Ish-presidenti Ilir Meta ka reaguar pas seancës në GJKKO, duke deklaruar se Prokuroria ka rrëzuar akuzën kryesore për një lobim të dyshuar prej 1 milion dollarësh në SHBA për një foto me presidentin amerikan Donald Trump.
Sipas Metës, gjatë seancës përfaqësuesi i Prokurorisë ka pohuar se çështja lidhet vetëm me një pagesë të ligjshme prej 15 mijë dollarësh për “McKeon Group”, shumë që ai thotë se e ka deklaruar publikisht dhe më herët edhe para SPAK-ut, kur është pyetur për këtë çështje rreth tre vite më parë.
Më tej Meta ka komentuar gjithashtu edhe raportimet në mediat ndërkombëtare në lidhje me këtë dosje, të cilat, sipas tij kanë shërbyer si bazë për ngritjen e akuzave dhe izolimin e tij politik për 19 muaj.
“Durim! Edhe akuzat e tjera do të çmontohen njëra pas tjetrës”, ka shkruar ai.
Ilir meta: Sot, në seancën radhës të gjykimit në themel, vetë Prokuroria rrëzoi akuzën kryesore ndaj meje për gjoja lobimin 1 milion USD për një foto me Presidentin Trump.
Para gjykatës prokurori pohoi se bëhet fjalë vetëm për një pagesë të ligjshme prej 15 mijë USD për McKeon Group, pikërisht ajo që kam deklaruar publikisht, por edhe në SPAK, që para 3 vitesh, kur jam thirrur për këtë çështje.
Shikoni tani titujt e lajmeve të rreme të “Mother Jones” dhe “Kronen Zeitung”, të sponsorizuara me paratë e inceneratorëve dhe të mafias ndërkombëtare, mbi të cilat u ndërtua kallëzimi i rremë dhe akuza kryesore kundër meje, akuzë mbi të cilën u mbështet rrëmbimi dhe izolimi im politik prej 19 muajsh, akuzë që sot u rrëzua nga vetë Prokuroria.
Durim! Edhe akuzat e tjera do të çmontohen njëra pas tjetrës.