Librat nuk janë një artikull konsumi, por një kapital. Dhe shpesh, në rastin e njerëzve profesionistë, është i vetmi kapital! – Do të përcaktonte, Thomas Jefferson, një nga themeluesit e aktit të Pavarsisë, dhe President i tretë i SHBA.
.
Bota, për fatin tonë të mirë, ka shumë shkrimtarë dhe poetë. E bukura është se ata nuk ngjajnë me njëri-tjetrin. Secili ka stilin dhe botkuptimin e tij.
Në këtë larmi librash, dallojmë shkrimtarët e poetët e mëdhenj, të cilët nuk janë pak. Shkrimtarët e mirë, janë mësë shumti. Plot të tjerë që nuk shkruajnë keq. Po ka dhe fillestarë, pasi gjithçka nis nga fillimi. Ndriçojnë prej së largu Yjet e rrallë.
Në këtë kostelacion yjesh. Dallohen ata më të veçantët, Gjenitë. Po, çfarë e dallon gjeniun, i cili, “është si gjithë të tjerët, dhe askush si ai”?
Është shkalla më e lartë e fuqisë dhe e mprehtësisë mendore, në një fushë të veprimtarisë krijuese. -Faleminderit që kanë egzistiuar përjetësisht me veprat e tyre. Por, do të ishte pamjaftueshmëri, të ishin të vetëm në këtë botë, pasi ashtu siç thotë një shprehje e të mënçurve të moçëm:-“Qielli nuk mund të ndriçohet vetëm nga yjet e mëdhenj”
Zhan Pol Sartri, e vendos thelbin e gjeniut tek mendimi. Balzaku thekson se Gjenitë i pjell provinca.
Kadare, e shpjegon te sprova “Arti si Mëkat” shkruar në vitin 1999.
Ka dy fate artistësh. Një palë lindin dhe rriten në shtëpi ku arti ka hyrë, ndërkaq biblioteka është plot me libra, pasditeve nëna luan në piano ose emta pikturon, pasdarkave miqtë flasin për letërsinë, artet dhe spiritizmin. Një palë tjetër nuk njohin asgjësend nga këto. Në shtëpitë e tyre nuk është dëgjuar kurrë muzikë, s’është folur kurrë për pikturë dhe të vetmit dialogë dramatikë që janë dëgjuar kanë qënë grindjet e prindërve në ditët plot mërzi. Askush nuk mund ta dijë, ndërkaq,se cili mjedis e nxit më fuqishëm prirjen e artistit të vogël: ai që e josh me praninë e tij gjithkund, apo tjetri, që ja shton prirjen me mungesën e tij.
.
Ndërkaq, ka edhe një fat të tretë, disi më të rrallë por më dramatik. Jo vetëm që fëmija që ëndërron të pikturojë ose të shkruaj nuk ka kurrfarë nxitjeje nga njerrëzit e familjes, por, përkundrazi, ka pengesë. Dhe artisti i ri shkon drejt artit, siç shkohet drejt mëkatit.
Midis këtyre dy rasteve të fundit qëndron dhe vetë shkruesi i sprovës -gjeniu Kadare. Duke e përdorur, herë pas here termin “Gjeni”, jo fort mirë e dimë të qartë fillin e tij, përpos dijenisë prej veprës madhore. Duke menduar prejardhjen e fjalës, se gjeni vjen nga gjenet të cilat përbëjnë njëriun, si trashëgim i prejardhjes së tij, kjo edhe mund të ndodhë, por jo gjithmonë. Po nga vjen kjo mrekulli?
Mendon, se ke lexuar shumë, e mos të të ketë rënë në sy, një librushkë e vogël, e cila të duhet pikërisht për këtë shpjegim. “Metafizika e dashurisë”. Pata lexuar diçka nga Shopenhauer, më i lexuari ndër filozofët gjermanë, si mendimtar sfidues, progresist dhe personalitet me ndikim të madh te njerëzit. Metafizika… e tij, një libërth që endej nëpër orenditë e shtëpisë, sfilitur nga leximi i bijve, blerë nga im bir i vogli para pesëmbëdhjetë vitesh.
– Lexoje këtë mama! – më pat thënë dikur ai. – Ah, Shopenhauer? Jo, nuk kam nevojë të di nga një njeri që nuk krijoi familje e nuk u mor vesh kurrë as më nënën e tij. Nuk dua të më flasë për dashurinë. Jam eksperte vetë e ndjenjave të mia.-Mendim i gabuar -mbylli bisedën ai, asokohe ardhur prej studimeve në Gjermani…- (konflikti i brezave, mendova, pa e zgjatur bisedën)
Nisa t’a shfletoj tashmë vonë, librin e vogël, botuar nga Phoenix. “Metafizika e dashurisë”, (Seri Filozofike e drejtuar nga Petro Zheji), ky shpjegim shkruar në faqen e parë, më nxiti leximin. Në brendësi të tij, gjeta edhe atë që më duhej : “Mbi thelbin e artit” dhe “Mbi Gjeniun”:
“Thelbi i Gjeniut- thekson ai, – duhet gjetur në përsosmërinë dhe energjinë e njohjes intuitive. Janë ato vepra që nisin drejtpërdrejt nga intuita dhe i rikthehen përsëri intuitës.
.
Është qartësisht i dukshëm ndryshimi i gjeniut nga talenti i thjeshtë… Ai që është paisur nga natyra me talentin e thjeshtë, mendon më shpejt e më saktësisht se të tjerët. Ndërsa Gjeniu kap me intuitë një botë të ndryshme nga ajo e gjithë të tjerëve. Ai vrojtron më thellësisht atë që është edhe para të tjerëve, por në mendjen e tij ajo paraqitet në mënyrë më objektive, më pastër e më qartë.
Intelekti i tij është thjesht medium i zbërthimit të motiveve, i gjetjes së kuptimit të tyre.
.
Gjeniu qëndron në faktin se aftësia njohëse te ai, ka pësuar një zhvillim mjaft të fortë se sa ai që kërkohet për ti shërbyer thjesht vullnetit.”
Është shkalla më e lartë e fuqisë dhe e mprehtësisë mendore, në një fushë të veprimtarisë krijuese. Ai sheh, dhe mendon përtej asaj që ne shohim dhe mendojmë. Duke lexuar nëpër rrjeshta, përfytyrimi më sillte para syve gjeniun Kadare.
Jo vetëm vepra me filozofinë gjeniale, por edhe disa gjasa që kisha dëgjuar më parë nga Helena, shkrimtarja dhe krahu i djathtë i tij: Shkrimtarë dhe gazetarë francezë kishin organizuar një vizitë në Egjipt. Dhe një udhëtim me anije në lumin Nil, për të parë Piramidat. Ne na ftuan në këtë udhëtim dhe Ismaili refuzoi të shkonim. Kur unë u mërzita nga refuzimi i tij, aq me teper ngaqe ishte koha kur po shkruante Piramidën, ai tha: E kam më mirë në kokën time. Ndaj dhe s’deshi të vinte.
Dhe vërtetë, Libri “PIRAMIDA”, i shkrimtarit Kadare, është një nga kryeveprat e rralla, ku shihet qartë, ngjasimi i diktaturave faraonike qindra shekuj me parë, me atë të shekullit XX. Diktaturës komuniste, ku gjarpërinjtë e zinj mbështilleshin kutullaç mbi gurët e piramidës komuniste, që hante e groposte njerrëz, duke helmuar kohën që jetonim. Kryevepra pati një jehonë të madhe sidomos te lexuesit dhe studiuesit ndërkombëtarë. Ne shqiptarët e kishim akoma të gjallë paërpara syve, piramidën komuniste, pavarësisht mënyrës alegorike, Kadare e zbërthen si askush tjetër: “-E ndjeja se piramida ishte shumë fytyreshe, dhe me kuptime të fshehta të ndryra brenda saj. Më thellë se sargofagu i faraonit. Një nga kuptimet e saj e kishte zbuluar në fund të shekullit të 14, mongoli Timur Leng, kur kishte ngritur pranë Ispahanit piramidën e parë me koka njerëzish. Ishte një shtrigë që mund të përhimej me pamje të re në çdo kohë, që ajo ishte e pranishme në botën tonë komuniste unë e ndieja.”
“Filozofia mund t’a quaj këtë tepri të aktivitetit trunor dhe bashkë me të edhe trurin vetë, në një farë mënyre “monstris axcessum”-pra, shenja për tepri. Gjeniu, konsiston në një tejkalim jo normal të intelektit, i cili mund të përdoret për t’iu drejtuar egzistencës në përgjithësi dhe në rast të tillë ai i shërben të gjithë gjinisë njerëzore.
Në rast se njeriu normal ka 2/3 vullnet dhe 1/3 intelekt, gjeniu ka 2/3 intelekt dhe 1/3 vullnet.”- Shpjegon Shopenhauer
Mendimi, shkëputej nga leximi duke kujtuar atë që vetë gjeniu Kadare rrëfente në shkrimet e tij. Kudo të ndodhej në çdo rrethanë mengjeseve përreth dy orë shkruante, pranë oxhakut në studion e shtëpisë së tij, në “Kafe Rostand” apo gjetkë. Lind pyetja: Si është e mundur, të shkruhen mbi 100 tituj librash, të shumtët kryevepra botërore, krahasuar me Danten, Shekspirin, me Homerin, nga kritika Gjermane me Kafken dhe Oruellin etj. Kjo, sepse; fantasia e tij, është esencë, është tejkalim dhe përqëndrim i intelektit. Brenda asaj që shkruan, ka pak apo aspak ujra, është koncetrat artistik e ideor.
“Prej këndej rrjedh ndryshimi rrënjësor që është i dukshëm në tërë qënien e tyre, në veprimtarinë e në mënyrën e jetesës, por kjo bie në sy mësëshumti në prodhimtarinë e tyre. Shfaqja e lindur nga një shtesë e tillë e forcës njohëse, tregohet në njohjen më fillestare e më në themel të qënësishme, pra tek intuita e cila përcakton riprodhimin në një shëmbëllim. Në të vërtetë, intuita është intelektuale jo ndiesore. E gjithë njohja e thellë, dhe dija i ka rrënjët te kuptimi intiutiv i gjërave.”-thekson Shopenhauer.
“Unë, murgu Gjon, biri i Gjorg Ukcamës, tue u kujtuom se në Gluhën tonë ende ska gja të shkruom për urën e Ujanës së Keqe e aq më keq kur për të vazhdojnë të thuren legjenda e histori të paqena e gjithfarë thashethemesh, tani që ajo mbaroi së ndërtuari, madje që u spërkat edhe dy herë me gjak, në themel e në kulm. Vendosa të shkruaj kronikën e saj.”
Kështu fillon “Ura me tri harqe”, për të na dhënë histori, ngjarje dhe individualitete të përveçme e Universale.
….Flija, që gjer dje kishte qenë një e vërtetë baladash, befas kishte dalë nga ngrirja e tyre, qe afruar me shpejtësi dhe tani vërtitej midis nesh, e gjallë me të drejta të barabarta, si gjërat e kohës.”
Si mund të shpjegohet, e të imagjinohet dhe si mund të shkruhet një kryevepër unike nga më të rrallat në botë, “Komisioni i festës”, bazuar në një nga ngjarjet më tragjike të historisë shqiptare, plojën e Manastirit, ku u masakruan me pabesi prej ushtrisë Osmane, rreth pesëqind prijës shqiptarë.
Është mahnitës ndërtimi i kësaj vepre, Kadare, edhe sikur të kishte qenë, njëri nga protagonistët e ngjarjes, nuk do të arinte të përshkruante me aq shumë art e saktësi, në të gjitha dedajet e orgaizimit të atij kurthi barbar. Çmendesh duke e lexuar, jo vetëm nga tragjedia, por nga mënyra se si është ndërtuar dhe menduar me aq hollësi, e përtej informacionit të pa shtjelluar më parë, mundi të përshkruhet një tragjedi aq e madhe e makabëre, ku arti brenda saj, eshtë i madh në përmasat e tragjedisë.
“Si mbaroi gjithçka dhe populli e braktisi fushën, u mbyllën dyert e hipodromit dhe u dha urdhër që brenda të mos hynte askush, sidomos konsujt e vendeve të Europës, të cilët, sipas udhëzimeve tuaja tepër të larta, nuk u ftuan në hapjen e festës. Gjatë gjithë natës ushtarët u morën me trupat, të cilët pasi u hiqnin kokat, i ngarkonin në qerre për ti varrosur në gropa të përbashkëta, në vendin e quajtur Jetimbatak, një djerrinë në rrethinat e qytetit. Aty ndaj të gdhirë mbaroi mbështjellja e kokave, të cilat mbasi i vendosëm në arka të mëdha, i nisëm menjëherë sipas udhëzimeve tuaja të larta, për në kryeqytet. Bashkë me to nisëm për në kryeqytet të gjitha sinitë dhe dhe enët e argjenda të gostisë, të cilat, sipas udhëzimeve tuaja tepër të larta, do të duhen për paraqitjen zyrtare të kokave, sovranit.”
Ndërkohë jep përgjigjet me saktësi, Shopenhauer:
“Quhet zgjim i gjeniut, çasti i përkushtimit, momenti i frymëzimit, nuk është gjë tjetër veçse çlirimi i intelektit, kur ky i ve përkohësisht në shërbim të vullnetit….brenda një çasti të shkurtër e në mënyrë të vetëdishme bëhet aktiv në vetvete. Atëherë ai arrin pastërtinë më të madhe dhe bëhet pasqyrë e qartë e botës, i shkëputur plotësisht nga prejardhja e vet, nga vullneti. Eshtë tashmë vetë bota si një paraqitje e përqëndruar në një vetëdije.”
Në momente të tilla lind pothuaj shpirti i veprave të pavdekshme. “Pallati ëndrrave”, “Prilli i thyer”, “Viti mbrapshtë”, “Piramida”, “Kukulla”, pothuajse e tërë vepra. E ke vështirë të zgjedhësh cila?
Filozofi gjerman i mëshon fort faktit, se: “Një shestim intuitiv ka qënë gjithmonë një process i rrjedhur, në të cilin çdo vepër arti e vërtetë, çdo mendim i pavdekshëm, merr shkëndijën jetësore. Gjithë mendimi fillestar mbështetet mbi shëmbëllimet, përfytyrimet.
Prandaj duhet fantasia për të plotësuar të gjitha shëmbëlltyrat e jetës, ashtu si e kërkojnë piksynimet e njohjes së thellë. Fantasia është aseti i domozdoshëm i gjeniut, vetëm nëpërmjet saj gjeniu mund të poetizojë apo të mendojë me shëmbëllimin e gjallë të çdo njohjeje, ardhur kjo nga intuita.
Megjithëse mënyra e vërtetë thelbësore tek gjeniu është mënyra intuitive, prapseprap objekti i vërtetë i njohjes nuk jepet nga gjëra të veçanta, por nga ide platonike që shprehen në to. Shikimi në to, i të përgjithshmes tek e veçanta, është pikërisht tipar themelor i gjeniut.”
Kadare tek, “Arti si Mëkat”, merr të përgjithshmen e situatave ballkanike, për të dal tek e veçanta e piktorit Omer Kaleshi.
“E parë nga një pikshikim i distancuar, historia e Gadishullit Ballkanik është historia e një gjymtyre të prerë të kontinentit europian. Një mijë e ca vjet më parë, një tjetër gadishull të prerë, atë të Pirenejve, Europa arriti ta rimerrte me anë të Riconquistës. Me Ballkanin puna është më e ndërlikuar. Nuk është më Europa që rreket për ta rifituar, me shpatë apo me diplomaci. Janë ballkanasit vetë që duan të kthehen, ndërsa Europa mëdyshet.”…..
“Mos pikturo fytyra njerëzish, sepse pastaj duhet t’u japësh shpirt, i thoshte i jati Omerit të ri.
Djaloshi mbrohej: Zoti a nuk ishte një artist i madh, kur e bëri Adamin prej balte?
Po, Zoti jep shpirt, ngulte këmbë i ati. Ti s’mundesh. “
Kalimi nga e përgjithshmja tek e veçanta e një piktori, tregon vërtetësinë e këtij përcaktimi, ashtu si dhe në shumë libra të tjerë si, “Përbindëshi”, nga e përgjithshmja realisht e përbindëshme. “Është një kohë tradhëtie kudo, – tha ai.-Kohë e Kalit të Drunjtë Total, në qoftë se mund të përmendet një term i tillë. Ose më shkurt, koha e Totalkalit.”.
“Koha e Totalkalit, – përsëriti ajo. -Tingëllon e tmerrëshme”. Kam frikë nga ajo që po vjen.
Përshkrimi fantastik dhe real i një qyteti, i parë nga syri i një fëmije, tek “Kronikë në gur”.
“Ky ishte një qytet i çuditshëm, që dukej sikur kishte dalë në luginë pa pritur një natë dimri si një qënie parahistorike dhe duke u kacavjerrë me mundime të mëdha, i ishte qepur faqes së malit.
Tek e veçanta e përjetimit dhe mallkimit të përjetshëm:
“Breshëria qe e shkurtër, partizani ra përmbys mbi pllakat prej guri….Na iku dhe Tarja tha njëri,për një lavire,- Po vrasin njëri-tjetrin!-thëriste diku një zë i largët. Zonja Manjur zgjati diku fytyrën në dritare dhe u ngërdhesh:- “Kokën të hanë!”
Për ta bërë më të bukur dhe interesant librin e madh, “Koncert në fund të dimrit”, brenda tij në mënyrë krejt të natyrshme ka copëza sinopsesh.Një poezi e shkruar kohë më parë, notonte kushedi pse në kujtesën e tij, në një kohë kur e përgjithmja e revolucionit kulturor kinez, kishte zgjatur kthetrat e tij edhe tek ne.
Porsi çifuti i kthyer në fe tjetër / Ia behu shiu i konvertuar në breshër / Sa herë që dimri në qelqe do trokasë,/ Ti do të vish këtu dhe në mos ardhsh/ Qofsh si muzikë, si pikëllim apo si kryq,/Unë do të njoh e do të çohem vrik./ Dhe si ai që perlës guaskën ia merr,/ Nga muzika, kryqi, a vdekja do të të nxjerr.
Po kështu te, “Kështjella”, e “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, duke u nisur nga situatat dramatike të nxjerrjes së eshtrave të një ushtrie pushtuese, tek plaka Nicë, rrezistenca e një popullit për të mbrojtur jetën, indentitetin.
Filozofi gjerman vazhdon të shpjegojë: – “Tek gjenitë, lexohet qartësisht epërsia e njohjes mbi dëshirën mbi vullnetin. Meqenëse e gjithë dhimbja vjen nga dëshira, ndërsa njohja në vetvete është pa dhembje dhe e qetë. Atëhere kjo u jep atyre ball të lartë dhe shikim të qartë e gjallëri. Duke mos iu nënshtruar shërbimit të ngushtë nën dëshirën e nevojat e saj, ata marrin pamjen e qetë, pothuaj mbinjerëzore që herë herë i ndrit e ndërthuren mjaft mirë me melankolinë e pjesë të tjera të fytyrës, veçanërisht të gojës. Kjo mund të vizatohet saktësisht me thënien e Giordano Bruno’s:”In tristitia hilaris, in ilaritate tristis”-“Në trishtim qeshje, në qeshje trishtim”
Pikërisht, ky trishtim i gjeniut, është interpretuar në të kundërtën e tij, si mëndjemadhësi, indiferentizëm, mospërfillje, snobizëm e izma të tjera të etiketuara gabim, prej moskuptimit dhe mediokritetit që mbartin. Këtu nis sulmi ndaj gjenive, tek krenaria, balli i lartë i tyre, që ata me mendje të vogël, e marrin si injorim ndaj tyre. Kur në fakt, Shpenhauer, e shpjegon se: “Gjeniu është shpërblimi i vetvetes, sepse më e mira që mund të jetë dikush eshtë të jetë për vetveten.”
“Kush është lindur me një talent gjen tek ai egzistencën e vet më të bukur.”– thotë Gëte.
Në rast se rishohim drejt një njeriu të madh të së kaluarës, nuk mendojmë: Sa i lumtur duhet të jetë që edhe sot admirohet nga ne, por: – Sa duhet të ketë qënë i lumtur me kënaqësinë e menjëhershme, të drejtpërdrejtë të shpirtit që ka lënë gjurmë, me të cilat ngushëllohen shekujt. Jo te lavdia, po tek ajo me të cilën arrihet, qëndron vlera.
Si tek ky shkrim i Kadaresë: “Te popujt ballkanas e kaukazianë tregojnë legjendën e shqiponjës së zënë rob, e cila arrin t’i shpëtojë robërisë e të kthehet prapë te familja e saj. Mirpo robëruesi i ka vënë shqiponjës një unazë në kthetra. Është kjo shenjë që e bën shpendin e arratisur të huaj për racën e vet. Familja nuk e pranon më shpendin e kthyer…… “Popujt ballkanas, pas mungesës së gjatë, qëndrojnë përpara portave të Europës, pa mundur ta fshehin dot shenjën që u ka lënë në trup e në ndërgjegje Perandoria Osmane. Ata kanë nostalgji për Europën, por bashkë me nostalgjinë ndiejnë nervozizëm e zëmërim. Nervozizëm për fajet e tyre, që s’duan t’i pranojnë, zëmërim për harresën e nënës kontinentale. Europës.”
Dija dhe Imagjinata mbështjellin botën, me pakufishmërinë e mendjes. Askush nuk e ka në dorë të jetë gjeni, veçse dhuntia e dijeve dhe imagjinatës së tij, bekuar nga lart, nga Krijuesi i Madh.