VOAL

VOAL

“Hapi i parë për kontrollin e një vendi”, ish-agjenti i FBI tregon se çfarë synon Rusia të investojë në Shqipëri

April 4, 2019

Komentet

Taktizimet dhe kalkulimet politike do t’i kushtojnë Kosovës- Nga AUGUSTIN PALOKAJ

Krijimi i institucioneve pas zgjedhjeve nuk është një lojë futbolli. Nuk shkohet në lojë me taktizime dhe kalkulime për ta befasuar kundërshtarin, as me pritjet që gjatë lojës do të ndodhë ndonjë befasi dhe në fund rezultati të jetë i favorshëm. Krejt çfarë kemi parë prej natës zgjedhore e deri më sot na bën të besojmë se Kosova nuk do të ketë qeveri stabile, e cila do të ishte në gjendje të marrte vendime vitale për vendin. Në skenën ndërkombëtare kjo do të thotë stagnim, pa anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe pa lëvizje drejt BE-së. Qasja përjashtuese e partive politike i ka bërë faktorë vendimtarë deputetët e pakicave.

Është bërë vështirë të kuptohen lojërat që po luajnë partitë politike të Kosovës, prej kur u zhvilluan zgjedhjet. Nga partia fituese, Vetëvendosje, herë thonë “i kemi votat”, e pastaj, kur dëshmohet se nuk i kanë pasur, fajësojnë opozitën. E opozita mban qëndrim përjashtues ndaj Vetëvendosjes, duke e pritur dështimin e saj për të bërë përpjekje që ata ta formojnë shumicën parlamentare. E në këtë lojë janë bërë të gjithë ekspertë të interpretimit të ligjeve, të Kushtetutës dhe të procedurave. Harrojnë se procedurat mund të jenë pengesë ose ndihmesë, varësisht nga vullneti politik. Kjo lojë që po e luajnë na tregoi edhe një herë se sa absurde janë disa ligje, vendime të Kushtetueses apo procedura në Kosovë. Sidomos mbajtja apo jo e dy posteve në dy pushtete të ndara në të njëjtën kohë.

Nuk duhet të jetë dikush ekspert për ta ditur se, qëkur ekziston demokracia dhe e drejtat e shtetit, janë ndarë tri pushtete parimore – ai legjislativ, ekzekutiv dhe gjyqësor. Kjo ndarje me automatizëm e përjashton mundësinë që dikush të jetë edhe në qeveri, edhe në Kuvend. Por në anën tjetër, shteti në asnjë moment nuk mund të mbetet pa qeveri. Duhet të ketë një lloj qeverie, pa marrë parasysh a është “teknike”, “kalimtare”, “në detyrë” apo “e dorëhequr”. Në shumicën e shteteve, ata anëtarë të ekzekutivit, pra qeverisë, që zgjedhjen si deputetë, ua lëshojnë pozitën e deputetit zëvendësve të tyre, aty ku ka njësi zgjedhore, apo ndonjë personi që është në radhë në listën zgjedhore. Dhe nëse ai anëtar i qeverisë nuk do të jetë më në qeveri, mund ta aktivizojë mandatin në Kuvend.

Në këtë mënyrë evitohet përzierja e palejueshme e pozitave në ekzekutiv dhe legjislativ. E gjithë kjo në Kosovë po ndodh në kohën kur nga bashkësia ndërkombëtare ka thirrje që të formohet një qeveri stabile sa më parë. Vërehet kësaj radhe se nuk ka as dëshirë, as vullnet e as qëllim që dikush nga jashtë të ndërhyjë për t’ua zgjidhur kosovarëve ketë ngërç politik. Kjo do të duhej të shihej si diçka e mirë pas një kohe të gjatë, kur negociatat për krijimin e shumicës në Kuvend bëheshin më shumë nëpër ambasada të huaja sesa mes partive politike. Por kjo mund ta lërë Kosovën pa një shumicë stabile edhe për një kohë të gjatë. Sidomos nëse partitë politike nuk vetëdijesohen dhe nuk heqin dorë nga taktikat apo kalkulimet politike përmes të cilave synojnë të jenë në pushtet. Krijimi i institucioneve pas zgjedhjeve nuk është një lojë futbolli. Nuk shkohet në lojë me taktizime dhe kalkulime për ta befasuar kundërshtarin, as me pritjet që gjatë lojës do të ndodhë ndonjë befasi dhe në fund rezultati të jetë i favorshëm. Krejt çfarë kemi parë prej natës së ditës zgjedhore e deri më sot na bën të besojmë se Kosova nuk do të ketë qeveri stabile, e cila do të ishte në gjendje të marrë vendime vitale për vendin.

Në skenën ndërkombëtare kjo do të thotë stagnim, pa anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe pa lëvizje drejt BE-së. Qasja përjashtuese e partive politike i ka bërë faktorë vendimtarë deputetët e pakicave. Është e natyrshme dhe e dëshirueshme për demokracinë që pakicat të jenë të përfaqësuara sa më shumë. Por kur nga pakicat varet fati i qeverisë, atëherë shteti bëhet objekt edhe i shantazhimeve. Dhe ndonjëherë çmimi që duhet paguar mund të jetë shumë i madh. Kosova është rast i veçantë edhe për shkak se ka një përqindje disproporcionale të vendeve të rezervuara për deputet të komuniteteve joshumicë. Por në anën tjetër, pa marrë parasysh se sa vota marrin, ata që bëhen deputetë janë anëtarë të barabartë të Kuvendit dhe vota e tyre vlen po aq sa edhe e cilitdo deputet tjetër. Tashmë është pothuajse e sigurt se Kosova nuk do të ketë shpejt një qeveri stabile, e cila do të përmbushë kushtin që Kosova të bëhet anëtare e Këshillit të Evropës këtë vit. Kanë mbetur vetëm edhe tri javë deri në takimin e ministrave dhe Kosova nuk është paraparë të jetë në rend dite.

Edhe shteti, i cili më së shumti ka mbështetur Kosovën në këtë drejtim, Gjermania, përmes diplomatëve ka shprehur keqardhje se “Kosova nuk i ka përmbushur kushtet”. Pra, nuk është reale të pritet që Kosova të bëhet anëtare e Këshillit të Evropës pa dërgimin e draftit “evropian” të Asociacionit për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese. Megjithëse e padrejtë, kjo ka qenë kërkesë e pesë vendeve të Quintit. Kosova nuk e ka përfillur dhe nuk ka qenë në rend dite vitin e kaluar. Tash diplomatët e huaj thonë se, “asgjë nuk ka ndryshuar prej atëherë”, që së paku edhe për një vit Kosova nuk do të ketë rastin tjetër për t’u bërë anëtare e kësaj organizate. Dy njohje që i mori Kosova së fundi, nga Kenia dhe nga Sudani, janë të mirëpritura, por akoma mbetet fakti se Kosova po stagnon në forcimin e subjektivitetit të saj ndërkombëtar. Nëse nuk do të formohet qeveria dhe nëse shkohet në zgjedhje prapë, ky stagnim vetëm sa do të forcohet.

Kosova mund të hyjë në të ashtuquajturin “skenarin bullgar”: të ketë zgjedhje një herë në vit dhe raporti i forcave politike të mos ndryshojë. Sepse vështirë të pritet që zgjedhjet e reja në Kosovë të sjellin ndonjë ndryshim të madh në vota. Prandaj, e vetmja dalje nga ky ngërç është ndërtimi i një koalicioni, sado joparimor që do të dukej ai. Ka në Evropë dhe në botë raste të shumta në të cilat edhe kundërshtarët më të mëdhenj politikë janë bërë bashkë për interes të shtetit dhe të kombit. Kosova nuk do të ishte as e para, e as e fundit nëse do ta bënte këtë.

‘Pse Edi Rama e sulmon Presidentin Trump dhe bashkëpunëtorët e tij?’ Lideri demokrat, Sali Berisha publikon videon me fakte

Lideri i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka postuar një video në rrjetet sociale ku fakton pse Rama sulmon presidentin Trump dhe bashkëpunëtorin e tij Chris LaCivita, strategun e fitores së presidentit të Amerikës e që është renditur krah Sali Berishës dhe koalicionit “PD –ASHM’ për të fituar zgjedhjet e 11 majit.

Bashkangjitur me pyetjen ”Pse e sulmon Edi Rama, Presidentin Trump dhe bashkëpunëtorët e tij?”

Në video janë deklaratat me zë të Ramës në 2016 kur thoshte se Trump ishte kërcënim jo vetëm për SHBA por dhe për marrëdhëniet me Shqipërinë.

“ Zoti na ruajtë mendoj se do i bënte dëm Amerikës dhe botës demokratike. Donald Trump është kërcënim për Amerikën dhe nuk diskutohet që është kërcënim për marrëdhëniet Shqiptaro – Amerikane”

Apo kur flakte simbolet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Po cili është problemi i tij?  Përse sulmon Edi Rama bashkëpunëtorët e presidentit Trump. Cili është problemi i tij me Amerikën?

Ja arsyeja:

Problemi qëndron se Rama është kukull e George Sorosit dhe që nga ardhja e presidentit Trump në krye të Amerikës Rama nuk i fsheh dot më 12 vitet që ka shkatërruar Shqipërinë. Rama nuk e mbulon dot më varfërinë, pagat më të ulëta në rajon e çmimet më të larta në Europë. Nuk mbulon dot largimin e mbi 1 milionë shqiptarëve”

Prandaj Berisha fton qytetarët që më 11 maj të votojnë numrin 1 në fletën e votimit për koalicionin “PD –ASHM’ dhe kandidatët e tij. sn

 

Legjislaturë e dështuar!- Nga Florim Zeqa

 

Fati e deshi që mbledhja e pestë konstituive e Kuvendit të Kosovës të mbahet në ‘Ditën e Bujqëve’. Thellësisht jam i bindur se, sikur të ishin bujqët sot në vend të deputetëve, zgjidhja do të arrihej fare lehtë!

 

Edhe sot nuk ndodhi mrekullia në Kuvend

 

Pozicionet e ngurta të partive politike të motivuara nga inatet personale, tashmë janë kthyer në agjenda partiake për ta dërguar vendin në zgjedhje të jashtëzakonshme.

Siq duket, në mungesë të numrave, LVV-së më shumë i konvenon ngërçi politik në Kuvend, pasi e ka pushtetin faktik në Kosovë.

Mungesa e bashkëpunimit mes partive parlamentare, përkatësisht e partisë fituese me partitë e tjera e ka sjellë Parlamentin në këtë situatë bllokuese!

Tashmë një gjë është bërë e qartë, koalicioni LVV-G-A i kanë vetëm 57 numra në Kuvend, numra këta të pamjaftueshëm për zgjedhjen e Qeverisë, por nuk i dimë numrat e partive të tjera opozitare që pretendojnë marrjen e pushtetit me çdo kusht ose dërgimin e vendit në zgjedhje!

Këto do të ishin zgjedhje pa zgjidhje, për shkak se rezultati do të delë përafërsisht i njëjtë!

Bllokimi i zgjedhjes së Kryeparlamentarit është veprim jo demokratik, jo parimorë dhe aspak i menduar mirë politikisht. Njëherit, kjo është një aventurë e rrezikshme me shtetin si produkt i inateve personale me ambicie karrieriste dhe pushtetore, i përcjellur me veprime antikushtuetuese, duke e rrezikuar seriozisht stabilitetin politik dhe të ardhmen e shtetit.

Kjo klasë e politikanëve të papërgjegjshëm janë duke përfituar nga pasiviteti dhe indiferenca e skajshme e elites intelektuale dhe qytetarëve karrshi veprimeve destruktive në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

 

Pa angazhimin e qytetarëve në imponimin e një alternative të re politike, politikanët do të vazhdojnë me lojërat e tyre të rrezikshme në dëm të shtetit, kurse bujqët (në mënyrë figurative) rrezikojnë t’i lënë ndjerrina tokat e Kosovës në shenjë proteste ndaj dështimit të kësaj legjislature!

Gjykatësi federal urdhëron administratën Trump të rihapë Zërin e Amerikës

Punonjësit e Zërit të Amerikës që u vendosën në pushim ose u pushuan nga puna duhet të kthehen në punë dhe administrata Trump duhet të rivendosë financimin për VOA-n dhe mediat e tjera të financuara nga qeveria amerikane, vendosi një gjykatës federal të martën.
Vendimi në fakt ndalon planin e administratës Trump për të shkatërruar VOA-n dhe agjencinë mëmë të saj, Agjencinë Amerikane për Median Globale (USAGM) të financuar nga qeveria.

Përveç Zërit të Amerikës (VOA), USAGM ka në përbërje disa transmetues të tjerë të brendshëm, disa prej të cilëve po zhvillojnë betejat e tyre ligjore kundër administratës në një përpjekje për të mbijetuar.

Gjykatësi i Qarkut Amerikan, Royce Lamberth, vuri në dukje në urdhrin e tij në D.C. se VOA “nuk po raporton lajmet për herë të parë në ekzistencën e saj 80-vjeçare” si rezultat i veprimit të administratës Trump.

Gjyqtari i emëruar nga Reagan tha se faqja e internetit e kësaj agjencie nuk është përditësuar që nga 15 marsi dhe “stacionet radiofonike jashtë vendit që mbështeten në programet e VOA-s ose janë mbyllur ose kanë transmetuar vetëm muzikë”.
Lamberth tha se administrata veproi “pa marrë parasysh dëmin e shkaktuar ndaj punonjësve, kontraktorëve, gazetarëve dhe konsumatorëve të medias në të gjithë botën”, duke shtuar: “Është e vështirë të imagjinohet një shfaqje më e drejtpërdrejtë e veprimeve arbitrare dhe kapriçioze sesa veprimet e të Paditurve këtu”.

“Unë dhe kolegët e mi jemi mirënjohës për këtë vendim. Por e dimë që ky është vetëm një hap i vogël përpara, pasi qeveria ka të ngjarë të apelojë”, tha gazetarja e Zërit të Amerikës, Patsy Widakuswara, e cila është emëruar si paditëse.

“Ne jemi të përkushtuar të vazhdojmë të luftojmë kundër asaj që besojmë se është heshtja e paligjshme e administratës ndaj Zërit të Amerikës derisa të mund të kthehemi në mandatin tonë të Kongresit, për të treguar historinë e Amerikës përmes raportimit faktik, të balancuar dhe gjithëpërfshirës.” bw

SHQIPËRIA ZYRTARE NUK INVESTON ASNJË EURO PËR RUAJTJEN DHE ZHVILLIMIN E KULTURËS DHE TRASHËGIMISË SHQIPTARE NË HAPËSIRAT E TJERA SHQIPTARE TË BALLKANIT- Nga Dr. Mujë Buçpapaj*

Në një kohë kur buxheti i shtetit shqiptar kap shifrën e mbi 8 miliardë eurove në vit, një fakt tronditës përballet me heshtjen institucionale dhe apatinë publike: Shqipëria zyrtare nuk investon asnjë euro për ruajtjen dhe zhvillimin e kulturës dhe trashëgimisë shqiptare në hapësirat e tjera shqiptare të Ballkanit. Kjo heshtje, përtej përmasës simbolike, është tregues i një mungese të thellë vizioni shtetëror, diplomatik dhe kombëtar.
Gjeopolitikisht, Shqipëria është ndër të paktat shtete në botë që kufizohet në të gjitha anët me vetveten – me shqiptarë etnikë. Në veri dhe lindje me Kosovën dhe Luginën e Preshevës, në veri-perëndim me Malin e Zi, në lindje me Maqedoninë e Veriut dhe në jug me komunitete të hershme shqiptare në Greqi. Pa përmendur diasporën e hershme arbëreshe në Itali dhe komunitetin shqiptar në Turqi. Dhe megjithatë, për këto pjesë të pandara të mozaikut tonë kulturor, Shqipëria zyrtare nuk ofron asnjë mbështetje institucionale, asnjë strategji afatgjatë, asnjë fondacion shtetëror që të mbrojë, përfaqësojë e promovojë këtë trashëgimi kombëtare.
E kundërta ndodh me organizatat dhe fondacionet e huaja. Gjatë viteve të fundit, në Shqipëri janë bërë investime të konsiderueshme nga fondacione kulturore ndërkombëtare që ruajnë kalatë, kishat, xhamitë, gjuhën, muzikën dhe folklorin shqiptar, që kontribuojnë në zbulimet arkeologjike. Kjo ndihmë është e çmuar dhe e mirëpritur. Por nuk mund të mos shtrohet pyetja: pse shteti shqiptar vetë nuk e merr këtë rol përsipër përtej kufijve të tij zyrtarë, ku kultura shqiptare është shpesh në rrezik zhdukjeje?
Në Maqedoninë e Veriut, shqiptarët përbëjnë afërsisht 50% të popullsisë dhe janë ndër bartësit më të fuqishëm të trashëgimisë kulturore të vendit. Në Malin e Zi, ata përbëjnë komunitetin më të organizuar pas atij malazez. Në Luginën e Preshevës, kultura shqiptare reziston mes diskriminimit të përditshëm. Në Greqi, shqiptarët e Çamërisë dhe komunitetet arvanitase janë viktima të fshirjes së kujtesës kulturore. Në të gjitha këto hapësira, mungon një prani e shtetit shqiptar si faktor i mbrojtjes dhe promovimit të kësaj trashëgimie.
Për shembull trashëgimia kulturore iliro-arbëreshe në Kosovë mbetet ende kryesisht e pazbuluar, e shpërfillur dhe e shtrembëruar ndër shekuj. Kishat katolike të ritit roman, të ndërtuara mbi themelet e besimit ilir dhe më pas arbëror, u shkatërruan apo u uzurpuan, për t’u zëvendësuar me kisha ortodokse serbe – një proces që nisi pas ardhjes së serbëve në Ballkan, në shekujt VI–VII të erës sonë. Ky është jo vetëm një akt i mohimtë historik, por edhe një padrejtësi e rëndë kulturore dhe identitare ndaj popullsisë autoktone shqiptare.
Në këtë kontekst, shteti shqiptar ka një detyrim historik dhe kombëtar për të mbështetur zbulimin, dokumentimin dhe restaurimin e kësaj trashëgimie të rëndësishme. Investimi në arkeologji, histori dhe restaurim monumentesh në Kosovë është një akt i domosdoshëm për të ruajtur të vërtetën historike dhe për të forcuar identitetin kulturor të shqiptarëve. Kjo trashëgimi është pjesë përbërëse e memorjes sonë kolektive dhe duhet të trajtohet me seriozitetin që meriton. Vetëm në këtë mënyrë mund të ndërtojmë një të ardhme mbi një të kaluar të vërtetë.
Mungesa e një fondacioni shtetëror shqiptar që të merret me çështjet kulturore në rajon dhe në diasporë është simptomë e një vizioni të cunguar kombëtar. Një shtet që nuk kujdeset për kulturën jashtë kufirit është një shtet që mohon gjysmën e identitetit të vet. Nuk mjafton më të shënojmë përvjetorë e të organizojmë konferenca për diasporën. Duhet një qasje strategjike, politike dhe institucionale – me fonde konkrete, programe afatgjata, bashkëpunim me institucionet vendore dhe shoqërinë civile në rajon. Por edhe në këto zgjedhje kombëtare asnjë parti nuk ka asnjë program për këtë qëllim.
Në kohën kur popuj të tjerë investojnë me miliona në promovimin e kulturës së tyre në botë, Shqipëria duhet të ndjekë të njëjtën rrugë, por me përqendrim të veçantë tek shqiptarët jashtë kufirit. Kultura është akt politik, është akt identiteti dhe është armë e butë e fuqisë së një kombi. Nëse Shqipëria dëshiron të ketë një vizion kulturor dhe kombëtar, atëherë kjo heshtje duhet të marrë fund.
Koha për të vepruar është tani.
*Drejtor i Institutit të Studimeve dhe Projekteve Nacionale,Tiranë

Gjykata Kushtetuese i jep një ‘grusht’ të fortë Altin Dumanit dhe SPAK-ut për rastin e gazetarit Qyno

Nga Flamur Vezaj

Ashtu siç kam denoncuar që në ditën e parë, veprimet e SPAK-ut ndaj gazetarit Elton Qyno kanë qenë jashtë çdo standardi ndërkombëtar, të paligjshme dhe në kundërshtim me çdo rregull ligjor dhe kushtetues. Koha dhe Gjykata Kushtetuese më dhanë të drejtë, pasi sot shpalli të paligjshme të gjitha veprimet e prokurorit Altin Dumani, Behar Dibrës dhe ushtarëve tyre në SPAK, si dhe të gjyqtares Atalanta Zeqiraj ndaj gazetarit Qyno.

Gjykata vendosi me 8 vota pro dhe asnjë kundër në favor të gazetarit Qyno, duke shpallur të paligjshme: mbajtjen e tij peng në ambientet e SPAK për 10 orë, kontrollin personal ndaj tij, kontrollin e banesës së tij, kontrollet e vendit të punës dhe të automjetit të tij, sekuestrimin e të gjitha mjeteve të punës, përfshirë telefonin, kompjuterat, USB-të, CD-të dhe deri te lodrat e fëmijëve të tij.

Pra, sipas Gjykatës Kushtetuese, SPAK ka kaluar në paligjshmëri të plotë duke terrorizuar Elton Qynon dhe familjen e tij në emër të kërkimit të burimit të informacionit. Ky vendim është një grusht i fortë ndaj drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme Altin Dumani dhe “ushtarëve” të tij, prokurorë e “ekspertë” të medias që e këshillojnë. Vendimi është një mesazh i qartë: SPAK dhe “ekspertët” e tij nuk kanë asnjë tagër të vendosin se çfarë është lajm dhe çfarë është në interes të publikut.

Gazetari i vërtetë, ai me dinjitet dhe përgjegjësi profesionale, nuk ka nevojë të kërkojë leje në prokurori për të raportuar të vërtetën. Ky vendim është një shuplakë për të gjitha shoqatat e gazetarisë që vrapojnë pas fondeve, por nuk dolën në mbrojtje të gazetarit Qyno, duke e trajtuar rastin e tij si një problem personal dhe jo si një kërcënim serioz ndaj gjithë medias.

Gjithashtu, ky vendim është një shkundje për disa kolegë të mi të kronikës, që fatkeqësisht fërkuan duart për atë që i ndodhi Qynos dhe nuk e panë të arsyeshme të dilnin në mbështetje të tij, por përkundrazi vijuan me servilizmin ndaj Dumanit dhe institucionit të SPAK dhe “ekspertëve” të saj. Si ndiheni tani?

Por një gjë duhet ta kuptoni: lufta e Qynos nuk ishte vetëm për veten e tij, por edhe për ju. Sepse nesër do të vinte radha juaj. Prandaj, gëzohuni dhe festoni që ende ka gjyqtarë që dinë të lexojnë dhe të interpretojnë Kushtetutën, rolin e gazetarit dhe të drejtën themelore për një media të lirë.

Kjo është një fitore për të gjithë ju, por mos harroni t’i kërkoni ndjesë Qynos për indiferencën tuaj! Një ndjesë të madhe duhet ta japë edhe Altin Dumani me “ushtarët” e tij, që kanë shkelur Kushtetutën me veprimet e tyre të paligjshme. Në një shtet normal, ai dhe të tjerët duhet të mbajnë përgjegjësi për këtë akt të rëndë të shkeljes së ligjit themeltar të shtetit dhe jo të fshihen pas xhamave të SPAK duke pritur të kalojnë tre ditë që të harrohet gjithçka.

Sepse janë pikërisht ata që shfrytëzuan materialet e gazetarit Qyno për t’i përdorur kundër tij, deri në atë pikë sa të ngrejnë një akuzë skandaloze, që tashmë është rrëzuar plotësisht nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese!

‘Fjalët kanë peshë’- Reagon ashpër nëna e një djali me autizëm, pas deklaratës ofenduese të Ramës

Brixhida Muça, drejtoreshë e Qëndrës “Lumturo Dhimbjen”, ka reaguar ashpër në rrjetin e saj social Facebook, si nënë e një djali autik, pas deklaratës të kryeministit Edi Rama ditën e sotme në lidhje me autizmin.

Muça cilësoi në reagimin e saj  se fjalët kanë peshë dhe sidomos kur dalin nga goja e një kryeministri.

Reagimi i plotë:

Fjalët kanë peshë. Sidomos kur dalin nga goja e një kryeministri ( kryeshërbëtorit të popullit)

Kur përdor fjalën “autik” si ofendim, nuk je thjesht duke sulmuar politikisht (gjë që s’më intereson)– je duke i lënduar ata që kanë më shumë nevojë për mirëkuptim, e jo për përçmim.

Autizmi nuk është mangësi. Nuk është turp. Është një mënyrë tjetër e të qenit, e të ndjerit, e të parit të botës. Mënyrë që na bën ne të tjeret injorant të botës së tyre.

Dhe për çdo fëmijë e prind që lufton çdo ditë për të ndërtuar jetë me dinjitet,sepse shërbëtorët që ishin e janë nuk e kryejnë detyrën , pra nuk i shërbejnë autizmit . Dhe më keq akoma ofendojnë me këto fjalë që godasin e lëndojnë.

Kjo nuk është thjesht çështje politike. Është çështje njerëzore për të kuptuar se ku shkon ego për pushtet.

Nëse nuk kemi më ndjeshmëri për njerëzit më të brishtë në shoqëri, çfarë na ka mbetur?

Unë zgjedh të flas. Sepse heshtja do të thotë të pranoj poshtërimin nga verbëria e pushtetit nga i cili pres të më shërbej e jo poshtëroi . Pra unë nuk pranoj të hesht.

Si prind, si qytetar, si njeri – nuk mund të hesht.Në emër të djalit tim nuk do hesht….

Kur dëgjoj një kryeshërbëtor të përdorë fjalën “autik” si fyerje, ndjej dhimbje, revoltë dhe turp. Jo për veten time, por për një shoqëri që ende toleron një gjuhë që poshtëron më të ndjeshmit mes nesh.

Nuk është thjesht një “gabim retorik”. Është përçmim. Është mungesë ndjeshmërie. Është injorim i përpjekjeve të qindra familjeve që jetojnë çdo ditë me dashuri dhe sakrificë për fëmijët e tyre ndryshe.

Mos i quani “autikë” si fyerje.

Mos i quani “çyrykë” ata që nuk ju votojnë.

Mos fyeni njerëz që meritojnë më shumë nga një udhëheqës.

Kjo është kënetë. Por jo ajo që imagjinoni ju – kënetë është gjuha e urrejtjes, mendjemadhësisë dhe përbuzjes.

Dhe nga kjo kënetë, ne duhet të dalim – së bashku.

Dhe njëherë ju them

“Autik” nuk është fyerje. Është realitet i mijëra familjeve që luftojnë çdo ditë me dinjitet mes pamundësive që i kanos injorimi institucional.

Nëse një kryeshërbëtor i popullit e përdor si ofendim, Autik ,atëherë kënetë është fjala e tij – jo zgjedhja jonë.”

Nga NËNA e një djali AUTIK

Brixhida

sn

Deklaratat për autikët, profesor Edmond Tupja: Çnjerëzore, Rama i vuri vulën përbindshmërisë së tij!

Tashmë po shihet qartë që limitet e lajthitjes së kryesocialistit Edi Rama nuk kanë të ndalur, gjatë takimeve të tij elektorale në qytetet e Shqipërisë.

Këtë të martë gjatë një aktiviteti politik në kuadër të fushatës elektorale të 11 majit, Rama fyeu rëndë njerëzit me aftësi ndryshe, teksa u shpreh se: ‘Të zgjedhësh midis BE dhe kënetës, kënetën domethënë nuk je mirë, politikisht je autik, s’je mirë”, duke përdorur termin “autik” në një kontekst përçmues e diskriminues për këtë kategori vulnerabël të shoqërisë.

Për profesorin Edmond Tupja, një deklaratë e tillë vetëm sa i ‘vë vulën’, monstruozitetit të kryeministrit, që tregon qartë se ai urren jo vetëm veten e tij por edhe njerëzit në përgjithësi.

Në një intervistë ekskluzive për Syri, Tupja thotë se Rama nuk ka dhembshuri për njeri, duke shtuar faktin se ai është një personazh o neveritshëm dhe i rrezikshëm për psikozën e tij, jo vetëm kombëtarisht por edhe ndërkombëtarisht.

‘Për ata që kanë mend për të kuptuar e gjykuar kjo tregon se kemi një kryeministër çnjerëzor, në përmasa të jashtëzakonshme, nuk ka dhembshuri për njeriun. Ai ka një problem të madh me vetveten, urren edhe vetveten, edhe të tjerët i urren. Është shoqërisht i rrezikshëm, ndërkombëtarisht i rrezikshëm. Nuk ka dhembshuri për tjetrin, është sadist. Kjo është një fyerje për mua dhe prindërve me fëmijë ndryshe, që kanë defekte fizike ose psikike. Zhgënjyese dhe çnjerëzore. Kur hapa fjalorin një ditë, te fjala një epitet, përbindësh. Monstër. Përkufizimi i fjalës përbindësh në fjalor: ‘Njeri i pashpirt, mizor dhe i neveritshëm’. Me këtë që ka bërë ai, Edi Rama është i neveritshëm, më vjen për të vjellë. I vuri vulën përbindshmërisë së tij’, u shpreh profesor Edmond Tupja gjatë intervistës dhënë për gazetaren e Syri.

Të respektohet vullneti i elektoratit!- Nga Florim Zeqa

 

Kushtetuta dhe Rregullorja e Punës së Kuvendit i jep të drejt partisë fituese apo koalicionit parazgjedhor fitues që të propozojë kandidatin për Kryetar të Kuvendit, kurse partitë e tjera nuk e kanë të drejtën që t’ia rekomandojnë kandidatin, se cili bën e cili nuk bën të propozohet nga partia fituese.

 

Gracka në të cilën ranë të gjithë deputetët

 

Pra, askush nuk mund t’ia merrë të drejtën eksluzive partisë fituese kur është në pyetje zgjedhja e Kryeparlamentarit! Mirëpo partitë e tjera nuk duhet t’i përligjin gabimet që i bën pa vetëdije apo me rekomandim kryesuesi i seancës konstituive siq ndodhi herën e fundit (të henën e 21 priilit), kur ai e mbylli seancën pa e konsumuar të drejtën e votimit të deputetëve, duke e paragjykuar votimin pro apo kundër kandidates në fjalë!

Të gjithë deputetët pa dallime partiake u bënë bashkëpjesëmarrës me vetëdije në shkeljen e rëndë kushtetuese të kryesuesit provizor, z. Avndi Dehari, i cili edhe mund të ketë gabuar pavetëdije siq e ceka në fillim! Kjo le të mbetet në ndërgjegjën e tij njerëzore!

Por, kjo ishte gracka në të cilën ranë të gjithë deputetët pa dallim!

Në fakt, kjo e dëshmon qëllimin që e kanë të gjitha partitë politike-atë të shkuarjes në zgjedhje të jashtëzakonshme e jo të gjetjes së zgjidhjes konsesuale për zhbllokimin e ngërçit politik për formimin e shpejtë të institucioneve të reja shtetërore!

Për këtë “naivitet” të koordinuar, të gjitha partitë politike pa dallim duhet të ndëshkohen në zgjedhjet eventuale të jashtëzakonshme, per faktin se asnjëra prej tyre nuk është duke e mbrojtur interesin e shtetit dhe të qytetarëve, por vetëm interesat meskine të liderëve partiak!

 

T’i respektojmë rregullat demokratike

 

Pa dyshim, gjëja më e turpshme që është duke ndodhur në këtë interval kohor të vakumit institucional, është gara e pashëmbullt e partive politike me akuza të ndërsjella për ‘bashkëpunim të këtij apo të atij lideri partiakë me Serbinë’!

Leni këto përralla të shëmtuara politike. Kosova është tepër e vogël për të bërë krahasime të tilla! Secili njihemi në njëfarë mënyre me secilin, andaj është e turpshme të veprohet me lojën e pandershme të “patriotit” dhe “tradhtarit”, ngase dihet mirëfilli kontributi i secilit në të gjitha etapat historike, duke filluar nga periudha e shteformimit të viteve të ’90-ta, luftës së lavdishme çlirimtare dhe shtetndërtimit!

 

Të mësohemi ta dëgjojmë dhe ta respektojmë vullnetin e qytetarëve të dalë nga zgjedhjet e lira dhe demokratike. Cilën parti dhe cilin liderë e ka përzgjedhë populli ta respektojmë deri në zgjedhjet e radhës, siq e respektojmë zgjedhjen e secilit deputet pa dallime partiake.

 

Dom Gjergj Meta publikon videon: Fëmija i fundit që takoi Papa Françeskun është shqiptar

Fëmija i fundit që ka takuar Papa Françeskun në sheshin e Shën Pjetrit ditën e Pashkës quhet Hera Çoba, vajza e Nikoll Çobës dhe Franga Prengës, me origjinë nga fshati Jubë i Durrësit e që jetojnë në Gjermani.

Këtë e shkruan vetë Dom Gjergj Meta, i cili publikon edhe videon e postuar nga prindërit e Herës: “Vijnë nga një familje e nderuar me të cilën njihemi me qindra vjet, duke qenë se na ndan vetëm lumi Erzenit nga fshati ku kam jetuar edhe unë.

Ma dërgoi sot vetë babai i Herës, Niku, dhe më lejuan ta publikoj. I falënderoj dhe i urojmë jetë të gjatë Herës së vogël e pastë bekimet e Zotit…” bw

Si të dilet nga ngërçi në Kuvend?

Bekim Bislimi

Në rast se partitë politike nuk arrijnë një marrëveshje apo kompromis për votimin e kryetarit të Kuvendit të Kosovës dhe nënkryetarëve të tij, ato rrezikojnë ta bllokojnë konstituimin e këtij institucionit ligjvënës dhe ta fusin vendin në ngërç institucional, thonë njohësit e çështjeve politike dhe kushtetuese.

Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës, e cila nisi më 15 prill, këtë të hëne u ndërpre për herë të katërt dhe për pasojë është shtyrë për të mërkurën në orën 10:00.

Lëvizja Vetëvendosje (LVV), partia fituese e zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit, si dhe tri partitë tjera, Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lidhja Demokratike e Kosovës(LDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), e kanë fajësuar njëra-tjetrën për bllokim të konstituimit të Kuvendit.

Lëvizja Vetëvendosje, e cila këmbëngul në propozimin që deputetja e saj, Albulena Haxhiu, të jetë kryetare e Kuvendit, ka kërkuar marrëveshje me partitë e tjera politike për këtë çështje, si dhe për zgjedhjen e nënkryetarëve të legjislativit.

Propozimi i LVV-së është kundërshtuar në vazhdimësi nga PDK-ja, LDK-ja dhe AAK-ja.

Kompromisi i mundshëm

Albert Krasniqi nga Demokraci Plus (D+) në Prishtinë, thotë për Radion Evropa e Lirë se në aspektin politik, konstituimi i Kuvendit gjendet në një bllokadë, për shkak të Lëvizjes Vetëvendosje, e cila nuk ka rritur t’i sigurojë 61 votat e domosdoshme nga deputetët, për ta miratuar propozimin e saj.

“Kur nuk i ke numrat, duket kompromis dhe nuk mund të imponosh kandidatë [për kryetar të Kuvendit]”, thekson Krasniqi.

Ai shton se, marrë parasysh refuzimin kategorik të propozimit të LVV-së nga tri partitë tjera, PDK-ja, LDK-ja dhe AAK-ja, partia fituese do të duhej të lëshonte pe.

“Do të duhej që Lëvizja Vetëvendosje të bënte përpjekje për të dialoguar me partitë politike, në mënyrë që të ketë një kandidat të përshtatshëm – së paku për shumicën e deputetëve – në mënyrë që ta zhbllokojë situatën”, thotë Krasniqi.

Mendim të ngjashëm ka edhe profesori i të Drejtës Kushtetuese, Mazllum Baraliu. Ai thekson se deri të mërkurën, kur pritet vazhdimi i seancës, partitë politike duhet ta gjejnë një kompromis, i cili do ta zhbllokonte ngërçin, në të cilin ka ngecur konstituimi i Kuvendit.

Kompromisi, sipas tij, nënkupton një marrëveshje që përfshin propozimet në pako, për kryetarin e Kuvendit dhe për pesë nënkryetarët, nga partitë shqiptare dhe të komuniteteve pakicë joserbe dhe serbe.

“Gjatë këtyre 48 orëve, të merren vesh [partitë politike] që në pako të gjejnë kompromis. Pra, nëse jo me këtë kandidat – që tri here i ka dështuar partisë apo koalicionit fitues – atëherë me ndonjë kandidat tjetër, i cili mund të jetë më i pranueshëm për partitë e tjera, si kryetar Kuvendi, si dhe për kandidatët për nënkryetarë”, thekson Baraliu.

Sipas Rregullores së Kuvendit të Kosovës, çdo ndërprerje e seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, nuk mund të zgjasë më shumë se 48 ore.

Përderisa PDK-ja dhe AAK-ja kanë sugjeruar se Lëvizja Vetëvendosje duhet ta propozojë një kandidat tjetër të pranueshëm për partitë politike, LDK-ka ka theksuar se nuk do ta votojë asnjë kandidat të LVV-së për kryeparlamentar.

Pse po kundërshtohet Haxhiu?

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, tha se Lëvizja Vetëvendosje duhet ta propozojë një kandidat tjetër të pranueshëm për partitë politike.

“Kandidatja Haxhiu nuk do ta ketë mbështetjen tonë, në asnjë rrethanë, në asnjë moment. Ajo është simbol i dështimit të kësaj qeverie në katërvjeçarin e kaluar. Krejt mandatin e ka pasur të përcjellë me skandale të ndryshme, prej zhdukjes së mostrave të Astrit Deharit e deri te ulja e buxhetit për mbrojtjen e çlirimtarëve në Hagë. Ka shumë, shumë, shumë dështime – në mesin e të cilave edhe ky ligji banal për qeverinë, i cili e ka lidhur nyje pikërisht Vetëvendosjen. Rruga është e qartë: duhet të ndryshohet kandidati, pastaj ndoshta mund të bëhet shumica”, tha Krasniqi më 21 prill.

AAK-ja ka thënë se nuk do ta votojë Albulena Haxhiun për kryetare të Kuvendit, por do ta mbështeste Saranda Bogujevcin apo Shqipe Selimin.

Çfarë në rast se nuk ka kompromis ndërmjet partive politike?

Mungesa e marrëveshjeje eventuale ndërmjet partive politike që do ta zgjidhte situatën për zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit, do ta thellonte edhe më tej ngërçin institucional.

Të këtij mendimi janë Krasniqi dhe Baraliu.

Siç thonë ata, në rast se nuk ka pajtim ndërmjet partive politike për zgjedhjen e kryetarit i Kuvendit edhe të mërkurën, nuk ka ndonjë kufizim ligjor që seanca konstituive të vazhdojë çdo 48 orë pas secilës ndërprerje, “deri në pafundësi”.

Krasniqi shpreh mendimin se Lëvizja Vetëvendosje mund të vazhdojë të mos propozojë një emër tjetër për kryetar Kuvendi.

“Nëse LVV-ja nuk propozon emër, atëherë kjo mund të kontestohet në Gjykatën Kushtetuese, për shkak se e drejta për të propozuar nuk nënkupton edhe të drejtën për të imponuar kandidat dhe, aq më pak, për të bllokuar konstituimin e Kuvendit”, thotë Krasniqi.

Por, të drejtën për t’iu drejtuar për çështje të caktuara Gjykatës Kushtetuese e kanë vetëm presidentja e Kosovës, avokati i popullit dhe Kuvendi i Kosovës.

Profesor Baraliu shpreh mendimin se para se ndonjëri nga institucionet eventualisht t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese, për çështjen e zhbllokimit të procesit të konstituimit të Kuvendit, mund të ndërhyjë presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Ai thekson se presidentja Osmani ka kompetencë kushtetuese që të garantojë mbarëvajtjen dhe “funksionimin kushtetues të institucioneve”.

“Në këtë rast mbarëvajtja nënkupton – edhe proceduralisht – fillimi dhe vazhdimi i konstituimit të Kuvendit. Mbi këtë bazë, ajo mund të intervenojë në çdo kohë”, theksoi Baraliu.

Megjithatë, ndërhyrja e presidentes në këtë rast është vetëm një lloj ndërmjetësimi ose ftese për partitë politike që të merren vesh për ta çuar në fund procesin e konstituimit të Kuvendit.

Në të kundërtën, sipas Baraliut, presidentja Osmani, Avokati i Popullit ose një grup deputetësh të Kuvendit, mund ta dërgojnë një kërkesë në Gjykatën Kushtetuese, “për vlerësim lidhur me kufizimin e afateve për konstituimin e Kuvendit, e sidomos për atë se a ka kufizime lidhur me përsëritjen e vazhdimit të seancës për çdo 48 orë”.

“Çfarë duhet bërë në këtë situatë? Gjykata [Kushtetuese] e ka pasur edhe një deklarim më herët që të mos bëhen pyetje të tilla ‘çka dhe si”. Por, duhet gjetur një formulim i duhur, në mënyrë që ta detyrojë Gjykatën që të japë një mendim adekuat dhe kompetent”, u shpreh Baraliu.

Radio Evropa e Lirë i është drejtuar Presidencës së Kosovës lidhur me këtë çështje, por deri në publikimin e këtij artikulli, nuk ka marrë përgjigje.

Javën e kaluar, Osmani kishte shprehur gatishmërinë e saj për të biseduar me partitë politike për rrugën përpara, nëse ato e shohin këtë të nevojshme.

Duke marrë për bazë mospajtimet ndërmjet partive politike lidhur me zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, nga Lëvizja Vetëvendosje, të hënën është thënë se duhet të thirren grupet politike, të konstituohet Kuvendi dhe më pas, të arrihet pajtimi që ai të shpërndahet dhe vendi të shkojë në zgjedhje.

Radio Evropa e Lirë

Papa Françesku, kreu i parë jezuit i Kishës Katolike

Papa Françesku u njoh për thirrjet për “një Kishë të varfër për të varfrit” dhe për afrim me komunitetet e margjinalizuara.

 

Merkhat Sharibzhanov

Papa Françesku, i lindur si Jorge Mario Bergoglio në Buenos Aires të Argjentinës, ka vdekur më 21 prill në moshën 88-vjeçare.

“Të dashur vëllezër e motra, ju njoftojmë me pikëllim të thellë se Papa Françesku ka vdekur”, tha kardinali Kevin Farrell përmes një njoftimi në kanalin televiziv të Vatikanit.

“Në orën 7:34 mëngjesin e sotëm, peshkopi i Romës, Françesku, u kthye në shtëpinë e Atit”, tha ai.

Si Papa i 266-të i Kishës Katolike Romane, ai ishte i pari prej kontinentit amerikan, dhe i pari i lindur jashtë Evropësn që u ngjit në krye të Selisë së Shenjtë, në më shumë se një mijëvjeçar.

Bergoglio, i biri i emigrantëve italianë, kishte punuar si teknik kimik para se t’iu bashkohej jezuitëve më 1958.

Ai ishte shuguruar si prift më 1969 dhe ishte bërë udhëheqës superior i jezuitëve të një province të Argjentinës në periudhën 1973-1979.

Më 1988, ai ishte emëruar peshkop i Buenos Airesit. Tre vjet më vonë, Papa Gjon Pali II e kishte ngritur atë në Kolegjin e Kardinalëve.

I zgjedhur Papë më 2013, pas dorëheqjes së Papa Benediktit XVI, ai e zgjodhi emrin Françesk, për të nderuar Shën Françeskun e Asizit, duke pasqyruar angazhimin e tij ndaj përulësisë dhe të varfërve.

Pap duke kremtuar një meshë të shenjtë në një shesh të Budapestit.

Pap duke kremtuar një meshë të shenjtë në një shesh të Budapestit.

Periudha e tij në krye të Selisë së Shenjtë kujtohet për fokusin në mëshirë, në drejtësinë sociale dhe kujdesin mjedisor.

Më 2015, Papa Françesku publikoi enciklikën “Laudato si”, duke bërë thirrje për veprim global për t’i luftuar ndryshimet klimatike dhe për kujdes ndaj ambientit.

Ai i kushtoi rëndësi edhe dialogut ndërfetar, duke nënshkruar Dokumentin për Vëllazërinë Njerëzore, bashkë me imamin e Al-Azharit në Egjipt, Ahmed el-Tayebin, më 2019, një marrëveshje e rëndësishme për promovim të paqes dhe bashkekzistencës mes besimeve të ndryshme.

Papa Françesku u njoh për thirrjet për “një Kishë të varfër për të varfrit” dhe për afrim me komunitetet e margjinalizuara.

Ai bëri përpjekje për të reformuar sistemin financiar të Vatikanit dhe për t’i adresuar abuzimet seksuale të klerikëve brenda institucionit të Kishës.

Më 2025, ai publikoi autobiografinë “Shpresa”, duke ofruar më shumë hollësi për jetën e tij dhe misionin.

Në vitet e fundit, Papa Françesku ishte përballur me disa komplikime shëndetësore.

Papa në një takim me komunitetet indigjene në Kanada.

Papa në një takim me komunitetet indigjene në Kanada.

Më 2021, ai i ishte nënshtruar një operimi në zorrën e trashë, ndërsa më 2023 ka pasur një operim tjetër në abdomen për të trajtuar herninë.

Ai ishte përballur edhe me dhimbje kronike të gjurit dhe shpinës, dhe shpesh kishte përdorur karrige lëvizëse.

Pavarësisht këtyre komplikimeve, ai pati agjendë të ngarkuar, dhe i kreu detyrat e një pape, si dhe udhëtoi nëpër botë.

Në fillim të vitit 2025, ai u shtrua në spital për shkak të një infeksioni në traktin e frymëmarrjes, çka më vonë i rezultoi me pneumoni të dyfishtë.

Gjendja e tij ishte e rënduar, duke e detyruar të qëndronte ditë të tëra në spital.

Radio Evropa e Lirë

Përgatiti: Krenare Cubolli

Send this to a friend