-Shënime për librin “Gjurmë zërash” të gazetarit Adrian Hoti, -Intervista në Shkodër – për BBC në Shqip, Botimet Fishta; Shkodër, 2018.
1.
Libri “Gjurmë zërash” (- Intervista në Shkodër – për BBC në Shqip) me autor gazetarin Adrian Hoti, më bëri të kthej kokën pas… Në këtë kthim pas të viteve të jetës sime të deritanishme, m’u shfaq një periudhë e ndritur, siç ishte ajo e 15 viteve të punës sime (1988 – 2003), në fillim si redaktor e më pas si gazetar i emisioneve artistike në Radio Shkodra. Gjatë një dekade e gjysmë në këtë institucion: njoha drejtorë, gazetarë (kolegë), folëse, inxhinierë, teknikë, bashkëpunëtorë, personazhe të ftuar në emisionet e mia dhe të kolegëve; njoha edhe plot njerëz të tjerë që punonin në administratë dhe në prapavijë, etj, etj. Janë kujtime pa pafund… Në këtë aradhë gjeneratash të ndryshme, për të cilët kam nderimin dhe respektin tim; një ditë njoha dhe ardhjen e gazetarit Adrian Hoti, të një djaloshi sa të heshtur aq dhe fjalëpak, sa këmbëngulës aq dhe zelltar.
Nuk e pata vështirë ta kuptoja se Adi si gazetar vinte si jo të tjerët e deritanishëm. Mbarte cilësitë e gazetarit kronist, të reporterit dhe publicistit. Shumë shpejt në mikrofon shpërfaqi timbrikën e zërit të tij, një zë i qartë, pa gërvishtje e plot emocion. E, sipas situatave ligjëruese e komunikuese, zëri i tij vishej me një hijeshi dhe larmi ngjyresash. Adi, me natyrën e tij të qetë, dinte kurdoherë të plazmonte lajmin, t’i gjente fjalët-kyçe në ato pak rreshta që kumtonte. Por Adi shkonte edhe më tej. Edhe gjinitë apo zhanret e ndryshme radiofonike, në raportimet e tij ishte i sigurt, fjala shqip tingëllonte shqip, dhe me dëgjuesit “bashkëbisedonte” estetikisht bukur. Bartja e këtyre cilësive, që përfeksionoheshin profesionalisht nga viti në vit, bënë që gazetari Adrian Hoti, siç themi ne nga Shkodra, të mbetej si “ujë i pakët”. I tillë, mendoj, se është edhe sot. Por Adi mbartëte edhe cilësi të tjera. Po veçoj dy nga ajo shumësi, dy të cilat ia “përmenda” në përkushtimin që i bëra, me rastin e botimit të librit tim të ri të sapodalë. Në një faqe shkrova këto rreshta: “Adit, në shpirtin e të cilit fisnikëria bashkëjeton me mirësinë”.
2.
Kalojnë vite… Dhe, ja pikërisht sot, Adi, kësaj here si autor, më dhuron librin me titull “Gjurmë zërash” (- Intervista në Shkodër – për BBC në shqip). Ishte një befasi e këndshme dhe një emocion i veçantë. Një libër interesant me një titull interesant, ku konkretja ruan raporte harmonike me abstrakten, ku e panjohura bëhet e njohur, ku “sekretet” e personazheve kthehen në eter dhe bëhen “pronë” e të gjithëve, ku gazmon magjia e krijimit, ku dhe ku…, por ama zëri dhe gjurma bashkohen te Jeta, dhe vetë jeta frymon përmes bashkëbisedimit me 34 personazhe[1], të vizatuara përmes momenteve më të rëndësishme të ecjes së tyre dhe kontributeve fisnike, të realizuara me mjeshtëri nga Adi në këtë libër – polifoto. Sigurisht, nocioni Jetë (po flas, tani, në zbërthim të titullit të librit), te secili personazh i këtij libri, ka një raport e marrëdhënie të caktuar, me ngarkesa sprovash herë të lehta dhe herë të vështira, si edhe me një filozofi vështrimi e të jetuarit vetjak të personazhit. Për ta përligjur më tej sintagmën e titullit të librit, po sjell katër momente nga katër intervista të bëra nga Adi, ku, edhe pse personazhet vijnë nga fushat e ndryshme të jetës profesionale, konvergojnë në një vatër të përbashkët.
Ndoshta rastësi, ndonëse emri i fillon me A, dhe e kam fjalën për shkencëtarin erudit Ahmet Osja, e për intervistën e tij me të cilën fillon libri.
Osja, në përgjigje të njërës nga pyetjet, thotë kështu: “Edhe sot edhe 100 herë po të aplikojsha përsëri bujqësi do të përzgjidhja. E para, kam krijuar mundësi ta njoh mirë Shqipërinë, ta shkel atë dhe këtë ma ka ofruar pikërisht bujqësia; e dyta, është një profesion shumë njerëzor,…”[2]
Te Osja shënojmë fjalët: -ta njoh Shqipërinë, – një profesion shumë njerëzor.
Ndërsa fotografi Angjelin Nënshati shprehet: “…tek unë ishte vetë jeta dhe tuj e ditë se nëpërmjet fotografisë jeta fiksohet, pra ndalet, i thuhet një çasti ‘Ndal’, atje ku domosdo ke zgjedh pikën ma të bukur, kulmin e lëvizjes, atë që të frymëzon, …”[3]
Te Nënshati shënojmë fjalët: – ishte vetë jeta, – ke zgjedh pikën më të bukur.
Kurse aktori i mirënjohur Bep Shiroka, një pyetjeje i përgjigjet në këtë mënyrë: “Jam njeri që dishroj me ndi mirë për teatrin tem, aty ku kam kalu një pjesë të madhe të jetës teme mbi 40 vjet.[4]
Te Shiroka shënojmë fjalët: – teatër, – ku kam kalu një pjesë të madhe të jetes teme.
Ndërsa për intervistën e fundit, kam zgjedhur fjalët e bilbilit të këngës popullore shkodrane Bik Ndoja, i cili thotë: “Unë mundohem, përpiqem, kam dëshirë, me ia arritë me shkru për jeten teme dhe kangët që shkrova.”[5]
Te Ndoja shënojmë fjalët: – me shkru jeten teme, – dhe… kangët që shkrova.
Në përfundim, protagonistët edhe pse ruajnë të përvetshmen e tyre, në marrëdhënie të shumëfishta me profesionin që kanë zgjedhur, të cilin e hymnizojnë, jeta është e pranishme aty, jeta jeton dhe mbart peshën e saj të gjithëjetëshme. Domosdoshmërisht, këtu, flasim edhe për përjetësinë e personazhit që rrëfen jetën e tij a momentet e jetës së tij përmes pyetjeve të mirëmenduara e të studiuara, të drejtpërdrejta të gazetarit Adrian Hoti.
3.
Ky libër i titulluar “Gjurmë zërash”, sipas autorit, gazetarit Adrian Hoti “është n
jë botim biografik, – unë mendoj se është më gjerë se kaq, – që përmban 34 intervista të realizuara në Shkodër, për radion BBC në Shqip, në vitet 2005 – 2007, me emra të njohur të fushave të ndryshme të shkencës, artit, kulturës, sportit etj. … Ky botim shoqërohet me një CD në audio, që përmban këto “rrëfime në mikrofon” të transmetuara në rubrikën e posaçme “intervista”.[6]
Pra, ky libër e ka një adresë, dhe kjo është BBC-ja. Në fakt, BBC-ja, jo vetëm përmes valëve të saj shpërndante rubrikën e posaçme “Intervista”, por e ridimensiononte atë, njëkohësisht duke ridimensionuar punën e palodhur, krijuese e gjurmëlënëse të gazetarit Adrian Hoti. Dhe duke e pasur kësaj here në fokus Adin, pozicionin e tij delikat të atij që interviston, me të drejtë ish-drejtuesja e seksionit BBC në shqip, gazetarja Julia Goga shprehet: “Janë tre gjëra që e dallojnë një intervistues mjeshtër: përgatitja e hulumtimi i thellë, kurioziteti e dëshira për t’i dhuruar dëgjuesit fakte të reja e emocion, si dhe takti që e bën të intervistuarin të ndjehet lirshëm e të hapet me ty. Ad Hoti i ka të trija këto cilësi.[7]
Dhe Adi ishte përgatitur që në laboratorin e tij krijues, për t’i sjellë këto botë, që secila prej tyre kishte pasuri dhe pajë të veçantë, kontribute, vlera, ëndrra dhe dinjitet. E, për autorin e librit, ç’ka do të thoshte kjo: hulumtim i pandërprerë materiali, përzgjedhja e tij, mënyra e ndërtimit të emisionit dhe paraqitja e të ftuarit, formulime të sakta pyetjesh, momente dhe detaje interesante, mjedis të ngrohta dhe njerëzor, etj. Më pas, pyetjet e pafund që gazetari i bën vetes: “A e realizova?, A lashë që mangut?, “Mos harrova gjë?, A mbeti i kënaqur i ftuari?, Po dëgjuesit, si e kanë pritur?…” – e pyetjet janë pafund… Dhe teksa shfletoj, lexoj dhe rilexoj kujdesshëm librin, autori, gazetari Adrian Hoti këtë misionin e ka kryer me profesionalizëm dhe dinjitet. Ajo botë vlerash që disa vite më parë shpërndahej përmes valëve të BBC, sot udhëton si libër, dhe përmes tekstit rrëfimtar autorial të secilit, po “takohemi” përsëri për t’i përqafuar dashunisht këto vlera që Adi i shenjoi në librin e tij përmes një pune, që siç thotë gazetari i mirënjohur Hamit Boriçi: “jo pak e vështirë”.
4.
“Gjurmë zërash” ka një strukturë solide e të larmishme, larg kanoneve të përsëritjes e të njëtrajtshmërisë. “Gjurmë zërash” ka një ndërtim arkitektur plot imazhe e plot ngjyra. Aty “jetojnë”, siç thotë studiuesi Zija Vukaj “një galeri personazhesh nga të gjitha fushat e dijes dhe të kontributit njerëzor. … Në thjeshtësinë magjike të tyre spikat edhe individualiteti… Këta individë të shkëlqyer kanë jetuar e disa vazhdojnë të jetojnë mes njerëzve, mes të njohurve e të dashurve të tyre”.
“Gjurmë zërash” mbart dhe shpreh: plot filozofi, udhë, përpjekje, gjurmë, dëshira, pengje, kujtime, ëndrra, lot,… dhe… vlera të patjetërsueshme, dhe në fund: Jetë, – Jeta si dhurohet, si jetohet e si dashurohet ajo!
Një libër me plot hapësirë, që autori Adrian Hoti me përgjegjësi e frymëzim ka “qëndisur” çdo figure. I ka dashuruar! Ka përjetësuar identitetin e modelit të personazhit. Në pikëpamje ligjërimore, ky është një aspekt interesant studimi.
Libri “Gjurmë zërash” të rrëmben gjatë leximit të tij, dhe hap pas hapi njeh jetë figurash që nuk i ke njohur dhe, para syve dimensioni i këtyre modele rritet, ashtu siç rritet Shkodra jonë e dashtun dhe e shtrenjtë.
Shkodër, maj 2018
[1]Personazhet e intervistuar: Ahmet Osja, Ali Laçej, Angjelin Nënshati, Angjelo Masafra, At Zef Pllumi, Bep Shiroka, Bik Ndoja, Fadil Kraja, File Gjeloshi, Filip Guraziu, Florinda Gjergji (Fishta), Gëzim Kruja, Gëzim Uruçi, Gjok Vata, Jonuz Delaj, Kahreman Ulqini, Mahir Hoti, Marije Rranxi, Mark Kaftalli, Muhamed Sytari, Ndoc Kol Gurashi, Ndrek Prela, Paulin Preka, Paulin Selimi, Serafin Fanko, Skënder Drini, Tamara Gaci, Tomor Osmani, Tonin Tërshana, Ymer Striniqi, Xhahid Bushati, Zef Çoba, Zyliha Kraja, Zyliha Miloti.
[2]Hoti, Adrian: Gjurmë zërash – Intervista në Shkodër – Për BBC në Shqip, Botimet Fishta, Shkodër 2018, Ahmet Osja, specialist në fushën e bujqësisë, “Mjeshtër i Madh”, f. 19.
[3]Po aty, f. 37 – 38.
[4]Po aty, f. 61.
[5]Po aty, f. 71.
[6]Hoti, Adrian: Gjurmë zërash – Intervista në Shkodër – Për BBC në Shqip, Botimet Fishta, Shkodër 2018; Hyrje, f. 5.
[7]Po aty, shkrimi: Shkodra me pasurinë e saj kulturore e intelektuale është nje burim i pashtershëm, autore: Julia Goga Cooke, f. 7.
Komentet