VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

Gjendja e emigrantëve në Gjevgjeli

By | August 23, 2015

Komentet

UNESCO kërkon moratorium për ndërtimet në Ohër

UNESCO në raportin e saj të fundit rekomandon që Ohri dhe rajoni të vendosen në listën e vendeve të rrezikuara të Trashëgimisë Botërore.

UNESCO po kërkon të deklarohet moratorium për çdo lloj transformimi urban në brigjet e liqenit, por gjithashtu për çdo lloj transformimi urban. Arsyeja për këtë është përparimi i pamjaftueshëm deri në zgjidhjen e problemeve mjedisore, duke marrë parasysh kërcënimet e vazhdueshme dhe projektet e mëdha të ndërtimit në qytet dhe në rrethinat e saj.

Në raport rekomandohet të vlerësohet ndikimi i ndërtimeve pa leje në zonën e mbrojtur dhe rrënimin e atyre që paraqesin kërcënim, për trashëgiminë natyrore dhe kulturore.

“Luftëtarët kibernetikë” të SHBA-së edhe në Maqedoninë e Veriut

Një qendër në Evropë për mbrojtje nga sulmet kibernetike. Fotografi nga arkivi.

Ministria e Mbrojtjes e Maqedonisë së Veriut ka konfirmuar bashkëpunimin me komandën kibernetike të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, pas informacionit të ditës së hënë se Shtetet e Bashkuara kanë ndërmarrë masa kundër sulmeve të internetit (kibernetike) ndaj demokracisë dhe institucioneve demokratike në disa shtete të Evropës Lindore, në mesin e të cilave është edhe Maqedonia e Veriut.

Në Ministrinë e Mbrojtjes thonë se bashkëpunimi me komandën kibernetike amerikane ka nisur në vitin 2018, me qëllim që t’u ndihmohet subjekteve kompetente nga Ministria e Mbrojtjes për arritjen e standardeve të NATO-s në këtë sferë.

“Me ndihmën e ekspertëve është shqyrtuar gjendja lidhur me rrjetin e apostrofuar për qasje në internet dhe në bazë të ekspertizës së bërë janë ndërmarrë masa për përmirësimin dhe mbrojtjen e rrjetit informatikë të Ministrisë së Mbrojtjes nga aktivitetet e padëshiruara”, thonë nga ky dikaster, duke u përgjigjur nëse janë pjesë e planit aksional të komandës kibernetike të SHBA-së në rritjen e sigurisë kibernetike dhe sulmeve ndaj internetit.

Sipas informacioneve që janë konfirmuar edhe nga ambasada amerikane në Mal të Zi , SHBA-ja po vendos të ashtuquajturit “luftëtarë kibernetikë” në disa shtete të saj mike në Evropën Lindore, si në Maqedoni të Veriut, Mal të Zi dhe Ukrainë, që t’i “ndihmojnë në përballjen me sulmet e vazhdueshme dhe kërcënimet kibernetike ndaj demokracisë”.

“Komanda kibernetike amerikane që kontrollon operacionet në hapësirën kibernetike për mbrojtjen e interesave amerikane, po bashkëpunon me autoritetet e këtyre vendeve që t’i pengojë kërcënimet potenciale. Komanda amerikane evropiane dhe komanda kibernetike amerikane bashkëpunojnë ngushtë me aleatët e NATO-s”, kanë deklaruar për BIRN nga ambasada amerikane në Mal të Zi, por pa saktësuar detaje tjera.

Kohë më parë, sipas portalit të specializuar “SaberScoop”, gjenerali amerikan Timothy Haugh, komandant i forcave të misionit kombëtar të komandës kibernetike, kishte deklaruar se si pjesë e operacionit të koduar “Teologjia sintetike”, komanda ka vendosur “luftëtarë kibernetikë” në Ukrainë, Maqedoni të Veriut dhe Mal të Zi, që të ndihmojë këto vende që të “mbrohen dhe të mblidhen të dhëna për armiqtë”.

Sipas profesorit të sigurisë në universitetin Fon të Shkupit, Bashkim Selmani, sulmet kibernetike dhe kërcënimet e këtij lloji paraqesin “terrorizëm bashkëkohor” mes shteteve dhe se nga këto sulme nuk përjashtohet as Maqedonia e Veriut.

“Është fakt se nëse analizohet funksionaliteti i këtij vendi, në këtë vakum që ka pasur si një shtet i ndjeshëm sa i përket problemeve si brenda ashtu edhe jashtë, tash po i paraqitet edhe sulmi i radhës Maqedonisë së Veriut, apo sulmet kibernetike. Realisht dyshohet se ato vijnë nga Rusia, megjithatë ato nuk mund të argumentohen, por duke e ditur synimin e saj për anëtarësim në NATO dhe BE, ajo ende më shumë do të jetë e rrezikuar në këtë formë të sulmeve”, thotë Selmani.

Sipas Selmanit, Maqedonia e Veriut nuk është aq e përgatitur që të përballet me këto sulme, andaj edhe është e logjikshme të kërkojë ndihmë.

Në raportin e “SaberScoop” thuhet se SHBA-ja ka synuar “që të mënyrë aktive të pengojë përzierjen eventuale në zgjedhje nga vendet si Rusia”.

Në kontekst të kërcënimit të sigurisë kibernetike janë edhe zgjedhjet presidenciale amerikane dhe hetimi për përzierjen e mundshme ruse. Në këtë hartë është edhe Maqedonia e Veriut me lajmet e rreme nga qytetit i Velesit në mbështetje të Donald Trump.

Edhe themeluesi i Facebook-ut, Mark Zuckerberg kishte përmendur Maqedoninë e Veriut si burim të lajmeve të rreme dhe kjo çoi që më vonë Facebook të mbyllë 212 faqe interneti në Maqedoninë e Veriut dhe Kosovë, për shpërndarje të materialit në kundërshtim me politikat e kompanisë.

Maqedonia e Veriut i njeh lejet e vozitjes të Kosovës

Isuf Kadriu

Kuvendi i Maqedonisë së Veriut e ratifikoi marrëveshjen me Republikën e Kosovës për njohjen reciproke të lejeve për vozitje, bazuar në marrëveshjen e arritur mes dy shteteve më 28 janar 2019.

“Me qëllim përmirësimin e sigurisë në komunikacionin rrugor në territoret e shteteve nënshkruese të marrëveshjes, dy palët, në mënyrë reciproke, i njohin lejet e vozitjes, të lëshuara në territoret e shteteve të tyre në bazë të qëndrimit të rregullt të përcaktuar nga institucionet përkatëse”, thuhet mes tjerash në nenet e marrëveshjes së ratifikuar.

Marrëveshja është mbështetur nga të gjithë deputetët, përfshirë edhe ata të partisë opozitare VMRO DPMNE, por vërejtja e tyre ka pasur të bëjë me zvarritjen e procedurave për nisjen e punimeve ndërtimore për autostradën Shkup-Bllacë, që lidh Maqedoninë e Veriut me Republikën e Kosovës.

Deputeti Ilija Dimovski tha se janë të pakuptimta vonesat e autoriteteve kur kihet parasysh fakti se pala kosovare e ka përfunduar pjesën e saj të autostradës Prishtinë-Shkup.

Me këtë, sipas deputetit të opozitës maqedonase, qeveria ka dështuar në premtimin e saj për ndërtimin e infrastrukturës me shtetin fqinj.

Nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut është njoftuar se projekti është në përfundim e sipër, ndërsa punimet pritet të nisin gjatë këtij viti.

Të dënuarit e “Kumanovës”: Fol shqip, këtu është Shqipëri (video)

MAQEDONI E VERIUT

Në atmosferë të tensionuar ka filluar seanca e sotme e Gjykatës së Apelit, në të cilën shqyrtohen ankesat e Grupit të Kumanovës, të cilët janë dënuar me burg për ngjarjet në Lagjen e Trimave. Seanca filloi me një minutë heshtje për pjesëtarët e vdekur nga Grupi i Kumanovës, të cilën në emër të të gjithëve e kërkoi Genci Sefa.

Më pas ai së bashku me të akuzuarit e tjerë kërkoi që të lexohet deklarata e përbashkët e tyre, por nga gjykata u paralajmëruan se janë në seancë publike, e jo në gjykim. Pas kësaj, pjesëtarët e Grupit të Kumanovës kërkuan që gjykatësja të flasë shqip. “Katër vjet presim të flasim. Kërkojmë hetim ndërkombëtar, nuk jemi të kënaqur nga avokatët, një vit nuk kemi pasur komunikim. Kjo është Shqipëri, ne jemi autokton”, kanë thënë disa nga të akuzuarit në seancë, raportojnë mediat në gjuhën shqipe në Maqedoninë Veriore.

Pasi gjykatësja nuk ju lejoi të lexojnë deklaratën e përbashkët, ata u çuan në këmbë dhe kërkuan të mos e vazhdojnë seancën, ndërsa gjykatësja i lejoi pasi prania nuk është e detyrueshme. Në deklaratën e përbashkët të tyre, të akuzuarit për ngjarjet në Kumanovë kërkojnë nga kryeministri Zoran Zaev t’i nxjerrë dëshmitë e vërteta, për këtë rast, të cilin ata e quajnë të montuar politikisht.

Në deklaratën e lexuar, shihet se Grupi i Kumanovës si dëshmitarë për këtë rast ka propozuar ish-kryeministrin Nikolla Gruevski, kryetarin e BDI-së Ali Ahmeti, Gordana Jankulloskën, Musa Xhaferin, Gjorge Ivanovin, Bekir Asanin dhe disa ish-funksionarë tjerë shtetërorë. Seanca në Gjykatën e Apelit do të vazhdojë sot dhe nesër pa praninë e disa të akuzuarve. Ndërsa ankesat e tyre do t’i përfaqësojnë avokatët e tyre. Jashtë Gjykatës së Apelit ka forca policore, ndërsa familjarëve e të akuzuarve nuk u është lejuar të fusin në gjykatë lëndë të forta.

Të dënuarit e Grupit të Kumanovës kërkojnë hetim ndërkombëtar

Isuf Kadriu

Gjykata e Apelit në Shkup ka nisur shqyrtimin e ankesave të 33 pjesëtarëve të njohur si Grupi i Kumanovës, të cilët gjykata e shkallës së parë i kishte dënuar me 746 vjet burgim për veprën penale, terrorizëm.

Prokuroria ka mbrojtur gjykimin e shkallës së parë, ndërsa të dënuarit vetëm për pak çaste kanë qëndruar në seancë, pasi u larguan nga policia për shkak të reagimeve të zëshme dhe brohoritjeve të ndryshme në shenjë revolte, për, siç kanë thënë, dënimin e shqiptuar dhe mosmarrjen në konsideratë të reagimeve të tyre gjatë katër vjetëve të kaluar.

Valdet Zekaj, në emër të të dënuarve, edhe një herë ka kërkuar hetim ndërkombëtar të rastit, si dhe dëshmitë e shumë ish-zyrtarëve të Qeverisë së kaluar, e që janë pjesë edhe e Qeverisë së tanishme duke i akuzuar për tradhti për rastin në fjalë.

Ai ka akuzuar ish-kryeministrin Nikolla Gruevski dhe shumë ministra e zyrtarë të tjerë, përfshirë edhe ata shqiptarë si Ali Ahmetin, Musa Xhaferin e të tjerë.

“Ne, por edhe avokatët tanë, para gjykatës së shkallës së parë kemi propozuar dëshmitarët krucial që të vijnë këtu dhe të dëshmojnë me qëllim që të zbardhet çdo detaj dhe të hiqet çdo dilemë rreth këtij rasti…Por, gjykata i refuzoj të gjithë dëshmitarët, përfshirë edhe njërin që kishte pranuar të fliste”, ka thënë Zekaj.

Edhe pala mbrojtëse ka kërkuar hetim ndërkombëtar, ndërsa ka përsëritur qëndrimet se rasti ka qenë i orkestruar nga Qeveria e kaluar për të shpërqendruar vëmendjen nga skandalet, me të cilat përballej ajo, në veçanti me aferën e përgjimeve dhe raste tjera.

“Sot, djemtë ishin decid, të saktë. Nuk kanë besim në këtë gjykatë, andaj edhe kërkojnë hetim dhe gjykim ndërkombëtar, që të kuptohet se çfarë konkretisht ka ndodhur më 9 dhe 10 maj në Lagjen e Trimave në Kumanovë, dhe të vërtetën ta dinë, si ata, ashtu edhe opinioni”, ka deklaruar Mefail Arsllani, një nga avokatët e të dënuarve.

Sa i përket kërkesës për hetim ndërkombëtar, nga Qeveria kanë thënë se mbeten në qëndrimin mbi nevojën e zbardhjes së këtij rasti dhe se pasi të ketë një epilog gjyqësor, do të mund të inkuadrohen ekspertët ndërkombëtar. Por njohësit e çështjeve juridike thonë se ndërkombëtarët mund vetëm të ndihmojnë me informacione, nëse posedojnë, por jo edhe ta hetojnë rastin.

“Nëse ka indikacione se e gjitha ajo që ka ndodhur, është planifikuar apo nxitur nga jashtë, apo nga shtete tjera, atëherë mund të kërkohet ndihmë nga shërbimet më të zhvilluara nga jashtë. Ata në këtë rast do të na ndihmonin që të arrijmë tek e vërteta. Kjo do të ishte edhe në interesin tonë si shtet. Pra, konsultime mund të ketë, por jo edhe pjesëmarrje të drejtpërdrejtë të jashtme në hetimin e asaj që ka ndodhur në Kumanovë”, ka vlerësuar Borçe Davitkovaki, njohës i çështjeve juridike.

Pjesëtarët e Grupit të Kumanovës, më 2 nëntor të vitit 2017, ishin shpallur fajtorë për veprën terrorizëm lidhur me luftimet e 9 dhe 10 majit të vitit 2015 në Lagjen e Trimave në Kumanovë ku kishin mbetur të vdekur 8 policë dhe 10 anëtarë të grupit të armatosur, që ishin prezantuar si ish-pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, e që kishin nisur konfliktin për, siç kanë thënë, “tërheqjen vërejtjes autoriteteve maqedonase për gjendjen e rëndë të shqiptarëve dhe mosrealizimin e të drejtave të tyre kombëtare”.

*Video nga arkivi: Shpërthime e të shtëna në Kumanovë

Shtatë anëtarë të grupit janë dënuar me burgim të përjetshëm; Dem Shehu, Nasuf Zeqiri, Valdet Zekaj, Fejzulla Rushitovski, Andi Krasniqi, Fadil Fejzullahu dhe Bek Bajra. Trembëdhjetë janë dënuar me nga 40 vjet burgim, gjashtë me nga 20 vjet, një me 18 vjet, dy me nga 14 vjet, dy me 13 vjet dhe dy me nga 12 vjet burgim.

Shumica e të dënuarve janë shtetas të Kosovës dhe konsiderohen si organizatorë të ngjarjes së rëndë. Në mesin e të vrarëve janë edhe dy ish- komandantë të UÇK-së, Beg Rizaj dhe Mirsad Ndrecaj, por pala mbrojtëse, familjarët si dhe disa nga të dënuarit, në vazhdimësi kanë deklaruar se këta dy persona janë vrarë pasi ishin dorëzuar.

Stevo Pendarovski inaugurohet president i Maqedonisë së Veriut

Isuf Kadriu

Në Kuvendin e Maqedonisë, të dielën, është bërë inaugurimi i presidentit të ri të Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, fitues i zgjedhjeve presidenciale, të mbajtura më 5 maj.

Pendarovski është betuar para deputetëve dhe përfaqësuesve më të lartë të institucioneve shtetërore e fetare, se gjatë mandatit pesëvjeçar do të respektojë Kushtetutën dhe ligjet në fuqi, dhe se do të mbrojë sovranitetin dhe integritetin territorial të Maqedonisë së Veriut.

Në seancën solmne kanë marrë pjesë edhe presidentë e përfaqësues të lartë të më shumë shteteve, si presidentët e Shqipërisë e Kosovës, Ilir Meta e Hashim Thaçi, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, presidenti i Bullgarisë, Rumen Radev, ministrat e Jashtëm të Greqisë dhe Malit të Zi si dhe zyrtarë tjerë të jashtëm.

“Publikisht e them dhe obligohem se do të jem president i të gjithëve, edhe i atyre që votuan për mua, edhe i atyre që votuan për ndonjërin nga kundër kandidatët e mi, por edhe i atyre që për çfarëdo arsyeje nuk dolën të votojnë. Në sferën politike, punën e parë që do ta bëjë, e për të cilën shpesh herë kam folur gjatë dy muajve të kaluar, është shtrirja e dorës opozitës për bashkëpunim. E ndjej se përgjegjësia ime e parë si president që isha propozuar nga partitë në pushtet është që të mbroj të drejtat dhe statusin e pakicës, pasi demokracia ekziston vetëm kur të gjithë të jenë të barabartë nga veprimet e pushtetit”, ka deklaruar Pendarovski, duke theksuar edhe përkushtimin e tij për ruajtjen dhe zhvillimin e raporteve ndëretnike në shtet.

“Raportet ndëretnike dhe baraspesha mes të gjitha mes të gjitha etniteteve gjithmonë ka qenë fryt stabilitetit dhe sigurisë tonë të brendshme. Problemi më i madh ka qenë dhe mbetet sjellja e partive më të mëdha politike, të cilat shpeshherë pozicionin e tyre ndaj raporteve ndëretnike e kanë shprehur varësisht nëse janë në pushtet apo opozitë, andaj edhe për çdo veprim apo sjellje do të kërkoj përgjegjësi politike”, është shprehur kreu i ri i shtetit, duke u ndalur më parë në procesin e integrimit euroatlantik, si prioritet kryesor i qytetarëve të Maqedonisë së Veriut, për të ardhmen dhe zhvillimin e vendit.

“Raportet e shkëlqyera me të gjitha pesë shtetet fqinje dhe bashkëpunimi i frytshëm rajonal janë parakusht themelor për zhvillimin e një shteti me pozitë specifike gjeografike. Marrëveshjet me Bullgarinë dhe Greqinë janë shembuj pozitiv dhe paraqesin guxim politik për lënien anash të stereotipeve politike dhe ruajtjen e interesave nacionale dhe në të njëjtën kohë të promovohen interesat strategjike të shtetit”, ka deklaruar Pendarovski.

Ai në fjalimin e tij ka theksuar nevojën për ngritjen e ekonomisë së vendit dhe luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, krijimin e kushteve për parandalimit e ikjes së të rinjve nga vendit, pa të cilët siç tha shteti nuk mund të ketë të ardhme.

Në postin e presidentit, Stevo Pendarovski zëvendëson kreun e deritanishëm Gjorge Ivanov, i cili për dy mandate ishte president i Maqedonisë së Veriut. Pendarovski në zgjedhjet presidenciale mundi kandidaten e opozitës, Gordana Siljanovska-Davkova.

Pendarovski shpallet kryetar i shtetit me certifikatë në gjuhën shqipe dhe maqedonase

Stevo Pendarovski është Presidenti i parë i Maqedonisë së Veriut që cetrifikatën nga KSHZ e merr edhe në gjuhën shqipe.Siç duket, KSHZ është një nga institucionet e para që ka filluar zyrtarizimin e gjuhës shqipe, siç është e paraparë edhe me Ligjin për përdorimin e gjuhëve i cili pas shumë tensioneve dhe problemeve arriti të miratohet në Kuvend.

Certifikata e KSHZ=së në gjuhën maqeodnase dhe në gjuhën shqipe për Presidentin e ri të Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski

Gazeta Express mëson se anëtarët e KSHZ-së fillmisht kanë hezituar që certifikata të shkruhet në dy gjuhë, por pas insistimit të dy anëtarëve shqiptarë në KSHZ, Enver Salihi dhe Ditmrire Shehu, ka rezultuar që certifikata të shkruhet edhe në gjuhën shqipe.

Ivanov shkon në histori, nuk ka më mundësi të amnistojë askënd

Presidenti në largim Gjorgji Ivanov nuk do t’u kthehet amfiteatrove të universitetit. Ai zgjodhi të gëzojë të drejtat që i takojnë si ish president, pension aq sa e kishte edhe rrogën, pra rreth 1500 euro, një zyre në rrokaqiejt në lagjen aerodrom dhe 3 të punësuar.

Megjithatë, Ivanov ka dhe 48 orë mandat dhe të drejta të plota si President. Ende nuk dihet nëse Ivanov do t’i falë të dënuarit për terrorizëm në ngjarjet e 27 prillit, pasi ata pak kohë parë kërkuan nga presidenti që ti amnistojë.

Televizioni Alsat edhe njëherë herë adresoi pyetje në kabinetin e tij në lidhje me faljen e mundshme, por ai përsëri zgjodhi të heshtë, si shumë herë më parë.

Juristi Sejfulla Osmani thotë se është thuajse e pamundur që Ivanov të falë në këto orë mandat që i kanë mbetur. Megjithatë, Osmani thotë se Ivanov do të duhet të përgjigjet edhe për shkeljet ligjore që i ka bërë në të kaluarën, siç ishte rasti me mos-dekretimin e ligjeve të miratuara në Kuvend.

“Mendoj se mundësia është shumë e vogël që të ndodhë një gjë e tillë. Kryetari në ikje mendoj se edhe teknikisht nuk ka mundësi që për 24 orë t’i kompletojë të gjithë këto procedura të sjell një akt të tillë, së paku ai duhet vendimet që i sjell edhe t’i shpall në Gazetën Zyrtare të Maqedonisë, një mundësi e tillë nuk ekziston. Po që se bën një veprim të tillë ai do të bëj edhe shkelje ligjore, gjë e cila nuk i ka munguar edhe në të kaluarën në disa raste ne kemi pasur evidente kur ai nuk ka respektuar as kushtetutën e as ligjin e posaçërisht kur bëhet fjalë për ligje që për së dyti herë janë lexuar dhe votuar në Parlament, mendoj se në në të ardhmen organet përgjegjëse duhet të marrin veprime adekuate ligjore” tha Sejfulla Osmani – Jurist

Kryetarja e Komisionit për Sistem Politik në VMRO-DPMNE Tanja Karakamisheva ka kërkuar nga Ivanov që orët e fundit si President t’i shfrytëzojë duke i amnistuar të dënuarit e 27 prillit.

Megjithatë ekspertët juridikë janë të ndarë rreth asaj nëse neni 11 i ligjit për falje ekziston në sistemin e drejtësisë apo jo.

Prandaj edhe funksionarët qeveritarë me opozitarët interpretojnë në mënyrë të ndryshme këtë çështje.

Protestë në Shkup: Drejtësi për rastin e Kumanovës dhe proceset e tjera të montuara politike!

Në protestë morën pjesë shumë familjarë të të arrestuarve në rastin e Kumanovës, përfshi edhe të afërm të të arrestuarve në rastet tjera. Pjesë e kësaj protestë ishte edhe vajza e Arsim Bajramit (ish-pjesëtar i MPB-së) i dënuar me 13 vite burg për ngjarjet në “Lagjen e Trimave”.

Lënda gjyqësore për “Lagjen e Trimave” dhe të gjitha proceset tjera të montuara politike të rigjykohen, ndërsa rastet e inskenuara në kohën e qeverisjes së Nikolla Gruevskit, të mbështetur nga gjykatës të partizuar, të ripërsëriten nga fillimi… janë disa nga kërkesat e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, të cilën dje, për të satën herë me radhë, protestuan në sheshin e “Skënderbe” dhe para Gjykatës Penale të Shkupit. Kryetari i Këshillit të familjarëve të të burgosurve politik, Shpëtim Pollozhani, në fjalimin para të pranishmëve, në protestën për rastin e Kumanovës dhe rasteve tjera të montuara, tha se në Maqedoninë e Veriut njëherë e përgjithmonë duhet të ndalohet gjykimi dhe shqyrtimi i lëndëve sipas standardeve të dyfishtë, shkruan gazeta KOHA.
“Të bëhet balistika dhe ekspertiza profesionale e të gjitha të dhënave dhe fakteve materiale që i propozon mbrojtja. Të merren parasysh të gjitha shkeljet dhe lëshimet e qëllimshme procedurale. Në botën demokratike, të akuzuarit edhe për vepra më të rënda lirohen shkaku i lëshimeve procedurale. Me një venting në gjyqësor të largohen të gjitha ata gjykatës që për interesa partiake dhe karrieriste janë pjesë e proceseve të montuara dhe dënimeve drakonike ndaj shqiptarëve. Të përmirësohen kushtet në burgjet e vendit”, tha Pollozhani.

Ndodhitë në Kumanovë në vitin 2015 dhe më pas trajtimi institucional i këtyre ngjarjeve, për organizatorët e protestës “Stop standardeve të dyfishta”, është kulminacioni i montimit të rasteve kundër shqiptarëve. Megjithatë, siç tha Pollozhani, gjatë kësaj periudhe kanë ndodhur edhe raste tjera, të cilët janë gjykuar sipas përkatësisë etnike.
“Jemi të revoltuar për injorimin dhe lirinë e shqiptarëve në krahasim me madhërimin e jetëve të joshqiptarëve, sikur të ishin ata lopët e shenjta të Indisë. Jemi të indinjuar se si një vrasje me paramendim, siç ishte rasti me Almirin e vogël, të interpretohet si një vrasje e paqëllimtë. Edhe pse vrasësi është i dënuar me katër vjet burg, ai nuk ka qëndruar as një vit prapa grilave. Jemi shumë të indinjuar për dënimin me nga 19 vite burg të dy djemve të ri shqiptarë, të cilët pa paramendim dhe pa dashje, ia morën jetën një joshqiptari. Të indinjuar jemi se si autorët e djegies së pronës shqiptare në Gjorçe Petrov të Shkupit nuk u dënuan dhe aq më pak – afaristët shqiptar u dëmshpërblyer”, theksoi Pollozhani. Toga e zeza (gjykatësit), siç tha Pollozhani, janë shpirt zinj. Me veprimet e tyre ata paraprakisht e montuan rastin e “Sopotit”, më pas atë të alfës “Alfën”, “Monstrën” e plot tjera, shtoi ai, njofton Koha.mk.

Në këtë protestë, morën pjesë shumë familjarë të të arrestuarve në rastin e Kumanovës, përfshi edhe të afërm të të arrestuarve në rastet tjera. Pjesë e kësaj protestë ishte edhe vajza e Arsim Bajramit (ish-pjesëtar i MPB-së) i dënuar me 13 vite burg për ngjarjet në “Lagjen e Trimave”. Para të pranishmëve ajo shprehi dëshirë që babai i saj të lirohet sa më shpejtë dhe të kthehet në shtëpi. Ndryshe, edhe pse Qeveria e re në krye me Zoran Zaevin, para dhe pas marrjes së pushtetit pati paralajmëruar hetim ndërkombëtar për ngjarjet e Kumanovës, ajo deri më tani nuk është realizuar dhe me gjasë, nuk do të realizohet asnjëherë. Këtë situatë më së mirë e sqaron mungesa e informacionit që e kishte ministrja e Drejtësisë, Renata Desksoska, e cila tha se nuk ka të dhënë se deri në cilën fazë është kjo procedurë. Ngjashëm u deklarua edhe shefja e Prokurorisë Speciale Publike, Katica Janeva, e cila shtoi se deri më tani, nga “bombat” e shqyrtuara kanë zbuluar vetëm indikacione të vogla, por jo edhe dëshmi të forta. Ajo u shpreh skeptike se PSP-ja do të marrë përsipër këtë lëndë./GazetaExpress/

Organizohen protesta kundër diskriminimit të shqiptarëve, jepet përkrahje për Lagjen e Trimave

Me rastin e 9 majit, ditën kur u bënë luftimet në Kumanovë në “Lagjen e Trimave”, organizohet protestë me moton “Kundër standardeve të dyfishta dhe kundër diskriminimit dhe segregacionit të shqiptarëve”.

Siç bën të ditur Shpëtim Pollozhani, protesta organizohet nga Shoqata e të Burgosurve Politik së bashku me Këshillin e familjarëve që janë të burgosur me dënime të rënda, duke përfshirë aty edhe grupin e “Lagjes së Trimave”.

Protesta nis në orën 13:00, nga sheshi “Skenderbeu” në Shkup dhe do të vazhdojë deri te gjykata.

Nipi i Nënës Terezë në Shkup do ta takojë Papa Françeskun

Familja e shenjtores dhe nobelistes shqiptare, Gonxhe Bojaxhiu – Nënë Tereza nuk ka ndonjë shenjë të theksuar që mund të evidentohet në Shkup. Ajo dikur ishte në zemër të Shkupit, sot lokacioni afër Qendrës së Vjetër Tregtare apo vetëm pak hapa afër përmendores së Aleksandrit të Madh në shesh.

Aty ka ngelur vetëm një pllakë me mbishkrimin “këtu ka qenë shtëpia e Nënë Terezës – Gonxhe Bojaxhiu”. Kjo pllakë është vendosur në një qoshe, dhe disa herë ka qenë pre e akteve vandale.

Një shenjë e Nënë Terezës është familja Gombar, gjegjësisht kryefamiljari i saj Alojz Gombar, që është një famijar, apo disa e konsiderojnë si nipi i Gonxhe Bojaxhiut.

Ai thotë se gjyshja e tij dhe babai i Nënë Terezë ka qenë motër dhe vëlla, pra një lidhje e afërt familjare. Sipas tij bëhet fjalë për një familje të pasur e cila ka pasur shumë pasuri në Shkup dhe në Kosovë, që janë marrë me artari dhe filigrane.

“Por familja jonë ka qenë shumë humane dhe se Nëna Terezë e humanizmin e ka trashëguar nga nëna e saj, e cila gjithmonë kishte përgatitur dreka me kazane për të varfërit. Fryma e ndihmës ndaj të varfërve ka mbetur edhe tek ne”, theksoi Gombar. Ai shton se është një moment i veçantë që për së dyti herë takon Papën dhe se ndjehet shumë i emocionuar. “Me shumë gëzim e presim ardhjen e tij unë dhe familja ime”, theksoi Gombar.

Papa Françesku arrin në Maqedoninë e Veriut, Shkupi nën masa të rrepta sigurie

Isuf Kadriu

Papa Françesku arriti të martën në Shkup të Maqedonisë së Veriut, në vizitën e parë në këtë shtet të një drejtues të kishës kalotike ku do të drejtojë një meshë në përkujtim të Nënë Terezës, humaniste e njohur botërore dhe fituese çmimit Nobel, e lindur në Shkup.

Ati i shenjtë gjatë qëndrimit njëditor në Maqedoninë e Veriut do të takohet presidentin në largim, Gjorge Ivanov dhe kryeministrin Zoran Zaev, i cili vizitën e Papës në Shkup, e ka vlerësuar si historike dhe që mbart mesazhin e pajtimit dhe solidaritetit.

Përgatitjet për vizitën e Papës në Shkup

Zyra e shtypit të Selisë së Shenjtë në Vatikan ka bërë të ditur se Papa do të takohet edhe me përfaqësuesit e shoqërisë civile dhe të trupit diplomatik, si dhe me udhëheqës fetarë e njerëz të varfër.

Meshën e cila do të drejtohet nga kreu i Kishës Katolike Romake, sipas autoriteteve pritet ta ndjekim rreth 15 mijë persona në sheshin kryesor të Shkupit, jo vetëm nga Maqedonia e Veriut, por edhe vende tjera që janë akredituar për të marrë pjesë në aktivitetet e atit të shenjtë.

Vizita e Papës ka ngritur në këmbë thuajse gjithë aparatin shtetëror që masa të jashtëzakonshme të sigurisë. Për mbarëvajtjen e vizitës janë angazhuar qindra forca policore e ushtarake si dhe njësitet speciale anti-terror.

Komunikacioni nëpër rrugët ku pritet të kalojë Ati i shenjtë që të hënën është bllokuar për qarkullimin e automjeteve ndërsa të gjithë banorët e zonës qendrore janë udhëzuar që të mos dalin pa nevojë. Dita e martë në Shkup është shpallur ditë jopune me qëllim të mos shkaktimit të rrëmujës, por edhe si masë për mbarëvajtjen e vizitës.

Para se të nis vizitën në Shkup, Papa nëpërmjet një video-mesazhi kishte shprehur besimin e thellimit të marrëdhënieve mes Vatikanit dhe Maqedonisë së Veriut.

“Sot, më shumë se kurrë, ka nevojë që në Evropë dhe në mbarë botën, të zhvillohet një kulturë e përbashkët, një kulturë e vëllazërisë. Unë do të vij në mesin tuaj. Unë jam i sigurt se vendi juaj është i mirë. Në fakt, bukuria e veçantë e vendit tuaj, është për shkak të kulturave të ndryshme, etnive dhe feve që jetojnë në të. Sigurisht që bashkëjetesa nuk është gjithmonë e lehtë, ne e dimë atë, por ja vlen që të investohet në përpjekje, për shkak se mozaikët më të bukura janë ato që kanë shumë ngjyra”, kishte deklaruar Papa duke theksuar se vizitën ia kushtonte në radhë të parë, Nënë Terezës.

“Vizitën time ia kushtoj një shenjtore të madhe, një bije të vendit tuaj, Nënës Terezë, e lindur dhe e rritur në Shkup, e cila me ndihmën e Perëndisë, u bë misionare e guximshme e Krishtit në botë, duke u dhënë shpresë dhe dinjitetin të varfërve”, ka theksuar Papa Françesku.

Gjatë qëndrimit në Shkup, Atit i Shenjtë do të pranojë edhe një dhuratë të Kosova, shtatoren e Nënë Terezës, të punuar nga familja e Isë H.Buzukut nga Tygjevci i Kamenicës. Njoftimi është bërë nga ambasadori i Kosovës në Shkup, Gjergj Dedaj.

Para vizitës në Maqedoninë e Veriut, Papa Françesku ka qëndruar në Bullgari ndërsa vizita thuhet se kishte për qëllim përmirësimin e marrëdhënieve me Kishën Ortodokse si pjesë e planeve të Vatikanit për të arritur një unitet të mundshëm ndërmjet degëve të krishterimit nga Lindja dhe Perëndimi që u ndanë në vitin 1054.

Papa dhe Selia e Shenjtë shpresonin se gjatë kësaj vizite do të mbahej një lutje e përbashkët në qendër të Sofjes, por drejtuesit e Kishës Ortodokse bullgare kishin refuzuar një kërkesë të tillë.