SPAK po heton edhe dosje të lidhura me politikanë nga të dy krahët apo dhe zyrtarë me qasjet e tyre në grupet kriminale dhe hetimet që janë komplekse do të kërkojnë më shumë kohë që të finalizohen.
Kështu u shpreh sot nga studio e “News 24” gazetarja Anduena Llabani, duke komentuar situatën më të fundit të aktualitetit dhe veçanërisht dosjen e zv/kryeministres së shkarkuar, pezulluar dhe të pandehur, Belinda Balluku e jo vetëm.
Sipas saj SPAK dhe drejtësia janë duke punuar mirë, por u duhet lënë hapësirë që ta vijojnë këtë punë, ndërsa nënvizoi se politika tenton që ta mbajë të kapur këtë drejtësi. Dhe duke bërë analogji me rastin e ministrave në Greqi që u shkarkuan apo po hetohen për subvencionet në bujqësi, ajo theksoi se ndërkombëtarët presin rezultate.
“Nëse SPAK nuk do ketë rezultate dhe integritet, nuk do gëzojë as mbështetjen e ndërkombëtarëve më tej. Kur Rama shkoi në Bruksel për kushtet e Shqipërisë në BE, e kam thënë se Gjermania do jetë e para që do ankohet për qasjen e qeverisë shqiptare në çështjen Balluku dhe koha e tregoi, ata ishin më aktivët dhe kryeneçët. Shikoni si veproi Greqia me skandalin më të fundit të fondeve në bujqësi, ku ministrat akuzoheshin për subvencionin me dy lopë për fermerë dhe pyetja që mund të bëhet është se si mund të ikë një ministër për dy lopë? Por ja që ikën, vendoset drejtësi dhe drejtësia duhet lënë të bëjë punën e saj”, tha Llabani.
Por megjithë presionin politik të vazhdueshëm, muajt në vijim do tregojnë se kush do triumfojë, drejtësia apo politika. Për gazetaren, SPAK gëzon mbështetje si në popull nga sondazhet e bëra, por edhe të ndërkombëtarëve.
Gjithashtu shpjegoi se partnerët ndërkombëtarë kanë besim te kjo drejtësi, duke sjellë materiale e dosje voluminoze për organizata kriminale që po hetohen, ku besohet ka edhe zyrtarë të lartë, politikanë dhe policë të përfshirë.
“Se kush do dalë më i fortë, drejtësia dhe SPAK bashkë me ndërkombëtarët apo politika, kjo mbetet për t’u parë. Ka shtete partnere që sjellin informacione dhe dosje si Belgjika mbi të gjitha apo Italia, sjellin çdo javë pothuajse, për grupet kriminale, të përfshirë me policë, apo organizatat e krimit dhe veprimtarinë e saj apo politikanët që janë përfshirë me këto grupe kriminale. Deri ku do shkojë SPAK-u dhe deri ku do shkojnë tentakulat kjo mbetet për t’u parë, por po punohet, është duke u punuar”, vijoi argumentin Llabani.
E pyetur për kreun e ri të SPAK, gazetarja tha se ka një strategji tjetër pune, por mbetet një zgjatim i ish-drejtuesit Altin Dumani përsa i përket misionit për drejtësi.
“SPAK po punon, Klodian Braho është i njëjtë me Dumanin në punë, edhe pse me model tjetër. Unë mendoj se Klodian Braho ka tjetër strategji pune, por është zgjatim i Altin Dumanit. Do ketë të tjera prioritete, do kërkohet më shumë kohë për shkak të kompleksicitetit të dosjeve. Ndoshta do kërkojë kohë edhe për shkak të dosjeve penale që janë hapur për politikanët, nga mazhoranca ka, ka edhe nga opozita edhe nga mazhoranca, e kemi parë, shumë janë përcjellë atje te SPAK dhe shumë të tjerë të lidhur me qeverisjen e vendit janë marrë në pyetje në vijim”, përfundoi ajo.