VOAL

VOAL

Gjokutaj: Ja faktet dhe konkluzionet që tregojnë se Lear Kurti është vrarë nga policia

October 24, 2022

Komentet

Komandanti i KFOR-it kërkon përgjegjësi për sulmin në Banjskë

Komandanti i KFOR-it në Kosovë, Ozkan Ulutash , e ka cilësuar sulmin ndaj KFOR-it në veri më 29 maj dhe sulmin e 24 shtatorit ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit, të papranueshëm.

Ai tha në TV Dukagjini se sulme të tilla nuk duhet përsëritur më, teksa shtoi se autorët e tyre duhet të mbahen përgjegjës e të sillen para drejtësisë.

I pyetur se a mund të diskutohet rasti i Banjskës me komandën ushtarake serbe, e cila u akuzua se i liroi asetet ushtarake për trajnimin e grupit terrorist, Ulutash tha se “KFOR-i komunikon rregullisht dhe në mënyrë transparente me të gjithë aktorët ndërkombëtarë dhe vendorë. Po i diskutojmë të gjitha zhvillimet relevante të sigurisë në rajon”.

Komandanti i KFOR-it theksoi se kanë kërkuar nga Kosova dhe Serbia t’i kryejnë hetimet e nevojshme në mënyrë që të konstatohen të gjitha faktet.

“Pikë së pari, sulmi i 29 majit ndaj trupave të KFOR-it dhe sulmi i dhunshëm i 24 shtatorit në veri të Kosovës ishin të papranueshme dhe nuk duhet të përsëriten. Autorët e kësaj dhune duhet të mbahen përgjegjës. U kemi bërë thirrje autoriteteve përkatëse në Prishtinë dhe Beograd që t’i kryejnë hetimet ligjore të nevojshme për t’i konstatuar faktet dhe për t’i sjellë personat përgjegjës para drejtësisë. Të gjitha këto pika u bënë shumë të qarta edhe nga sekretari i Përgjithshëm i NATO-së, Jens Stoltenberg, gjatë vizitës së tij në rajon në nëntorin e kaluar. Në vazhdën e dhunës, NATO zbarkoi rreth 1,000 paqeruajtës shtesë dhe forca të blinduara më të rënda në Kosovë. Ky ka qenë përforcimi më i madh kontingjentit tonë në Kosovë gjatë një dekade. Kjo tregon se NATO është e gatshme që ta ruajë paqen”, tha ai.

Ulutash u shpreh se forcat paqeruajtëse të KFOR-it në Kosovë janë të gatshëm të përballen me çdo situatë.

“KFOR-i ka një prani të shpejtë, fleksibile dhe të dukshme në të gjithë Kosovën. Ne mbetemi vigjilentë dhe të përqendruar në zbatimin e përditshëm dhe të paanshëm të misionit tonë me mandat të OKB-së. Jemi të pajisur mirë dhe të gatshëm që të përballemi me çdo situatë që mund të ndikojë në mjedisin e sigurisë dhe vazhdojmë që të operojmë në bashkëpunim dhe koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe me EULEX-in”, tha ai.sn

Protesta e opozitës në Tiranë- Mediat ndërkombëtare: Mijëra qytetarë në shesh kundër korrupsionit qeveritar

TIRANË – Opozita e bashkuar ka zhvilluar sot një protestë të madhe në bulevardin Dëshmorët e Kombit në Tiranë. Në lidhje me këtë protestë, kanë raportuar edhe mediat ndërkombëtare. Associated Press shkruan se mijëra persona kanë dalë në protestë, kundër korrupsionit qeveritar.

“Mijëra mbështetës të opozitës shqiptare zhvilluan një protestë antiqeveritare në Tiranë të martën duke akuzuar kabinetin qeveritar për korrupsion. Protesta, e cila përfundoi paqësisht, shënoi 33 vjet nga rrëzimi i statujës kryesore të diktatorit të ndjerë komunist të vendit, Enver Hoxha”, shkruan AP.

Tirane2
Tirane2

Ndërsa, Uashington Post raporton se mijëra shqiptarë dolën në shesh për të protestuar kundër korrupsionit.

“Protestuesit hodhën gurë dhe flakadanë ndaj policëve. Disa rrëzuan një gardh hekuri rreth godinës kryesore të qeverisë në kryeqytet, Tiranë. Protesta, e cila përfundoi paqësisht, shënoi 33 vjet nga rrëzimi i statujës kryesore të diktatorit të ndjerë komunist të vendit, Enver Hoxha. Që nga tetori, ligjvënësit e opozitës kanë ndërprerë rregullisht seancat e parlamentit për të protestuar kundër refuzimit të socialistëve të krahut të majtë në pushtet për të krijuar komisione parlamentare për të hetuar rastet e dyshuara të korrupsionit, që përfshijnë kryeministrin Edi Rama dhe zyrtarë të tjerë të lartë”, thuhet në artikull.

Tirane3
Tirane3

Media ndërkombëtare Abc News gjithashtu shprehet se në Shqipëri, partitë opozitare ankohen për korrupsionin qeveritar.

Tirane4
Tirane4

“Protesta e së martës tregoi gjithashtu mbështetje për ish-kryeministrin dhe liderin aktual të opozitës Sali Berisha, i cili është në arrest shtëpie, ndërsa po hetohej për keqpërdorim të postit të tij për të ndihmuar dhëndrin e tij të privatizonte tokën publike për të ndërtuar ndërtesa banimi”, shkruan media në fjalë./Balkanweb/

UGSHPD: Perëndimi të mbështesë kauzën e Navalny-t dhe disidencën ruse si rruga e vetme për të ndalur Putinin

 

“Nëse më vrasin mua, atëherë ne jemi bërë shumë të fortë!” Navalny

Lajmi i vdekjes së kreut të opozitës ruse Aleksei Navalny në burgun siberian të njohur me emrin ‘Ujku Polar’ ka shkaktuar valë proteste në Moskë dhe mbarë botën. I dënuar 19 vjet me heqje lirie në gulagun e Arktikut, Navalny raportohet të ketë humbur ndjenjat gjatë një ecejake ditore në oborrin e burgut famëkeq dhe aty ka ndërruar jetë. Agjencia e pavarur ruse Mediazone ka siguruar xhirime të një vargu makinash zyrtare në një rrugë të ngrirë që transportonin trupin e Navalnit në morg. Por morgu ka thënë se trupi nuk është aty. Nëna e Navalnit po kërkon kthimin e trupit. Ndërkohë zyrtarët kanë thënë se po vazhdojnë hetimet për vdekjen në fjalë.

Në dokumentarin “Navalny” nga regjisori kanadez Daniel Rohr, kritiku i Kremlinit thotë: “Nëse më vrasin mua, do të thotë se jemi bërë shumë të fortë.”

Putini i frikësohet trupit të vdekur të Navalnit. Njoftohet se Kremlini ka shtyrë dorëzimin e trupit për dy javë nga ku ngrihen dyshime se trupi mund të pastrohet nga toksinat në rast të një helmimi. Kremlini është shprehur se nuk pret që të ketë probleme nga vdekja e figurës kryesore të opozitës. Kundërshtarët e Putinit janë vrarë, burgosur dhe dëbuar jashtë Rusisë. Media shtetërore ruse, në kontroll të plotë të lajmeve që konsumon publiku, përpunon me kujdes dhe pa u ndalur çdo aspekt të informacionit.

Zyrtarët amerikanë e kanë quajtur haptazi Putinin “përgjegjës” për vdekjen në burg të Navalnit. Ministria ruse e Punëve të Jashtme i quan të papranueshme akuzat e Shteteve të Bashkuara. Organizata e Kombeve të Bashkuara ka thënë se është shokuar nga lajmi se kritiku kryesor i Kremlinit ka vdekur në burg dhe ka kërkuar nga autoritet ruse t’i jap fund persekutimeve.

Navalni është rasti i pestë mes kundërshtarëve publik që Putini i shënjestron sa herë që rreziku drejt tij ndjehet se rritet pa u bërë ende kërcënues. Aleksei Navalny ishte figura më e njohur opozitare dhe rivali më i fortë i Putinit. Sa kohë që Navalni jetonte, edhe kur ishte i arrestuar, i gjykuar, i burgosur në Artik, ai simbolizonte shpresën që buronte nga vetë fakti se kishte një njeri në Rusi që dinte t’ia tregonte vendin Putinit. Pa Navalnin, Putini ndihet i fortë dhe i parivalizuar përpara zgjedhjeve presidenciale të cilat mbahen Rusi në datat 15-17 Mars.

Putinit i duhet të përdorë manovrat propagandistike dhe arrestimet për të mos lejuar të shpërthejnë protesta. Brenda Rusisë, vendosja e luleve dhe emri i Navalnit në një pusullë mjafton për të shantazhuar grumbullimet përmes arrestimeve. Jashtë Rusisë, solidarizimi me Navalnin është demonstruar në Evropë, Shtetet e Bashkuara.

Eliminimi i Navalnit është saktësisht mesazhi i Kremlinit për pasojat e disidencës. Prandaj mbështetja e disidencës në Rusi është rruga për ta ndaluar pushtetin 24 vjeçar të Putinit. Në rrafshin e marrëdhënieve të jashtme, strategjia e Putinit për vazhdimësinë e pushtetit të tij është manifestuar tek lufta me Ukrainën, frymëzimi i patriotizmit rus i Luftës së Dytë Botërore kundër nazizmit, afrimet me Kinën, Iranin, Korenë dhe qëndrimet për situatën më të nxehtë në Lindjen e Mesme mes Hamasit dhe Izraelit, përpjekjet dhe mbështetja prej kohësh e zonave të nxehta pro serbe në ish-Jugosllavi për ta destabilizuar Evropën dhe kërcënimi me armët atomike.

Me eliminimin e Navalnit nga skena pikërisht në këtë kohë, raporti i shtetasve rusë me demokracinë zbehet. Opozitarizmi dobësohet dhe shantazhohet ndërkohë që çështja më kryesore, pluralizmi politik, si nisma e parë e ushtrimit të ideve dhe fjalës së lirë, kthehet në një term formal brenda territorit rus.

Ndërsa vrasja e Navalnit ka shkaktuar zemërim në Perëndim, të shprehura me demostrime në mbështetje të kauzës së tij, janë vënë re edhe raste si ai i Matteo Salvinit, zvkryeministri i Italisë, i cili përmes partisë së tij Lega, bëri thirrje që të pritet të zbardhet rasti, pra Salvini pret të zbardhje të vrasjes nga Putini!

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës bën thirrje që të mos ndalë mbështetja e Perëndimit ndaj kauzës së Navalny-t, opozitës ruse duke treguar botërisht se përgjegjësi i kësaj vrasjeje sikur edhe vrasjeve të tjera është Putini.

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës (UGSHPD)
Verband Albanischer Berufsjournalisten der Diaspora (VABD)
Union of Professional Albanian Journalists of Diaspora (UPAJD)
Union des Journalistes Professionells Albaniase de la Diaspora (UJPAD)
Unione dei Giornalisti Professionisti Albanesi della Diaspora (UGPAD)

Foto e Navaly-t e projektuar në Ambasadën Ruse në Londër

MEDALIONI I DIKTATORIT – antibaladë – Nga Visar Zhiti

Nga libri “Si na erdhi ai, i ndaluari”

“…meqënëse folëm për diktatorë, Stalin e Enver, do të doja të sillja dhe këtë poezi, është nga ato që kisha bërë mënd në qeli, ku shpesh na linin me duart e prangosura e nuk lejohej madje as të ëndërroje. Për të mbijetuar shpirtërisht, sa do pak, që të mos çmendesha, bëja çmendurinë tjetër, krijoja poezi me mënd. Kur më çuan në burgun e Spaçit e më pas të Qafë Barit, gjithë ankth guxova dhe ua tregova disave prej bashkëvuajtësve, miqve më të ngushtë, ku kishim besim e për fat nuk u zhgënjyem. Së pari ia mërmërita në terr çamit Bajo, e ai më tha shkruaji, duhen si dëshmi, se ti mund të vritesh në minierë, por këto duhet të mbeten, i ruajmë ne, i mësojmë përmendësh… e kam treguar dhe në librat e mi që ai pastaj ia tregoi poezitë e mia shkrimtarit Zyd Morava e ai kapitan Maks Rakipajt, sot përkthyes i qindra poezive, Lam Spahisë, përkthyes veprash të mëdha, po kështu i lexuan dhe shkrimtari tjetër Halil Laze, të tjerë që shkruanin fshehurazi a që do të botonin më pas, Ahmet Kolgjini, Astrit Xhaferri, Robert Vullkani, po kështu dhe Inxhinier Farka, mësues Roni, miqtë e internimeve të Lushnjës, Dine Dinia, Lek Mirakaj, Esat Çoku, Naim Staravecka, po edhe trimat e çartur Prendi, Malindi, Landi, Mirushi… dhe ca shokëve që s’janë më Adriatiku, Vasoja, Linci, që dritë paçin!

Mirënjohës atyre për besnikërinë e guximin ….

Dhe atëhere besoja ashtu si dhe tani se poezia lind nga dashuria, por ja, që ndodh të derdhen në të mllefe dhe pakënaqësira të mëdha, urrejtje për diktaturën dhe dhunuesit. Urreja poezitë për tiranët, jo vetëm ato që i himnizonin, por dhe që ishin kundër, seç japin, një ndjesi të pabukur.

Hiqe nga libri, do më thoshte bashkëvuajtësi im, piktori Valer Dyrzi Tarasov, hiqe, dëgjomë mua, se ata janë aq të poshtër, sa u vjen mirë që edhe i shan, mjafton që i kujton. Ja, ju kemi bërë që të shkruani për ne, mburren, hiqe, mos ua jep këtë kënaqësi të mynxyrshme. Në pikturat e mia nuk ka fare as burg e as diktaturë, qëndro mbi to, injoroji, kjo i çmend. Po të çmendur janë […].

Valeri i jap të drejtë, “est-etikisht”, por po e risjell këtu… “

…është në librin tim “Dorëshkrimet e fshehta të burgut”, si dëshmi të së keqes, të atyre që e bëjnë dhe të atyre që e pësojnë.

Mbase Valeri nuk do të më zemerohet.

Visar Zhiti

Mijëra protestues nisen nga rrethet, Tirana bëhet gati për protestën

Mijëra qytetarë janë nisur nga rrethet në drejtim të Tiranës për të marrë pjesë në protestën kombëtare të opozitës.

Korrespondentët e SYRI TV në Berat thonë se janë të paktën 1 mijë qytetarë që janë nisur drejt Tiranës.

Edhe korrespondentja e Korçës thotë se janë më shumë se 1 mijë demokratë që po udhëtojnë drejt kryeqytetit.

Ndërkohë në Tiranë kanë nisur përgatitjen për ngritjen e skenës përpara kryeministrisë.

Protesta pritet të nisë në orën 17:30.

Kurse kryeministri Edi Rama si zakonisht e ka braktisur vendin dhe ndodhet në Turqi, ku do takojë homologun tjetër autokrat, Erdogan.

ESI: Asnjë vëzhgues ndërkombëtar nuk ka parë “spastrim etnik” të serbëve në Kosovë

VOA

Nisma Evropiane për Stabilitet, tha se asnjë organizatë ndërkombëtare përfshirë ato të sigurisë nuk ka parë prova për pretendimet e Beogradit se në Kosovë ka “spastrim etnik të serbëve”, po mungesa e provave nuk u ka dhënë fund pretendimeve nxitëse.

Në një raport me titullin “Pogromet e sajuara – statistikat, gënjeshtrat dhe konfuzioni në Kosovë”, organizata kujton se në korrik të vitit 2023 presidenti serb Aleksandar Vuçiç deklaroi NATO-ja dhe OKB-ja kishin katërmbëdhjetë ditë për të çarmatosur forcat policore të Kosovës dhe për të mbrojtur serbët e Kosovës nga “pogromet dhe spastrimi etnik” i vazhdueshëm i shqiptarëve. Përndryshe, “dikush tjetër” do të duhej ta bënte këtë.

Raporti vë re se paralajmërimet se Serbia mund të ketë nevojë të dërgojë trupa në Kosovë për të mbrojtur serbët nuk janë të reja, duke iu referuar një deklarate të presidentit serb Vuçiç të gushtit të vitit 2018, në të cilën e kishte përshkruar Kosovën si një fuçi baruti.

“Të gjithë do të presin një mundësi për të goditur tjetrin për të arritur një avantazh në terren. Dhe çdo ditë do të shqetësohemi nëse do të na sulmojnë në veri, ku do të na godasin, me mbështetjen e kujt…”, kishte thënë president serb.

Mirëpo, në deklaratat e vitit 2018 argumentohej se nëse serbët sulmohen në Kosovë, Serbia do t’i mbrojë ata. Që nga viti 2023, deklaratat argumentojnë se serbët tani janë të sulmuar dhe duhet të mbrohen, thuhet në raportin e Nismës e cila në fund të korrikut të vitit 2023 kishte thënë se ky është një kërcënim serioz për paqen në Ballkan.

Disa muaj më vonë, paraushtarakët serbë sulmuan policinë e Kosovës në veri, kujton raporti, sulmin e 24 shtatorit të vitit 2023 të një grupi serbësh të armatosur që vranë një pjesëtarë të policisë së Kosovës.

“Është koha për ta marrë seriozisht atë që po thuhet aktualisht nga politikanët në Beograd. Nëse shpiken pogrome, atëherë pason dhuna. Nëse këto pretendime të rreme nuk kundërshtohen, situata do të përshkallëzohet më tej”, thuhet në raport, në të cilin nënvizohet se “nuk duhet të jetë e vështirë për organizatat ndërkombëtare të hedhin poshtë pretendimet e rreme, mashtruese dhe të rrezikshme për masakrat imagjinare sa herë që ato bëhen. Asnjë nga vëzhguesit e shumtë ndërkombëtarë me personel në terren në Kosovë, nga KFOR-i te EULEX-i, nga UNMIK-u te OSBE-ja, nuk ka parë apo përshkruar ‘spastrimin etnik të serbëve’ apo ‘terrorin’ shqiptar në vitet e fundit. Por mungesa e provave nuk i ka ndalur pretendimet nxitëse”.

Nisma thekson se një nga mjetet në këtë betejë të rrëfimeve kanë qenë edhe statistikat. Më 5 tetor 2023, presidenti Vuçiç tha se si pasojë e “terrorit shqiptar”, 11 për qind e serbëve të Kosovës janë larguar nga Kosova që nga fillimi i vitit 2021. Më 8 shkurt të vitit 2024, duke folur në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, Vuçiç e rriti ne “14 për qind” numrin e serbëve të Kosovës që ishin larguar për vetëm një vit.

Nuk është ofruar asnjë provë për pogromet e supozuara, dhunën sistematike apo “spastrimin etnik” të supozuar në vitet e fundit, thuhet në raportin prej 18 faqesh në të cilin bëhen krahasime të deklarimeve dhe statistikave të paraqitura nga vet autoritetet serbe.

UGSHPD: BALLUKU SFILON NGA ASFALTI NË SHEMBJE ME Tik-Tok

(Kolonjarët mund të lidhen me Tik-Tok për shembjen e rrugës)

Që të vërtetohej se propaganda e Rilindjes Socialiste është jashtë realitetit shqiptar dhe nuk merr kurrë asnjë përgjegjësi për qeverisjen, shembull tipik bëhet shembja e rrugës së Qafës së Qarrit pranë Kolonjës. Askush nga autoritetet nuk është parë në vendngjarje prej tre ditësh. Fatmirësisht nuk ka patur viktima dhe aksidente rrugore, por lëvizja është paralizuar plotësisht në një afat ende të paditur.

E rëndësishmja ishte sot kur ATSH-ja e cila nuk e ndjek lajmin e shembjes, por jep sfilatën mbi asfalt të zv/kryeministers Belinda Balluku në akset e Elbasanit. Njëherësh ministre përgjegjëse edhe për infrastrukturën, shembja nuk përbën shqetësim për Ballukun. E reja për sat e saj ishte hapja e llogarisë në tik-tok për të zgjeruar kontaktin dhe komunikimin me publikun.

60 milion euro investim për 18 km segment  rrugor Ersekë-Korçë i përdorur enkas si arritje e PS gjatë fushatës së fundit kur u çelën punimet. Ndërsa prej kësaj fundjave në një kohë kur riorganizimi i PS për zgjedhjet e 2025 sapo ka filluar, shembja e rrugës nuk bie më në sy, nuk përbën as  fakt dhe as dëm ekonomik. Një shirit përurimi më pak dhe ca më keq një humnerë më shumë në financat e shtetit që dalin nga taksat e shtetasve.

19 Shkurt, 2023

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës (UGSHPD)

Verband Albanischer Berufsjournalisten der Diaspora (VABD)

Union of Professional Albanian Journalists of Diaspora (UPAJD)

Union des journalistes professionells albaniase de la diaspora (UJPAD)

Unione dei Giornalisti Professionisti Albanesi della Diaspora (UGPAD)

<U12 TIKTOK.png>

Ukraina nuk ka marinë, por po e dërrmon Rusinë në Detin e Zi

Një fotografi e asaj që supozohet se është luftanija ruse, Tsezar Kunikov, duke u fundosur në Detin e Zi. Fotografia është shpërndarë nga inteligjenca ushatarke ukrainase.

Mike Eckel

Një video bardh e zi tregoi me gjasë një varkë të shpejtë që lëvizte nëpër valët e detit, derisa i afrohej një luftanijeje shumë më të madhe. Skafi, më pas, shpërtheu në mënyrë spektakolare dhe videoja gati 3-minutëshe përfundoi me luftanijen duke u rrotulluar, pak përpara se të fundosej.

Varka e shpejtë ishte, në fakt, një dron detar pa pilot, i njohur si MAGURA-V, i projektuar nga Ukraina dhe i mbushur me eksploziv.

Luftanija supozohet se ishte Tsezar Kunikov, një nga vetëm disa anijet e rënda të flotës ruse në Detin e Zi.

Ajo u fundos në brigjet jugore të Krimesë – gadishullit ukrainas të aneksuar nga Rusia, 10 vjet më parë. Fati i ekuipazhit të saj, i vlerësuar në rreth 70 persona, është i paqartë.

Një ditë më vonë, admirali në krye të flotës në Detin e Zi u tha se u hoq nga komanda.

Tsezar Kunikov është një nga rreth 20 luftanijet ruse që Ukraina i dëmtoi seriozisht, ose i fundosi plotësisht, prej se Rusia filloi pushtimin e saj në shkallë të plotë, më 24 shkurt të vitit 2022.

Para fundosjes së kësaj të fundit, Oryx – një ueb-faqe holandeze e njohur për të dhënat e verifikuara të humbjeve të pajisjeve ruse dhe ukrainase – tha se bëhet fjalë për 21 anije luftarake dhe një nëndetëse ruse të dëmtuara ose të shkatërruara. Shtabi i përgjithshëm i Ukrainës ka një shifër paksa më të lartë: 24 anije ruse dhe një nëndetëse.

Kjo përbën afërsisht një të tretën e gjithë flotës ruse, e cila numëron rreth 74 luftanije e nëndetëse. Shifra nuk i përfshin anijet më të vogla, si ato të patrullimit bregdetar, ose ndihmëset.

Pavarësisht se si llogariten, bëhet fjalë për humbje të mëdha detare, të shkaktuara nga një vend që, faktikisht, nuk ka marinë, thonë ekspertët detarë dhe ushtarakë.

“Suksesi i Ukrainës në Detin e Zi sigurisht që ka ardhur si befasi për shumë prej nesh. Në det, ukrainasit kanë provuar të jenë shumë më inovativë sesa rusët – teknologjikisht dhe taktikisht”, thotë Michael Petersen, drejtor i Institutit për studime të forcave detare të Rusisë në Kolegjin e Luftës Detare të SHBA-së, në Njuport.

“Inovacioni i guximshëm që ata kanë shfaqur, është në kontrast me flotën [ruse] të Detit të Zi, e cila është dëshmuar se është jashtëzakonisht e cenueshme ndaj rrezikut”, shton ai.

“Ukraina ka ndjekur një fushatë klasike asimetrike kundër një kundërshtari dukshëm më të fortë”, thotë Mike Plunkett, analist i platformave detare në Janes – një kompani kërkimore e inteligjencës së mbrojtjes.

Sipas tij, Rusia “ka kaluar nga një fuqi e padiskutueshme detare në Detin e Zi – të paktën në letër – në të qenët e fiksuar në pjesën lindore dhe e paaftë për të ushtruar kontroll detar mbi rajonin”.

Breshëri raketash dhe bllokada

Përpara shkurtit të vitit 2022, marina e Ukrainës përbëhej kryesisht nga anije sipërfaqësore të epokës sovjetike dhe ca infrastrukturë tokësore që trashëgoi në fund të viteve 1990, kur Kievi dhe Moska u pajtuan të ndanin flotën sovjetike të Detit të Zi.

Flotat e dy vendeve u vendosën afër njëra-tjetrës në Krime, përfshirë edhe në portin kryesor të gadishullit, Sevastopol.

Problemet buxhetore të Ukrainës, së bashku me korrupsionin në prokurimet ushtarake dhe civile, bënë që flota e saj, duke përfshirë anijet luftarake dhe ndihmëse, mezi të qëndronte në det.

Pasi Rusia aneksoi Krimenë në vitin 2014, Ukraina e zhvendosi flotën që kishte funksionale, në portin e Odesës, në perëndim.

Ajo filloi ta humbiste qasjen në portet e tjera kryesore, Berdjansk dhe Mariupol në Detin Azov, në prag të pushtimit rus.

Rusia kishte vendosur një bllokadë të Detit Azov, duke përdorur urën e Krimesë si një portë për të mbyllur kalimin përmes ngushticës së Kërçit – e vetmja rrugë ujore që e lidh atë me Detin e Zi dhe botën përtej Bosforit.

Me fillimin e pushtimit, Ukraina shkatërroi fregatën e saj Hetman Sahaydachniy në Mikollajiv – një port në lumin Pivdeni Buh. Dhjetëra anije të tjera ukrainase u dëmtuan ose u fundosën rreth Detit të Zi.

Në fund, Rusia vendosi një bllokadë virtuale të porteve të Ukrainës, duke penguar edhe anijet e huaja që të ngarkonin dhe eksportonin grurin ukrainas.

Tregjet globale të drithërave u lëkundën dhe zyrtarët e OKB-së paralajmëruan për uri të mundshme në disa vende mesdhetare dhe afrikane, që mbështeteshin shumë në drithërat ukrainase.

Bllokada u përkeqësua për Ukrainën dhe për vendet e tjera të Detit të Zi pasi minat tokësore lundruese filluan të lëviznin.

Rusia përdori sipërfaqen e saj të Detit të Zi dhe flotën e nëndetëseve – rreth 80 anije gjithsej, sipas vlerësimeve ukrainase – për të gjuajtur raketa në drejtim të qyteteve të Ukrainës.

Anija kryesore e flotës ruse, Moskva, luajti rol të madh në këtë fushatë.

Gati dy muaj më vonë, më 13 prill, Moskva u godit nga dy raketa anti-anije Neptun, të lëshuara nga toka. Anija u mbyt më pak se një ditë më vonë. Të paktën 18 marinarë humbën jetën, megjithëse vlerësimet e jashtme thonë se numri i të vdekurve ka të ngjarë të jetë dukshëm më i lartë.

Ishte luftanija më e madhe ruse ose sovjetike që ishte mbytur që nga Lufta e Dytë Botërore.

“Vetëm për shkak se kundërshtari juaj nuk ka një marinë kuptimplote, mos supozoni se keni liri të plotë të lëvizjes dhe veprimit në det”, thotë Plunkett.

Për shumë ekspertë, fundosja e Moskvës nga Ukraina tregoi zgjuarsi dhe gatishmëri për të rrezikuar.

“Ata provuan diçka me fundosjen e Moskvës dhe funksionoi edhe më mirë sesa shpresonin”, thotë Dmitry Gorenburg, shkencëtar kërkimor në Qendrën për Analizat Detare – një institut kërkimi me bazë pranë Uashingtonit. “Dhe, më pas, ata thanë: Oh mirë! Le të vazhdojmë kështu. Dhe, ata kanë vazhduar në dy vjetët e fundit”.

“Unë dyshoj se ukrainasit kanë pritur ndonjëherë të godasin, e lëre më të fundosin Moskvën, por ata e bënë këtë”, thotë Plunkett. “Kjo pati edhe efektin e dëshiruar; Rusia e tërhoqi flotën e saj sipërfaqësore në pjesën qendrore të Detit të Zi dhe larg nga Ukraina”, shton ai.

Rreth tri javë para fundosjes së Moskvës, më 24 mars, 2022, një anije zbarkimi e quajtur Saratov shpërtheu, derisa ishte e ankoruar në portin e pushtuar nga Rusia, Berdjansk.

Ukraina më vonë zbuloi se kishte përdorur një raketë balistike me rreze të shkurtër Tochka-U, për ta shënjestruar atë.

Dy anije të tjera zbarkimi që u ankoruan afër në të njëjtën kohë – Tzesar Kunikov dhe Novocherkassk – arritën të shpëtonin me dëme minimale.

Armët e tjera të furnizuara nga Perëndimi, e kanë mbështetur po ashtu kreativitetin e Ukrainës.

Në maj të vitit 2023, Britania njoftoi se do ta furnizonte Kievin me raketa lundrimi, Storm Shadow, që kanë rreze veprimi prej rreth 250 kilometrash. Franca, ndërkaq, e furnizoi me një version francez të raketës, të njohur si SCALP.

Raketat u përdorën për të goditur disa ura në pjesët e Ukrainës, të pushtuara nga Rusia.

Por, më 13 shtator, Ukraina hodhi një seri raketash në një objekt riparimi në Sevastopol, duke dëmtuar rëndë dhe ndoshta duke shkatërruar anijen zbarkuese Minsk dhe një nëndetëse Rostov-on-Don. Objekti i riparimit të portit u dëmtua gjithashtu shumë, duke shkaktuar komplikime për riparimin e anijeve luftarake dhe nëndetëseve më të mëdha të flotës.

Nëntë ditë më vonë, avionët ukrainas hodhën me shumë raketa Storm Shadow në selinë e flotës së Detit të Zi në Sevastopol. Autoritetet ukrainase pretenduan se dhjetëra oficerë u vranë ose u plagosën në sulm, por Rusia nuk e konfirmoi asnjëherë numrin.

Më 26 dhjetor, anija Novocherkassk, e cila kishte shpëtuar nga sulmi në mars të vitit 2022, u godit dhe u mbyt derisa ishte e ankoruar në një bankë riparimi në portin lindor të Krimesë, Feodosia.

Zyrtarët ukrainas thanë se në sulm ishin përdorur raketa Storm Shadow ose SCALP.

Anija thuhet se kishte një ekuipazh prej 77 personash në momentin e fundosjes.

Që nga 12 shkurti, ndërkaq, 33 marinarë mbetën të zhdukur, sipas blogerëve rusë të luftës, edhe pse Ministria e Mbrojtjes nuk ofroi ndonjë të dhënë zyrtare.

“Marina ruse është larg shkatërrimit”

Flotat e tjera të Rusisë – Flota Veriore dhe Flota e Paqësorit – mbeten mjete të fuqishme për Kremlinin.

Anijet ruse kanë luajtur rol kyç në transportimin e personelit dhe armatimit në Siri, ku forcat ruse ndihmuan ta kthenin luftën në favor të regjimit sirian të Bashar al-Asadit.

Nëndetëset ruse, veçanërisht anijet me raketa balistike me aftësi bërthamore, janë të fuqishme.

“Me të gjitha humbjet e saj që nga fillimi i luftës, marina ruse është larg shkatërrimit dhe ende paraqet një sfidë të madhe për marinat e NATO-s”, thotë Plunkett. “Pra, jo, marina ruse është larg vdekjes, edhe pse ka vuajtur në Detin e Zi”, sipas tij.

Përgatiti: Valona Tela

Nesër të gjithë në Tiranë- Thirrja e deputetëve të opozitës së bashkuar për protestën e 20 Shkurtit

Partia Demokratike u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve që me datën 20 shkurt të jenë në shesh në protestën kundër narkoqeverisë.

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka theksuar që në 20 shkurt të gjithë qytetarët të zbresin në Tiranë, pasi kjo ditë është vendimtare për të shpëtuar demokracinë, lirinë dhe Shqipërinë.
Në video bëjnë thirrje të gjithë deputetët e PD-së për tu bërë bashkë në protestën e 20 shkurtit.sn

Vjosa Osmani akuzon Aleksandër Vuçiçin se qëndron pas sulmit terrorist në Banjskë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç qëndron prapa sulmit në Banjskë të Zveçanit ku u vra rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.

Në një intervistë për mediumin arab “Al Aan” dhënë më 8 shkurt, të cilën Presidenca e Kosovës e shpërndau sot në Facebook, Osmani tha se i është konfirmuar edhe nga aleatët se Vuçiçi qëndron pas sulmit të 24 shtatorit.

“Këto dëshmi janë konfirmuar nga aleati ynë më i rëndësishëm, dhe janë ndarë me shtetet anëtare të NATO-s. Gjithçka çon te Vuçiqi. S’po flasim te humbja e tij e kontrollit ndaj disa bandave. Po flasim për të se ka organizuar e urdhëruar sulmet nëpërmjet bandave. E tash po mundohet t’i ikë përgjegjësisë, duke dhënë disa emra. Të gjithë e dinë, kam pritur në zyre shumë mysafirë e liderë e ma kanë konfirmuar këtë. Ka raste edhe kur i kanë thënë Vuçiqit direkt, se kanë shumë dëshmi se ai ishte pas sulmit. Është konfirmuar kjo dëshmi nga aleatë të ndryshëm”, tha Osmani.

Ajo tha se secili shtet do të vendosë vetë se si do t’i përdorë këto dëshmi. Për hetimet vendore, ajo tha se një pjesë e tyre është publikuar, dhe për tjetrën do të vendosë Policia.

“Gjitha dëshmitë janë aty për ata që duan t’i shohin. Por, ka disa shtete që s’duan t’i përdorin e të tjerat që duan t’i injorojnë. Por, historia na ka mësuar rëndë në shumë raste, se kur autokratët mundohen të qetësohen, atëherë ata inkurajohen të bëjnë më tepër e jo më pak”, tha Osmani.sn

Shqipëria po zbrazet frikshëm, katër mijë fëmijë më pak në bankat e shkollës nga klasa e parë

Shqipëria po zbrazet frikshëm nga fëmijët. 4 mijë fëmijë më pak janë ulur në bankat e shkollës nga klasa e parë në 12 njësi vendore, vetëm në tre qarqe, Tiranë, Durrës dhe Dibër.

Të dhënat zyrtare vijnë nga Drejtoria Rajonale e Arsimit Parauniversitar në Durrës e cila ka në juridiksion 12 njësi vendore.

Për herë të parë në vitin mësimor 2023-2024 as Tirana nuk shënon më trendin e rritjes së nxënësve që regjistrohen në shkollat e arsimit parauniversitar klasa 1deri 12, duke shënuar ulje.

Në 55 institucionet arsimore publike dhe 17 private nën juridiksionin e Zyrës Vendore Arsimore Durrës nisën mësimin në vitin arsimor 2023-2024, 28991 nxënës në klasën 1 deri 12 ose 3% më pak se ne vitin paraardhës.

Drejtori i Drejtorisë Rajonale të Arsimit Parauniversitar Durrës Hazbi Lika në një intervistë në News24 deklaroi se trendi është vetëm në rënie i regjistrimit të nxënësve nga viti në vit, duke renditur shkaqe kryesore lindshmërinë e ulët dhe shpopullimin. Sinkron

Sipas një analize të bërë nga Drejtoria Rajonale e Arsimit Parauniversitar në Durrës që mbulon 12 njësi vendore, rezulton se në vitin arsimor 2023-2024, në Tiranë janë regjistruar 941 nxënës më pak në arsimin publik, në Durrës 874, Dibër 351 , Bulqizë 272, Kamzë 451, Kavaje 141, Klos 113, Kruje 213, Mat 238, Rrogozhinë 228, Shijak 65, Vorë 113.

Tirana mban rekord 973 nxënës kanë braktisur shkollat publike dhe janë regjistruar në shkollat private, e ndjekur nga Durrësi me 265 nxënës.

Në Durrës nuk ka shkolla që rrezikojnë të mbyllen por në bashkitë e tjera e kryesisht në zonat rurale nga Rrogozhina, Kavaja Tirana deri në Dibër janë disa shkolla te fshatrave të thella, pohoi Lika.

Shkollat në zonat malore dhe rurale rrezikojnë të mbyllen ne mase te madhe nëse vijon ky ritëm shpopullimi I largimit te familjeve nga Shqipëria.bw

Fjala e plotë e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti në seancën solemne për 16-vjetorin e Pavarësisë së Republikës së Kosovës

Prishtinë, 17 shkurt 2024

Shkëlqesia e juaj, znj. Vjosa Osmani Sadriu, Presidente e Republikës së Kosovës,

I nderuari kryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës, z.Glauk Konjufca,

Të nderuar deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës,

Zëvendëskryeministra e ministra të Qeverisë,

Shkëlqesi ambasadorë dhe miq ndërkombëtarë,

Të nderuara familje të dëshmorëve,

Të nderuar udhëheqës e përfaqësues të institucioneve shtetërore,

Të nderuar prijës fetar,

Të dashur qytetarë të Kosovës,

Zonja dhe zotërinj, 

Edhe sot, si çdo vit, mblidhemi për të uruar ditëlindjen e pavarësisë së Kosovës. Me 16 vitet e saj mbi supe, Republika e Kosovës është më e reja në rajon, më e reja si shtet e shtat, por me vetëdijen e pjekur, po aq sa dhe vetëdija e shteteve më të vjetër se ajo.

Sepse Republika e Kosovës më 2008 ishte tashmë e maturuar, si realizimi i një aspirate popullore të brumosur për shumë vite e dekada. Kosovën e kanë pjekur para kohe kryengritjet për bashkimin e vilajeteve dhe pavarësinë e Shqipërisë; atë e ka pjekur qëndresa e popullit tonë ndaj valëve të njëpasnjëshme të pushtimeve dhe gjenocideve. 

Koha e saj kishte ardhur më 1981, kur anembanë shtatit të saj njerëzit mbushnin sheshet e u dilnin përballë tankeve duke thirrur “Kosova Republikë!”.  Kosova u bë republikë me Kushtetutë në Kuvendin e Kaçanikut, për të u luftua me demonstrata e protesta paqësore dhe me pushkë lirie të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Me flijimet që bëri për idenë e republikës, populli ynë në Kosovë fitoi simpatinë e shteteve demokratike e përparimtare, që i dolën në krah në vitin 1999. Më 2008 nuk kishte mbetur më asnjë dilemë te bashkësia e vendeve demokratike që Republika e Kosovës do të vinte, por diskutohej të vinte në një trajtë të tillë që ishte e pranueshme edhe për armikun më të madh të saj, shtetin serb që kishte dashur ta mbyste edhe idenë e shtetit te shqiptarët. 

Të nderuar qytetarë e qytetare të Republikës! 

Të gjithë ne e kemi të qartë se në rast se Serbia shtetërore do të ishte ndjerë sadopak përgjegjëse për gjenocidin në Kosovë, nëse në politikën e saj do të kishte mbizotëruar arsyeja dhe jo revanshizmi shovinist, ajo do të duhej ta kishte njohur Kosovën qysh në vitin 2008. Republika e Kosovës garanton të drejtat më të gjera për pakicat në rajonin tonë, posaçërisht për serbët, që përfitojnë e kontribuojnë në shtetin tonë të përbashkët. 

Ndërkaq, shqiptarët në Luginën e Preshevës janë pakica më e diskriminuar në Evropë, që dhe sot po i nënshtrohet spastrimit nëpërmjet të ashtuquajturit “pasivizim të adresave”. Është për keqardhje e fatkeqe që fqinji ynë verior ka zgjedhur rrugën e konfrontimit dhe të bllokimit të funksionit të brendshëm të republikës sonë dhe të njohjeve të saj së jashtmi.

Ajo fillimisht kishte refuzuar propozimin franko-gjerman, e sot vazhdon të refuzoj nënshkrimin e Marrëveshjes Bazike për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën që sjellë fqinjësi të mirë evropiane. 

Në vend të saj, ajo madje përqafoi terrorizmin.

Edhe aty dështoi me turp, përballë heroizmit dhe profesionalizmit të policisë sonë. Mirëpo, për mbrojtjen e republikës sonë prej terroristëve të financuar, ushtruar dhe drejtuar nga Serbia, u desh që përsëri të jepnim dëshmorë. Rreshteri Afrim Bunjaku i shtohet plejadës së dëshmorëve tonë. Pa sakrificën sublime të tyre ne nuk do të përkujtonim sot përvjetorin e republikës. Lavdi dëshmorëve! Republika kurrë nuk ju harron! 

Të nderuar deputetë të Kuvendit dhe pjesëmarrës të tjerë në këtë mbledhje të ditës së shënuar të 17 Shkurtit!

Republikës i dalim zot, të gjithë, secili, secila bashkë! Republika, ashtu siç e ka konceptuar 125 vjet më parë patrioti Sami Frashëri te manifesti i tij politik, është e nevojshme për mbrojtje dhe për zhvillim. Ne nuk e negociojmë ekzistencën tonë, lirinë tonë dhe të drejtën tonë për t’u mbrojtur e zhvilluar, prandaj përditë si qeveri e Kosovës marrim masa për të ndërtuar shtetin ligjor, për të forcuar demokracinë dhe llogaridhënien, për të përfshirë dhe ndihmuar të gjithë qytetarët pavarësisht prej etnisë apo gjinisë së tyre. Kosova së fundi ka bërë përparime të rëndësishme, në mbrojtje e siguri, në respektimin e ligjit dhe në forcimin e një shteti social që adreson nevojat e qytetarëve, në mënyrë që atyre t’u jepet mundësi për të jetuar me dinjitet. Që nga 1 janari i këtij viti, qytetarët tanë lëvizin pa viza në Zonën Shengen, duke bërë që të intensifikohen marrëdhëniet me diasporën tonë të madhe që ka kontribuar kaq shumë për shtetin tonë.

Kosova renditet ndër demokracitë e suksesshme në rajon, ndërkohë që vende të tjera kanë bërë hapa mbrapa duke kufizuar liritë e qytetarëve dhe duke kërcënuar edhe vende të tjera të rajonit. Kosova mbetet e përkushtuar për Procesin e Berlinit, për Planin e Rritjes, dhe do të vijojë punët me partnerët e aleatët tanë perëndimorë për qëllimin e anëtarësimit në NATO dhe në Bashkim Evropian. Sidomos anëtarësimi i Kosovës në NATO është një imperativ për të garantuar sovranitetin e shtetit tonë dhe për të penguar influencat e Rusisë në rajonin tonë. Bashkëpunimi me Shqipërinë do të shtohet dhe Qeveria e Kosovës mbetet e zotuar për të zbatuar marrëveshjet midis dy shteteve tona. Kosova është në krah të Maqedonisë së Veriut dhe të Malit të Zi, si shtete fqinje me të cilat ne ndajmë vlera të njëjta. Ne besojmë se qytetarët shqiptarë në këto vende do të jenë një faktor për paqe, drejtësi, demokraci dhe aleancë me Perëndimin. 

Sipas parashikimeve të Bankës Botërore, republika e jonë në 2024 pritet të ketë rritjen më të lartë ekonomike në rajon. Do t’i japim shtysë projekteve zhvillimore dhe mbështetjes sociale për jetesën e mirë në republikë demokratike.  

Në ditëlindjen e 16-të të pavarësisë falënderojmë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Gjermaninë, Mbretërinë e Bashkuar, Francën, Italinë, Turqinë dhe vendet e tjera anëtare të Bashkimit Evropian e të NATO-s. Falënderojmë të gjitha 117 shtetet njohëse të pavarësisë anembanë globit: nga Kanadaja te Australia e Zelanda e Re, nga Japonia te Panamaja e Peruja. Në veçanti falënderojmë Shqipërinë, popullin e saj mbarë, strukturat shtetërore e partiake dhe udhëheqjet politike e shoqërore. Falënderojmë partitë politike të Kosovës, këtu në parlament e ato jashtë parlamentare, pakicat kombëtare (pra serbët, boshnjakët, turqit, ashkalinjtë, romët, egjiptasit e goranët) dhe organizatat joqeveritare (pra shoqërinë civile e mediat), klerikët fetarë dhe të gjithë profesionistët e vendit tonë për kontributin në republikën tonë. 

Me 16 vitet e saj, republika gëzon shëndet e bukuri dhe ne do të bëjmë çmos që ajo të begatojë dhe të zbukurohet edhe në të ardhmen, sepse të gjithë ne, si popull e si  institucione, jemi të vendosur për t’i dalur zot Kosovës tonë!

Urime!

Ju falemnderit!


Send this to a friend