VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

Gjalpi i freskët – Si ta përgatisni në shtëpi

By | July 14, 2018

Komentet

Shtrëngimet e forta të stomakut – Cilat janë zgjidhjet dhe trajtimet natyrale

Kamomili është një nga zgjidhjet më të mira bimore.

Dhimbja e stomakut është e zakontë, jo vetëm tek fëmijët por edhe tek të rriturit.

Shkaqet e kësaj dhimbjeje janë të shumta dhe përfshijnë urthin, aciditetin e lartë apo edhe fryrjet.

Dhimbja mund të shpaloset në momente krejt të papërshtatshme dhe të kap të papregatitur.

Më poshtë do të mësoni disa këshilla të AgroWeb.org për të larguar dhimbjen dhe për t’u ndierë më mirë.

Si Të Largoni Dhimbjen e Stomakut Në Mënyrë Natyrale

Shtrihuni

Qëndroni shtrirë ose të ulur në një pozicion ku ndieni më pak dhimbje.

Nëse dhimbja vjen si pasojë e mostretjes atëherë përpiquni të ecni për disa minuta.

Kujdes Me Ngrënien e Tepërt

Nëse e keni tepruar me ushqimin, atëherë duhet ta lejoni stomakun ‘të marrë frymë’.

Për të paktën një ditë pas dhimbjeve, përpiquni të ushqeheni vetëm me supa dhe sallata.

Kafshatat e vogla janë gjithashtu një mënyrë e mirë për të ndihmuar stomakun.

Çaj Kamomili

Ky çaj është i njohur për aftësitë qetësuese. Pini dy ose tre filxhanë me çaj kamomili në ditët kur keni probleme, për të larguar dhimbjen dhe përmirësuar tretjen.

Dushi i Ngrohtë

Dhimbjet e stomakut si pasojë e ciklit te femrat mund të trajtohen nëpërmjet një dushi të ngrohtë.

Po ashtu kompresat e ngrohta ose borsat me ujë të ngrohtë janë të rekomandueshme.

Çajrat Bimorë

Çaji me xhenxhefil dhe borzilok që në mëngjes parandalon dhimbjet e stomakut dhe lehtëson tretjen.

Çajrat bimorë funksionojnë edhe kundër dhimbjes që shoqërohet me diare dhe të përziera.

Ushqyerja e Shpeshtë

Hani vakte të vogla çdo dy ose tre orë.

Në këtë mënyrë, stomaku nuk do të tejmbushet dhe nuk do të dhembë.

Jini Të Vëmendshëm Ndaj Alergjive 

Përpiquni të identifikoni ushqimet që mund të shkaktojnë dhimbje stomaku pa dijeninë tuaj.

Disa njerëz janë alergjikë ndaj qumështit dhe nënprodukteve të tij apo grurit.

Ushqimet Me Fibër

Frutat dhe perimet janë të pasura me fibër dhe parandalojnë problemet me stomakun.

Fibra parandalon fryrjen dhe konstipacionin që vjen si pasojë e konsumit të ushqimeve me shumë yndyrë.

Pini Ujë

Dehidratimi por edhe uria shoqërohen me dhimbje në stomak. Sigurohuni që pini ujë gjatë ditës.

Ngrënia dhe pirja e rregullt parandalojnë dhimbjet e stomakut.

Po ashtu, qëndroni larg kripës dhe kryeni aktivitet fizik.

Shmangni Ushqimet Që Shkaktojnë Fryrje

Ushqimet si fasulet, brokoli, lulelakra dhe lakra shkaktojnë gazra dhe fryrje, ndaj duhen konsumuar më pak nëse stomaku juaj nuk i toleron.

Hiqni Dorë Nga Ushqimet me Yndyrë

Ushqimet e shpejta që janë të pasura me yndyrna dhe sheqer janë një barrë e rëndë për stomakun.

Përpiquni të hani ushqime të shëndetshme të gatuara në shtëpi.

Çelësi Është Tek Përtypja

Hani ngadalë, shijoni çdo kafshatë dhe përtypuni për të paktën 10 sekonda çdo kafshatë.

Në këtë mënyrë, mund të parandaloni jo vetëm fryrjet dhe problemet me tretjen por edhe urthin./AgroWeb.org

* Ky informacion ka për qëllim të plotësojë, të mos zëvendësojë këshilla nga mjeku juaj ose ofruesi i kujdesit shëndetësor dhe nuk ka për qëllim të mbulojë të gjitha përdorimet e mundshme, masat paraprake, ndërveprimet ose efektet negative. Ky informacion mund të mos i përshtatet rrethanave tuaja specifike shëndetësore.

Burimi: U.S. National Library of Medicine

Supë brokoli me qumësht – E ngrohtë, e pasur në shije dhe vlera

 

Supa me brokoli dhe qumësht është receta më e mirë për të mbajtur trupin në formë.

Vlerat ushqimore, e bëjnë brokolin ndër perimet e gjelbra më të shëndetshme.

E kombinuar në një recetë supe me qumësht dhe e gatuar me disa përbërës të tjerë po aq të shëndetshëm siç është vaji i ullirit apo edhe patatet e karrotat, kjo pjatë është e mbushur plot me vlera shëndetësore krahas shijes së lehtë të saj.

Ndiqni më poshtë recetën e AgroWeb.org për supën me brokoli, për ta përgatitur atë krejt lehtë në shtëpi.

Si Ta Përgatisni Në Shtëpi

Përbërësit 

(Përbërësit më poshtë janë për 4-5 persona)

400 gr brokoli

4 lugë gjelle vaj ulliri

1 presh mesatar (përdorni vetëm pjesën e bardhë)

2 karrota

1 patate mesatare

700 ml lëng i nxehtë pule ose perimesh

Kripë

Majdanoz

Piper

1 lugë gjelle miell

200 ml qumësht

Përgatitja 

Si fillim, pastrojmë të gjitha perimet me ujë të rrjedhshëm.

Preshim e grijmë hollë, patatet dhe karrotat i qërojmë dhe i presim në kubikë të vegjël ndërsa ndajmë brokolin në degëza të vogla.

Në një tenxhere hedhim një lugë gjelle vaj ulliri e vendosim në zjarr dhe më pas shtojmë preshin e grirë hollë, e kaurdisim për 2-3 minuta derisa volumi të ulet pak.

Më pas shtojmë karrotat dhe patatet e prerë në kubikë, vijojmë t’i kaurdisim për pak.

Shtojmë lëngun e nxehtë të pulës ose perimeve dhe i lëmë të zjejnë bashkë përreth 30 minuta.

Për të përfituar maksimalisht nga vlerat e brokolit, AgroWeb.org ju sugjeron që t’i shtoni degëzat e brokolit 6 minutat e fundit që të ziejnë bashkë me përbërësit e tjerë të supës.

Në fund, vendosni një tigan në zjarr, kaurdisni miellin me pak gjalpë. Sapo mielli nis të zverdhet shtoni qumështin dhe përziejeni mirë dhe pa ndërprerje në mënyrë që të mos krijohen kokërriza.

Masën e krijuar me qumësht hidhjani supës dhe lërini në zjarr të marrin një valë për 4-5 minuta duke i përzjerë vazhdimisht.

Hiqeni nga zjarri dhe sipas preferencës mund ta fusni në mikser derisa të jetë përftuar një masë kremoze e supës.

Supën e rregullojmë me kripë dhe piper.

E hedhim në tasat e servirjes së supës, i spërkasim me vajin e ullirit dhe majdanoz të grirë hollë dhe e shërbejmë të ngrohtë dhe me bukë të thekur shoqëruar.

Nëse preferoni, kur ta servirni, supës mund t’i hidhni pak djathë kaçkavall të grirë apo karrota të vogla të grira, të freskëta, por edhe të ziera sipas preferencës.

Omletë me perime – Mëngjes i shijshëm, Shëndet i mirë

Omleta përgatitet shumë lehtë dhe kërkon pak kohë ndërkohë që është e pasur me vlera të shëndetshme.

Omleta është një ndër recetat më të hershme jo vetëm të kuzhinës shqiptare por gjithë kuzhinës botërore.

Një ushqim i shijshëm por mbi të gjitha i pasur me vlera ushqyese, me përbërës kryesor vezët, omleta vijon të mbetet simboli i një mëngjesi të shëndetshëm.

Omleta përgatitet shumë lehtë dhe kërkon pak kohë ndërkohë që është e pasur me vlera të shëndetshme.

Ajo përgatitet e kombinuar në mënyra të ndryshme, me djathë të bardhë a kaçkavall, proshuta të ndryshme e salsice por më e shëndetshmja dhe më e shijshmja është padyshim omleta me perime të freskëta.

Mund të kombinoni të gjitha perimet që u gjenden në shtëpi, domate, patate, karrota, kunguj, lulelakër, brokoli etj.

Sa më shumë përbërës të hidhni aq më shumë e shijshme dhe e shëndetshme do të bëhet omleta.

Më poshtë, AgroWeb.org u sugjeron një recetë të shëndetshme të përgatitjes së omletës krejt lehtë në shtëpi për të nisur ditën mbarë bashkë me familjen.

Përbërësit

(Përbërësit e kësaj recete janë për katër persona dhe përveç vezëve që janë baza e omletës perimet e tjera mund të shtohen sipas dëshirës dhe atyre që keni në kuzhinë)

4 vezë

Vaj ulliri

Një lugë çaji me miell

Pak qumësht

1 kokërr domate

Një qepë e njomë (vetëm pjesa e bardhë)

1 kungull i njomë

100g djathë i bardhë ose kaçkavall i grirë

Një spec i vogël

Kripë dhe piper

Përgatitja

Si fillim pastroni perimet dhe prijini në kubikë shumë të vegjël.

Grijeni qepën shumë hollë. Në një tigan që nuk ngjit hidhni vajin e ullirit dhe hidhni qepët kavërdisni pak dhe më pas shtoni domatet dhe perimet e tjera të prera në kubikë.

Hidhni piperin dhe kripën dhe kavërdisini herë pas here derisa volumi i perimeve të bjerë.

Nga ana tjetër, në një tas rrihni vezët, shtoni miellin dhe qumështin dhe rrihni derisa të bëhet masa e njëtrajtshme.

Hidheni masën e vezëve në tigan dhe trazojeni në sekondat e para. Në momentin që  pjesa e fundit nis të skuqet shtoni djathin, fikni zjarrin dhe vendosini kapak.

Pas dhjetë minutash mundohuni ta ktheni omletën për ta pjekur edhe nga ana tjetër ose paloseni dhe lëreni të piqet edhe pak minuta.

Në fund vendoseni në një pjatë dhe servireni me kastraveca ose domate të freskëta por edhe më pak sallatë jeshile apo sallatë spinaqi.

Mënyra e shijshme e përgatitjes së karameleve Zana në shtëpi

Karamelet Zana mbeten të veçanta dhe me shije të mrekullueshme duke tërhequr nepsin e kujtdo.

Dikur ishin ëmbëlsirat më magjepsëse për fëmijë e të rritur. Por ashu si dikur edhe sot, karamelet Zana mbeten të veçanta dhe me shije të mrekullueshme duke tërhequr nepsin e kujtdo.

AgroWeb.org ju sjell më poshtë recetën fantastike të përgatitjes së këtyre karameleve unike krejt lehtë në shtëpi.

Përgatitja e Karameleve Zana Në Shtëpi

Përbërësit

Gjysmë gote me ujë

400 g sheqer

Gjysmë luge çaji me vanilje

1 kuti me qumësht të kondesuar (qumësht panda)

300 g mjaltë (jo i ngurtë ose i fortë)

12 lugë gjelle me gjalpë të zbutur

1 lugë çaji me kripë

Përgatitja

Në një tas të madh, AgroWeb.org ju udhëzon të bashkoni ujin, sheqerin, vaniljen dhe përzjejeni masën derisa ajo të jetë homogjene.

Kokrrizat e sheqerit duhet të jentë tretur para se të shtoni mjaltin, qumështin panda dhe gjalpin.

Kalojeni përbërjen në një tenxhere dhe vendoseni në zjarr të ngadaltë.

AgroWeb.org ju këshillon që të tregoni kujdes dhe të përzjeni gjatë gjithë kohës me një tel kuzhine. Kështu masa nuk do të ngjitet në fundin e tenxheres.

Masa do të fillojë të trashet dhe të marrë një ngjyrë të artë.

Tenxheren duhet ta lini në zjarr derisa masa të ketë valuar.

Për të kuptuar që përzjerja është gati, merrni një tas të vogël me ujë të ftohtë.

Merrni me një lugë pak nga masa e formuar dhe futeni në tasin me ujin e ftohtë. Pasi të jetë ftohur shtypeni me dorë, karameli duhet të jetë i plotë por jo i fortë.

Ngjyra do të jetë ajo tipikja e karameleve të dashura që jemi mësuar.

Hiqeni nga zjarri dhe vazhdoni ta përzjeni dhe për 5 minuta të tjera. Kështu do të lejoni që nxehtësia e tenxheres të mos vazhdojë të ndikojë tek fortësia e karamelit.

Në një tavë vendosni një letër kuzhine, ajo do të mundësojë lehtësi për heqjen e karamelit, kur ai të jetë ngurtësuar.

Masën që përgatitët hidheni në tavë dhe hapeni me një lugë në mënyrë që të krijohet një shtresë e barabartë në trashësi.

Lëreni që të ftohet në temperaturë ambjenti përreth 2 orë.

Më pas hiqeni karamelin nga tava duke kapur anët e letrës së kuzhinës.

Me një thike priteni në format karakteristike katrore të karameleve Zana.

Mjafton t’i vendosni të gjitha në një pjatë dhe t’i shijoni me familjen dhe të afërmit.

Për t’i ruajtur, AgroWeb.org ju sugjeron që t’i mbështillni me qese kuzhine. Në këtë formë do të qëndrojnë për dy ditë.

Kek super i butë – Shije e lehtë fantastike

Receta perfekte për ta përgatitur në raste festash ose dhe për ta shijuar çdo herë që nepsi godet.

Një ëmbëlsirë mahnitëse, shumë e lehtë dhe shkrifët.

Receta perfekte për ta përgatitur në raste festash ose dhe për ta shijuar çdo herë që nepsi godet.

Mund të jetë keku më i mirë që do të përgatisni dhe do të mrekulloheni me shijen e tij delikate.

AgroWeb.org ju tregon recetën shumë të thjeshtë për përgatitjen e kekut super të butë, kështu do të surprizoni familjen apo të dashurit tuaj.

Përbërësit 

35 gr gjalpë

pak kripë

3 lugë gjelle me qumësht

20 gr sheqer

6 lugë e gjysmë gjelle me miell për ëmbëlsira

2 vezë që do t’i ndani veç të verdhat dhe të bardhat e tyre

Gjysmë luge çaji me lëng limoni

40 g sheqer

2 të bardha vezësh

Përgatitja

Ngrohni furrën duke e vendosur në 170 gradë Celsius.

Në një tigan shkrini gjalpin me zjarr të ngadaltë.

Shtoni aty pak kripë, qumështin dhe 20 gramë sheqer, përzjejini derisa të shkrihen plotësisht.

Hiqeni tiganin nga zjarri dhe hidhni miellin, përsëri duke e përzjerë në mënyrë që të mos krijohen kokrriza.

Më pas kur të jetë ftohur pak masa, shtoni të verdhat e vezëve dhe përzjejeni me kujdes sa të bashkohen të gjithë përbërësit deri sa të bëhen brumë.

Në një tas hidhni të bardhat e vezëve dhe rrihini derisa të formohet shkuma e bardhë.

AgroWeb.org ju këshillon që të shtoni aty ngadalë lëngun e limonit dhe 40 gramë sheqer, gjithmonë duke përzjerë me rrahësen elektirke.

Me pas duhet të shtoni këtë masë me të bardhat e vezëve tek brumi që formuat.

Duke përdorur një lugë, merrni pak e nga pak nga vëzët e bardha të rrahura dhe përzjejini ngadalë me masën e brumit.

Vazhdoni këtë proces derisa e gjithë masa të jetë homogjene.

Në një tavë hidhni pak gjalpë dhe lyejeni sipërfaqen e saj, më pas spërkateni me pak miell, kështu keku nuk do të ngjitet.

Masën e formuar kalojeni në tavë, dhe me lugë përhapeni në mënyrë që trashësia të jetë e barabartë.

Tavën me brumin e kekut vendoseni brenda në një tavë më të madhe tek e cila shtoni ujë derisa të mbulohet përrreth 3 cm e saj. Proces që njihet si banjo-mari.

Piqeni kekun në temperaturë 150 gradë Celsius përreth 50 minuta.

Për të kuptuar nëse keku është gati, mjafton që me një kunjë dhëmbësh apo thikë të shponi brumin.

Nëse sipërfaqja e thikës është e pastër, atëherë keku është gati.

Pasi ta keni nxjerrë nga furra AgroWeb.org ju këshillon që ta kaloni në një pjatë që të ftohet pa nxehtësinë e tavës.

Mund t’i shtoni sipër pak sheqer pluhur për ta zbukuruar, dhe mjafton ta ndani dhe ta servirini për familjarët dhe të afërmit tuaj.

Nëse ruhet i mbuluar në frigorifer, mund të qëndrojë i freskët për dy ditë.

Si bakllava në pemë – Hurma të pjekura në furrë, Mrekulli në shtëpi

Të zeza me fara apo të bëra shumë, ato shijojnë njëlloj e janë fantastike.

Me mjaltë, me kanellë e të pjekura në furrë, hurmat shndërrohen në një ëmbëlsirë të lehtë, jashtëzakonisht të shijshme.

Hurmat janë frutat më të dashura të vjeshtës dhe dimrit. Padyshim janë ndër frutat më të preferuara të shqiptarëve.

Të tërheqin përherë me shijen e tyre, aq asnjëherë s’mund të ndalesh duke ngrënë vetëm një.

Receta që AgroWeb.org u sugjeron më poshtë është një mënyrë fantastike për të shijuar hurmat si një ëmbëlsirë të lehtë.

Por krahas shijes së tyre fantastike, hurmat mbartin vlera të jashtëzakonshme shëndetësore.

Hurmat janë të pasura me vitamina, minerale si dhe antioksidantë.

Ato përmbajnë ujë me shumicë (rreth 80%), por edhe fibra, vitamina (A, C) dhe kripëra minerale, si kalcium, kalium, magnez, fosfor, selen dhe sodium.

Falë përmbajtjes së këtyre substancave, hurmat u japin energji organizmit, mbrojnë sistemin imunitar, kanë aftësi të përmirësojnë tretjen dhe të luftojnë lodhjen.

Hurmat janë të jashtëzakonshme edhe kundër stresit, kundër anemisë apo mungesës së oreksit.

AgroWeb.org ju sugjeron që për këtë recetë të përzgjidhni hurma të forta dhe jo të bëra shumë në formën e qulltë.

Si t’i Përgatisni në Shtëpi  

Përbërësit

(Sasia e hurmave përzgjidhet në bazë të numrit të personave në familje, në rastin konkret receta është për 4 persona)

4 kokrra të mëdha hurmash

2 lugë kafeje mjaltë

Kanellë

Një filxhan çaji me ujë të ngrohtë

Përgatitja  

Ngrohni si fillim furrën e sobës në 250 gradë.

Pastrojini mirë hurmat me ujë të bollshëm e më pas thajini me një pecetë të pastër kuzhine.

Përmes një thike prijini hurmat në feta dhe pastrojini nga farat, nëse kanë.

Secila nga fetat e hurmës duhet të ketë trashësi 0.5 centimetra. (Nëse dëshironi hurmat mund ti prisni edhe në formë horizontale por sërish me të njëjtën trashësi)

Fetat e hurmave vendosini me rradhë në tavë, të cilën më parë e keni shtruar me një letër pjekjeje.

Në një tas të vogël hidhni dy lugët e mjaltit dhe kanellën.

Përzjejini të dyja bashkë, e më pas hidhni ujin e ngrohtë.

Përzjeni masën derisa të njëtrajtësohet dhe hidhjani sipër hurmave në tavë. Kujdesuni të ruani pak nga shurupi për t’ua hedhur hurmave në fund.

Mbulojeni tavën me hurma me një letër pjekjeje dhe piqini derisa hurmat të zbuten përreth 40 minuta.

10 minutat e fundit para se t’i hiqni nga furra, hiqeni letrën e pjekjes, hidhuni shurupin e lënë mënjanë dhe lërini të piqen edhe për pak derisa hurmat të marrin ngjyrën e pjekjes.

Kjo ëmbëlsirë mund shërbehet e ngrohtë, por edhe ftohtë.

Rrushi ushqen trurin dhe ruan kujtesën – Ja zgjidhja natyrale kundër Alzheimerit

Rrushi përmban vitaminë C, antioksidues dhe substanca stimuluese të imunitetit.

Të konsumuarit e rrushit arrin të ndihmojë në parandalimin e sëmundjes së Alzheimerit.

Ky është përfundimi i arritur nga hulumtuesit në Universitetin e Kalifornisë në Los Anxheles pas përfundimit të një studimi të financuar nga Komisioni i Prodhuesve të Kalifornisë dhe i botuar në Revistën e Gerontologjisë Eksperimentale.

Sipas ekspertëve, të cilët kanë ndjekur një grup të njerëzve që paraqesin prishjen e hershme të kujtesës, konsumi i rrushit dy herë në ditë për gjashtë muaj zvogëlon rënien metabolike të zonave të trurit të shkaktuara nga sëmundja e Alzheimerit.

Efekte të dobishme kundër sëmundjes së Alzheimerit

Pjesëmarrësit e studimit u ndanë në dy grupe. Grupi i parë mori një trajtim pa polifenole e rrushit, ndërsa grupi tjetër mori trajtim me rrush të barabartë me rreth dy gota lëng rrushi në ditë.

Në fund të periudhës së studimit, ata që konsumonin rrushin treguan ndryshime pozitive në metabolizmin e trurit, të lidhura me përmirësimet e njohjes, vëmendjes dhe kujtesës.

Ndërsa ata që morën trajtim pa rrush treguan një rënie tek metabolizmi i rajoneve kritike të trurit të lidhura me sëmundjen e Alzhemeirit.

Polifenolet e rrushit, një trajtim i mrekullueshëm për shëndetin e trurit

Polifenolet e rrushit janë ata antioksidantë që sjellin kaq shumë përfitime.

Reduktimi i dëmtimit të qelizave të trurit së bashku me rrjedhjen e përmirësuar të gjakut ndikon pozitivisht në shëndetin e trurit dhe rrjedhimisht, sëmundjet që prekin atë, përfshirë Alzheimer.

Mundohuni ta përdorni sa më shumë dhe sa më gjatë gjatë periudhës kur rrushi është i gjendshëm në treg.

Resveratroli i rrushit është një tjetër antioksidant që kundërshton rënien e kujtesës, vështirësitë e të mësuarit dhe rëniet e humorit tipike të moshës së tretë.

Rrushi përmban vitaminë C, antioksidues dhe substanca stimuluese të imunitetit. Resveratoroli gjithashtu luan rol kryesor tek pastrimi i radikaleve të lirë dhe merr pjesë në formimin e kolagjenit.

Rrushi gjithashtu përmban vitamina të grupit B (B1 dhe B2), tonifikues të sistemit nervor./AgroWeb.org

Si të hiqni djegësinë e qepës me tri metoda natyrale

Qepët janë një nga perimet më të shëndetshme.

Të gjithëve na ka ndodhur që kemi para një sallatë perfekte me të gjithë përbërësit tuaj të preferuar.

Por shpesh kur e provon, shijon vetëm një gjë: qepën dhe djegësinë saj.

Pas një gote me ujë, larjes së dhëmbëve madje dhe pas një dite e ndjen akoma në frymë aromën e fortë të qepës.

Qepët e pagatuara janë një nga perimet më të shëndetshme, por dhe personat që i adhurojnë stepen për t’i konsumuar të gjalla për shkak të djegësisë që kanë.

Ndërkohë të skuqura, të pjekura apo të ziera bashkë me përbërës të tjerë ato e humbasin djegësinë por  humbin edhe shijen unike.

Fatmirësisht ka disa metoda shumë të lehta, të cilat AgroWeb.org i sjell më poshtë, të cilat arrijnë t’i zbusin djegësinë qepëve të gjalla për t’i shijuar në sallata.

Zbutini djegësinë me ujë

Shija unike e qepëve vjen si rezultat i mineraleve të sulfurit, të cilat neutralizohen kur qepët gatuhen, në sajë të nxehtësisë.

Por uji kryen të njëjtin funksion njësoj si dhe nxehtësia, por duke ruajtur vlerat dhe strukturën e tyre.

Mjafton që t’i lini qepët e prera në një tas me ujë përreth 10 minuta dhe në këtë mënyrë djegësia e tyre do ulet.

Nëse qepët janë të vjetra, mjafton që ujit t’i shtoni akull kështu do t’i jepni qepëve fortësinë e zakonshme.

Mbulojini me kripë

Për ata që nuk duan fortësinë që i jep qepëve zhytja në ujë, kriposja e tyre eleminon djegësirën dhe i zbut njëkohësisht.

AgroWeb.org ju këshillon t’i prisni qepët në copa ose si për sallatë, vendosini në një pjatë dhe mbulojini me kripë.

Lërini kështu për 15 minuta dhe më pas shpëlajini.

Diçka e tillë i largon lagështirën dhe djegësinë qepëve.

Nëse dëshironi mund t’i shtypni edhe me dorë duke i zbutur akoma dhe më shumë, si dhe për t’i dhënë një shije më të veçantë.

Bashkoni lëng limoni me uthull molle

Njësoj si uji dhe uthulla e mollës dhe limoni kryejnë funksionin e largimit të djegësisë në mënyrë perfekte.

Mjafton që qepët e prera t’i vendosni në një tas me uthull molle dhe lëng limoni sa të mbulohen.

Lërini të zhytura përreth 10-15 minuta, më pas nëse preferoni mund t’i shpëlani por jo domosdoshmërisht dhe do të përfitoni një shije krejt unike për recetën që po përgatisnit.

Lista e zezë me dhjetë ushqimet më të dëmshme për zemrën

Shëndeti i zemrës përmirësohet nëse ushqeheni mirë, konsumoni suplementë si Omega 3 ose hekuri si dhe kryeni aktiviete fizike.

Mirëqënia e zemrës varet nga një sërë faktorësh dhe ushqimet janë një prej tyre.

Ushqimet e duhura e të shëndetshme luajnë një rol thelbësor për zemrën, ashtu si luajnë rol të dëmshëm ushqimet e gabuara.

Nëse dëshironi të ruani shëndetin kardiovaskular për shumë vite me rradhë, atëherë duhet të shmangni këto 10 ushqime të listuara nga AgroWeb.org.

Ushqimet e shpejta

Yndyrnat e ngopura kanë një lidhje direkte me shëndetin e zemrës.

Në përgjithësi yndyrnat e ngopura me bazë shtazore në kombinim me karbohidratet kanë një efekt përkeqësues për zemrës. Por ushqimet e shpejta vijnë edhe të kriposura në maksimum.

Shmagini sa më shumë ushqimet e shpejta si sufllaqe, hamburger, etj, që të mbroni zemrën.

Mishrat e përpunuar

Salçicet, proshutat dhe pastërmatë kanë një përmbajtje të lartë kripe.

Vetëm një fetë e hollë proshute përmban gjysmën e sasisë së rekomanduar ditore të kripës.

Ky i fundit është përgjegjës për rritjen e tensionit të gjakut dhe dëmet në zemër.

Ushqimet e skuqura

Patatet e skuqura, mishi i skuqur e të ngjashme si këto rrisin rrezikun e sëmundjeve të zemrës.

Yndyra e tejskuqur rrit kolesterolin në gjak ndaj shmangini këto produkte sa më shumë.

Produktet e gatshme shumë të sheqerosura

Për shumë vite me rradhë, yndyrnat janë përmendur si një nga shkaktarët më në zë në mesin e ushqimeve të sëmundjeve të zemrës.

Megjithatë, ekspertët tani besojnë se niveli i lartë i sheqerit mund të jetë një kërcënim po aq i madh që kontribuon ndaj obezitetit, inflamacionit, kolesterolit dhe diabetit, të gjithë shkaktarë të sëmundjeve të zemrës.

Sheqeri

Debatet mes kardiologëve janë përqendruar tek roli i yndyrnave të ngopura, kolesterolit dhe sheqernave.

Nëse ka një një përbërës që duhet të eleminojnë pacientët që vuajnë nga sëmundjet e zemrës ose janë të rrezikuar prej tyre, është pikërisht sheqeri.

Pijet me ëmbëlsues shtesë

Shumë konsumatorët e gjejnë burimin më të madh të sheqerit të shtuar jo në ushqime, por në pije.

Studimet më të fundit kanë treguar se më shumë se 60% e fëmijëve, 54% e të rriturve, dhe 45 % e femrave kishin konsumuar të paktën një pije të gazuar ose të ëmbëlsuar në mes vitit  2011 dhe 2014.

Drithërat e ëmbëlsuar

Ushqimet që duket sikur janë pjesë e ushqimeve të shëndetshme siç janë drithërat për mëngjes, janë të mbushura me sheqer.

Ngrënia e karbohidrateve të rafinuara dhe sheqernave në mëngjes nxit inflamacionin dhe rrit nivelin e sheqerit në gjak ose e luhat atë, duke i çelur rrugën tundimit për sheqer gjatë gjithë ditës.

Ekspertët rekomandojnë ngrënien e frutave, vezës, avokados, ose bukës me drithë të plotë.

Ëmbëlsirat e pjekura

Ëmbëlsirat e pjekura, veçanërisht ato që shiten të paketuara nëpër dyqane janë plot me sheqer dhe me gjasa janë të gatuara me yndyrna të ngopura siç është vaji i palmës ose margarina.

Pica

Ekspertët e kanë renditur picën në mesin e gjashtë ushqimeve më të kripura, pas mishrave të lartpërmendur.

Përmbajtja e kripës dhe yndyrnave të ngopura tek pica, është gjithnjë në rritje me çdo produkt shtesë që shtoni në brumin e picës.

Kur hani jashtë, mundohuni të kufizoheni me një deri në dy copa picë, ose zgjidhni picë me perime.

Pijet e gazuara dietike

Ato mund të jenë pa yndyrë ose me zero kalori, por pijet dietike kanë një anë të errët.

Njerëzit mendojnë që pije të tilla janë të shëndetshme, por jo.

Studimet shkencore po provojnë dita ditës që pijet e gazuara që janë në treg, kanë lidhje me zhvillimin e obezitetit dhe diabetit që rrisin rrezikun e shfaqjes së sëmundjes së zemrës. /AgroWeb.org

5 arsye të forta përse duhet të hani 1 lugë mjaltë përpara gjumit

Prej mijëra vitesh mjalti ka qenë zgjedhja kryesore kundër inflamacionit dhe për shërimin e organizmit.

Vlerat e mjaltit për shëndetin janë të provuara shkencërisht dhe jo më kot ai njihet si ‘ari i lëngshëm.’

Prej mijëra vitesh mjalti ka qenë zgjedhja kryesore kundër inflamacionit dhe për shërimin e organizmit.

Sipas të dhënave të AgroWeb.org, një nga mënyrat më efikase dhe të thjeshta për të shfrytëzuar të mirat e mjaltit është konsumi i tij përpara gjumit.

Ekspertët e mjekësisë popullore rekomandojnë njëzëri ngrënien e një luge çaji me mjaltë përpara se të shtriheni për të fjetur.

Mjaltin mund ta tresni edhe në çaj kamomili ose qumësht të ngrohtë.

Vlerat Shëndetësore Të Ngrënies Së Mjaltit Përpara Gjumit

Rënia Në Peshë

Nëse konsumohet në mbrëmje, mjalti ndihmon më shumë në djegien e yndyrnave dhe në përmirësimin e funksioneve të mëlçisë.

Duke pirë çajin me mjaltë në vend të sheqerit do të parandaloni shtimin në peshë dhe do të ulni nivelin e sheqerit në gjak dhe të triglicerideve.

Studimet, të cilave u referohet AgroWeb.org konfirmojnë se ngrënia e një luge çaji me mjaltë përpara gjumit frenon urinë gjatë natës.

Kësisoj, mjalti ju ndihmon të humbisni peshë teksa jeni në gjumë.

Mjaltë Për Një Gjumë Të Qetë

Mjalti përmirëson cilësinë e gjumit, mungesa e të cilit mund të shkaktojë shumë probleme shëndetësore siç janë: tensioni i lartë, diabeti i tipit 2, artriti, ishemia dhe sëmundjet e zemrës.

Nëse konsumoni një lugë çaji me mjaltë përpara gjumit, ai do të rrisë lehtë nivelin e insulinës e cila ndihmon në çlirimin e hormonit tryptophan.

Mjalti ndihmon edhe në rritjen e serotoninës, hormoni i humorit të mirë, kënaqësisë dhe gëzimit si dhe melatoninës, hormoni i gjumit të mirë.

Mjalti Ul Rrezikun E Diabetit

Një lugë çaji me mjaltë ul nivelet e glukozës në gjak për një kohë të shkurtër.

Mjaltin mund ta kombinoni me pak kanellë për të mirëmbajtur këto nivele dhe parandaluar diabetin.

Parandalon Alergjitë

Mjalti lufton alergjitë dhe forcon imunitetin.

Këto aftësi i atribuohen mjaltit të vërtetë dhe jo atij të pasterizuar.

Mjafton një lugë çaji me mjaltë çdo natë për të shmangur alergjitë e shkaktuara nga poleni.

Imuniteti

Antioksidantët tek mjalti parandalojnë sëmundjet e zemrës dhe forcojnë imunitetin.

Nëse pini një lugë çaji me mjaltë në mbrëmje do të jeni plot energji dhe do të mbroni rrugët e frymëmarrjes nga infeksioni.

Një lugë me mjaltë ju ndihmon edhe kundër kollës dhe mbron shëndetin e organizmit.

Pure e ngrohtë me lulelakër dhe qumësht – Receta me shije të lehtë perfekte

Një gatim fantastik i cili shoqërohet në mënyrë të shkëlqyer me sallata të freskëta të stinës.

Një recetë e lehtë në shije dhe përgatitje. Ideale për t’u përgatitur sidomos tani kur është edhe stina e kësaj perimeje fantastike.

Është një gatim fantastik i cili shoqërohet në mënyrë të shkëlqyer me sallata të freskëta të stinës dhe mishra të gatuar në mënyra të ndryshme, por edhe me bukë të thekur apo byrek shtëpie.

AgroWeb.org ju sjell më poshtë recetën fantastike të përgatitijes së puresë me lulelakër krejt lehtë në shtëpi.

Përgatitja e Puresë me Lulelakër  

Përbërësit

(Përbërësit më poshtë janë për 4-5 persona)

Një kokë lulelakër 1 kg

2 kokrra patate mesatare

1 gotë qumësht (250 ml)

2 lugë gjelle gjalpë i freskët (Për një gatim më të shëndetshëm AgroWeb.org ju këshillon përdorimin e vajit të virgjër të ullirit)

Kripë

Piper

Përgatitja

Si fillim, AgroWeb.org ju udhëzon të pastroni mirë lulelkarën me ujë të bollshëm dhe ta ndani atë në degëza.

Pastroni patatet nga lëkura, shpëlajeni me ujë, ndajeni në katër pjesë dhe bashkë me degëzat e lulelakrës vendosini në një tenxhere të mbushur me ujë.

Vendoseni tenxheren në zjarr, hidhni kripë në sasinë e preferuar dhe lëreni që lulelakrat dhe patatet të ziejnë derisa të zbuten plotësisht.

Më pas largojeni tenxheren nga zjarri, kulloni lëngun (të cilin mund ta ruani në frigorifer dhe ta përdorni për përgatitjen e një supe të shijshme).

Pasi të keni kulluar lulelakrat dhe patatet kalojini në mikser dhe miksojini derisa masa të behet në formën e puresë.

Më pas, vendosni një tenxhere në zjarr, shtoni aty gjalpin, lëreni sa të tretet dhe shtoni masën e puresë së përgatitur, trazojeni dhe provojeni nëse është e rregulluar mjaftueshëm me kripë.

Shtoni qumështin dhe vijoni ta përzjeni edhe për disa minuta.

Më pas largojeni nga zjarri dhe kur ta servirni spërkateni sipër me pak piper të zi, majdanoz të grirë hollë dhe disa pika gjalpë të tretur.

Vlerat Shëndetësore Të Perimes Së Bardhë

Vitaminat dhe mineralet për imunitetin

Lulelakra përmban antioksidantë të cilët janë thelbësorë për sistemin imunitar.  Lulelakra është e pasur me vitaminë B1, B2, B3, B5, B6, B9, C, Omega-3 dhe vitaminë K.

Kundër qelizave të dëmshme

Lulelakra njihet si një perime super e shëndetshme sepse është një burim sulforafani, një substancë që sulmon qelizat e dëmshme dhe ngadalëson rritjen e qelizave tumorale.

Shëndeti i zemrës

Alicina dhe sulforafani që e përmendëm më lart, përmirësojnë shëndetin kardiovaskular.

Alicina pakëson gjasat e ishemisë dhe sëmundjeve të zemrës.

Sulforani përmirëson tensionin e gjakut dhe veshkat.

Tretja

Lulelakra është një burim i mirë fibre që përmirëson tretjen.

Një racion me lulelakër përmban 3.35 g fibër dietike, e cila pastron sistemin tretës nga substancat e dëmshme.

Detoksifikimi

Antioksidantët tek lulelakra luajnë një rol detoksifikues dhe ndihmojnë në rënien në peshë.

Kjo perime përmban pak kalori dhe mund të gatuhet në mënyra interesante.

Lulelakra e bardhe e pajis imunitetin me substancat që i nevojitet për t’ju kundërpërgjigjur inflamacionit.

Llokume me shegë – Receta e thjeshtë me ëmbëlsi delikate

 

Një recetë e thjeshtë, me shije unike është ajo e llokumeve me shegë.

Përgatitet lehtë dhe kërkon vetëm pakëz durim nga amvisat por që do t’ju mrekullojë tërësisht me shijen e saj të veçantë.

Përgatitja e Llokumeve me Shegë

Përbërësit

370 ml lëng shege

64 gr niseshte + 2 lugë çaji niseshte për spërkatje

3 lugë çaji me lëng limoni

200 gr sheqer

180 ml ujë

100 gram arra (nëse preferoni në vend të arrave mund të përdorni bajame, lajthi ose fistik)

50 gr sheqer pluhur

Përgatitja

Si fillim, AgroWeb.org ju udhëzon që të shtoni në një tavë letër pjekje, lyeni furçën e kuzhinës me pak vaj dhe më pas lyeni me të gjithë sipërfaqen e letrës së pjekjes që keni shtruar në tavë dhe vendoseni mënjanë.

Në një tas të shtoni lëngun e shegës, niseshtenë dhe lëngun e limonit.

Përzjeini të gjitha bashkë derisa masa të njëtrajtësohet, niseshteja të tretet plotësisht dhe lëreni mënjanë.

Më pas, hidhni sheqerin në një tenxhere, shtoni ujin dhe vendosini në zjarr.

Përziejini derisa sheqeri të shkrijë.

Në këtë moment, lëreni zjarrin në nxehtësi mesatare dhe lëreni masën të ziejë pa e përzierë përreth 10 minuta apo edhe pak më shumë.

Më pas, hiqeni nga zjarri.

Ndërkohë, hidhni në një tjetër tenxhere lëngun e shegës që keni lënë mënjanë vendoseni në zjarr mesatar dhe përziejeni derisa masa të nisë të trashet.

Shtojini masën e sheqerit që keni vluar më parë dhe vijoni të përzieni pa ndërprerje derisa të krijohet një masë e fortë xhelatinoze.

Në këtë moment uleni nxehtësinë e zjarrit lëreni edhe për pak minuta dhe më pas largojeni nga zjarri dhe shtoni arrat e thërrmuara apo arrorë të tjerë që dëshironi.

Hidheni masën në tavën që keni lënë mënjanë dhe lëreni të ftohet.

Pasi të jetë ftohur në temperaturë ambjenti dhe futeni në frigorifer ( jo në ngrirje) për 3 orë apo edhe më shumë në mënyrë që masa e llokumes të ngurtësohet.

Më pas, hiqeni nga frigoriferi, prijeni në katrorë të vegjël lyejini si fillim me pak niseshte nga të gjitha anët.

Vendosini në një pjatancë, në fund spërkatini me sheqer pluhur dhe jani gati për t’u shijuar dhe servirur.