si artist ka vepruar  shumë faktorë, ku do të veçoja rastësinë. Por  dua të ndalem  tek vështirësitë ekonomike. Unë, vëllezrit dhe motrat,  shkollën e kemi kryer në kushte tmerrësisht të rënda. Në varfëri ekstreme. Ne  kemi qënë një familje e rënë nga vakti. Kishim patur pasuri, mall e gjë, por nuk kemi bërë prokopi. Babai, mbaj mend, punonte në xhade, shpërndante çakull për mirëmbajtjen e rrugve, punë botore quheshin atëherë, mesa më kujtohet mua. Na vinte keq kur e shikonim me duar të gjakosura. Ai tërë jetën kishte punuar si çoban dhe nuk ja dinte rradhën punës, pra nuk dinte si ta përdorte lopatën që shperndante çakullin. Shpesh e dëgjonim kur mallkonte veten. Këtë e bënte nën zë, që të mos e kuptonim ne fëmijët. Megjithatë ne e kptonin, i fliste fytyra, i flisnin sytë. Do ti që një ditë i doli një punë të cilën ai e preferonte!?  Iu ngarkua detyra e shitësit. Në fillim si shitës ambulant. Mallrat i ngarkonte në mushkë. Pra mushka shërbente si një “dyqan shëtitës”. Shiste kripë, basmara, krëhëra për femra, opinga e plot gjëra të kohës. Më pas u bë shitës prej vërteti, i ngulur, me dyqan. Një vit qëndroi në Tragjas e pastaj u vendos në Radhimë  ku u vendosëm  me gjithë familjen.

-Na thuaj diçka nga vetja, nga vështirësitë për shkollimin tënd.

– Po tregoj. Dy vjet të shkollës fillore e kreva në Dukat. Mbaj mend edhe shokët e klasës. Kam patur  Hasan Halilin,  Ago Nezhën, Siri Allushin dhe Vexhi Nelon. Vexhinë e lash të fundit, por ai ishte i pari në mësime. Ishim në një bankë. Ai pati fatin e keq sepse nuk mundi të vazhdonte shkollën e lartë për arsye të biografisë.
Në shkurt të vitit 1951 u shpërgulëm përfundimisht në Radhimë. Nuk mund ta linim babanë vetëm. Aty rrinim në shtëpi me qera. Kemi bredhur të gjithë fshatin. Aty mbarova shkollën fillore.
Shtatveçare nuk kishte Radhima, ishte në Tragjas. Të gjithë ne fëmijët, të tetë,  shtatvjeçaren e kemi kryer në Tragjas. Shkolla ishte larg, shumë larg, 12 kilometra vajtje-ardhje. Na duhej të bënim  më shumë se tre orë udhëtim në ditë. Ngriheshim çdo mëngjes në orën 5 në mënyrë që në orën 6 të mërrnim rrugën për në shkollë. Mbaj mend që ne nxënësit e Radhimës vinim 5-10 minuta më përpara se të tjerët, madje edhe ata që i kishin shtëpitë aty tek dera e shkollës. E mbarova  shkollën shkëlqyeshëm, me të gjitha pesa.
Pastaj më doli e drejta e studimit për mësues, në shkollën “Jani Minga” të Vlorës. Sigurisht me bursë nga shteti sepse ne ishim familje e varfër, nuk mund ta përballonim dot pagesën. E kam mbaruar pedagogjiken me nota të larta, shumë të mira në të gjitha lëndët.

-Mban mend ndonjë detaj nga shkolla e mesme?

-Mbaj, si jo. Po tregoj diçka që nuk më ikën nga mendja edhe tani. Në klasë ishim 52 nxënës. Unë përgatitesha përditë, por për  më shumë se një muaj nuk po më vinte radha që të ngriheshha në mësim. Mua më kish qëlluar që banka të ish afër dritares, e cila e kishte shikimin nga godina e Teatrit.  Një ditë fillova të qaja. Isha i vogël, vetëm 14 vjeç dhe nuk kasha ikur ndonjëherë nga shtëpia. Më kishte marrë malli sidomos për nënën. Më pa mësuesja e matematikës, Bubulina Arapi, e motra e Fatos Arapit. Pa ngriu ti atje, tha, dhe drejtoi gishtin nga unë. Me sy të përlotur vajta tek dërrasa e zëzë. Shkruaj, më tha, dhe po më jepte ca ushtrime për t’i zgjidhur. Nuk ka nevojë, ia ktheva, i them pa shkruar, i them me gojë. Uaaa, ia bëri e habitur mësuese Bubulina! Nga vjen ti?, më pyeti. Nga Tragjasi,  mësuese. Cilin  mësues ta ka dhënë matematikën?   Shezai Radhima, iu përgjegja. Ajo e dinte, ia kish dëgjuar namin mësues Shezaiut. Më dha dy problema dhe unë fap-fap i zgjidha. Që atë ditë mua më doli nami si nxënës i mirë. Mësuese Bubulina kishte folur për mua në katedër  dhe nga ajo ditë mua më zhdëpën me nota shumë të mira, në të gjitha lëndët.

-Më në fund dole mësues.

– Dola vërtet, po ku më degdisën thuaj!  Më erdhi emërimi për në Tepelenë. Emërimi më erdhi me zarf, në shtëpi. Në Tepelenë vajta nga zori, shumë i dëshpëruar. Të them të drejtën, nuk e prisja. Medova se do të më mbanin në Vlorë meqë kasha mbaruar me nota shumë të mira.

-E pastaj?

-Pastaj  vajta në Tepelenë, çtë bëja.  Dyqind mësues kishte atëhere i gjithë rrethi i Tepelenës. Shef arsimi ishte një Nase  Guga nga Gjirokastra. Ishte burrë shumë i mirë, i shkëlqyer. Na mblodhën për të na caktuar shkollën ku do të punonim si mësues. Në debat e sipër dëgjova që do të më caktonin në një fshat ku do jepja mësim në katër klasa kolektive. U çudita. Si ishte e mundur të punoja njëherësh me katër klasa? Mora guximin dhe iu drejtova atij që bëri komunikimin, sekretarit të Komitetit Ekzekutiv: Ne, i thashë, kemi bërë praktikë me dy klasa kolektive, me katër më duket e pamundur, sot po e dëgjoj për herë të parë. Ҫ’bëri ai? Për të më trembur dha urdhër: Këtij djalit, tha, do ti shkoni çdo javë për kontroll! Po unë isha më kok mushkë  se ai. Për kontroll dua që të më vish ti, por kam frikë se, po erdhe, do të grisen opingat. Ai i ra tavolinës në atë mënyrë sa u prish edhe mbledhja. Kot që e bëra edhe unë kërkesën.  E kush më pyeste mua.

-E zbatove urdhërin, vendimin e seksionit të arsimit?

– Me një këmbë. Shkova aty ku më caktuan. Ishte  një fshat i thellë, shumë larg, në Amarikaj. Binte mbi Qesarat. Sapo vajta, e di si u thash disa fshatrëve që losnin domino aty afër shkollës?  E dini ju çdo të thotë Amarikaj? Jo, thanë ata, dhe ngritën supet. Ja u thot mësuesi juve. Amarikaj do të thotë “aman se ika”.  Qeshën ata, qesha edhe unë. Atje u ambjentova, kalova shumë mirë. U jam mirënjohës edhe sot, që kanë kaluar më shumë se një gjysmë shekulli. Respektin e kishim reciprok, anë për ata dhe ata për mua.

-Po kontrolli, porosia që dha sekretari i Komitetit Ekzekutv, u bë si tha ai?

-Jo, jo, asnjëherë. E kush mund të ngjitej deri në Amarikaj. Vetëm në fund të vitit më vijnë për inspektim nga seksioni i arsimit. Odise Zhupa e kish emrin inspektori, i ati i poetit Ilirian Zhupa. Ishte burrë shumë i mirë, por edhe metodist i shkëlqyer. Ishte mjeshtër, tepër korrekt. Këtu në karrigen tënde do të rri unë, më tha, pasi u përshëndet me nxënësit. Ti qëndro atje, në fund të klasës.  Ashtu bëra. Ai i mori të gjithë nxënësit në provim, me shkrim e me gojë, nga klasa e parë deri tek e katërta. Qëndroi aty, me mua, plot një javë. Në fund më falnderoi. Ke bërë punë të shumë të mirë, më tha.  I mori të gjitha fletët e provimit me vete.  Kishin mbetur edhe tri ditë që të mbyllej viti shkollor.  Më duhej të qëndroja aty  por inspektori  ato tri ditë mi dha pushim, si shpërblim për punën e mirë. Kështu  mu desh ta mbyllja shkollën dhe të shkoja bashkë me inspektorin  në Tepelenë.

-Vitin tjetër, sigurisht, të duhej të vije përsëri në Amarikaj.

– Jo, nuk qe e thënë. Vitin tjetër më emërunan në Nivicë, mësues të shkollës 7-vjeçare.  Aty jepja matematikë dhe rusisht. Drejtor kam patur Daut Gumënin. Mbaj mend që na erdhi për ispektim Xhevdet Pataj. Ka qëndruar aty të gjithë javën. I kontrolloi të gjithë me radhë. Diku, aty nga fundi inspektimit, përpara se të jepte konkluzionet, më ftoi për kafe Xhevdeti. Unë prisja të më thoshte ndonjë vrejtje rreth kontrollit, por ai më tha: “Ty Birçe do të transferojmë në Memaliaj”.  Unë kujtova se po bënte shaka. Ai e kuptoi që unë e mora për të tillë, pra shaka, mu drejtua prap: E kam seriozisht Birçe, nuk është çështje  shakaje kjo punë more djalë. Një gjë po të porosis, më tha në kifidencë Xhebdeti: mos u thuaj gjë shokëve!

-Të duhej të prsje vendimin zyrtar. 

-Fiks pas një jave erdhi zarfi. Ishte vendimi për transferimin tim në shkollën e mesme të qytetit të Memaliajt. Në zarf ishin edhe  tre mijë lëkë. Tre mijë lekë ishin shumë, gati sa gjysma e rrogës së një muaji. Në Memaliaj e mbylla atë vit, por qëndrova edhe vitin tjetër si mësues gjimnazi. Aty kam kaluar mirë. Nga klasa e parë deri tek e fundit ishin një mijë e njëqind nxënës. Mos kujton se është ai qytet i Memaliaj që është sot? Jo or jo! Memaliaj ishte qytet minatorësh, qytet me shumë gjallëri. Mbaj mend që ne arsimtarët, që nuk ishim vendas, trajtoheshim njesoj si të ishim minatorë, me një kompesim prej 25 për qind për ushqimet që merrnin.

-Aty fillove të punoje edhe si “artist”, të merreshe me veprimtari  kulturore

-Unë, sapo vajta, angazhohesha me estradën amotore të qytetit. Kujtoj që sa dilja në skenë për të luajtur numrin e rradhës, spektatorët më prisnin me duartrokitje.  Bënim katër priemiera në vit. Investimet i bënte shteti. Sigurisht, kjo bëhej për minatorët. Aty mori udhë jeta ime që më pas do të shkollohesha për aktor.

-E si ndodhi, ç’qe ky fat dhe nga të erdhi?

– Edhe tani kur e kujtoj ia bëj këtë pyetje vetes. Vjen një ditë z/ministry i energjitikës. Pupo Shyti e kish emrin. Ai nuk kishte ku ta kalonte mbasditen dhe me disa drejtues  të minierës vjen në çfaqjen tonë. Në fund të çfaqjes më thonë se më kërkonte i deleguari që kish ardhur nga Tirana, pra z/ministri. Vete. Pash që mbante një komposto në dorë. Ishte komposto kumbulle. Merre, më tha, më ke kënaqur, qënke artist i vërtetë. E mora komposton. E di çke ti, më tha, ti do të shkosh në shkollë për aktor.  Unë nuk kasha haber fare nëse ekzistonte ndonjë shkollë për aktor. E degjoja për herë të parë. Aty mora vesh që kjo shkollë ishte hapur qysh në vitin 1959. Viti që e mora vesh unë, ishte 1962.  Unë ngurova, por ai insistoi: Do të shkosh patjetër, dëgjomë mua. I thashë një “faleminderit” dhe ika, nuk ia vara fare kësaj pune.  Do ti që ai erdhi prapë pas një muaji! Erdhi edhe në çfaqjen e rradhës. Pas çfaqjes më thirri ta takoja. Vajta. Tani, më tha, dua prej teje një dopjo raki. Në vend, i thashë,  dhe porosita të vinte dopjua e rakisë. Hë, vazhdoi  z/ ministri, si vendose për atë që të kam thënë. Po lëre, i thashë, ta harrojmë këtë muhabet. O njeri, insistoi ai, pse nuk do, çdo të humbasësh ti nga kjo punë? Unë jam artdashës, nuk kam lënë film apo teatër pa parë me tët vëlla në Ҫekosllavaki. Aty mora vesh që ai na qënkësh edhe shok i tim vëllai, Birbilit. Mora pak siguri. Epo hajde, jepe llafin o Birçe, thashë me vete. Ashtu bëra. Vajta në Tiranë, konkurova. Më thanë që kasha fituar. Nuk ma merrte mendja kurrë, nuk e mora për të vëtetë.  U ktheva në Vlorë unë i ziu.

-Fati të erdhi në dorë, të duhej që të shkoje në Institutin e Arteve  në Tiranë

– Jo. Konkurimi që bëra unë nuk ishte i planifikuar nga rrethi. Kur erdha në shtëpi  mora vesh që më kishin caktuar drejtor shkolle në Poro. Pra në Vlorë nuk e dinte kush që unë kasha konkuruar për aktor dhe që kasha fituar. Ua thashë  këtë, por nuk më besonte njeri. Vajti puna deri tek sekretari i parë. Sekretar i parë për Vlorën ishte Mihallaq Gjinikasi, një  burrë i shkëlqyer, shumë i drejtë. Më dha një kafe. Tani, më tha, u bëre i madh, të kemi bërë drejtor. Unë rezistova, por ai ma preu shkurt: O drejtor në Poro, o shko në shtëpi, në Radhimë. Zgjidh e merr. Nuk kisha nga t’ja mbaja. Dola tek Sheshi Flamurit për të gjetur ndonjë makinë për në Poro. Ҫudi! Përpara  më doli një makinë “zis”, e cila na paskësh qënë  makina e kooperativës së Poros.

-U paraqite në shkollë?

-Vajta, posi jo. E gjeta edhe shkollën. Të shtata klasat ishin mbushur me grurë. Kërkova kryetarin e kooperativës. Sotir Bojalliu e kishte emrin. I thashë: këto klasat duhet të boshatisen sot, të dizinfektohen, të vendosen bankat dhe shkolla nesër të jetë gati për mësim. Hapi sytë kryetari. Ҫ’është ky ultimatum, ku bëhet kjo punë për 24 orë? Nuk di gjë, i thashë, kjo është puna jote. Unë jam drejtori i ri i shkollës dhe  përgjigjem vetëm për shkollën.
Ai për tërë natën futi në punë qerret e kooperativës. Kur dola të nesërmen në mëngjes, si aga, pashë që të gjitha klasat ishin boshatisur. Në një moment mu afrua një person. Ishte agronomi, i cili më “raportoi” që shkolla ishte gati, e dizinfektuar, me banka të sistemuara, e lyer me gërqere dhe çdo gjë që duhej. E falnderova.
Po atë mëngjes mblodha të gjithë arsimtarët. Nuk njihja asnjë prej tyre, por fakti që u paraqitën të gjithë, tregonte se e kishin marrë detyrën seriozishtë. Erdhën edhe nxënësit. Shkolla gumzhiu nga zërat e fëmijve,  gjë që më bëri ta harroja hallin tim.
-Më në fund u harrua pasioni për të vazhduar shkollën për aktor.

– Jo ore, ku më linte “miza”  mua. Vajta përsëri për të konkuruar për aktor. Konkurova dhe përsëri fitova. Më thonë ata të komisionit: ore përse konkuron ti Birçe, të lënë apo nuk të lënë të fillosh akademinë ata të Vlorës? Jo, jo, këtë vit do të më japin lejë se s’bën, nuk kanë çtë bëjnë, ua ktheva përgjigjen.
Për dreq  shokët më propozuan  për të vajtur tek stadiumi  “Qemal Stafa’. Shkuam për tu argëtuar pak, të kalonim disa orë duke luajtur futboll. Kur mbaruam lojën, thashë me vete: more, përse të mos shikoj,  se ndoshta kanë dalë listat për të drejtat e studimit. Kur vajta tek Teatri, sepse aty afishoheshi listat, ç’të shihja? Birçe Haskos i kish dalë e drejta për të vazhduar Institutin e Arteve. Fluturova nga gëzimi. Kur vajta në shtëpi, në Radhimë, mora vesh se aty kishte mbritur edhe telegrami që më njftonte për tu paraqitur  pranë shkollës së lartë “Aleksandër Mojsiu” që të rregjistrohesha për të filluar shkollën për aktor. Aty qëndrova vetëm një vit sepse në 1966 u kriuja Instituti i Latë i Arteve ku u bashkuan Artet Figurative, Arti Skenik, Muzika dhe Kultura.
-Kur, në cilin vit u diplomua për aktor Birçe Hasko?-U diplomova në vitin 1969. Diplomën ma ka dhënë ish Ministri i Arsimit, Thoma Deljana. Atëhere kishte një vendim të posaçëm, i cili diktonte që 5 përqind e studentve që kishin mbaruar shkëlqyshëm, mbaheshin në Institut si pedagogë. Tek ky 5-përqindësh hyra edhe unë.  Mirpo Vlora insistoi të më merrte si regjizor të estradës, por ministri, Thoma Deljana, i vuri vulën kësaj pune. I jam mirënjohës!

-Sa është e rëndësishme shkolla për ju sepse kam dëgjuar  të thuhet në shkollë mëson dhe pastaj testohesh, në jetë testohesh dhe pastaj mëson

-Shkolla, sipas meje,  është e rëndësishme, por  nuk është ajo që të mund të shkëlqesh në jëtë. Shkolla të jep një çelës kopil, pastaj varet nga ty nëse je i zoti të hapësh derën e suksesit. Kërkesa që ka jeta me ato që bën në shkollë janë ku e ku larg. Ka njërëz që nuk shkëlqejnë në shkollë, por bëhen të tillë në jetë, bëhen të zotët e vetes për të ngjitur maja. Sepse ka nga ata që e përfundojnë shkëlqyshëm shkollën, por kur dalin në jetë as dinë të marrin e as dinë të japinn. Mbeten shkollareskë.

Mund ta konkretizoni këtë,  mbasi ju kini ushtruar detyrën e profesorit plot 43 vjet në Akademinë  e Arteve

-Unë, në radhë të parë,  me studentët kam qënë edhe prind edhe pedagog. Punën e kam bërë me ndershmëri maksimale. Kur shkoj në ndonjë rreth vijnë e më takojnë, më përqafojnë, më janë mirënjohës.  Unë si mësimdhënës kam qënë nopran, kam qënë shumë kërkues. Madje studentët dëgjoja që thoshnin “ky të fik derën, ky të merr shpirtin”. Kur dilnin në jetë thoshnin tjetër gjë: ke patur të drejtë professor. Sepse jeta, profesioni që merr, nuk është e lehtë ta përballosh. Ajo të rrëzon, të jep grushte, të gjakos, të ngre përsëri, prapë të goget me grusht, e ti prapë ngrihesh. Ja, kështu është ndërtuar jeta.
Pastaj njeriu duhet të jetë modest. Anglezët kanë një thenie të shkëlqyer: njeriu shet mend aq sa i mungojnë. Mjerë ai njeri që stërmundohet për t’u treguar i madh, i ditur. Akademia e Arteve  që nga viti 1963, kursi i parë, kur ka mbaruar Marjo Ashiku, Edi Lualasi, Bexhet Nelku etj. ka patur pedagogë me përvojë të madhe. Atëhere shkolla kishte ndershmërinë që në pranimin e studentit për të vijuar studimet. Kjo ka të bëjë shumë. Arti nuk pyet se ti na qënkërke i biri apo e bija e kryeministrit, e deputetit, e beznesmenit apo kudiçfarë.  Sepse do të dalësh në skenë dhe aty nuk të fal kush, apsolutisht. Publiku vjen aty për t’u argëtuar, jo të shikojë surratin tim. Këtë, nëse  nuk e bën dot, ik, shko aty ku të takon. Sepse artisti duhet të sakrifikojë për publikun. Mbaj mend  nga diçka  përvoja ime.  Në vitin 1979 më vdiq babai. Kam vajtur në Dukat, varrosa babanë dhe në dark u ktheva në Tiranë sepse kisha çfaqje. Qaja prapa kuintave e pastaj dola në skenë. Ku e di publiku se ç’hall ka aktori. Nuk i hyn në punë fare.  Po ta them, kjo më ka ndodhur mua.
-Po roli i pedagogut, sipas jush, sa ndikon tek studenti?

– Unë, brezi im, ka patur pedagog  Drita Agollin, Pandi Stillu,  Miho Gjinin, etj. Ishin talente të lindur. Edhe pas kaq vitesh, në këtë moshë që jam sot, më duket vetja, ashtu i vogë, student nga të cilët mësova shumë. lu jam mirënjohës.
Pedagugu, nëse nuk ka krijmtari, kot që rri aty. Kjo është apsolutisht e domosdoshme për atë pedagog që jep lëndë profesionale. Unë, besoj, se e kam kryer mirë këtë, pra të punës si pedagog dhe atë të artistit. Po e konkretizoj këtë. Në maj të vitit 1990 vajtëm në  Gjermani  për një binjakëzim me një fakultet të arteve. I bëra një pyetje Rektorit. More, si ia bëni ju këtu për të larguar të paaftit? S’po të kuptoj zoti Hasko, dhe më pa drejt e në sy. Po ja, i thashë, me ata që janë të paaftë, që nuk dinë të japin mësim, si i largoni nga fakulteti si të tillë. Shumë e thjeshtë, mu përgjigj. Ata ikin vetë. Kur ai nuk di të spiegojë, të demostrojë apo diçka tjetër që ka lidhje me mësimin, nuk i venë studentët në mësim, i mbetet salla bosh. Një herë, dy herë, të tretën pedagugu  ikën vetë nga kjo sallë mësimdhënie.
Nuk ka teorira në artin skenik. Sigurisht, teori ka, por sipas meje është dytësore. Nga vetë fjala aktor duhet ta kuptojmë këtë. Aktor do të thotë akt, dmth, bëje, vepro, hidhu. Nëse nuk je i zoti, çdo këtu, mbathja me vrap. I paafti në  rolin që kërkon ta bëjë, djersin, vjen vërdallë, torturohet, ndërsa i talentuari e bën normalisht, nuk ndjen asnjë sforco. Mund të bëhesh kryeministër, mund të zësh kolltukun e presidentit, por aktor nuk mund të bëhesh dot nëse nuk ke talent. Pastaj ky talent do punë, punë dhe prap punë.

-Ka ndonjë sekret këtu, professor Hasko?

– Ka, si ska. Arti ka dy sekrete, spiegimin dhe demonstrimin. Nëse studenti nuk të kupton kur ti spiegon, vjen demonstrimi. Nëse nuk kupton edhe demonstrimin atëhere ai duhet të ikë, nuk është i aftë për këtë punë. Unë kam qënë i prerë që në momentin që bëhej konkurimi. Kam një rast që nuk mund ta harroj. Kur erdhi Xhevdet Ferri për të konkuruar dikush nga komiteti i partisë më porositi që të mos e fusja për konkurim. Për çështje biografie. I di si ia ktheva?  Unë, i thashë, nuk punoj në komitetin e partisë, unë punoj në Institutin e Arteve. Një rast si ky më ka ndodhur me një konkurues nga Pogradeci të cilit nuk ia mbaj mend emrin. Kishte nga ta që përuleshin, por unë nuk kam pyetur dhe nuk i kam marrë në konsideraatë “porosi” që bënin me spërkla balte profesionin si artist.
Unë kam patur  një dashuri të veçantë për mësimdhënien. E di pse?  Sepse unë erdha tek artet nga të qënit mësues. Kjo gjë më ka ndihmuar shumë. Pamvarsisht se arrita të bëhesha artist, fillesat e mija, qoftë shkolla, siç ishte pedagogjikja, qoftë të qënit mësues në shkollat fillore e atë të mesme, në shpirt, brënda meje, isha mësuesi. Kjo më ka ndihmuar shumë për të zbatuar si në simbiozë  mësuesin dhe artistin. E di sesi e ka përcaktuar këtë Ҫehovi? Pedagogjia është gruaja ime, ndërsa krijimtaria është dashnorja ime. E bukur, apo jo?

-Sa rëndësi ka për pedagogun krijimtaria si artist?

– Shumë. Pedagogu duhet t’i tregojë studentit krijimtarinë. Me patjetër. Nryshe ai, nën zë, të thotë “kush je ti”. Pastaj nëse luan një rol të caktuar, studenti të vlerëson, t’i rrit vlerat si mësimdhënës.
Më duhet të them se roli si artist është më i vlerësuar se ai i mësimdhënësit. Sepse atë e shikon dhe e shijon një masë shumë më e madhe njerëzish. Një filozof thotë: çdo punë i trembet mjeshtrit të vet. Kjo thënie më pëlqen shumë.

-Profesor Birçja, si ini ndjerë ju për rolet që kini luajtur në teatër apo kinema

– Në të shumtat e rasteve  jam ndjerë mirë. Po sjell një rast. Një mëngjes,  kur po shkoja në Akademi,  më doli përpara një person. Nga dialekti mu duk se ishte tiranas. Më fal, tha, a mund të pimë një kafe bashkë? Faleminderit, i thashë, me shumë dëshirë, por nuk kam kohë sepse po shkoj të jap mësim. Po mirë, tha, a mund të ta them këtu atë që do ta thosha tek kafja? Pa hë, çdo të më thuash? Ti Birçe, tha, je si kripa në gjellë për ata role që luan. Dy fjalë ishin ato të shkreta, por unë u kënaqa shumë. Kam edhe një rast tjetër, por diçka i kundërt me atë të tiranasit. Ishte viti 1971, vit ku sapo ishte çfaqur filmi “Kur zbardhi një ditë” ku unë luaj rolin e Sulo  Ballistit. Aty përpara hotel  “Dajtit”  më ndaloi një person, rreth 25 vjeç. Ju ini Birçe Hasko, tha. Po, ia ktheva. Ti je pedagog, tha, aty tek Instituti i Arteve.  Po, i thashë. E të mbajnë akoma aty ty? Po, i thashë. Po si mund të qëndrosh pedagog  ti more ballist i qelbur!? Më pa me inat dhe iku. Pak a shumë kështu më ndodhi në festivalin e Kanës me filmin “Parrullat”.  Kur po jepnim një konferencë për shtyp më vjen një plak, mbahej në një  bastun. Ishte francez. Mu afrua  shumë afër  dhe diçka më tha në gjuhën fringe. Dukej si i trembur. Ҫfarë më tha, i thashë vajzës time, të cilën e kasha marrë si përkthyese.  Edhe këtu në konferencë për shtyp të kam frikë, këtë të tha, bëri përkthimin vajza. Kjo kishte të bënte me rolin që unë luaja në  filmin “Parrullat”.

-Atëhere ç’është roli për Birçen?

-Roli për mua është si puna e atij zanatçiut. Dikush bën këpucë, dikush qep kostume, një tjetër  ka profesionin e berberit etj. I rëndësishm është fakti që ta luash sa më mirë rolin që të jepet. Tek filmi “Parrullat” unë kam bindje apsolutisht të kundërta me të personazhit që luaj rolin. Kjo nuk do të thotë gjë. E di çmë ngjau kur luajta rolin e Sulo Ballistit tek filmi “Kur zbardhi një ditë”? Shkuam në fshat, në Dukat, me dy vëllezrit e mi. Aty në qëndër të fshatit disa burra nga fshati ishin mbledhur dhe bënin muhabet. U përshëndetëm. Njëri nga ata pyeti: Ore, cili nga ju të tre luan atë rolin e ballistit? Unë e luaj, i thashë. Po mirë o, nuk e gjetët atë ballistin nga një fshat tjetër, në  Dukat  e gjetët ballistin!

-E kini ndjerë veten të vlerësuar  në sistemin e kaluar  Provesor?

– Në atë kohë artistët nuk paguheshin, por moralisht ishin në majë. Populli i kishte idhuj. Tani është futur në mes  leku. Nuk investohet siç investohej atëhere. Mirpo dëgjoj të thonë: Atere shteti investonte për politikë. Mirë, more zotni, investo edhe ti për politikë! Në atë kohë ka patur regjizorë të shkëlqyer, mjeshtra. Dhe kështu do të mbeten. Ҫdo brez ka “të mëdhenjtë” e tij. Problemi është që ky brez,  sa është në gjendje të nxjerrë “të mëdhenj”, ashtu  si ne paraardhësit e tyre. Për mua, si Birçe, duhet kohë që artistët ta marrin veten. Janë bërë përmbysje epokale ndaj edhe punët e mira e duan një kohë të caktuar, nuk bëhen me vrap, o burra tutje. Arti është finesë, është edhe ideologji. Ashtu duhet të jetë edhe politika.

-Të bëjmë pak politikë. Ҫmendim ka professor Birçja për zhvillimet në vend, për këtë tranzicion kaq  të lodhshëm?

-Kam një mendim të hidhur. Ky vënd është krimbur dhe nuk ka zot që e ç’krimb. Por kam mendimin se të gjithë ata që po e vjedhin këtë vend i hapin varrin e parakohshëm vetes së tyre. Unë për veten time jetoj në një apartament dhomë e kuzhinë. Mirë të ka gjetur, më thonë disa shokë, sepse ti je humbameno. Unë nuk fyem, përkundrazi më bëjnë nder kur më thonë “humbameno”. Në kohën time kishim mentalitet krejt tjetër. Edhe pse kam patur detyra partiake që mund të bëja si të më donte kokrra e qejfit, kurrë nuk e bëra këtë. Apsolutisht kurrë.  Edhe një frigorifer nuk ma thosh ndërgjegja ta merrja përpara shokëve. E di kush ma siguroi frigoriferin, meqë ra fjala? Pëllumb Kulla ma solli, nga Fieri. Kurrë nuk iu afrova “të mëdhenjve” për të përfituar.  Unë kisha vëllanë Sekretar të Prarë në disa rrethe të vendit, por asnjëherë nuk i kërkova të më bënte ndere të pamerituara.  Nuk i kam dashur servilët, të përulurit që duan të përfitojnë padrejtësisht. Birçe Hasko ka qëndruar  servil vetëm  para punës. Në aspektin krijues. Në aspektin shpirtëror jam servil ndaj fëmijëve të mi. Sot, miku im, kanë ndryshuar shumë gjërat, janë përmbysur. Sot ka njerëz që po tu thuash kafshë, ofendon kafshën. Megjithatë, për çka shikoj e dëgjoj, jam i aftë vetëm të dëshpërohem, nuk mund të urrej dot. Këtë ia dëshiroj edhe politikës. Ajo, pra politika, duhet të konkurojë për të çuar vendin përpara, aty ku na kanë premtuar.
Megjithatë, si qytetar i thjeshtë i vendit tim e kam një dhimbje. Kam atë që po e trajtojnë Shqipërinë si  vend pa zot. Eshtë e dhimbëshme dhe e frikëshme.  Nga e kaluara  kemi mohuar gjithçka.  Eshtë njësoj sikur të mohosh prindërit. Po mirë, kopilë po na bëni more zotërinj që na mohoni gjithçka të kaluar? Këtë pyetje e bëj unë, nuk e di çmendim kanë të tjerët. E kam fjalën që nuk duhet fluturuar.

-Një fjalë të fundit?

-Unë Birçe Haskua ndjehem  i priviligjuar  që  kam jetuar me ndershmëri. Nuk kam frikë nga kurrëkush.   Unë, “ Artisti i Merituar”,  “ Mjeshtri i Madh”, e plot dekorata të tjera si këto, do të përcillem në atë botë me një  pension shumë të vogël dhe nga një banesë po kaq  të vogël.   Por kënaqësitë shpirtërore ama, i kam deri atje, në majë.

Konjufca: Integrim në tregun evropian po, dhoma pritjeje jo (Intervista)

Ministri i Jashtëm në detyrë i Kosovës, Glauk Konjufca, flet gjatë një diskutimi në forumin e sigurisë GLOBSEC në Pragë, 22 maj.

Valona Tela

Kosova e mirëpret çdo nismë që synon përshpejtimin e integrimit në Bashkimin Evropian, por mbetet skeptike ndaj ideve që mund ta mbajnë atë në një status të ndërmjetëm.

Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, ministri i Jashtëm në detyrë, Glauk Konjufca, thotë se përfshirja në Tregun e Përbashkët Evropian mund të jetë hap përpara, por thekson se nuk ka ende detaje të qarta.

“Ne e mirëpresim çdo plan të ri, i cili e ka për synim integrimin më të shpejtë të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian… Pozicion i Kosovës është që ne nuk mbështesim kurrfarë propozimi, i cili krijon dhoma të pritjes në BE”, thotë Konjufca.

Konjufca mori pjesë në punimet e forumit të sigurisë GLOBSEC në Pragë, ku edhe foli për REL-in.

Radio Evropa e Lirë: Zoti Konjufca, ditëve të fundit po qarkullon ideja e disa vendeve të Bashkimit Evropian për përfshirjen e vendeve të Ballkanit Perëndimor në Tregun e Përbashkët Evropian, për t’i shtyrë përpara në rrugën e tyre drejt anëtarësimit të plotë në BE. Cili është qëndrimi i autoriteteve të Kosovës ndaj kësaj nisme?

Glauk Konjufca: Ne, ta them të drejtën, e mirëpresim çdo plan të ri, i cili e ka për synim integrimin më të shpejtë të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian.

Prej fazës së nënshkrimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit deri kur të hapen negociatat për anëtarësim, ajo që përbën bërthamën e negociatave për çdo shtet, janë negociatat kryesisht ekonomike, se si të krijohen të gjithë mekanizmat e nevojshëm për përfshirjen e vendit përkatës në tregun e vetëm.

Kështu që kjo iniciativë, e cila u përshëndet në mënyrë eksplicite edhe nga kancelari [gjerman, Friedrich] Merz, dhe u shty përpara nga shtete si Austria e Çekia, është, në njëfarë mënyre, që t’i jepet një shpejtësi e re procesit të zgjerimit.

Kjo është e mirëseardhur, por ajo çka është më e rëndësishme në këtë proces, po aq sa ideja, janë edhe detajet, e të cilat ne nuk i kemi ende.

Pres që, në javët e ardhshme, këto shtete të shkojnë drejt hollësive dhe detajizimeve sa i përket ecjes përpara.

Radio Evropa e Lirë: Besoni se ky do të jetë një hap transitor drejt BE-së?

Glauk Konjufca: Nëse e ndajnë me faza, ku disa parapërgatiten për t’iu bashkangjitur BE-së, të tjerët mund të jenë vëzhgues menjëherë tash… të shohim. Ajo çfarë ne kemi thënë, që është pozicion i Kosovës, është që ne nuk mbështesim kurrfarë propozimi, i cili krijon dhoma të pritjes në Bashkimin Evropian. Tash tjetër janë problemet politike, për shembull mosnjohësit e Kosovës e të tjera. Por, nuk duam dhoma të pritjes në BE.

Radio Evropa e Lirë: Megjithatë, Kosova e ka në dhomën e pritjes aplikimin për anëtarësim në BE qysh në vitin 2022…

Glauk Konjufca: Po, ajo nuk është trajtuar, është e vërtetë. Këtu, elefanti në dhomë është dukshëm politik dhe ai është dukshëm dialogu me Serbinë.

Unë mendoj se shtetet mosnjohëse dhe dialogu me Serbinë e mbajnë të patrajtuar aplikacionin tonë, i cili është dorëzuar gati katër vjet më parë.

Përgjigjja zyrtare që jep Brukseli, sa herë që e ngremë këtë çështje, është: duhet të punoni më shumë me vendet anëtare. Kur thuhet me vendet anëtare, nënkuptohen vendet mosnjohëse. Ne, vazhdimisht, punojmë me to – me Spanjën, me Greqinë e me të tjerat.

Mirëpo, gjithmonë në ato biseda vijnë marrëdhëniet e mira fqinjësore me Serbinë, të cilat mendoj unë – pa fajin tonë – kanë marrë goditje të mëdha të mirëbesimit në këta dy-tre vjetët e fundit, për shkak të sulmeve sikurse ishte ai në Banjskë.

Radio Evropa e Lirë: A ka Qeveria e Kosovës, edhe pse tani është në detyrë, ndonjë plan konkret për ta shtyrë përpara këtë proces?

Glauk Konjufca: Ne kemi miratuar Planin e Rritjes të BE-së në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Kosova është njëri prej vendeve që agjendën evropiane të reformave e ka miratuar dhe është duke e zbatuar – është vendi me impenjimin ndoshta më të lartë në Ballkanin Perëndimor sa i përket kësaj agjende.

Por, kur flitet për reformat e fondet [e BE-së], kanë shumë rëndësi edhe uniteti politik, funksionaliteti i demokracisë dhe i institucioneve. Sepse, nëse deri në dhjetor kemi këso peripecish, ne do t’i humbim 250 milionë euro – që do të thotë se janë 25%-30% e Planit të Rritjes.

Mirëpo, përkundër reformave që i bëjmë, duket që ndonjëherë në negociatat me BE-në peshon më shumë dialogu me Serbinë sesa reformat e brendshme që i bëjmë.

Sepse, nëse e qet Kosovën në parametra me shtetet tjera, në parametra të demokracisë, të rritjes ekonomike që e ka Kosova, të pavarësisë së gjyqësorit etj., Kosova është shumë përpara.

Radio Evropa e Lirë: Por, e patëm një publikim të ditëve të fundit, mbi bazën e të dhënave të Fondit Monetar Ndërkombëtar, që e nxirrte Kosovën si vendin e dytë më të varfër në Evropë.

Glauk Konjufca: Po, por, në të njëjtën kohë, Banka Botërore thotë se Kosova do të ketë një rritje stabile ekonomike mbi 4 për qind. Kjo e ngushton diferencën me vendet tjera.

Që Kosova të kapërcejë katër vende apo pesë vende, nuk është lehtë, sepse e ke Malin e Zi, e ke Serbinë, i ke shtetet që kanë pasur ekonomi shumë më të konsoliduara se Kosova, e cila ka dalë e shkatërruar prej luftës.

Neve na mjafton edhe zvogëlimi i diferencave me këto shtete.

Radio Evropa e Lirë: Jemi në prag të zgjedhjeve të 7 qershorit dhe domosdoshmërisht na interesojnë pritjet tuaja nga ky proces…

Glauk Konjufca: Nuk ishte lajm i mirë që Kosova po shkon në zgjedhjet e treta brenda një viti e gjysmë, por u përket qytetarëve të Kosovës. Nuk dua që nga ky forum, në të cilin jam në cilësinë e ministrit të Jashtëm, të futem thellë në detajet e skenës sonë politike, sepse këtë do ta bëj kur të kthehem në Kosovë.

Radio Evropa e Lirë: A prisni që këto zgjedhje të çojnë në formimin e të gjitha institucioneve, deri të zgjedhja e presidentit?

Glauk Konjufca: Po, besoj që po. Jam shumë optimist që këto do të jenë zgjedhjet e fundit për katër vjetët e ardhshëm.

Irena me disa mbiemra kishte 4 pasaporta, Kalaja: Gjykata shuplakë SPAK-ut për dosjen e gjyqtares

Një vendim i fundit i Gjykatës së Posaçme ka nxjerrë në pah përplasje të forta brenda sistemit të drejtësisë, duke shënuar një pikë kthese në atë që raportohet si një betejë ligjore dhe procedurale me Prokurorinë e Posaçme (SPAK). Në qendër të vëmendjes dhe akuzave është rasti i gjyqtares Irena Gjoka, një dosje që ka rikthyer debatin mbi integritetin e figurave që po zbatojnë reformën në drejtësi.

Sipas detajeve të bëra publike nga përfaqësuesja ligjore e çështjes, avokatja Adriana Kalaja  e cila ishte e ftuar në emisionin e mëngjesit ‘Kafe Shqeto’ në Syri tv, vendimi i gjyqtares Manjola Osmani për të mos pranuar mbylljen e hetimeve nga SPAK përfaqëson një “ndarje epokash”. Ky zhvillim shihet si fundi i periudhës kur gjykata miratonte automatikisht çdo kërkesë të organit të akuzës, duke marrë tashmë një rol të vërtetë arbitri ku palët janë të barabarta në proces.

Akuzat e ngritura ndaj strukturave të prokurorisë janë të rënda. Raportohet se në vend që të mbroheshin interesat e shtetit, prokurorë të caktuar të SPAK-ut kanë ndërhyrë në dosje dhe kanë intimiduar dëshmitarët për të mbrojtur gjyqtaren, tha avokatja.

Dosja përmban të dhëna për fshehjen e dy dëbimeve (expuls) dhe një ndalimi 10-vjeçar për të hyrë në zonën Shengen, shoqëruar me nxjerrjen e katër pasaportave të ndryshme në të njëjtën periudhë kohore për të shmangur këto penalitete.

Gjithashtu, ngrihen pikëpyetje serioze mbi justifikimin e rreth 100 milionë lekëve të vjetra gjatë procesit të Vetingut në vitin 2019, ku tatimet për këto të ardhura pretendohet se janë paguar jashtë kohës normale, pikërisht për të kaluar filtrat e drejtësisë së re.

Flavio Qarri: Kam një kuriozitet që është personal, nuk është parimor. Ti bëre një betejë veçanërisht ndaj Irenës me shumë mbiemra, siç e pagëzove ti, që u duke gati e një kryqtare në një kryqëzatë të vetmuar kundër saj. Ishe ti dhe gjithë sistemi që thoshte “jo, Irena e bën gruan mirë”. Dhe në një moment u duk sikur e humbe atë betejë kur SPAK-u, domethënë moralisht e fitove aty, por praktikisht e humbe kur SPAK-u vendosi të mos bënte asgjë ndaj Irenës, edhe pse e pranoi dënimin. Por ndërkohë vendimi i gjyqtares Manjola Osmani, përveç fitores morale ishte dhe një fitore procedurale. Si u ndjeve atë ditë, më trego pak?

Adriana Kalaja: Me thënë të drejtën për shkak dhe të disa problemeve shëndetësore, ishte një lajm që më bëri jo vetëm të ndihem e lumtur, jo vetëm ishte fryt i një përpjekjeje shumë të madhe që ka filluar nga unë që në prill të 2024-ës, por nga ana tjetër ishte një ogur shumë i mirë edhe për vetë sistemin e drejtësisë. Sepse unë do ta quaja me plot gojën që ishte vendimi që ndau epokat. Pra, ndau epokën e afermëndshit ku gjykata vendoste çfarë i kërkonte SPAK-u ose Altin Dumani, dhe erdhi koha kur gjykata mori pozicionin e vet të arbitrit dhe palët janë të barabarta në gjykim. Pra, qoftë ne kallëzuesit, qoftë edhe prokuroria që në fakt duhet të jetë sipas ligjit në funksionin për të mbrojtur interesat e shtetit. Por, në rastin e Irena Gjokës dhe në shumë raste të tjera nga ana e SPAK-ut, jo vetëm që nuk janë mbrojtur interesat e shtetit, por prokurorë të caktuar kanë ndërhyrë në dosje, kanë intimiduar dëshmitarët, dhe mbi të gjitha veprime të prokurorëve të cilët jo vetëm nuk janë të parashikuar nga ligji, por nuk janë të aftë për të mbrojtur dhe vendimet e tyre. Fakti e tregoi që në tre seanca prokurori i SPAK-ut nuk vinte të mbronte vendimin e tij.

Është jo vetëm një shuplakë për gjithë reformën deri në këto momente, por nga ana tjetër, dhe koha na dha të drejtë, sepse ne nuk kemi asgjë me emra të përveçëm. Ne e kemi për mënyrën se si u implementua reforma, se si u implementua procesi i vetingut dhe se si u përzgjodhën njerëzit për hir të këtyre ceneve, të metave, problematikave që kishin si nga Irena, si nga Altin Dumani, si nga irenat e tjera për të qenë aty si një armë në duart e pushtetit.

Flavio Qarri: Tani çështja është, çfarë konkretisht pra ato 20 kërkesat e gjyqtares Osmani ndaj SPAK-ut për Irena Gjokën. Cilat janë konkretisht?

Adriana Kalaja: Më lejo, e para njëherë unë realisht dua të të komplimentoj, se në të gjithë këto intervistat që kam dëgjuar, ka qenë intervista më korrekte që ju kam dëgjuar juve personalisht tek emisioni i Adi Krastës. Sepse duhet të ndajmë një moment. Ne jemi përpara një kërkese të organit të akuzës ose SPAK-ut në rastin konkret, dhe kjo kërkesë është formale deri në momentin kur merret vendimi i gjykatës. Pra, janë dy rrugë. Gjykata ose e pranon pushimin, ose e rikthen për hetime. Dhe ne ngritëm të gjithë elementët e rëndësishëm, që thamë jo vetëm nuk janë bërë hetime, jo vetëm që nuk ka bazë ligjore për atë mënyrë se si është mbyllur kjo çështje, por mbi të gjitha nuk ishin zgjidhur çështjet kryesore që kemi ngritur, qoftë në kallëzimin e parë që kam bërë unë në raport me vendimin penal po edhe me prokurën që i ka dhënë avokatit për të hequr dy ekspulset në shtetin grek. Nga ana tjetër unë kam bërë një shtesë kallëzimi penal, ku kam përfshirë edhe tre komisionerët e vetingut, madje kam qenë në studion tuaj ditën që do shkoja të bëja këtë kallëzim penal. Sepse ndërkohë që drejtoria rajonale tatimore vërteton që nuk ka asnjë deklarim as nga vëllezërit e Irenës, as nga bashkëshorti aktual i Irenës, atëherë nuk ishte bashkëshorti aktual, por gjithë veprimet bëheshin sikur të ishin bashkëshortë.

Dhe nga ana tjetër çfarë ndodh? Me gati 100 milionë lekë të vjetra Irena Gjoka, Shpata, Maneku justifikon të ardhurat e paligjshme, dhe i kthen në të ardhura të ligjshme për të kaluar vetingun. Mjafton të shikojmë se kur janë paguar tatimet mbi këto të ardhura të pretenduara, që janë paguar në 2019-ën, pra gjatë kryerjes së vetingut. Kur ndërkohë kolegët e Irenës, me disa mbiemra, me disa ditëlindje. Ka dhe disa pasaporta. Pra vetëm kjo duhet ta ngrinte të gjithë SPAK-un në këmbë. Pse janë nxjerrë katër pasaporta për të njëjtën periudhë? Pra janë nxjerrë katër pasaporta sepse ka patur dy dëbime, dhe mbi të gjitha është një problem shumë i madh që unë e kam ngritur edhe në kallëzim, e kam ngritur edhe në të gjithë korrespondencat me prokurorinë e përgjithshme, por edhe me inspektorin e lartë të drejtësisë, se si ka mundësi …

Intervista- Moriyasu para takimit Trump-Xi: Kina i jep përparësi mbijetesës së regjimit në Iran

Alex Raufoglu

Lufta me Teheranin po e zbeh takimin e rëndësishëm që presidenti amerikan, Donald Trump, pritet ta zhvillojë këtë javë me udhëheqësin e Kinës, Xi Jinping, në Pekin. Irani pritet të jetë një nga çështjet më të ndjeshme në agjendën e këtij takimi.

Trump pritet të mbërrijë në Pekin më 13 maj dhe të takohet me Xinë më 14-15 maj, pasi vizita e tij e planifikuar për më herët këtë vit u shty shkak të konfliktit me Teheranin.

Zyrtarë të lartë amerikanë thonë se Trump synon ta sfidojë drejtpërdrejt Xinë për lidhjet ekonomike dhe teknologjike të Kinës me Iranin, përfshirë blerjet e naftës dhe transportimin e pretenduara të mallrave me përdorim të dyfishtë.

Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Ken Moriyasu, bashkëpunëtor i lartë në Institutin Hudson, tha se Pekini mund të ndihmojë taktikisht në uljen e tensioneve, por do t’i rezistojë çdo përpjekjeje që mund ta kërcënojë mbijetesën e regjimit iranian, të cilin ai e përshkroi si qendror për strategjinë afatgjatë euroaziatike të Kinës.

Radio Evropa e Lirë: Duke qenë se Trump pritet ta sfidojë Xinë për Iranin dhe Uashingtoni po prezanton sanksione të reja që synojnë rrjetet iraniane të naftës të lidhura me Kinën, sa i rëndësishëm është ky moment në diplomacinë SHBA-Kinë lidhur me Teheranin?

Ken Moriyasu: Jam i sigurt se Trumpi do t’i kërkojë Xi Jinpingut ndihmë për Iranin, dhe jam i sigurt se Kina është shumë e interesuar ta shohë fundin e kësaj lufte po aq sa edhe Trump dëshiron t’i japë fund asaj.

Por, jam gjithashtu shumë i sigurt se Xi nuk dëshiron ndryshim regjimi në Teheran. Pra, ndërsa ai mund të pranojë ta nxisë Teheranin të arrijë një lloj kompromisi, jam shumë i sigurt se Xi do t’i bëjë ballë çdo trysnie nga Trump për ta ndëshkuar Iranin në një mënyrë që mund të çojë në ndryshim regjimi.

Radio Evropa e Lirë: Kur e shikoni marrëdhënien e Kinës me Iranin sot, sa ndikim realisht ka Pekini mbi Teheranin?

Ken Moriyasu: Marrëdhënia vazhdon, por duhet ta kuptojmë përmes strategjisë afatgjatë të Kinës dhe rëndësisë që Irani ka brenda saj.

Nëse ndodh ndryshim regjimi në Teheran dhe vendi bëhet proamerikan, properëndimor dhe largohet nga Kina, kjo bie drejtpërdrejt ndesh me strategjinë kontinentale afatgjatë të Kinës.

Në 15 vjetët e fundit, Kina është përpjekur shumë ta kufizojë varësinë e saj nga rrugët detare tregtare, veçanërisht për energjinë, sepse cisternat e naftës duhet të kalojnë nëpër pika strategjike si Ngushtica e Hormuzit dhe Ngushtica e Malakës. Prandaj Kina është orientuar drejt tubacioneve tokësore, dhe brenda kësaj strategjie kontinentale Irani zë krahun jugor, ose ankorën jugore.

Nëse Irani bëhet properëndimor, kjo do të prishte lidhjet tokësore të Kinës me Lindjen e Mesme dhe Evropën. Do të komplikonte logjistikën energjetike dhe korridoret ushtarake të lidhura me Nismën “Rripi dhe Rruga”, dhe do të minonte idenë e një brendësie të vazhdueshme euroaziatike të izoluar nga fuqia ushtarake amerikane, diçka që Kina është përpjekur ta krijojë gjatë 15 vjetëve të fundit.

Radio Evropa e Lirë: Duke pasur parasysh lidhjet e ngushta ekonomike me Iranin, veçanërisht në eksportet e energjisë dhe blerjet e naftës, a përkthehet kjo në ndikim të rëndësishëm politik për Pekinin?

Ken Moriyasu: Kjo i jep më shumë ndikim Iranit sesa Kinës.

Nëse Irani e kupton strategjinë afatgjatë të Kinës, atëherë Teherani ka ndikim. Dhe, Shtetet e Bashkuara duhet ta kuptojnë politikën e Kinës dhe të pranojnë se Kina kurrë nuk do të mbështesë politika që mund të çojnë në ndryshim regjimi.

Kjo lidhet gjithashtu me Tajvanin. Përderisa Shtetet e Bashkuara mbajnë një kontroll strategjik mbi importet energjetike të Kinës përmes Ngushticës së Malakës ose Ngushticës së Hormuzit, Kina nuk mund ta marrë Tajvanin me forcë.

Edhe nëse Kina do të mund ta pushtonte ushtarakisht Tajvanin, SHBA-ja do të mundë ta ngufatke ekonominë kineze duke bllokuar ato rrugë.

Pra, ajo që Kina po përpiqet të bëjë fillimisht është të krijojë një korridor kontinental që e mbron nga hakmarrja amerikane. Pasi të përfundojë ky strehim apo kjo fortesë euroaziatike, atëherë Pekini do të kishte më shumë opsione lidhur me Tajvanin.

Nuk po them se Kina do ta pushtojë Tajvanin nëse ky korridor përfundon, por sigurisht që kjo do t’i jepte Pekinit më shumë fleksibilitet strategjik.

Radio Evropa e Lirë: Nëse Trump i kërkon Xisë ta përdorë atë ndikim mbi Iranin, çfarë lloj përgjigjeje prisni nga Pekini?

Ken Moriyasu: Kina po ndjek njëkohësisht dy qëllime afatgjata: dëshiron të largohet nga rrugët detare tregtare dhe gjithashtu dëshiron të largohet nga vetë varësia ndaj naftës.

Kjo është arsyeja pse Kina po inkurajon agresivisht kalimin nga makinat me benzinë në automjete elektrike, me energji elektrike të prodhuar nga energjia bërthamore ose qymyri. Një pjesë e madhe e atij qymyri vjen nga burime vendase ose nga Mongolia, të cilat janë të mbrojtura nga ndërhyrja ushtarake amerikane.

Megjithatë, Kina ende nuk ka arritur atje, kështu që ende ka nevojë për naftë. Kjo do të thotë se kjo luftë dhe rritja e çmimeve të naftës po e dëmtojnë Kinën tani për tani.

Në planin afatgjatë, megjithatë, Kina dëshiron ta kufizojë varësinë si nga transporti detar ashtu edhe nga vetë nafta.

Pekini ka nevojë për stabilitet në të ardhmen e parashikueshme, por nuk ka interes ta ndihmojë Trumpin të arrijë kontroll mbi Ngushticën e Hormuzit apo të mbështesë ndryshimin e regjimit në Teheran. Kjo nuk është në interesin strategjik afatgjatë të Kinës.

Radio Evropa e Lirë: Në këtë kontekst, a e shihni Kinën duke luajtur më shumë një rol diplomatik të heshtur prapa skenave, apo duke mbetur e kujdesshme publikisht?

Ken Moriyasu: Çdo rol që Kina do të luajë do të jetë taktik, jo strategjik. Jam shumë i sigurt për këtë.

Radio Evropa e Lirë: Meqë Uashingtoni po merret Iranin, Ukrainën dhe konkurrencën strategjike me Kinën njëkohësisht, si mendoni se i balancojnë politikëbërësit të gjitha këto sfida në të njëjtën kohë?

Ken Moriyasu: Kjo është edhe një arsye tjetër pse Xi mund të ndihmojë taktikisht, por jo strategjikisht.

Realiteti është se tensionet midis Uashingtonit dhe Teheranit nuk janë të këqija për Pekinin. Nëse Uashingtoni shpërqendrohet nga lufta që përfshin Iranin, kjo e largon vëmendjen nga Tajvani. Kjo i jep Kinës më shumë kohë për t’u përgatitur.

Pra, një nivel i caktuar tensioni midis Uashingtonit dhe Teheranit në fakt i shërben interesave strategjike të Kinës.

Por, në planin afatgjatë, plani i Kinës është fillimisht të krijojë korridore kontinentale përmes të cilave mund të sigurojë energji dhe tregti pa ndërhyrjen amerikane. Kjo është faza e parë, ndoshta gjatë dekadës së ardhshme.

Më pas Kina do të ishte në gjendje të projektonte fuqi më me besim drejt zonave bregdetare detare dhe potencialisht të mendonte për operacione ndaj Tajvanit më pas. Shtetet e Bashkuara duhet ta kuptojnë se çfarë po përpiqet të bëjë Kina.

Radio Evropa e Lirë: Në çfarë pike kriza mund të bëhet aq serioze sa Pekini të veprojë më vendosmërisht, qoftë diplomatikisht apo strategjikisht?

Ken Moriyasu: Raportohet se Kina ka rezerva strategjike të naftës që mund të zgjasin rreth katër muaj.

Derisa po afrohet ai afat kohor, Pekini do të përballet me më shumë presion për të siguruar rrugë alternative ose për të punuar me Uashingtonin dhe Teheranin për ta mbajtur të hapur Ngushticën e Hormuzit. Por, ka edhe pak kohë para se Kina të arrijë në atë pikë.

Radio Evropa e Lirë: Trump e shtyu një herë këtë vizitë për shkak të Iranit. A mund të jetë Irani një nga çështjet përcaktuese të takimit, madje përtej tregtisë dhe marrëdhënies më të gjerë SHBA-Kinë?

Ken Moriyasu: Në një pikëpamje më të gjerë, konkurrenca mes fuqive të mëdha SHBA-Kinë është në të vërtetë një garë për kontrollin e Euroazisë.

Nga perspektiva e Kinës, ajo dëshiron qasje të pandërprerë në tregjet energjetike të Azisë Qendrore dhe rrugët tregtare drejt Evropës pa ndërhyrjen amerikane.

Shtetet e Bashkuara nuk kanë domosdo nevojë ta dominojnë vetë Azinë Qendrore. Por, duhet t’i pengojnë përpjekjet e Kinës aq sa Pekini të mos ndiejë kurrë siguri absolute se Azia Qendrore, Kaukazi dhe Turqia janë plotësisht brenda sferës së saj, sepse sapo Kina ta ketë atë siguri, do të ketë aftësi më të madhe për të projektuar fuqi jashtë, veçanërisht drejt Tajvanit.

Strategjia amerikane duhet të jetë t’ia mohojë Kinës atë siguri absolute.

Në këtë kuptim, Irani është pjesë e kësaj gare më të madhe. Irani është pjesë e strehës apo fortesës që Kina dhe Rusia po përpiqen të ndërtojnë në zemrën euroaziatike.

Por, vetë Irani nuk është çështje përcaktuese në garën SHBA-Kinë. E gjithë Euroazia është.

Radio Evropa e Lirë: A mund të shënojë ky takim një pikë kthese në mënyrën se si Uashingtoni dhe Pekini angazhohen në krizat e mëdha ndërkombëtare të sigurisë në të ardhmen?

Ken Moriyasu: Jo, absolutisht jo. Kina dhe Shtetet e Bashkuara kanë vizione thelbësisht të ndryshme për Euroazinë, dhe ajo konkurrencë do të vazhdojë pavarësisht këtij samiti.

Çdo marrëveshje taktike që arrijnë: marrëveshje për sojë, marrëveshje për Boeing apo çfarëdo tjetër, nuk e ndryshon strukturën më të gjerë.

Struktura reale është konkurrenca e fuqive të mëdha për zemrën euroaziatike.

Radio Evropa e Lirë: Disa ligjvënës republikanë argumentojnë se Trump duhet ta kritikojë publikisht Kinën për mbështetjen që i jep Iranit prapa skenave. Sa i përhapur është ky qëndrim në Uashington tani?

Ken Moriyasu: Çdo mbështetje që Kina i jep Iranit prapa skenave është taktike. Nuk është çështja themelore.

Çështja themelore është se Kina ka nevojë për regjimin në Teheran për strategjinë e saj kontinentale. Se a zemërohen senatorët për ndihmën prapa skenave është çështje dytësore krahasuar me realitetin shumë më të madh strategjik.

Përgatiti: Ekrem Idrizi

Send this to a friend