VOAL

VOAL

Grubi: Presim që zgjedhja e kryetarit të Kuvendit të shpallet në Gazetën Zyrtare

May 2, 2017

Komentet

Tragjedia e Koçanit, Papa Françesku mesazh ngushëllimi familjarëve të viktimave

Përmes një telegrami të nënshkruar nga Sekretari Kardinal i Shtetit, Pjetro Parolin, Papa Françesku ka shprehur ngushëllimet e tij pas zjarrit në një klub nate në Maqedoninë e Veriut, ku humbën jetën 59 persona, kryesisht të rinj.

Papa shprehu “ngushëllime të thella për familjet e viktimave” si dhe “afërsinë e tij shpirtërore me të lënduarit”, thuhet në telegramin dërguar peshkopit të Shkupit Kiro Stojanov. bw

Tragjedia- Tensionohet situata në spitalin e Koçanit, familjarët kërkojnë të afërmit e tyre. Qeveria shpall 7 ditë zie

Pas publikimit të shifrave të viktimave nga tragjedia e ndodhur në një diskotekë në Koçan, në Maqedoninë e Veriut, familjarët e personave që dyshohet se kanë qenë brenda godinës, kërkojnë informacion për të afërmit e tyre. Sic njofton TV Alsat, situata duket e tensionuar në spitalin e Koçanit.

Sipas ministrisë së Brendshme, dyshohet se nga zjarri që përfshiu godinën kanë humbur jetën 59 persona  dhe 155 janë plagosur. Qeveria maqedonase, në mbledhjen e sotme të jashtëzakonshme, mori vendim për shpalljen e 7 ditëve zie në mbarë vendin.

“Të gjithë duhet t’i binden vendimit, pasi dënimet për mosrespektim do të jenë të rënda. Në këto ditë Ministria e Jashtme do të hapë një libër zie brenda ministrisë për aksidentin e madh të ndodhur”, thuhet në njoftim.

Gjithashtu, në seancën e Qeverisë u mor vendim që Inspektorati Shtetëror i Tregut të kryejë kontroll të jashtëzakonshëm në objektet hotelierike (klube nate, diskoteka dhe diskoteka të hapura) në territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe të njoftojë menjëherë Qeverinë për konstatimet e inspektimit në tre ditët e ardhshme, për të përcaktuar nëse ato janë në përputhje me kushtet.

Qeveria mori vendim për aktivizimin e mekanizmit për kërkimin e ndihmës ndërkombëtare. bw

Të paktën 50 persona të vdekur si pasojë e zjarrit në një klub nate në Maqedoninë e Veriut

Radio Evropa e Lirë

Të paktën 50 persona kanë vdekur në orët e vona të natës në qytetin lindor të Maqedonisë së Veriut, Koçan, si pasojë e shpërthimit të zjarrit në një klub nate, kanë thënë autoritetet maqedonase për agjencinë e lajmeve MIA.

Numri i të plagosurve nuk dihet, por një pjesë e tyre janë transferuar në klinikat në Shtip dhe Shkup.

Autoritetet ende nuk kanë treguar se si është përhapur zjarri dhe çfarë e ka shkaktuar atë.

Sipas mediave lokale, zjarri është përhapur nga mjetet piroteknike që janë përdorur gjatë një performance nga bendi maqedonas DNA. Në kohën e shpërthimit dhe përhapjes së zjarrit, klubi ka qenë i mbushur me njerëz.

Mediat lokale kanë thënë se pas shpërthimit të zjarrit, në vendin e ngjarjes kanë arritur zjarrfikësit, ambulanca, dhe zyrtarët policorë.

Këtë mëngjes, shumë njerëz janë parë përpara objektit në Koçan, tejet të brengosur për familjarët e tyre, meqë nuk e dinë nëse janë të gjallë apo të vdekur.

“Po kërkoj mbesën time. Nuk po na lejojmë të hyjmë dhe nuk e dimë ku është ajo. Telefoni i saj është duke punuar, por ajo nuk po përgjigjet. Ishim në spitalin në Koçan, në Shtip, disa njerëz i kanë dërguar në Shkup. Ndoshta është e plagosur dhe nuk mund të përgjigjet. Dikush duhet të na tregojë me urgjencë ku të kërkojmë”, ka thënë një grua për Radion Evropa e Lirë.

Drejtori i Qendrës për Menaxhim të Krizave, Stojançe Angellov ka bërë të ditur se është në Koçan, bashkë me ministrin e Mbrojtjes, Pançe Toshkovski dhe Drejtorin e Byrosë për Siguri Publike, Aleksandar Janev.

Autoritetet kanë thënë se do të deklarohen më vonë gjatë ditës.

BDI: Ligji për përdorimin e shqipes është miratuar mbi gjakun e dëshmorëve, s’do të lejojmë të ndryshohet

Nga BDI në një komunikatë për media theksojnë se si parti politike do të përdorin çdo mjet demokratik dhe institucional për të mbrojtur Ligjin për Përdorimin e Gjuhës Shqipe, pasi që siç thonë, është miratuar mbi gjakun e dëshmorëve.

Nga BDI theksojnë se nuk do të lejojnë të ndryshohet asnjë shkronjë pavarsisht kostos politike.

Deklarata e plotë e BDI-së.

“BDI riafirmon përkushtimin e saj të palëkundur për mbrojtjen e Ligjit për Përdorimin e Gjuhës Shqipe, një arritje e shenjtëruar nga sakrificat e dëshmorëve tanë.

Ne sigurojmë qytetarët se do të përdorim çdo mjet demokratik dhe institucional për të mbrojtur këtë ligj, edhe nëse kjo çon në një krizë të thellë politike.
Deklaratat e partive shqiptare të zgjedhura nga VMRO që synojnë të minojnë këtë përkushtim tregojnë pafuqinë, impotencën politike, servilizmin dhe inferioritetin e tyre ndaj partnerëve që i kanë zgjedhur për të shkelur mbi vullnetin e shqiptarëve.

BDI nuk do të lejojë që asnjë shkronjë e Ligjit për Përdorimin e Gjuhës Shqipe të ndryshohet, pavarësisht kostos politike, sepse ky ligj është miratuar mbi gjakun e dëshmorëve.

Sa i përket zgjedhjeve lokale, BDI është e gatshme të përballet në çdo kohë dhe nuk i konsideron këta frikacakë si kundërshtarë politikë.

Çdo shqiptar dhe qytetar e di, ashtu siç e dinë vetë udhëheqësit e VLEN-it se fati i tyre politik është i lidhur drejtëpërdrejtë nëse do e marrin ose jo mbështetjen e VMRO-s për kandidatët e tyre, andaj dhe janë të gatshëm të paguajnë çdo çmim dhe të shkelin mbi çdo interes kombëtar.

Ata po të ishin të denjë për t’u matur me ne nuk do të luteshin natë e ditë që padroni i tyre të mos pranojë zgjedhje të parakohshme parlamentare.

Ata e kanë kuptuar se ndëshkimi i shqiptarëve i pret, ashtu siç i presin faqet më të errëta të historisë bashkëkohore të shqiptarëve”.

Mickoski përkujtoi viktimat maqedonase të Holokaustit: Të mos lejojmë që e kaluara të përsëritet

Kryeministri Hristijan Mickoski mbajti fjalim në Qendrën Përkujtimore të Holokaustit të Hebrenjve të Maqedonisë.

Mickoski tha se mbi 7.000 hebrenj maqedonas u dëbuan në kampin Treblinka, ndaj nuk duhet kurrë të harrohet historia dhe ngjarjet e kaluara.

“Sot qëndrojmë me respekt, pikëllim dhe shpresë, duke kujtuar viktimat e Luftës së Dytë Botërore dhe tragjedinë e Holokaustit, që nuk e kurseu as Maqedoninë. Mbi 7000 hebrenj maqedonas u dëbuan në kampin Treblinka dhe jeta, historia dhe kultura e tyre u ndërprenë me forcë. Por historia nuk është vetëm një kujtim, është një mësim.

Detyrimi ynë është të ruajmë të vërtetën, t’i rezistojmë harresës dhe të ndërtojmë një shoqëri të bazuar në tolerancë, drejtësi dhe respekt të ndërsjellë. “Kurrë më” nuk është thjesht një frazë, është një premtim. Të mos lejojmë që e kaluara të përsëritet. I përjetshëm qoftë kujtimi i viktimave”, ka shkruar Mickoski në profilin e tij në Facebook. sn

Duke pritur Brukselin, Mickoski lidhet me një kamp tjetër

Kryeministrat e Hungarisë dhe Maqedonisë së Veriut, Viktor Orban dhe Hristijan Mickoski. Budapest, 04.03.2025

 

Zorana Gaxhovska Spasovska

Diplomacia në Maqedoninë e Veriut ka marrë një drejtim të ri – nuk heq dorë nga BE-ja, por po afrohet me vende që nuk janë në të njëjtën linjë me qëndrimet diplomatike të vendeve anëtare të Unionit, komentojnë analistët politikë për Radion Evropa e Lirë. Aktivitetet e fundit diplomatike në Uashington, Budapest dhe Stamboll interpretohen si një përpjekje për t’u inkuadruar në rigrupimin e ri global.

Kryeministri maqedonas, Hristijan Mickoski, vendosi që aktivitetet e tij diplomatike t`i forcojë në qendra të tjera botërore, në vend të Brukselit, pas vendimit për të pritur garanci nga Bashkimi Evropian (BE) se nuk do të ketë kërkesa të reja nga Qeveria bullgare për të bërë hapin e fundit drejt hapjes së kapitujve të negociatave të anëtarësimit.

Nga selia e BE-së përgjigja mbetet e njëjtë – negociatat formalisht do të fillojnë me përfshirjen e bullgarëve në Preambulën e Kushtetutës.

Vetëm javën e kaluar, Mickoski arriti një bashkëpunim të ngushtë me Hungarinë dhe Turqinë dhe ishte bashkësponsor i rezolutës së propozuar nga Shtetet e Bashkuara për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, në të cilën Rusia nuk u përmend si agresor.

Në takimin në Budapest, me presidentin hungarez, Viktor Orban, u njoftua një zonë e re e përbashkët ekonomike midis Maqedonisë së Veriut, Hungarisë dhe Serbisë.

“Ky nuk është një zëvendësim për integrimin (në BE), por mund të konsiderohet si një çmim ngushëllimi për ndërtimin e një rajoni të përbashkët me Serbinë dhe Maqedoninë e Veriut”, tha Orban në konferencën e përbashkët për shtyp.

Më 28 shkurt, Mickoski nënshkroi një deklaratë të përbashkët politike me presidentin turk Rexhep Tajip Erdogan për krijimin e një Këshilli për Bashkëpunim të Nivelit të Lartë. Erdogan tha se përveç bashkëpunimit ekonomik, me Mickoskin diskutuan edhe për çështje tjera globale, si konfliktet ushtarake në Ukrainë dhe Gaza.

“Këtu shkëmbyem disa mendime dhe për ne është thelbësore që në Ukrainë të vazhdojë dialogu dhe të zgjidhet ky problem në mënyrë paqësore. Për më tepër, në Palestinë kemi një mendim të përbashkët për krijimin e dy shteteve”, tha Erdogan.

Më herët, më 22 shkurt, Qeveria maqedonase ishte bashkësponsore e rezolutës së OKB-së, e propozuar nga SHBA-ja, për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë. Përfaqësuesit nga Maqedonia e Veriut në OKB votuan të përmbajtur si për rezolutën evropiane, ashtu edhe për atë amerikane.

Këto lëvizje diplomatike të Mickoskit kanë ngritur pyetje në publik nëse politika e jashtme maqedonase po ndryshon drejtim, përkatësisht nëse po largohet nga rruga e integrimit evropian, duke u afruar me partnerë strategjikë që nuk janë gjithmonë në të njëjtën linjë diplomatike me diplomacinë evropiane.

Mes SHBA-së dhe BE-së

Sipas ish-ambasadorit të Maqedonisë së Veriut në Uashington, njëherësh edhe profesor universitar, Vasko Naumovski, qëllimi strategjik i vendit është integrimi evropian, por ndërkohë po përpiqet të ndjekë një politikë të jashtme më autonome, pasi formalisht ende nuk i ka filluar negociatat për anëtarësim në BE.

“Nëse Maqedonia (e Veriut) do t’i kishte filluar negociatat për anëtarësim, atëherë vetë BE-ja do të mund të ushtronte presion që Maqedonia (e Veriut) të harmonizohej me qëndrimet e saj. Por, në këtë situatë është e vështirë të thuhet nëse ekziston një qëndrim unik i të gjithë Bashkimit Evropian për çështjet kyç, duke ditur se një pjesë e mirë e vendeve anëtare të BE-së nuk janë konsistente në qëndrimet e tyre”, thotë Naumovski.

Ai vlerëson se marrëdhëniet që ka vendi me BE-në duhet të vazhdojnë në kuadër të zgjerimit të Unionit, por sa i përket çështjeve të politikës së jashtme, afrimi me qëndrimet e SHBA-së do të thotë që vendi të ketë një pozicion që nuk do të jetë gjithmonë i përputhshëm me shumicën e vendeve anëtare të BE-së.

“Pozicioni ynë duhet të kërkohet diku ndërmjet qëndrimeve të SHBA-së dhe BE-së”, shton Naumovski.

Në anën tjetër, profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Nenad Markoviq, vizitat dhe takimet e shpeshta të Mickoskit me politikanë nga Uashingtoni, Budapesti dhe Stambolli i sheh në kuadër të filozofisë sovrane të veprimit.

Rigrupimi i kampeve

Blloku sovran është një aleancë politike e caktuar, ndonjëherë edhe joformale, e partive ose individëve që përqendrohen në mbrojtjen dhe forcimin e sovranitetit kombëtar.

Markoviq vëren se në atë bllok politik ekziston një lloj koordinimi ose marrëveshjeje për hapat e ardhshëm të përbashkët. Për të, kjo është e pritshme, duke pasur parasysh se VMRO-DPMNE-ja dhe Mickoski e sinjalizuan këtë që para zgjedhjeve.

“Është shumë e qartë se mesazhi nga Qeveria jonë është se nuk mbështetet shumë në BE, se nuk mbështetet shumë në ndonjë qëndrim të përbashkët, pra se iniciativat do të jenë bilaterale ose multilaterale në bllokun politik që përmenda më parë. Është e qartë se kampet politike po rigrupohen në nivel global dhe ne po lidhemi me një kamp krejtësisht të ndryshëm, në një mënyrë që deri tani është mjaft e re dhe e paeksploruar. Do të shohim se cilat do të jenë rezultatet”, thotë Markoviq.

Analisti politik Bllagojçe Atanasovski mendon se kryeministri Mickoski dhe ministri i jashtëm Timço Mucunski, po largohen nga BE-ja.

“Ky është përfundimisht një impuls për një kurs të ri, pra braktisja e konceptit të integrimeve evropiane”, thotë Atanasovski.

Por, Markoviq mendon se aktivitetet e shtuara diplomatike në Uashington, Budapest dhe Stamboll nuk përfaqësojnë “kthim shpine ndaj BE-së”, por një përpjekje për të gjetur një ekuilibër midis dy rrëfimeve në politikën e jashtme.

“Ajo që më pak ose më shumë me sukses po bëjnë (Aleksandar) Vuçiqi, deri diku edhe (Viktor) Orbani, me atë që Orban vepron pak më radikalisht nga brenda, pak më ndryshe. Serbia dhe Maqedonia (e Veriut) nuk janë në BE, kështu që duhet të kenë pak më shumë takt dhe më shumë ndjeshmëri për këto çështje. Megjithatë, mesazhi është i qartë – Ne mendojmë se më tej nuk mund të vazhdohet nën këto kushte, dhe e vendosim atë në një lloj stand-by politik, duke u përpjekur të lidhemi me një rrëfim tjetër. Si do ta përjetojë këtë BE-ja mbetet të shihet”, thotë Markoviq.

Për Naumovskin, strategjia e re diplomatike e Qeverisë nuk është arsye për largim nga rruga evropiane, por përkushtimi i pamjaftueshëm i vetë vendeve anëtare të Unionit ndaj procesit të zgjerimit.

Normalja e re

Për vetëm tetë muaj, sa është në detyrë, Mickoski e ka vizituar tri herë Uashingtonin, përfshirë këtu edhe inaugurimin e presidentit amerikan Donald Trump.

Pas pjesëmarrjes në Konferencën për Veprim Politik Konservator (CPAC) në Uashington, Mickoski deklaroi se nga atje “vjen normalja e re” dhe ai dëshiron të jetë i pari që e kap atë.

“Duhet të zëmë terrenin dhe të gjejmë veten në normalen e re, kjo është fushata ime. Nga ana tjetër, duhet të themi se cili është frustrimi dhe dhimbja jonë”, tha Mickoski në Konferencën në Uashington.

Më parë, në janar, kryeministri maqedonas mori pjesë në inaugurimin e Donald Trumpi, dhe ishte në Uashington në fillim të mandatit të tij duke udhëhequr delegacionin që mori pjesë në Samitin e NATO-s.

Ndërkohë, gjatë mandatit të tij pas fitores në zgjedhjet e majit 2024, u mbajtën dy konferenca ndërqeveritare me të ashtuquajturin “partner i pabindur i BE-së”, Hungarinë, një vend nga i cili Qeveria e Mickoskit mori një kredi prej një miliard eurosh. E para ishte në shtator në Ohër, dhe e dyta u mbajt më 4 mars në Budapest.

Gjatë diplomacisë së intensifikuar të autoriteteve maqedonase, fokusi është edhe te bashkëpunimi ekonomik.

Sipas të dhënave nga Enti Shtetëror i Statistikave, eksporti i Maqedonisë së Veriut në Hungari vitin e kaluar ishte 308 milionë dollarë, ndërsa importi i produkteve hungareze në vend ishte 232 milionë dollarë.

Produktet që arritën në tregun amerikan vitin e kaluar ishin me një vlerë totale prej 118 milionë dollarësh, ndërsa importi i produkteve amerikane në tregun e Maqedonisë së Veriut ishte 196 milionë dollarë.

Ndryshe nga këto dy vende, shkëmbimi tregtar turko-maqedonas është më i madh. Importi i produkteve turke vitin e kaluar ishte 816 milionë dollarë, ndërsa eksporti 165 milionë dollarë. Erdogan deklaroi se pret që këtë vit këto shifra të dyfishohen.

Partneri më i madh tregtar i Maqedonisë së Veriut vitin e kaluar ishte Gjermania. Gjithsej 40 për qind e të gjithë eksportit maqedonas të produkteve përfundon në tregun gjerman. Gjatë vitit të kaluar ky eksport ishte 3.3 miliardë dollarë, ndërsa importi maqedonas i produkteve gjermane ishte 1.3 miliardë dollarë.

Radio Evropa e Lirë

Përgatiti: Enis Shaqiri

Shkup: Akuza mes partive shqiptare për diskriminim në mbrojtje dhe ushtri

Enis Shaqiri

Partia opozitare shqiptare, Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka reaguar më 7 mars lidhur me mungesën, për siç tha, të përfaqësimit shqiptar në pozitat kryesore të ushtrisë së Maqedonisë së Veriut, për herë të parë që nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Ohrit.

Këto pretendime u ngritën pas ndryshimeve në strukturat komanduese të ushtrisë, të nënshkruara një ditë më parë nga presidentja maqedonase, Gordana Silanovska-Davkova.

Sipas BDI-së, Agjencia e Inteligjencës, Agjencia për Siguri Kombëtare dhe Agjencia Ushtarake nuk kanë asnjë shqiptar në pozita udhëheqëse, duke e cilësuar këtë si një “kërcënim serioz për sigurinë e shtetit dhe një formë të spastrimit etnik në sistemin e sigurisë”.

“Në këtë situatë alarmante, partitë shqiptare në Qeveri duhet të ndërpresin rolin e avokatit të politikave antishqiptare dhe përjashtuese. Shqiptarët nuk do mbesin spektatorë, por do reagojnë për të mbrojtur veten dhe interesat e tyre”, kumtuan të premten nga BDI.

Ndërkohë, sipas njoftimit të kabinetit të presidentes Silanovska-Davkova, me dekretet e nënshkruara, shefi i shtabit në Komandën e Operacioneve, gjeneral Mirce Gjorgoski, është emëruar komandant i Komandës së Operacioneve në Shtatmadhorinë e Ushtrisë, ndërsa gjeneral Orce Jordevi është emëruar drejtor i Shtatmadhorisë së Ushtrisë.

“Gjenerali i brigadës, Simeon Trajkovski, drejtori aktual i Shtatmadhorisë së Ushtrisë, është emëruar këshilltar i shefit të Shtatmadhorisë së Ushtrisë për trajnim, ushtrime dhe mësime të mësuara”, thuhet në njoftim.

BDI ka ngritur gjithashtu shqetësime mbi integritetin e dy gjeneralëve të emëruar, Orce Jordev dhe Mirce Gjorgevski, duke pretenduar se ata kanë marrë përgjigje negative edhe nga NATO-ja për certifikatat e sigurisë. Kurse nga Aleanca për Shqiptarët – krahu i Ziadin Selës – akuzuan se gjenerali Jordev, ka lidhje me strukturat ruse.

“Maqedonia e Veriut është anëtare e NATO-s, ndërsa Jordev nuk mori certifikatën e NATO-s katër vjet më parë, sepse ishte i lidhur me strukturat ruse përmes ‘Ujqërve të Natës’, thanë nga ASH – Sela.

Ndërkohë, Besnik Emini, i cili deri tani ishte komandant në Komandën e Operacioneve në Shtatmadhorinë e Ushtrisë, është emëruar këshilltar shtetëror për politikë dhe planifikim në Drejtorinë për Politikë dhe Planifikim, menaxhimin e krizave dhe bashkëpunimin civilo-ushtarak në Ministrinë e Mbrojtjes.

Nga BDI thanë se zhvendosja e gjeneralit Emini nga posti i Komandantit të Komandës së Operacioneve, pozitë që sipas partisë përfshin rreth 80% të kapaciteteve operative të ushtrisë, drejt një pozite administrative në Ministrinë e Mbrojtjes, përbën “goditje serioze ndaj rolit të shqiptarëve në ushtri”.

Partia i bëri thirrje NATO-s dhe aleatëve ndërkombëtarë që të reagojnë ndaj këtyre veprimeve dhe të sigurojnë që Maqedonia e Veriut të mbetet e angazhuar ndaj vlerave demokratike dhe partneriteteve strategjike.

Nga kabineti i Silanovska-Davkovas nuk kanë komentuar këto pretendime, por në njoftimin për emërimet thuhet se dekretet hyjnë në fuqi menjëherë dhe se emërimet janë bërë në përputhje me dispozitat e Ligjit të Mbrojtjes.

Po ashtu, nga Zyra e presidentes maqedonase informuan se kolonel Lulzim Nuredini është emëruar komandant i Komandës së Stërvitjes dhe Doktrinës dhe me dekret të Presidentit është ngritur në gradën gjeneral brigade.

“Vendosja e një oficeri shqiptar në një pozicion me ndikim të kufizuar nuk kompenson përjashtimin e udhëheqësve shqiptarë nga komandat operative kritike”, shtuan nga BDI.

Në Maqedoninë e Veriut ka pasur dy ministra të Mbrojtjes shqiptarë në vitet 2011-2014. Partneri shqiptar i VMRO-DPMNE-së, koalicioni VLEN, akuzoi BDI-në se gjatë kohës që ata ishin në pushtet nuk ka pasur më shumë se dy gjeneralë shqiptarë.

“Por, tani me VLEN-in në pushtet, kemi tre gjeneral shqiptarë për tetë muaj qeverisje. BDI duhet ta kuptojë dhe pranojë se ne po avancojmë shqiptarët, por edhe ashpër po luftojmë krimin dhe korrupsionin. Tani, nuk kanë faj një popull i tërë shqiptar të durojë gënjeshtrat e shpifjet e tyre, që një grusht njerëzisht nga klani i turpit janë të korruptuar e të rrezikuar aktualisht”, thanë nga VLEN.

Zëvendësministri i Mbrojtjes, Bashkim Hasani, nga ky koalicion, gjatë një bisede me Zërin e Amerikës, në janar të këtij viti, deklaroi se shqiptarët në hierarkinë ushtarake përfaqësohen me 50 për qind.

Megjithatë, ka paqartësi rreth numrit të drejtuesve të sektorëve në Ministrinë e Mbrojtjes.Në faqen e internetit të kësaj ministrie nga 18 emra që figurojnë, dy duket të jenë shqiptarë, teksa shumica e tyre në këto poste janë të autorizuar, që nënkupton ushtrimin e përkohshëm të detyrës.

Në Maqedoninë e Veriut po planifikohet edhe hapja e një konkursi për pranimin e 300 ushtarëve, dhe pritet të publikohet së shpejti. Kryeministri maqedonas, Hristijan Mickoski, theksoi se gjatë përzgjedhjes nuk do të merren parasysh kuotat etnike, por do të pranohen të gjithë ata kandidatët që plotësojnë kushtet e konkursit.

“U bëj thirrje të gjithë qytetarëve, pa dallim etnie, të gjithë ata që duan të përfshihen në sistemin e sigurisë. Dhe këtu nuk ka përqindje, kushdo që plotëson kushtet, do të pranohet. Të gjithë ata që duan të marrin pjesë në mbrojtjen e atdheut të tyre”, tha Mickoski, të mërkurën.

Buxheti i Ministrisë së Mbrojtjes së Maqedonisë së Veriut për vitin 2025 është rreth 332 milionë euro, një rritje prej rreth 5.2 milionë euro krahasuar me vitin 2024. Maqedonia e Veriut është anëtare e NATO-s që nga 27 marsi 2020, pas marrëveshje për ndryshimin e emrit kushtetues të shtetit nga Republika e Maqedonisë në Republika e Maqedonisë së Veriut, pas vitesh mosmarrëveshjeje mes Athinën, pasi Greqia pretendon se një prej rajoneve të saj quhet Maqedoni. REL

Shkup, qeveria kërkon shkarkimin e kryeprokurorit

VOA Isak Ramadani

Qeveria e Maqedonisë së Veriut miratoi sot propozimin për shkarkimin e Prokurorit të Përgjithshëm, ndërsa pret që shkakrimin ta bëjë Këshilli i Prokurorëve. Qeveria e kryeministrit Hristijan Mickovski vlerëson se kryeprokurori Lupço Kocevski po punon jashta normave ligjore dhe se ka dëmtuar imazhin e gjyqësorit. Nëse Këshilli nuk e shkarkon zotin Kocevski, atëherë çështja do të kalojë në parlament, ku nevojitet gjysma e numrit të ligjvënësve për shkarkimin e tij nga detyra. Opozita e shikon këtë si një ndërhyrje në pavarësinë e gjyqsorit nga ana e VMRO-së zotit Mickovski.

Qeveria e Maqedonisë së Veriut ngulë këmbë për shkarkimin e Prokurorit të Përgjishëm, Lupço Kocevski, por procedurat ligjore për këtë duket se nuk janë të thjeshta dhe çështja mund të zvarritet me javë madje dhe muaj.

Kryeministri Hristijan Mickovski thekson se kryeprokurori nuk ka treguar efikasitet në punën e tij; se ka vepruar në mënyrë të jashtëligjshme dhe nën ndikim të politikës; se ka rrënuar imazhin dhe besueshmërinë e prokurorisë, teksa dyshon dhe për veprime që ndërlidhen me korrupsionin.

Qeveria nuk mund ta shkarkojë kryeprokurorin, por i kërkon Këshillit Republikan të Prokurorëve ta bëjë këtë.

“Ligji është i qartë. Nuk mundemi ne si qeveri ta shkarkojmë, por pasi t’ia kemi dërguar kërkesën Këshillit të Prokurorëve duhet të presim 15 ditë përgjigjen”, tha zoti Mickovski.

Këshilli, ndërkaq pret argumente të qëndrueshme nga qeveria për të marrë një vendim lidhur me kërkesën për shkarkimin e zotit Kocevski.

Kryeprokurori Kocevski i hedh poshtë akuzat, ndërsa është shprehur për median në Shkup se ka zbatuar ligjin dhe “nëse dëshmohet shkelja e rregullave dhe ligjeve” nga ana e tij, ai “vetë do të largohej nga detyra”.

Profesori Mersim Maksuti nga Universiteti i Tetovës në një bisedë me Zërin e Amerikës shpjegon se është Parlamenti si institucion i fundit që mundet ta shkarkojë ose jo kryeprokurorin, meqë ai është zgjedhur nga ligjvënsit. Ndërkohë, zoti Maksuti analizon atë që konsiderohet si ndërhyrje e politikës në këtë përpjekje:

”Kjo është çështja më e ndjeshme, aq më tepër kur një procedurë, një nismë e tillë vjen vetëm pas një viti nga zgjedhja e tij në krye të Prokurorisë Publike të vendit. Është një çështje mjaft e diskutueshme, edhepse në radhë të parë duket sikur ka ndërhyrje politike për arsye se vërtet prokuroria është një organ i mvetësishëm me ligj, por shikuar në përgjithësi nuk është aq lehtë për t’u shpjeguar sepse prokuroria nuk është pushteti gjyqsor, nuk është gjykatë. Gjykatat kanë pushtetin absolut me kushtetiutë, ndërsa prokuroria, në një mënyrë nuk është krejtësisht e pavarur ndonëse e mvetësishme. Kjo do të thotë se veprimi i prokurorisë varet nga organet tjera të ekzekutivit”, thotë z. Maksuti.

Nga ana tjetër, eksperti i çështjeve ligjore, Maksuti sikundër dhe një numër kolegësh të tij theksojnë nevojën e reformave të mirëfillta në gjyqësor.

Sipas sondazheve, vetëm, 2 deri në 3 përqind e qytetarëve të Maqedonisë së Veriut i beson gjyqësorit dhe për këtë kanë reaguar në të kaluarën zyrtarë nga Shtetet e Bashkuara, prej nga janë shpenzuar miliona dollarë për trajnimin e prokurorëve dhe gjykatësve të Maqedonisë së Veriut.

Në vend të reagimit- Gjuha shqipe në Maqedoninë e Veriut nuk është zyrtare- Nga Prof.Skënder Karaçica

( Rreth artikullit:,,Shqipja në Maqedoninë e Veriut:Diskriminimi politik dhe rreziku i coptimit të shtetit,,shkruar nga Luan-Asllan Dibrani(Fjala e lirë,më 18 shkurt 2025)
 
 
Qysh se  në fillim duhet theksuar se çështja shqiptare  në hapësirën etnike në Maqedoninë e Veriut,(ende)ka  mbetur më  statusin e pakicës e jo shtetformues.Në të gjitha debatët politike të Tiranës zyrtare dhe të spektrit të partive politike shqiptare në këtë vend,temën bosht të çështjes shqiptare të (pa)zgjidhur e tejkalojnë me lehtësi e politkë të hollë,që të ruajnë ekuilibrin multietnik dhe,mos të krijojnë vija të kuqe ndërnacionale(!).Me ligjet kushtetuese,populli shqiptar si popull i dytë shumicë ka një përberje kombëtare prej 40%(shënime nga Samiti NATO në Çikago,2015).Rreth përberjes kombëtare dhe të statistikave zyrtare të regjistrimit të popullësisë në këtë vend,qysh se nga viti(1945-2025),këto statistika popullin shqiptar  e kanë lënë në krahun e pakicës kombëre me një përberje prej 14-16%.Dhe,sot e kësaj dite,manipulohet më përberjen kombëtare të përqindjes me një shkallë të përqindjes simbolike,sa për të ruajtur ekuilibrin për ,,popullin shumicë maqedonase,,në shkallë kombëtare si shtetformues me të gjitha pikat referuese të Kushtetutës.
 
Në shkrimin e tij Luan-Aslllan Dibrani,me një nguti na afroi disa të ,,dhëna ligjore,,në Maqedoninë e Veriut,për të ashtuquajturën referencë për kinse gjuha shqipe,me ,,ligjin e ri,,për gjuhët ka sjellë mundësi të reja për përdorimin e shqipes në institucionet e shtetit.Në shtyllat e shkrimit të L-A.Dibrani thuhet më tej se ,,gjuha shqipe është bër zyrtare në të gjitha institucionet e këtij vendi.Ne e konsiderojmë paksa të ngutshme vlerësimin e tij,ndonëse me të ashtuquajtur,,ligji i ri,,gjuha shqipe nuk është  zyrtare,madje për hirë të vërtetës ka kaluar në denigrimin dhe pa shenjën e barazisë me gjuhën maqewdonase kryesore me bekimin e ligjeve kushtetuese.A keni dëgjuar në ndonjë vend normal  në Evropë,me tiptare të vlerave  të demokracisë dhe të njerëve të lirë,ku gjuha si vlerë e identitetit kombëtare,mund të përdorët me 20% në ato mjedise ku jetojnë dhe e flasin shqipen më përqindjen  e përmendur(20%).Në këtë rast,po i afrojmë të dhëna lexuesve të ,,Fjala e lirë,,dhe autorit të shkrimit L-A.Dibrani se për të folur në këshilllin komunal apo për të shkruar ,,gjuhën zyrtare shqipe,,sipas ligjit të ri duhen të vendosin me miratim të këshilltarëve  nëpër komunat shqiptare në Maqedoninë Përendimore të shumicës  maqedonase(!).Në të vërtetë,ky ligj i ri e ka denigruar,e ka fyer,e përbaltur shenjën dalluese kombëtare të shqiptarëve në hapësirën etnike në Maqedoninë e Veriut.
 
Për të hedhur dritë për ,,gjuhën shqipe zyrtare,,po afrojmë edhe disa të dhëna ,që tregojnë para vlerave të demokracisë  të BE-së dhe SHBA-së se shqiptarët mund të bëjnë kërkesë në institucionet e këtij shteti në gjuhën shqipe,por përgjigjen zyrtare ata do të marrin veçse në gjuhën maqedone(!).Kësaj i thonë barazi kombëtare dhe të drejtata e popullit shqiptar për gjuhën kombëtare të shqipes,që me ligjet e këtij vendi dhe,po me ,,ligjin e ri,,sipas L-Asllan Dibrani,na ka bër të hareshëm se problemi i gjuhës shqipe na qenka ,,zyrtarizuar,,!Në këtë rrafsh po theksojmë se në Maqedoninë e Veriut,flitën 22 gjuhë të pakicave dhe,gjuha e vjetër indo-evropiane e shqiptarëve,gjuha shqipe ka mbetur në sirtarët e shtetit si gjuhë e pakicës dhe jo zyrtare…!
 
Për të hedhur dritë për problemin e gjuhës shqipe,që parittë politike shqiptare në këtë vend e kanë lënë në margjinat e kohës,kujtoj se do të pajtohet Luanj-Asllan Dibrani se ka ardhur koha për avancimin e statutsit përmes aktit më të lartë juridik të Kushtetutës,që populli shqipar të marrë hisën e vet të barazisë si shtetformues e jo pakicë kombëtare,tevona mund të zgjidhet drejtë e pa shembje denigruese të vlerave të mbeshtje të historisë dhe të rregullave indoveropiane që ka gjuha shqipe me një bazë të lashtë të gjithëve në traullin e popujve evropian!
 
Çikago,më 18 shkurt 2025 

Pika e përbashkët kufitare ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës pritet të fillojë prej 1 marsit

Drejtori i Doganës së Maqedonisë së Veriut, Boban Nikollovski, në një intervistë ka paralajmëruar që pika e përbashkët kufitare ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut pritet të fillojë prej 1 marsit të këtij viti.

Në fillim të muajit shkurt, nga Sektori për marrëdhënie me publikun i Ministrisë për Punë të Brendshme për Portalb kishin konfirmuar se nga muaji marsi i këtij viti do të fillojë zbatimi “OneStop” në pikën kufitare Bllacë – Hani i Elezit dhe Jazhincë – Glloboçicë.

“Lehtësime për tregtinë, përmirësim i konkurrencës së kompanive, ulje e kohës së pritjes në pikat kufitare dhe
siguri më e madhe në pikat kufitare dhe ulje e korrupsionit”
,- tha Nikollovski, duke theksuar se 95 % e punës është kryer nga Dogana e RMV-së.

Pikat kufitare ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut së fundmi janë ballafaquar me kolona të gjata nga të dy anët e kufirit.

Punimet për finalizimin e procesit të krijimit të pikave të përbashkëta kufitare filluan në qershor të vitit të kaluar (2024) sn

Intervista- Kasami: Të drejtat e shqiptarëve në Maqedoni të Veriut, në duar të sigurta me koalicionin “Vlen” në qeverisje

Keida Kostreci

Kryetari i Lëvizjes Besa të koalicionit “Vlen” në Maqedoninë e Veriut, Bilall Kasami hodhi poshtë kritikat e opozitës shqiptare në vend se nuk po bën sa ç’duhet për të mbrojtur të drejtat e shqiptarëve, duke thënë se tani këto të drejta janë në duar të sigurta dhe se ato kanë ngecur mbrapa ndër vite për shkak të BDI-së. Në një intervistë për Zërin e Amerikës, zoti Kasami tha se si koalicioni “Vlen” edhe VMRO-DPNE, duan që të plotësojnë kushtet për avancimin e vendit drejt BE-së por shprehu shqetësimin se nëse Bullgaria vazhdon të paraqesë kërkesa të tjera, kjo do të pengonte për aspiratat e vendit. Zoti Kasami që është edhe kryetar i Komunës së Tetovës, tha se po bën gjithçka për përmirësimin e jetës së qytetarëve.

Zëri i Amerikës: Opozita shqiptare akuzon partitë e pushtetit, në veçanti koalicionin ‘Vlen’ me parti shqiptare se nuk ka bërë sa ç’duhet për mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve. Si përgjigjeni juve?

Bilall Kasami: Një parti që për 20 vite ka qëndruar në qeveri dhe nuk lëvizi përpara çështjen shqiptare, sigurisht nuk ka të drejtë të akuzojë partitë që sapo kanë ardhur në qeveri dhe po bëjnë shumë veprime, të cilat po e përmirësojnë atë që BDI me partnerët e saj nuk e realizoi për 20 vite. Tani më ata nga ajo periudhë e qeverisjes së tyre më shumë e kanë hallin e tyre dhe të njerëzve të tyre, të cilët janë në ‘listën e zezë’ të Amerikës, sesa fatin e shqiptarëve, sepse kanë pasur kohë 20 vite për të sistematizuar të drejtat e shqiptarëve në kushtetutë dhe në ligj dhe atë nuk e bënë, sepse për 20 vite punuan që të pasurohen; që familjarët e tyre t’i bëjnë milionërë. Prandaj, ne vlerësojmë se të drejtat e shqiptarëve tanimë janë në duar të sigurta dhe çështja shqiptare në Maqedoni të Veriut do të ecë përpara.

Zëri i Amerikës: Këto kritika mbështeten edhe në fakte konkrete si për shembull fakti që u shfuqizua mekanizmi i njohur si “balancues” ndërsa nuk ka një zgjidhje si zëvendësim; që Gjykata Kushtetuese pritet të rishikojë nene të Ligjit për gjuhët…

Bilall Kasami: Të gjitha janë pasojë e një qeverisjeje të gabuar të BDI-së për 20 vite. Balancuesi ka qenë një mekanizëm anti-ligjor dhe në momente të caktuara vetë BDI e ka konstatuar si një mekanizëm të tejkaluar. Vetë ministrat e saj që kanë qenë në qeveri kanë dhënë pëlqim që të zëvendësohet ky mekanizëm. Në anën tjetër, ne si koalicion “Vlen” jemi zotuar në zgjedhjet e fundit që këtë mekanizëm do ta zëvendësojmë me një ligj të veçantë dhe tanimë është në përpunim e sipër dhe së shpejti do të dalë versioni i parë i propozimit të ligjit për përfaqësim adekuat, që është një normë kushtetuese dhe le që nuk degradon, por garantojmë që kjo çështje do të mbyllet një herë e përgjithmonë me ligj dhe punësimi i shqiptarëve do të jetë i garantuar konform kushtetutës. Sa i përket Ligjit për gjuhën shqipe garantojmë se nuk do të ketë degardim të të drejtave të shqiptarëve, sa i takon përdorimit të gjuhës shqipe edhepse ne vlerësojmë se me këtë ligj nuk është zyrtarizuar plotësisht gjuha shqipe në Maqedoninë e Veriut. Duhet shumë ligje të tjera të harmonizohen me Ligjin për gjuhën shqipe, që gjuha shqipe të jetë në përdorim zyrtar në shumë institucione: gjykata, noterë dhe shërbimet tjera të administratës, të cilat nuk e përdorin gjuhën shqipe, edhepse në Ligjin për përdorimin e gjuhëve është e përcaktuar që gjuha shqipe të jetë gjuhë e dytë zyrtare edhe në këto institucione.

Zëri i Amerikës: A jeni ju si koalicion i partive shqiptare në një vijë me VMRO-DPMNE-në, e cila herë kërkon një lloj reciprociteti me Bullgarinë, përsa i takon të drejtave të pakicave dhe herë të tjera ngul këmbë që ndryshimet kushtetuese të zbatohen atëherë kur Maqedonia e Veriut të pranohet si anëtare e Bashkimit Evropian?

Bilall Kasami: Problemi me Bullgarinë është pak më kompleks, për shkak të kontestimeve identitare të Bullgarisë ndaj popullit maqedonas. Këtu çështja është nëse kjo është kërkesa e fundit e Bullgarisë, prandaj qeveria aktuale, më konkretisht VMRO-DPMNE kërkon një partner me të cilin do të bashkëbisedojmë për rrugëtimin e vendit drejt Bashkimit Evropian. Nëse kemi një partner të fuqishëm me të cilin bisedojmë se cilat janë hapat drejt integrimit të plotë në BE ne vlerësojmë që ndryshimi i kushtetutës dhe futja e komunitetit bullgar në kushtetutë është çështje e pranueshme dhe e kryer. Por, nëse kjo është një hap dhe vazhdon Bullgaria me kërkesa, me hapjen e problemeve të tjera për të cilat ne e dimë që mund të hapen, atëherë kjo nënkupton që edhe pse do të bëhet ndryshimi i kushtetutës me futjen e bullgarëve në të, nuk do të zgjidhet problemi dhe nuk do të avancojë vendi drejt BE-së.

Zëri i Amerikës: Si do të reagonit ju në një skenar të tillë?

Bilall Kasami: Ne kërkojmë gjithashtu që të kemi një partner të fuqishëm edhe në Bruskel edhe në Sofje për të bashkëbiseduar për të ardhmen evropiane të Maqedonisë. As për VMRO-në e as për koalicionin ‘Vlen’ nuk është e diskutueshme çështja se Maqedonia duhet të jetë sa më parë anëtare e BE-së. Ne po flasim për pengesa që na dalin rrugës. Dhe ne kërkojmë që sa më shpejtë të kemi një partner me të cilin të largojmë të gjitha këto pengesa. Sigurisht që qeveria është e interesuar dhe është proaktive në këtë drejtim për gjetjen e një zgjidhjeje me të cilën Maqedonia do t’i bashkohet shumë shpejtë Shqipërisë dhe besojmë që në vitin 2030 të jemi bashkë anëtare në BE.

Zëri i Amerikës: Ndonëse është herët për zgjedhjet lokale, a keni pasur bisedime me VMRO-në nëse do të dilni bashkë në këto zgjedhje ose jo?

Bilall Kasami: Ne jemi pjesë e koalicionit qeveritar dhe në të kaluarën kemi pasur komunikim dhe bashkëpunim si parti opozitare dhe tani kemi bashkëpunim në kuadër të qeverisë. Zgjedhjet lokale janë pak më specifike, sepse nuk mund të flasim për një bashkëpunim formal me VMRO-në, sepse kemi komuna ku konkurrojmë me VMRO-në. Kemi komuna, siç është Kërçova, Bërvenica ku beteja do të bëhet për një kryetar shqiptar apo maqedonas. Këtu e kemi më të vështirë për të bashkëpunuar, por kemi komuna si Tetova, Çairi, Gostivari ku dihet se fituesi del shqiptar dhe komuniteti maqedonas është pakicë, dhe aty edhe në të kaluarën maqedonasit kanë përkrahur një kanadidat shqiptar. Sa i përket listave për anëtarë të Këshillave komunalë ne konkurrojmë veçmas dhe secila parti kërkon vota për listën e vetë për këshilltarë )komunalë). Kështu që, nuk mund të themi se do të kemi një koalicion, por sigurisht si parti të qeverisë do të kemi bashkëpunim.

Zëri i Amerikës: Çfarë po ndodh me projektin e rrugës Pizren – Tetovë? A ka gatishmëri të plotë tek pala maqedonase për realizimin e punimeve?

Bilall Kasami: Studimi i fizibilitetit për rrugën Tetovë – Prizren është që nga viti 2010. BDI-ja nuk e lëvizi këtë projekt për 15 vjet dhe u desht që unë të vij në krye të komunës së Tetovës dhe t’i ‘povokoj’ me atë që unë ndërtova një rrugë 7 kilometra deri afër kufit me Kosovën dhe bashkë me kryeministrin (Albin) Kurti të promovojmë këtë si një alternativë të rrugës Tetovë – Prizren, në mënyrë që pastaj qeveria e BDI-së të aktivizohet dhe të bëjë disa marrëveshje e veprime. Sot ky projekt është me prioritet edhe për qeverinë e Maqedonisë edhe për atë të Kosovë. Veçmë është formuar grupi i punës për shpalljen e tenderit për projektimin e tunelit, që është pjesa më e rëndësishme dhe kryesore e gjithë këtij projekti. Kosova ka nisur punimet në aksin që do të vijë deri te hyrja e tunelit. Në Maqedoni nga Tetova deri në hyrje të tunelit veçmë ekziston traseja. Ne duhet të bëjmë zgjerimin e rrugës, kështu që tani më kjo rrugë është në projekt të qeverisë dhe jo vetëm një premtim i harruar i qeverisë paraprake.

Zëri i Amerikës: Qeveria e Maqedonisë së Veriut mori së fundmi një kredi prej 500 milionë eurosh nga Hungaria. A është caktuar shuma që do të përfitojë Komuna e Tetovës nga kjo kredi?

Bilall Kasami: Patjetër. Është një ndër projektet më të rëndësishme të kësaj qeverie apo atyre të kaluara, duke pasur parasysh faktin që pushteti lokal nuk është i prërkrahur në Maqedoninë e Veriut. Të gjitha shpenzimet janë për pagat dhe shpenzime të përditshme. Nuk kas pasur shumë mundësi zhvillimore. Për herë të parë komunat kanë buriume të sigurta të financimit të projekteve kapitale. Komuna Tetovës më 2024 ka marrë rreth 4 milion euro, me çka janë projektuar dhe do të ndërtohen rrugë, shkolla dhe projekte të rëndësishme të infrastukturës së qytetit. Më 2025 komuna e Tetovës pret të realizojë projekte mbi 11 milionë euro nga këto mjete të qeverisë. Pra, është një ndër projektet që unë e përshëndes dhe besoj të vazhdoj edhe më tutje.

Zëri i Amerikës: Propozimi juaj për emërtimin apo riemërtimin e rrugëve në komunën e Tetovës ka ngjallur debate. A do të bëhet kjo gjë me konsensus?

Bilall Kasami: Ne kemi hyrë guximshëm në ndërtimin e Tetovës, jo vetëm në infrastrukturë por edhe në modernizimn e saj. Tetova ka qenë ndër qytetet e rralla që vetëm rreth 30 përqind të pjesës urbane i ka pasur me rrugë zyrtare (adresa); pjesa tjetër ka qenë me numra e pa numra dhe në një kaos të vërtetë. Sot më njoftuan nga komuna se Komisioni për emërtimin e rrugëve ka mbajtur mbledhje dhe është shpallur thirrja publike që qytetarët të mund të bëjnë propozime nga dita e hënë. Ë shtë një proces gjithpërfshirës; për të gjitha partitë, si shqptare e maqedonase dhe për qytetarët dhe besoj që në fund të këtij procesi Tetova dhe çdo tetovar do të ketë rrugë me emër dhe me numër të shtëpisë dhe të vendbanimit të tyre.

Mickoski kërkon ndryshime në Këshillin Gjyqësor të Maqedonisë së Veriut

Enis Shaqiri

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, njoftoi të enjten se deputetët e partisë së tij, VMRO-DPMNE, do të paraqesin një mocion në Kuvend për shkarkimin e një pjese të anëtarëve të Këshillit Gjyqësor, të cilin e quajti “bastion korrupsioni dhe padrejtësie”.

Mickoski theksoi në një postim në rrjetin social Facebook se “shteti dhe qytetarët kanë nevojë për drejtësi, dhe Maqedonia [e Veriut] duhet të luftojë kundër kënetës së saj të korruptuar”.

Ai tha më vonë për gazetarë se “goditja në ballë nënkupton që gjithçka që është nën kompetencat e Kuvendit, është emërimi i atyre anëtarëve të Këshillit Gjyqësor. Atje ku zgjidhen të votohet edhe mocioni i mosbesimit”.

Në anën tjetër, kryetari i Këshillit Gjyqësor, Aleksandar Kambovski, i befasuar nga synimi i kryeministrit, tha se shpreson se Kuvendi dhe Qeveria do të punojnë sipas Kushtetutës.

“Për herë të parë e dëgjova këtë nga ju. Deri tani ishim në seancë. Kam dhënë deklarata, për sa i përket shkarkimit të Këshillit Gjyqësor, vendi i vetëm ku është parashikuar është në Ligjin për Këshillin Gjyqësor. Iniciativat mund të dorëzohen në Kuvend, çdokush mund të dorëzojë iniciativa”, tha Kambovski.

Kambovski, në një intervistë dhënë për Radion Evropa e Lirë më 28 janar, kishte theksuar se, sipas Ligjit për Këshillin Gjyqësor, vetëm ky këshill mund t’i shkarkojë anëtarët e tij.

“Nuk kam hasur në ligje të tjera që parashikojnë një mundësi të tillë për shkarkimin në një procedurë tjetër”, tha Kambovski.

Iniciativa e VMRO-DPMNE-së ka të bëjë me pesë anëtarët që zgjidhen nga Kuvendi.

“Ne nuk mund të bëjmë një shpërbërje të plotë, as të zbulojmë anomalitë në një kohë kaq të shkurtër, por mund të zgjedhim një Këshill Gjyqësor që objektivisht, pa kushtëzime partiake, do të mund ta sqarojë këtë moçal politik dhe të jetë një lloj monitoruesi se si sillen gjyqtarët, çfarë vendimesh marrin dhe pse”, tha Mickoski.

Këshilli Gjyqësor i Maqedonisë së Veriut përbëhet nga 15 anëtarë.

Përzgjedhja e tyre bëhet në disa mënyra: tre anëtarë zgjidhen nga Kuvendi me shumicë votash, dy të tjerë propozohen nga presidenti i shtetit dhe miratohen nga Kuvendi, ku njëri duhet të jetë përfaqësues i komuniteteve më të vogla etnike, dhe tetë të tjerë zgjidhen nga gjykatësit në zgjedhje të drejtpërdrejta.

Ndërkaq, dy anëtarët e tjerë, kryetari i Gjykatës së Lartë dhe ministri i Drejtësisë, mund të marrin pjesë në seanca, por nuk kanë të drejtë vote.

Shpërndarja e Këshillit Gjyqësor dhe Këshillit të Prokurorëve Publik ishin pjesë e premtimeve parazgjedhore të kreut të VMRO-DPMNE-së, Mickoski, i cili e mori udhëheqjen e Qeverisë në maj të vitit të kaluar.

Ndaj iniciativës së Mickoskit ka reaguar edhe opozita maqedonase.

Kreu i Lidhjes Socialdemokrate (LSDM) në opozitë, Venko Filipçe, tha se partia e tij pajtohet me reformat në gjyqësor, por jo, siç tha, përmes veprimeve arbitrare.

“Por, reforma që do të nënkuptojnë një gjyqësor të pavarur, efikas, që do të sigurojë drejtësi. Nuk duhet të lejojmë që drejtësia që kërkohet qytetarët të shndërrohet në një partizim të ri, dhe një pushtim nëpërmjet ndryshimit të Këshillit Gjyqësor nga Qeveria”, theksoi ai.

LSDM kërkon që hapat e ardhshme në sistemin e drejtësisë të bëhen me konsensus të të gjitha partive politike në Kuvend. REL


Send this to a friend