VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

Gjithmonë më josh fluturimi – Cikël poetik nga MARK GURAKUQI – Zgjodhi e përgatiti: KOLEC TRABOINI

By | December 5, 2017

Komentet

E PARA BIBLIOTEKAT DHE E FUNDIT BIBLIOTEKAT – Esé nga XHEVAIR LLESHI

E para është Fjala. Shkruhet në Bibël. Po edhe ka qenë e para, sigurisht. Do të jetë patjetër edhe e fundit. E kur themi Fjala (e folur apo e shkruar, s’ka rëndësi) nënkuptojmë Biblioteka. Mund t’i duket dikujt edhe një çmenduri, por ama të mos harrojmë se gjërat mund të fillojnë kështu: me një çmenduri. Se dihet që brenda është pasioni dhe ky i uruar është vetëm i çmendur. Bibliotekat! Kudo. Në çdo qelizë. Kushdo që ka dëshirë ta bëjë për së mbari këtë vend, duhet ta fillojë e ta mbyll me bibliotekat. Si, si e harruam , ta themi troç dhe qartë, si harruam kohën kur çdo qelizë e jetës shoqërore, e botës së punës dhe e kohës së lirë kishte një bibliotekë. Aty edhe një postë kufitare dhe një anije peshkimi! Nuk ju vjen në mendje, po ja që po jua sjell unë. Mendoni paksa se të kujtuarit e gjërave kurrë nuk ju bën keq. E pra bibliotekat ndokush i ka lënë në prehër të harresës sepse brenda ishte ideologjia marksiste-leniniste, veprat e E. Hoxhës dhe të PPSH, por ama çdo fshat kishte vatër kulture, dhe ato në qendër kishin biblioteka. Po ashtu çdo ndërmarrje shtetërore (edhe në fund të botës të qe) kishte bibliotekë, po ashtu çdo repart ushtarak, çdo institucion, shkollë, burg, spital, anije, pika stërvitore, repart, qendër e rëndësishme (madje edhe e parëndësishme) etj., etj.,… pra edhe një qelizë Shqipërie kishte një bibliotekë dhe ne ishim një nga popujt që lexonim. Po, po, lexonim dhe ushqyem ëndrra të mëdha. Herë tjetër jo në tym e kam thënë numrin e saktë të bibliotekave. Sot jini apo s’jini në gjendje për të ditur numrin e saktë mjafton të kini para syve panoramën e gjerë të shtrirjes së tyre. Dhe nuk bëhet fjalë për nostalgji po thjesht për ta prurë atë realitet në kohën tonë.
Sidoqoftë, si nuk zuri mend kjo Koha e Re, me pretendime aq të mëdha e, njëkohësisht me aq dëngla e premtime të bujshme, si? Kjo kohë do të kishte e ç’nuk do të kishte, aty edhe çeqe të bardhë dhe… me siguri do të na përmbytnin bibliotekat. Mirëpo ja, kaluan si pa u parë, gjithnjë nëpër këmbët tona, tridhjetë vjet (dhe nuk janë pak për këtë jetën tonë jo kozmike!) dhe Shqipëria e gjorë nuk ka biblioteka! As me ligj, as pa ligj. Dhe mos i vini re karagjozllëqet e filmuara për biblioteka nëpër lagjet e Tiranës! Ato janë vetë sarkazëm dhe aq, që t’i mbledh buzët dhe ti i përvesh nga zori. Dhe, ta mendosh: është tejet e vështirë ta mendosh Tiranën pa biblioteka! Se vetëm ajo ka 36 qytete shqiptare! Domethënë vetëm Tirana duhet të kishte 36 biblioteka, pa përfshirë bibliotekat e mëdha; kombëtare, shkencore, universitare, akademike, korpuset etj., se në të vërtetë as këto nuk ekzistojnë, duke lënë paksa mënjanë Bibliotekën Kombëtare, e cila nuk ble libra, por ama qahet e lënduar se s’ka ku të çojë librat e shkarrashkruesve shqiptarë.
Pa fjalë të tepërta miq! Është e tmerrshme t’u lësh brezave që vijnë këtë vend kaq të mjerë! Ne kemi gati 2000 shkolla të të gjitha kategorive, duke përfshirë edhe universitetet, kemi mbi 20 mijë biznese të mëdha, pastaj kemi plot institucione, ushtri, spitale, azile, polici, burgje e çfarëdo tjetër dhe kudo nuk kemi biblioteka! Dhe ndërkohë ishte dhe është kaq e thjeshtë sa të humb menjëherë edhe oreksi! Pa pikën e andrallave po me një optimizëm të paparë. Maksimumi Shqipëria jonë nuk do më shumë se tremijë biblioteka. Dhe të mendosh që ato janë të ndërtuara kryesisht në shkolla, për të funksionuar si biblioteka të shkollës dhe të komunitetit. Mbetet vetëm të pajisen me libra. Po ne çfarë, vetëm libra nuk paskemi? Jo, mo libra dhe shumë të mirë ka, por askush nuk i do bibliotekat, sepse pranohet që 40 milionë euro t’i hedhim për 2 km rrugë që sigurisht ekziston, është e ndërtuar (pra, për t’i ndarë me barkun e Shën Mërisë ato para!) dhe ja gjysma e këtyre parave do ta kishte mbushur Shqipërinë që nuk lexon më, përplot biblioteka dhe të ishin çelur kudo nëpër institucione bibliotekat e shkreta! O Zot! Një gjë e mundshme bëhet krejt e pamundur. Dhe mos pasja e tyre vjen nga kryeministra që shkruajnë vet libra, nga politikanë që i kanë mbushur raftet me libra tirazhi dhe jo libra që s’ka ku të shiten, sepse është e pamundur të shiten, në një vend që s’ka librari dhe në pastë ndonjë tek tuk ajo e mjerë nuk nxë dot as gazetat. Me ato pará që hidhen kot (Kot jo, xhanëm, se ato pará duket se janë mirë në xhepa se sa të bëhen libra!) mund t’i ndërrohej faqja vendit duke ngritur 36 biblioteka publike në Tiranë, duke i lejuar urat e Lanës të kthehen në librari të vërteta e të fuqishme që Tirana të mund të cilësohet kudo si kryeqyteti me librari të mëdha prej xhami në urat e një lumi të vogël. Të paktën tani që afron 100 vjetori duhet të arrihet ky projekt i bukur, i pakushtueshëm dhe mjaft qytetar. Po pse, pse, pse, pse, pse, pse nuk i japin, teksa nuk harxhojnë asnjë kacidhe?!
E di që mund të vërsulen dhe të nxjerrin nga goja lloj-lloj palavish, por unë kam këmbëngulur dhe këmbëngul: kthejeni sa më parë urën e madhe midis Taivanit dhe Sky-Tower në qendrën më të madhe të librit. Fillojeni prej këtej! Aty në një ditë venë e vijnë mbi njëqind e pesëdhjetë mijë kalimtarë dhe me probabilitet aty do të marrin kontakt me librin 10 për qind e tyre. Projektin e kam gati. Ejani o zotërinj ta bëjmë. Pse jo! S’ka kurrfarë shkaku për t’u penguar, përveç meskiniteteve. Ia vini emrin si të doni. Dhe ashtu, jo me budallallëk e me mendje për të zhvatur. Kini një mundësi të artë në duar. Tirana, (për shembull Tirana, pra!) nuk do të ketë 36 biblioteka publike që zumë ngoje, por aq biblioteka komuniteti sa shkolla të mesme e shkolla 9 vjeçare ka dhe ky është një numër i konsiderueshëm! Po kështu edhe në të gjithë vendin. Me të njëjtën logjikë. Biblioteka mbi det. Biblioteka mbi lumë. Biblioteka urë. Biblioteka anije. Biblioteka shkollë. Biblioteka repart ushtarak. Biblioteka institucion. Si biblioteka shëtitëse e Lezhës. Bëjeni këtë vend të vogël dhe pa shpenzime! Sepse 20 mijë kompanive të mëdha e të fuqishme, po t’u njihen shpenzimet e bëra për bibliotekat edhe pagesa për tatimet (jo thjesht shpenzime për t’i zbritur nga bilanci) do të fitonit një kredibilitet kulturor të paparë. Dhe sipërmarrja është një çast larg punës nga urdhri juaj i nderuar. Ju lutem mos i quani ëndrra këto! Mos i quani budallallëqe vetëm pse nuk ngrohen xhepat e iksit e të ipsilonit. Jo. Bëjeni Shqipërinë me kulturë të lartë, sepse thjesht do jetë në nderin tuaj!
Nesër do të thonë: vajtëm në Shqipëri dhe nuk gjetëm drogë dhe kriminelë, nuk gjetëm fabrika e kombinate të mëdhenj… por ama gjetëm biblioteka e librari, gjetëm shumë libra! Ejani po të doni, shkojmë bashkë dhe e shohim! Një vend ideal. Dhe një vend që lexon do bëhet se s’bën. Dija të bën. Dhe bibliotekat sigurisht do të mbeten një pasuri kombëtare, sepse të gjitha janë biblioteka të komunitetit… Atëherë do të themi: Po e meritonte kjo e mjerë të ngrihej lart vetëm nëpërmjet LIBRIT. Fjalës. E cila nuk është vetëm e para, po edhe e fundit. Dhe Fjala është Bibliotekë…
Tiranë, më 11. 02, 2019

Letrat e “Anna Kërnit” – Tregim nga PËRPARIM HYSI

Letrat e “Anna  Kërnit”

       “Mori bilë, bilë e Lalës
Mori e bukur dhe e zymtë
Pse më çon  në moteshkuar?!”
                  Gavril Dara(i Ri)
     
           Me mua ka ndodhur ajo  që thotë Victor Hygo:” Ai që jeton me kujtime, tërhiqet zvarrë dhe vdes çdo ditë”. Kur jam i lirë (kryesisht, kështu jam) dhe jam jashtë obligimeve të përditshme, zë e shfletoj letra që kam shkëmbyer me miq e mikesha dhe,kur sëmbohem rëndë; kur ndodhi  apo ngjarje më bëhen prezente apo të pranishme, zë qëndroj më gjatë dhe qoftë për letra apo fotografi ,aty për aty,ngarkohem emocionalisht aq,sa disa syresh, më bresojnë aq,sa më  prishin të gjithë atë stereotip të përhershëm. Kështu më ndodhi dhe me këto letra(ato janë gati 10) që një mike ime,ka shkëmbyer me mua. Natyrisht, për asgjë në botë, nuk e jap emrin e saj dhe, në simbolikisht po e quaj”Anna Kërni”, e bëj qëllimisht. Si me një gur të vrasë dy zogj. Anna Kërni ka qenë një nga të dashurat e Pushkinit dhe unë,sa e dua Pushkinin si poet, aq e zvetnoj atë me”lodrat e tij të dashurisë” dhe,sidomos,  me lojën e pistë që i bëri Anna Kërnit:bëri skandal duke e ndarë nga bashkëshorti i saj gjeneral dhe, pasi fitoi dashurinë e saj,e braktisi atë për një tjetër. Nuk kam për qëllim të merrem me Anna Kërnin, por,ngaqë e kam dashur këtë Annën e Pushkinit, po e quaj dhe miken time kështu. As ajo nuk është e gjashme me  Anna Kërnin dhe ca më shumë se kaq: unë jam shumë larg dhe i pagjashëm me PUSHKININ.
                                                                     *     *   *
        Ky idil mes nesh, me sa më kujtohet tani, ka filluar relativisht larg në kohë. Të dy qemë familjarë, me fëmijë të rritur dhe “sherrin”, në mund ta quaj kështu, e ndezi  ajo.  Kur them kështu, jo se mua nuk më “haheshin ato hudhra”, por, për të qenë i drejtpëdrejtë,sado që tregimi është artstik, dua të them që kurrë këtë,”Anna Kërnin”, nuk e kisha parë me këtë sy. Unë me të njiheshim prej kohësh dhe,ngaqë qeshë më i madh se ajo në moshë dhe ngaqë unë qeshë si përgjegjës apo kryetar komisioni në zonë për të njëjtën lëndë që jepte ajo,më thërriste: profesor! Profesor jo se unë e gëzoja këtë status si profesionist,por më tepër ky qe “honorofik” dhe aq.
U takuam tek  tregu fshatar dhe ajo qe me një vajzë aty tek të tetëmbëhjetat dhe,sa më pa,m’u drejtua:
– E, profesor, e kam vjazën ndopak të bukur?!
Mua, “profesorit”, për këto batuta nuk ma ha qeni shkopin dhe flakë për flakë dhe,si ajo puna e thënies” me inat më foli,me inat iu përgjigja”, ia pata:- Më e mirë e ëma se e bija,o “Usta Murat!”. Ky është vargu i një kënge shpotitëse dasme, por,siç duket,ngjiti mirë. Kaq dhe asgjë më.
*      *      *
Kur nuk e prisja,erdhi letra e parë nga ajo. Mos kujtoni se unë këtu do rreshtoj fjalë për fjalë se ç’më shkruante ajo, por që në letrën e parë,pashë se ajo as mendonte dhe as fliste si një somnabull që ecën në gjumë.
“… si grua, unë e kam të qartë që jeta është e shkurtër. E shkurtër,nëse mbyllet brenda qerthulit familjar dhe, për ta zgjatur sado pak, duhen kërkuar hapësira të reja”. M’u duk se po i binte pragut që të dëgjonte dera dhe,për ta “shkalmmuar” fare derën që nuk po hapej, nënëshkruante “Usta Murati”.
Epo nuk mbante më ujë pilafi. Qe një sfidë që më bëhej hapur dhe unë, për kësi sfidash, kurrë nuk e kisha ngrënë bukën thatë.
Letër nuk i shkrova , por sa filloi java, ato katër orë kontroll që kisha në zonë,vendosa t’i ushtroja tek shkolla e saj.
Hyra në orën e saj të Leximit letrar dhe më kujtohet mirë tregimi i ELIN PELIN “Kungulli i pjekur”. Pavarësisht satirës therëse ndaj fshatarit që kish zënë qytetin dhe “gjasme nuk mund të hante më kungull të pjekur”, USTA MURATI u”poq në furrë” e tensionuar nga”dera që po hapej dalëngadalë”.
Në analizë,as që u zu në  gojë orë e mësimit se” kur ka dasëm, unë nuk shkoj për shkarpa”. Kur thoshte Cezari:”Zaret u hodhën”. Ndjeva që dridhej e tëra si ta kishin zënë ethe dhe,për t’u treguar tamam”profesor” veç i shtrëngova dorën me një intimiet dhe,si u përcolla dhe me mësuesët e tjerë të asaj shkolle, u ktheva në shtëpi.
Tek mendoja me gjakftohtësi, ç’po ndodhte mes nesh, qe një marrëzi. Po kush është mendjekthjellët kur dashuron. Kjo dashuria jonë, në këtë moshë, qe e asaj natyre,si” shejtani fle dhe ti vete e zgjon”. Shejtani qeshë unë dhe”zgjimin” ma bëri “Usta Murati.” Thashë më parë fjalën “marrëzi”,po marrëzi më të mëdha se ato të dashurisë,zor se gjen. Ndonjëherë qëllon që marrëzinë e paguan aq shtrenjtë,sa populli thotë:- E pagoi sa frëngu pulën. Epo qejfi ha kumbullat. Dhe,ndërsa endja atë”pëlhurën e Penelopës”, mbrriti letra e dytë: “…çmenduri është kjo që po bëj. Dhe këtë që po bëj me ty,kurrë nuk e kam bërë me tjetër. Ja… të përfytyroj,kur ke zgjatur krahët drejt meje dhe unë, mëkatarja, strukem në gjirin tënd. Jam “mëkatare” se nuk jam e lumtur. E marr rriskun mbi vete: ç’kënaqësi është kur sheh qoftë dhe një ëndërr të bukur dhe kjo,kënaqësia, e rrit amplitudën e vet, sado që frika të rri si shpata e Demokleut mbi kokë. Profesor,se ku kam lexuar se”dashuria bën dhe një qen që të lehë me rimë!!!.Jam unë ai”qeni yt” që po leh. “Ham-ham!”. Me siguri,që ti 
e ndjen”lehjen” time”.
                                             *      *     *
Dihet që dashuria djeg më tepër,kur ka pengesa. Sado që në përgjithësi dashuria është e padukshme, është aq e dukshme,sidomos në “kushtet e marrëzisë”,sa të duket se gjithkush të shehë, të ndjekë dhe bëhesh ndonjëherë aq i vogël nga shpirti, sa kthehesh në atë sozinë e Nikita Gungançit të Gorkit që kërkon një apokalips ku veç ti dhe dashuria të jini gjallë. Ndodh kështu në adoleshencë,se kot populli nuk thotë:”Rrushi i papjekur nuk hahet”. Por në këtë moshë timen dhe të”Usta Muratit” është ndryshe, krejt ndryshe puna. Nuk lejohet deliri në këtë moshë. Sidoqoftë…, dikush pret që të hapet”dera”.
                                             *     *    *
“Dera”, më së fundi, u hap. Ajo më priti atje nën çatinë e saj dhe, si mëkatarë që po i hynim detit në këmbë, ne më përpara u fikëm se u ndezëm. M’u duk si një fllad freskie. Tek i dridheshin supet, e kujtoj se si fërgëllonte,ashtu siç bën një kalë ngacmuar nga era e tagjisë.
Nuk  di në duhet të vazhdoj më,por,megjithatë, një kërshëri e kam:- Vallë kjo ndjesi imja që lind,pasi lexoj këto letra, a ravijëzohet dhe tek ajo pas kaq kohësh?! Nëse ndodh që ky tregimi im bie dhe në dorë të saj  (kemi mbi njëzet vjet që nuk jemi parë), dua që t’i them:”Usta Murat”,për mua ke qenë e bukur dhe e brishtë. Gjithmonë unë jam një tip që nuk më pëlqen tualeti tek femrat. Ti,mikja ime, ke patur një fytyrë që  nuk pranonte tualet. Ke patur një fytyrë nga ato që,tanimë. quhen”bio”. E mirë si ajëri dhe e ngrohtë si dielli. Qofsh mirë,”USTA MURAT!”
                                        Tiranë, 31 janar 2019

Pas përpjekjeve për shumë vite – Poezi nga MICHELANGELO BUONAROTTI – Shqipëroi Astrit Lulushi

Më 18 shkurt 1564 në Romë, vdiq Michelangelo Buonarotti (Mikelanxhelo Buonaroti), piktor italian, skulptor, arkitekt, poet. Një muaj më parë, pas shumë kritikave, kryesisht nga artiste xhelozë sesa nga Papa, pjesët lakuriq të pikturës së tij “Dita e Gjykimit” në tavanin e Kapellës Sistinë, u mbuluan. Mikelanxhelo vdiq i dëshpëruar. Si vetmitar ai ishte njohur edhe kur ishte gjallë (nga disa është parë si qëndrim tipik melankolik i periudhës së Rilindjes që prodhonte art). “Jam shumë i lodhur shpirtërisht e fizikisht, nuk kam asnjë shok, as nuk dua të kem; nuk kam kohë as për të ngrënë; gëzimi dhe dhembja / këto vuajtje janë prehjet e mia”, shkruan Mikelangjelo. Ai ishte ndoshta një nga artistët më të paguar të kohës, dhe prapë qahej. “..jam një njeri i varfër dhe i paguar pak për artin tim, duket se Perëndia më jep vetëm sa për të jetuar për aq kohë sa ka caktuar për  mua”. Poezitë e Mikelanxhelos karakterizohen nga një platonizëm; adhurim për femrën që e cilësonte superiore dhe nuk guxonte t’i afrohej.

“Pas përpjekjeve për shumë vite”, nga Mikelanxhelo
(shqipërim)

Pas përpjekjeve shumë vjeçare,
njeriu i aftë, tani, pranë vdekjes,
është në gjendje ta kuptojë
imazhin brenda gurit.
Madhështia vjen ngadalë,
por për ne nuk zgjat shumë.
Njësoj vepron Natyra;
përpiqet të krijojë
bukuri të rrallë
dhe me ty e arrin.
Tani asaj po i ikën koha
siç ndodh me fundin e karrierës.
Frika, qëndron pranë bukurisë,
dhe ushqen dëshira të çuditshme.
Kështu, mendja në heshje bie, s’thotë dot
kush është më i madh; gëzimi apo dhimbja,
megjithëse pamja jote lajmëron Fundin e Ditëve,
ajo përmban imazhin e  herëshëm
dhe mua më jep kënaqësi të madhe.

Kosova mon amour Poemë nga Elida Buçpapaj

Kosovë
sot po vjen e gjitha
n’Prishtinë
i madh e i vogël
edhe fmijtë
në barkun e Nanave
po vinë

prej gjithë anësh
po vjen Kosovë
n’Ulpianë
po zgjohesh para agimit
natën po e ban ditë
andërr dashnie
me mbjellë farën
gjumin hapa dhe ecje
ditën po e ban rrugë
me ardh n’Prishtinë
nga çdo cep e kënd
me ia tregu fytyrën tënde të lodhun
të keqes
përtej horizontit
që e ndave me luftë prej trupit tënd

fytyra jote
e bukura e dheut
me relieve dhimbjesh,
rrënjët e tua
magmë vullkanesh
prej eshtrash
mijevjeçaresh
janë miliona sy
prej fytyrës tënde
që të ndjekin nga qielli
e bahen sytë e natës
prej atyne syve
janë kriju yjet
me ndriçu
udhëtarët e pyjet

Kosovë
lule shkambore dardane
rrënjosur në tokën
e ngrimë pjellore
lule diellore
mos e prek
që shkrin acarin
e akujt i kthen në lumenj
që s’rreshtin së
rrjedhuri jetë prej jetës
kurrë
Kosovë dje, sot, nesër
mon Amour!

sonte Kosovë
të gjitha andrrat
i kam pa tuj hypë
nëpër avionë
nëpër gjithë
aeroportet e Zvicrës
nga Gjeneva, Zürichu, Baseli
me destinacion
Prishtinën
e tuj zbritë tek Adem Jashari
që ka dalë vetë
me më pritë

t’kam zili Kosovë
se ke qenë gjithmonë
e çume në kambë
në kohë pushtimi
e në kohën e dreqit
e kjametit
dhe sot vjen valë valë
si valët e detit
Jon e Adriatik
nga frymon shqipja
shqip

t’kam zili Kosovë
se m’ke mësu
me e dasht lirinë
m’ke mësu
me ndejt e çume në kambë
edhe fjetun,
edhe dekun

t’kam zili Kosovë
se çohesh përpjetë
pishë malsore
e lartë e drejtë
edhe kur t’lanë
pa bukë e ujë,
zdathë
me barkun thatë
nga hiri mbin
ti prapë e ma lartë

t’kam zili Kosovë
që nuk shterr forcash
me u ngritë
sa herë t’rrëzojnë
sa ma poshtë bjen
aq ma lart ngrihesh
mos m’u rrzu ma kurrë
Kosovë mon amour

desha me qenë
me ty Kosovë
me ty jam mish e shpirt
prej nesh asht krejt bota
zjarri, ajri, uji e toka

t’kam zili Kosovë
se e keqja
boksiere e sprovume
nuk t’shtrin
për tokë
e keqja zhbëhet
para teje
lule shkambore
shkamb alpesh
e fortë

me ty kam qenë
Kosovë
në jetët
pararendëse
me ty jam
edhe sot e gjithmonë
bashkë jena
n’Prishtinë
tek sheshi Skënderbe
ku takuam
Çun Lajçin
apo n’Prizren
n’Kosovë frymoj
ajrin e pastër
me erë lulesh e bjeshkësh
që ka thith
Bogdani, Isa, Jusufi,
Ademët, Agimi e Ibrahim Rugova
kush frymon n’Kosove
bahet me krahë
e vetë jeta merr fletë
në qershor, n’shkurt,nandor
n’Ulpjanë, Dardani
ku knon lahuta e kërcejnë
tupanat
n’Drenicë, Mitrovicë
Gjakovë a Prishtinë
gjithmonë, gjithherë
e gjithkur
Kosovë mon amour!

 

*Pjetër Bogdani, Isa Boletini, Jusuf Gërvalla, Adem Jashari, Adem Demaçi, Agim Ramadani, Ibrahim Rugova

PA E PARË TË LIRË KOSOVËN, TI MOS MË MERR O ZOT – Poezi nga VEHBI SKËNDERI

Piqet në degë fruti. Këputet.
Dheu e katit!
Vdekje, toke me mua!
Bëjmë tok paqe.
Mos më kosit!
Një ëndërr kam,
o njerëz, e një dëshirë.
Një lutje sot e mot:
Pa e parë Kosovën të lirë,
ti mos më merr o Zot!
Ti mos më merr o Zot!

E di! Qirinjtë e ditëve
përditë erërat na i fikin.
E di! S’bën dot shaka njeriu
me lumin e me kohën.
Më ikën shumë shokë!
Ndoshta edhe të tjerë do të më ikin…
Po unë një hap nuk luaj!
Unë nuk vdes! Nuk vdes!
Pa e parë të lirë Kosovën!

Pa i këputur Kosova zinxhirët.
Ti mos më merr o Zot! Ti mos më merr o Zot,
Pa e parë Kosovën të lirë!


Strugë, 27 dhjetor 1995

 

Më 16 shkurt 1907 u nda nga jeta poeti nobelist italian Giosué Carducci

VOAL – Giosué Carducci (Xhozué Karduçi) u lind më 27 korrik 1835 në Valdicastello në provincën e Lucca, nga Michele Carducci, mjek e revolucionar, dhe Ildegonda Celli, me origjinë nga Volterra. Më 25 tetor 1838 familja Carducci, për shkak të konkursit të fituar nga babai i tyre për t’u bërë një mjek lokal, u zhvendos në Bolgheri, një fshat toskanas që falë poetit u bë i famshëm në të gjithë botën. Qëndrimi në Maremma është dëshmuar dhe kujtuar me nostalgji ne sonetin “Traversando la Maremma toscana” ( (1885), dhe në shumë frymëzime të tjera të poezisë së tij.

Nonna Lucia  (gjyshja Luçie) është gjithashtu pjesë e bërthamës familjare, një figurë vendimtare në arsimimin dhe trajnimin e Giosuè aq shumë sa poeti e kujton atë me dashuri të madhe në poemën “Davanti San Guido”. Disa vjet më vonë, megjithatë (pikërisht më 1842), kjo figurë fisnike vdes, duke e lënë Xhozuenë në dëshpërim.

Ndërkohë lëvizjet revolucionare marrin formë, lëvizje në të cilat është përfshirë babai i pasionuar dhe “kokëshkretë” Michele. Situata është e ndërlikuar në një masë të tillë sa shkon deri tek të shtënat në familjen Carducci, pas përshkallëzimit të konfliktit ndërmjet Michele Carduccit dhe pjesës më konservatore të popullsisë së Bolgherit; ngjarja i detyron ata të lëvizin në Castagneto aty pranë ku ata qëndrojnë për gati një vit (tani i njohur si Castagneto Carducci).

Më 28 prill 1849 Carducci mbërrin në Firence. Aty ndoqi Institutin Piarist dhe takoi gruan e tij të ardhshme Elvira Menicucci, bija e Francesco Menicucci, rrobaqepës ushtarak. Më 11 nëntor 1853, poeti i ardhshëm hyn në Shkollën Normale të Pizës. Kërkesat për pranim nuk përputhen në mënyrë të përkryer, por një deklaratë e At Geremias, mësuesit të tij, është thelbësore: “… ai ka një talent të bukur dhe një imagjinatë shumë të pasur, ai ka shumë njohuri të shkëlqyera. Ai e dalloi veten edhe ndër më të mirët: ai ishte gjithmonë i miri, i krishterë dhe i arsimuar në mënyrë civile “. Xhozué merr provimet shkëlyer me temën “Dante dhe shekulli i tij” dhe fiton konkursin. Në të njëjtin vit ai krijoi, së bashku me tre shokët e klasës, grupin e “Amici pedanti”, të angazhuar në mbrojtjen e klasicizmit kundër Manzonianëve. Pas diplomimit, arritur me nderime, mëson retorikën në shkollën e mesme të San Miniato al Tedesco.

Është 1857 kur kompozoi “Rime di San Miniato”, suksesi i të cilit është pothuajse zero, përveç një lajmi në një revistë bashkëkohore nga Guerrazzi. Në mbrëmjen e së mërkurës, më 4 nëntor, vëllai i tij Dante është vrarë, duke prerë gjoksin e tij me një bisturi të mprehtë të babait të tij; një mijë hamendësime. Thuhet se ai ishte lodhur nga qortimet familjare sidomos të babait të tij, i cili ishte bërë intolerant dhe i vështirë edhe me fëmijët e tij. Vitin tjetër, megjithatë, vdes babai i poetit.

Një vit zie dhe poeti më në fund martohet me Elvirën. Më vonë, pas lindjes së vajzave të tij, Beatrice dhe Laura, ai u zhvendos në Bolonjë, një mjedis shumë i kulturuar dhe stimulues, ku mësoi elokuencën italiane në Universitet. Kështu filloi një periudhë shumë e gjatë e mësimdhënies (e cila zgjati deri në vitin 1904), e karakterizuar nga një aktivitet i zjarrtë dhe i pasionuar filologjik dhe kritik. Djali Dante vdes në një moshë shumë të re. Carducci është goditur ashpër nga vdekja e tij: i zymtë, duke parë në hapësirë, ai e ka përjetuar dhimbjen kudo, në shtëpi, në universitet, për një shëtitje. Në qershor të vitit 1871, duke menduar për djalin e humbur, ai shkruan poezinë “Vaji antik”.

Në vitet ’60, pakënaqësia e shkaktuar nga gjendja në vendin e tij, rezultoi në një qëndrim pro-republikan dhe madje edhe jakobin: kjo pasqyrohet edhe në aktivitetin e tij poetik, i karakterizuar në këtë periudhë nga një temë e pasur sociale dhe politike.

Në vitet në vijim, me ndryshimin e realitetit historik italian, Carducci kalon nga një qëndrim i dhunshëm polemik dhe revolucionare në një marrëdhënie shumë më të qetë me shtetin dhe monarkinë, e cila përfundimisht çon në jetë dukur garantuesin më të mirë të shpirtit laik të Rilindjes dhe një progres social jo-subversiv (kundër mendimit socialist).

Simpatika e re monarkike arrin kulmin në 1890 me nominimin si senator të mbretërisë.

Në vitin 1906 poeti u nderua me Çmimin Nobel për letërsi ( “Jo vetëm në njohje e mësimeve të tij të thella dhe hulumtimeve kritike, por mbi të gjitha një vlerësim ndaj energjisë krijuese, pastërtisë së stilit dhe forcës lirike që karakterizojnë kryeveprën e tij poetike”). Kushtet e shëndetit nuk e lejojnë atë të shkojë në Stokholm dhe çmimi i dorëzohet në shtëpinë e tij në Bolonjë. Më 16shkurt 1907 Giosuè Carducci vdes në shtëpinë e tij në Bolonjë, në moshën 72 vjeçare.

Takime të Jusuf Buxhovit me akademikët kroatë (fotot)

Akademik Drazhiq tregon interesim të veçantë për monografinë “Kongresi i Berlinit 1878”

Pritja e Jusuf Buxhovit në Akademinë Kroate të Shkencave dhe Arteve (HAZU), biseda me akademikët e njohur: Gordan Drazhiq, Dobisha Skok, Tonko Maroeviq dhe August Kovaçec paraqesin një kënaqësi të veqantë, veçmas kur ata tregojnë interesim jo vetëm për “Kosovën” në anglisht, që do të zë vend në bibliotekën e akademisë,por edhe për monografinë “Kongresi i Berlinit 1878” dhe protokollet origjinale në të, në frengjisht dhe gjermanisht, si dokumente autentike, të cilat, as Kroacia nuk i ka në formën siç paraqiten në këtë monografi, gjë që ka gjasa që, pas një marrëveshjeje, të ribotohen nga Akademia kroate.

Me Akademikun Tonko Maroeviq

Me akademikun Dobrisha Skok në galerinë e arteve i shoqërur nga Shuip Ziberi dhe Gentiana Fana — me Nijazi Muhamedi.

Akademikët Kovaçec dhe Maroeviq gjatë promivimit të “Kosovës” VI,VII,VIII në Zagreb

RIVLERËSIMI SI SFIDË – OPTIKË KRITIKE PËR PROFILIN POETIK TË POETIT FASLLI HALITI – Nga MEXHIT PRENÇI

 

 

                                                       

                                                Poeti për riedukim, qershor 1973

 

Poezisë së Faslli Halitit edhe nëse nuk i vihet emri, lexuesi i kujdesshëm e dallon menjëherë dhe e personalizon. Kjo padyshim është vlerë e origjinalitetit dhe individualitetit poetik të spikatur, çka do te jetë objekt i këtij vështrimi kritik. Poeti Haliti është i pakrahasueshëm me personalitete artistike të veçantë. Në këto përfundime kam arritur nga analiza e tekstit poetik të poezisë së përzgjedhur të tij, pas një procesi hulumtues,  perceptues e studiues dhe vlerësues e rivlerësues. Kjo lloj kritike përjashton faktorët jashtëletrarë, fjalomaninë, të shkruarit apo të folurit në përgjithësi e sipas qejfit

 

2

Katër dekada e më shumë boton poezi Faslli Haliti që nga  koha e diktaturës komuniste, në dy dekadat e demokracisë dhe në vazhdim. Poezia e tij është e shqetësuar dhe e angazhuar. Shqetësimi është i dyfishtë i qytetarit dhe i krijuesit. Kjo përbën një unitetit në raportin art-jetë. Duke mos u ndaluar te kjo çështje në rrafshin teorik, por në atë konkret, theksoj se poeti Haliti është i lidhur pazgjidhshmërisht me vendlindjen, vatrën, me tokën, natyrën, fushën, malin e fshatin. Me jetën në tërësi. Me  shoqërinë dhe njerëzit, gëzimet dhe hidhërimet e tyre; me dramat e tragjeditë; Me lirinë dhe kufizimet e saj, – të cilat i ka përjetuar si qytetar dhe i ka vështruar si piktor e poet. Realitetin artistik e rikrijon prej atij jetësor me poezi të freskët,  me detaje, imazhe, situata, subjekte, ngjarje, tipa e karaktere njerëzish, të cilat janë të veçanta e të jashtëzakonshme, të rikrijuar si personazhe. Syri i piktorit (poeti është edhe piktor) ka qenë syri i vëzhguesit të hollë që dallon edhe të padukshmen, ku njeriu i zakonshëm nuk e sheh dot. Ky sy vëzhgues njësh me syrin e brendshëm të poetit, kanë krijuar mekanizmin krijues të veçantë, origjinal, të ndryshëm të poezisë së tij të shqetësuar e të  angazhuar si në kohën pa liri të socializmit, ashtu edhe në kohën me liri të demokracisë.

3

Poezia e angazhuar e socrealizmit  kish objekt  njeriun dhe realitetin e ideologjizuar e të alibiuar dhe transmetonte mesazhe të tilla. Ndërsa poezia e angazhuar në dy dekadat e demokracisë ka në fokus njeriun natyral, shoqërinë, anën sociale dhe humane; jetën reale e komplekse, me të mirat e të këqijat e saj. Qëndrimi kritik poetik ndaj dukurive negative dhe regresive, sidomos  të dhunës së të drejtave e lirive të njeriut në sistemin totalitarist duke kërkuar ndryshim brenda sistemit, ka qenë i dyzuar me një paqartësi të dukshme. Po nga një optikë tjetër herë të qartë e herë të turbulltë  në dy dekadat e demokracisë është i shqetësuar dhe angazhuar, herë sheh dritë, herë mjegullnajë, herë dhunë herë demokraci dhe liri me tepricë të cilat i shpreh lirshëm, pa kujtuar nenin 55. Poeti i shquar, i përveçëm, Xhevahir Spahiu duke vlerësuar poezinë e Halitit, do të thoshte: ” Dhuna e burgos lirinë, Faslli Haliti e zhburgos lirinë”. Një ndër mjetet më të rëndësishme të poezisë së tij është aplikimi i ironikes,  satirës dhe groteskut..

4

Liria krijuese në mbretërimin e socrealizmit ka qenë e kufizuar nga vijave të bardha ideologjike. Mbi kokat e krijuesve si shpatë e Demokleut qëndronte Neni 55. Këtë autori e dinte dhe  e mbante vëth në vesh. Por ja që pasioni i vrullshëm e tradhton.  Nga dufi për të kritikuar  burokratizmin shkruan poemën “Dielli dhe rrëkerat”. Nuk i vë fre fantazisë. Kalon muret ideologjike dhe godet ashpër poetikisht “rrëkerat” burokratike që bëjnë të pikojë çatia e shtëpisë së heroit dramatiko-lirik të poemës, çatia e njeriut të thjeshtë, fshatarit, punëtorit dhe nëpunësit të vogël. Por kjo është dukja në sipërfaqe. Prapa saj shikoj një simbolikë shumëdimensionale. Burokracia është futur thellë në shtëpinë e madhe të piramidës së pushtetit që ndërtoi Enveri me Partinë. Ajo pikon pikë-pikë. Semantika e togfjalëshit “më pikon çatia” e çon mendjen e lexuesit elitar, gjer te çatia e shtëpisë së madhe, e cila është ndërtuar keq! Burokratizmi po e shkatërron ashtu si ajo pika e çatisë “Pi- / kë, pi- / kë!…”, siç thotë vargu i tij i ndarë në rrokje, i thyer, sfidues i rregullave strikte.

 

                              

    

 

Në këto momente të procesit krijues, si një engjëll mbrojtës i vjen në ndihmë  autocensura e bukur,  paçka se kishte lindur nga dhuna e tmerrshme e sistemit piramidal të censurës vrasëse të lirisë krijuese. Poetit i duhej të shpikte metaforën aliazh të diellit “Enver-Parti” si simbol të dritës!…  Që t’i jepte të kuptonte Diktatorit të Madh që të tjerët e kanë fajin që pikon çatia. Të tjerët e kanë fajin që burokratizmi po gërryen piramidën e shtetit  socialist, paçka se unë flas për shtëpinë time qaramane e sentimentale. Dhe i drejtohet Enverit e Partisë, familjarisht me gruan dhe fëmijët: “ Mos rrini fare të menduar! / Ne për ju flemë nën ujë, /  Ne për ju flemë në dyshekë akujsh, / Ne për ju flemë edhe në çarçaf borërash mbuluar!”. Në nënshtresat semantike të  tekstit poetik lexoj se, bashkë me autorin kështu ligjëron edhe një pjesë e familjes së madhe shqiptare. Dhe vazhdon më poshtë me fjalën “Ne”, përtej familjes. Është zëri i atyre që vuanin burokratizmin e korrupsionin, një zë ironik”Ne për shokun Lili na vjen keq  / (Shefin e strehimit) / Ne për shokun Koli na vjen keq / (Kryetarin e Këshillit) Në pallatin e ri që sapo mbaroi / Nuk na caktoi ne / Nuk caktoi traktoristin Qazim Gjoni, / Nuk caktoi elektriçistin Met Myzeqari / Nuk caktoi arkitektin Koço Mina, / Por soj – / e, / soro-llopin e tij… / Që lanë shtëpitë në fshat / Dhe ikën në qytet  / Të parët morën hyrje në pallat!”. Prapa fjalëve e togfjalëve poetike, në shtresat polisemantike ironia dhe satira godet. Censorët  ngrenë veshët e mprehin armët. Marifetet artistike dhe veglat e artit të kohës eterne, që është kohë e letërsisë natyrore, nuk pinë ujë kësaj here, kur në raste të tjera nuk ishin vënë re në ca poezi liberale të tij që kishin kaluar vijat e bardha. Poema “Dielli dhe rrëkerat” u burgos. Autori u dënua të punonte me kooperativistët e Myzeqesë, të “zinte mend”, si thotë me shpoti Urtaku.

6

 

                            

 

Nga polisemantike tropologjike e tekstit poetik shquaj pa lente se  autori shfaqet edhe i ndërgjegjshëm edhe i pandërgjegjshëm. Besonte se Enveri me Partinë ishin “mjekët” që mund ta shëronin këtë sëmundje të rrezikshme. Mirëpo poeti liberal Faslli sfidon poetin e ideologjizuar Faslli. Prapa të dukshmes, perceptoj dhe ndjej ironinë dhe satirën pikërisht ndaj Enverit dhe Partisë. Ishin ato që krijuan burokratizmin, ishte shteti i tyre “demokratik” i burokratizuar, ishte çatia e shtëpisë së poetit dhe çatia e shtëpisë së Shqipërisë që pikonte: “Dy re në qiell / Ajo vu lotët,  / Dy re në qiell / Ajo vu me të madhe”… Nga sytë e tavanit tim, ( të tavanit të shtëpisë së Nënës Shqipëri, M.P.) / rrjedhin lot gjerbësh vu, vu, / Vu, vu, / Rrjedhin natë e ditë, / Rrjedhin me të madhe / Rrjedhin / Pi- / kë, / pi- / kë! “.

7

Kjo poemë edhe me subjekt edhe sintetike, është ndër më të fuqishmet e poemave të tij, më të guximshmet që përcjell mesazhe tronditëse, super-realiste që sfidonin “realitetin e shndritshëm socialist”, pseudodrejtësinë, pseudobarazinë dhe pseudodemokracinë. Poeti pasi e paraqet lakuriq, me detaje të vërtetën, me vargje dramatike, retorike e sarkastike, ironizon edhe s i m b o l i n “Parti-Enver”. Ja disa vargje: “Urdhër! / Me grushtin e klasës punëtore / Thyejani dhëmbët burokracisë! / Thyejani dhëmbët shokut Koli / Shokut Lili!”  Dhe vë në gojën e klasës vargjet: “Po ua thyejmë, / por / Na duhen gurë, / Makinat në gurore u vonuan.” Ironia nuk të bën për të qeshur. Poeti e ndjen riskun. Autocensura lëviz brenda vetes dhe vë në gojën e klasës vargje të tjerë: ”Po i murosim dhëmbët tuaj”,- u drejtohet burokratëve. “Ne s’mund ta lemë me duar nën gjerbë / Enverin / Partinë /  Ne i kemi piketa duart e tyre, / piketa ku duhet të hapim themele / Piketa ku duhet të ngremë çatira. / Partia, /  Enveri / zgjuar rrijnë?! / Dhe vënë dorën aty ku pikon, / Dhe s’ka gjerbë që s’e dijnë ?!” Vini re vargun e fundit: me ekuivokë, dykuptimore, me trope. Po ndryshe e kupton Diktatori. Ndryshe e kuptojnë censorët. Kompromisi i heshtur ndodh. Poeti i shpëton burgut të tmerrshëm të Burrelit. Por jo baltave të Myzeqesë. Poeti e ka bërë kompromisin më përpara, kompromisin artistik,ikht e ka bwrw kompromisin mw pwrparan, / Dhe s’ midis qëndrimit kritik të autorit me  ideologjinë enveriste, një  bashkëjetesë ku sapo godet në rrënjë të keqen, ndryshimin e shikon brenda sistemit, e kërkon pikërisht nga ata që e ngritën ngrehinën e burokratizmit.. Megjithatë poema e tronditi Diktatorin e Madh dhe regjimin e tij diktatorial.

8

U ndala gjatë te analiza e kësaj poeme, për të dhënë më të plotë kompleksitetin e  raportit të poetit me realitetin, një raport i frikshëm nën diktataturë që shfaqet edhe në shumë poezi të tjera në tema, motive e variacione të ndryshme e të larmishme, siç janë edhe poezitë:  “N j e r i u me k o b u re”, 1972, Nëntori. “T r e m b j e” (ose Njeriu i zi, M.P.) 1972, Drita. “L a k u r i q i ” 1987, Drita etj.. Ndërsa nga poezitë e shkruara në kohën e demokracisë raporti i poetit me realilitetin ka një qasje kritike tjetër, në sensin e zhvillimit dhe të progresit. Krahas këtij vizioni të qartë, nuk mungojnë edhe poezitë e turbullta e të errëta, në çaste dëshpërimi e hutimi. Edhe në këtë  periudhë të krijimtarisë së tij poeti është i dyzuar. Brenda tij jeton jo më frika, as mungesa e lirisë. Liria është  e garantuar dhe me tepri. Në subkoshiencë, dyluftimi me veten krijuese, zhvillohet midis ëndrrës për demokraci më të përsosur dhe shpresës së mjegulluar. Poeti është i ndjeshëm. ngazëllen për dukuritë pozitive, por trishtohet, zemërohet, humbet edhe toruan kur e shikon zi realitetin për shkak të mospastrimit të ndërgjegjes nga koha e mbretërimit të socrealizmit (Duhet kohë për të gjithë, të bëhet i plotë katarsësi) Në ndonjë moment humbet dritën, nuk  sheh as në fundin e tunelit, është krejt i hutuar, i mjegulluar, pa shpresë: “Sot / Dashuria / S’më shpëton dot / S’më shpëton trimëria / S’më shpëton dot as vëllai / Nëna / Babai / Fëmija…/ Më shpëton vetëm vdekja …/ Vdekja / Shpëtimi im në çaste shah-mati / Guri i zi i vdekjes, i lëvizur me guxim / Lëvizja e zezë e gurit të zi, shpëtimi im!”, poezia “S h p ë t i m i “ 1995, Aks. Ndërsa në poezinë “Çast kllapie” 1992, Zëri i Rinisë, lëvizjet e reja i sheh kaotike, me pak, fare pak dritë, megjithatë  në këtë “tymnajë”  ai sheh të dashurën e tij, çka tregon se autori nuk shikon vetëm errësirë, kur sapo kish ndodhur ndryshimi i madh. Kurse në poezinë “Greva” 1994, autori  ka futur në grevë, njerëzit,  nuset, të vdekurit dhe bletët: “Lulishtet pa lule / Sektori i blerimit pa blerim”… Poezia mbyllet me vargjet kumt: ”Lulet i duam / Të lulishteve shqiptare / S’duam lule të dërguara / Si ndihma humanitare…” etj. Siç shihet raporti i poetit me jetën është i veçantë, kompleks, origjinal. Njeriu me kulturë me dije e shije siç do të thoshte Konica, nuk mund t’i thotë poetit pse shkruan kështu apo ashtu.. I tillë është ai, kompleks, vetvetja, me profil poetik të spikatur.

 

9

Poezia e tij është sa e veçantë e konkrete, aq e larmishme dhe e begatë në motive, tema, mendime, ide filozofike dhe në mesazhe, një pjesë e të cilave çlirojnë energji pozitive dhe  japin kënaqësi estetike të ndryshme. Në një varg poetik thuhet “dashuroj dashurinë, urrej urrejtjen”. Është kredoja e tij poetike, thelbi i heroit liriko-dramatik. Shpërfaqet vizioni dhe koncepti i tij për të bukurën, duke fshikulluar të shëmtuarën. Poezia e Faslliut është thirrje për më shumë demokraci, më shumë drejtësi, më shumë përkushtim që njeriu të jetojë më mirë dhe të jetë më i gëzuar. Këtë  e gjen në poezitë e tij  më cilësore.

Profili i veçantë i poetit shfaqet që në  preferencën e v a r g u t  të  l i r ë. Nuk ishte zgjedhje për modë siç bënë shumë poetë në gjysmën e dytë të viteve gjashtëdhjetë dhe fillimviti shtatëdhjetë. Strukturimi i poezive me varg të lirë nga Faslliu, ishte jashtë rutinës,stereotipisë; ishte nevojë e brendshme për t’u shprehur lirshëm poetikisht, si në shestim ashtu edhe në formësim të poezisë. Vargu ndërtohet pa ndonjë rregull të caktuar: me shumë fjalë, me një tog fjalësh, me një fjalë, me një fjalë të ndarë në rrokje, me një zanore; me vargje të thyer, të lirë, të rregullta, me rrimë e pa rrimë,  me një ritëm të brendshëm të dukshëm e të padukshëm. Kjo formë poetike përmban struktura të larmishme. Ky shestim dhe formësim poetik  jo për ekstravagancë, manierë, as për të çuditur të tjerët, por për të theksuar emocionin dhe mendimin, tonalitetin, tingëllimin dhe kolorin gjuhësor, është ndër element e veçantë të formës çka  poeti Haliti nuk ngjet me askënd. Poeti Moikom Zeqo do të thoshte: “Faslli Haliti paraqitet me atributet e origjinalitetit të tij të patjetërsueshëm”. Edhe nëse ka ndonjë ndikim në konceptim po edhe në strukturë nga poezia e Janis Ricos, kjo ka ardhur  e natyrshme, sa është bërë pjesë e ndërgjegjes krijuese të tij, sidomos në poezinë me subjekt dhe në atë me personazhe që ia ka sugjeruar vetë realiteti shqiptar, i cili ka qenë objekt i vështrimit të tij poetik kritik. Kjo mënyrë të shprehuri poetike, shpirtëzon personazhet dhe bëmat e tyre, tipat e karakteret, ngjarjet dhe situatat. Struktura e poezisë së Halitit mundëson krijimin e poezive me një thjeshtësi të çuditshme, me konkretësi,  racionalitet dhe emocinalitet. Burimi është fusha e formave të jetës dhe natyrës, me të cilën poeti ka një marrëdhënie specifike për shkak të njohjes së thellë të realitetit të ditës, të shqetësimeve, gëzimeve, hidhërimeve, dhimbjeve e vuajtjeve të njerëzve ku mprehet qëndrimi kritik i autorit, begatohet poezia me elemente të satirës, ironisë, groteskut; me veçoritë e bëmat e çdo personazhi, me detajet që janë specifike për secilin, siç i ka zbuluar dhe shprehur poetikisht autori ku spikat origjinaliteti dhe personalja poetike e tij.

10

Shumë autorë vetëproklamohen se janë vetvetja, janë të veçantë. E thonë  me fjalë të p ë r g j i t h s h m e. Madje edhe ata që kanë folur ose shkruar për ta, gjykojnë me amatorizëm, pa arritur të përcaktojnë se cilat janë elementet e veçantë të poezisë së tij, origjinaliteti dhe un-i krijues etj. Një akademik në një intervistë  për poetin e shquar Ali Asllani pyetjes së gazetares se cila është e veçanta e poetit, iu përgjigj: ”E veçanta e tij është se këndonte me zemër”( ! ). Kjo nuk është përgjigje akademiku, të gjithë  poetët këndojnë me zemër. Edhe Faslli Haliti këndon me zemër e me mendje, e veçanta  tek ai shfaqet që në përzgjedhjen e temës dhe në shprehjen artistike të  saj, sipas pikëvështrimit të tij poetik të lirë,  të shestimit të poezisë ndryshe nga të tjerët, ndryshe edhe nga formësimi artistik që te struktura, vargu, ritmi, te aplikimi i mjeteve shprehëse figurative sipas natyrës së poezisë lirike apo dramatike, liriko-dramatike, dramatiko satirike. Faslliu si vëzhgues i mprehtë i dukurive dhe njohës i njeriut në rrethana e marrëdhënie të ndryshme, duke qenë i prirur kah konkretja, nga ajo që është e prekshme, e dallueshme dhe e veçantë te çdo njeri, dukuri, ngjarje, subjekt, episod, personazh, mendim apo ide, nuk e ka të vështirë këtë ta përkthejë me gjuhën poetike sipas  personales artistike të tij.

11

Si qytetar dhe poet Haliti respekton lirinë brenda dyzimit të vetvetes, ndërsa në strukturimin  e poezive respekton lirinë krijuese  çliruar nga  kufizimet e ndryshme metrike. Poezinë e formëson ashtu si e kërkon vetë tema, motivi apo frymëzimi, ai shkruan poezi me struktura të ndryshme, klasike, realiste, lirike e romantike, epiko- groteske, jo krejtësisht si struktura të pastra, port edhe të përziera. Një vend të veçantë zë poezia me subjekt dhe me personazhe; poezia e ideve dhe mendimeve, e situatave dhe ngjarjeve, gërshetuar me elemente realiste, fantaziste, me metafora e simbole, por edhe me detaje dhe trope. Siç shihet  tipologjia e poezisë së Halitit është e larmishme dhe shumëdimensionale.

Do të ndalem te stili, si një ndër përbërësit më përcaktues të origjinalitetit të spikatur të tij, i cili  është i larmishëm, i thjeshtë, i shtruar dhe  i përmbajtur, po herë-herë edhe dinamik e shpërthyes në situata e ngjarje të ndryshme. Përgjithësisht stili poetik i autorit shfaqen në të gjitha dimensionet e tij, jo vetëm me një pastërti e thjeshtësi njëdimensionale. Brenda të njëjtës poezi apo poemë, kemi variacione stilesh të autorit, alternime të ritmit, temporitmit, shpërthimeve dramatike poetike dhe të momenteve të qeta, ku stili është i tillë. Nuk e kërkon stilin autori, ai vjen vetvetiu. Nuk e kërkon as figurën, as formën, as metaforën, simbolin apo mjete të tjera shprehëse, gjithçka vjen nga marrëdhënia e përfytyrimit me realitetin që do ta quaja refleksibilitet poetik, që është i veçantë te poezia e Faslli Halitit. Kjo sfidon stilin retorik, estetizant dhe të fryrë. Kjo vlerë gjendet në poezinë më të arritura të tij, e cila është minorancë. Krahas vlerave në disa poezi të tjera që edhe mund të mos ishin përfshirë në botime, shfaqen edhe dukuri të  stilit me vlera të kufizuara, retorik, i zakonshëm, prozaik dhe  i thjeshtëzuar etj,.  Kjo jovlerë nuk zbeh vlerat e stilit të tij në poezitë më me vlera në 18 librat poetik. Vlera e një poeti përcaktohet nga poezitë më cilësore, edhe nëse janë të pakta. Mund të shkruash shumë libra, edhe tetëdhjetë siç kanë deklaruar ca poetucë belulistë dhe, që e fusin veten në poetët elitarë, kur është e diskutueshme janë apo nuk janë poetë. Poeti Haliti duke pasur parasysh poezinë më të mirë të tij,- është zë i veçantë në  poezinë shqipe.

12

Ja disa prej poezive më me vlera. ( Duhej të këndoja i pari, e di) :  “E kam hekurudhën te dera e shtëpisë / Duhej të këndoja i pari, e di. / Nuk këndova , /  Isha i mpirë, i hutuar,  / Isha si dhëndëri në dasmën e tij / Si dhëndëri që pret e përcjell, / Ndërsa të tjerët këndojnë, kërcejnë, /  Ai në qoshe, i lumtur rri. / Duhej të këndoja i pari, e di”.  P o e z i a (Retë) “Retë / Si kope buajsh / Ikin në Veri, / Ikin në Jug, / Duke pëllitur me zë bubullimash. / Vjeshta, si bareshë bionde, / I fishkëllen me shkopinj vetëtimash”. Ndërsa nga poezia (Nëna) veçojmë: … “Po ti, ike moj nënë, / Ç’pate për të thënë i the të gjitha…/ Kam dhe unë diçka për të thënë: / Nëse njeriu s’u ngopka me jetë / Fëmija nuk ngopet me nënë”. Një poezi tjetër brilante: “Ai pret të fryjë era / Jo që të zhvishen pemët, / Jo që të shkunden gjethet e verdha, / por që të zhvesh xhaketën, / T’i duket pas brezit, koburja. / Ai pret të vijë pranvera, / Jo që të mbjell e të korrë, / Por që të zhvesh xhaketën, / Ti duket pas brezit / Koburja”. (Njeriu me kobure).  Nga poema (Thellësi) do shkëpus disa vargje: “Dikush i fyen ditët tona…. / Urrejtjes / S’i jap as gishtin / Dashurisë i fus krahun, / Puthem me dashuri me dashurinë, / Shëtis gjithë dashuri me dashurinë, / Hahem dhëmbë për dhëmbë me hakmarrjen, / Me urrejtjen / Me mërinë…”. Ndërsa poezinë (Lisi)  ia kushton Kadaresë. “ Me / T’u bërë, / Lis,  / Qindra, / Mijëra gozhdë/ Tentuan të të thanin. / T’i ua kalbe gozhdët më në fund…”. Një poezi tjetër sipas Linkolnit:“Sa s’dua / Të jem / Skllav, / Aq s’dua të jem bos, / Miliarder, sheik, zotëri. / Kështu të kuptoj unë  Ty, D e m o k r a c i”.

Janë të shumta e të larmishme poezitë që mund të përzgjidhen si më përfaqësuese të vlerave të poetit Haliti. Përzgjedhja e përgatitur nga Zeqo ka vlera, por nuk e përfaqëson tërë poezinë më të mirë të tij. Ka ca poezi të tjera me vlera më të larta se një pjesë që janë përfshirë në këtë përmbledhje. Poeti Ndoc Gjetja thoshte se kam botuar shtatë libra me poezi, gjykomëni vetëm nga poezitë e zgjedhura në librin e fundit. Sipas kësaj kuptimësie dhe thënies së Konicës se kritika është gjykimi i vlerave të librit, poezinë e Faslli Halitit e kam gjykuar nga poezia më cilësore e tij, më përfaqësuese e vlerave të librave poetikë.

 13

Si konkluzë: Faslli Haliti është poet me një profil artistik  të veçantë  që ngjet vetëm me vetveten. Ai këndon me zërin e tij, vështron realitetin me syrin e piktorit dhe të poetit, i shpreh emocionet, mendimet dhe idetë si reflektim i realitetit aktual të ditës dhe i formëson poezitë i çliruar nga trysnitë, duke i strukturuar me origjinalitet. Nuk është mjeshtër i madh, në kuptimin e përsosjes së poezisë, por është mjeshtër i të qenët origjinal, vetvetja. Lasgushi thoshte: “Nuk ka poet të madh apo poet të vogël, është apo nuk është poet?!”. Faslli Haliti është poet. Poet  i veçantë, origjinal, vetvetja. Këndon me zërin e tij.

Tri poezi nga ATTILIO BERTOLUCCI – Përktheu FASLLI HALITI

ATTILIO BERTOLUCCI
1911 – 2000

Attilio Bertolucci (San Prospero Parmense, 18 nëntor 1911 – Romë, 14 qershor 2000) ishte poet italian, babai i regjisorëve Bernardo Bertolucci dhe Giuseppe Bertolucci.
Poezia e Bertolucci është e thjeshtë dhe komplekse në mënyrën e vet. Vetëdija e tij për përshkrimin dhe historinë e ka sjellë natyrshëm që ai të shmangë lirinë intensive të poezisë së pastër dhe hermetike për t’u kthyer në vend të një gjuhe poetike të kuptueshme dhe të tregimit në vargje. Prodhimi, i cili fillon më 1929, përfshin koleksione poetike, një roman familjar në vargje, prozë, përkthime të autorëve anglezë dhe francezë si William Wordsworth dhe Charles Baudelaire. Një intelektual në dispozicion, i cili ishte poet, përkthyes, kritik, skenarist, krijues dokumentar, por figura qendrore dhe vendimtare e tij mbetet ajo e një poeti, siç e ka njohur përfundimisht kritika bashkëkohore.

TRËNDAFILI I BARDHË

Do të këpus për ty
Trëndafilin e fundit të kopshtit,
trëndafilin e bardhë që çel
në mjegullat e para.
Bletët lakmuese e vizituan
deri dje,
por është ende kaq i ëmbël
sa të dridhëron.
Është një portret për ty prej tridhjetë vitesh,
pak i harruar, siç do të jesh ti atëherë.

Përktheu: Faslli Haliti

VENDI I DIMRIT

Çfarë dielli del pas dëborës
dhe retë ngjyrosen me të kuqe
si skllave: dëborë mbi çatitë
një skuqje do të përskuqë faqen e princeshës.
Ngrihet një erë të lehtë
dhe shuan ujin që po përgjumej,
me zërin e bariut të përgjumur;
dalin vajzat me shallet,
duke llamburitur sytë e zinj,
dhe papritmas ata drejtojnë majat nga thembrrat
të ngjashme me zogjtë që ngrihen në fluturim.
Dhe ciganët rrëmbejnë djemtë.

MERRMË ME VETE

Merrmë me vete në mëngjesin e gjallë
veshkat e thyera syri i zgjuar i mbështetur
në ijën tënde prej gruaje që ecën
ashtu si e bën dashuri,

janë ditët e fundit të dimrit
që na lajnë duart dhe oxhakët
që tymosin më shumë sesa ka nevojë
një sezon kaq i butë,

por le të shkojnë në ferr
ekonomi dhe seriozitet,
konsumohen rezervat
e qytetit dhe të kombit

nëse qielli duke u turbulluar, dhe pastaj
duke u pastruar për një diell më të fortë,
ne do të gjendemi atje
ku jeta dhe vdekja kanë një ndalesë,

shkëndijon në mesditë, llamarina
që tashmë është e kaltër
pa mbetje dhe përsipër
zogj të qetë ecin s’fluturojnë.


Përktheu: Faslli Haliti

PRUSHËZA NGA GACAT – Poezi nga ATDHE GECI

1 .

Kosovë, shenjëzoi tradhëtarët në shtet
gjeji frekuencat e restaurimit kombëtar
tradhëtia na është më e palavdishmja
ata që ia kanë dhënë fjalën ujkut e ariut
Trepça nuk falet, nuk falen Kishat e as
Ujmani!

2 .

Kosovë e luftës  mos  u turpëro
bekoje Mitrovicën, Trepçën beko,
ate që dje e fitove mos e lësho;
Kosovë e luftës, fito ose në varr
shko!

3.

Të gjakta janë dritaret e lotëve të
nënave, për bijtë e tyre të pagjetur
për dhimbjen që s´e ka një fund
dhe për plagën që nuk gjen prehje.

 

BARI I KRIPËS – Tregim nga THANI NAQO

Me rastin e Shën Valentinit bleu një tufë me lule, tek Holandezi, për njëzet e pesë dollarë dhe një gjerdan floriri, tek Çifuti, që kushtoi treqind dollarë. Kur kish hyrë në dyqanin e Holandezit i shkoi mendja të blinte një fermë dhe të merrej me kultivimin e luleve e shkurreve dekorative. Mirëpo, ajo dëshirë agronomi, iu fik në çast, mbasi ferma do acaronte më keq mardhëniet me të shoqen. Në folezën, formë zemre të varëses, ngjiti një foto dyshe, të zvogëluar, pozim i hershëm rinor. Ai dhe ajo. Kokat ngjitur me njëri-tjetrin. Të qeshur e të lumtur. Ai nuk kish qenë as njëherë në cermonitë festive që organizonte departamenti ku punonte e shoqja.
-Me që këmbëngul, eja, – i tha ajo, – ama supozoje se nuk njihemi.
-Okay,1) do ta supozoj se nuk njihemi.
-Të rrish mënjanë dhe urtë, – e këshilloi dhe ja tundi gishtin tregues para hundës. – Nuk dua që kolegët e mi të marrin vesh çfarë pune bën dhe në ç’gjëndje je me anglishten.
Ceremonia e dhurimit të luleve dhe mbërthimi i varëses të florinjtë në qafën e saj u krye në dhomën e gjumit. Mirëpo, edhe ditën e shenjtë të tё dashuruarve, ajo u tregua e ftohtë e mospërfillëse. E falenderoi për dhuratat, ama nuk e lejoi që ai të çikte buzët e saj. Kish veshur minifund të zi dhe bluzë grizo, të hapur, që nxirte në pah bardhësinë e kurmit dhe hovin e gjoksit. Lidhëset e sandaleve i gjarpëronin mbi pulpa. Ndryshe nga herët e tjera ajo qe spërkatur me një lloj parfumi tejet ndjellës, blerë enkas për Shën Valentin. Molekulat parfumiane i patën nxitur egon e skulptorit kokëkrisur:
-Ç’je kaq e bukur, dreqi të marrtë!
-Zbulim i vonuar, – u përgjigj ajo me ironi.
Pa hyrë ende në sallën e madhe të restorantit, ai ishte ndjerë keqas. Në pasqyrën e hollit pamja e tij i kish fanitur Barin e Kripës.1)
Ai nuk e dinte se organizatorja e festës të Shën Valentinit ishte gruaja e tij. Porsi shtojzovalle, doli në podium e shoqëruar nga duartrokitje të zjarrta. Atëherë ai qe bindur për popullaritetin që gëzonte e shoqja në departamentin e supermaketit, Woll Mart.2) Donte apo nuk donte, edhe ai, agronomi, duartrokiti gruan e tij. Atë çast i qe kujtuar porosia e saj, “të qëndrosh mënjanë e urtë” dhe ishte ngjeshur pas banakut me buzëqeshjen e ngrirë të murgarit. Ajo recitoi në anglisht një poezi për dashnorët valentinianë dhe, sa filloi muzika, sikur të qe artiste e vërtetë dansi, doli në mes të sallës. Pikërisht atëherë e kuptoi se partneri që e shoqëronte në vallёzim, ishte bosi i saj. Përmendja e emrit të tij, prej kohësh i kish tingëlluar si këmbanë alarmi. Moria e pasqyrëzave trekëndëshe, mbi murin pas banakut, i thëthinë shikimin. Hetoi siluetёn e tij gjatoshe, copëzuar në trekëndësha dhe iu kujtua sërish Bari i Kripës. Në dy trekëndësha pa kokën e tij tullace dhe në tre trekëndashët e mëposhtme, fashën kryeneçe të flokëve të zeza, kaçurela, që fillonte mbi tëmtha dhe mbrapa qafës.
-Tungjatjeta, Bar i Kripës! – dëgjoi klithmën e pamëshirshme të metaforës dhe u ngjesh më tepër pas banakut, sikur donte të zvogëlonte siluetën e tij gjatoshe. Atëherë vuri re se bosi i të shoqes e përgjonte nga tavolina kryesore ku ishte elita e kompanisë. Ajo ishte ulur përkrah tij, i thoshte diçka në vesh, kurse ai çaplonte gojën e madhe nga e qeshura. Të dyve u xixëllonin dhëmbët nga shkrepja e dritës të aparateve fotografike. Në atë gjëndje, gjysëm të dehur e me pamje murgaci, e gjeti njëra nga biondinat.
-Vetmia është vdekje, – tha ajo dhe u prezantua me emrin sllav Lilinova. Ai flaku petkun e murgarit dhe u tregua xhentëllmen kur ajo i nderi dorën për t’u prezantuar.
Demonët i pëshpëritën “gënjeje!” dhe ai, për ta lajkatuar, i tha:
-Je simpatike, si të kam përfytyruar.
Lilinova kapërdiu një gllënjkë uiski nga gota e tij dhe qeshi hareshëm. Nga që iu miklua sedra femërore, dërdëlliti se para dhjetë viteve ajo kish qenë më e bukura e Nju Jorkut.
-Kurse tani, – shtoi me zë të ulët, por krenare, – unë dhe jot shoqe jemi dy shpirtëra gazmore që mbajmë gjallë Departamentin e Woll Martit.
Lilinova piu një gllënjkë tjetër nga gota e tij dhe iu afrua më pranë, aq sa këllku dhe supi i saj u prekën me të tiat. Duke i pëshpëritur në vesh, tregoi një çast nga beteja me të shoqin. Fillimisht, ai nuk mundi të kapë shkakun e luftës bashkëshortore, por kuptoi se i shoqi i Lilinovës ish kirurg i ardhur nga India, pikërisht ai që kishte zvogëluar hundën e të shoqes. Lilinova vuri gishtin në kokë, për të treguar ekzaktësisht vëndin ku ishte shkulur tufa e flokëve.
-Pas divorcit m’u kthye lumturia, – tha.
Ndërkohë që ai e ndihmoi të ulej në stolin e lartë, fustani rozë iu mblodh mbi gjunjë. Lilinova kish lëkurë të butë, esmere, dhe gjinj të mëdhenj, si pjepra; ishte e pa sytjena. Kamarieri i solli asaj një gotë me uiski, pa akull, dhe e ajo çukiti gotën e saj me gotën e tij, “sipas traditës bullgare,- tha -Prindërit e mi janë sllavë të mirëfilltë, – shtoi dhe, në pak minuta, krijoi atmosferёn sikur të dy njiheshin prej kohësh. Megjithëse ajo e fliste shpejt anglishten, ai mundi të kuptojë se bullgarët dikur mburreshin me Aleksandrin e Madh por, kur e morën vesh se paskej qënë homoseksual, ua bënë dalje grekëve. – Tani e lakmojnë shqiptarët, – shtoi Lilinova, ia shkeli syrin djallush, e qeshi. Përmendi piktorë, skulptorë, poetë, shkrimtarë e kompozitorë bullgarë, por emrat e tyre ai për herë të parë i dëgjonte. Ajo kërkoi, hamendazi, në çantën e dorës dhe nxori një stemë me Aleksandrin e Madh. Ndërkohë që ia mbërtheu stemën në cep të jakës së këmishës, ai u kënaq me aromën e këndshme që shpërtheu nga gjoksi i saj, por nuk mundi ta përcaktojë se prej çfarë lulesh ishte sajuar parfumi. Befas, Lilinova e ftoi të vallёzonin së bashku.
-Sipas traditës ballkanase, vallёzimin e parë duhet ta bëj me gruan time, – u përgjigj ai, por Lilinova buzëqeshi hidhur. Atëherë u ndërmend se ishte nata e Shën Valentinit dhe ai dhe e shoqja kishin harruar njëri-tjetrin. Mirëpo ja, një femër tjetër, bionde e bukur, po i bënte shoqëri erotike. Gjaku i vërshoi nëpër damarë, si kurrë ndonjëherë dhe demonët gazmorë filluan të hedhin valle në zemrën e tij. Atëherë pa sozinjtë e tij në morinë e pasqyrave trekëndëshe. U buzëqeshi, mbasi zbuloi se përthyerja e dritës mbi copëzat e xhamta ia patën shpërfytyruar pamjen. Edhe buzët e shumëfishuara të Lilinovës dukeshin më sensuale, flegrat e hundës të zgjeruara. Fytyra e saj iu duk më e bukur se e të shoqes. Fare pranë, një pëllëmbë larg hundës, ishin buzët e saj. Lilinova kish hundë poçore dhe, jo vetëm hunda, por edhe tiparet e lëkura esmere, tregonin përzierjen e gjakut sllav me atë turk. Ajo, siç dukej, ia përgjoi frymëmarjen e shpejtuar, dhe i mëshoi supit gjersa u mbështet plotësisht pas tij. Atëherë ai mori guxim dhe, si pa dashje, preku me gju gjurin e saj. Pas prekjes asaj i përndritën sytë e zinj, por edhe sytë e sozinjve të tij nëpër pasqyrëza. Pas njëzet vjet martesë, për herë të parë iu bë sikur pa frymën e tij që lodronte me qerpikët dhe me bajluket e saj. Pikërisht atë çast demonët i pëshpëritën “bëje xheloze tët’ shoqe dhe ajo të pëlcasë nga marazi.” Mirëpo, shtrirja e hapit të saj, përmes sallës, sidomos lodrimi i pulpave mbi takat e gjata, i lanë të pashlyer mospërfilljen bashkëshortore. Pikërisht atë çast e ftoi Lilinovën për të vallzuar:
-Eja kërcejmë tango.
-Tango është për të vdekurit, – tha ajo dhe atëherë ai hetoi siluetën e saj veshur në rozë.
-Më dukesh si lule jargavan, – ia bëri qejfin, pikërisht kur e shoqja shpërtheu në një kërcim të çakërdisur xhazi. Bosi i saj mbante ritmin duke përplasur pëllëmbët, rënë në gjunjë në mes të sallës dhe vështronte pa drojtje kurmin e saj nga poshtë lart.
Atëherë atij iu errësuan sytë nga inati. Ndjeu marjemendsh, jo për shkak të uiskit, por nga lëvizjet e shkathta të pulpave të gruas së tij. Ajo po realizonte figura dansimi fugore, njëlloj si në rini. Befas ai pa shalën e saj harkuar mbi kryet e bosit. Ishte figurë sa e turpshme aq e mahnitëse, e një akrobateje, që u pasua me duartrokitje të zjarrta. Donte ta mbërrthente për flokësh e t’i thosh “paske marrë përsipër ta gjallërosh vetëm ti këtë mbrëmje,” por u step nga e thirrma eksituese e banakierit:
-Uaaauuu, femër gjeniale!
Pyeti banakierin për banjat dhe u çapit këmbëkëmbyer, me gotë në dorë, për nga ana tjetër e restorantit. Në pasqyrën e madhe të hollit pa veten kur doli nga banjat, me gotën shtrënguar mes dhëmbëve e duke kopsitur pantallonat. Porsa doli në verandën e restorantit, spazmat e dallgëve në stomak u përsëritën. Me njërën dorë, mbështetur pas një kolone, volli. Pas vjelljes, shpëlau gojën me uiski, por isht e pa munduar të vinte cigaren në buzë. Duart i dridheshin si kurrë ndonjëherë në jetën e tij.
Në sallën e madhe shpërthyen ovacione e ai njohu kurorën e shprishur të flokëve të së shoqs, gati në lartësinë e shandanëve. Kolegët e kishin ngritur lart, kurse ajo qeshte tejet e lumtur, me krahët e hapura si pulëbardhë. Fluturimi shoqërohej me duartrokitje dhe klithma histerike. Demonët patriarkalë e shkelmuan në zemër dhe, befas, pa vetëdije, ngritur krahun e qëlloi kolonën me grusht. Ofshau nga dhimbja dhe shkundi krahun lart e poshtë, buzëkafshuar.
-Shkërdhatë!
Sharja jehoi në akustikën e harqeve të verandës. Gotën e flaku, me sa i hante krahu, diku nga fundi i parkingut. Kërcitja e qelqit e zgjoi nga ëndrra e keqe e hakmarrjes. Parkingu lëshonte duhmat e nxehta me kutërbim zifti, kurse ai ia mbërthyer sytë qiellit dhe mezi dalloi disa yje të mekur, të ftohtë e të largët. Bulëza djerse i kullonin përmes shpinës. Dallgët e muzikës rok shpërthyen jashtë sallës dhe, përmes asaj zallamahie, dalloi ritmikën e takave femërore. I ngjasuan me të sandaleve të së shoqes e nuk e kthye kokën pas.
-Eja të luajmë tangon në makinën time.
Lilinova e kapi miqësisht për krahu, kurse ai shkëputi vrullshëm bërrylin nga mbërrthimi i pëllëmbës të saj e thirri porsi i shkrehur:
-Zhduku, djall, Lilinova!
Lilinova ngau makinën si e çmendur, fishkëllimat e gomave përcëlluan parkingun dhe atij i shkoi ndër mend se ajo atë natë do bënte aksident. Ndërkohë që përgjuoi zhurmën karakteristike të skarpamentos të makinës, shkuli nga jaka e këmishës stemën e Aleksandrit të Madh dhe i lëshoi zemërimin natës së nxehtë:
-Kokën hëngërsh, kurvic’ e djallit!
E shoqja pranoi se kish vjellë dy herë në banjën e restorantit dhe iu lut të ndalonte makinën. Ishte hera e parë që e shihte të shpërfytyruar nga alkooli. Mbi pëllëmbën e ashpër të dorës, të asaj dore që një orë më parë kish goditur kolonën, ajo mbështeti ballin dhe volli; damari femëror dënkiste fort.
“Kjo është jot shoqe. E bukur, ndjellëse dhe padrone,” – i tha vetes ndërsa ajo rënkonte e villte.
Pikërisht atë çast u ndërmend se në short i pati rënë një femër që të ndjell ta dashurosh, por, njëkohësisht, edhe ta urresh.

Armëpushim… – Esé nga REX KASUMAJ

Berlin, fror 2019

1.
Paqja ndër shekuj do të ketë formulë, prapahije, aktorë e parime të ndryshme dhe, natyrisht, fitimtarë e humbës të saj.

Dëgjoj shpesh shefin e serbëve, Vuçiq, tek thotë: do bëjmë paqe me shqiptarë për 100 vjet. Ndonjëherë, në shestimet fantazmagorike, shfaqet më fin, i mëshirshëm e pajtestar dhe i fal paqes edhe 100 të tjerë.

E me vete thoshja: përse ky nuk shprehet, qoftë dhe si takt diplomatik, me fjalët “paqe të përhershme”?

2.
Kultshkrimtarin e ekziluar frëng, Houellebecq, (romani “Nënshtrimi”) e sëmbon një dhimbje: qytetnia e shplarë që ka braktisur gurrën e vet. Ndaj dhe, pledon kthimin në vlerat e vjetra konservative. Të kulturës së kulluar kur “Pater familias” siguronte bukën e Zonja edukatën dhe, që këtej, ka një fjalë gjithë pezm për gjermanët. Askush më shumë se ata, revoltohet ai, nuk i është dorëzuar prirjes së shfytyrimit vullnetar.

Në librin e tij nguctar, “Gjermania po vetëzhbëhet”, Thilo Sarrazin (ashtu si Oriana Fallaci me “Eurabinë”), do të shprehte qysh para tij drojën nga shpërbërja identitare e Europës. Dhe fajin do t’a gjejë krejt lehtësisht: idiotizimi i saj vjen nga turko-arabët inferiorë që godasin sistemin social, rëgjojnë inteligjencën dhe, me shoqëritë e getoizuara paralele, shprishin Leit-kulturën gjermane…

Anipse nuk bën retorikë lufte, diku në shënimet përmbyllëse thotë:”…ne nuk e dimë se ç’luftëra do zhvillohen në të ardhmen…”! Por se ato do ndodhin, ai s’ka as më të voglin dyshim.

Ndoshta kësaj here, si do të deshte Houellebecq, ajo do ishte një e totale: një rezistencë mbarëeuropiane kundër shndërrimit të saj në defekt natyre. E kjo dmth. pa familje, pa përtrirje, pa energji sociale e pa ardhmëri kulture që zvetnohet vazhdimisht.

Sepse, si për t’i dalë zot, August Everding (lexuar te “Matanë Brukselit”), do të shkruaj: më shumë se gjeografi heterogjene – Europa është kulturë.

3.
Mirëpo nëse të tjerë, kaq dijemëdhenj, nuk e përceptojnë dot kur dhe ç’luftëra do zhvillohen në motlargëtat që vijnë, një prijës politik i zvargur diku poshtë, në Ballkanin e zymtë, rreket të parashohë: edhe pragun e tyre edhe kundërshtarët në logbetejë.

Dhe nuk është yshtje, vegim a frikë. Është testament i vulosur në alfabetin e krimit. E pra, ja skena e njohur në fushëluftë, në art dhe epos: sërish fusha e mëllenjave dhe sërish shqiptarët, këta armiq të përjetshëm. Armiq – për dashurinë ndaj Dhéut të tyre dhe armiq – për të drejtën hyjnore të kësaj dashurie të përgjakur.

I munduar në kërkim të një përskajimi, pyesja: ç’është kjo paqe e përkohshme. Me afat. Orë e kurdisur…Pastaj, njëj pasdite të bukur mesdimnore, do t’më ndihte mikja e shkrimtarja e nderuar Eva Gjoni. Formulimi i saj do ishte i saktë deri në ligjshmëri historie.

Dhe Ajo më shkroi: zotni, kjo nuk s’është tjetër veçse armpushim!

I gjatë 100 vjet!

R. K.